Aktualitet

Shqiptarët pa viza drejt Arabisë Saudite

Shqiptarët do të kenë mundësi të udhëtojnë pa viza drejt Arabisë Saudite.

Këshilli i Ministrave vendosi në mbledhjen e sotme miratimin e memorandumit të bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Mbretërisë së Arabisë Saudite, për heqjen reciproke të vizave për qëndrim afatshkurtër për mbajtësit e pasaportave diplomatike të shërbimit dhe private për shtetasit e të dyja vendeve.

Vendimi hyn në fuqi pas botimin në “Fletoren Zyrtare”./atsh

Shqiptarët pa viza drejt Arabisë Saudite Read More »

Basha takim me delegacionin e KiE: Rruga për daljen nga kriza kalon nga zbatimi i standardeve demokratike europiane

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvilloi sot një takim me delagacionin e KiE. Basha deklaroi gjatë këtij takimi se rruga për daljen nga kriza kalon nga zbatimi i standardeve demokratike europiane.

“Gjatë takimit me Presidentin e Kongresit të Autoriteteve Lokale të Këshillit të Europës, Z. Anders Knape, Sekretarin e Përgjithshëm Andreas Kiefer, Presidenten e Dhomës së Rajoneve znj. Ms Gunn Marit HELGESEN, Presidentin e Dhomës së Autoriteteve lokale z. Xavier CADORET, dhe delegacionin që i shoqëronte, ju shpreha mirënjohjen për vëmendjen që ky institucion ka treguar përherë ndaj vendit tonë”-, shprehet Basha.

Basha shton se, “Shqipëria e cila ndodhet në një krizë të thellë politike dhe ekonomike, ku korrupsioni e krimi i lidhur me politikën po gërryen themelet e shoqërisë dhe shqiptarët po largohen çdo ditë, e ka jetike ndihmën dhe mbështetjen e miqve dhe partnerëve tanë”.

“Rruga për daljen nga kriza kalon nga zbatimi i standarteve demokratike europiane, forcimi i rolit të qytetarëve që nis me garantimin e votës, duke ju dhënë mundësi atyre, që të lirë nga diktati i krimit dhe paratë e korrupsionit, të vendosin për qeverinë e tyre vendore dhe qendrore sa më shpejt”-, përfundon Basha./atsh

Basha takim me delegacionin e KiE: Rruga për daljen nga kriza kalon nga zbatimi i standardeve demokratike europiane Read More »

Shqipëria vendi i parë i gatshëm për nënshkrimin e marrëveshjes me SHBA për sigurinë e rrjeteve 5G

Deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri mori pjesë në Uashington, me ftesë të Senatit amerikan, në forumin mbi teknologjinë 5G.

Në këtë forum u diskutua mbi teknologjinë 5G, aspektet e sigurisë dhe rreziqet potenciale nga ndërhyrjet e palëve të treta.

Gjithashtu gjatë këtij forumi u veçua dhe roli i Shqipërisë si vendi i parë që shprehu gatishmërinë për të nënshkruar marrëveshjen me SHBA për sigurinë e rrjeteve 5G.

“Në Uashington, ku me ftesë të Senatit amerikan, pata kënaqësinë të merrja pjesë në forumin ku u diskutua mbi teknologjinë 5G, aspektet e sigurisë dhe rreziqet potenciale nga ndërhyrjet e palëve të treta. U veçua roli i Shqipërisë si vendi i parë që shprehu gatishmërinë për të nënshkruar marrëveshje me SHBA për sigurinë e rrjeteve 5G”, shprehet Gjiknuri./atsh

Shqipëria vendi i parë i gatshëm për nënshkrimin e marrëveshjes me SHBA për sigurinë e rrjeteve 5G Read More »

Projektligji për shërbimin veterinar/ Formalizon bizneset, rrit sigurinë ushqimore në thertore

Luftë ndaj informalitetit biznesit që operon në sektorin veterinar, investime shtetërore në zhvillimin e një procesi monitorimi të sektorit, për garantimin e sigurisë ushqimore në thertore, janë disa risitë që do të sjellin ndryshimet në ligjin për shërbimet veterinare, në Shqipëri.

