Aktualitet

Ministria e Shëndetësisë jep informacion të përditësuar: Asnjë rast me koronavirus në Shqipëri

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS) informon se Shqipëria deri pasditen e së martës, datë 3 mars 20202 nuk ka asnjë rast të konfirmuar me COVID-19.

Gjatë ditës së djeshme janë testuar 5 raste të reja në Laboratorin e Virologjisë pranë ISHP nga ku në total numri i rasteve të testuara ka shkuar në 36. Të gjitha rastet kanë rezultuar negative për COVID 19. Rastet kanë pasur shenja të infeksionit respirator dhe histori udhëtimi me vendet ku ka shpërthim epidemik dhe komunitar të koronavirusit të ri dhe janë testuar pranë Laboratorit e Virologjisë në ISHP, i vetmi i certifikuar nga OBSH.

Në 24 orët e fundit në total kanë hyrë 17830 udhëtarë dhe në vijimësi po kryhet survejanca e përforcuar në pikat kufitare ajrore, detare dhe tokësore duke kryer monitorimin e temperaturës për të gjithë udhëtarët që hyjnë në Republikën e Shqipërisë.

Gjithashtu në 24 orët e fundit thirrjet kundrejt numrit 127 ka arritur nivelin e 1649 telefonatave, nga të cilat 39 prej tyre janë vlerësuar në lidhje me infeksion viral respirator dhe histori udhëtimi me Italinë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u bën apel udhëtarëve që vijnë nga rajonet e prekura me shpërthime komunitare dhe që kanë patur kontakte me persona të sëmurë apo të dyshuar për COVID-19, të vetëkarantinohen për një periudhë 14-ditore.

MSHMS rekomandon qytetarët që kanë udhëtuar në vendet e prekura dhe kanë shenjat e infeksionit viral të telefonojnë në numrin 127 për të marrë udhëzimet e duhura se si të veprojnë mbështetur në gjendjen e tyre shëndetësore.

Situata ndërkombëtare sipas ECDC-së është si më poshtë:

Në nivel global, janë raportuar në total 90 663 raste të konfirmuara me COVID-19, dhe në total 3124 vdekje:

Azi: 263 raste të konfimuara – 3055 vdekje
Afrikë: 9 raste të konfirmuara
Amerikë: 145 raste të konfirmuara – 6 vdekje
Oqeania: 34 raste të konfirmuara – 1 vdekje
Europë: 2507 raste të konfirmuara – 56 vdekje
Tabela 1. Numri i rasteve të konfirmuara deri në datën 3 mars 2020 sipas shteteve (sipas ECDC): https://www.ecdc.europa.eu/en/novel-coronavirus-china

Shteti Nr i rasteve të konfirmuara (3 mars 2020)
Kontinenti i Azisë 87 263
Kina 80261
Republika e Koresë 4812
Iran 1501
Japoni 254
Singapor 108
Kuvajt 56
Bahrain 47
Tajland 43
Tajvan 41
Malajzi 29
Emiratet e Bashkuara Arabe 21
Irak 21
Vietnam 16
Liban 13
Izrael 10
Oman 7
Indi 5
Pakistani 4
Katar 3
Filipine 3
Indonezia 2
Kamboxhia 1
Afganistan 1
Nepal 1
Jordania 1
Sri Lanka 1
Arabia Saudite 1
Raste të tjera 705
Rastet e tjera në një mjet transporti detar Japoni 705
Amerika 145
USA 103
Kanada 27
Ekuador 7
Meksika 5
Brazili 2
Republika Domenikane 1
Oqeania 34
Australia 33
Zelanda e Re 1
Afrika 9
Egjipt 2
Algjeria 3
Nigeria 1
Tunizia 1
Maroku 1
Senegali 1
Total 88 156/atsh

Ministria e Shëndetësisë jep informacion të përditësuar: Asnjë rast me koronavirus në Shqipëri Read More »

Rama: Në zonën e tragjedisë, ku do të ndërtojmë një shembull rrezatues të Shqipërisë që duam për fëmijët tanë

Në zonën e tragjedisë, ku do të ndërtojmë një shembull rrezatues të Shqipërisë që duam për fëmijët tanë, u shpreh Kryeministri, Edi Rama në Thumanë.

