Aktualitet

Basha shpërndan mesazhin e ekipi mjekësor: Ju jeni heronj, Shqipëria ju sheh me admirim

Kryetari i PD-së Lulzim Basha poston fotot dhe mesazhin e shpërndarë nga ekipi mjekësor i spitalit Infektiv duke i konsideruar heronj.

“Të dashur mjekë, infermierë dhe punonjës të shëndetësisë kudo në Shqipëri dhe personeli i Spitalit Infektiv në Tiranë! Jeni heronjtë tanë! Mendja dhe zemra e çdo shqiptari është me ju! Zoti ju dhëntë forcë dhe kurajo për ta përballuar këtë sfidë që kemi përpara! Në këto kohë ju nuk jeni vetëm prindër, bashkëshortë, bijë e bija, motra dhe vëllezër të familjarëve tuaj, por të të gjithëve ne bashkqytetarëve tuaj”, shprehet ai.

“Mirënjohje të thellë kombëtare për secilin prej jush! Askush nuk ju sheh çuditshëm, e gjithë Shqipëria ju sheh me admirim për punën dhe përkushtimin tuaj! Zoti ju bekoftë ju dhe të afërmit tuaj! Zoti e bekoftë Shqipërinë!”, tha ai./atsh

Basha shpërndan mesazhin e ekipi mjekësor: Ju jeni heronj, Shqipëria ju sheh me admirim Read More »

Mjeku Kalo: Qëndrimi në shtëpi nuk është sakrificë, por triumf për jetën ndaj rrezikut të virusit

Mjeku dhe profesori Tritan Kalo nuk e konsideron sakfricë qëndrimin në shtëpi në kuadër të frenimit të përhapjes së koronavirusit, por një përforcim të të drejtave për jetën, për triumfin e saj ndaj rrezikut vdekjeprurës.

Rrugët e Tiranës sot janë të zbrazura për shkak të pezullimit të qarkullimit, masa këto të marra në kuadër të frenimit të koronavirusit.

Nga ora 06:00 e ditës së sotme deri të dielën në mesnatë do të pezullohet edhe qarkullimi i automjeteve private dhe taksive në Tiranë, Durrës, Shkodër, Lezhë, Elbasan, Kukës, Lushnjë, Fier dhe Vlorë. Të vetmet automjete që do të lëvizim do të jenë autoambulancat, automjetet që kryejnë funksione shërbimi shtetëror dhe ato që transportojnë mallra.

Përmes një mesazhi, Kalo thotë se duhet vetndërgjegjësim në mënyrë që të përballohet kjo sëmundje.

“NUK është sakrificë… NUK është asnjë shkelje e të drejtave tuaja themelore… QËNDRIMI në shtëpi është vetëm e vetëm përforcim i të drejtave tuaja për JETËN, për triumfin e saj ndaj rrezikut vdekjeprurës, që MUNDET t’ju vijë në këto momente të Epidemisë së Covid-19… VETËNDËRGJEGJËSIMI ishte, është dhe do të mbetet “kyçi i artë” për përballjen me këtë sëmundje… NUK është aspak vetëflijim për ju, por vetëm e vetëm për Mjekët, Infermierët, Imazheristët, Farmacistët, Sanitaret dhe i gjithë stafi mbështetës në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive, i cili vigjilon për jetët tuaja… NA NDIHMONI që të kemi mundësinë t’ju ndihmojmë brenda kapaciteteve tona në betejën kundër Covid-19, duke mos u rrezikuar të infektoheni me shkeljen e shumë rregullave të arta të vetizolimit, kufizimit të lëvizjeve, mosgrumbullimit në mjedise publike, kujdesit ndaj higjienës personale dhe asaj kolektive, përkujdesit ndaj të moshuarve dhe të sëmurëve kronikë, si më të ekspozuarit dhe më të kërcënuarit. Ushqehuni shëndetshëm: uji, çaji apo lëngjet e ndryshme duhet ta mbajnë kurdoherë të njomë fytin tuaj, mos teshtini apo pështyni pa e kufizuar hedhjen e tyre në mjedisin rrethues… KUPTONI e ZBATONI me korrektesë udhëzimet e mjekëve dhe të Autoriteteve Ligjzbatuese… MOS u panikoni dhe krijoni mbingarkesë të panevojëshme për kapacitet e Shërbimeve Mjekësore Publike… JEMI së bashku në këtë betejë për vijimësinë e jetës… Si MANTELBARDHË Ju duam dhe Ju mirëkuptojmë, POR edhe Ju duhet të na mirëkuptoni dhe të respektoni ato çka Ju këshillojmë… We will win that war!!!”, thotë Kalo. /atsh

