Aktualitet

Bashkëpunim gjermano-francezo-shqiptar në hulumtimin e qytetit antik të Apolonisë

Qendra e gërmimeve në Apoloni, në afërsi të Fierit, është një vend ku sot takohen arkeologe dhe arkeologë nga shtete të ndryshme.

Gjatë një vizite me studiuese dhe studiues të ndryshëm ambasadori gjerman në Shqipëri, Peter Zingraf, ambasadorja e Francës në Shqipëri, Christina Vasak dhe ajo greke Sophia Philippidou vizituan qendrën e gërmimeve në Apoloni.

“Ambasadori Gjerman Zingraf dhe kolegia franceze Christina Vasak si dhe ajo greke Sophia Philippidou mundën të bindeshin lidhur me fraktin, se sa mirë funksionon bashkëpunimi gjermano-francezo-shqiptar në hulumtimin e këtij qyteti antik”, thekson ambasada gjermane në një njoftim.

“Në kuadrin e një takimi ndërkombëtar në kontekstin e muajit të frankofonisë, ekipe të ndryshme kishin patur mundësi të prezantonin paraprakisht në Tiranë rezultatet e punës së tyre”, shton Ambasada e Gjermanisë në Tiranë./atsh

Bashkëpunim gjermano-francezo-shqiptar në hulumtimin e qytetit antik të Apolonisë Read More »

Çdo qytetar të bëjë detyrën e vet, masa drastike në terren

Kryeministri Edi Rama i bëri thirrje sot çdo qytetari që të bëjë detyrën e vet, ndërsa theksoi se masa drastike janë marrë në terren për personat e kthyera nga vendet e prekura.

“Mënyra se si ne reagojmë dhe masat që ne do të marrim ndryshojnë edhe formën që merr epidemia dhe aftësinë për ta vënë në kontroll pasi nëse shpërthen kolapson sistemin. Kolapsoi në Itali, ka ardhur puna që Italia trajnon mjekë të profileve të tjera për të bërë reanimatorin, të mos ketë pajisje, sepse masat u morën në një ritëm që rezulton të mos jetë i duhuri”, tha Rama.

Ai kërkoi që të mos bëhen karshillëqe, pasi koronavirusi është kërcënim jo vetëm personal, por edhe për të afërmit e miqtë. “Në Itali u bënë shumë karshillëqe nga të rinj e të reja duke thënë se nuk ‘pyesim për koronën’, ‘këto nuk ndihmojnë’”, tha Rama.

Kryeministri paralajmëroi se tani që flasim do të fillojnë të dalin forcat e Policisë dhe ato ushtarake për të kontrolluar ata që duhet të jenë në shtëpi, sepse ata duhen mbrojtur, dhe familjet e tyre, se nesër mund të jetë vonë./atsh

Çdo qytetar të bëjë detyrën e vet, masa drastike në terren Read More »

Manastirliu: Në rast se nuk zbatohen rregullat, mund të kemi disa qindra të prekur me koronavirus

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi sot se në rast se qytetarët nuk respektojnë rregullat dhe masat drastike të ndërmarra nga qeveria, sipas planit parashikohen qindra të prekur me koronavirus.

“Plani ynë i bazuar në planin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në tre drejtime kryesore, kufizo përhapjen e virusit, vono përhapjen e tij, lehtëso pasojat e tij ka rëndësi edhe në atë që po bëjmë sot si qeveri dhe ministri e Shëndetësisë duke zbatuar një plan masash agresiv, një plan masash i cili ndryshon çdo ditë në bazë të dinamikës dhe të gjithë ngjarjeve që ndodhin në territor në raport me epidemiologjinë, në raport me zbulimin e rasteve dhe kontakteve të tyre. Është e rëndësishme për të theksuar dhe për t’iu dhënë një informacion sesi qëndron e vërteta kur flasim për zbatimin e rregullave dhe prandaj e kemi vënë theksin në zbatimin e rregullave. Sa më shumë masa marrim në këtë moment duke forcuar ditë pas dite masat, aq më shumë, aq në kurbën normale që është kurba lejla, ne do të vijojmë normalitetin e pandemisë sa i përket asaj që do të ndodhë në Shqipëri. Ne kemi realizuar disa skenarë. Sigurisht që këto janë skenarë që rifreskohen çdo ditë, janë fleksibël. Në skenarët tanë ne parashikojmë disa qindra të prekur në Shqipëri, të cilëve padyshim duhet t’u ofrojmë mundësinë që të marrin shërbimin adekuat në sistemin tonë shëndetësor”, -u shpreh Manastirliu.

