Aktualitet

180 të dënuar përfitojnë nga amnistia, gati reforma penitenciare

Gratë dhe të miturit janë në qendër të ligjit “Për Dhënie Amnistie”. Nga ky projektligj përfitojnë 180 të dënuar.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, gjatë një emisioni televizivi tha se, 50% e grave që përfitojnë nga amnistia do lënë qelitë dhe 50% të tjera do kenë ulje të dënimit.

“Amnistia ka një kohë të gjatë që po përgatitet, në shtatorin e shkuar ka mbërritur në Kuvend. Për shkak të tërmetit diskutimet për amnistinë u shtynë. Ne kemi studiuar të gjitha elementët që kanë përmbajtur dhe amnistitë e kaluara. Janë disa vite që nuk ka pasur amnisti dhe kemi treguar kujdes që me këtë amnisti të përfitojnë ata që e kanë arritur qëllimin e rehabilitimit”,- theksoi ministrja.

“Kjo amnisti i kushtohet grave dhe të miturve duke përcaktuar disa kritere më lehtësues për gratë që do përfitojnë nga amnistia. Një pjesë e tyre kanë kryer vepra penale për shkak të kushteve familjare, ekonomike dhe shpeshherë të përdorura nga persona të tjerë. Një pjesë e grave, 50% e tyre do të lirohen nga institucioni dhe 50% të tjera të cilat kanë disa kritere ndaluese, do të përfitojnë nga amnistia, por me uljen e dënimit me 1/3. Në të njëjtën kategori janë edhe të miturit. Duke pasur parasysh që të miturit përfshihen shpesh herë në vepra penale, ne kemi studiuar të gjithë të dënuarit e mitur në institucionin e veçantë të Kavajës me qëllim që 50% e tyre të lirohen dhe 50% të përftojnë nga ulja e dënimit”,- u shpreh Gjonaj.

Ministrja e Drejtësisë bëri të ditur se me ndryshimet që iu bënë ligjit në Komisionin e Ligjeve, në total numri përfituesve do të jetë 180 burra, gra dhe fëmijë.

“Sot në sistem kemi 54 gra të dënuara me vendim të formës së prerë dhe në momentin që u miratua amnistia disa nga këto gra janë liruar dhe numri është ulur. 22 gra lirohen tërësisht dhe 29 të tjera ulje të 1/3 të dënimit për shkak të shtrirjes kohore nga 30.9.2019 deri në 30.12.2019. Rasti i grave përsëritëse në krim i kemi hequr kriteret ndaluese. Gratë që janë dënuar me vendim gjykate nën 3 vite të lirohen, apo atyre që i kanë mbetur më pak se tre vite u ulën. Veprat penale janë kritere ndaluese, pasi ato vepra penale që lidhen me rrezikimin e jetës së tjetrit nuk përfitojnë lirimin nga qelia, por përfitojnë sipas rastit uljen me 1/3 e dënimit, kur atyre i kanë mbetur nën tre vite dënim”,- tha Gjonaj.

“Për burrat mbajmë në konsideratë veprat penale që nuk janë të rrezikshme. Dënimi më pak se 2 vjet për burrat ose atyre që kanë më pak se dy vite për të vuajtur, përfitojnë amnisti. Burrat nuk do të përfitojnë ulje të dënimit për të eliminuar abuzimet”,- tha më tej Gjonaj, duke kujtuar raste kur të dënuar me burgim të përjetshëm kanë përfituar nga amnistia vitet e shkuara.

“Kemi qenë strikt për masat parandaluese. Një specifikë tjetër që ka amnistia është se nuk përfshihet ndjekja penale. Për ata që janë ende në proces dhe ka ndjekjen penale, nuk do të amnistohen. Në rastin konkret në vitin 2015 ka patur një amnisti ku nuk është përfshirë ndjekja penale përderisa nuk ka një dënim. Amnistia ka qëllim rehabilitimin. Nëse ne do të përfshinim ndjekjen penale atëherë duket sikur ne do të favorizonim pandëshkueshmërinë kur ne jemi për ndëshkueshmërinë e të gjithë atyre që shkelin ligjin”,- tha Gjonaj.