Mjeku Kalo: Qëndrimi në shtëpi nuk është sakrificë, por triumf për jetën ndaj rrezikut të virusit Read More »

Brataj: Në kushtet e pandemisë, me rëndësi qëndrimi në banesë për 14 ditë

Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj deklaroi se në kushtet e pandemisë nuk ka kuptim kryerja e sa më shumë tamponëve por qëndrimi i qytetarëve në banesë për 14 ditë, në mënyrë që virusi të mund të mos transmetohet.

”Dje nga 2066 thirrje të kryera për koronavirusin, 84 janë skeduar si skena për t’u marrë tamponë. Pra, jo çdokush për t’iu hequr qetësinë që kam apo nuk kam, nuk i bëhet tamponi sepse nuk ka sens. Në kushtet e pandemisë është një rregull tjetër që nuk bëhen më këto teste, për rastet që nuk kanë indikacion. Në Kinë, studimi që u bë në Wuhan, në 78 mijë tampone që u kryen në fazën e parë kur ishte infeksioni shumë i lartë vetëm 0.14% e tyre doli pozitiv. Pra, nuk është testi që ndryshon as prognozën por janë masat drastike që njerëzit duhet të rrinë në shtëpi”, theksoi Brataj.

“Ne si mjekë dhe infermierë nuk rrimë dot sepse jemi në shërbim por njerëzit duhet të kufizojnë sa më shumë lëvizjet nga banesa, të dalin tek personat për nevojat emergjente dhe të kufizojnë lëvizjet ndërqytetare. Të gjitha këto janë masa për mospërhapjen e virusit dhe kjo ka një kohë dy javore. Pas dy javësh virusi shkatërrohet, nuk transmetohet më. Njerëzit këtë duhet të kuptojnë. Jo se u mbyllën shkollat dhe do të dalim tek kendet e lojrave, të dalim shëtitje në grupe. Njerëzit duhet të kuptojnë që duhet të jenë në banesat e tyre. Nëse do të shkojnë në supermerakatë, të shkojë vetëm 1 pjesëtar i familjes dhe të mos merret fëmija me vete. Pensionistët që janë më të ekspozuar nuk duhet të mblidhen e të luajnë domino tek parku para shtëpisë ose tek lulishtja. Duhet të marrin vesh që janë ata mbrojtësit e parë të vetës se tyre dhe të komunitetit dhe shoqërisë. Këto janë masa drastike që po i merr edhe qeveria sepse treguan efikasitetin si në Kinë dhe në Itali dhe ne kemi fatin e mirë që këto masa drastike u morën që me shfaqjen e virusit. Unë mendoj se nuk do të ketë ato përmasa shfaqja e infeksionit në popullsinë e Shqipërisë për arsye të marrjes së masave në mënyrë të menjëhershme”, -tha Brataj./atsh

Brataj: Në kushtet e pandemisë, me rëndësi qëndrimi në banesë për 14 ditë Read More »

Meta dhuron gjak: Është humanizëm, solidaritet dhe përgjegjshmëri

Në kuadër të nismës së ndërmarrë prej Tij, “Aleanca për Dhurimin e Gjakut”, Presidenti i Republikës, Ilir Meta së bashku me anëtarë të Kabinetit dhe punonjës të Institucionit, dhuruan sot gjak në Qendrën Kombëtare të Tranfuzionit të Gjakut.