Sipas relacionit që shoqëron këtë projektligj, “reduktimi i transmetimit të sëmundjeve si rezultat i rritjes së kontrollit të lëvizjes së kafshëve, rritjes së biosigurisë në fermë dhe tregtimit të kafshëve në tregje të miratuara dhe kontrolluara reduktojnë shpenzimet për mjekimin e kafshëve, si dhe dëmin ekonomik për subjektet të shkaktuar nga ngordhja e tyre”.

Projekligji parashikon edhe disa lloje ndikimesh jo të drejtpërdrejta ekonomike, që janë pa vlerë monetare të drejtpërdrejtë në buxhet dhe konsistojnë në formalizimin e subjekteve që zhvillojnë aktivitetin e mbarështimit dhe tregtimit të kafshëve të gjalla dhe produkteve shtazore si dhe rritjen e përgjegjësisë së subjekteve që aktualisht zhvillojnë aktivitetin në këtë fushë si rezultat i forcimit të kontrollit të shëndetit dhe mirëqenies së kafshëve, duke rritur në këtë mënyrë sigurinë e ushqimeve me origjinë shtazore të cilat kanë një risk të lartë në shëndetin e njeriut, e si pasojë shpenzimet për kujdesin shëndetësor, reduktohen.

“Ky ligj zbatohet për operatorët e biznesit që ushtrojnë veprimtaritë e parashikuara në këtë ligj dhe miratimi i këtij ligji do të çojë në uljen deri në reduktim të informalitetit në këtë fushë. Numri i subjekteve që zhvillojnë veprimtarinë në fushën e shëndetit dhe mirëqenies së kafshëve do të rritet dhe licencimi i këtyre veprimtarive që kërkon pajisjen me lejen e mjedisit për secilin subjekt që ushtron aktivitetin, para licencimit”- citon projektligji./atsh

Projektligji për shërbimin veterinar/ Formalizon bizneset, rrit sigurinë ushqimore në thertore Read More »

Paketa Anti KÇK/ Hyseni: I heq mundësinë krimit të përfitojë nga paratë e pista

Deputeti i Partisë Socialiste Alket Hyseni u shpreh për paketën Anti KÇK se, “ligji, akti normativ ka parashikuar dy momente të ndryshme. Njëri është ai i verifikimit normal, kur kryhet një procedurë normale nga ana e OFL-së dhe Drejtorit të Policisë dhe një rast ekstra ku merren masat e parandalimit, kur ka dyshime që personi, mund të ndikojë në zhdukjen e provave, pasurive të veprave penale dhe në këto raste ndërhyrja është e menjëhershme”.

Në një intervistë televizive, Hyseni tha se, “ky është ndryshimi mes dy rasteve, që dikujt i është çuar formulari dhe ka 48-orë kohë për ta plotësuar dhe pastaj studiohet dhe analizohet me tërësinë e informacioneve që kanë agjencitë ligj zbatuese dhe dilet në një konkluzion paraprak nga Drejtori i Policisë dhe ia referon prokurorit dhe rasti tjetër është emergjenca siç është vepra penale kur kryhen veprime për të zhdukur viktimën , mjetet me të cilat është kryer krimi”.

“Ndiq paratë, bëja të zezë krimit mundësinë që të përfitojë paratë e krimit”, ky është misioni i aktit normativ , tha ai. Duhet të jemi koshientë që ka njerëz që janë gati të sakrifikojnë vitet burg, mjafton që të përfitojnë produktet e veprës kriminale.

“Nuk ka asnjë dispozitë që përjashton Gjykatën dhe prokurorinë. Nga koha kur vihet në lëvizje mekanizmi i hetimit e deri në kohën e fillimit të procedurave, krimi ka pasur gjithë kohën e nevojshme për të ndikuar në hetim, ashtu sikurse, – tha ai janë të gjitha mekanizmat ligjor për të kërkuar ç’dëmtim për çdo rast të padrejtë”.

Hyseni tha se, deri dje kishte zëra që lufta kundër krimit nuk ishte në nivelet e duhura, sot që po e bëjmë, janë ngritur një batalion njerëzish dhe janë shqetësuar për të drejtat e njeriut. Por duhet të ndajmë luftën kundër krimit dhe të drejtat e njeriut. Sot jemi në një gjë konkrete që vjen si pasojë e një reforme të vazhdueshme. Pak më parë kemi kaluar ligjin për drejtorinë e administrimit të pasurive të sekuestruara dhe ndryshimet këtu, konsistojnë edhe me mënyrën e re të administrimit të aseteve të krimit, që në fund të fundit edhe nëse konfiskohen të shkojnë në të mira publike ti kthehen komuniteteve dhe jo të humbin”.

