Aktualitet

Negociatat me BE/ Reformat po ecin, pavarësisht cili do të jetë vendimi i radhës, do të bëjmë të njëjtën gjë për të ardhmen tonë

“Pavarësisht se cili do të jetë vendimi i radhës në aspektin e çeljes së negociatave, ose shtyrjes së vendimit, ne do vazhdojmë të bëjmë të njëjtën gjë edhe po të hapeshin tashmë negociatat. Ne këtë e bëjmë për veten tonë dhe të ardhmen tonë, nuk e bëjmë se na i kërkon Presidenti i Këshillit, Parisi, apo Haga”.

Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidentin e Këshillit Europian Charles Michel, pas takimit mes tyre në Tiranë.

“Më vjen shumë mirë që ka një qartësi për faktin se reformat po ecin dhe rezultatet e pritura po vijnë dhe do vazhdojnë të vijnë. Kam ndarë me Presidentin edhe ambicien për të hedhur një hap të ri dhe pa humbur kohë në luftën kundër krimit të organizuar dhe KÇK-së. Kështu do të vazhdojmë hap pas hapi”, – tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “kjo që po kalojmë është një fazë që BE-ja ka një diskutim të brendshëm dhe me të gjithë mirënjohjen për vëmendjen që asnjëherë nuk ka munguar, në raport me nevojën time për të përcjellë opinionet e mia, qoftë në Paris apo në kryeqytete të tjera, jam i vetëdijshëm dhe ju duhet të jeni të vetëdijshëm, që nuk varet nga çfarë themi apo bëjmë ne në këtë moment, por varet nga sa dhe si miqtë tanë nga BE-ja do të bien dakord për atë që quhet metodologjia e re dhe cila do të jetë qasja e përgjithshme e BE-së”.

Kryeministri Rama u shpreh se “e kam thënë edhe më parë dhe e përsëris, në këto kushte edhe Franca të ishte duke kërkuar të hynte në BE, nuk do pranohej nga Franca, përpara sesa të bihej dakord se si do zhvillohej procesi. Është një diskutim konceptual brenda BE-së që ne duhet ta respektojmë dhe nga ana tjetër ajo unë konstatova me shumë kënaqësi nga biseda me Presidentin e Këshillit dhe që u tha këtu prej tij, është qasja që ai kërkon të sjellë së bashku me të tjerët, për një dimension të ri në marrëdhëniet mes BE-në dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në aspektin e zhvillimit ekonomik dhe social. Pra, ajo që po ndodh në funksion të një metodologjie te re duhet parë si një mundësi e re për të pasur zhvillime pozitive, jo thjesht në raport me hapjen e negociatave nga pikëpamja formale, por në raport me marrëdhëniet mes nesh dhe BE-së”.

“Nëse çfarë Presidenti shpreh sot si një vizion dhe objektiv do të materializohet në investime të inkurajuara dhe mbështetura nga BE, përmes Bankës Europiane dhe instrumenteve të tjera, në më shumë mbështetje financiare në vendet e rajonit në funksion të sektorëve kyçë dhe të politikave europiane në tërësi kjo përbën një arsye për të qenë shumë pozitivisht të inkurajuar”, – tha Rama.

Duke folur për Programin e Rindërtimit, Rama theksoi se “ajo që ka rëndësi është që në fund të këtij viti Shqipëria të jetë një vend më i mirë dhe ne të kemi arritur së bashku me Bashkimin Europian si një mbështetës kryesor t’u kemi dhënë atyre që kanë pasur tragjedinë e madhe të nëntorit, drejtpërdrejt në kurriz, jo më vetëm thjesht shpresë, por shtëpi të reja dhe perspektivë të qartë për të hyrë në shtëpi, jo më larg se fundi i vitit të ardhshëm për ata që jetojnë në qytet”.

