Aktualitet

Amnistia/ Manja: Përfitojnë 175 të dënuar, garantohet riintegrimi i tyre në shoqëri

Kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Ulsi Manja deklaroi sot në Kuvend se nga amnistia përfitojnë 175 të dënuar, të cilët riintegrohen dhe risocializohen më shpejtë në shoqëri.

“Ndryshe nga amnistia e vitit 2016, këtë herë amnistohen vetëm të dënuarit me vendim penal të formës së prerë të vënë në ekzekutim, ose për të cilët ka filluar ekzekutimi i vendimit penal. Nuk parashikohet dhënie amnistie për çështjet në hetim, çështjet e pashqyrtuara ose në proces shqyrtimi nga gjykatat si dhe për kallëzimet që ndodhin”, – tha ai.

Manja tha se “arsyeja pse janë përjashtuar nga amnistia subjektet që janë në ndjekje penale apo ende në gjykim nga gjykatat ka të bëjë me respektimin e parimit të sigurisë publike”.

“Nga kjo amnisti përfitojnë të dënuarit për kryerjen e veprave penale të rënda me rrezikshmëri të madhe shoqërore, të dënuarit si pjesë e organizatave kriminale, e grupeve të strukturuara kriminale dhe bandave të armatosura, të dënuarit për krime zgjedhore dhe korrupsion, krime kundër pronës, dhe çdo lloj forme për ndërtim të paligjshëm, ata që janë dënuar për krime kundër mjedisit, zhvillimin e paligjshëm të lojërave të fatit, krime kundër autoritetit të shtetit, drejtësisë etj.”, – tha Manja.

Ai tha se “nuk përfitojnë të dënuarit në mungesë dhe përsëritësit në kryerjen e veprës penale”.

Ndërkohë Manja shtoi se nga amnistia përfitojnë të dënuarit meshkuj me burgime deri në 2 vjet dhe të dënuarat femra dhe të mitur me dënime deri në 3 vjet. “Të gjithë ata që në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji ju kanë mbetur 2 vjet pa vuajtur nga dënimi për të dënuarit meshkuj, ndërsa për të dënuarat femra dhe të mitura përfitojnë ato që u kanë mbetur 3 vjet”, – tha Manja.

Ai shtoi se amnistia krijon mundësinë e riintegrimit dhe risocializimit më të shpejtë të tyre në shoqëri, jo vetëm nisur nga qëllimet e humanizmit, por edhe për faktin se këto subjekte të dënimit penal kanë qenë në shumë raste dhe viktima.

“Ne kemi 5351 të dënuar dhe të paraburgosur, 2632 prej të cilëve janë të dënuar me vendim të formës së prerë. Nga këta të fundit, 175 përfitojnë amnisti. Janë 150 meshkuj dhe lirohen menjëherë 23 të dënuara femra dhe dy të mitur, ndërsa 29 gra dhe vajza të tjera përfitojnë 1/3 e uljes së dënimit”, – tha Manja.

Ai u shpreh se ky parlament në një moment të caktuar mund të shohë edhe mundësinë e një amnistie tjetër për shkak të mbingarkesës./atsh

Amnistia/ Manja: Përfitojnë 175 të dënuar, garantohet riintegrimi i tyre në shoqëri Read More »

Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe e ajo e Kosovës, protokoll bashkëpunimi për 2020-2021

Akademia e Shkencave e Shqipërisë (ASHSH) dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës (ASHAK) nënshkruan sot në Tiranë protokollin e bashkëpunimit të ndërsjellë për periudhën 2020-2021.

Ky protokoll, i cili u nënshkrua nga kryetari i ASHSH-së, akad. Skënder Gjinushi dhe kryetari i ASHAK-së, akad. Mehmet Kraja, mbështetet në marrëveshjen kuadër të bashkëpunimit ndërakademik dhe ka për synim të përcaktojë përparësitë e bashkëpunimit për periudhën dyvjeçare në vijim.

