Aktualitet

Rama përcjell fjalët e Kierkegaard: Të mos guxosh do të thotë të humbasësh veten

Kryeministri Edi Rama përcolli mëngjesin e sotëm fjalët e filozofit danez, Soren Kierkegaard në rubrikën “Fjalët e Shenjta” që nisën si apel solidariteti pas tërmetit të 26 nëntorit.

“Të guxosh do të thotë të humbasësh përkohësisht barazpeshën, të mos guxosh do të thotë të humbasësh veten”, citoi Rama fjalët e filozofit Kierkegaard, në ditën e Krishtlindjeve.

Kryeministri Rama ka përcjellë këto javë apelin e solidaritetit dhe ndihmës njerëzore ndaj të prekurve nga tërmeti i 26 nëntorit, duke cituar fjalë të shenjta nga librat e shenjtë, por edhe nga personalitetet botërore. //atsh

Rama përcjell fjalët e Kierkegaard: Të mos guxosh do të thotë të humbasësh veten Read More »

Pensioni i parakohshëm i punonjësve të Policisë së Shtetit dhe Gardës, 50% e pagës mujore neto deri në mbushjen e moshës

Punonjësit e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat të cilët kanë mbushur moshën 55 vjeç dhe kanë 30 vite pune do të përfitojë trajtim financiar, pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës deri në plotësimin e moshës për pension të plotë pleqërie.

Në Kuvend është dorëzuar projektligji i cili përcakton kriteret e përfitimit.

Qëllimi i këtij ligji është t’u garantojë trajtim financiar punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme, në rast të ndërprerjes së marrëdhënieve të punës, përpara daljes në pension të plotë pleqërie.

Për efekt të përfitimit të trajtimit financiar, sipas p/ligjit të propozuar, pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës, njihet si vjetërsi shërbimi, vjetërsia e shërbimit e përcaktuar në legjislacionin e posaçëm që rregullon veprimtarinë e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme.

Trajtimi financiar i punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme, është në masën 50% të pagës mujore neto, në momentin e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës me shërbimin përkatës.

Gjatë periudhës së trajtimit me pagesë kalimtare, sipas legjislacionit përkatës në fuqi, masa e trajtimit financiar, sipas këtij ligji, nuk duhet të kalojë masën e pagës mujore neto, në momentin e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës me shërbimin përkatës.

Trajtimi financiar përfitohet me kërkesë të punonjësit ose të titullarit të institucionit përkatës dhe miratohet nga Komisioni i Posaçëm. Përzgjedhja e përfituesve do të bëhet nga Komisioni i Posaçëm, sipas kritereve të moshës, të vjetërsisë në shërbim, aftësisë fizike të punonjësve dhe duhet të garantojë respektimin e parimeve të mosdiskriminimit, të objektivitetit, të transparencës dhe të paanshmërisë./atsh

Pensioni i parakohshëm i punonjësve të Policisë së Shtetit dhe Gardës, 50% e pagës mujore neto deri në mbushjen e moshës Read More »

Veliaj: 100-vjetori si kryeqytet e gjen Tiranën me buxhetin më të madh në histori

vjetori i shpalljes kryeqytet e gjen Tiranën me buxhetin më të madh në historinë e saj. Këshilli Bashkiak i Tiranës miraton sot buxhetin e vitit 2020, i cili vjen me një rritje prej 11% krahasuar me buxhetin e vitit 2019, ndërsa parashikon jo vetëm rritje të investimeve publike, por edhe detyrimet që lindin për rimëkëmbjen dhe rindërtimin pas tërmetit të 26 nëntorit.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në fjalën e tij para Këshillit Bashkiak, duke iu referuar pikërisht buxhetit të vitit 2020, tha se viti që vjen do të jetë një tjetër vit i mbarë për Tiranën, me shumë punë, shumë projekte që do të na çojnë një hap më pranë objektivit për të ndërtuar Tiranën e gjeneratës tjetër.

