Aktualitet

Posta Shqiptare, ofron për klientët e saj shërbimin e ri “Biblioteka ime”

Tashmë, në sportelet e Postës Shqiptare, mund të gjeni 7 sete të ndryshme, me nga 10 libra secili, me një çmim prej 1500 lekë/seti.

Librat e përzgjedhur nga letërsia shqipe me autorë si: Naim Frashëri, Ndre Mjeda, Faik Konica, Fan S. Noli, Sami Frashëri, A. Z. Çajupi, etj.

Nga letërsia e huaj janë përzgjedhur autorët më në zë të botimeve klasike si: Fjodor Dostojevski, Ivan Turgeniev, H. de Balzak, Henri Xhejms, A. I. Pushkin, L. N. Tolstoi, Mark Tuein, D’Anuçio, etj.

Për herë të parë në tregun shqiptar, libri është i aksesueshëm në aspektin ekonomik nga të gjitha familjet shqiptare, duke ruajtur përherë cilësinë, si në përzgjedhjen e titujve, ashtu edhe në përkthimin cilësor të çdo vepre të huaj.//atsh

Posta Shqiptare, ofron për klientët e saj shërbimin e ri “Biblioteka ime” Read More »

Ndërron jetë aktori i njohur Xhevdet Ferri/ Galeri e paharruar rolesh në skenë e ekran

U shua në moshën 59-vjeçare aktori i njohur i skenës dhe ekranit shqiptar, Xhevdet Ferri pas një sëmundjeje të rëndë. Rolet e tij në skenë dhe ekran janë të paharrueshme për publikun që nga interpretimi në “Përrallë nga e kaluara” tek “Gjoleka, djali i Abazit” e në dhjetëra role të tjera të realizuara mjeshtërisht nga aktori.

Xhevdet Ferri lindi më 26 nëntor 1960. Filmin e tij të parë e realizoi kur ishte akoma student. I fundit nga aktori do të mbahet mend roli në filmin “Delegacioni”, me regji të Bujar Alimanit. Roli i paharrueshëm për shqiptarët do të mbetet ai i trimit në filmin “Përrallë nga e kaluara” krah të madhit, Robert Ndrenika.

Në vitin 1982, Xhevdet Ferri u diplomua në Akademinë e Arteve dega e Dramës dhe më pas u caktua pedagog i mjeshtërisë se aktorit në këtë Akademi. Vazhdoi karrierën akademike deri në detyrën si dekan i Fakultetit të Artit Dramatik pranë kësaj Akademie. Ka interpretuar në rreth 30 role në kinematografi e teatër.

Pothuajse në të gjitha filmat ka qenë në rolin e protagonistit. Ai debutoi në vitin 1980 ne “Skëterre ’43” si Arjani dhe po atë vit në “Vëllezër dhe shokë” duke rënë në sy për rolin e Markos.

5 vjet më vonë, në vitin 1985 do të bëhej i njohur me interpretimin e rolit të Agronit në filmin e dytë të tij “Hije që mbeten pas”. Në mishërimin që i bëri figurës së Gorit në filmin tjetër “Dhe vjen një ditë”, me të cilin u nderua me medaljonin e festivalit, më 1986, bien në sy cilësi të tjera interpretative si: natyrshmëria, qetësia dhe thjeshtësia, shoqëruar nga karakteri i drejtpërdrejtë i të vepruarit.

Role të tjera të spikatura: Arjani në “Skëterrë ’43” (1980); Pali në “Besa e kuqe” (1982); Sandri në “Vendimi” (1984); Trimi në “Përrallë nga e kaluara” (1987); Martini në “Treni niset në 7 pa pesë” (1988); Gjon Kadri në “Vitet e pritjes” (1990).

Me rolin e Sakos, në filmin “Dasma e Sakos” (1998), Xhevdet Ferri arriti sërish në një pikë të lartë artistike të interpretimit.

Nga vitet 1995-1999 ishte drejtor i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, duke e rimarrë këtë detyrë në vitin 2006. Ndërsa në vitet 1999-2001 ishte drejtor i Teatrit Kombëtar.

Në vitet 1996-1998 është zgjedhur deputet i Kuvendit të Shqipërisë nga radhët e PD.