Ndër përparësitë kryesore të këtij protokolli janë: ringritja e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe dhe kujdesi për një rregullim shkencor e ligjor të përdorimit të shqipes në funksione publike e zyrtare; organizimi i takimit të parë të albanologëve të hapësirës historike shqiptare dhe të qendrave dhe shkollave të studimit të botës shqiptare jashtë saj; parapërgatitja dhe konceptimi i një enciklopedie panshqiptare; botime në shkencat e identitetit; kërkime dhe konferenca për pasuritë natyrore dhe mjedisin; bashkëpunim për nëndisiplina të reja të dijes si nanoteknologjia, shkencat e jetës (bioshkenca), inteligjenca artificiale, si dhe në disiplina që kërkojnë vëmendje të ngutshme (si sizmologjia).

Protokolli përmban zotime të drejtpërdrejta për një sinergji shkencore ndërakademike dhe mundëson edhe bashkëpunime me institucione të tjera shkencore në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi dhe në botën arbëreshe. /atsh

Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe e ajo e Kosovës, protokoll bashkëpunimi për 2020-2021 Read More »

Meta vlerëson Kongresin e Lushnjës me ‘Dekoratën e Flamurit Kombëtar’

Presidenti Ilir Meta vizitoi sot “Shtëpinë e Kongresit” të Lushnjës me rastin e 100-vjetorit të kësaj ngjarjeje historike.

Gjatë vizitës së tij, Meta çmoi “Kongresin e Lushnjës” me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit dhe veprimtarisë së atdhetarëve të Kongresit të Lushnjës; si një nga kuvendet më të rëndësishëm të historisë së kombit shqiptar, që realizoi mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë, rimëkëmbjen e shtetit shqiptar dhe konsolidimin e pavarësisë së plotë të vendit. Në kushte tejet të vështira, Kongresi i Lushnjës ia doli të bashkojë vendin të jetësojë vetëqeverisjen, si dhe të garantojë sovranitetin e plotë të shtetit shqiptar para opinionit ndërkombëtar”.

Presidenti i Republikës dekoroi edhe familjen e Shaqir Fugës me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, me motivacionin: “Për kontributin e saj në mikpritjen, zhvillimin dhe mbrojtjen e Kongresit të Lushnjës. Kjo familje, si një nga përfaqësueset më të mira të traditës atdhetare lushnjare, u hapi dyert e shtëpisë delegatëve dhe nuk kurseu asgjë për mbarëvajtjen e Kongresit në interes të kombit”.

Gjithashtu, ai vlerësoi edhe Abdyl Ali Ypin (pas vdekjes) me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”, me motivacionin: “Si atdhetar i shquar i lëvizjes për Pavarësi, kontribues në shtetformimin dhe mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë, si dhe për përkushtimin e tij deri në flijimin e jetës për organizimin e Kongresit Kombëtar të Lushnjës”.

Në ceremoninë solemne të organizuar me këtë rast, Presidenti Meta, në fjalën drejtuar të pranishmëve u shpreh se “Kongresi i Lushnjës mbetet një moment historik që duhet të kujtohet prej çdo qytetari, politikani, diplomati dhe sidomos prej brezit të ri, pasi nuk mund të kuptohet drejt e ardhmja e një kombi pa ndriçuar themelet e shtetit mbi të cilat ai është ngritur. 100 vjet më parë lushnjarët hapën dyert dhe zemrat për të pritur atdhetarët më të shquar, krerët e mençur dhe burrat e vërtetë nga pothuajse të gjitha krahinat e vendit”, – theksoi Meta.