“Jam i bindur se 2020-ta do të jetë një vit i mbarë dhe i paharruar për qytetin tonë. Jemi mbledhur këtu sot, që të marrim disa vendime të rëndësishme së bashku. Na presin shumë punë të mira, që duan shumë energji, vullnet e këmbëngulje për të vijuar në rrugën e drejtë të transformimit të Tiranës. Sot miratojmë buxhetin më të madh në 100 vjet të Bashkisë së Tiranës dhe Buxhetin e 100 vjetorit të Tiranës Kryeqytet. Është një vit jubile për të cilin jemi duke u përgatitur me shumë aktivitete e ngjarje kulturore, për të lënë realisht shenjë në 100 vjetorin e qytetit tonë”, – theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se “lajmi i mirë për të gjithë qytetarët është se edhe buxheti i vitit 2020 është sërish buxheti më i lartë që ka pasur ndonjëherë bashkia e Tiranës, i rritur me 11% në krahasim me vitin e kaluar, duke sjellë kështu më shumë investime për ata që kanë vendosur ta quajnë Tiranën shtëpinë e tyre të madhe. Fakti që ky është viti i pestë rresht që vijmë përpara Këshillit me një buxhet me rritje, besoj se na jep të gjithëve të drejtën të ndihemi krenarë për punën që kemi bërë, por, ç’është akoma më e rëndësishme, na jep arsye të ndihemi optimistë se viti që vjen do të jetë një tjetër vit i mbarë për Tiranën, me shumë punë, shumë projekte që do të na çojnë një hap më pranë objektivit tonë për të ndërtuar Tiranën e gjeneratës tjetër”.

“Ky është padyshim kurorëzimi më i bukur që mund t’i bëhej një viti shumë të mirë për qytetin dhe një fillim i mbarë i mandatit të dytë”, tha Veliaj./atsh

Veliaj: 100-vjetori si kryeqytet e gjen Tiranën me buxhetin më të madh në histori Read More »

Teliti: PD do ulë taksat për biznesin dhe çmimin e energjisë

Përfaqësuesi i PD-së, Dorian Teliti i inkurajoi bizneset t’i bashkohen Partisë Demokratike me votë për të ndryshuar për mirë jetën e tyre.

Përfaqësuesi i PD-së, Teliti u takua sot me biznesin në Rrogozhinë ku premtoi ulje të taksave për biznesin.

“Në momentin që do të marrim drejtimin e punëve do të jemi vetëm në krah të biznesit. Taksa të ulëta, çmim të ulët të energjisë, pa TVSH, pa tatim fitim për çdo biznes që bën xhiro deri në 140 mijë dollarë në vit, do paguash vetëm 0.5% të xhiros, bëre 20 milionë lek xhiro në vit, do paguash 40 mijë lek të vjetra. Kaq do të jetë detyrimi yt. Pjesën tjetër, çfarë do të fitosh do ta shpërndash brenda familjes tënde, të rrisni mirëqenien dhe të paguash rrogat e punonjësve që do të merrni këtu. Çmimi i energjisë do të ulet deri në masën 40% në varësi të llojit të biznesit, çmimi që do të lëvizë do të ulet nga -20% deri në -40%. Është e vetmja mënyrë për t’i ardhur në ndihmë biznesit”, tha ai. /atsh

Teliti: PD do ulë taksat për biznesin dhe çmimin e energjisë Read More »

Manastirliu me gjyshërit e Shtëpisë së të Moshuarve: Gjest fisnik që dhuruat për banorët e prekur nga tërmeti

Gjyshet dhe gjyshërit që janë banorë të Shtëpisë së të Moshuarve në Tiranë kanë mbledhur nga kursimet e tyre dhe së bashku kanë dhuruar për banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit.

Gjesti i tyre fisnik u vlerësua nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila kaloi mëngjesin e sotëm me 50 gjyshe dhe gjyshër që jetojnë në Shtëpinë e të Moshuarve në Tiranë.

“Kam ardhur personalisht jo vetëm për t’ju uruar për festat e fundvitit por edhe për t’ju falenderuar pa masë për gjestin fisnik që keni bërë, për dhurimin nga kursimet tuaja për banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit”, tha Manastirliu.

Duke vlerësuar gjestin e gjyshërve të vetmuar që jetojnë në Shtëpinë e të Moshuarve në Tiranë, Manastirliu tha se “fisnikëria dhe dhemshuria janë tipare që i karakterizojnë gjyshërit tanë ndaj dhe u jemi gjithmonë mirënjohës për vlerat që na kanë transmetuar”.

Gjatë këtij viti është investuar për ndërtimin e një qendre të re multifunksionale në Palasë, e cila shërben si shtëpi pushimi për moshën e tretë dhe grupet në nevojë si dhe ka përfunduar rikonstuksioni i plotë i Shtëpisë së të Moshuarve në Shkodër.

Po ashtu, është miratuar edhe Plani i Moshimit, i cili përcakton shërbimet që duhet të sigurohen për moshën e tretë.

