Aktualitet

100-vjetori i Kongresit të Lushnjës, Basha/ Kur ka konsensus të tillë kombëtar, vijnë edhe zgjidhjet

“Kur ka një konsensus të tillë kombëtar, vijnë edhe zgjidhje në rang kombëtar, edhe fitore kombëtare” tha sot kryetari i PD-së Lulzim Basha ndërsa kujtoi 100-vjetorin e Kongresit të Lushnjës.

“Shqipëria e para! 100 vjet më parë, burra të shquar nga të gjitha trojet shqiptare, u mblodhën në Lushnjë, në një moment të vështirë për pavarësinë e shtetit të brishtë shqiptar dhe me Kongresin që i çeli dyert me 21 janar 1920, dhanë shembullin e madh të vendosjes mbi gjithçka të së mirës së atdheut. Kur fati i Shqipërisë ishte ende në tryezën e Konferencës së Paqes në Paris, delegatët e Kongresit të Lushnjës u mblodhën, duke pasur mbi gjithçka dy parime bazë: Shqipëria është një dhe e pandarë, Shqipëria është e pandarë kur është fjala për të mbrojtur interesat e saj para fuqive të mëdha. Në këtë leksion të madh trimërie dhe atdhedashurie morën pjesë të gjithë, morën pjesë të gjitha besimet fetare, të gjitha shtresat shoqërore, morën pjesë përfaqësuesit politikë dhe klerikë, rinia, inteligjencia e diaspora”, u shpreh Basha.

“Edhe ata që s’mundën të vinin në Lushnjë, për shkak se një pjesë e madhe e vendit ishte ende nën pushtim, iu bashkuan kësaj zgjidhje kombëtare, asaj iu bashkuan delegatët e Shkodrës, Lezhës e Malësisë së Gjakovës, me firmat e tyre të 13 shkurtit në Tiranë. Kur ka një konsensus të tillë kombëtar, vijnë edhe zgjidhje në rang kombëtar, edhe fitore kombëtare. Pas Kongresit të Lushnjës, autoriteti i dalë prej tij mori në dorëzim Shkodrën me 25 mars, Gjirokastrën me 27 prill dhe Korçën me 15 maj”, theksoi ai.

Po ashtu Basha shtoi se “Me luftën madhështore të Vlorës dhe marrjen e qytetit me 17 gusht, u përmbyll faza e jetësimit të shtetit shqiptar, i cili prej Kongresit të Lushnjës trashëgoi edhe të parat principe kushtetuese të qeverimit të tij, me anë të Kanunores së Këshillit të Lartë. Ata burra e gra që u angazhuan për mbajtjen e Kongresit të Lushnjës meritojnë një vend të përjetshëm në historinë e Shqipërisë. Kontributi i tyre është sot e gjithë ditën një leksion që duhet përsëritur vazhdimisht, në mënyrë që çdo shqiptar, qytetar i thjeshtë, aktivist, politikan a klerik të mos i humbasë prioritetet e veta. Në fillim është kombi dhe mbrothësia e tij, më pas vijnë individët dhe karrierat e tyre. Respekti për qytetarin, për të drejtat dhe interesat e tij dhe përpjekja për të mbrojtur ligjet që sanksionojnë dinjitetin e tij janë detyrime të përhershme që na vijnë nga Kongresi i Lushnjës”.

“Siç thotë Mit’hat Frashëri, njëri nga gjenitë e historisë së Shqipërisë së shekullit të kaluar, “Kongresi i Lushnjës është një kandil që ndrit dhe duhet të ndriçojë kurdoherë që gjendet në errësirë e në të keqe. Të mbajturit lart të akteve të mëdha të patriotizmës është një lumturi, si edhe një detyrë”, tha Basha. /atsh

100-vjetori i Kongresit të Lushnjës, Basha/ Kur ka konsensus të tillë kombëtar, vijnë edhe zgjidhjet Read More »

“21 janari”, Balla: Shqiptarët presin nga Drejtësia e re zbardhjen e plotë dhe ndëshkimin e fajtorëve të krimit të rëndë

“Shqiptarët presin nga drejtësia e re zbardhjen e plotë dhe ndëshkimin e fajtorëve për krimin e rëndë të 21 janarit”.