Rama së bashku me ministrin e Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, ministren e Kulturës, Elva Margariti dhe kryebashkiakun e Krujës, Artur Bushi inspektuan sot zonat ku do të ndërtohen banesat për banorët e Thumanës, të cilëve iu janë prishur shtëpitë prej tërmetit të 26 nëntorit.

Ministrja Margariti u shpreh se, “aty ku mbaron parcela e vilave individuale, do të ketë edhe rrugë biçikletash, sepse ideja është që të lidhet lagjja e re e vilave, të jetë si nga pjesa anësore edhe përmes. Të jenë rrugë të cilat pastaj aksesojnë drejt liqenit. Do të krijojmë pastaj edhe një kalim për të vajtur tek merkata, qendra komunitare”.

Zona që do të ndërtohet do ketë rrugë të brendshme, kanalizime, ujësjellës, ndriçim, dhe pastaj do të fillojë puna me ndërtimin.

Qyteza që do të ndërtohet do të ketë të gjitha shërbimet. Do të ketë edhe një bibliotekë, do të ketë edhe terrene sportive, fushë futbolli, qendër komunitare, park lojërash për fëmijët dhe parku çlodhës për të moshuarit./atsh

Rama: Në zonën e tragjedisë, ku do të ndërtojmë një shembull rrezatues të Shqipërisë që duam për fëmijët tanë Read More »

Meta firmos dekretin kundër ligjit për betimin e gjyqtarëve Kushtetues

Presidenti i Republikës, Ilir Meta firmosi sot dekretin kundër ligjit për betimin e gjyqtarëve Kushtetues.

“Përpara se të firmos dekretin kundër ligjit antikushtetues për betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Kush është pro, ju lutem të ngrejë dorën. Rroftë Republika, rroftë shteti i Republikës! Këtu ka një kërkesë tjetër, nuk kënaqen me kaq. Duan që sot shpërndarjen e parlamentit puçist. Liri, demokraci. Më duhet të firmos këtë dekret dhe do të kthehem përsëri këtu për atë dekretin tjetër që e brohoritët me shumë se ky”, tha Meta.
Meta tha se nëse grupi puçist nuk e merr seriozisht këtë dekret atëherë dekretin tjetër pas datës 15 mars do ta firmosë në mes të parlamentit të Shqipërisë.

“Nëse grushti i shtetit, organizata mafioze ndërkombëtare, nuk e merr seriozisht këtë dekret, unë e jap fjalën, në emër të këtij flamuri, për të cilin janë vrarë mijëra e mijëra dëshmorë e heronj, se pas datës 15 mars, kur të përfundojë Reforma Zgjedhore, që është një kusht, populli kuqezi që votoi sot për vdekjen e grushtit të shtetit, unë Ilir Meta betohem se atë dekret nuk do ta firmos këtu, por në mes të Parlamentit, atje, në mes të krimit. Unë i pari dhe gjithë populli kuqezi, jemi populli që vuajtëm më shumë se kushdo komunizmin, jemi një popull që jetën e japim, demokracinë jo”, tha Meta.

“Shumë prej jush mund të kenë pasur ndonjëherë vërejtje për tonin tim, por duhet të dini që unë në publik për hir të disa interesave shtetërore, nuk kam treguar as 10% të krimeve që kanë ndodhur kundër sovranitetit tuaj dhe reformës në Drejtësi. Prandaj, ju siguroj se kjo pranverë kuqezi nuk ndalet më, deri në rivendosjen e plotë të sovranitetit tuaj, tha Meta./atsh

Meta firmos dekretin kundër ligjit për betimin e gjyqtarëve Kushtetues Read More »

Mitingu i Metës madhështor për nga unikaliteti dhe marrëzia e vet, opozita u kthye në servis për të mbushur bulevardin

/ “Ky duhet të jetë rasti i parë dhe i vetëm deri më sot në historinë e demokracisë në botë që Presidenti i Republikës në një Republikë parlamentare që bazuar në Kushtetutë e përcakton Presidentin simbol të unitetit mbi palët bën një miting dhe kjo e bën këtë miting edhe më madhështor për nga unikaliteti dhe marrëzia e vetë”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, duke komentuar tubimin e thirrur sot nga Presidenti Ilir Meta.