Me këtë rast, Presidentit Meta u shpreh se, “ishte kënaqësi, por edhe përgjegjësi e imja për të dhuruar gjak pas apelit të Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, pasi vetë situata është e tillë që kërkon një sensibilitet, humanizëm, solidaritet dhe përgjegjshmëri më të madhe, sidomos në ndihmë të fëmijëve, të të gjithë atyre që e kanë të domosdoshme dhurimin e gjakut për shkak të problemit të talasemisë”.

“Të mos biem pre e panikut, aq më tepër që ky është një proces mjaft i garantuar dhe tërësisht i shëndetshëm. Duhet ta vijojmë këtë aksion, sidomos për sa u takon të gjithë vullnetarëve të dhurimit të gjakut, të cilët janë të qëndrueshëm, aq më tepër në këto ditë kur nevoja është më e lartë dhe besoj se edhe solidariteti duhet të jetë më i forte”, ka theksuar Meta.

“Dëshiroj të falënderoj edhe personelin mjekësor për punën që po bën, si dhe të gjithë ata që i janë përgjigjur këto ditë këtij mesazhi dhe që jam i sigurt se do të vazhdojnë edhe në ditët e ardhshme të kontribuojnë vullnetarisht me dhurimin e gjakut”, ka shtuar ai.

I pyetur se përse nuk ka përdorur maska në këtë situatë gatishmërie, Meta ka thënë se, “të jeni të sigurtë se vij këtu pasi kam bërë një test të dyfishtë. Nuk kam kontaktuar askënd. Kam bërë gjithçka për të ruajtur distancat e domosdoshme. Ju kam tërhequr edhe ju vëmendjen që të mos rrini kaq pranë njëri-tjetrit, dhe ju përgëzoj që përdorni maskat”.

I pyetur në lidhje me masat që ka ndërmarrë deri tani qeveria shqiptare për parandalimin e përhapjes së rrezikut të “Coronavirus-it”, në një moment kur edhe Presidenca ka ngritur një Task-Forcë, Meta ka shtuar se, “Task Force” në Presidencë nuk zëvendëson apo dublon “Task Force”-n e qeverisë. Këto janë dy gjëra të ndryshme. Kjo është në funksion të Presidentit për shkak të atyre detyrave që ka Kreu i Shtetit për arsye të një situate, që kërkon monitorim të vazhdueshëm. Duhet të përqendrohemi që të gjithë te mesazhet e autoriteteve të shëndetit publik, te udhëzimet që jepen nga autoritetet shtetërore dhe qeveritare. Të gjithë ta kenë parasysh t’i referohen numrin 127, por ndoshta duhet parë mundësia edhe për ndonjë numër tjetër për të përballuar fluksin, kërkesat apo sqarimet, që kanë qytetarët. Të gjithë po bëjnë përpjekjet më të mira dhe vetëm të gjithë së bashku do ta kalojmë këtë situatë me sa më shumë kujdes, por e theksoj, edhe pa panik”.

“Në këtë drejtim sot mesazhi im shkon për të gjithë dhuruesit e qëndrueshëm, për vullnetarët e dhurimit të gjakut, të cilët kanë bërë një punë të shkëlqyer në vazhdimësi. Kjo Qendër Kombëtare ka nevojë edhe më shumë për ju, në mënyrë që t’u shërbejë të gjithë fëmijëve, të gjithë qytetarëve, të cilët kanë nevojë dhe të domosdoshme marrjen e gjakut”, ka theksuar kreu i Shtetit./atsh

Meta dhuron gjak: Është humanizëm, solidaritet dhe përgjegjshmëri Read More »

COV-19/ Nesër mbyllen edhe fasonet e Call Center, nga e hëna masa drastike nëse nuk përmbushen kushtet e sigurisë

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “nesër, edhe fasonët dhe kompanitë Call Center do ta kenë të ndaluar të qarkullojnë punonjësit e tyre, duhet të jenë të mbyllur, ndërsa nga fillimi i javës së ardhshme do të fillojnë inspektimet për garantimin e standardeve të sigurisë”.

