Aktualitet

Veliu: Brenda 3 vitesh ulim moshën mesatare të Policisë së Shtetit

“Asetet kriminale të hequra nga duart e krimit llogariten në rreth 90 milionë euro për vitin 2019, një dëshmi e luftës së ashpër e të pakompromis që i kemi shpallur paligjshmërisë dhe krimit të organizuar në vend”, – deklaroi sot drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

I pranishëm në inaugurimin e ambienteve të reja të Repartit special RENEA, Veliu u shpreh se, “njëri prej reparteve me reputacionin më të lartë, jo vetëm brenda vendit dhe tek agjencitë ligjzbatuese në Shqipëri, por edhe tek partnerët tanë të huaj që kanë bashkëpunuar me këtë njësi speciale, do të ketë nga sot shtëpinë e re. Inaugurojmë këto ambiente vërtet moderne, me të njëjtat standarde si ato të policive partnere më të zhvilluarat në Europë, të bindur se ky është një investim që reparti RENEA do t’ia kthejë pas gjithë shoqërisë, duke prodhuar më shumë siguri”.

Veliu theksoi se, “ndërtimi i këtij reparti u bë i mundur falë mbështetjes së qeverisë shqiptare, me iniciativë të Kryeministrit Rama, duke siguruar infrastrukturën e nevojshme, sipas standardeve bashkëkohore për përgatitjen fizike, taktike, profesionale dhe akomodimin e forcave speciale në një mjedis të sigurt. Implementimi i këtij projekti u mbështetet nga financimet e buxhetit të shtetit dhe ato të BE-së, nëpërmjet programit IPA. Në total, për realizimin e këtij projekti u investuan 10 milionë euro, nga të cilat 7.6 milionë euro nga buxheti i shtetit dhe 2.4 milionë euro nga Bashkimi Europian”.

“Në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, është kënaqësi e dyfishtë, që kjo ditë e përurimit të ambienteve ku do të stërviten e qëndrojnë forcat RENEA, sot përkon me 107-vjetorin e krijimit të Policisë së Shtetit. E kemi zgjedhur jo pa qëllim, që këto dy evente të ishin në të njëjtën ditë. Gjithë trupa e Policisë është fizikisht në frontin e parë të luftës kundër krimit e paligjshmërisë, por në jo pak raste më të rrezikuarit e kësaj lufte janë këta burra, djem e gra, që punojnë në forcat RENEA. Publiku nuk njeh fytyrat, por njeh aktet dhe ka parë shpesh sakrificat e tyre”, – tha Veliu.

Ky, shtoi Veliu, “është momenti, ku së pari dua që të gjithë së bashku të nderojmë e përkujtojmë me respekt 224 Dëshmorët e Policisë, që nuk kursyen jetën në mbrojtje të ligjit, jetës e pronës së qytetarëve. I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre!”

Veliu theksoi se, “Policia e Shtetit është në sytë e publikut dhe aleatit tonë më të madh, qytetarit, institucioni më i besueshëm”.

Duke folur për vitin 2019, Veliu tha se, “ne mbyllëm një tjetër vit me rezultate domethënëse, duke garantuar parametrat normal të sigurisë dhe rendit publik, edhe pse e them pa drojë se 2019-ta ishte një ndër periudhat me mbingarkesën më të madhe për Policinë e Shtetit, këto vitet e fundit”.

“Numri i personave të rrezikshëm të vendosur prapa hekurave është me qindra, për t’i përballur ata me drejtësinë. Në disa raste ishim të tradhtuar nga disa vendime të gjyqësorit. Por kjo nuk ishte për asnjë moment dekurajim për ne, përkundrazi”, – tha Veliu.

“Duke qenë një partnere e besueshme tek partnerët, Policia e Shtetit zhvilloi në bashkëpunim, me dhjetëra operacione ndërkombëtare, në fushën e krimit të organizuar dhe terrorizmit”, – u shpreh Veliu.

Ne vijoi Veliu, “ia dolëm të mbajmë të pastër dhe jashtë hartës së kultivimit të kanabisit Shqipërinë, duke e kthyer këtë në një arritje të konsoliduar tashmë. Të ashpër me shkelësit e ligjit kudo e kushdo qofshin ata, do të jemi edhe në vijim”.

“Sezoni turistik me gjithë volumin e madh e të pakrahasueshëm me disa vite më parë, u përballua falë dhe bashkëpunimit me institucione të tjera me shumë sukses dhe pa asnjë ngjarje kriminale, që do të cenonte jetën e pushuesve të huaj e vendas, apo cenonte imazhin e Shqipërisë”, – shtoi Veliu.