Kështu deklaroi sot kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në pritjen që u organizua në sallën COD të kryeministrisë, me familjarë të 4 protestuesve të vrarë në Bulevard 9 vite më parë.

“Sot 9 vite nga 21 Janari 2011! Nderim dhe respekt dëshmorëve Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika, të cilët u qëlluan pabesisht në protestën popullore, në mbrojtje të vlerave dhe parimeve të demokracisë në Shqipëri. Shqiptarët presin nga drejtësia e re zbardhjen e plotë dhe ndërshkimin e fajtorëve për këtë krim të rëndë”, tha Balla.

Ministra të kabinetit qeveritar, deputetë të Partisë Socialiste, familjarë të viktimave dhe qytetarë të shumtë zhvilluan sot homazhe për viktimat e 21 Janarit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Me heshtje, lot në sy dhe karafila të kuq në duar, ata përkujtuan 9-vjetorin e vrasjes së 4 protestuesve Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.

Sot shënohen 9 vite nga 21 Janari 2011, dita kur gjatë një proteste të Partisë Socialiste, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë u vranë katër protestues nga Garda e Republikës./atsh

https://www.facebook.com/b.taulant/videos/597071407555061/?t=0

“21 janari”, Balla: Shqiptarët presin nga Drejtësia e re zbardhjen e plotë dhe ndëshkimin e fajtorëve të krimit të rëndë Read More »

100 vjet parlamentarizëm në Shqipëri/ Kuvendi shënon përvjetorin e Kongresit të Lushnjës me aktivitete të shumta

Sot shënohen 100 vite nga Kongresi i Lushnjës, i mbajtur më 21 janar të vitit 1920.

Kjo datë shënon edhe fillimin e parlamentarizmit shqiptar.

Në këtë kuadër, Kuvendi i Shqipërisë ka organizuar sot një sërë aktivitetesh në Lushnjë dhe Tiranë.

Kështu kalendari i aktiviteteve për 100-vjetorin e parlamentarizmit shqiptar parashikon mbajtjen e ceremonisë në Shtëpinë e Kongresit në Lushnjë në orën 9:30, ku do të marrë pjesë edhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Ndërkohë në Tiranë në orën 11:30-12:00 do të bëhet çelja e Ekspozitës dhe shfaqja e Dokumentarit “100 vjet parlamentarizëm shqiptar” ne Pallatin e Kongreseve, holli para sallës së Albanologjisë.

Ndërsa në 21 janar, ora 12:00-13:30 do të mbahet Konferenca shkencore “100 vjet parlamentarizëm shqiptar”, në Pallatin e Kongreseve, salla e Albanologjisë.

Aktivitetet vijojnë edhe në datën 22 janar, ora 10:00-20:00 me Ditët e Hapura te salla e seancave.

Ndërsa në datë 23 janar, ora 11:00 do të jetë faza finale e konkursit të shkollave të mesme të Tiranës dhe Lushnjës për interpretimin e fjalimeve të përzgjedhura parlamentare.

Kongresi i Lushnjës i zhvilloi punimet nga 21-31 janar të vitit 1920, në të cilin u miratua një akt kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë si dhe zgjodhi këshillin e lartë prej 4 vetash, që do të kryente funksionet e kryetarit të shtetit dhe një këshill kombëtar me 37 veta. Kryeministër u zgjodh Sulejman Delvina./atsh

100 vjet parlamentarizëm në Shqipëri/ Kuvendi shënon përvjetorin e Kongresit të Lushnjës me aktivitete të shumta Read More »

Ndërhyrja e rrallë në Spitalin e Traumës shpëton nga paraliza 21-vjeçaren

Një ndërhyrje e rrallë dhe e suksesshme ka shpëtuar nga paraliza Arlindën, 21-vjeçaren nga Durrësi.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka theksuar se Arlinda zgjodhi ta kryejë ndërhyrjen në Shqipëri, pavarësisht për shkak të vështirësive, mungesës së prindërve dhe ndërhyrjes tepër delikate.