Kryeministri u shpreh se “dua ta falënderoj Presidentin e KE-së, Michel për ngushëllimet dhe interesimin e posaçëm lidhur me situatën e vështirë të krijuar pas tërmetit të 26 nëntorit, si dhe për angazhimin e tij personal për të ndihmuar që konferenca e donatorëve e thirrur nga Presidentja e Komisionit Europian, në 17 shkurt në Bruksel të jetë një sukses dhe populli shqiptar e në mënyrë të posaçme afro 15 mijë njerëz që kanë humbur strehën të marrin mesazhin e qartë që Europa është pranë dhe nuk do të na lërë vetëm në përpjekjen e madhe për rindërtimin”.

“Natyrisht kemi folur me Presidentin e Këshillit edhe për procesin e reformave dhe ecurinë e procesit të integrimit, kemi ndarë pikëpamjet lidhur me çfarë është arritur deri këtu dhe çfarë duhet arritur më tutje dhe mbi diskutimin e brendshëm në BE për atë që tashmë njihet si metodologjia e re e zgjerimit dhe në tërësi më vjen shumë mirë që Presidenti Michel ka shprehur vullnetin për të qenë posaçërisht i angazhuar për rajonin, jo vetëm në funksion të procesit të integrimit të mëtejshëm individualisht të vendeve , por edhe në funksion të fuqizimit të bashkëpunimit rajonal, por edhe të një qasje të re të Brukselit në raport të zhvillimit ekonomik dhe social të rajonit”, – nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “dua ta falënderoj edhe një herë Michel, sepse sidoqoftë në këtë rol është vetëm në momentet e para dhe ka shumë dosje të rëndësishme në tryezë për të trajtuar dhe fakti që pas një firmosje në orën 1:30 të mëngjesit, lidhur me Britaninë e Madh dhe fakti që sot i ka ardhur në Tiranë për të çelur një fazë të re të dialogut me ne dhe me rajonin, është shumë domethënës për mua”/atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/630723447761052/?t=0

Negociatat me BE/ Reformat po ecin, pavarësisht cili do të jetë vendimi i radhës, do të bëjmë të njëjtën gjë për të ardhmen tonë Read More »

Gjirokastër/ Biznesi informohet për skemat e granteve që ofron Agjencia e Zhvillimit të Investimeve

Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), zhvilloi sot në në qytetin e Gjirokastrës, një takim informues me përfaqësues të biznesit mbi skemat e granteve, që ofron kjo agjenci.

Dilfirus Vrioni, drejtore e Drejtorisë Marketing, Kërkim dhe Analizë pranë AIDA-s bëri një prezantim të punës së agjencisë dhe mbështetjes që ajo ofron për bizneset në të gjithë vendin, mundësitë për ndërlidhjen e kompanive nëpërmjet platformës B2B në faqen web të AIDA-s, gjithashtu dhe faktin se agjencia është e hapur ndaj çdo komunikimi të jashtëm me qëllim lehtësimin e shërbimeve dhe adresimin e problematikave të hasura, por edhe ndaj kërkesave të ndryshme si pjesëmarrja në panaire.
Ndërsa Albana Zykaj, përgjegjëse e Sektorit të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (NVM) pranë AIDA-s informoi pjesëmarrësit lidhur me skemat e granteve të cilat AIDA ofron për t’iu ardhur në ndihmë bizneseve.

Pergjatë takimit, përfaqësuesit nga bizneset pjesëmarrëse ngriten çështje dhe problematika konkrete të hasura në punën e tyre të përditshme veçanërisht në sektorin e artizanatit dhe turizmit. Nga pjesëmarrësit u kërkua vëmendje dhe investime të mëtejshme për qarkun. Bizneset kërkuan trajnime, mundësi inovative për promovimin e bizneseve te tyre, asistencë nga AIDA për aplikimin e fondeve, rritjen e kapaciteteve për shitjet online etj. Nga ana e tij Maksim Hoxha, Kryetar i Dhomës së Tregëtisë së Qarkut Gjirokastër u shpreh vullneti që ky qark të përfaqësohet në panaire ndërkombëtare turistike, pikë e cila do të ndiqet nga stafi i AIDA-s. U diskutua mbi promovimin e produkteve “Made in Albania”, gjithashtu për zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve të reja në mbështetje të biznesit shqiptar.