Në një intervistë për televizionin T7 në Kosovë, Rama tha se “sot partia më e madhe e opozitës u kthye në servis për të mbushur bulevardin, pavarësisht se sa arriti, në shërbim të shfaqjes së Ilir Metës”.

Rama tha se “nuk di që qeveria dhe shumica jonë të ketë më shumë pushtet se sa i jep e drejta kushtetuese si shumicë parlamentare dhe qeverisëse. “Nëse i referohemi pushtetit vendor që është disproporcional nuk është rezultat i marrjes në rrugë jodemokratike, me ushtrim të forcës për të eliminuar kundërshtarët nga zgjedhjet por si një vendim vetëvrasës për të mos hyrë në zgjedhje i opozitës, së cilës nuk i është cenuar liria dhe e drejta për të hyrë në zgjedhje”, tha Rama, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve mbi ndarjen e pushteteve.

Kryeministri tha se “nuk është e vërtetë që i udhëheq të gjitha”. “Të qeverisësh i vetëm është rezultat i zgjedhjeve. Në Britaninë e Madhe konservatorët qeverisin të vetëm, në Francë Presidenti ka shumicën në parlament ka dhe qeverinë se ka marrë votat. Në vende të tjera ndodh sipas vullnetit të zgjedhësve”, tha Rama.

Lidhur me Gjykatën Kushtetuese, Rama tha se “i gjithë diskutimi në drejtësi që kur ka filluar reforma ka një arbitër, partneri ynë i madh SHBA e BE e kanë mbështetur dhe monitorojnë shumë afër”. “Nëse dikujt i shkon mendja që SHBA dhe BE që monitorojnë nga afër reformën në drejtësi janë të kapura apo organizatë mafioze siç e quan Ilir Meta, i shkon mendja gabim sepse nuk do të ishte e mundur të bëhej gjithë ky investim nga partnerët dhe të lihej të kapej nga unë”, tha Rama./atsh

Mitingu i Metës madhështor për nga unikaliteti dhe marrëzia e vet, opozita u kthye në servis për të mbushur bulevardin Read More »

Nuk kam folur asnjëherë për ndarje të Kosovës, termi shkëmbim territoresh komplet i gabuar

“Unë asnjëherë nuk kam folur për ndarje të Kosovës, por e kam thënë edhe ndërkombëtarisht se këtu ka një term që është komplet i gabuar, termi shkëmbim territoresh”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Rama tha se “ky është gabim që në start pasi ti nuk shkëmben dot territoret. “Mbi çfarë mase, që këtu është e pamundur ta realizosh sepse gjithmonë do të jetë një palë e humbur në sytë e gjithë të tjerëve”.

“E kamë thënë që në fillim se çfarëdo marrëveshje të jetë do të dali në dritë. Do shkoj Hashimi me Aleksandrin të vizatoj kufijtë me penelat e mi? Jo, do të shkoj në Kuvend, është marrëveshje ndërkombëtare që kalon në të gjitha instancat”, tha Rama.

Rama tha se “unë nuk kam folur kurrë për shkëmbime territoresh pasi është vendimmarrje në radhë të parë e liderëve në Kosovë”.