Ministrja Manastirliu thekson gjithashtu se, 21-vjeçares i ofruam edhe mundësinë për të kryer operacionin në Turqi.

Manastirliu ka vlerësuar punën e shkëlqyer të ekipit mjekësor të spitalit Universitar të Traumës, dr. Fatos Olldashi, dr. Irgen Hodaj, dr. Eriketa Jaho, dr. Esma Gashi dhe infermierët Sokol Xhafa, Flutura Balla dhe Elsa Agalliu, të cilët kryen vertebrectominë anteriore, një ndërhyrje të vështirësisë së lartë, e cila rezultoi e suksesshme për 21- vjeçaren nga Durrësi.

“Një ndërhyrje e rrallë dhe e suksesshme ka shpëtuar nga paraliza Arlindën, 21-vjeçaren nga Durrësi, e cila ka zgjedhur të kryejë ndërhyrjen në Shqipëri, pavarësisht se për shkak të vështirësive, mungesës së prindërve dhe ndërhyrjes tepër delikate, 21-vjeçares i ofruam mundësinë për të kryer operacionin në Turqi.

Punë e shkëlqyer e ekipit mjekësor të spitalit Universitar të Traumës, dr. Fatos Olldashi, dr. Irgen Hodaj, dr. Eriketa Jaho, dr. Esma Gashi dhe infermierët Sokol Xhafa, Flutura Balla dhe Elsa Agalliu që kryen vertebrectominë anteriore, një ndërhyrje të vështirësisë së lartë, e cila rezultoi e suksesshme për 21-vjeçaren nga Durrësi.

Shërim të shpejtë Arlinda”, ka theksuar Manastirliu./atsh

Ndërhyrja e rrallë në Spitalin e Traumës shpëton nga paraliza 21-vjeçaren Read More »

Marrja e Presidencës së BE/ Basha letër kryeministrit të Kroacisë: Do bëjmë çdo gjë për integrimin

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka garantuar kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviç se ai dhe opozita në Shqipëri do të bëjnë gjithçka për të ndihmuar procesin e integrimit europian.

Basha ka publikuar një letër të 14 janarit, ku ai përshëndet kryeministrin kroat për marrjen e drejtimit të Presidencës së Bashkimit Europian, një ngjarje që kreu i opozitës e cilëson si historike për shkak se kjo është hera e parë që Kroacia drejton presidencën e BE-së që kur u bë anëtar i Unionit në vitin 2013.

“Presidenca kroate e BE, është një arritje të cilën ne, në Shqipëri, e vlerësojmë shumë, ashtu si edhe rajoni. Kam bindjen e plotë se nën drejtimin tuaj të Presidencës, proceset integruese për Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, do të avancojnë edhe më tej“, ka theksuar Basha në letrën e tij.

“Ju jam shumë mirënjohës për mbështetjen që më keni shprehur për Shqipërinë gjatë takimit që patëm Nëntorin e shkuar”, vë në dukje kreu i opozitës, duke e garantuar Kryeministrin e Kroacisë për rolin e PD dhe opozitës në integrimin e vendit.

“Prioritetet tuaja në krye të BE-së janë shpresëdhënëse dhe shtysë për mua që të bëj çdo gjë që mundem në emër të Partisë Demokratike dhe opozitës shqiptare, që të avancojmë procesin e integrimit në BE, pa vonesa të mëtejshme, siç përcaktohet edhe në kushtet e Bundestagut. Edhe pse marrja e Presidencës Kroate po ndodh në momente sfiduese, jam i bindur se ju do t’i përmbushni prioritetet duke qenë edhe njëherë një shembull i shkëlqyer për ne”, është mbyllur letra e kreut të opozitës Lulzim Basha, duke i uruar Kroacisë një presidencë të suksesshme dhe duke mirëpritur drejtimin dhe mbështetjen e mëtejshme të kryeministrit kroat.