Kryeministri Rama iu përgjigj pyetjeve të qytetarëve të shumtë lidhur me ecurinë punës në ndërmarrjet fasone dhe kompanitë Call Center.

“Po ju shpjegoj edhe njëherë standardet e thjeshta të sigurisë që nëse nuk garantohen do të marrim masa drastike që do të bien drejtpërdrejt në shpatullat e pronarëve. Duhet ta harrojnë se do të kërkojnë nga shteti para për shkak të mbylljes. Kjo është një mbyllje që nuk vjen si rezultat i kërkesës së shtetit në kohë të zakonshme, por si rezultat i zbatimit të rregullave dhe mosvënia në jetë e këshillave është papërgjegjshmëri që nuk do të shpërblehet në asnjë formë por përkundrazi do të ndëshkohet”, tha Rama.

Kryeministri sqaroi se “në asnjë vend, as në Itali edhe sot që flasim nuk është ndaluar aktiviteti prodhues”. Rama citoi qarkoren më të fundit të qeverisë italiane lidhur me fabrikat, aktivitetin prodhues sipas së cilës: “në kompanitë që ushtrojnë aktivitetin e tyre në mjedise prodhimi duhet të garantohet përdorimi maksimal nga shtëpia ose në distancë, për atë pjesë të punës që edhe fasonët mund ta japin për t’u bërë nga shtëpia”.

Po ashtu, sipas Ramës, qarkorja e qeverisë italiane kërkon: “të pezullohen të gjitha aktivitetet e departamenteve të kompanisë që nuk janë të domosdoshme për prodhimin, të merren protokollet e sigurisë kundër infektimit dhe kur nuk është e mundur të respektohet distanca, të bëhen shkurtimet e nevojshme brenda atij mjedisi, si dhe të dezinfektohen vendet e punës”.

Rama tha se “kjo nuk do të thotë se Italia apo edhe ne, po bëjmë ndarje klasash apo trajtim diskriminues për ata që punojnë në Call Center dhe fason”.

“Ne mbyllim bare, restorante, lokale, shmangim kontakte dhe grumbullime në të gjitha territoret dhe hapësirat ku nuk ka një sistem direkt kontrollues, një shef apo një numër të caktuar punonjësish”, tha ai./atsh

COV-19/ Nesër mbyllen edhe fasonet e Call Center, nga e hëna masa drastike nëse nuk përmbushen kushtet e sigurisë Read More »

Covid-19/ Lëvizja në këmbë nuk do të pezullohet, por nuk këshillohet në grup

Kryeministri Edi Rama, gjatë një deklarate për mediat, ditën e enjte, garantoi se lëvizja në këmbë nuk do të ndërpritet, por është e këshillueshme që kjo lëvizje të realizohet në distancë, jo në grup.

Kryeministri Edi Rama, gjithashtu nënvizoi se është me shumë rëndësi të kuptohet se po punohet për të ngadalësuar shpejtësinë e shpërndarjes, pasi sipas tij 80% e popullsisë do të preket nga ky virus, por nuk do ta marrë vesh që e kanë pasur, teksa pjesa tjetër do ketë shqetësimet e një gripi, ndërsa pjesa më e vogël 20% e 20%-it do të ketë nevojë dhe për vëmendjen më të madhe.

“Ecja në këmbë nuk do të pezullohet, por nuk është e këshillueshme në grup. Nuk është e këshillueshme askërrkund që familje të tëra të mblidhen te Liqeni e të qëndrojnë për piknik. Ecja po, lejohet, por jo në grup. Të dalin të ecin, por nuk është e këshillueshme të mblidheni të gjithë në bulevardin e Elbasanit për ditën e verës”,- tha Rama.