/atsh

Ndërron jetë aktori i njohur Xhevdet Ferri/ Galeri e paharruar rolesh në skenë e ekran Read More »

Investimi 4.6 miliardë lekë/ Vlora me bregdet të pastër për sezonin turistik 2020

Qyteti i Vlorës do të ketë një bregdet të pastër për sezonin turistik të këtij viti. Kjo, falë një investimi të realizuar nga Qeveria Shqiptare dhe bashkia e Vlorës në rrjetin e kanalizimeve në qytet.

Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime Vlorë ka hartuar këtë projekt që tani po zbatohet. Në zonën e ish-Fabrikës së Çimentos po punohet për shtrimin e rrjetit të ri të kanalizimeve, ndërsa kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli shoqëruar nga Drejtori i Ujësjellës Kanalizime, Dorian Xhelili, ndoqën sot ecurinë e punimeve.

Kryebashkiaku Leli theksoi se “ky investim me vlerë 4.6 miliardë lekë të vjetra është nga më të rëndësishmit që garanton turizëm cilësor dhe ujëra të pastra në gjirin e Vlorës. Investimi radhës do të shkojë në çdo familje për të garantuar lidhjen e kanalizimeve të ujërave të zeza familjare me sistemin e kanalizimeve në të gjithë territorin e Vlorës për të shkuar në pikën që ne kemi përfunduar pak kohë më parë të hidrovorit të qytetit. Të gjitha lidhjet klandestine po zbulohen një nga një ato që derdheshin në mënyrë të pakontrolluar në kanalizimet e qytetit për tu lidhur tani falë këtij projekti me sistemin total të pastrimit të ujërave të zeza”.

Sipas tij, po evidentohen të gjitha lidhjet abuzive të kanalizimeve.

Ai siguroi se për sezonin turistik të këtij viti “Lungomare” do të jetë tërësisht e pastër nga ujërat e zeza./atsh

Investimi 4.6 miliardë lekë/ Vlora me bregdet të pastër për sezonin turistik 2020 Read More »

Parashikimi i motit

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se moti sot parashikohet i kthjellët me vranësira të pakta kalimtare në orët e para të mëngjesit kryesisht në zonën e verilindjes.

Gjatë orëve të mëngjesit dhe mbrëmjes mjegull e dendur e mjegullinë në zonat malore si shkak i temperaturave negative dhe ngrica.

Era do të fryjë me drejtim Lindje – Veri 1 -8 m/sek në bregdet.

Valëzimi në dete parashikohet i forcës 0-1 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 3/13 Diell
Kukës 2/8 Diell re
Lezhë -2/13 Diell
Dibër -2/5 Diell re
Durrës 6/14 Diell
Tiranë 3/15 Diell
Elbasan 2/15 Diell
Berat -3/15 Diell
Vlorë 4/15 Diell
Korçë -3/5 Diell re
Gjirokastër -3/13 Diell
Sarandë 7/18 Diell/atsh

Parashikimi i motit Read More »

Banka Botërore mbështetje dhe ekspertizë për zhvillimin e integruar të “ekonomisë blu”

Zhvillimi i mëtejshëm i sektorit të detarisë, infrastrukturës portuale, turizmit dhe peshkimit, përmes zbatimit të politikave të integruara në mbështetje të ekonomisë blu, ishte kryefjala e takimit të zhvilluar mes përfaqësuesve të Bankës Botërore dhe kreut të Autoritetit Portual Durrës.

Ekspertët e industrisë detare pranë Bankës Botërore, Jo Scortino, Stefán Þórarinsson dhe Ögmundur Knútsson, ndanë me kreun e APD-së, Pirro Vengu, analizën e tyre lidhur me mirëqeverisjen e autoriteteve portuale, si strukturë mbështetëse në zhvillimin e turizmit dhe peshkimit.

Vengu nënvizoi rolin e rëndësishëm të Shqipërisë si një potencial rajonal për të çuar përpara zhvillimin e integruar të ekonomisë blu (Blue Economy), nëpërmjet rritjes së kapaciteteve inxhinierike dhe planifikuese për infrastrukturën portuale dhe menaxhimin detar në rang kombëtar.

