Aktualitet

Përcillet në banesën e fundit,aktori i njohur i skenës shqiptare Xhevdet Ferri

Aktori i njohur i skenës dhe ekranit shqiptar, Xhevdet Ferri, i cili ndërroi jetë mbrëmjen e djeshme në moshën 59-vjeçare, pas një sëmundje të rëndë, u përcoll sot për në banesën e fundit.

Familjarë, të afërm, kolegë, miq e dashamirës i dhanë lamtumirën aktorit Ferri në një ceremoni të ngushtë.

Lajmi i trishtuar i ndarjes nga jeta në mënyrë të parakohshme, nga një sëmundje e rëndë, e aktorit të njohur Xhevdet Ferri ka sjellë mesazhe të shumta ngushëllimi nga institucione të artit e të kulturës, personalitete të kinematografisë, politikanë, por edhe qytetarë të thjeshtë.

Xhevdet Ferri lindi më 26 nëntor 1960. Filmin e tij të parë e realizoi kur ishte akoma student. I fundit nga aktori do të mbahet mend roli në filmin “Delegacioni”, me regji të Bujar Alimanit.

Roli i paharrueshëm për shqiptarët do të mbetet ai i Trimit në filmin “Përrallë nga e kaluara” krah të të madhit, Robert Ndrenika. Ai ka interpretuar në rreth 30 role në kinematografi e teatër. Pothuajse në të gjithë filmat ka qenë në rolin e protagonistit./atsh

Përcillet në banesën e fundit,aktori i njohur i skenës shqiptare Xhevdet Ferri Read More »

Marrëveshja për njohjen e patentave shqiptare në Greqi pranohet nga komisioni parlamentar grek

Marrëveshja për njohjen e patentave shqiptare në Greqi pranohet nga komisioni parlamentar grek teksa pritet ratifikimi i saj në parlament.

Lajmi është dhënë nga Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, i cili thekson se, dje, Komisioni i Përhershëm për Prodhim dhe Tregti në Parlamentin grek miratoi Projektligjin për njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit midis Shqipërisë dhe Greqisë.

“Marrëveshja është firmosur në maj të vitit 2018, por pritet vetëm miratimi i saj nga parlamenti grek”, nënvizon Majko.

“Sipas kësaj marrëveshjeje, të gjithë shtetasit shqiptarë që zotërojnë leje drejtimi, model i lëshuar nga 1 korriku i vitit 2005, ose ata që janë të pajisur me formatin që ka nisur të shpërndahet nga 24 janari i vitit 2017, mund të drejtojnë automjetin e tyre edhe në territorin grek”, shton ministri Majko.

“Marrëveshja parashikon që në momentin që shtetasit shqiptarë marrin qëndrim në Greqi, ata mund t’i konvertojnë patentat e tyre shqiptare në patenta greke pa pasur nevojë kryerjen e testeve teorike dhe praktike”, thekson ai.

Majko nënvizon se, “konvertimi i patentave vlen edhe për shtetasit grekë që marrin qëndrim në Shqipëri”./atsh

Marrëveshja për njohjen e patentave shqiptare në Greqi pranohet nga komisioni parlamentar grek Read More »

OSHEE: 8.9 miliardë lekë investime në rrjetin e shpërndarjes në 2020-ën

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike pritet të investojë gjatë këtij viti rreth 8.9 miliardë lekë, nga të cilat rreth 1.6 miliardë lekë nga kredia e Bankës Botërore.

Sipas raportit të dorëzuar nga OSHEE pranë Entit Rregullator të Energjisë, investimet e deritanishme sollën rezultate në uljen e humbjeve dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit ndaj klientëve.

“Megjithatë ndikimi është pjesor dhe efektet më të mëdha në uljen e humbjeve në rrjet sipas planit të hartuar do të kenë ndikim të plotë në performancën financiare të shoqërisë, pasi investimet të jenë shtrirë në përmirësim të pjesës më të madhe të rrjetit. Investimet janë mbështetur dhe do të vazhdojnë të mbështeten kryesisht në burime të brendshme të shoqërisë (fitimi vjetor i realizuar), si edhe në financimin sipas kredisë së Bankës Botërore.
Investimet e parashikuara të kapitalizohen për vitin 2020 janë 8.9 miliardë lekë nga të cilat rreth 1.6 miliardë lekë nga kredia e Bankës Botërore”, thuhet në raport.

Sasia e energjisë së injektuar në sistem për vitin 2020 parashikohet të jetë 6.495 Gwh. Sasia e energjisë së shitur parashikohet të jetë 5.196 Gwh dhe sasia e energjisë për mbulimin e humbjeve parashikohet të jetë 1.299 Gwh duke parashikuar që niveli i humbjeve të jetë 20%.