“Reforma në Drejtësi po vijon me krijimin e disa institucioneve, ndaj është i nevojshme ky ligj që është me efekt veprimi, një vjeçar deri në 31 dhjetor 2020” – tha ai/atsh

Paketa Anti KÇK/ Hyseni: I heq mundësinë krimit të përfitojë nga paratë e pista Read More »

Paketa anti KÇK/ Brenda 48 orësh subjektet e ligjit duhet të plotësojnë formularin për burimin e pasurisë, të tregojnë sa fort kanë punuar

Paketa anti “KÇK”, është një instrument në duart e Policisë për t’i dhënë atdheut atë që kërkon prej shumë vitesh, fytyrën e pastër dhe dinjitetin edhe në sytë e partnerëve tanë ndërkombëtarë.

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij sot në repartin “RENEA”, përpara efektivëve të Policisë, pjesë e grupit “Operacioni Forca e Ligjit”, tha se përmes paketës anti KÇK, “nuk do e lëmë atdheun tonë që të shihet me njolla para syve të partnerëve tanë”.

“Sot ka gjykatës e prokurorë që s’kanë për ta kaluar kurrë Vetingun dhe jetojnë nën togën e zezë sikur të ishte në ditën e fundit të pazarit të madh të gjësë së gjallë me moton kap ça të kapësh. Edhe për ta kjo paketë ka një ilaç. Edhe ata do përgjigjen në mos sot nesër, sepse njësoj si sot erdhi koha të përgjigjen të gjithë të fortët e të paprekshmit për të gjitha pasurit e tyre, bizneset, shtëpitë, tokat, makinat, do të vijë koha edhe për ata”,- tha Rama.

“Vetingu nuk është gjykatë nuk është as prokurori dhe nuk ka për detyrë të ndëshkojë ato që kanë vënë pasuri të marramendëse duke përdorur çekiçin e drejtësisë për të thyer kafkën e drejtësisë, por është vetëm faza kur ndahet i njomi me të thatin, faza ku ata që nuk justifikojnë dot pasurinë e tyre largohen nga sistemi dhe ndërkohë ata që dalin të pastër, siç janë anëtarët e SPAK, që futen në sistem dhe siç ndodh me këtë operacion, nga nesër janë sistemi i ri që së bashku me “OFL” dhe bashkë me të gjithë Policinë e Shtetit do t’u kërkojnë subjekteve të ligjit të provojnë ata burimin e pasurisë së tyre dhe jo më, të stërmundohet gjithë policia bashkë me prokurorinë për të gjetur provat dhe për të provuar para gjykatësish që në të shumtën e herës janë kriminel e nuk janë gjykatës, dhe në të shumtën e herës duhet të ishin bashkë me subjektet e këtij ligjit, e jo për t’i thënë policisë e prokurorisë se nuk e ke mirë dosjen, se nga i burojnë pasuritë”,- theksoi Rama.

Kryeministri Rama tha se aksioni nis të hënën.

“Nga nesër një letër do t’u drejtohet këtyre subjekteve dhe do t’u kërkohet që brenda 48 orësh të plotësojnë kërkesat e formularit për burimin e pasurisë së tyre dhe pastaj formulari do shkojë te SPAK dhe nga SPAK në gjykatë dhe ata do duhet të vijnë përpara gjykatësit dhe do duhet t’u tregojnë se sa fortë e kanë punuar tokën, se sa ullinj e portokall kanë mbledhur, se sa shumë vite kanë bërë roje natën në objekte dhe se sa shumë janë lodhur e stërmunduar në fasoneri dhe sesa shumë kanë kursyer nga puna e tyre e stërndershme brenda apo jashtë vendit nëse duan t’i mbajnë ato pasuri që kanë, përndryshe gjithçka që ata kanë sot, nesër do të jetë pronë e shtetit dhe në radhë të parë e Policisë së Shtetit”,- theksoi Kryeministri.