Ne vijim të takimit, pjesëmarrësve ju prezantua dhe Rrjeti Europian i Ndërmarrjeve (EEN Albania) dhe shërbimet që rrjeti ofron për NVM-të shqiptare me synim rritjen e aftësisë konkurruese dhe inovative të tyre në tregun Europian e më gjerë.

Këto takime të ndërmarra nga AIDA kanë si qëllim final përmirësimin e klimës së të bërit biznes në Shqipëri dhe promovimin e produkteve shqiptare nëpërmjet përkrahjes dhe përmirësimit të proaktivitetit ndaj tyre. /atsh

Gjirokastër/ Biznesi informohet për skemat e granteve që ofron Agjencia e Zhvillimit të Investimeve Read More »

Vlorë/ Furnizim 24 orë me ujë për një nga zonat më të rëndësishme turistike, Uji i Ftohtë-Shkolla e Marinës

Banorët e zonës Uji i Ftohtë-Shkolla e Marinës do të furnizohen me ujë të pijshëm e me cilësi 24 orë.

Në Këshillin Teknik të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizime dhe Infrastrukturës së Mbetjeve u miratua studimi i fizibilitetit për t’i hapur rrugë investimit, për të garantuar një nga zonat më të rëndësishme turistike të qytetit te Vlorës me furnizim pa ndërprerje me ujë të pijshëm.

Ujësjellës Kanalizime Vlorë bën të ditur se “projekti që do të nisë investimin brenda 2020 përfshin: rehabilitimin e rrjetit të jashtëm linja kryesore; stacione pompimi nr 2 , 3, linjë dërgimi të energjisë, ndërtimin e rrjetit shpërndarës për zonën Uji Ftohtë dhe për konsumatorët Rrapi-Shkolla Marinës dhe instalim 100% i matësve të ujit për konsumatorët në zonën ku shtrihet projekti.

Investimet në sektorin jetik të ujit synojnë jo vetëm të përmirësojnë ndjeshëm jetën e qytetarëve të Vlorës, por edhe të ndikojnë drejtpërdrejtë në zhvillimin e qëndrueshëm turistik, sektor kyç për ekonominë e Vlorës.//atsh

Vlorë/ Furnizim 24 orë me ujë për një nga zonat më të rëndësishme turistike, Uji i Ftohtë-Shkolla e Marinës Read More »

Kryemadhi/ 2020-ta, viti i parë i dekadës së ndryshimit

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi gjatë një takimi me strukturat LSI në Lezhë, theksoi se dekada e re do të jetë fillimi i fundit të tranzicionit

Kryemadhi tha se Shqipëria gjendet në një udhëkryq të madh, por shtoi se “është kënaqësi dhe shton më shumë përgjegjësinë tonë kur dëgjon nga të rinjtë dhe të rejat që vazhdojnë qëndrojnë në Shqipëri, të përballen me sfidat e tyre, por mbi të gjitha të ndërtojnë ëndrrën e tyre. Dhe ëndrrat t’i ndërtosh sot në një Shqipëri e cila gjendet në një nga situatat e saj më të vështira, më problematike, do të thotë që është një kurajo e madhe, një guxim i madh, por mbi të gjitha është dhe një besim i madh”.

“Dhe kjo është një nga mësimet më të mira që ne si politikan, duhet të marrim nga këta të rinj dhe të reja. Prandaj gjej rastin tu falënderoj, për këtë kurajo, për këtë forcë dhe për këtë mësim të mirë që i jepni jo vetëm politikës shqiptarë, por u jepni prindërve tuaj, i jepni shoqërisë, i jepni gjithë rrethit shoqëror për të ndryshuar këtë realitet dhe për të kthyer vlerat të cilat Shqipërisë i kanë munguar ndër vite”,- shtoi Kryemadhi.