“Një sërë masash janë marrë në pjesën e reformës legjislative. Sot në Kuvend është depozituar edhe paketa për reformën penitenciare. Kjo reformë, katër projektligjet janë miratuar nga qeveria. Kjo paketë sqaron një sërë problematikash që ne sot shohim në praktik, ku ka pasur hapësira të ndryshme ligjore, që sot normohen më mirë edhe në ligj dhe nuk i lihen më në dorë urdhrave të ministrit të Drejtësisë, apo Drejtorit të Burgjeve. Kjo paketë rrit dhe masat e sigurisë dhe sjell ngritjen për herë të parë dhe të komisionit të rrezikshmërisë të subjekteve që ndodhen në institucione, që raste të tilla të jenë të parandaluara.”- tha Gjonaj.

“Po ashtu kemi ngritur dhe një trup speciale për të monitoruar punë e “Bis-41″ apo për të verifikuar dhe mbrojtur punonjësit e burgjeve në rastet kur të dënuarit shantazhojnë punonjësit brenda apo jashtë IEPV-ve”, -theksoi Gjonaj.

Ministrja e Drejtësisë bën të ditur se në muajin shkurt priten dhe propozimet e para për të dënuarit të cilët do të vuajnë dënimin në regjimin e izoluar “41- bis”. “Ndryshimet ligjore të 2019 e parashikojnë subjektet që do të hyjnë në 41- bis. Jo vetëm Ministri i Drejtësisë, por edhe prokurorinë e posaçme, ky është një element i ri”,- tha Gjonaj.

“Në shkurt dalin propozimet e para që janë bërë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, duke plotësuar informacion edhe në ato dosje që nuk janë plotësuar plotësisht.41- bis ka ngjallur interes dhe mbështetje nga ambasada e SHBA, BE por edhe nga ambasada britanike jo vetëm për të dhënë ekspertizën e zbatimit të këtij regjimi, ku do të izolohen subjekte kriminale me rrezik të lartë, por edhe përsa i përket formimit të trupave speciale.Shumë shpejt do të jepen dhe propozimet e para”, – thotë Gjonaj.

Ministrja Gjonaj, duke folur për lirimin nga burgu të Endrit Dokles, u shpreh se i është drejtuar të gjitha institucioneve të drejtësisë për gjyqtaren që dha vendimin dhe ka kërkuar që të përfshihen në një listë prioritare për vetting gjyqtarë si ajo.

“Për çështjen Dokle ne kemi pasur një sinjalizim dhe më herët nga drejtoria e burgjeve dhe e shërbimit të provës ku ka pasur një indicie të cilën e kemi referuar si shqetësim tek institucionet e drejtësisë. Ka qenë një indicie që mund të lirohej subjekti. Kur është dhënë vendimi nga gjyqtarja kam filluar një hetim administrativ”,- tha ajo.

“Nga verifikimi paraprak që kemi kryer, ka rezultuar që vendimi i gjyqtares është marrë në kundërshtim me Kodin Penal dhe vendimet unifikuese të Gjykatës së Lartë. I jam drejtuar të gjitha institucioneve të drejtësisë edhe KLGJ që të marrë menjëherë masën për pezullimin e gjyqtares dhe KLP dhe ONM me qëllim që këtë gjyqtare apo subjekte të tjera t’i përfshijnë në mënyrë prioritare për vetting”, deklaroi ministrja.

Ajo tha se nuk është rasti i parë. “Nëse ka pasur një reagim të fortë nga ana ime ka qenë pikërisht që këto fenomene të parandalohen. Ka pasur me të njëjtën gjyqtare të njëjtën situatë. E njëjta situatë dhe me gjyqtarë të tjerë që kanë dhënë vendime të paligjshme për të cilët Ministria e Drejtësisë ka dhënë sinjalizimin, por është kërkuar dhe procedim disiplinor. Por është një aspekt që Ministria e Drejtësisë nuk mund ta parandalojë. Unë kam nxjerrë urdhra që detyrojnë Drejtorinë e Burgjeve dhe shërbimit të provës që të informojnë për kërkesat që çojnë në gjykatë për të informuar për ato subjekte që janë të dënuar me mbi 15 vite burg”,- u shpreh ajo.

