Aktualitet

Nga 1 janari 24 shërbime që lidhen me punësimin merren online, Kuqi për ATSH: I kursejmë qytetarit 2 mijë orë pune

Revolucioni dixhital 2020 ka nisur transformimin rrënjësor të marrëdhënies së qytetarit me zyrat e Shërbimit Kombëtar të Punësimit duke i shkurtuar 2 mijë orë pune, të cilat i shpenzonte në radhë pranë sporteleve.

Çdo punëmarrës dhe punëdhënës nga 1 janari i këtij viti po merr online 24 shërbime që lidhen me punësimin.

Drejtore e Shërbimeve të Punësimit dhe Migracionit pranë Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Iliada Kuqi, në një intervistë për ATSH-në bën të ditur se në kuadër të reformës për kalimin e shërbimeve dhe ofrimin e tyre online janë regjistruar 24 shërbime në “e-Albania.al”.

“Gamën më të madhe të shërbimeve e zënë lejet e punës. Tashmë çdo punëkërkues e punëmarrës i interesuar për t’u pajisur me një leje pune apo certifikatë regjistrimi për të huajt që janë të punësuar në Shqipëri, mund të aplikojnë online për marrjen e tyre”, deklaroi Kuqi.

Lidhur me parashikimet se sa kohë do t’i kursehet qytetarëve për të marrë këto shërbime online, Kuqi theksoi se, duke u bazuar mbi shifrat e një viti më parë, ku u morën përafërsisht 3500 leje pune dhe certifikata regjistrimi, qytetarit dhe punëdhënësve do t’i kursehen përafërsisht 120 mijë minuta.

Kuqi bën të ditur se në fazën e parë, zyrat e punës do të ofrojnë edhe shërbim në sportele duke asistuar këdo që do të ketë nevojë për të marrë shërbimin online.

“Pranë çdo zyre pune është dhënë udhëzimi që të jenë funksionale edhe sportelet për t’u ardhur në ndihmë aplikantëve për të proceduar dhe për të marrë aplikimet”, theksoi Kuqi.

Deri në fund të vitit, qytetarët shqiptarë do të kenë mundësinë e aplikimeve më të shpejta e më të thjeshta për dokumente, jo vetëm në krejt rajonin, po edhe në krahasim me plot vende të tjera të Europës.

/atsh

Nga 1 janari 24 shërbime që lidhen me punësimin merren online, Kuqi për ATSH: I kursejmë qytetarit 2 mijë orë pune Read More »

Gjykata pushon çështjen Basha, Balla: Vendimi nga gjyqtarë që nuk kanë kaluar Vetingun

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla ka reaguar sot në lidhje me mbylljen e çështjes për kryetarin e PD-së Lulzim Basha, duke deklaruar se vendimi është marrë nga gjyqtarë që nuk kanë kaluar Vetingun dhe që zbatojnë parimin “kap çfarë të kapësh”.

Balla shprehet se “kush mendon se kjo dosje e rëndë me të pandehur kryesor Lulzim Bashën, mund të mbyllet kështu pa u hetuar aspak në themel, pa u marrë në pyetje të gjithë personat e përfshirë, e ka shumë gabim. Kjo nuk është një çështje vetëm e drejtësisë shqiptare. Nxitimi i stimuluar i ndonjë prokurori dhe gjyqtari që nuk e ka kaluar procesin e Vetingut dhe që zbaton parimin “kap çfarë të kapësh”, shfaqi sot këtë teatër të turpshëm për sytë e shqiptarëve dhe jo vetëm”.

Balla shton se “Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë duhet të hetojnë gabimet procedurale me dashje, që çuan në këtë teatër të turpshëm, ku prokuroria hetoi 2 vite dhe gjykata e mbylli për 2 orë”.

“Apelimi i këtij vendimi absurd dhe rikthimi i çështjes për hetim të plotë duke dhënë edhe garancitë nga Gjykata për marrjen në pyetje të përfituesit të parave Nik Muzin, janë hapat e vetëm për të hedhur dritë e për të bërë drejtësi në këtë dosje të rëndë”, shprehet ai.

/atsh

Gjykata pushon çështjen Basha, Balla: Vendimi nga gjyqtarë që nuk kanë kaluar Vetingun Read More »

Rama citon Shën Terezën: Paqja fillon me një buzëqeshje

Kryeministri Edi Rama zgjodhi sot fjalët e Shën Terezës për të përcjellë mesazhin e tij përmes rubrikës “Fjalë të Shenjta”.