“Gjithçka dhe kjo nuk do të vazhdojë si në atë proceset fantastike gjyqësore që na kanë bërë gazin e botës gjatë gjithë këtyre dekadave, ku në fund fare personave me burgim të përjetshëm dalin për të punuar në komunitet, por kjo ka afate. Fillimisht 48 orë për plotësimin e formularit, më pas, deri në 15 ditë SPAK dhe deri në 15 ditë gjykata dhe pastaj lamtumirë prona e juaj, jo e imja se nuk është prona ime për ta, por është prona e të gjithëve që gëzojnë ata. Dhe me pasuritë e tyre ne do të rrisim në radhë të parë rrogat tuaja. Pasuritë e tyre do të shërbejnë si burim për të shpërblyer punën tuaj. Me pasuritë e tyre do të mbështesim fëmijët e policëve të vrarë në detyrë. Do të mbështesim akademinë e sigurisë ku dalin gjeneratat e reja të Policisë së Shtetit dhe natyrisht me mjetet e tyre motorike ne do të shtojmë kapacitet motorike të Policisë së Shtetit”,- garantoi Rama.

“Paketa anti KÇK parashikon jo vetëm kaq, por parashikon bllokimin e lëvizjes për jashtë shtetit. Parashikon kufizimin e lëvizjes së këtyre subjekteve jashtë njësisë së tyre administrative. Jo të nisen me autokolona makinash luksoze nga ana e anës dhe të shkojnë të nxjerrin pushkën në plazhet e Himarës e Dhërmiut mu në mes të sezonit, aty ku mblidhen mijëra të rinj e turistë”,- shtoi Rama.

“Paketa parashikon mospjesëmarrjen me ligj të tyre dhe familjarëve të tyre në tender apo në çdo lloj aktiviteti ku ka 1 qindarkë nga taksat e qytetarëve. Ligji parashikon heqjen e të gjitha licencave që ata disponojnë dhe ju e dini shumë mirë. Kush e di sa herë jeni ndjerë të fyer dhe kush e di sa herë me vetën tuaj, me plot të drejtë keni pasur nevojë të shfryni kundër shtetit, kur keni parë këta që kanë roje, këta ruajnë me polici private, këta nuk do gëzojnë më asnjë licencë nga ato licenca që kanë në dispozicion. Këto kanë mjete ndriçimi të posaçme, kanë sisteme videosh, e survejimesh që nuk do ti gëzojnë, ose duhet të provojnë se këto i kanë blerë duke shitur domate, patate, apo rroba të përdorura te gabi. PO e pro vaun këtë ti gëzojnë!”,- theksoi Rama

“Dhe e fundit që kam është për gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar, për ata të cilët godasin shtetin dhe policinë e shtetit, shtetin dhe të gjithë atyre që marrin pjesë në kapjen e tyre mostrave jo me plumba, por më keq se plumbi, por me çekiçin e drejtësisë dhe e godasin pas shpine. Për çdo rast kur, ne shteti do të konstatojmë vendime si ato që kemi parë në vijim paketa kërkon brenda tre ditësh pezullimin e tyre nga detyra dhe fillimin e hetimeve për ta. Ata janë bashkë, ju e dini shumë mirë, që ata sot, edhe tani që po na shohin, janë bashkë. Dhe unë ju siguroj që ne jemi bashkë për t’i bërë ata bashkë atje ku e kanë vendin, të dyja palët. Ju siguroj për këtë”,- tha Rama.

“Të gjithë ju mund të keni shumë rezerva dhe kritika legjitime edhe për qeverinë, por një gjë jam i bindur se nuk e thoni dot. Ju nuk thoni dot që në këto vite ju jeni tradhtuar që në këto vite ju nuk jeni respektuar dhe që në këto vite kushtet tuaja nuk janë përmirësuar edhe rroga juaj nuk është rritur edhe pse nuk mjafton, asgjë nga këto nuk mjafton, dhe në fund fare që në këto vite keni parë mungesë dëshire dhe vullneti nga ana ime dhe ana jonë për tju mbështetur fuqimisht në atë që ju keni detyrë”,- u shpreh Kryeministri.