“Këtu në shtëpinë e Fugajve, ku jemi mbledhur, bijtë më të shquar të trevave shqiptare zhvilluan një nga kuvendet më të rëndësishëm të historisë së kombit dhe shtetit tonë. Me një vetëdije të lartë atdhetare ata realizuan qëllimin fisnik për t’i dalë zot shtetit shqiptar, i cili ndodhej në prag të zhbërjes dhe copëtimit. Të përkushtuar dhe me një vendosmëri të hekurt, delegatët e Kuvendit rikonfirmuan pavarësinë dhe vetëqeverisjen e plotë të Shqipërisë dhe kërkuan bashkimin kombëtar të trojeve të siguruara pas Shpalljes së Pavarësisë. Nder, respekt dhe mirënjohje atdhetarëve tanë, delegatëve të Kongresit, parisë dhe qytetarëve lushnjarë për këtë arritje epokale!” – theksoi Presidenti.

“Nëse nuk do të ishte ky Kongres, edhe Pavarësia e Shqipërisë e vitit 1912 do të ishte venitur dhe shuar nën presionin e shumanshëm dhe koniunkturat e disfavorshme të kohës. 100 vjet më parë delegatët e Kongresit u bënë apostujt e shqiptarisë. Kongresi i Lushnjës veproi si i vetmi autoritet i Shqipërisë, me fuqi sovrane. Ai hartoi statutin e shtetit shqiptar, miratoi aktin kushtetues, në të cilin ripohohej sovraniteti i plotë i shtetit shqiptar. Krijoi Këshillin Kombëtar: Parlamentin, zgjodhi Këshillin e Lartë, i cili do të kryente detyrën e kryetarit të shtetit dhe i dha vendit një qeveri të ligjshme, e cila iu vu me energji organizimit të administratës, të rendit publik, të shkollave dhe u mundua t’i jepte fund anarkisë”, – nënvizoi Meta.

“Ju ftoj të përkulemi me nderim para kujtimit dhe veprës së drejtuesve të këtij kongresi, atdhetarëve të nderuar: Sulejman Pashë Delvinës, Imzot Bumçit, Aqif pashë Elbasanit, Eshref Frashërit, Mehmet Konica, Ahmet Zogu, Abdi Toptanin, Sotir Peçi, dr. Turtulli, Hoxhë Kadria, Ali Riza Kolonja, Ndoc Çoba, Sali Nivica, etj. Si dhe të nderojmë me mirënjohje të thellë anëtarët e Komisionit Nismëtar të Kongresit të Lushnjës: Abdyl Ypi, Besim Nuri, Ferit Vokopola, Sheh Ibrahim Karbunara, Taullah Sinani, Emin Vokopola, Llazar Bozo, Nebi Sefa, Qemal Mullai, Zija Mullai, Mustafa Vokopola, Jonuz Sefa, Bajram Haxhiu, Skënder Pojani, Kadri Jenisheri, Teki Libohova, Filip Papajani, Abedin Nepravishta, Jakov Bozo, Andrea Papaj, Qerim Arapi, Rasim Hoxha, Arif Kurti, Muntar Luarasi, Reshat Shazivari, Abdyl Azizi, Hasan Islami Like, Hamit Xheka e shumë të tjerë bij të shquar të Lushnjës e të Myzeqesë. Këto mendje të ndritura i falën atdheut në momentin më të vështirë, atdhedashuri, emancipim shoqëror, kulturë shtetformuese, unitet dhe diplomaci të mençur”, – theksoi Presidenti.

“Ata, me përkushtim e mjeshtëri, hodhën themelet e strukturave institucionale shtetërore që përballuan gjithë stuhitë e kohës. Secila prej figurave të sipërpërmendura është nderuar dhe respektuar me tituj dhe dekorata të larta. Ata e kanë merituar plotësisht këtë vlerësim, por, përveç tyre, meriton të nderohet dhe çdo atdhetar që ka kontribuar në këtë ngjarje të madhe patriotike. Ata janë të shumtë dhe të njohur në historinë e Kongresit”, – shtoi ai.