“Situata e burgjeve nuk është se lindi sot me të njëjtën problematikë. Dhe në rastin e Dokles kishte një çedim, një shkelje nga drejtori i shërbimit të provës në burgun e Fushë-Krujës dhe ndaj u pezullua por ka pasur dhe një kallëzim penal ndaj tij për raportin e paraqitur”,- u shpreh ajo.

Sa i takon ndryshimeve në Kodin Penal, Gjonaj tha se, “këto janë vendimmarrje në kundërshtim me ligjin, me kodin penal. Sa i përket masave të reja që duhen marrë është pikërisht një paketë me ndryshime ligjore që qeveria ka përgatitur e ka dorëzuar në parlament me qëllim që të përfshihen disa mekanizma për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë. Për të gjithë ata gjyqtarë e prokurorë të mund të pezullohen me vendim të inspektorit të lartë të drejtësisë dhe me vendimmarrje të këshillave. Besoj se do miratohen shpejt nga parlamenti këto masa dhe do jenë ndihmë për institucionet e drejtësisë që raste të tilla të parandalohen”.

Duke folur për akuzat e PD lidhur me emërimin e Artur Metanit në krye të ILD, Gjonaj i cilëson si të pabazuara. “Z. Metani i zgjedhur nga Kuvendi ka qenë një ndër kandidatët më të mirë profesionalisht me një CV shumë më të pasur se kandidatët e tjerë. Kuvendi ka respektuar vendimmarrjen e KED duke emëruar të parin në listën e të kandidaturave”,- tha Gjonaj.

“Me Artur Metanin kam punuar për disa vite dhe kam respekt maksimal për punën e tij profesionale dhe eksperiencës së tij në nivelet drejtuese dhe besoj se është një nga emrat që do t’i japi vlerë të shtuar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Nuk mund të ndalojmë vëllezërit e motrat të çdo deputeti të kandidoj. Në fund të fundit nuk është kuvendi ai që zgjedh dhe zgjodhi të pestin që ishte Metani, por jo, Artur Metani ishte i pari dhe Kuvendi e respektoi KED-në në vendimin e tij. KED ka gjyqtarë e prokurorë të të gjitha niveleve dhe për sa kohë KED bëri një zgjedhje të tillë, ne respektuam vullnetin e KED. Edhe PD ka persona, deputet, ish deputet që kanë vëllezër e motra gjyqtarë e prokurorë dhe kjo sdo të thotë që ne duhet të ndikohemi nga kjo lidhje për të vlerësuar gjyqtarët dhe prokurorët në detyrën e tyre”,- tha Gjonaj./atsh

180 të dënuar përfitojnë nga amnistia, gati reforma penitenciare Read More »

Shpërdorim detyre, dosja e ish-kryebashkiakes së Gjirokastrës kalon në SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka marrë në dorë hetimin ndaj shtetases Zamira Rami, e cila ka qenë kryetare e Bashkisë së Gjirokastrës për vitet 2015-2019 me akuzën për “Shpërdorim detyre”.

Mësohet se hetimi ka ardhur pas transferimit të dosjes nga Prokuroria e Gjirokastrës në atë të SPAK. Prokuroria e Gjirokastrës ka shpallur moskompetencë juridike dhe këtë çështje, ia kanë referuar për hetime të mëtejshme prokurorisë së posaçme në Tiranë, pasi është ky organ tashmë që heton zyrtarët e lartë dhe Zamira Rami, si ish-kryetare e Bashkisë së Gjirokastrës, sipas prokurorëve të rrethit në fjalë, përmbush kriteret e funksionarit të lartë shtetëror, gjë e cila ka sjellë transferimin e dosjes nga Gjirokastra në Tiranë.