Si pjesë e strategjisë së zhvillimit të sektorit, qeveria shqiptare hartoi platformën e rimëkëmbjes së sektorit të energjisë elektrike në fillim të vitit 2015, e cila u pasua nga plani i konsolidimit financiar të sektorit publik elektroenergjetik miratuar në prill të 2019-s, ku fokusi kryesor ishte përmirësimi i treguesve të performancës së OSHEE-së, reduktimi i humbjeve teknike dhe joteknike, rritja e normës së arkëtimit me qëllim krijimin e një shoqërie financiarisht të qëndrueshme për të garantuar furnizimin e energjisë elektrike konsumatorëve.

OSHEE: 8.9 miliardë lekë investime në rrjetin e shpërndarjes në 2020-ën Read More »

6 anëtarët e familjes Sala hyjnë në shtëpinë e re, e rindërtuar nga këngëtarja Rita Ora

Nëntori i kaluar do të duhej të ishte muaji festiv, që bashkon çdo vit shqiptarët për festat kombëtare, por tërmeti i 26 nëntorit i bëri të gjithë bashkë në ndihmë të njëri-tjetrit.

Ato ditë të vështira, shumë prej emrave të njohur iu përgjigjën menjëherë thirrjes së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për të adoptuar një banesë të dëmtuar rëndë nga tërmeti apo duke dhuruar ndihma për familjet në nevojë.

E njëra prej tyre ishte këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, e cila vendosi të rindërtonte nga e para shtëpinë e familjes Sala në fshatin Pinar. Sot 6 anëtarët e kësaj familjeje kanë hyrë në shtëpinë e tyre të re, çelësat e së cilës ua dorëzoi kryebashkiaku Veliaj dhe kushërira e Rita Orës, Amantia.

“Këto ditë kemi qenë me kryeministrin për hapjen e shtëpive të reja që u rindërtuan pas tërmetit, por nuk i bën dot shteti gjithçka. Edhe në Angli, edhe në Amerikë, shteti bën aq sa ka takat, por ama secili bën diçka shtesë. Vetëm ideja që Rita ka njëqind koncerte e gjëra, por i vajti mendja dhe tha: Nuk i bëj dot të gjitha, por një shtëpi do ta bëj, një njeri do ta ndihmojmë”, tha ai, duke kujtuar bisedën që pati me këngëtaren shqiptare ditët e para pas tërmetit.

Familja Sala falënderuan kryebashkiakun Veliaj dhe këngëtaren Rita Ora për shtëpinë e re.

E emocionuar, Edlira Sala tha se nuk kishte mundur që të sistemonte fëmijët e saj në një banesë të tillë.

“S’e kisha menduar ndonjëherë në jetën time që një këngëtare do vinte të më bënte shtëpinë këtu. E falënderoj shumë madje, që e bëri këtë për familjen time. Unë kam mbi 20 vite martesë, nuk arrita të bëj diçka”, u shpreh ajo.

Kryebashkiaku Veliaj tha se koha ka treguar që sa herë shqiptarët lënë pas sherret dhe bëhen bashkë, mund të bëjnë punë të mira.

“Për çfarë zihemi dhe urrehemi?! Kishim një vit, ziheshim të bënim një copë rrugë aty tek Astiri. Ore ti, po merr lekët, po të japim një shtëpi, po të kompensojmë që të bëjmë rrugën… Edhe për Teatrin pyes: Ore, për çfarë zihemi? Një ditë jemi, një ditë jo, vjen tërmeti e shuhet gjithçka. Nëse Zoti do na japë një çikë mend për t’u bërë pak më të mirë, pak më të dashur me njëri-tjetrin, mund të bëjmë më shumë punë. Por, kur vëmë pengesa e shkaktojmë sherre, s’kemi të ardhme”, tha Veliaj.

Lajmin se kishte vendosur të ndërtonte shtëpinë e familjes Sala, Rita Ora e dha në ditën e Flamurit, kur në mediet sociale shkroi: “Gëzuar Ditën e Flamurit Shqipëri! Ditëlindjen time dhe ditët e fundit i kam kaluar duke menduar se cila është gjëja e duhur që duhet të bëj. Familja e parë që kam zgjedhur është familja Sala dhe ne do ta ndjekim procesin në vijim, sepse ka kaq shumë familje që kanë nevojë për të njëjtën ndihmë”./atsh

6 anëtarët e familjes Sala hyjnë në shtëpinë e re, e rindërtuar nga këngëtarja Rita Ora Read More »

Majko në Samitin e Grave të Biznesit: Rrjet bashkëpunimi mes tyre, protagoniste brenda dhe jashtë vendit

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko deklaroi sot se “gratë janë motori kryesor i ekonomisë shqiptare, si konsumatore, menaxhere dhe drejtuese”.