“Për këtë arsye sot kam kënaqësinë dhe privilegjin të nderoj Kongresin e Lushnjës me Dekoratën më të lartë, atë të të Flamurit Kombëtar si vlerësim të kontributit të të gjithë patriotëve e luftëtarëve shqiptarë anekënd vendit, që bënë të mundur mbajtjen e këtij Kongresi dhe pavdekshmërinë e shtetit shqiptar. Për suksesin e Kongresit të Lushnjës u desh atdhedashuria, mençuria, dijet, vendosmëria dhe përkushtimi i shumë atdhetarëve dhe mikpritja e të gjithë lushnjarëve, por edhe sakrifica deri në flijimin e jetës së patriotit kolonjar Abdyl Ali Ypi, të cilin kam nderin ta vlerësoj me ‘Dekoratën e Artë të Shqiponjës’”, – tha Meta.

“Duke iu drejtuar qytetarëve të Lushnjës dhe gjithë Myzeqesë, Presidenti Meta vuri në dukje se: “Kongresi i Lushnjës, i quajtur dhe si Pavarësia e Dytë e Shqipërisë, është një ngjarje kulmore që do të nderonte çdo qytet, ku ai do të zhvillohej! Nga ana tjetër, jam i bindur, që ky kuvend nuk mund të gjente pritje e ngrohtësi më të mirë se sa nga ajo që iu ofrua në qytetin tuaj të dashur”, – shtoi Presidenti.

“Më lejoni ta mbyll këtë fjalë me refrenin e Himnit të vetë Kongresit, aq i dashur për të gjithë shqiptarët kudo ku ishin dhe kudo ku janë: ‘Shkrepi drita në Lushnjë, u lind një diell, / Shqipëria lidhi besë, / Dëshmoi bota, dëshmuan yjet në qiell, / Për ty, o i larti Kongres’! Rroftë populli i Lushnjës! Rroftë Shqipëria europiane! Nder, respekt e mirënjohje për burrat e kombit shqiptar, që hodhën themelet e shtetit modern shqiptar, realisht të pavarur dhe sovran pikërisht këtu në Lushnjë, 100 vite më parë!””, – përfundoi Meta./atsh

Meta vlerëson Kongresin e Lushnjës me ‘Dekoratën e Flamurit Kombëtar’ Read More »

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu në sitën e vetingut më 6 shkurt

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu do t’i nënshtrohet procesit të vetingut më datën 6 shkurt, ndërsa më 5 shkurt do të skanohet komandanti i Gardës, Gramos Sako.

Këtë të enjte, komisioni i jashtëm i vlerësimit njoftoi 3 emrat e rinj që do përballen me vetingun. Më datë 5 shkurt do të dalin para komisionit të përkohshëm për vlerësimin e figurës zyrtarët, Gramos Sako, me funksion Komandant i Gardës së Republikës.

Trupa që do kryejë rivlerësimin e Sakos përbëhet nga Mirela Ujkani (Miti), Alban Laska, Artur Baku.

E njëjta trupë do kryejë rivlerësimin në 3 kriteret dhe për drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu. Për këtë të fundit seanca është caktuar më datë 6 shkurt.

Për vlerësim kalimtar do të paraqitet dhe Artan Shkëmbi, i cili aktualisht mban funksionin e Drejtorit të Drejtorisë Hetimore Qendrore, në Departamentin për Policinë Kriminale në policinë e shtetit.

Deri më tani nga procesi i Vetingut në Polici, janë konfirmuar në detyrë 4 punonjës policie, një është përjashtuar dhe dy të tjerë kanë dhënë dorëheqjen. /atsh

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu në sitën e vetingut më 6 shkurt Read More »

Meta: Shqiptarët kanë nevojë më shumë se kurrë për dialog

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka theksuar të enjten pasdite se shqiptarët kanë nevojë më shumë se kurrë për një dialog të vërtetë, të hapur, pa përjashtime dhe manipulime.

Sipas Metës, shqiptarët meritojnë standarde më të mira jetese dhe një ekonomi më të konsoliduar, më përfshirëse dhe më shpresëdhënëse.