Sipas burimeve nga SPAK, mësohet se Rami është duke u hetuar për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”. Ajo është kallëzuar nga dy qytetarë, të cilët pretendojnë se Rami, gjatë kohës që ka qenë në krye të Bashkisë së Gjirokastrës ka marrë vendim për prishjen e disa objekteve pritave. Rrëzimi i këtyre objekteve është kryer, pa marrë një vendim shpronësimi për këto pasuri. Sot e kësaj dite, nga ana e bashkisë Gjirokastër, objektet e prishura nuk janë shpronësuar nga buxheti i bashkisë.

Në këto kushte, pronarët e këtyre objekteve, i janë drejtuar prokurorisë me një kallëzim penal dhe pas nisjes së hetimeve, Rami është marrë e pandehur dhe dërguar në gjykatën e Gjirokastrës për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.

Në hetimin paraprakë të bërë, Gjykata e Rrethit Gjirokastër ktheu dosjen për rihetim, teksa prokuroria më tej shpalli mos kompetencë për çështjen, duke e transferuar te SPAK./atsh

Shpërdorim detyre, dosja e ish-kryebashkiakes së Gjirokastrës kalon në SPAK Read More »

85-vjetori i lindjes, Margariti: E pamundur të mos buzëqeshim kur kujtojmë Skënder Sallakun

Ministrja e Kulturës Elva Margariti përkujtoi sot aktorin e mirënjohur Skënder Sallaku në 85-vjetorin e lindjes.

“Është e pamundur të mos buzëqeshim sa herë kujtojmë aktorin Skënder Sallaku”, u shpreh Margariti.

“Edhe sot, në 85-vjetorin e lindjes së tij, sjellim në mendje kaq shumë role që kanë lënë gjurmë në komedinë shqiptare, kaq shumë batuta që mbeten të pavdekshme”, tha Margariti.

Skënder Sallaku lindi më 25 janar 1935 Tiranë dhe u nda nga jeta më 11 shkurt 2014.

Ai ishte një nga aktorët tanë të humorit, ish-kampion kombëtar në mundjen klasike, autor skeçesh e parodish.

Sallaku mbaroi Institutin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi” dhe kreu një kualifikim njëvjeçar në Kinë, pranë cirkut të Pekinit.

Fillimisht filloi punë si profesionist në Estradën e Kufirit, më pas si klloun akrobatik në cirk, duke dhënë një kontribut të papërsëritshëm në ecurinë e këtij profili sa të vështirë aq edhe të bukur.

Skënder Sallaku është vlerësuar me titujt “Artist i Merituar”, “Artist i Popullit” dhe “Mirënjohja e Qytetit të Tiranës”. /atsh

85-vjetori i lindjes, Margariti: E pamundur të mos buzëqeshim kur kujtojmë Skënder Sallakun Read More »

Meta: Izraeli duhet të njohë sa më parë shtetin e Kosovës

Presidenti Ilir Meta, gjatë një interviste për gazetën më të madhe izraelite “The Times of Israel” deklaron se “ne dëshirojmë dhe shpresojmë që Izraeli ta njohë pavarësinë e Kosovës sa më shpejt të jetë e mundur”.

“Kosova dhe Izraeli kanë një miqësi të madhe. Ne dëshirojmë dhe shpresojmë që Izraeli ta njohë pavarësinë e Kosovës sa më shpejt të jetë e mundur. Unë nuk mund të flas në emër të secilit vend, por ka simpati të madhe midis kosovarëve për hebrenjtë, dhe anasjelltas. Shpresoj se do të vijë koha. Deri atëherë, të gjitha mundësitë për bashkëpunim dhe zhvillim dypalësh duhet të shfrytëzohen”,- tha Meta.

I pranishëm në në Forumin e Pestë Botëror për Holokaustin, Meta tha se “unë jam këtu sepse nuk duhet të harrojmë kurrë. Mënyra më e mirë për ta bërë këtë është të tregojmë solidaritetin tonë me ata që vuajtën kaq shumë dhe humbën jetën gjatë Holokaustit”.