Në fjalën e mbajtur në Samitin e Grave të Biznesit, Majko tha se “takimi i sotëm është një pohim jo vetëm ekonomik, por edhe social sa i përket shoqërisë sonë”.

“Organizimi i sotëm kërkon të nxisë trajtimin e cilësisë së sipërmarrjes së grave në diasporë”, shtoi ai.

Majko u shpreh se “për herë të parë, në vitin 2013 në raportet ndërkombëtare filloi të vlerësohej ndikimi i grave si sipërmarrëse në ritmin e ekonomisë botërore”. “Sot, sipas raporteve serioze të publikuara në vitin 2019, janë afërsisht 252 milionë gra sipërmarrëse në mbarë botën, nga të cilat 153 milionë drejtojnë sipërmarrje të konsoliduara. Këto janë shifra që tregojnë shumë”, tha ai.

Ministri theksoi se “në Shqipëri, bizneset e vogla dhe të mesme, përbëjnë bazën e ekonomisë kombëtare”. “Rreth 28% e tyre janë sipërmarrje që kanë protagoniste gratë. Shqipëria është ende larg mesatares së Bankës Botërore, por ecuria në vazhdim është pozitive. Jashtë këtij procesi nuk mund të shmanget e pashmangshmja: cilësia e grave të biznesit nga komunitetet shqiptare në diasporë”, shtoi ai.

Majko vlerësoi se “aktiviteti i sotëm është pjesë e një procesi për të krijuar një rrjet bashkëpunimi të grave protagoniste brenda dhe jashtë vendit”.

“Organizmin e Samitit të Grave të Biznesit e konsideroj një fillim. Ai është modest për qëllimin që ka në vetvete dhe vlen të shikohet si një komunikim për kontributin dhe profesionalizmin brenda dhe jashtë vendit, realizuar me përkushtim nga gratë shqiptare. Janë të gjitha rrethanat që sasia të kthehet në cilësi. Ju i keni mundësitë dhe jeni në gjendje të ndërtoni një shoqëri shqiptare më të mirë”, theksoi Majko./atsh

Majko në Samitin e Grave të Biznesit: Rrjet bashkëpunimi mes tyre, protagoniste brenda dhe jashtë vendit Read More »

Ndërron jetë aktori i njohur Xhevdet Ferri/ Rama: Lamtumirë Xhodë, s’kam fjalë!

Kryeministri Edi Rama përcolli dhimbjen për lajmin e trishtuar të ndarjes nga jeta në moshën 59-vjeçare të aktorit të njohur të skenës dhe ekranit shqiptar, Xhevdet Ferri pas një sëmundjeje të rëndë.

“Lamtumirë Xhodë, s’kam fjalë!”, u shpreh Rama.

Rolet e Xhevdet Ferrit janë të paharrueshme për publikun që nga interpretimi në “Përrallë nga e kaluara”, tek “Gjoleka, djali i Abazit” e në dhjetëra role të tjera të realizuara mjeshtërisht nga aktori.

Xhevdet Ferri lindi më 26 nëntor 1960. Filmin e tij të parë e ka regjistruar kur ishte akoma student. Ndërsa, i fundit ka qenë filmi “Delegacioni”, me regji të Bujar Alimanit. Roli i paharrueshëm për shqiptarët do të mbetet ai i Trimit në filmin “Përrallë nga e kaluara” krah të madhit, Robert Ndrenika. /atsh

Ndërron jetë aktori i njohur Xhevdet Ferri/ Rama: Lamtumirë Xhodë, s’kam fjalë! Read More »

Basha: 40 vjet në skenë e shndërruan Xhevdet Ferrin në një simbol të artit shqiptar

Kryetari PD-së, Lulzim Basha ka përcjellë sot një mesazh ngushëllimi për ndarjen e parakohshme nga jeta të artistit Xhevdet Ferrit.

Në ngushëllimin e tij, Basha shprehet se “mësova me dhimbje të thellë ndarjen e parakohshme nga jeta të Xhevdet Ferrit, njërit nga ikonat e kinematografisë shqiptare të viteve ’80 dhe një luftëtari të palodhur për mbijetesën e filmit shqiptar, gjatë viteve të tranzicionit”.

“40 vjet në skenë e shndërruan Xhevdet Ferrin në një simbol të artit shqiptar, në një kontributor të palodhur të artit të mirë që bënte bashkë Durrësin e Tiranën, provincën e metropolin, në një kontributor të atij arti që aq shumë u duhet shqiptarëve në rrugën e vështirë drejt lartësimit të dinjitetit njerëzor. Tek galeria e personazheve të tij, në teatër, por kryesisht në film, gjithkush gjente karakteret e përditshmërisë, gjente shembullin si duhet qëndruar për të mos u konformuar me të keqen, por gjente edhe shpresën se nga qëndresa vjen e nesërmja më e mirë”, thekson ai.