“Shqiptarët kanë nevojë më shumë se kurrë për një dialog të vërtetë, të hapur, pa përjashtime dhe manipulime, me gjithsecilin prej tyre. Ata duan që zëri i tyre të dëgjohet, të kenë lirinë e zgjedhjes, të fjalës, të jenë aktivë dhe faktorët më kryesorë në ruajtjen e Kushtetutës, demokracisë, në vendimmarrjen dhe destinacionin europian të vendit”, u shpreh Meta.

“Shqiptarët meritojnë standarde më të mira jetese dhe një ekonomi më të konsoliduar, më përfshirëse dhe më shpresëdhënëse. Shqiptarët duhen dëgjuar dhe jo përjashtuar!” – përfundoi Presidenti. /atsh

Meta: Shqiptarët kanë nevojë më shumë se kurrë për dialog Read More »

2200 dëshmitarë/ “Infermierë për Shqipërinë” ndryshoi një herë e mirë mënyrën e rekrutimit të profesionistëve të shëndetit

Kryeministri Edi Rama, pasditen e stë enjtes ka risjellë në fokus portalin “Infermierë për Shqipërinë”, që u ka mundësuar që prej çeljes së tij, 2 200 infermierëve të bëhen pjesë e sistemit të shëndetësisë publike, në bazë të meritës.

Kryeministri Edi Rama thekson se vetëm 2 muajt e fundit, 191 infermierë dhe profesionistë të shkencave mjekësore teknike janë bërë pjesë e sistemit shëndetësor publik.

“191 infermierë dhe profesionistë të shkencave mjekësore teknike janë bërë pjesë e sistemit shëndetësor publik vetëm gjatë dy muajve të fundit. Sot, sistemi i shëndetësisë publike është i hapur për çdo profesionist që kërkon të punësohet në bazë të meritës në qendrat shëndetësore dhe spitalet tona, duke klikuar në portalin “Infermierë për Shqipërinë” http://infermierepershqiperine.al/”, – theksoi Rama.

“2200 infermierë janë punësuar nga hapja e portalit që ndryshoi një herë e mirë mënyrën e rekrutimit të profesionistëve të shëndetit. Pa ryshfet, pa parti, pa krushqi. Si ka mundësi?! Ja pra që ka mundësi dhe janë plot 2 200 dëshmitarë që mund t’ua tregojnë po t’i pyesni“,- përfundoi Kryeministri Edi Rama. /atsh

2200 dëshmitarë/ “Infermierë për Shqipërinë” ndryshoi një herë e mirë mënyrën e rekrutimit të profesionistëve të shëndetit Read More »

Ambasadorja Kim: Shqipëria ka mundësinë të bëjë transformime mahnitëse në vitin 2020

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim ka zhvilluar sot një pritje me përfaqësues të politikës shqiptare ku theksoi se Shqipëria mund dhe duhet të çrrënjosë korrupsionin dhe të vendosë sundimin e ligjit.

“Ajo që na bashkon të gjithëve në këtë sallë është vendosmëria jonë e përbashkët që Shqipëria mund dhe duhet të çrrënjosë korrupsionin dhe të vendosë sundimin e ligjit në Shqipëri… Të gjithë kemi një rol për të mundësuar sigurinë, begatinë dhe integrimin evropian të Shqipërisë”, – theksoi ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Yuri Kim gjatë pritjes së saj prezantuese. “Jam e prekur nga pritja e ngrohtë që kam marrë në Shqipëri. Tani e kuptoj që legjenda për mikpritje shqiptare është thjesht pohim i një fakti!” – tha në çelje të fjalës së saj Kim.