Gjatë vizitës në Shtëpinë e të Moshuarve në Tiranë, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale siguroi se do të vijojë mbështetja për moshën e tretë./atsh

Manastirliu me gjyshërit e Shtëpisë së të Moshuarve: Gjest fisnik që dhuruat për banorët e prekur nga tërmeti Read More »

Meta uron Krishtlindjen: Le të jetë kjo një ditë shprese për një Shqipëri më të begatë

Presidenti Ilir Meta vizitoi sot Qendrën Sinodike të Katedrales Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, ku u prit nga Fortlumturia e Tij, Kryepeshkop Anastas Janullatos dhe nga klerikët të lartë të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.

Presidenti Meta, u përcolli urimet më të mira besimtarëve të krishterë për Festën e shenjtë të Krishtlindjes duke theksuar para përfaqësuesve të mediave: “Ishte kënaqësi e veçantë për të uruar Fortlumturinë e Tij, kreun e Kishës sonë Ortodokse për këtë ditë shprese të bekuar. Njëkohësisht për të uruar të gjithë besimtarët ortodoksë, por edhe të krishterë shqiptarë”.

“Le të jetë kjo një ditë shprese, një ditë solidariteti, për të reflektuar edhe më shumë, për të kthyer sytë dhe për të shtrirë dorën ndaj atyre që kanë nevojë për më shumë ndihmë, mbështetje dhe përfshirje në shoqërinë tonë, që kanë nevojë për më shumë ngrohtësi dhe dashuri, në mënyrë që të kemi një Shqipëri më të qëndrueshme, më njerëzore, më dinjitoze dhe më të begatë!”, tha ai.

Gjithashtu Presidenti Meta u uroi festën e shenjtë të Krishtlindjeve Kryetarit të VUSH-it, Pastor Ylli H. Doçi si dhe drejtuesve e besimtarëve ungjillorë shqiptarë, duke vizituar gjithashtu edhe selinë e Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë. /atsh

Meta uron Krishtlindjen: Le të jetë kjo një ditë shprese për një Shqipëri më të begatë Read More »

Shpërblimi i Fundvitit/ Mbi 46 mijë pensionistë tërheqin bonusin deri në mesditë

Në të gjitha pikat e postës shqiptare ka nisur sot shpërndarja e shpërblimit prej 3 mijë lekësh për 663 227 pensionistë.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore njoftoi se deri në orën 12:00 të ditës së sotme e kanë tërhequr këtë shpërblim 46 401 persona.

ISSH thotë se sportelet e Postës Shqiptare do të jenë të hapura deri në datën 31 dhjetor, në mënyrë që të gjithë pensionistët të tërheqin shpërblimin për festat e Fundvitit.

Përmes një akti normativ qeveria miratoi dje dhënien e shpërblimit prej 3 mijë lekësh për pensionistët në vend.

Nga ky vendim përfitojnë 663 227 pensionistë, nga të cilët 530 364 qytetarë që trajtohen me pension pleqërie, 67 754 që trajtohen me pension invaliditeti, 49 849 janë në pension familjar dhe 13 260 që trajtohen me pension social të veçantë./atsh

Shpërblimi i Fundvitit/ Mbi 46 mijë pensionistë tërheqin bonusin deri në mesditë Read More »

Bashkë me të bijën, Spiropali bën urimin e veçantë për Krishtlindje

“Kjo natë e shenjtë të zbusë dhimbjet, të lehtësojë vetminë”, ishte urimi i veçantë i zgjedhur nga Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëherazi kryetare e Partisë Socialiste të Tiranës, Elisa Spiropali, për t’i uruar besimtarëve katolik dhe ortodoks Krishtlindjet.

Më vajzën Nalta në krahë, e tek mbajnë një qiri në dorë, Spiropali iu drejtua me një mesazh të gjithë shqiptarëve e veçanërisht familjarëve që humbën të afërmit nga tërmeti i 26 nëntorit, duke i uruar që “kjo natë e shenjtë të zbusë dhimbjet, të lehtësojë vetminë”.

“Uroj që kjo natë e shenjtë të zbusë dhimbjet, të lehtësojë vetminë, të largojë fatkeqësinë që goditi jetët e njerëzve tanë! Zoti qoftë me ju dhe familjet tuaja, sonte dhe gjithmonë”-, shkruan ministrja Spiropali. /atsh

Bashkë me të bijën, Spiropali bën urimin e veçantë për Krishtlindje Read More »