Aktualitet

Fustanet velur të duhurat për t’u dukur “mbretëresha e mbrëmjes”

Të butë, të mëndafshtë, të këndshëm. Le t’u japim mirëseardhjen veshjeve më të dashura të këtij dimri: fustanet velur.

Pavarësisht nëse do të ishte i gjatë apo i shkurtër, apo në gjatësi të mesme, me një fustan të tillë do të jeni ‘mbretëresha e mbrëmjes’.

Një fustan velur i zi është gjithmonë i bukur dhe me të s’do të gaboni kurrë. E njëjta gjë vlen edhe për ngjyrat e tjera të vjeshtës: kafe, jeshile e errët, gri dhe bordo.
Për ato më romantiket edhe ngjyra rozë pudër dhe e kaltër dhurojnë një pamje të paharrueshme.

Në këtë prag festash ku fustan është zgjidhja e duhur si për një drekë ku mund të zgjidhni një model komod po ashtu dhe për darkë ku mund të zgjidhni një model më ekstravagant dhe me ngjyrë të ndezur.

Shfletoni galerinë me disa modele nga fustanet velur më të bukur për këtë vit për tu frymëzuar për natën e ndërrimit të viteve./atsh

Fustanet velur të duhurat për t’u dukur “mbretëresha e mbrëmjes” Read More »

Prokurorët Dritan Prençi dhe Vladimir Mara bëhen pjesë e SPAK

Dy prokurorët Dritan Prençi dhe Vladimir Mara, janë bërë pjesë e Prokurorisë Speciale (SPAK), që do të hetojë krimin dhe korrupsionin në nivele të larta politike.

Këshilli i lartë i Prokurorisë votoi sot me 9 vota pro dhe një kundër (Nurihan Seiti), kërkesën e drejtuesit të SPAK, Arben Kraja për transferimin e Përkohshëm të prokurorëve Mara dhe Prençi në SPAK.

Ndërsa është ndërprerë caktimi i përkohshëm i prokurorit Dritan Prençi me Prokurorinë e Shkallës së Parë Tiranë në momentin e transferimit të përkohshëm në SPAK.

Dritan Prençi dhe Vladimir Mara njihen si dy prokurorë që kanë drejtuar disa nga dosjet më të rëndësishme të zyrtarëve dhe të luftës kundër krimit të organizuar./atsh

Prokurorët Dritan Prençi dhe Vladimir Mara bëhen pjesë e SPAK Read More »

Certifikatë mirënjohjeje 2 punonjësve të burgjeve që dalin në pension, Gjonaj: Shembull pozitiv për të rekrutuarit e rinj

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar sot me punonjësit e Policisë së Burgjeve për t’u shpërndarë certifikatën e mirënjohjes dy punonjësve që kanë mbushur moshën e pensionit.

“Pjesë e 85 punonjësve të policisë të cilëve iu dorëzua certifikata e mirënjohjes ishin edhe Kiço Ferra dhe Fran Ruçi të cilët sapo kanë mbushur moshën e pensionit pas një jete të tërë pune në sistemin e burgjeve. Jam e bindur që të gjithë këta burra dhe gra do të jenë një shembull tejet pozitiv edhe për të rekrutuarit e rinj”, tha Gjonaj.

Po ashtu, Gjonaj shton se “punonjësit e policisë me eksperiencën më të gjatë në burgje, e meritojnë plotësisht certifikimin e mirënjohjes sonë për vitet e sakrificës, përkushtimit, profesionalizmit dhe vigjilencës me të cilën ata kanë ushtruar profesionin e tyre duke nderuar uniformën e dinjitetit që mbajnë veshur”.

“Në kuadër të reformës që kemi ndërmarrë në të gjithë sistemin penitenciar, kam pasur dhe vijoj të kem në vëmendje punën që bëjnë punonjësit e burgjeve të cilët meritojnë respekt, siguri dhe paga dinjitoze. Edhe pse kemi pasur një rritje të ndjeshme të rrogave, mjeteve logjistike dhe infrastrukturës, ende na ngelen shumë objektiva për t’u përmbushur në raport me kontributin e tyre”, u shpreh ajo. /atsh

Certifikatë mirënjohjeje 2 punonjësve të burgjeve që dalin në pension, Gjonaj: Shembull pozitiv për të rekrutuarit e rinj Read More »

OSHEE: 1500 punonjës në shërbim 24 orë, furnizim pa ndërprerje për festa

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) njofton se 1500 punonjës janë në gatishmëri për të garantuar furnizim pa ndërprerje të energjisë elektrike në të gjithë vendin.