“Përballimi i situatës pas tërmetit të datës 26 nëntor, ku mijëra punonjës Policie lanë familjet e tyre në panik e frikë dhe të parët u përfshinë në operacionet e kërkim-shpëtimit mes rrënojave. Sot në këtë ditë të shënuar për Policinë, dua t’i falënderoj edhe njëherë për sakrificën dhe përkushtimin. Janë me dhjetëra jetë të shpëtuara dhe qindra të tjerë që u ndihmuan e asistuan. Ky është misioni ynë, e ndihemi krenarë që veshim këtë uniformë e shërbejmë”, – theksoi Veliu.

Duke folur për marrëdhëniet e Policisë me komunitetin, ai tha se, “njohën zhvillim epokal. Duke parë tek qytetari aleatin e vyer, punonjësit e Policisë nuk janë padronë të qyteteve, por janë shërbëtorë të qytetarëve. Ky zhvillim, kjo marrëdhënie dhe ky ndryshim është rezultat i aplikimit të metodave më të përparuara të policimit në komunitet, falë edhe mbështetjes së programeve nga qeveri e policitë mike. Një ndihmesë mjaft të madhe kanë dhënë edhe partnerët tanë OSBE, misionet PAMECA-s e ICITAP-it, si dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese të huaja, duke ndihmuar Policinë e Shtetit me trajnime, arsimim e bazë logjistike”.

Për vitin 2020, Veliu tha se, “objektivat janë shumë të qarta, duke veçuar si prioritet luftën kundër krimit të organizuar. Policia e Shtetit do të demonstrojë në këtë luftë se ka kapacitetet, motivimin, përgjegjësinë për t’ju përgjigjur pritshmërive të larta të publikut. Kapacitetet tona rriten dita-ditës. Besoj brenda muajit të ardhshëm do të kompletojmë flotën tokësore me mjete të reja e dinjitoze”.

Më tej, tha Veliu, “falë mbështetjes së qeverisë ndër projektet kryesore për 2020 e në vijim janë ngritja e një godine, më modernia e profesionalja në rajon për Policinë Shkencore. Akademia e Sigurisë do të pësojë një transformim rrënjësor, duke vijuar traditën e mirë të arsimimit të dhjetëra të rinjve e të rejave, që janë forca dhe inteligjenca e nesërme e Policisë së Shtetit”.

Në 2019, shtoi Veliu, “ne rekrutuam numrin më të madh të të rinjve, gati 700 vetë, duke rritur kështu edhe numrin total të Policisë. Të njëjtën gjë do të bëjmë edhe në 2020, duke i dhënë frymëmarrje organizatës, duke ulur moshën mesatare, duke rinovuar me të rinj të motivuar kryesisht shërbimet me të cilat përballet qytetari çdo ditë, si Policinë Kufitare dhe Qarkullimin Rrugor”.

“Hapësira që na u dha me vendimin e fundit të qeverisë për trajtimin financiar të punonjësve mbi 55 vjeç, është një tjetër mundësi për të rritur kapacitetet e brendshme, duke ulur moshën mesatare në 3 vitet e ardhshme, me të paktën 1 vit e gjysmë. Sigurisht që dhe organizata e Policisë si vetë shoqëria ka nevojë për përmirësim, ndryshim e vetëpastrim. Besoj fort se procesi i vetingut që ka nisur prej muajsh me gradat e larta, si dhe puna në vijim do të pastrojë nga radhët e Policisë së Shtetit elementet e padëshiruar dhe do ta bëjë më të shëndetshme atë”, – tha drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu./atsh

Veliu: Brenda 3 vitesh ulim moshën mesatare të Policisë së Shtetit Read More »

Rama në mjediset e repartit të ri të RENEA-s: Investime edhe në Akademinë e Sigurisë, repartin e FNSH-së dhe laboratorin shkencor

Akademia e Sigurisë, reparti i FNSH-së dhe laboratori shkencor janë 3 objektiva, për të cilat Kryeministri Edi Rama siguroi se “puna fillon sot”.

Kryeministri inspektoi edhe ambientet e repartit të ri të forcave Speciale RENEA, ku u njoh nga afër me ambientet dhe pajisjet speciale të njësive.

Ai tha se “Akademia e Sigurisë do të kthehet në një strukturë model në rajon, në çdo aspekt”.