Kryeministri Rama solli në vëmendje eksperiencën e Kosovës me Malin e Zi. “Kosova dhe Mali i Zi pati gjithë atë vuajtje për të vënë një kufi me një vend me të cilin nuk ka bërë luftë dhe ka marrëdhënie shumë të afërta. Do të vijë momenti që Serbia do të njohë Kosovën. Do bëhet demarkacioni. I kam përcjellë të gjithë atyre që më kanë kërkuar opinionin tim dhe i kam thënë: jo shkëmbim territoresh, jo kufij mbi baza etnike. Këto të dyja duhet të jenë vijat e kuqe. Duhet konsensus për kufirin mes të dyja palëve nuk duhen parë ëndrra me sy hapur, por realiteti”, tha Rama./atsh

Nuk kam folur asnjëherë për ndarje të Kosovës, termi shkëmbim territoresh komplet i gabuar Read More »

Parashikimi i motit, 3 mars 2020

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, moti për ditën sotme parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura.

Nisur nga orët e para të mëngjesit deri ato të mesditës reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët dhe mesatar përgjatë ultësirës perëndimore.

Më tej reshjet shtrihen në të gjithë territorin me intensitet mesatar, ndërsa në veriperëndim jug me intensitet të lartë në formën e rrebesheve shoqëruar me shkarkesa elektrike. Në orët e vona të mbrëmjes në lartësitë mbi 1200 metër në alpe e verilindje, parashikohen reshje dëbore.

Mjegull / mjegullinë për shkak të reshjeve.

Era do të fryjë nga kuadrati i Jugut-Juglindjes hera herës e fortë në pjesën bregdetare dhe luginore duke sjellë dhe det trazuar të forcës 5-6 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 8/17 Re shi
Kukës 10/18 Re shi
Lezhë 8/16 Re shi
Dibër 9/14 Re shi
Durrës 12/20 Re shi
Tiranë 14/20 Re shi
Elbasan 12/19 Re shi
Berat 14/22 Re shi
Vlorë 15/19 Re shi
Korcë 8/14 Re shi
Gjirokastër 12/13 Re shi
Sarandë 12/18 Re shi/atsh

Parashikimi i motit, 3 mars 2020 Read More »

Spiropali: BesëLikja është klithma e zullumit të së shkuarës që zien nga Reforma në Drejtësi

“BesëLikja është klithma e zullumit të së shkuarës që zien nga Reforma në Drejtësi”, deklaroi sot ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.

Lidhur me tubimin e thirru sot nga Presidenti, Spiropali tha se “BesëLikja nuk është as e re as pranverore”.

“BesëLikja është klithma e zullumit të së shkuarës që zien nga Reforma në Drejtësi. Është frika nga Besa e lidhur me SHBA/BE për ta bërë vendin shtet të së drejtës. Është rruga qorre e atyre që s’e duan rrugën e Shqipërisë Europiane”, tha Spiropali./atsh

Spiropali: BesëLikja është klithma e zullumit të së shkuarës që zien nga Reforma në Drejtësi Read More »

Meta: Mirësevjen Beselidhje e re me Pranverën Kuqezi

Heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, siç me të drejtë ka thënë Fan Noli, do të mbetet shqiptari më i gjallë ndër të gjallët, figura më shpëtimtare dhe më frymëzuese për mbijetesë e kombit tonë, që testament na ka lënë domosdoshmërinë e bashkimit në momentet më të rrezikshme të ekzistencës së kombit tonë”, shprehet Presidenti Ilir Meta duke kujtuar ngjarjen historike të Besëlidhjes së Lezhës.

Meta thekson se “sot në përkujtim të ngjarjes historike të Besëlidhjes së Lezhës, unifikimit kombëtar përballë rrezikut të asimilimit e shkombëtarizimit, mesazhi që na sjell nga historia, uroj të na ndihmojë ne të gjithëve për reflektuar, për t’u ngritur dhe bashkuar sa nuk është vonë, në një Besëlidhje të re, po aq të fortë e gjithëpërfshirëse, përballë një rreziku të ri pushtimi nga një sekt mafioz, pa fe, pa familje, pa atdhe, që ka marrë peng të ardhmen e çdo shqiptari”.

“Zëri i popullit është zëri i Zotit! Erdhi koha të dëgjohet sa më fort! Mirësevjen Besëlidhje e re me Pranverën Kuqezi”, shprehet Meta./atsh

Meta: Mirësevjen Beselidhje e re me Pranverën Kuqezi Read More »