OSHEE po ndjek planin e masave per festat e fundvitit, bazuar mbi rregulloret e gatishmërisë, e cila përmban udhëzimet-skemat e ndërhyrjes në raste avarish.

Janë afro 1500 punonjës të vendosur në gatishmëri në pikat kritike të rrjetit elektrik, në shërbim të rritjes së sigurisë të furnizimit me energji.

OSHEE bën të ditur se, “abonentët e OSHEE-s, mund të përdorin numrat e kontakteve të dispecerive, sipas rajoneve, referuar hartës, bashkë me numrin unik call center 04 227 4141, në shërbim 24 orë për çdo avari apo problem që mund t’ju paraqitet gjatë festave të fund vitit me shërbimin e energjisë elektrike”./atsh

OSHEE: 1500 punonjës në shërbim 24 orë, furnizim pa ndërprerje për festa Read More »

Kurti: Konstituimi i Kuvendit të Kosovës tregon qytetërim demokratik

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se konstituimi i Kuvendit të Kosovës tregon qytetërim demokratik.

Në një prononcim për mediet ai ka thënë se, shpreson që do të tejkalohen të gjitha pengesat dhe do të krijohet edhe Qeveria.

“Kuvendi është tempulli i demokracisë dhe ligjvënies. Prandaj, jam i bindur që me këtë hap kemi treguar një lloj qytetërimi demokratik sepse për dallim nga legjislatura e gjashtë, ne nuk kemi bllokuar konstituimin e institucioneve”, është shprehur Kurti.

“Me dashamirësinë dhe me interesin e përgjithshëm para çfarëdo interesi tjetër besoj që do t’i tejkalojmë të gjitha pengesat dhe të kemi edhe qeveri të re ashtu siç patëm edhe Kuvend të ri”, ka shtuar ai.

Ai nuk ka treguar nëse do të takohet me kryetarin e LDK-së Isa Mustafën së shpejti, por ka thënë se kontaktet me të i ka të rregullta.

“Ne jemi në kontakt të rregullt. Me siguri që do të kemi komunikim, bashkëpunim dhe takime”, ka theksuar Kurti.

Kreu i Vetëvendosjes ka thënë se nuk është befasi zgjedhja e Glauk Konjufcës në postin e kryetarit të Kuvendit./atsh

Kurti: Konstituimi i Kuvendit të Kosovës tregon qytetërim demokratik Read More »

Ruçi uron Kryeparlamentarin e ri të Kosovës: Përvoja dhe urtësia juaj, garanci për sukses

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, uroi sot Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, me rastin e zgjedhjes në këtë detyrë të lartë.

“I dashur Glauk, me rastin e zgjedhjes tuaj Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, ju uroj nga zemra suksese në këtë detyrë të lartë dhe fisnike. Kam besim të plotë se nën drejtimin tuaj të urtë, Kuvendi i Kosovës do të përballojë e zgjidhë me sukses sfidat e vështira të zhvillimit, përparimit dhe integrimit të Republikës së Kosovës si edhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve të saj”, shkruan Ruçi në urimin e tij.

“Përvoja juaj e gjatë si deputet, kompetenca dhe përkushtimi me të cilin kini shërbyer si Zëvendëskryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, angazhimi i gjatë ne media si edhe në mbrojtjen dhe zhvillimin e të drejtave të njeriut janë garanci se ju do t’i përmbushni me sukses të gjitha objektivat për rritjen e kontributit të Kuvendit si dega legjislative e qeverisjes në konsolidimin e institucioneve demokratike, mirëqeverisjen, integrimet euroatlantike, shtimin e njohjeve ndërkombëtare dhe zhvillimin, stabilitetin, fqinjësinë dhe paqen në rajon”, thekson Ruçi.

“Gjej rastin të rikonfirmoj vullnetin dhe gatishmërinë e Kuvendit të Shqipërisë si edhe timin personal se, ashtu si deri më sot, bashkëpunimi midis Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës do të rritet e zgjerohet, si një nga aspektet më të rëndësishme të bashkëpunimit tonë dypalësh”, nënvizon Ruçi.