Duke iu referuar grafikut të Qendres së Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve, ajo tha se “në këtë grafik të thjeshtë dhe shumë të kuptueshëm të Qendrës së Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve i cili thotë se nëse ne nuk i zbatojmë rregullat e nëse nuk merren masat e duhura, atëherë vendos në rrezik sistemin shëndetësor sepse nuk arrin dot sistemi shëndetësor të përballojë fluksin që do të shkojë në spitale për raste të cilat duhet të trajtohen. Dhe duhet të kuptojmë diçka që sistemi duhet të jetë i përgatitur jo vetëm për raste që janë dhe duhet të trajtohen me koronavirusin e ri por ndërkohë duhet të trajtojë të gjitha rastet të cilat vuajnë nga sëmundje të tjera, të cilat kanë nevojë të marrin shërbim shëndetësor”.

Ministrja u bëri apel edhe mjekëve e infermierëve të jenë të kujdesshëm.

“Thirrja edhe njëherë: sa më shumë ne të zbatojmë masat që qeveria ndërmerr aq më pak kosto do të kemi. Ndaj është momenti i duhur që të reflektojmë për sjelljen individuale. Pikërisht, kjo kurbë apo këto kurba na mësojnë si të sillemi, çfarë të masash të marrin dhe të vlerësojmë kapacitetet tona. Sigurisht që, kapacitete tona varen nga shumë elementë që është numri i mjekëve, infermiereve, mundësia për t’u ruajtur për mjekët dhe infermierët është shumë e rëndësishme nëpërmjet materialeve të mbrojtjes personale, pajisjeve të mbrojtjes personale, sepse ka shumë rëndësi që mjekët dhe infermierët të mos preken nga virusi. Kam një thirrje për mjeket dhe infermierë: ju lutem të jeni të kujdesshëm dhe mos neglizhoni në përdorimin e mjeteve mbrojtëse sipas OBSH”, -tha ndër të tjera Manastirliu./atsh

Manastirliu: Në rast se nuk zbatohen rregullat, mund të kemi disa qindra të prekur me koronavirus Read More »

Angazhim në luftën kundër COVID-19, 1 mijë euro bonus edhe për mjekët në pension

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se i kemi të gjitha kapacitetet e nevojshme për të përballuar një fluks të madh të prekurish me COVID-19, ndërsa bëri të ditur se në kuadër të masave të marra janë thirrur edhe mjekë epidemiolog që janë në pension për të dhënë kontributin e tyre.

Gjatë një komunikimi live së bashku me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu për masat e marra dhe shqetësimet e qytetarëve, Kryeministri Rama tha se qeveria ka vendosur dhënien e një bonusi edhe për mjeket dhe infermierët në pension që do të angazhohen dhe se fondet janë aktive që këtë muaj.

“Kemi të gjitha kapacitetet e nevojshme për disa qindra në projeksionin më negativ, bazuar në modele e algoritme. Masat na ndihmojnë ta shtrijmë në kohë situatën. Ne vazhdojmë të përgatitemi për të patur gatishmëri në sistem. Problemi është numri i mjekëve, pasi na duhen të jenë të gatshëm në të gjithë harkun e kohës.