Po ashtu ai siguroi se “reparti i FNSH-së do jetë një tjetër model në çdo aspekt dhe laboratori shkencor patjetër që është një domosdoshmëri alarmante si rezultat i nevojës për ta sofistikuar policinë e shtetit në kushtet kur krimi sofistikohet çdo ditë”.

“Nëse me RENEA-n ne sot ndjehemi kryelartë sepse shlyem një borxh dhe i kemi vënë në dispozicion të gjithë këtë strukturë mbresëlënëse, ultramoderne, jemi në borxh me kohën dhe me Policinë e Shtetit deri kur të kemi vënë në dispozicion të studentëve një Akademi Sigurie të të njëjtave standarde si këtu, të kemi vënë në dispozicion të FNSH një strukturë të të njëjtave standarde si këtu dhe të kemi vënë në dispozicion të Policisë së Shtetit një laborator shkencor të të njëjtave standardeve si në vendet e BE-së”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “armiku më i madh i Policisë nuk është krimi, por është vetmia që lind nga mungesa e mbështetjes nga shtypja, apo mungesa e vëmendjes për ta dëgjuar”.

“Më vjen shumë mirë që me qeverinë që unë drejtoj qysh nga dita e parë, ky armik është asgjësuar. Ne nuk kemi bërë sa kemi dashur për Policinë e Shtetit, por kemi bërë gjithçka kemi mundur. Ne nuk kemi arritur ende t’i plotësojmë Policisë së Shtetit të gjitha nevojat, por kemi bërë gjithçka që ajo sot të ketë më pak nevoja se dje”, tha kryeministri Rama./atsh

Rama në mjediset e repartit të ri të RENEA-s: Investime edhe në Akademinë e Sigurisë, repartin e FNSH-së dhe laboratorin shkencor Read More »

Përfundon censi i shpendëve ujorë, në Lagunën e Nartës 45% më tepër se vitin e kaluar

Përgjatë 3 ditëve Administratat e Zonave të Mbrojtura në gjithë vendin zhvilluan Censi e Shpendëve Dimërues migrator të mjediseve ujore për vitin 2020.

Ky census u mbyll sot në Liqenin e Vau Dejës ku ekspertëve ju bashkuan dhe miqtë e vegjël të Taraboshi Junior dhe së bashku numëruan dhe vëzhguan shpendët ujor në këtë liqen.

Gjithashtu ekspertë, studentë të Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe përfaqësues të stafit të AdZM Elbasan zhvilluan numërimin e shpendëve ujorë në disa pika të caktuar si: Liqeni i Banjës Gramsh, Liqeni i Belshit, Liqeni i Seferanit, Liqeni i Marinës, Liqeni i Çesties.

Stafit i AdZM Vlorë i shoqëruar nga ekspertë të PPNEA dhe 4 vullnetarë dhe fotograf të “Jetës së egër” dhe “Regjistrit elektronik të specieve” bën vrojtimin dhe numërimin e shpendëve ujor në 42 poligone vrojtimi që përfshijnë Lagunën e Nartës, Lagunën e Kallëngës, dhe Lagunën e Orikumit.

Në Lagunën e Nartës rezultatet e këtij censi tregojnë se ka një rritje me 45% më tepër shpendë në krahasim me vitin e kaluar.

Censi i Shpendëve Dimërues migrator të mjediseve ujore zhvillohet në të gjitha basenet ujore ku strehohen dhe shumohen shpend ujorë, dhe bën të mundur identifikimin dhe numërimin e tyre./atsh

Përfundon censi i shpendëve ujorë, në Lagunën e Nartës 45% më tepër se vitin e kaluar Read More »

Prodhime bujqësore cilësore, Çuçi: Eksportet janë rritur me 20% gjatë 11 muajve të vitit 2019

“Shqipëria vijon të ketë një trend rritës në eksportin e prodhimeve bujqësore”, tha sot ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi ndërsa ka vizituar një serrë në fshatin Petovë të Fierit.

Çuçi tha se “në fshatin Petovë të Fierit ka një histori suksesi. Serra e Xhevahir Likës funksionon që prej vitit të largët 1993. Një biznes familjar që ka ardhur duke u rritur vit pas viti. Aktualisht në një sipërfaqe prej rreth 1 hektar janë të kultivuara disa lloje domatesh”.

“Prodhimi shitet në tregun vendas dhe sidomos për eksportin, ku kërkesa dhe çmimi për momentin janë të favorshme për fermerët. Falë shtimit të sipërfaqeve me serra dhe fuqizimit të pikave të grumbullimit, Shqipëria vijon të ketë një trend rritës në eksportin e prodhimeve bujqësore”, tha ai.