“Paqja fillon me një buzëqeshje”. Ishin këto fjalë të Shën Terezës, që Kryeministri Rama përcolli mëngjesin e sotëm, duke dhënë një tjetër mesazh përmes fjalëve të shenjta.

Duke cituar fjalë të shenjta nga librat e shenjtë, por edhe nga personalitetet botërore, Kryeministri Rama ka përcjellë këto javë apelin e solidaritetit dhe ndihmës njerëzore ndaj të prekurve nga tërmeti i 26 nëntorit./atsh

Rama citon Shën Terezën: Paqja fillon me një buzëqeshje Read More »

Zgjidhet kryetar i PS-së Vlorë Anduel Tahiraj

Asambleja e Partisë Socialiste të Vlorës përmbylli me sukses procesin e zgjedhjes së kryetarit për katër vitet e ardhshme, duke zgjedhur me 267 vota Anduel Tahiraj.

Deputeti i Partisë Socialiste qarku Vlorë, Damian Gjiknuri u shpreh sot se “nga 325 anëtarë në votim morën pjesë 292 anëtarë”.

“Kandidati Anduel Tahiraj mori 267 vota, kandidatja Albana Hodaj mori 10 vota ndërsa 15 u deklaruan të pavlefshme”, informoi Gjiknuri.

Ai përgëzoi kandidatët për garën dhe i uroi suksese kryetarit Tahiraj në këtë mandat në krye të PS-së Vlorë./atsh

Zgjidhet kryetar i PS-së Vlorë Anduel Tahiraj Read More »

Ushqimi 100% bio dhe vend fantastik/ Ambasadorja e Suedisë fton turistët në Shqipëri

Ambasadorja e Suedisë në Shqipëri, Elsa Hastad i ka bërë thirrje turistëve suedezë që të vizitojnë Shqipërinë.

Ajo ka vizituar Mrizin e Zanave, pikën agroturistike në Fishtë të Lezhës të ngritur nga sipërmarrësi Altin Prenga.

Ambasadorja Hastad shprehet se tek Mrizi i Zanave ushqimi është fantastik dhe 100% vendas. Ajo shton se “Altini është një sipërmarrës me vizion”.

“Miq suedezë – koha për të vizituar Shqipërinë! Sot u njohëm me Altinin, një sipërmarrës të vërtetë, me vizion! Agroturizmi Mrizi i Zanave. Ushqimi është fantastik! 100% lokal dhe i qëndrueshëm”, thekson Ambasadorja Hastad.

Ambasadorja suedeze Hastaq që prej ardhje së saj në Shqipëri ka promovuar mënyrën e jetesës sa më të shëndetshme dhe të qëndrueshme në mbrojtje të mjedisit./atsh

Ushqimi 100% bio dhe vend fantastik/ Ambasadorja e Suedisë fton turistët në Shqipëri Read More »

Fluks udhëtarësh në portin e Vlorës, 21 642 në dhjetor dhe ditët e para të janarit

Porti i Vlorës është pika më e rëndësishme e turizmit në jug të vendit në çdo stinë të vitit. Gjatë vitit 2019 dhe fillimit të vitit 2020 ka patur një fluks të lartë të hyrjeve dhe daljeve të udhëtarëve shqiptarë dhe të huaj.

“Në bazë të statistikave, gjatë muajit dhjetor 2019 – 13 janar 2020, nga Porti i Vlorës kanë hyrë dhe kanë dalë rreth 21 642 udhëtarë dhe 3 322 automjete”, bën të ditur porti i Vlorës.

Sipas portit, duke e krahasuar këtë shifër me vitin e kaluar shohim një rritje të konsiderueshme me rreth 1705 udhëtarë dhe 940 automjete më shumë.

Një rol të rëndësishëm në përpunimin e udhëtarëve këtë vit ka luajtur edhe terminali i ri i pasagjerëve në portin e Vlorës.

“Ndryshe nga vitet e tjera edhe pse fluksi ka qenë i lartë, nuk janë krijuar pritje të gjata si në hyrje dhe në dalje, kjo për shkak të masave të marra nga Autoritetet Portuale dhe funksionimit të Terminalit të Ri të Pasagjerëve”, – thuhet në njoftimin e portit të Vlorës, i dyti më i madh në vend./atsh

Fluks udhëtarësh në portin e Vlorës, 21 642 në dhjetor dhe ditët e para të janarit Read More »

Të bllokuar nga moti i keq në malin e Gramozit, 4 alpinistë shpëtohen nga policia dhe banorët e zonës

Katër alpinistë të bllokuar për shkak të kushteve atmosferike në malin e Gramozit u shpëtuan pas disa orësh nga policia dhe banorët e zonës në Kolonjë.