“Ne gjithashtu duam të nderojmë të mbijetuarit që dëshmuan këtë gjenocid, dhe t’i dërgojmë një mesazh të qartë kujtdo që promovon përjashtimin, urrejtjen dhe dhunën se antisemitizmi nuk ka vend në shoqëritë tona. Në këtë Forum unë përfaqësoja Shqipërinë, e cila ishte unike jo vetëm për mbrojtjen dhe shpëtimin e të gjithë hebrenjve të saj, por edhe për mbrojtjen e mijra hebrenjve të tjerë që erdhën në Shqipëri nga vende të ndryshme për të mos u shfarosur”,-tha Meta

“Ishte detyrimi ynë për ta bërë këtë. Por ne shpresojmë që kjo lidhje e madhe midis kombeve tona do të rezultojë në një marrëdhënie më produktive për të ardhmen. Ne mund të mësojmë shumë nga Izraeli dhe gjithashtu të jemi partnerë shumë efektivë, veçanërisht në çështjet e sigurisë, sepse përballemi me kërcënime si terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm.”, – tha Presidenti Meta

Meta tha se miqësia e Izraelit me Shqipërinë u shfaq më 26 nëntor 2019, ku IDF (ushtria izraelite) menjëherë dërgoi një ekip të specializuar për të nxjerrë të mbijetuarit dhe për të përcaktuar nëse banesat dhe ndërtesat nga ana strukturore ishin të sigurta pas tërmetit.

“Ka pasur dëme të mëdha, dhe për fat të keq patëm 51 jetë të humbura gjatë kësaj tragjedie.”,- tha Meta.

“Por ne jemi të vendosur për t’u përballur me këtë krizë humanitare dhe kemi dhënë ndihmë për të gjithë njerëzit që vuajtën gjatë këtij tërmeti. Më 17 shkurt, donatorët ndërkombëtarë do të takohen në Bruksel, për të diskutuar një paketë ndihme masive për Shqipërinë, e cila pësoi një humbje ekonomike të vlerësuar prej 1 miliard eurosh. Presidenti tha “ne do të rregullojmë buxhetin tonë në përputhje me rrethanat”,- shtoi Meta.

Një nga qëllimet e gjata të Shqipërisë është të anëtarësohet në Bashkimin Europian.“Ne jemi shumë të vendosur për t’u anëtarësuar në BE”, deklaroi Meta. “Është e vërtetë që Presidenti Macron ka kërkuar të rishikojë metodologjinë e zgjerimit të BE-së, dhe shpresojmë që kjo metodologji të rishqyrtohet shumë shpejt. Unë fola me të nëntorin e kaluar kur isha në Paris. Ne jemi në kontakt me BE-në dhe shpresojmë që së shpejti do t’i hapë rrugë vendimeve pozitive për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, u shpreh Meta./atsh

Meta: Izraeli duhet të njohë sa më parë shtetin e Kosovës Read More »

Pakti për Universitetin/ Rikonstruktohet konvikti i vajzave në Vlorë, së shpejti, starton gara për Kampusin e madh të Tiranës

Rikonstruktohet konvikti i vajzave të Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë, teksa së shpejti starton gara për Kampusin e Madh të Universitetit të Tiranës.

Lajmin e ka dhënë Kryeministri Edi Rama, i cili ka publikuar një video nga transformimi rrënjësor që ka pësuar konvikti i vajzave të Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë.

Për rikonstruksionin e konviktit të vajzave në Vlorë është bërë zëvendësimi i dritareve, veshje me kapot termik. Sallë leximi dhe dushe në çdo kat, ngrohje qendrore, lavaman në çdo dhomë, shkallë emergjence, kuzhinë në çdo kat, sistem kamerash.

“Nga puna që vijon në kantieret e Paktit për Universitetin, Ju uroj një ditë të mbarë me konviktin e vajzave të Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë, teksa së shpejti starton gara për Kampusin e Madh të Universitetit të Tiranës”, është shprehur kryeministri Rama.