“Për të diskutuar nga afër çështje konkrete të bashkëpunimin tonë të ardhshëm, kam kënaqësinë t’ju ftoj për një vizitë zyrtare në Kuvendin e Shqipërisë, në një kohë sa më të afërt”, shkruan në letrën e urimit të Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi./atsh

Ruçi uron Kryeparlamentarin e ri të Kosovës: Përvoja dhe urtësia juaj, garanci për sukses Read More »

Shqiptarët rritën me 10,3% shpenzimet për turizëm jashtë vendit

Në Shqipëri është rritur ndjeshëm fluksi i turistëve huaj që vijnë në vendin tonë, por nuk mbetet pas edhe numri i shqiptarëve që shpenzojnë për turizëm apo udhëtime jashtë vendit.

Sipas të dhënave të publikuar nga Banka e Shqipërisë, mbi 1.2 miliardë euro shpenzuan shqiptarët për turizëm dhe udhëtime jashtë shtetit gjatë periudhës janar – shtator 2019.

Të dhënat tregojnë se krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar shpenzimet për turizëm jashtë shtetit janë rritur me 10,3% ose 115 milionë euro më shumë.

Shifra që shqiptarët shpenzojnë për pushime jashtë vendit ka ardhur në rritje të vazhdueshme nga viti në vit. Greqia është një ndër vendet destinacion kryesor, ku shqiptarët udhëtojnë më shumë për pushime. Por paralelisht vende të tjera të preferuara janë Turqia, Italia, por edhe shtetet e tjera të Bashkimit Europian.

Me gjithë rritjen e shpejtë të shifrës që shqiptarët shpenzojnë për udhëtime jashtë shtetit, bilanci i turizmit vazhdon të mbetet pozitiv, pasi pushuesit e huaj i sjellin ekonomisë më shumë se sa shpenzojnë shqiptarët jashtë.

Sipas Bankës së Shqipërisë për 9 muajt e parë të këtij viti ekonomia shqiptare përfitoi 1 miliard e 636 milionë euro nga turizmi ose ose 412 milionë euro më shumë se shpenzimet e shqiptarëve jashtë./atsh

Shqiptarët rritën me 10,3% shpenzimet për turizëm jashtë vendit Read More »

Stina e dimrit ndikon pozitivisht në organizëm

Kur flasim për dimrin përjetimet dhe mendimet mund të jenë të ndryshme. Ka persona që stinën e ftohtë e pëlqejnë dhe ka të tjerë që nuk e preferojnë aspak.

Përtej preferencave, dimri njihet si stina ku viruse të ndryshme gripale prekin organizmin për shkak të motit të ftohtë.

Pyetjes se, nëse kjo periudhë e vitit i bën mirë trupit i përgjigjen e ekspertët.

I ftohti dhe truri

Nëse e keni pyetur veten a është i ftohti mirë për shëndetin e trurit tuaj, përgjigja është po. Ekspertët thonë se, truri funksionon më mirë dhe më shpejt kur ndodhet në një ambient të ftohtë të, në krahasim me të nxehtin. Kështu që shëtitjet herë pas here jashtë ambienteve të mbyllura gjatë dimrit janë rifreskuese për trurin.

Djeg kaloritë

Gjatë periudhave të të ftohtit trupi harxhon më shumë energji për të mbajtur një temperaturë të balancuar trupi. Për këtë arsye ju ndihmon që të digjni më shumë kalori e të dobësoheni.

Largon alergjitë

Nëse keni alergji nga mjedisi i jashtëm, gjatë dimrit nuk keni pse të shqetësoheni. Polenet, lulet apo pemët gjatë dimrit nuk janë aspak prezente, ndaj ju mund të dilni e të shëtisni të qetë kudo që dëshironi.

Kundër inflamacionit

Nëse vuani nga fryrja e kyçeve, duarve apo e këmbëve, gjatë dimrit ky problem do të jetë më pak i pranishëm. Kjo sepse temperaturat e ftohta e ndihmojnë organizmin që të qetësojë zonat ku po zhvillohet inflamacionit.

Flini më mirë

Temperatura e trupit është më e ulët gjatë kohës kur flini gjumë. Gjatë verës procesi i uljes së temperaturës për të siguruar gjumë të mirë zgjat rreth dy orë, ndërsa në dimër kryhet shumë më shpejt.

I bën mirë lëkurës

Moti i ftohtë i bën mirë lëkurës sipas ekspertëve. Temperaturat e ftohta ngushtojnë enët e gjakut që kalojnë në lëkurë dhe funksionojnë si një tonik natyral. Sigurisht bëhet fjalë për temperatura të ftohta normale dhe jo për periudha të acarta të papërballueshme për trupin e njeriut./atsh

Stina e dimrit ndikon pozitivisht në organizëm Read More »