“Kemi thirrur për mjekë, infermierë dhe epidemiologë që kanë lënë gjurmë në sistemin tonë shëndetësor të na bashkohen dhe për ta do të vëmë bonusin 1 mijë euro mbi pensioni njësoj si me stafin mjekësor në vijën e parë të luftës, bonus 1 mijë euro mbi rrogën që do të jetë aktiv në fund të muajt mars” tha Rama

“Fondi do të jetë aktiv në fund të muajit mars për të gjithë mjekët e infermierët, ashtu si për shoferët e sanitarët në vijën e parë të luftës. Bonusi do të jetë mbi rrogën apo pensionin. Gjithçka është e planifikuar dhe e parashikuar”, deklaroi Rama.//atsh

Angazhim në luftën kundër COVID-19, 1 mijë euro bonus edhe për mjekët në pension Read More »

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve: Shmangni sportelet, aplikoni online për çdo kërkesë

Në kuadër të masave të marra për të shmangur përhapjen e koronavirusit COVID-19, me qëllim zvogëlimin sa më shumë të kontakteve fizike në zyrat tona të Shërbimit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve fton të gjithë tatimpaguesit dhe individët e interesuar, të përdorin mënyrat elektronike të komunikimit për marrjen e shërbimeve që iu nevojiten:

Duke aplikuar online në portalin “e-Albania” për 11 shërbimet e mëposhtme:
Nr. Emërtimi i shërbimit
1 Vërtetim për pagim detyrimesh
2 Vërtetim për pagimin e kontributeve nga subjekti
3 Vërtetim për pagimin e kontributeve për individin
4 Vërtetim për posedim mjeti
5 Vërtetim për regjistrim të investitorit
6 Vërtetim për statusin e tatimpaguesit (aktiv-pasiv)
7 Vërtetim për përgjegjësitë tatimore
8 Vërtetim për tatimpaguesit e regjistruar për qarkullimin e realizuar për 3 vitet e fundit
9 Vërtetim për individ të paregjistruar
10 Lëshim certifikatë rezidence për subjekte
11 Konfirmim listëpagesash
Duke dërguar kërkesën në llogarinë e deklarimit elektronik e-filing, në menynë Çështje të Përgjithshme, për: ndryshim apo shtim të përgjegjësive tatimore, për vërtetime të ndryshme të cilat nuk mund të aksesohen nga portali “e-Albania”, apo informacione të ndryshme në lidhje me legjislacionin tatimor, etj.
Për çdo problematike që do të hasni, apo shërbime të asistencës së përgjithshme, ju mund të kontaktoni:
Nëpërmjet e-mailit apo telefonit, Zyrat e Shërbimit për tatimpaguesit në çdo Drejtori Rajonale Tatimore:
Nr Drejtoria Rajonale Pref. Nr.Tel. E-mail
1 Tatimpaguesit e Mëdhenj 04 2425902 [email protected]
2 Tirana 04 2425903 [email protected]
3 Durrësi 052 222 061 [email protected]
4 Vlora 033 237055 [email protected]
5 Berati 032 235994 [email protected]
6 Fieri 034 222 405 [email protected]
7 Elbasani 054 258 207 [email protected]
8 Korça 0822 43 304 [email protected]
9 Lezha 0215 22467 [email protected]
10 Shkodra 022 254866 [email protected]
11 Dibra 0218 222 29 [email protected]
12 Gjirokastra 084 262205 [email protected]
13 Kukësi 0242 22628 [email protected]
14 Saranda 0852 25264 [email protected]
Qendrën e Thirrjeve në numrin pa pagesë 0800 0002 si dhe Live chat nëpërmjet faqes zyrtare e internetit: https://www.tatime.gov.al/
Ndërkohë që mund të dorëzoni kërkesën tuaj në:
kutinë postare tek çdo DRT, apo
mund ta dërgoni atë nëpërmjet shërbimit postar.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve kërkon mirëkuptimin e çdo subjekti apo qytetari dhe ju fton të përdorni mënyrat e mësipërme të komunikimit, për të parandaluar sa më shumë përhapjen e virusit COVID-19./atsh