Ndërtesa e amortizuar 5-katëshe i konviktit të vajzave ka ruajtur vetëm strukturën bazë, ndërsa gjithçka tjetër u ringrit rishtas si një mjedis modern dhe bashkëkohor për 300 studentet e saj./atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/587263318721480/?t=0

Pakti për Universitetin/ Rikonstruktohet konvikti i vajzave në Vlorë, së shpejti, starton gara për Kampusin e madh të Tiranës Read More »

”Paris Match”: Pse verërat shqiptare e meritojnë një mundësi

Redaksia e së përjavshmes prestigjioze “Paris Match”, e intriguar nga një postim mbi verërat në Instagram, i ka kushtuar një artikull Shqipërisë mbi këtë temë.

“Kushte klimatike ideale, një tokë e pasur dhe varietete rrushi shumë të vjetra, po, është e vërtetë, Shqipëria është gjithashtu një vend prodhues verërash”, e nis redaksia artikullin.

”Është e vërtetë që tek ne rrallë hapet ndonjë shishe verë e prodhuar në Shqipëri. Ajo nuk gjendet nëpër supermarkete dhe restorantet shqiptare nuk bëjnë promovime në rrugët e Belgjikës, as për të ofruar në menunë e tyre. Shumë ndryshe nga markat kroate, boshnjake apo edhe ato serbe, pa harruar restorantet greke që janë të shumta.

Ka kaq shumë shishe origjinale nga Ballkani, që, të pasuruara në mënyra të ndryshme, kanë ardhur te ne.

Por, kjo mund të ndryshojë. Këtu keni një sërë arsyesh pse duhet të provoni përvojën e shijes së verërave shqiptare, nëse ju rastis të ndesheni me ndonjërën!

Shqipëria, një nga prodhueset më të vjetra të verës në Europë

E vinit në dyshim? Shqipëria mund të krenohet me një vreshtari gati 3000-vjeçare. Gjurmët më të lashta (800 p.e.s) na vijnë nga Iliria, rajoni aktual i Shkodrës, në veri të vendit.

Pas diktaturës komuniste dhe ndalimit të privatizimit të prodhimit të verës, pas uljes së konsumit të alkoolit të imponuar nga islamizimi i rajonit, shqiptarët gjetën recetat e së shkuarës dhe mënyrat stërgjyshore të veprimit, për të rimarrë veten.

Historia e vreshtarisë në këtë vend nuk ka shkuar vaj, deri në atë pikë, saqë “The Guardian” flet sot për një rilindje të saj!

Varietete rrushi endemike

Sheshi i Bardhë (rrush i bardhë) dhe Sheshi i Zi (rrush i kuq), me origjinë nga fshati Shesh, janë më simboliket e vendit. Përkrah tyre, përmendet edhe rrushi i llojit Kallmet (i kuq) dhe Vlosh (i kuq dhe i trëndafiltë). Përmenden, gjithashtu, edhe pse më pak, varietetet Debin dhe Vranac.

Në total, ai përfaqëson rreth 75 % të furnizimit me verëra të ndryshme.

Ekzistojnë, gjithashtu, edhe varietete më tradicionale: Merlot, Cabernet, Pinot, Tokai. Këto janë katër rajonet që organizojnë kultivimin e hardhisë.

Tani për tani, vendi prodhon vetëm një milion shishe, çdo vit.

Pjesa më e madhe e konsumit vendas ende mbështetet nga importi masiv i verërave italiane.

Vreshta lehtësisht të arritshme

Shqipëria turistike është e njohur për bregdetin e saj të mrekullueshëm dhe klimën e përsosur të stinës së verës. Natyra, me burimet, liqenet, malet, luan gjithashtu një rol mjaft tërheqës.

Por, nëse planifikoni një udhëtim në vendin e flamurit me kokë shqiponje, synoni zona të ndryshme të vizitueshme: Kantinën e Verës “Arbëria”, Kantinën e Verës “Çobo” dhe Kantinën e Verës “Kokomani”. Një përvojë sa unike, aq edhe origjinale.