“Përsa i përket autobuzëve të punëtorëve, kur bëhet fjalë për kompani prodhuese, është shumë e rëndësishme të merren masa për t’u bërë dezinfektime, por flasim për më tutje, s’po flasim për këto tre ditë. Makinat që transportojnë ushqimore do lëvizin lirisht, duhet të ketë në kroskot listën e dërguar me email nga administratori i kompanisë në këtë adresën e emailit [email protected] , ku të shënohet emri, mbiemri i tij, targa e mjetit të shkruar me dorë nga ai vetë. Në mënyrë që të garantojnë kontroll të shpejtë dhe pa probleme. Po ashtu emrin e mbiemrin e administratorit dhe numrin e telefonit”,- tha Rama.

Kryeministri tha se qasja e vendit tonë është strikte.

“Po dëgjoja kryeministrin britanik, që sot shpjegoi pse në Britaninë e Madhe nuk do mbyllen shkollat dhe Universitetin, por masat do t’i përshkallëzojë më ngadalë, është një qasje. Përsa na takon, ne do të ndjekim qasjen strikte të përshkallëzimit, sipas planit për të ngadalësuar maksimalisht shpërndarjen e virusit”,- theksoi Rama.

“Nuk është ideja të bëjmë sa më shumë teste, nuk është ideja të kapim me teste të gjithë ata që kanë koronën. Koronën do ta marrin masivisht si një virus gripi, por njësoj si me virusin e gripit, siç tregon eksperienca e Kinës, 80% e jona s’do ta marrë vesh kurrë e patën apo jo. Dje dëgjuat kancelaren e Gjermanisë që tha se 60-70% e gjermanëve do të preken nga ky grip. Por siç ju thashë, 80% e atyre që do të preken s’do ta marrin vesh kurrë dhe 20% i atyre që do të ndjehen jo mirë, që do kenë shqetësime, është 20% që do kemi fokusin e vëmendjes. Te 20% prapë një pjesë e kalon si një grip, rrufë, pak temperaturë, këputje, dhimbje kockash, por nuk shkojnë në një gradë më të vështirë, më të rëndë. Dhe këto 80% e kalojnë në shtëpi, ndërsa pjesa tjetër ka nevojë kurimin. Nuk jemi këtu në kushtet kur duhet të bëjmë sa më shumë teste, por duhet t’i bëjmë teste personave që shfaqin simptomat dhe shqetësimet. Nuk ka kufizim për fluturimet, veç Italisë dhe SHBA, që i mbylli të gjitha fluturimet me Europën, pasi në SHBA duhet të prisni momentin që do rihapen fluturimet dhe kompanitë duhet të bëjnë shtyrjen për një datë tjetër. Air Albania do ta bëjë shtyrjen e biletës për në Itali. Atyre që i kalon data si rezultat i bllokimit, do të kenë të rezervuar vendin kur hapen fluturimet. Përsa i përket masave, ato janë dimanike dhe progresive”,- tha Rama.

“Masat nuk ndalojnë ardhjen e virusit, masat na japin mundësinë ta ngadalsojmë shpërndarjen. Pasi nëse shkojmë të gjithë në stadium, na ndodh një situatë ku ndodh rritja e shpejtë të rasteve dhe e atyre që kanë nevojë për shërbim në spital. Sepse kur Lombardia kolapsoi, kolapsioi sepse kishte më shumë pacientë që kishin nevojë për respiratorë se çfarë kishte mundësi dhe Italia sot po blen respiratorë, Kina i ofrojë një shumë të konsiderueshme dhe 1 000 infermierë sepse kolapsioi sistemi”,- shtoi Rama.

