Aktualitet

Dixhitalizim për të gjitha dokumentet e komunitetit ortodoks dhe hebre në Shqipëri

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave nënshkroi sot marrëveshje bashkëpunimi me dy komunitete fetare, Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë si dhe Rabinatin e Shqipërisë për kryerjen e procesit të dixhitalizimit të fondeve arkivore dhe të çdo materiali tjetër që është krijuar nga dy komunitetet, që ruhen në AQSH.

Në marrëveshjen e parë të pranishëm ishin drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Dr. Ardit Bido dhe përfaqësuesi i Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë Episkop Asti. Kjo marrëveshje ka si qëllim bashkëpunimin e dy institucioneve për dixhitalizimin e dokumenteve arkivore të Komunitetit Ortodoks dhe institucioneve të tij që ndodhen në AQSH.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave informoi përfaqësuesit e KOASH mbi marrëveshjet e tjera me komunitetet fetare. Përmes kësaj marrëveshjeje, përmbyllet dixhitalizimi i fondeve arkivore të të katër komuniteteve fetare në Shqipëri. Hirësi Asti vlerësoi marrëveshjen si një hap të rëndësishëm për të dy institucionet.

“Marrëveshja me Kishën Ortodokse që nënshkrova bashkarisht me Hirësi Astin pak ditë përpara Krishtlindjeve përbën përmbylljen e dixhitalizimit të fondeve arkivore të të katër komuniteteve fetare në Shqipëri, teksa ka përfunduar dixhitalizimin e dokumentacionit të komuniteteve myslimane e bektashie, si dhe po kryhet paralelisht me KOASH dhe ajo i komunitetit katolik”, theksoi Bido.

Ndërkaq, Rabinati shqiptar u përfaqësua nga kryerabini i Shqipërisë, Yoel Kaplan. Marrëveshja parashikon dixhitalizimin e të gjithë fondit arkivor të personave dhe organizmave të hebrenjve në Arkivin Qendror Shtetëror, me kostot e Rabinatit, si dhe do të bashkëveprojnë për botimin e katalogjeve të referencave arkivore mbi hebrenjtë në Shqipëri.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, dr. Ardit Bido vlerësoi marrëveshjen si tentativën e radhës për të bërë publike në të gjithë botën historinë krenare të kombit shqiptar në shpëtim të hebrenjve.

Ai theksoi se “kjo marrëveshje do të mundësojë edhe një platformë elektronike për ta përbotësuar këtë ngjarje të rëndësishme në historinë e dy kombeve”.

Kryerabini Yoel Kaplan vlerësoi rolin e shqiptarëve në shpëtimin e hebrenjve dhe theksoi se marrëveshja me DPA do t’i japë një hov të ri kërkimit shkencor mbi këtë moment të rëndësishëm historik. /atsh

Dixhitalizim për të gjitha dokumentet e komunitetit ortodoks dhe hebre në Shqipëri Read More »

Ulet shkalla e papunësisë për të rinjtë, 1.8% më pak në tremujorin e tretë të vitit

Shkalla e papunësisë për të rinjtë në tremujorin e tretë të vitit 2019 u ul me 1.8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Instituti i Statistikave (INSTAT) publikoi anketën tremujore të forcave të punës sipas të cilës shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë 15-29 vjeç është 21.4%.

“Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2018, shkalla e papunësisë për të rinjtë në tremujorin e tretë të vitit 2019 është 1.8 pikë përqindje më e ulët”, – thuhet në anketën e INSTAT-t.

Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2019, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç është 52.5% me një rritje prej 1.1% krahasuar me një vit më parë./atsh

Ulet shkalla e papunësisë për të rinjtë, 1.8% më pak në tremujorin e tretë të vitit Read More »

Lind Aleanca, praktikat më të mira europiane kundër gjuhës së urrejtjes

Lufta kundër gjuhës së urrejtjes dhe sjellja e praktikave më të mira evropiane ka bërë bashkë KMD, Avokatin e Popullit, AMA dhe Këshillin e Mediave.

“Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Zyra e Avokatit të Popullit, AMA dhe Këshilli Shqiptar i Medias janë bërë së bashku për themelimin e “Aleancës Pa Urrejtje”, një iniciative për të angazhuar aktorë vendimmarrës, për të bashkuar forcat dhe për të avancuar në luftën kundër gjuhës së urrejtjes dhe promovimin e barazisë”, shprehet KMD.

Thelbi i takimit ishte gjetja e mekanizmave për të luftuar urrejtjen dhe zbatimin e praktikave të mira europiane.

“Aleanca do të synojë të identifikojë mekanizma të mundshëm për të luftuar gjuhën e urrejtjes, bazuar në praktikat më të mira europiane”, shprehet KMD. /atsh

Lind Aleanca, praktikat më të mira europiane kundër gjuhës së urrejtjes Read More »

Rama përcjell fjalët e shenjta të Aquinas: Ruhu nga njeriu që ka lexuar vetëm një libër

Kryeministri Edi Rama përcolli mëngjesin e sotëm fjalët e Thomas Aquinas në rubrikën “Fjalët e Shenjta” që nisën si apel solidariteti pas tërmetit të 26 nëntorit.

“Ruhu nga njeriu që ka lexuar vetëm një libër”, citoi Rama fjalët e Aquinas.

Kryeministri Rama ka përcjellë këto javë apelin e solidaritetit dhe ndihmës njerëzore ndaj të prekurve nga tërmeti i 26 nëntorit, duke cituar fjalë të shenjta nga librat e shenjtë, por edhe nga personalitetet botërore./atsh

Rama përcjell fjalët e shenjta të Aquinas: Ruhu nga njeriu që ka lexuar vetëm një libër Read More »

Meta, mesazh ngushëllimi për artisten Marika Kallamata: Humbje e pazëvendësueshme

Presidenti Ilir Meta shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të artistes së shquar dhe të dashur Marika Kallamata.

Meta tha se “kjo është një humbje e pazëvendësueshme për teatrin dhe kinematografinë shqiptare”.

“Trashëgimia e pasur artistike, galeria e roleve të interpretuara me mjeshtëri të rrallë dhe të gjitha kujtimet që na la pas, nderohen me respekt dhe do të mbahen mend gjithmonë.
Duke ndarë dhimbjen, u përcjell ngushëllimet më të sinqerta të afërmve dhe bashkëpunëtorëve të saj, si edhe të gjithë artdashësve shqiptarë”, tha Meta.

Homazhet për aktoren Marika Kallamata, e cila u nda dje nga jeta, do të mbahen sot në ambientet e “arTurbinës”, nga ora 11:00-13:00. /atsh

Meta, mesazh ngushëllimi për artisten Marika Kallamata: Humbje e pazëvendësueshme Read More »

Festat e Fundvitit, gratë e dënuara takohen me fëmijët

Festat e fundvitit kanë ndezur atmosferën dhe në institucionin e vuajtjes së dënimit “Ali Demi”, ku gratë e dënuara takuan të hënën fëmijët e tyre të vegjël.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, në një reagim të saj, theksoi se gratë e dënuara mundën të ndajnë urimet e festave dhe t’i japin pakon e dhuratave vogëlushëve të vegjëlve të tyre, nën një atmosferë festive.

“Teksa dritat e shumta të festave kanë ndezur atmosferën speciale të fundvitit, menduam që ndriçimin e tyre ta përcjellim edhe në institucionin e vuajtjes së dënimit “Ali Demi” ku gratë e dënuara mundën të takojnë vogëlushët e tyre, të ndajnë urimet e festave dhe t’i japin pakon e dhuratave”-, thekson Gjonaj në reagimin e saj.

