Aktualitet

Koronavirusi/ Rama: Mbrohuni nga infodemia, në Shqipëri asnjë i prekur deri tani

Kryeministri Edi Rama shprehu sot domosdoshmërinë që qytetarët të mos i referohen burimeve jozyrtare lidhur me koronavirusin dhe të mbrohen në radhë të parë nga infodemia, e cila siç e nënvizon OBSH, përbën një kërcënim serioz në gjithë përpjekjen për të përballuar epideminë.

“Prej epidemisë së lajmeve të rreme, e të dhënave të falsifikuara apo fabrikuara e klikimeve marramendëse në burime të infektuara të informimit, qytetarët duhet të ruhen dhe mbrohen vetë me vetëdijen se të gjitha këto burime të infodemisë, shkaktojnë ankth, pasiguri alarme krejtësisht të pakëshillueshme në kushtet kur duhet përballuar epidemia”, tha Rama nga foltorja e Kuvendit.

Sipas tij, “e dhëna e fundit zyrtare lidhur me vdekshmërinë e personave të prekur nga koronavirusi ka rënë nga 3% në 2.3%”. “E gjithë pjesa tjetër 97.7% e ka përballuar dhe e përballon pa pasoja për jetën këtë epidemi. Kjo është shumë e rëndësishme për ta mbajtur mirë parasysh sepse nëse shohim efektet e infodemisë, fjala ‘vdekje’ dhe lajmet për të vdekurit janë më shumë se lajmet për të shëruarit, por realiteti është krejt ndryshe nga çfarë mund të perceptohet, nëse hyn në kanalet e informimit pa maskën e vetëdijes”, shtoi Rama.

Duke folur për maskat, Kryeministri tha se “thirrja e OBSH-së është mos rendni për të blerë maska dhe mos harxhoni lekë për maska, pasi ato nuk mbrojnë personat nga prekja”.

“Maskat janë të dobishme për personelin mjekësor, vetë të prekurit dhe për ata që u shërbejnë personave të prekur. Për të tjerët nuk kanë asnjë dobi dhe nuk mbrojnë asnjë gjë. E gjithë histeria që ka përfshirë gjithë botën, është thjesht dhe vetëm harxhim i kotë i parave dhe mbushje e arkave për ata që shesin maska”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “Ministria e Shëndetësisë ka 1 milionë dollarë plus për të adresuar të gjitha problematikat dhe sot numëron 1.2 milionë maska të shpërndara apo marra nga qytetarët”.

Për sa i përket trajtimit të përditshëm dhe përminutshëm të kësaj problematike, Rama tha se nga Ministria e Shëndetësisë dhe gjithë sistemi i vënë në dispozicion për të përballuar këtë kërcënim janë kryer 31 testime te personat me simptoma të dyshimta që rezultuan negative”.

“Asnjë i prekur deri tani. Në numrin 127 të Urgjencës Kombëtare ka në dispozicion mjekë dhe infermierë që përgjigjen. Urgjenca trajton 1400 thirrje në ditë, kryen verifikime për të gjitha ato raste kur shpjegimet e telefonuesve shkaktojnë dyshim dhe nga 400 verifikime të kryera asnjë rast nuk rezulton i prekur nga koronavirusi. 16 mijë kontrolle janë kryer në pikat kufitare dhe i gjithë sistemi është i angazhuar në funksion të parandalimit të përhapjes, duke pasur gatishmërinë për të bërë identifikimin e rastit të parë që ende nuk është shfaqur”, tha Rama.

Ai u kërkoi të gjithë qytetarëve që të mos alarmohen nga infodemia dhe të qëndrojnë larg lajmeve dhe informacioneve jozyrtare”. “Vendosni maskë në vetëdije për të përballuar rezultatet e klikimeve kuturu në portale që flasin vetëm për vdekje dhe fundin e botës. Fundi i botës nuk po afron dhe koronavirusi nuk kërcënon të sjellë fundin e botës. Statistikat e deritanishme mbi personat që për fat të keq kanë humbur jetën, thonë se prek më të moshuarit fare në mënyrë shumë kërcënuese për jetën dhe të sëmurët. Deri tani është kapërcyer me sukses të plotë nga fëmijët dhe personat e shëndetshëm”, tha Rama.%atsh

Koronavirusi/ Rama: Mbrohuni nga infodemia, në Shqipëri asnjë i prekur deri tani Read More »

PD: Jo një mandat i tretë për Ramën

Partia Demokratike deklaron se “për Edi Ramën nuk do të ketë më një mandat të tretë”.