Nuk ka dyshim që do të priteni mirë, sepse edhe brenda kufijve të vendit, verës vendase nuk i bëhet një reklamim i mirë dhe vreshtarët nuk marrin një meritë apo çmim të denjë për këtë emër, përfundon ”Paris Match”. /atsh

”Paris Match”: Pse verërat shqiptare e meritojnë një mundësi Read More »

Haradinaj ktheu shpifjen në pushkë, meriton vetëm keqardhje për bërllogun politik e gjuhësor

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Ramush Haradinaj e ka kthyer shpifjen në pushkë qëkur ka lënë pushkën! Por nëse për pushkën ia kam bërë të gjitha nderimet e mundshme dhe të merituara, për shpifjet nuk mund t’i bëj asgjë tjetër përveçse ta ftoj në gjykatën e Kosovës që t’u dalë për zot atyre që ka nxjerrë nga goja”.

Kryeministri Rama reagoi për Top Channel, në lidhje me qëndrimet e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinaj në një emision televiziv, i cili pretendoi se kreu i qeverisë shqiptare ka tentuar ndarjen e Kosovës.

“Ndryshe nga Ramushi dhe nga ai soj politikanësh që s’kanë fijen e respektit as për fjalën, as për të vërtetën, as për publikun, unë nuk ulem dot në nivelin e shpifësit publik për ta luftuar bërllogun me bërllog! Pafytyrësi nuk është të shkosh në gjykatë për t’u mbrojtur nga një shpifës që të ka cenuar publikisht dinjitetin, po të përdoresh kanalet e komunikimit publik për të shpifur në mënyrë të përsëritur”, u shpreh Rama.

“Nuk është akt i turpshëm t’i nënshtrohesh gjykimit të drejtësisë si viktimë e një shpifësi që të sulmon si tradhtar të kombit me fabrikime të ulëta, po turp është të bësh agresorin ndaj dikujt tjetër për të manipuluar opinionin publik duke fabrikuar gjëra krejt të paqena”, – tha Rama.

E vërteta, vijoi Rama, është se unë kam dashur ta ndaj Kosovën, po aq sa çka dashur Ramushi ta ndajë Princ Harry-n nga Familja Mbretërore.

“Shkurt fjala, komandanti i djeshëm i UÇK-se Ramush Haradinaj, e ka merituar dhe do ta ketë për gjithë jetën respektin tim, për gjithçka i ka dhënë kauzës së lirisë së Kosovës, ndërsa politikani i sotëm Ramush Haradinaj, meriton vetëm keqardhjen time për bërllogun politik e gjuhësor ku ushtron veprimtarinë dhe pushtetin e tij. Është dëshpëruese kur sheh se si politika qorre e Ramushit e ka dëmtuar keq Kosovën në sytë e miqve të saj të mëdhenj dhe i ka dhënë Serbisë një avantazh te vazhdueshëm në arenën ndërkombëtare në raport me Kosovën”, – nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë tha se “uroj që padia ime të vlejë për t’u hapur sadopak sytë atyre që kanë rënë pre e bërllogut politik e mediatik të Prishtinës e të Tiranës”./atsh

Haradinaj ktheu shpifjen në pushkë, meriton vetëm keqardhje për bërllogun politik e gjuhësor Read More »

Forcat e Armatosura i bashkohen nismës për dhurimin e gjakut

Forcat e Armatosura i janë bashkuar fushatës për dhurimin e gjakut për t’u ardhur në ndihmë njerëzve me nevoja jetike.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, shprehet krenare për iniciativën e ndërmarrë nga FA.

“Kontributi i FA për komunitetin nuk mjaftohet vetëm gjatë emergjencave civile apo përmirësimit të infrastrukturës në zonat rurale”,- theksoi Xhaçka.

“Ashtu si çdo vit, burrat dhe gratë në uniformë iu bashkuan masivisht fushatës së dhurimit të gjakut, për t’u ardhur në ndihmë njerëzve me nevoja jetike. Krenari për FA”,- nënvizoi ministrja Xhaçka./atsh

Forcat e Armatosura i bashkohen nismës për dhurimin e gjakut Read More »