“Unë do dëshiroja që të thoja që viti 2020 jo vetëm në kuadrin e dëshirës por dhe angazhimit se , do të jetë një vit i ndryshimit, vit i shpresës. Do të jetë viti i parë i dekadës së ndryshimit. Të gjithë thonë çfarë është kjo dekadë. Dekada është ky dhjetëvjeçar i cili do të bëjë ndryshimin përfundimtar të Shqipërisë. Do të bëjë ndryshimin e tranzicionit. Shqipëria duhet të mbyllë njëherë e përgjithmonë, jo vetëm periudhën e tranzicionit, por duhet të mbyllë njëherë e përgjithmonë këtë situatë varfërie, mosfunksionim të çdo gjëje, që ka varfëruar çdo ditë e më shumë shqiptarët dhe i ka detyruar të largohen nga Shqipëria”,- tha Kryemadhi./atsh

Kryemadhi/ 2020-ta, viti i parë i dekadës së ndryshimit Read More »

Ambasadorja Yuri Kim: E nderuar që jam në Shqipëri, gati t’i përvishem punës

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Yuri Kim, shprehet se ndihet e nderuar që ndodhet në Shqipëri dhe është gati ti përvishet punës.

Ambasadorja Kim, në ditën e saj të parë të punës ka dhënë dhe mesazhin e parë. “Ndihem e nderuar dhe shumë e kënaqur që jam në Shqipëri dhe jam gati t’i përvishem punës”, -, ka theksuar Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Yuri Kim në ditën e saj të parë në Ambasadë.

Yuri Kim mbërriti në Tiranë si Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë në janar 2020. Ambasadorja Kim, një diplomate karriere, ka punuar mbi sfida kyçe të politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare në mbarë Europën, Azinë dhe Lindjen e Mesme.

Ka qenë drejtoreshë e Çështjeve të Europës Jugore dhe ka mbuluar Turqinë, Greqinë, Qipron dhe më gjerë rajonin e Mesdheut Lindor; si drejtoreshë e Zyrës së Çështjeve Europiane të Sigurisë dhe ato Politiko-Ushtarake, ka mbuluar NATO-n dhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE). Më parë ka qenë Shefe e Kabinetit e Zëvendës Sekretarit të Shtetit dhe drejtoreshë e Qendrës për Studimin e Administrimit të Diplomacisë. /atsh

Ambasadorja Yuri Kim: E nderuar që jam në Shqipëri, gati t’i përvishem punës Read More »

Eksportet e frutave dhe perimeve/ 84 milionë euro vlera e shitjeve në tregjet jashtë vendit

Eksportet e frutave dhe perimeve u rritën me 10% vitin që shkoi.

Sipas të dhënave të INSTAT mbi tregtinë e jashtme, prodhimi i bollshëm bujqësor shqiptar, veçanërisht ai i frutave dhe perimeve, realizoi rreth 10,4 miliardë lekë ose 84 milionë euro vlerë shitjesh në tregjet jashtë vendit në raport me 9.5 miliardë lekë ose 77 milionë euro të realizuara gjatë vitit 2018.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, lidhur me këtë fakt bën me dije se, rritja e eksporteve bujqësore Made in Albania, erdhi si pasojë e politikave lehtësuese nxitëse për këtë sektor, veçanërisht i programeve financuese por edhe si rezultat i një sezoni më të mbarë prodhimi sidomos nga kushtet me të favorshme të motit.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se, vlerën më të madhe të eksportit e shënuan zarzavatet me rreth 7.8 miliardë lekë të përfaqësuara nga rritja e kontratave me jashtë për shitjen e domates. Eksporti i zarzavateve në veçanti shënoi 7.8 miliardë lekë ose 63 milionë euro me një rritje 5,3 % në raport me një vit më pare.