Partia Demokratike nëpërmjet një njoftimi shprehet se “në 2 mandatet e Ramës kryeministër më shumë se 300 mijë shqiptarë u larguan nga vendi. Me korrupsion, krim, arbitraritet dhe papunësi, Rama e barazoi Shqipërinë me vendet që janë në luftë për nga numri i lartë i shqiptarëve azilkërkues në Bashkimin Europian”.

“Poshtërsi është të mohosh këtë të vërtetë, duke bërë me faj herë Bashkimin Europian, herë shqiptarët që ikin se nuk pajtohen me qeverisjen e keqe të Edi Ramës. Kjo do të marrë fund me votë të lirë! Për Edi Ramën nuk do të ketë më një mandat të tretë! Për Shqipërinë nuk do të ketë më eksod!”, shprehet PD./atsh

PD: Jo një mandat i tretë për Ramën Read More »

Manifestimi i Metës/Basha: Së bashku në mbrojtje të Kushtetutës

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha deklaroi sot se do të marrë pjesë në manifestimin e 2 marsit të Presidentit Ilir Meta.

“Si qytetar i vendit tim, si bashkëshort dhe si prind, është detyra ime të mblidhem së bashku me bashkëqytetarët e mi në mbrojtje të kushtetutës”, deklaron Basha.

Më herët, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi tha se “Kushtetuta është marrëveshja më e rëndësishme e një shoqërie që garanton bashkëjetesën tonë. Kur shkelet Kushtetuta, bie shteti, bie demokracia, cenohen të drejtat e njerëzve. Çdo qytetar duhet të reagojë. I ftoj anëtarët dhe mbështetësit e Partisë Demokratike të bashkohen në manifestimin e 2 Marsit, në mbrojtje të Kushtetutës në Bulevardin Dëshmorët e Kombit”./atsh

Manifestimi i Metës/Basha: Së bashku në mbrojtje të Kushtetutës Read More »

Udhëheqësit e dekadës së re, Balla ftesë të rinjve brenda dhe jashtë vendit

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla ftoi sot çdo të ri e të re të vendit dhe jashtë Shqipërisë, për të konkurruar në sfidën e udhëheqësve të rinj të dekadës së re 20-30.

Balla deklaroi se “Dita e tretë e Kongresit iu dedikua të rinjve. Partia Socialiste fton çdo vajzë dhe djalë të ri në çdo bashki të vendit, por edhe jashtë Shqipërisë, të bëhet pjesë e fressh-VOICE dhe të konkurrojë në sfidën e udhëheqësve të rinj të dekadës së re 20-30”.

Sipas tij, udhëheqëset e reja dhe udhëheqësit e rinj duhet të konkurrojnë sipas parimit të bashkëdrejtimit, pra një vajzë dhe një djalë së bashku do të bashkëpunojnë për të fituar mbështetjen dhe fituar sfidën.

Më tej, ai ka lajmëruar se rregullat e sfidës, për mënyrën sesi mund të bëhesh pjesë e “Zërit të të Rinjve Socialistë”. /atsh

Udhëheqësit e dekadës së re, Balla ftesë të rinjve brenda dhe jashtë vendit Read More »

Bashkëqeverisje/ Mbi 32 mijë ankesa të zgjidhura

Këtë javë numri ankesave të zgjidhura nga platforma e bashkëqeverisjes në nivel qendror është 32785 ndërsa numri total i ankesave të regjistruara është 51205.

Në nivel vendor janë regjistruar 4481 raste të zgjidhura nga 9839 në total, në rastet e biznesit numri total i ankesave të zgjidhura është 740 nga 2010 numri i ankesave të regjistruara.

Sipas shifrave të publikuara nga “Pasqyra e qeverisjes” këtë javë, rezulton se janë dhe 11 raste të spikatura të zgjidhura përmes platformës së bashkëqeverisjes. Konkretisht janë 4 nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, 3 ministria e Financave dhe Ekonomisë, 2 ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, 1 ministria e Arsimit dhe Sportit, 1 ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Numri i “log in” në faqen e platformës për javën që sapo mbyllëm ishte 129781 ndërsa numri i regjistrimeve të reja kap shifrën e 21071. “Shqiperiaqeduam.al” është kthyer në një nga platformat më të besueshme për qytetarët shqiptarë, ku përmes një mesazhi shumë shpejt mund të gjendet zgjidhje për problemet dhe ankesat e tyre./atsh

Bashkëqeverisje/ Mbi 32 mijë ankesa të zgjidhura Read More »

Parashikimi i motit, 2 mars 2020

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, moti për ditën e sotme parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura.