Në sallën operative të komisariatit të Policisë Kolonjë, është marrë një telefonatë sipas të cilës 4 alpinistë që kishin lënë mjetin e tyre tip “Ford”, në fshatin Starje dhe ishin nisur për të ngjitur malin e Gramozit, mund të kishin mbetur të bllokuar në rrugë për shkak të kushteve të vështira atmosferike.

Menjëherë pas marrjes së këtij njoftimi, në drejtim të zonës, u nisën shërbime të komisariatit të Policisë Kolonjë dhe Stacionit të Policisë Kufitare Shtikë, të Emergjencave Civile, të ndihmuar edhe nga banorë të zonës.

Pas disa orë kërkimesh, u bë i mundur lokalizimi dhe gjetja në gjendje të mirë shëndetësore e 4 alpinistëve, të cilët ishin ngjitur në majën e quajtur “Çuka e Peçit” në lartësinë 2523 m, të malit të Gramozit dhe më pas për shkak të kushteve të vështira atmosferike, kishin hasur vështirësi gjatë kthimit.

Alpinistët (njëra prej tyre vajzë) kanë falënderuar shërbimet e Policisë dhe banorët, që iu erdhën në ndihmë dhe iu shpëtuan jetën. Policia më pas ka bërë shoqërimin e tyre, deri në vendin ku u akomoduan në qytetin e Ersekës./atsh

Të bllokuar nga moti i keq në malin e Gramozit, 4 alpinistë shpëtohen nga policia dhe banorët e zonës Read More »

Policia shumë herë më e mirëpaguar se dje, për herë të parë në 30 vite forcat speciale nuk janë tradhtuar në operacionet e tyre

“Policia e Shtetit sot është shumë herë më e mirëpaguar se dje dhe për herë të parë në historinë e 30 viteve nuk është trysnuar nga urdhrat nga lart, në kundërshtim me ligjin apo nga influenca të çdo lloj natyre”, – deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Në inaugurimin e repartit të ri të forcave speciale RENEA, Rama theksoi se “për herë të parë në 30 vite, forcat speciale nuk janë tradhtuar në operacionet e tyre”.

Kryeministri vlerësoi Policinë e Shtetit, përtej të gjithë vështirësisë së jashtëzakonshme në të cilën u vunë si rezultat i provokimeve nga palët demonstruese.

“Në 6 muajt marramendës të protestave të dhunshme të opozitës, u shfaq në sytë e opinionit publik vendas dhe atij të interesuar jashtë Shqipërisë, fytyra e një Policie Shteti profesionale dhe proporcionale në raport me protestën”, – deklaroi Rama.

Rama tha se “vitin e shkuar vijoi procesi i përafrimit të standardeve me policitë simotra të vendeve europiane”.

“U hap rruga për herë të parë në Policinë e Shtetit për studentët ekselentë dhe u forcua më tutje struktura e bazuar në meritokracinë në provesin e rritjes në detyrë në Policinë e Shtetit. U zbatuan për herë të parë metoda të reja kundër krimit, përfshi edhe krimin kibernetik, siç vërteton edhe progresraporti i 2019. U rrit niveli i respektimit të të drejtave të njeriut”, – tha Rama.

Duke u ndalur te investimet në Policinë e Shtetit, Rama tha se “vazhdoi rinovimi i flotës së automjeteve dhe sot nuk ka pikë diskutimi që në çdo aspekt Policia e Shtetit është në ditën e saj më të mirë krahasuar me çdo ditë të djeshme”. “Por nuk ka pikë diskutimi se krahasuar me të nesërmen nuk mjafton”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se “Policia e Shtetit po kryen dhe një proces pastrimi, përmes një vetingu që po ecën me të gjithë kujdesin dhe domosdoshmërinë e nevojshme”.

“Nuk kemi bërë sa kemi dashur për shpërblimin e Policisë së Shtetit, por kemi bërë sa kemi mundur sot. Sot, Policia e Shtetit është shumë herë më e mirëpaguar se dje. Kemi respektuar maksimalisht autoritetin e Policisë së Shtetit, autoritetet drejtuese të saj që për herë të parë në historinë e 30 viteve nuk janë të trysnuar nga urdhrat nga lart, në kundërshtim me ligjin, apo nga influenca të çdolloj natyre. Apo forcave speciale, që nuk janë tradhtuar në operacionet e tyre, për herë të parë në 30 vite”, – tha Rama./atsh

Policia shumë herë më e mirëpaguar se dje, për herë të parë në 30 vite forcat speciale nuk janë tradhtuar në operacionet e tyre Read More »