“Ndërsa të tjerët dalin shkojnë në punë apo kërkojnë punë, puna juaj është luftë, është luftë në shërbim të atdheut. Unë jam shumë krenar që së’bashku ne mund t’i japim atdheut ne me këtë fazë me këtë paketë, dhe me aftësitë tuaja atë që atdheu kërkon pas kaq shumë vitesh, fytyrën e pastër dhe dinjitetin edhe në sytë e partnerëve tanë ndërkombëtarë. Ne s’mund ta lëmë atdheun tonë që të shikohet në me njolla në fytyrë, para syve të partnerëve tanë për shkak të atyre që duhet të ishin bashkë me ju bashkë me ne në rolin e prokurorit të gjykatësve, por që janë me ata kriminelët dhe së bashku njollosin ne njollosin atdheun. Falë këtij operacioni ne do mund të jemi krenar që jemi sot bashkë dhe do të mund ta kujtojmë me shumë krenari të punës sonë të përbashkët dhe do mund ti japim njerëzve të zakonshëm mesazhin se nuk ka shans që ata të cilët deri sot janë veshur me pushtetin informal të krimit dhe të korrupsionit në gjykata e prokurori t’ju a bëjnë ferrë jetën e tyre në komunitet, në njësinë administrative, bashkinë ku taksirati ia sjell t’i kenë fqinjë mostra të tilla, jetën e tyre ku duhet të presin me zemër të ngrirë fëmijët që ju vijnë pasi errësohen, pse? Se kanë shkuar me shokët në klubet e natës”,- tha Rama.

“Ju siguroj mbështetjen tonë dhe ju uroj shumë sukses të gjithë anëtarëve të OFL, duke e mbyllur me lutjen që të kuptoni se ju keni në dorë të bëni një investim të madhe të shtoni kreditë e larta por që do të jenë edhe më të larta të Policisë së Shtetit dhe të shtoni kreditë e vendit ton ë në sytë e njerëzve të vetë dhe miqve tanë”,- përfundoi Kryeministri. /atsh

Paketa anti KÇK/ Brenda 48 orësh subjektet e ligjit duhet të plotësojnë formularin për burimin e pasurisë, të tregojnë sa fort kanë punuar Read More »

Paketa anti KÇK/ Sekuestrimi i pasurive nga krimi i organizuar, në “sitë” edhe pronësia e familjarëve

Këshilli i Ministrave miratoi sot Aktin Normativ “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike”, ku detajohen masat parandaluese me karakter të përkohshëm në kuadër të forcimit të luftës ndaj organizatave dhe grupeve të strukturuara kriminale, organizatave terroriste, bandave të armatosura, individëve të përfshirë në krime të rënda si dhe procedurat, kompetencat e kriteret për zbatimin e këtyre masave ndaj subjekteve të këtij akti normativ.

Qëllimi i këtij akti normativ është ndërhyrja emergjente dhe me karakter të përkohshëm në kushtet e nevojës së forcimit dhe ashpërsimit të luftës kundër krimit të organizuar, organizatave dhe grupeve të strukturuara kriminale, si dhe çdo grupi tjetër kriminal e terrorist, bandave të armatosura, individëve të përfshirë në krimet e rënda, me synim konsolidimin e sigurisë në vend, përmes rritjes së kapacitetit dhe nivelit të zbulimit, gjurmimit dhe parandalimit të krimit të organizuar, krimeve të rënda, terrorizmit dhe përdorimit prej krimit të organizuar të pronave me origjinë të paligjshme.

Masat parandaluese me karakter pasuror të parashikuara në këtë akt normativ nuk vendosen mbi pasurinë që, para hyrjes në fuqi të këtij akti normativ, është në proces shqyrtimi gjyqësor ose për të cilën është disponuar me vendim gjykate në zbatim të legjislacionit penal, ligjit për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë si dhe legjislacionit mbi financimin e terrorizmit.

Subjekte të këtij akti normativ janë:

Personat, që deri në momentin e hyrjes në fuqi të këtij akti normativ janë dënuar me vendim penal të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, me përjashtim të personave për të cilët ka vendim pafajësie, për:

pjesëmarrje dhe kryerje të krimeve nga organizata kriminale, banda e armatosur dhe grupi i strukturuar kriminal, të parashikuara nga kreu XI i Kodit Penal;
pjesëmarrje dhe kryerje të krimeve nga organizata terroriste e të krimeve për qëllime terroriste, parashikuar nga kreu VII i Kodit Penal;
Sipas këtij akti normativ krijohet Komiteti Kombëtar të Koordinimit për Parandalimin dhe Luftën Kundër Krimit të Organizuar. Komiteti kryesohet nga ministri i Brendshëm dhe ka në përbërje ministrin e Drejtësisë, ministrin e Financave dhe Ekonomisë, Prokurorin e Përgjithshëm, drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit, drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, drejtorin e Qendrës së Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, drejtorin e Përgjithshëm të Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave.