Reshjet e shiut parashikohen që prej orëve të para prej mesnatës me intensitet të ulët deri mesatar në veriperëndim. Në pjesën tjetër të vendit shi i dobët lokal.

Era do të fryjë nga kuadrati i jugut hera herës e fortë në pjesën bregdetare duke sjellë dhe det trazuar të forcës 5-6 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 10/20 re shi
Kukës 6/16 re shi
Lezhë 9/20 re shi
Dibër 3/15 shi diell
Durrës 13/21 shi diell
Tiranë 10/20 shi diell
Elbasan 10/19 shi diell
Berat 8/20 shi diell
Vlorë 12/21 shi diell
Korçë 3/16 shi diell
Gjirokastër 8/19 shi diell
Sarandë 13/21 shi diell/atsh

Parashikimi i motit, 2 mars 2020 Read More »

Shqipëria, në 5 vendet e para të botës për barazinë gjinore në qeverisje

“Ne nuk jemi në fillim, por as në fund të një projekti politik për një rilindje shqiptare ndaj krahas atyre që kemi arritur kemi operacione jo të vogla për të kryer qoftë për të shëruar plagët e vendit, qoftë për të pastruar organizmin tonë politik, është një pastrim i vazhdueshëm që duhet të shkojë më thellë dhe detyra jonë është ti bëjmë të dyja pa ngurrim dhe papushim”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në ditën e dytë të Kongresit të Partisë Socialiste.
“Kush në këtë sallë apo jashtë saj që ka mbështetjen e socialistëve si udhëheqës si ministër, deputet si delegat kryetar partie bashki si kryetar organizate socialiste që nuk e ka kuptuar se çfarë kërkohet dhe nuk ka energji për të bërë më shumë kilometra se çka bërë për të arritur këtu duhet dhe do hapë krahun. Duhet dhe do hapë krahun kush nuk ka kuptuar se PS-ja nuk është pronë ekskluzive e asnjë shefi sado i madh apo i vogël që nga kryetarët e organizatave deri tek shefat në Tiranë”.

“Pse e them këtë, e them për shumë arsye, por një arsye që vazhdon të ma bëjë të pamundur të jem i kënaqur me punën që bëhet në PS nga të gjithë nga i pari tek i fundit është se akoma sot në vitin 2020 ne kemi gardhe dhe mure dhe kanale për të kapërcyer për njerëzit që duan të na bashkohen pa fund. Akoma sot në 2020 ne kemi kryetarë organizatash, deputetë, udhëheqës që jo vetëm nuk arrijnë të shtyjnë më fortë për t’i rrëzuar këto gardhe e këto mure, por përkundrazi i justifikojnë gardhet e muret jo këtë e kemi shok të mirë, kemi që nga koha e luftës, ndërkohë që luftë ka bërë vetëm ai që është 100 vjeç këtu, njeri tjetër këtu luftë s’ka bërë. I humbi këto zgjedhje ky kryetar organizate, por ta mbajmë se shiko si është puna dhe ndërkohë ky tjetri po na prish punë se na solli një nga PD-ja, nga LSI-ja, po si mund ta lëmë ne partinë në dorën e këtyre. Ju erdhi keq juve që e latë partinë në dorën time”, – tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “kulmi i kulmit ne vendosim që në çdo organizatë të ketë një bashkëkryetare grua, ndërkohë që tani që flasim akoma nuk i kemi bashkëkryetaret gra aty ku i kemi organizatat. Dhe këtë thirrje e kam për gratë që janë këtu dhe të gjitha gratë që na dëgjojnë, po e latë këtë në dorë të Kryesisë së PS-së, në dorë të deputetëve, po e latë këtë në dorë të shefave nuk do të bëhet kurrë. Merreni në dorë vetë dhe refuzoni çdo kryetar organizate që nuk hap dyert për gratë dhe që nuk pranon të ketë në krah një grua si bashkëkryetare, refuzojeni, denoncojeni, shkatërroheni fare sepse nëse ka një mundësi reale që nët shtojmë forcën tonë elektorale janë gratë, burrat çfarë kanë pasur për ta bërë e kanë bërë dhe tani janë vetëm çfarë marrin, jo çfarë japin”.

Janë gratë, vijoi Rama, vetëm gratë dhe nëse ka një arsye madhore për të qenë krenarë në këtë PS që nuk do mund dot ta zëvendësonte në këtë pikë është fakti se falë kësaj partie jemi në 5 vendet e para të botës për barazinë gjinore në qeverisje.