Po ashtu Çuçi shtoi se “20% më të larta kanë qenë eksportet përgjatë 11 muajve të vitit 2019 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. Prodhimet tona janë sot më konkurruese, sepse janë gjithashtu cilësore”./atsh

Prodhime bujqësore cilësore, Çuçi: Eksportet janë rritur me 20% gjatë 11 muajve të vitit 2019 Read More »

Vërtetimi i mjetit kalon online dhe me kosto zero/ Fund vërdallosjes së qytetarëve dhe ryshfeteve

Për 30 vite vite me radhë qytetarët vërdalloseshin për të marrë një vërtetim mjeti a drejtuesi mjeti, ndërsa sot, falë shërbimit dixhital, vërtetimi merret online dhe me kosto zero. Kryeministri Edi Rama solli pasditen e sotme në vëmendje se kjo situatë tashmë ka ndryshuar, pasi ky shërbim ofrohet online.

“30 vite me radhë për një vërtetim mjeti a drejtuesi mjeti, aplikohej me këmbë, kilometra rrugë, radhë deri sa t’a merrje në dorë letrën nga sportelet e DPSHTRR, me një pagesë 200 lekë, që po t’i shtoje koston e vërdallosjes e të ryshfetit shkonte sa frëngut pula”, tha kryeministri Rama.

Rama informoi se “çdo ditë kërkohen mesatarisht 500 vërtetime të tilla, nga qytetarët dhe nga entet e ndryshme (noterë, Tatime, etj.) ose 15 mijë aplikime në muaj, 180 mijë në vit, që sot kanë hyrë në epokën digjitale – Direkt nga smartfoni ose kompjuteri më i afërt dhe me zero lekë, duke hyrë në portalin https://e-albania.al/, ku për pak sekonda automatikisht vjen vërtetimi përkatës nga DPSHTRR me vulën elektronike”.

“Revolucion Digjital. 2020 shërbime publike pa radhë, pa ryshfet, pa ecejake. Koha flori. Administrata në këmbë për qytetarin. Jo më qytetari në këmbë për administratën”, shprehet Rama. /atsh

Vërtetimi i mjetit kalon online dhe me kosto zero/ Fund vërdallosjes së qytetarëve dhe ryshfeteve Read More »

Braçe: Basha, i vetmi politikan që nuk gjykohet kurrë për akuzat mbi të

Zëvendëskryeministri Erion Braçe ka reaguar sot në lidhje me pushimin e çështjes së lobimit në SHBA, për Bashën dhe dy zyrtarë të tjerë të PD-së.

Braçe theksoi se Lulzim Basha është i vetmi politikan që nuk gjykohet kurrë për akuzat dhe kurrë nuk u trajtua i barabartë para ligjit.

“Përsëri nuk u gjykua për dy akuza të ngritura nga prokuroria! Lulzim Basha ishte dhe mbeti i vetmi politikan që nuk gjykohet kurrë për akuzat mbi të! Kurrë nuk është trajtuar si i barabartë para ligjit! Ky vend ka dy standarde: Njëri për qytetarët dhe cilindo tjetër që nuk ka prokurorët e gjykatësit e tij; tjetri për Lulzim Bashën që ka gjithnjë prokurorët, gjykatësit, avokatët e tij, të cilët kanë emëruar prokurorët e gjykatësit që as hetojnë e as gjykojnë veç një politikan – Lulzim Bashën”, tha ai.

“Ky është ende sistemi i vjetër, i padrejtë, i pandershëm, politik e banal që ka ndërtuar Lulzim Basha me ministrin e tij të Drejtësisë. Kësaj radhe është edhe më e qartë, por edhe më e turpshme; një lobist amerikan, në marrëdhënie ligjore e publike me PD, materializuar me firma të tij e të Lulzim Bashës, ka deklaruar në çdo zyre ligjore të SHBA se ka marrë prej PD përmes një kompanie në marrëdhënie me të, 670 000 dollarë. Në zyrat ligjore të Shqipërisë, Lulzim Basha as që i ka deklaruar ato! Pyetja që priste përgjigje nga prokurorë e gjykatës bashkë, mbetet e thjeshtë: Të kujt janë 670 000 dollarët e paguar e të deklaruar në Amerikë? Lobisti në marrëdhënie me PD e Lulzim Bashën, thotë që janë të PD dhe kompanisë që ka vepruar për llogari të saj”, tha ai.

Braçe thekson se sistemi i vjetër i Drejtësisë është në këmbë.