Ndërsa eksporti i frutave në vlerë është më i vogël me vetëm 2,6 miliardë lekë, por rritja në raport me vitin 2018 ishte me lartë, me rreth 25%.

Baza e eksporteve të frutave dhe perimeve është zgjeruar dukshëm gjatë dekadës së fundit. Vlera e tyre është katërfishuar nga viti 2013, ku vlera e tyre ishte 2,8 miliardë lekë, duke arritur vlerën e 10.4 miliardë lekëve në vitin 2019.

Shkak për këtë rritje më së shumti janë faktorët gjeografike të cilët mundësojnë prodhimin më të hershëm të frutave dhe perimeve nga vendi ynë.

Shqipëria është suficitare në tregtinë e perimeve dhe zarzavateve pasi eksporton 7,8 miliardë lekë dhe importon 2,5 miliardë lekë në vitin 2019./atsh

Eksportet e frutave dhe perimeve/ 84 milionë euro vlera e shitjeve në tregjet jashtë vendit Read More »

100 vjet parlamentarizëm/ Ceremonia në Shtëpinë e Kongresit në Lushnjë, Ruçi: Këtu nisi konsolidimi i Shqipërisë së pavarur

“Në Lushnjë nisi konsolidimi i Shqipërisë së pavarur e parlamentare”, deklaroi sot kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i cili mori pjesë në ceremoninë festive të organizuar në Shtëpinë e Kongresit të Lushnjës.

Në këtë veprimtari, me të cilën nisi kremtimi i kësaj ngjarjeje madhore të historisë sonë kombëtare, morën pjesë deputetë dhe ish- deputetë, ish-drejtues të Kuvendit, trashëgimtarë të protagonistëve, delegatëve, deputetëve, ministrave e shtetarëve që zgjodhi Kongresi i Lushnjes, autoritete lokale dhe mijëra qytetarë.

Pas fjalës së mirëseardhjes së kryetarit të Bashkisë, Fatos Tushe, përshëndeti kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

“Rrallë gjendet në histori një shtëpi me kaq kontribute në historinë e një vendi”, tha Ruçi.

“Shteti i shqiptarëve deri në shpalljen e pavarësisë, kishte qenë një planet i largët për shqiptarët. Por edhe pas shpalljes së pavarësisë, shteti rrezikonte të zhdukej e bashkë me të edhe Shqipëria”, theksoi ai.

“Nga kjo Shtëpi dhe nga ky Kongres nisi konsolidimi i Shqipërisë së pavarur e parlamentare. Nga kjo Shtëpi dhe nga ky Kongres nisi diplomacia shqiptare në mbrojtje të tërësisë territoriale dhe integritetit të Shqipërisë. Nga kjo Shtëpi dhe nga ky Kongres nisi ndërtimi i administratës shqiptare, arsimit, shkollave dhe forcave të rendit”, nënvizoi kreu i Kuvendit.

“Kjo shtëpi dhe ky Kongres u vunë në dispozicion të mbrojtjes së Shqipërisë dhe u shndërruan në një shtëpi e kongres historik, për arsye të vendimeve që u morën. Kongresi i Lushnjës pati një rrezatim kombëtar e popullor, u prit me entuziazëm e besim prej shqiptarëve dhe u bë sintetizues dhe gjenerues i energjive të kombit”, tha Ruçi.

Sipas tij, në vitet e para të jetës parlamentare çelën filizat e parë të pluralizmit demokratik.

“Sot, një shekull pas kësaj vepre themeltare për kombin dhe shtetin shqiptar, le të shprehim mirënjohjen tonëpër veprën monumentale të delegatëve të Kongresit të Lushnjës, burrave që përfaqësuan krahinat e Beratit, Skraparit, Mallakastrës, Lushnjës, Fierit, Dibrës, Matit, Durrësit, Shijakut, Kavajës, Tiranës, Elbasanit, Peqinit, Gramshit, Dumresë e Sulovës, Gjirokastrës, Libohovës, Përmetit e Këlcyrës, Delvinës, Tepelenës, Korçës, Pogradecit, Kolonjës, Leskovikut, Hasit e Lumës, Gjakovës, Gashit dhe Shkodrës. Vizioni, vendosmëria dhe kontributi i tyre e bënë Shqipërinë me Parlament.