“Përpara se të nisesha nga Uashingtoni për në Tiranë, shfrytëzova rastin për t’u këshilluar me shumë prej ambasadorëve të mëparshëm amerikanë në Shqipëri. Nga Bill Ryerson te Jim Jeffrey e Donald Lu, të gjithë kishin një gjë të përbashkët: afeksion të thellë – në fakt, do të thoja dashuri – për Shqipërinë dhe një besim të thellë në marrëdhënie SHBA-Shqipëri. Ndonëse kam vetëm tetë ditë këtu, që tani kam të njëjtën ndjesi. Kam ndjesinë e qëndrueshme të shpresës dhe vendosmërisë”,- bëri të ditur ajo.

“Është e qartë se viti 2020 do të jetë një vit i rëndësishëm për Shqipërinë, i mbushur me sfida por edhe mundësi. Potenciali për përparim dhe rritje është përpara nesh, nëse udhëheqësit e Shqipërisë mund të bëjnë bashkë vullnetin me dhe mjeshtërinë për të bërë gjënë e duhur”,- tha ambasadorja e SHBA.

“Siç vura në dukje në seancën time dëgjimore në senat, si dhe shumë herë të tjera që atëherë, si ambasadorja e Amerikës në Shqipëri, unë kam tre prioritete: Prioriteti im i parë është ta ndihmoj Shqipërinë të bëhet aleate më e aftë e NATO-s dhe një bastion më i fortë sigurie. Shqipëria po punon për të qenë edhe një udhëheqëse në Ballkan për luftën kundër terrorizmit dhe kundër ekstremizmit të dhunshëm. Nga shoqëria civile te bashkësitë fetare, nga organet vendore e ndërkombëtare të zbatimit të ligjit deri te shkollat e arsimtarët, jemi bashkë për ta ndihmuar Shqipërinë që të zhdukë si kërcënimet vendase, ashtu edhe ato ndërkombëtare”,- vijoi Kim.

“Së dyti, ne do të vazhdojmë të mbështesim fort zhvillimin demokratik të Shqipërisë. Forcimi i institucioneve dhe praktikave demokratike do të forcojë kandidaturën e Shqipërisë për në Bashkimin Evropian. Ne duam ta shohim Shqipërinë të luajë një rol më të fortë në familjen evropiane të demokracive. Së treti, duam të rrisim mundësitë e biznesit si për kompanitë amerikane ashtu edhe ato shqiptare. Ka shumë potenciale të pashfrytëzuara në Shqipëri, për prodhuar, konsumuar dhe për të qenë novatorë”,- tha më tej ambasadorja e SHBA.

“Ndonëse këto përparësi mund të duken të përmbajtura, ato janë të lidhura pashmangshmërisht. Cila është lidhja? Të tria këto kërkojnë që Shqipëria të çrrënjosë korrupsionin, të ndjekë penalisht krimin e organizuar, dhe të realizojë vendosmërisht sundimin e ligjit. Miratimi i Reformës në Drejtësi ishte një gur kilometrik madhor, por shumë do të varet nga zbatimi i plotë dhe i duhur”,- tha ambasadorja Kim.

“Kjo nuk është përgjegjësi vetëm e qeverisë apo vetëm e komunitetit të biznesit. Për miqtë tanë në komunitetin e biznesit: Ju nxis të udhëhiqni duke kryer punën tuaj me integritet dhe duke kërkuar politika e praktika të shëndosha qeverisëse. Për partnerët tanë në qeveri: ritheksoj rëndësinë e transparencës dhe të shtetit ligjor. Pavarësisht nëse është në praktikë apo në perceptim, korrupsioni e dëmton Shqipërinë dhe e pengon të arrijë potencialin e tij të vërtetë. Kjo është ajo që lidh tri përparësitë e Ambasadës së SHBA në Shqipëri”, – tha ambasadorja e SHBA.