Personat e tretë, të cilët rezultojnë pronarë ose bashkëpronarë të aseteve ose pasurive të sekuestruara, brenda afatit 30-ditor të vleftësimit të masës së sekuestros, thirren nga gjykata të ndërhyjnë në proces për të shprehur qëndrimin dhe pretendimet e tyre në lidhje me masën e sekuestros.

Personat e tretë duhet të provojnë se titulli i tyre i pronësisë nuk është i fituar apo i rrjedhur si rezultat i krimit të organizuar, veprimtarisë terroriste apo krimeve të rënda, të përcaktuara në këtë akt normativ.

Masat parandaluese me karakter pasuror do të zbatohen:

Për personat fizikë dhe juridikë të njoftuar nga Komiteti i Sanksioneve të Kombeve të Bashkuara ose një organ tjetër kompetent ndërkombëtar për të urdhëruar ngrirjen e fondeve ose burimeve ekonomike, kur ka dyshime të arsyeshme për të besuar se fondet ose burimet mund të shpërndahen, të fshihen ose të përdoren për financimin e organizatave ose aktiviteteve terroriste, përfshirë ato ndërkombëtare.

Ndaj pasurive të personave të parashikuar në nenin 5, të këtij akti normativ, në pronësi ose të zotëruara në mënyrë të tërthortë nga:

personat e afërm (bashkëshortët, fëmijët, të paralindurit, të paslindurit, vëllezërit dhe motrat, bashkëjetuesit për periudhën e 5 viteve të fundit) për të cilët prezumohet regjistrimi i rremë, përveçse kur provohet e kundërta;
personat fizikë ose juridikë, për të cilët ka të dhëna të mjaftueshme se pasuritë ose veprimtaritë e tyre zotërohen, pjesërisht ose plotësisht, në mënyrë të tërthortë nga personat e parashikuar në nenin 5, si subjekte të këtij akti normativ, ose janë përdorur, kanë lehtësuar apo kanë ndikuar në një formë të caktuar në kryerjen e veprimtarive të jashtëligjshme prej tyre. /atsh

Paketa anti KÇK/ Sekuestrimi i pasurive nga krimi i organizuar, në “sitë” edhe pronësia e familjarëve Read More »

“Air Albania”/ Pas “Lasgushit” e “Migjenit”, “Naimi” nis fluturimet me Veronën, Bergamon e Pizën

Pas “Lasgushit” dhe “Migjenit”, linjës së fluturimeve “Air Albania” i shtohet edhe avioni që mban emrin e poetit të shquar të Rilindjes Kombëtare, “Naimit”, i cili do të mbulojë linjat Verona, Bergamo, Pisa në Itali.

Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se “ja dhe Naimi po vjen pas Lasgushit e Migjenit, siç jua kam thënë duke marrë mbrapsht shumë nënqeshje e përqeshje, po s’ka gjë, pak nga pak do ta mësojnë edhe nënqeshësit e përqeshësit se unë them atë që bëj dhe bëj atë që them”.

“Tani po ju them pas Naimit vjen Fishta dhe mirëpres me buzëqeshje çdo nënqeshje e përqeshje. (Se mos thotë ndonjëri që e kam harruar Nolin. Jo, gabon, por Nolit i duhet zgjatja e pistës sepse do të bëjë Amerikën, prandaj më duhet ta mbyll me atë fjalën magjike, që aq shumë inat e kanë shumë miq këtu: Durim)”, u shpreh kryeministri Rama.

“Air Albania”, e themeluar në maj të vitit të kaluar me qendër në Tiranë, u krijua nga partneriteti i Albcontrol, një degë e Ministrisë shqiptare të Ekonomisë dhe Turizmit dhe Turkish Airlines. Fluturimi i parë drejt aeroportit të ri të Stambollit, u krye më 19 prill. /atsh

“Air Albania”/ Pas “Lasgushit” e “Migjenit”, “Naimi” nis fluturimet me Veronën, Bergamon e Pizën Read More »