Mirënjohje të përjetshme për këtë vepër që nuk do të harrohet edhe deputetëve të parë të Shqipërisë, të caktuar nga Kongresi i Lushnjës. Këta u bënë legjionarët e parlamentarizmit shqiptar dhe për këtë fakt historik kombi dhe historia do tu jenë përjetë mirënjohës”, nënvizoi në përshëndetjen e tij kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Sot shënohen 100 vite nga Kongresi i Lushnjes, i mbajtur më 21 janar të vitit 1920. Kjo datë shënon edhe fillimin e parlamentarizmit shqiptar.

Kongresi i Lushnjës krijoi Senatin, Parlamentin e parë shqiptar (më vonë Këshilli Kombëtar), si organ legjislativ, i cili përbëhej nga 37 anëtarë të zgjedhur nga vetë delegatët e Kongresit. Kongresi shprehu në formë të organizuar politike vullnetin e shqiptarëve për të marrë fatin e vendit në duart e veta. Në këtë periudhë afirmohen për herë të parë parimet e parlamentarizmit: emërimi dhe shkarkimi i Qeverisë nga Senati, si dhe ushtrimi i kontrollit parlamentar ndaj saj. Megjithëse parlamenti i parë shqiptar e shtriu veprimtarinë e tij legjislative në një periudhë të shkurtër kohe, ai arriti të miratonte disa ligje të rëndësishme. Akti më i rëndësishëm ishte Statuti i Lushnjës që përbënte një ligj kushtetues. Veprimtaria legjislative e Këshillit Kombëtar mori fund në dhjetor të vitit 1920, kur Këshilli u shpërnda për t’ua lënë vendin zgjedhjeve të para në Shqipëri (mars 1921)./atsh

100 vjet parlamentarizëm/ Ceremonia në Shtëpinë e Kongresit në Lushnjë, Ruçi: Këtu nisi konsolidimi i Shqipërisë së pavarur Read More »

Parku i parë Fotovoltaik në Karavasta, 2020 shënon zgjerimin e hartës së burimeve energjetike të Shqipërisë

Në zonën e Karavastasë do të ndërtohet parku i parë Fotovoltaik, një projekt i rëndësishëm në sektorin e energjisë së rinovueshme që llogarit mbi 100 milionë euro investim.

Kryeministri Edi Rama theksoi sot se “ky vit 2020 shënon zgjerimin hartës së burimeve energjetike të Shqipërisë me investimin në energjinë diellore për parkun e parë Fotovoltaik, që do të ndërtohet në zonën e Karavastasë., me një kapacitet prodhues 140 megavat”.

Parku fotovoltaik i Karavastasë më i madhi i projektuar në vend është i ndarë i ndarë 70 megavat për prodhim dhe shitje në treg të lirë dhe 70 megavat me çmim të rregulluar.
Çmimi i rregulluar zgjat për 15 vite dhe do blihet nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE).

Ky projekt është hartuar duke pasur në bazë një studim të Bankës Botërorë që ka nxjerrë tre zonat kryesore me rrezatimin më të lartë në vend, që garanton një investim që i kthehet shpejtë investitorët dhe i sjell përfitim shtetit shqiptar në prodhimin e energjisë me çmim të ulur. Çmimi i rregulluar është paracaktuar në 55 euro duke pasur parasysh teknologjitë e tregut dhe mesataren e kostos së prodhimit.

Projekti do të vendoset në një hapësirë prej 198 hektarësh në bashkitë Fier dhe Divjakë./atsh

Parku i parë Fotovoltaik në Karavasta, 2020 shënon zgjerimin e hartës së burimeve energjetike të Shqipërisë Read More »