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve: Shmangni sportelet, aplikoni online për çdo kërkesë Read More »

COVID 19/ Ushtria në mbështetje të Policisë për kontrollet, postblloqe në Tiranë dhe në rrethe

Në kuadër të masave të ndërmarra nga qeveria për të minimizuar mundësinë për përhapjen e koronavirusin, Covid 19, Shefi i Shtabit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Bardhyl Kollçaku ka nisur inspektimet në të gjitha postoblloqet e ngritura në Tiranë.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, Shefi i Shtabit të FA, Kollçaku dhe komandanti i Policisë Ushtarake, Altin Kurti, nisën inspektimet nga piramida, për të kaluar në të gjitha postoblloqet e ngritura nga FA-të dhe Policia në Tiranë.

Kollçaku deklaroi se detyrat e FA-ve janë në mbështetje të Policisë së Shtetit për të kontrolluar apo sensibilizuar qytetarët, kryesisht ata që kanë udhëtuar në Itali e Greqi. Sipas tij, nuk ka një afat se sa do të zgjasë ky plan por deklaroi se do të jenë edhe në qytete të tjera jo vetëm në Tiranë.

“Detyrat e FA-ve në këto moment janë që të jenë në mbështetje të policisë së shtetit për të kontrolluar, sensibilizuar qytetarët, kryesisht ata që kanë udhëtuar në Itali e Greqi për t’i detyruar të vetëkarantinohen. Do të vazhdojnë për aq kohë sa është e nevojshme. Planet tona janë fleksibël. Aktualisht shtrihen dhe në qytete të tjera të Shqipërisë, ka një plan të detajuar”,- deklaroi Kollçaku.atsh

COVID 19/ Ushtria në mbështetje të Policisë për kontrollet, postblloqe në Tiranë dhe në rrethe Read More »

Masat ndaj koronavirusin/ Pezullohet përkohësisht veprimtaria e organeve administrative shtetërore të Policisë Rrugore

Në kuadër të masave të marra me qëllim parandalimin e përhapjes së coronavirusit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu ka nxjerrë urdhrin “Për pezullimin e përkohshëm të veprimtarisë dhe shërbimeve të OASH-ve për trajtimin e kundërvajtjeve administrative”.

Nisur nga situata e krijuar në vend, në kushtet e mbrojtjes dhe të parandalimit të përhapjes së virusit COVID 19, të nevojës për shmangien e kontakteve fizike të punonjësve të Policisë Rrugore në seancat e verifikimeve të kundërvajtjeve administrative prej organeve administrative shtetërore vendore, me qëllim vijimin e procedurës administrative dhe të shqyrtimit në një format në mungesë të kundërvajtësit dhe kufizimin e kontakteve fizike, deri në normalizimin e situatës shëndetësore në vend, ky urdhër, për një periudhë dyjavore, parashikon:

Pezullimin e veprimtarisë së organeve administrative shtetërore të Policisë Rrugore pranë sektorëve të Policisë Rrugore në Drejtoritë Vendore të Policisë, në mënyrën si zhvillohet sot me prezencën e kundërvajtësit.

Aktiviteti administrativ i OASH-ve për shqyrtimin e masave plotësuese dhe ato me gjobë do të vazhdojë të zhvillohet në mungesë të kundërvajtësve, duke shmangur praninë e tyre në zhvillimin e seancave verifikuese dhe të shqyrtimit të tyre.

Vendimet e marra nga ana e OASH-ve do t’u dërgohen me postë të zakonshme kundërvajtësve dhe menjëherë, sapo vendimi të merret, pasqyrohet në E-GJOBA.