“Lulzim Basha nuk thotë asgjë! Madje nuk thotë as që lobisti i tij gënjen nën betim! Këtë duhet të zbardhte prokuroria e të gjykonte gjykata. Por Lulzim Basha nuk gjykohet kurrë! Ka gjithnjë gjykatësit e prokurorët që i garantojnë imunitet, mungesën e një gjyqi për të! Ky është sistemi i tij, i tyre dhe është ende në këmbë!”, shprehet ai. /atsh

Braçe: Basha, i vetmi politikan që nuk gjykohet kurrë për akuzat mbi të Read More »

Spitali i ri i Kirurgjisë në QSUT, mjeku reanimator Lilaj: Kushte moderne dhe shërbim që konkurron edhe privatin

Mjeku pranë Qendrës Spitalore Universitare në Tiranë, Krenar Lilaj tha se spitali i ri i Kirurgjisë është me kushte moderne dhe konkurron edhe privatin.

“Spitali i Kirurgjisë trajton me mijëra pacientë çdo ditë. Vetëm për ndërhyrjet kirurgjikale janë 900 pacientë në vit, pa përfshirë këtu 23 mijë që i nënshtrohen ndërhyrjeve mikrokirurgjikale dhe pa përfshirë këtu numrin e pacientëve që konsultohen dhe nuk i nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale. Kështu, është një gamë e madhe e të sëmurëve të cilët kërkojnë ndihmën e tyre në spitalin e Kirurgjisë”,- tha ai.

Në vijim, Lilaj tha se “nga ana tjetër spitali Kirurgjikal nr.2 është spitali ku pacientët i nënshtrohen kirurgjisë së specializuar abdominale në të gjithë Shqipërinë. Të gjithë ndërhyrjet e specializuara të kirurgjisë abdominale të cilat janë të pamundura të realizohen në kirurgjitë rajonale realizohen në spitalin Nr. 2. Kishte ardhur koha që të mbyllej ky hendek i madh midis cilësisë së punës që kryente stafi mjekësor, mjekë dhe infermierë dhe kushteve në spital. Kishte ardhur koha për kushte më të mira. Është një mundësi e madhe për t’u ardhur në ndihmë të sëmurëve”.

Ai tha se në spitalin e ri po inaugurohen njësi të reja që në spitalin e vjetër nuk kanë qenë. “Do instalohet njësia e reanimacionit kirurgjikal. Është një njësi e re moderne e pajisur me aparatura dhe mjete moderne dhe sigurisht aty kërkohet një staf i ri për mbarëvajtjen e punës. Masat janë marrë, janë rekrutuar mjekë dhe shërbimi do të jetë 24 orë. Është një ambient me kushte shumë të mira, pacientët do ta shohin vetë, kushtet janë bashkëkohore dhe mjetet e ambientet që na mungonin, i kemi”.

Në lidhje me besimin e qytetarëve të Shëndetësia, Lila tha se vetë njerëzit vendosin se ku do ta marrin shërbimin.

“Me kushtet e reja në spitalin e Kirurgjisë dhe të shërbimit tonë, besoj se konkurrojmë shumë privatin, lidhur me cilësinë e shërbimit,” tha ai.

Në lidhje me bashkëpunimin me njësitë spitalore, Lilaj tha se do të vazhdojë dhe trajtimi i të gjitha rasteve që vijnë nga rrethet. Që nga dita e hënë kemi filluar punë në 5 sallat e operacionit dhe e kemi ndierë veten ndryshe. Puna zhvillohet në kushte të reja, shumë të mira dhe shpresojmë që të rrisim dhe kapacitetin”.

Paraditen e sotme, kryeministri Rama dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu inauguruan spitalin e ri të Kirurgjisë, i cili është ringritur pas 90 vitesh në godinën e vjetër në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë. /atsh

Spitali i ri i Kirurgjisë në QSUT, mjeku reanimator Lilaj: Kushte moderne dhe shërbim që konkurron edhe privatin Read More »

Përfundon procesi i votimit për kryetar të PS Vlorë

Përfundon procesi i votimit për kryetar të PS Vlorë.

Anduel Tahiraj rizgjidhet për nje mandat të dytë.

Nga procesi i votimit Tahiraj ka marrë 298 vota.

Kandidatja Albana Hodaj 10 vota, ndërsa 15 fletë votimi kanë dalë të pavlefshme.

267 fletë Andueli, 282 totali votuesve 325 në listë, 10 Albana, 15 të pa vleshme : Nr votuesve gjithsej është 292.

Përfundon procesi i votimit për kryetar të PS Vlorë Read More »