Kryeministri Rama tha se “ka shumë profesorë, ideologë, analistë, komentatorë, por ka dhe shumë brenda nesh, brenda rrethit të shefave të mëdhenj që thonë këto gratë në qeveri i kemi me profil të ulët politik, janë pak si teknike ne na duhen politike”.

“Unë po ju them se kjo është thjesht e vetëm mënyra e gabuar për të parë se çfarë janë ministrat dhe çfarë duhet të bëjnë ministrat dhe nga ana tjetër, po ju them që puna e grave e të gjithave në qeveri është një punë që garanton siguri për të gjitha punët që ne duam të bëjmë si qeveri ashtu sikundër ministrja e Drejtësisë mund të jetë dukur teknike, sot e patë këtu dhe të jeni të sigurt siç patë ministren e Drejtësisë mund të shikojmë shumë më tepër gra që të marrin shumë më tepër forcë falë faktit që dinë çfarë thonë dinë pse luftojnë dhe mbi të gjitha janë të vendosura për ti çuar përpara punët e tyre”, – nënvizoi Rama. /atsh

Shqipëria, në 5 vendet e para të botës për barazinë gjinore në qeverisje Read More »

Lleshaj: OFL dëshmi e seriozitetit në luftën kundër krimit, receta unike për një Shqipëri më të mirë

“Shqipëria sot është një vend më i sigurtë nga sa ishte në vitin 2013. Operacionet e policore kanë goditur fort dhe masivisht shumicën e grupeve kriminale, të krimit të organizuar në vend”.

Kështu e nisi fjalën e tij ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj në Kongresin e Partisë Socialiste, ku theksoi se “Operacioni Forca e Ligjit ka filluar me forcë të çmontojë logjistikën kriminale të akumuluar përgjatë këtyre viteve. Të gjithë treguesit e kriminalitetit janë në minimumet historike të regjistruara në vend prej tri dekadash”.

Sipas tij, 45% më pak vrasje ka në Shqipëri krahasuar me 2013 , 21% më pak aksidente rrugore.

“Ne kemi zhbërë historinë e kanabisit në vendin tonë. Bashkëpunimi ndërkombëtar i Policisë së Shtetit me policitë ndërkombëtare ka arritur në nivele të panjohura më parë në vendin tonë, ajo gëzon sot reputacion të gjerë të madh dhe besim të padiskutueshëm mes shumë agjencive homologe perëndimore. Së bashku kemi arritur ti pastrojmë rrugët e vendit tonë nga murtaja e basteve dhe spekulantët e bizneseve e të fatit të cilët çuan shumë qytetarë në zgrip të ekzistencës dhe fatin e tyre e të familjeve të tyre”, – nënvizoi Lleshaj.

Ministri Lleshaj u shpreh se “në 2019 në Shqipëri erdhën 82% më shumë turistë sesa erdhën në 2013. Me këtë nuk dua të them se kemi mbërritur aty ku duam apo aty ku duhet nuk dua të them se jemi mirë, por me këto tregues ne kemi provuar se me këto tregues ne mund të shkojmë atje ku duam dhe do të mbërrijmë atje ku duhet. Ne do ti thellojmë më tej të gjitha sukseset në të gjitha fushat rendit dhe sigurisë publike. Lufta kundër krimit të organizuar ka hyrë në fazë të re dhe historike. ne do ti shkatërrojmë burimet financiare dhe logjistikë të krimit të organizuar ne do ta zhbëjmë modelin e biznesit të ngritur mbi krim, i cili dekurajon biznesin e ndershëm dhe investimet e huaja, të dyja nuk mund të bashkëjetojnë prandaj ne do të shkatërrojmë të parin, për t’i hapur rrugë të dytit”.

“OFL është një tjetër dëshmi se jemi seriozë dhe të vendosur për një Shqipëri më të lirë dhe të drejtë. Përkrahja e gjerë publike ndaj këtij operacioni është inkurajim për thellimin e mëtejshëm të tij. Ky operacion është receta unike për një Shqipëri më të mirë dhe të lirë nga krimi”, tha Lleshaj.

Duke prezantuar tre sfidat e radhës Lleshaj tha se “do të kemi rrugë më të sigurta, parandalim dhe goditje e fortë ndaj dhunës në familje dhe afrimi i policisë shqiptare me komunitetin. Policia e Shtetit duhet të bëhet çdo ditë e më shumë polici e komunitetit”./atsh

Lleshaj: OFL dëshmi e seriozitetit në luftën kundër krimit, receta unike për një Shqipëri më të mirë Read More »