Agjentët verifikues dhe patrullat e Policisë Rrugore, në çdo rast që konstatojnë shkelje rrugore që janë objekt shqyrtimi pranë OASH-ve, i transmetojnë kundërvajtësit detyrimin për mosparaqitjen në OASH dhe i kërkojnë, kundrejt miratimit të tij, një numër telefoni celular, të cilin e vendosin në rubrikën e “adresës” tek procesverbali i konstatimit të shkeljes, në të gjitha kopjet. OASH-ja respektive, në rastet kur është e mundur, i dërgon në numrin e deklaruar nga qytetari në aplikacionin WhatsApp, vendimin në formatin PDF. Njëkohësisht, me procedurë të rregullt postare i dërgon kundërvajtësit, vendimin e firmosur dhe vulosur.

Në të gjitha rastet do të respektohen afatet e përcaktuara në Kodin Rrugor./atsh

Masat ndaj koronavirusin/ Pezullohet përkohësisht veprimtaria e organeve administrative shtetërore të Policisë Rrugore Read More »

Prindërit në shtëpi të kujdesen për fëmijët, shërbimet vetëm online. Puna e një pjese të administratës nga shtëpia me kompjuter

Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, për masa të tjera për parandalimin e koronaviruesit, Kryeministri Edi Rama tha se “është e domosdoshme të kufizojmë lëvizjet duke marrë një sërë masash për kufizimin e lëvizjes, si puna nga shtëpia e një pjesë të administratës, leje pushimi nënat me fëmijë në kopshte e çerdhe, si dhe mbyllja e shërbimit ADISA dhe shërbimet do merren online, apo kufizimi i vizitave në spitale”.

Në fjalën e tij, Rama tha se është e domosdoshme të kufizojmë lëvizjet, lëvizje që në jetën e përditshme janë të nevojshme, por që nuk janë jetike dhe sot është një luftë për të mbrojtur jetën e çdo kujt rreth nesh.

“Nuk mund dot të shkojmë në klub dhe t’ja sjellim koronën gjyshes apo gjyshi. Nuk mund dot të shkojmë në palestër dhe t’ja sjellim sëmundjen, bashkëshortes shtatzënë. Nuk është një luftë që do zgjasë me vite por është një luftë që çdo minut është sa një vit. Kërkon vullnet dhe disiplinë në një të përditshme të reduktuar”, tha ai.

Për këto arsye, Rama theksoi se “nga dita e nesërme do çojmë në shtëpi të gjithë atë pjesë të administratës që mund të vazhdojë të punojë përmes kompjuterit, që bën punë zyre që kanë kompjuter dhe zakonisht bënë atë punë”.

Po ashtu, Rama tha se “për këtë arsye ne nga nesër nuk do të japim më shërbime dhe për sportelet për të gjithë aplikimet online. Për këtë arsye nesër shërbimi i ADISA mbyllet dhe të gjitha shërbimet do të merren online”.

Gjithashtu, Rama tha se “për këtë arsye të gjithë prindërve që kanë një fëmijë në moshën e çerdhes, kopshtit apo arsimit bazë, dhe që nuk janë në këtë pjesë të administratës që do të shkojnë nga shtëpia për të punuar nga shtëpia ne do t’i japim menjëherë leje për të shkuar në shtëpi dhe mbajtur fëmijë për të kufizuar kontaktet me të tjerët”.

Rama tha se do të përballemi me seriozitet me dinjitet duke kontribuuar për familjen për njëri-tjetrin dhe shoqërinë.

“Nuk do të lejojmë të shkojnë pranë spitaleve jo vetëm ata që janë të afër të sëmurëve por edhe ata të cilën në ditë të zakonshme nisen drejt spitalit për të parë njëherë se mos kanë ndonjë gjë, jo. Konsulta në spital do të bëhet sipas skenarit dhe planifikimit për gjendjen e luftës”, tha ai./atsh

Prindërit në shtëpi të kujdesen për fëmijët, shërbimet vetëm online. Puna e një pjese të administratës nga shtëpia me kompjuter Read More »