“Më lejoni tani të them disa fjalë për atë që na lidh – në fakt, na bashkon – të gjithëve ne në këtë sallë. Ajo që na bashkon të gjithëve në këtë sallë është vendosmëria jonë e përbashkët që Shqipëria mund dhe duhet të çrrënjosë korrupsionin dhe të vendosë sundimin e ligjit në Shqipëri. Në këtë sallë gjenden një gamë e ndritshme personash të shquar. Por pavarësisht nëse je politikan, diplomat, imam, murgeshë, gazetar, ushtar, nënë a bijë, jemi të gjithë partnerë në një përpjekje të përbashkët për ta çuar Shqipërinë përpara. Të gjithë kemi një rol për të mundësuar sigurinë, begatinë dhe integrimin europian të Shqipërisë”, – tha ambasadorja e SHBA, Juri Kim.

“Shqipëria ka mundësinë të bëjë transformime mahnitëse në vitin 2020. Iu bëj thirrje drejtuesve shqiptarë – pavarësisht nëse jeni në shumicë apo opozitë, në parlament apo jo – që të demonstroni udhëheqësi të vërtetë duke marrë vendimet e vështira për ta çuar vendin përpara në rrugën e tij evropiane. Kjo do të kërkojë kompromis, por një sakrificë e përkohshme e krenarisë personale patjetër që ia vlen në emër të së ardhmes së vendit”,- shtoi ajo.

“I përgëzoj partitë e opozitës jashtë Kuvendit që gjetën një mënyrë për të ecur përpara me Reformën Zgjedhore, dhe i përgëzoj ata brenda në Kuvend që u siguruan që në tryezë të kishte gjithmonë hapësirë ​​për dialog të hapur. Shpresoj të ketë edhe shumë shembuj të tjerë të këtij lloj bashkëpunimi përgjatë gjithë vitit. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë të gatshme të punojnë me të gjithë ju këtu sonte dhe ju falënderoj të gjithëve paraprakisht për partneritetin dhe miqësinë tuaj”, – përfundoi fjalën e saj, ambasadorja e SHBA në vendin tonë Yuri Kim./atsh

Ambasadorja Kim: Shqipëria ka mundësinë të bëjë transformime mahnitëse në vitin 2020 Read More »

Përcaktohen përgjegjësitë/ Kuvendi miraton ndryshimet në ligjin për ndërtimet

Kuvendi miratoi sot në seancë plenare me 84 vota pro projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar”‘.

Ndryshimet në ligjin “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit të ndryshuar”, synojnë forcimin e masave në sektorin e ndërtimit, pas situatës që kaloi vendi nga tërmeti i 26 nëntorit.

Ndryshimet u propozuan nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë pasi goditjet e tërmetit në vitin 2019 treguan një sërë problematikash të cilat dolën dukshëm në sipërfaqe në lidhje me ndërtimet.

Ndryshimet konsistojnë në saktësimin e terminologjisë së përdorur në ligjin ekzistues duke krijuar kështu një kuadër të qartë ligjor i cili sanksionon përgjegjësinë e secilit aktor dhe vendos një herë e përgjithmonë ndarjen e detyrimeve dhe të përgjegjësive, si për shembull, mes investitorit apo zhvilluesit, apo kush ka përgjegjësinë nga agjencitë të cilat licencojnë dhe kontrollojnë ndërtimet sot.

Seanca plenare votoi edhe projektligjet dhe aktet e tjera normative në rendin e ditës.

U miratua me 80 vota pro akti normativ “Për disa shtesa në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar””. U miratua me 84 vota pro akti normativ “Për disa ndryshime në ligjin “Për buxhetin e vitit 2019″, të ndryshuar”.

U miratua me 86 vota pro projektligji “Për shkëmbimin automatik të informacionit të llogarive financiare”.

Me 78 vota kundër u rrëzua dekreti i Presidentit të Republikës “Për kthimin e ligjit nr. 92/2019 “Per disa shtesa dhe ndryshime ne ligjin nr. 9918, date 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”. /atsh

Përcaktohen përgjegjësitë/ Kuvendi miraton ndryshimet në ligjin për ndërtimet Read More »