“Në kuadër të një programi mbështetjeje të dedikuar, Banka Botërore do të vijojë bashkëpunimin me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit dhe APD, në funksion të mirë menaxhimit të resurseve nën-ujore dhe zhvillimit të qëndrueshëm”, bën të ditur Autoriteti Portual i Durrësit./atsh

Banka Botërore mbështetje dhe ekspertizë për zhvillimin e integruar të “ekonomisë blu” Read More »

Shqipëria dëbon 2 diplomatë të Ambasadës së Iranit

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme shpalli sot persona të padëshirueshëm dy përfaqësues diplomatikë të Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit në Shqipëri.

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme njoftoi se “ka vendosur sot, që përfaqësuesit diplomatikë të Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit në Shqipëri, Mohammad Ali Arz Peimanemati dhe Seyed Ahmad Hosseini Alast, të shpallen persona të padëshirueshëm, për shkak të zhvillimit të veprimtarisë në mospërputhje me statusin e tyre dhe parimet e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike”.

“Dy përfaqësuesve të Republikës Islamike të Iranit u është kërkuar largimi i menjëhershëm nga territori i Republikës së Shqipërisë”, thuhet në deklaratën për shtyp të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme. /atsh

Shqipëria dëbon 2 diplomatë të Ambasadës së Iranit Read More »

Investimet në shëndetësi/ Fakti është se sot shqiptarët kanë një spital kirurgjie si gjithë Europa

“Fakti është se sot shqiptarët kanë një spital kirurgjie si gjithë Europa”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, duke iu referuar investimit më të fundit të qeverisë me vlerë 8.8 milionë euro në spitalin e ri kirurgjikal “Frederik Shiroka” në QSUT.

Rama tha se “kush ka sy le të shikojë”, por përtej kujtdo që nuk do të shikojë ky është fakt.

“‘Kush ka sy le të shikojë’ por përtej kujtdo që nuk do të shikojë, fakti është se sot shqiptarët kanë një spital kirurgjie si gjithë Europa”, tha Rama.

Spitali i ri kirurgjikal “Frederik Shiroka” në QSUT ka 7 salla moderne operacioni për kirurgjinë e përgjithshme, kirurgjinë speciale dhe urologjinë.

Spitali ka 120 shtretër dhe dhoma me standardet më të mira. Ai është i pajisur me aparatura mjekësore të teknologjisë së lartë, me njësi terapie intensive me kushte dhe pajisje bashkëkohore.

“Këtu është një ambient që edhe në shtëpi më mungon”, tha një pacient.

“Kushtet janë të shkëlqyeshme, dhomat janë të shkëlqyeshme, me televizor me rafte me gjithçka”, tha një tjetër.

Një tjetër pacient i shtruar u shpreh se “u bëra 60 vjeç dhe këtë ambient se kam parë ndonjëherë”.

Me laparoskopi moderne në secilën prej sallave të kirurgjisë së përgjithshme, kirurgjisë speciale dhe urologjisë, një mjek i këtij spitali u shpreh se “ky është një investim kolosal që ka bërë shteti dhe Ministria e Shëndetësisë”.

“Mjekët janë të kënaqur, pacientët po ashtu. Sallat e operacionit, pajisjet, janë të gjitha të reja. Të gjitha këto kushte të reja padiskutim që do të ndikojnë në cilësinë e shërbimit ndaj të sëmurëve”, tha mjeku.

Investimi për ndërtimin e spitalit të ri kirurgjikal kap vlerën 8.8 milionë euro. /atsh

Investimet në shëndetësi/ Fakti është se sot shqiptarët kanë një spital kirurgjie si gjithë Europa Read More »

Tërmet në veri të Kosovës, lëkundjet ndihen edhe në Prishtinë

Një tërmet me fuqi 4.28 ballë sipas shkallës Rihter ka goditur pjesën veriore të Kosovës.

Sipas ueb faqes MyEarthquake, tërmeti ka ndodhur në ora 17.32, me epiqendër në rajonin e Mitrovicës.

Dridhje toke janë hetuar edhe në Prishtinë. Thellësia e tërmetit ishte dhjetë kilometra./KosovaPress/

Tërmet në veri të Kosovës, lëkundjet ndihen edhe në Prishtinë Read More »