Po ashtu Basha shton se “Pas 1990-s, aktivizmi i Xhevdet Ferrit në procesin e vështirë të reformimit të institucioneve kryesore kombëtare që merreshin me prodhimin e filmit ishte i pashoq dhe shembulli se si një personalitet i artit mund të ecë në rrugën e vështirë dhe shpesh të pashkelur të administrimit të artit, si një e mirë publike dhe kombëtare.Në krye të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, në krye të Teatrit Kombëtar, por kryesisht si themelues dhe drejtues i parë i Shoqatës së Kineastëve Shqiptarë, Xhevdet Ferri shërbeu si udhërrëfyes i ndryshimit, edhe për një brez të ri kineastësh, të cilët gjendeshin në kushtet e vështira të tranzicionit të kësaj industrie”.

“Partia Demokratike ka qenë e nderuar që ka pasur në radhët e saj si deputet për një legjislaturë të Kuvendit të Shqipërisë, artistin Xhevdet Ferri. Humbja e tij, për çdo anëtar të PD dhe për çdo dashamirës të artit shqiptar, është e pazëvendësueshme.Me mendje dhe lutje jam sot pranë bashkëshortes, vajzës dhe të gjithë familjarëve në këtë ditë të dhimbjes së thellë dhe ngushëllohem se trashëgimia e Xhevdet Ferrit në teatër dhe kinematografi është burim frymëzimi për çdo artist të ri, si dhe për çdo qytetar që angazhohet për një shoqëri që e do artin dhe që lufton për kinemanë kombëtare. U prehtë në paqe!”, shprehet ai. /atsh

Basha: 40 vjet në skenë e shndërruan Xhevdet Ferrin në një simbol të artit shqiptar Read More »

Ndarja nga jeta e aktorit Xhevdet Ferri/ Mesazhe të shumta vlerësojnë profesionistin dhe njeriun

Lajmi i trishtuar i ndarjes nga jeta në mënyrë të parakohshme, nga një sëmundje e rëndë, e aktorit të njohur Xhevdet Ferri ka sjellë mesazhe të shumta ngushëllimi nga institucione të artit e të kulturës, personalitete të kinematografisë, politikanë, por edhe qytetarë të thjeshtë.

“Me dhimbje të madhe, Teatri Kombëtar njofton ndarjen nga jeta të një prej figurave të shquara të kinematografisë dhe skenës shqiptare, Xhevdet Ferrit. Ngushëllimet tona më të sinqerta nga kjo humbje e madhe shkojnë për familjen dhe të afërmit e tij”, njoftoi Teatri Kombëtar, ndërsa publikoi edhe jetëshkrimin e aktorit.

“Trishtim e dhimbje për humbjen e mikut Xhevdet Feri, aktorit që i dha kinematografisë e teatrit role të papërsëritshme, durrsakut që i dha qytetit të lindjes, krenarinë që vetëm qytetarë të denjë e të fisëm si ai, mund t’ia falin! Të qoftë i lehtë dheu, Xhoda”, u shpreh kryetari në detyrë i bashkisë së Durrësit, Zhuljen Varfaj.

“Jemi të pikëlluar nga humbja e mikut tonë Xhevdet Ferri, një bashkëpunëtor i mrekullueshem i Arkivit dhe, mbi të gjitha, një artist i madh i dhjetëra roleve që mbeten të stampuara në celuloid. U prehtë në paqe! Ngushëllime familjes dhe miqve”, u shpreh Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit.

“Në aktivitetin e tij prej afro 35 vjetësh, Xhevdet Ferri u bë njeriu i familjeve tona me rreth 40 role në kinematografi e teatër, që nga periudha e studimeve deri në fund të jetës.
Xhevdet Ferri u dha frymë karaktereve nga më të larmishmet. Emri i tij ishte një prej shenjave me të cilat njihej një brez i ri aktorësh, të prirur për një realizëm të pazbukuruar, me një ligjërim pa frazeologji të ngarkuar. Ai brez e afroi kinemanë me njerëzit. Trashëgimia e tij do të jetë gjithnjë në komunikim dhe kujtimi i tij do të jetojë bashkë me ne. Akademia e Shkencave i shpreh ngushëllimet më të thella familjes dhe komunitetit artistik të vendit. I përjetshëm kujtimi i tij”, u shpreh Akademia e Shkencave e Shqipërisë./atsh

Ndarja nga jeta e aktorit Xhevdet Ferri/ Mesazhe të shumta vlerësojnë profesionistin dhe njeriun Read More »