Marrja e Presidencës së BE/ Basha letër kryeministrit të Kroacisë: Do bëjmë çdo gjë për integrimin Read More »

Fluturimet Prishtinë-Beograd/ Rama: Hap i rëndësishëm, ka ende shumë për të bërë me vizion e kurajo në atë rrugë

Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur marrëveshjen e sotme për fluturimet Prishtinë-Beograd.

Duke cituar Sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg Kryeministri Rama ka theksuar se ky është “një hap i rëndësishëm për qarkullimin më të lehtë të njerëzve e mallrave në Ballkanin Perëndimor”.

Rama ka shtuar se ka ende shumë hapa për të bërë me vizion e kurajo në atë rrugë.

“E përshëndes me kënaqësi marrëveshjen e sotme për fluturimet Prishtinë-Beograd, që siç tha Sekretari i NATO-s është “një hap i rëndësishëm për qarkullimin më të lehtë të njerëzve e mallrave në Ballkanin Perëndimor”. Ka ende shumë hapa për të bërë me vizion e kurajo në atë rrugë!”, është shprehur Rama.

Kryeministri gjithashtu ka theksuar se shumë mirë ka bërë dhe kryeminstri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj që e përshëndeti këtë hap.

“Shumë mirë bëri edhe Ramushi që e përshëndeti këtë hap. Paqja është tejet e vështirë, por në asnjë rast ajo nuk fitohet me mjetet e luftës dhe popullariteti i përkohshëm që sjellin nganjëherë ato mjete, nuk i sjell asnjë hajër popullit e vendit”, tha Rama.

Një delegacion nga Ministria e Ekonomisë e Serbisë nënshkroi sot një letër synimi me kompaninë Lufthansa në Berlin për nisjen e linjës ajrore Beograd-Prishtinë.

Me nënshkrimin e kësaj letër synimi ekskluzivisht, Serbia njofton se do të njoftojë UNMIK-un dhe KFOR-in për qëllimin e saj për të rivendosur linjën ajrore midis Beogradit dhe Prishtinës në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të KB dhe Marrëveshjen Teknike Ushtarake të Kumanovës./atsh

Fluturimet Prishtinë-Beograd/ Rama: Hap i rëndësishëm, ka ende shumë për të bërë me vizion e kurajo në atë rrugë Read More »

Artur Metani zgjidhet Inspektor i Lartë i Drejtësisë

Artur Metani është zgjedhur Inspektor i Lartë i Drejtësisë.

Kuvendi ka zgjedhur në seancën e sotme me 98 vota pro dhe 8 kundër, Artur Metanin në postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Metani ishte renditur i pari edhe në listën me pesë kandidatë që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i kishte dërguar Kuvendit.

Pas votimit, Metani është betuar në foltoren e Kuvendit, përpara deputetëve.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë është përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin me nismë të shkeljeve dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm, sipas procedurës së përcaktuar me ligj.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë është përgjegjës edhe për inspektimin institucional të gjykatave dhe të zyrave të prokurorisë./atsh

Artur Metani zgjidhet Inspektor i Lartë i Drejtësisë Read More »

Milva Ekonomi zgjidhet Kryetare e Komisionit të Ekonomisë

Deputetja socialiste Milva Ekonomi u zgjodh sot në postin e Kryetares së Komisionit të Ekonomisë dhe Financat, duke zëvendësuar në këtë post ministrin e Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj.

Ndërsa në vend të Ekonomit si nën/kryetare e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik është zgjedhur Mirela Kumbaro.

Kuvendi gjithashtu ka miratuar programin e punës së Kuvendit për periudhën 20 janar – 7 mars 2020.

Gjithashtu është miratuar kalendari 3- javor i punimeve të Kuvendit për periudhën 20 janar -7 shkurt 2020./atsh

Milva Ekonomi zgjidhet Kryetare e Komisionit të Ekonomisë Read More »