“Këto masat na ndihmojnë të ruajmë rritjen e numrin me gradualitet dhe të gjithëve t’u mundësojmë shërbimin në spital. Do kemi një situatë të vështirë. Këto që po them janë të konfirmuara nga të gjitha burimet e ekspertizës. Kjo nuk është as shaka, ku secili mund të japë opinionet e veta. Ata që thonë se duhet të kishin mbyllur kufirin e kanë gabim, se vende të tjera po e bëjnë me ngadalë”-, tha Rama./atsh

Covid-19/ Lëvizja në këmbë nuk do të pezullohet, por nuk këshillohet në grup Read More »

Rama përcjell mesazhin e Igli Tares: Masat që u morën në Shqipëri, në Itali u bënë me vonesë

Kryeministri Edi Rama përcolli mbrëmjen e sotme mesazhin e Igli Tares, i cili nga shtëpia e tij në Romë theksoi se ato masa që u morën në Shqipëri në Itali u bënë me vonësë

““Frikë jo, kujdes po! Dhe ju lutem:Të ruajmë veten dhe njëri-tjetrin duke kufizuar sa më shumë kontaktet fizike! Të lajmë duart sa më shpesh për jo më pak se 20 sekonda! Të kufizojmë daljet dhe uljet nëpër kafene e restorante, vajtjet në palestra, disko e në mjedise të mbyllura me kontakte të shumta! Të mbrohemi me maskën e arsyes nga INFODEMIA – lajmet, kronikat, komentet, debatet që krijojnë konfuzion, pasiguri, shkurajim! Të ndjekim me rigorozitet këshillat e autoriteteve shëndetësore dhe t’u referohemi informacioneve zyrtare!Faleminderit për këtë kontribut”, u shpreh Rama.

Mesazhi i Igli Tares, nga shtëpia e tij në Romë:

“Ato që u bënë në Shqipëri në Itali u bënë me vonesë. Ne jemi mbyllur në shtëpi dhe ju lutem bëjeni dhe ju. Mos dilni për qejf rruigëve dhe zbatoni rregullat se kjo është një luftë që fitohet me mbrojtje dhe jo me sulm. Duke u ruajtur mbrojmë njerëzit e familjes, mbrojmë veten tonë. Mos kini frik dhe ruajuni nga lajmet e rreme. Lani duart, hapni dritare, luani me fëmijët tuaj dhe kini besim se çdo gjë do të kalojë me sukses”, shprehet Tare./atsh

Rama përcjell mesazhin e Igli Tares: Masat që u morën në Shqipëri, në Itali u bënë me vonesë Read More »

“Unë rri në shtëpi”/ Balerini Kledi Kadiu apel qytetarëve shqiptarë kundër përhapjes së koronavirusit

Balerini i famshëm shqiptar, Kledi Kadiu, i cili punon dhe jeton në Itali i është bashkuar fushatës sensibilizuese kundër përhapjes së koronavirusit.

Ministria e Shtetit për Diasporën ka shpërndarë videon e ndërgjegjësimit nga balerini i mirënjohur shqiptar Kledi Kadiu për bashkëkombasit e tij në Shqipëri.

Kadiu është shprehur se “gjithçka do të shkoj mirë edhe në Shqipëri”.

“Unë rri në shtëpi. Rigorozitet dhe optimizëm si në Itali dhe në Shqipëri”, thekson Kadiu.

“Vetëm kështu do ta mundim, të gjithë bashkë”, shprehet balerini shqiptar.

“Atdhetarë këtej dhe andej Adriatikut, për shkak të përhapjes së koronavirusit po përjetojmë çaste të vështira, të papara në kohë paqeje. Gjithkush prej nesh duhet të bëjë atë që na kërkohet. Duke ndryshuar pak stilin e jetës. Unë rri në shtëpi. Ju ftoj ta bëni dhe ju duke ruajtur veten dhe të dashurit tonë që nga kjo situatë të dalim sa më shpejtë. Ju përshëndes nga Italia Kledi”, thotë balerini i famshëm, Kledi Kadiu./atsh

“Unë rri në shtëpi”/ Balerini Kledi Kadiu apel qytetarëve shqiptarë kundër përhapjes së koronavirusit Read More »