“Me mbështetjen e organizatës “Save the Children”, të cilën gjej rastin që ta falënderoj, ne mundëm t’i krijojmë disa momente festive të miturve të cilët morën mesazhin e festës nga nënat e tyre të cilat padyshim pavarësisht gabimit që kanë kryer dhe do ta kryejnë dënimin deri ditën e fundit, e meritojnë të ringrihen”-, bënë të ditur ministrja e Drejtësisë.

“Gjithashtu, në takim u prezantuan edhe disa nga detajet e punës që kemi nisur për të ndjekur çdo rast në mënyrë që gratë e dënuara të kenë mundësi që pas rehabilitimit të gjejnë forcën për t’i shërbyer sa më denjësisht vetes, familjes dhe shoqërisë.Puna vazhdon, për “Drejtësinë Që Duam” dhe “Shqipërinë Që Duam”-, garanton Gjonaj, duke mbyllur reagimin e saj.

Gjatë aktiviteit të organizuar në IEPV “Ali Demi” ishte e pranishme dhe zv. ministrja e Drejtësisë, Fjoralba Cakaj./atsh

Festat e Fundvitit, gratë e dënuara takohen me fëmijët Read More »

Reshjet intensive të shiut/ Prefekti Mamaj për ATSH: Situatë normale në Novoselë, po monitorojmë prurjet e Vjosës

Situata në fshatin Novoselë të Vlorës si pasojë e motit të keq të shoqëruar me reshje të dendura shiu në fundjavë është normale, pavarësisht se niveli i lumit Vjosa ka shenja të rritjes.

Kështu deklaroi për ATSH-në, prefekti i qarkut të Vlorës, Flamur Mamaj, i cili po ndjek nga afër situatën së bashku me zëvendësministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Dhimo Kote dhe kryetarin e njësisë administrative Novoselë, Kanan Shakaj.

“Moti i keq që ka përfshirë vendin tonë ka sjellë probleme edhe në qytetin e Vlorës, ku konkretisht në Novoselë ka shenja të rritjes së nivelit të lumit Vjosë, si pasojë e ujërave të shumtë që vijnë nga Përmeti dhe Gjirokastra”, theksoi Mamaj.

Prefekti Mamaj sqaron se “për momentin nuk ka probleme, por nëse ka rritje të mëtejshme të nivelit të ujit do të ndjekim protokollin për evakuimin e banorëve dhe të bagëtisë, sipas fazave të emergjencës”.

Vendi ynë është përfshirë në fundjavë nga moti i keq i shoqëruar me reshje shiu me intensitet të lartë dhe erëra të forta./atsh

Reshjet intensive të shiut/ Prefekti Mamaj për ATSH: Situatë normale në Novoselë, po monitorojmë prurjet e Vjosës Read More »

Reshjet e shiut, përmirësohet qarkullimi në disa akse rrugore në verilindje

Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi sot se qarkullimi i mjeteve në akset rrugore në verilindje të vendit është përmirësuar gjatë ditës së sotme pas disa problemeve të paraqitura gjatë natës si rezultat i reshjeve të shiut.

“Gjatë natës ka pasur reshje me intensitet të lartë. Në disa segmente rrugore, si në akset e qarkut të Tropojës, në zonën e Murrashit, Mjedë-Pukë-Fushë Arrëz-Kukës, Kukës -Bushtricë ka pasur rënie gurësh dhe materiale në rrugë”, njoftoi ARRSH.

Sipas ARRSH-së, kontraktorët e mirëmbajtjes kanë qenë në gatishmëri gjatë gjithë natës dhe janë në terren për të pastruar akset nga rënia e gurëve në trup të rrugës.

Reshjet kanë pushur dhe situata është përmirësuar duke bërë të mundur që qarkullimi i mjeteve në të gjitha akset të vazhdojë normalisht./atsh

Reshjet e shiut, përmirësohet qarkullimi në disa akse rrugore në verilindje Read More »