Aktualitet

Rama apel të rinjve: Qëndroni në shtëpi, rrezikohet edhe jeta juaj nga COVID-19

Kryeministri Edi Rama u bëri sot apel të rinjve që të qëndrojnë në shtëpi, ndërsa solli disa statistika që dëshmojnë se COVID-19 rrezikon seriozisht edhe të rinjtë dhe fëmijët.

“Mbrëmë shifrat e të prekurve në SHBA ishin të frikshme për një gjë, 40% e të shtruarve në spitalet amerikane janë nga mosha 20-45 vjeç dhe jo pak prej tyre janë në gjendje të rëndë. Është e vërtetë se ky armik i verbër në fuqinë e tij vrastare merr në botën tjetër përgjithësisht ata që janë më të moshuar dhe më të dobët, por është e pavërtetë që të rinjtë janë të paprekshëm. Madje edhe fëmijët nuk janë 100% të paprekshëm. Sot në Izrael luftohet për jetën e një fëmije 9-vjeçar”, tha Rama.

Ndaj ai iu drejtua të rinjve, studentëve, gjimnazistëve, që dalin në lagje për ajrosje ose që arrijnë të luajnë edhe basketboll si në një lagje në Tiranë mes orës 4 dhe 6, që të mos lëvizin nga shtëpia për asnjë arsye në botë sepse jo vetëm transportojnë bombat kur kthehen në shtëpi dhe vrasin prindërit apo gjyshërit, por mund të humbasin dhe jetën e tyre.

“Puseta e hapur dixhitale kishte përhapur fjalën se nuk shkoj në zyrë nga frika. Në fakt kam qenë i detyruar të shkoj përditë se ma ka dashur puna, por kjo është një kohë kur trimëri është të rezistosh sa me shume pa dale nga shtëpia dhe kur del të dalësh
vetëm nëse ke një punë të domosdoshme pa u shoqëruar me askënd dhe te mos prishësh radhën apo distancat kur shkon të blesh diçka. Po bëhet një përpjekje fantastike që do ta mbaj mend historia nëse nuk na e hedhin në plehra ata që nuk respektojnë ligjin e kësaj lufte. Janë pak, janë shumë pak në krahasim me popullsinë, por janë mjaft që të na e bëjnë gjëmën dhe të na e bëjnë pastaj këtë luftë një tragjedi kombëtare, mos e dhëntë Zoti me përmasa të paimagjinueshme”, tha Rama./atsh

Rama apel të rinjve: Qëndroni në shtëpi, rrezikohet edhe jeta juaj nga COVID-19 Read More »

Kini besim te stafi mjekësor dhe na ndihmoni/ Apeli i shefes së Shërbimit Infektiv, Najada Çomo: Mos dilni nga shtëpia

Kryeministri Edi Rama ndau sot apelin e Najada Çomos, shefes së Shërbimit Infektiv në Tiranë, ku po trajtohen rastet e prekura me COVID-19, e cila u bën thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi.

“Najada, shefja e forcës speciale në vijën e zjarrit, ku luftohet orë e minutë për të shpëtuar pengjet e armikut, ka një mesazh dhe një lutje për ju: mos dilni nga shtëpia”, tha Rama.

Nga Shërbimi Infektiv i QSUT, Najada Çomo, në cilësinë e shefes së shërbimit dha një informacion të shkurtër lidhur me situatën.

“Lufta është hapur, kemi shtim të numrit të pacientëve në shërbimin infektiv. Një pjesë janë në gjendje të mesme, ndërsa 3 prej tyre janë në repart terapie intensive dhe janë duke marrë ndihmën e duhur nga ana mjekësore. Dua të siguroj qytetarët e Shqipërisë që ne jemi staf i mirëtrajnuar me mjekë, infermierë, kryeinfermierë, sanitarë, laborantë, imazheristë e shumë të tjerë që janë në vijën e parë të betejës”, tha ajo.

Çomo u kërkoi qytetarëve të kenë besim te mjekët dhe ne do të bëjmë punën tonë në maksimum. “Kërkojmë mirëkuptimin tuaj lidhur me qëndrimin tuaj në shtëpi, sepse kjo është një fitore madhe për ne, sepse ulni rrezikun e infeksionit tek personat e tjerë. Nuk është sakrificë e madhe të qëndrosh në shtëpi, sakrificë e madhe është të përballesh me sëmundjen. Urojmë dhe besojmë që bashkëqytetarët të na mirëkuptojnë duke na besuar dhe duke mos frekuentuar ambiente publike, familje të sëmura, apo të shmangin qëndrimet që rrezikojnë për të infektuar persona të tjerë”, tha ajo./atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/522274932004279/?t=0

Kini besim te stafi mjekësor dhe na ndihmoni/ Apeli i shefes së Shërbimit Infektiv, Najada Çomo: Mos dilni nga shtëpia Read More »

Plani 7-pikësh: 100 milionë dollarë garanci për pagat, 65 milionë për shtresat në nevojë

Kryeministri Edi Rama publikoi sot planin ekonomik të qeverisë për përballimin e situatës së COVID-19.

“Plani ynë për adresimin e nevojat për financimin të atyre që janë prekur drejtpërdrejt në ekonominë e tyre të përmuajshme ka 7 pika”, – theksoi Rama.

Plani ekonomik:

1- 2.5 miliardë lekë ose 25 milionë dollarë për luftën në vijën e zjarrit që vihet në dispozicion të Ministrisë së Shëndetësisë për pajisje e materiale shëndetësore apo mbështetje të të gjithë personelit të angazhuar mjekësor.

2- 10 miliardë lekë ose 100 milionë dollarë përmes instrumentit të një garancie sovrane për kompanitë që kanë vështirësi objektive për të paguar pagat e punonjësve të tyre.

3- 6.5 miliardë lekë ose 65 milionë dollarë për nevojat më imediate; për shtresat më në nevojë, për biznesin e vogël, për papunësinë e mundshme për shkak të luftës.

4- 2 miliardë ose 20 milionë dollarë që vijnë në dispozicion të Ministrisë së Mbrojtjes për operacionin humanitar.

5- 1 miliard lekë ose 10 milionë dollarë si fond rezervë për Këshillin e Ministrave për çdo urgjencë të paparashikuar.

6- Do të fshijmë përgjithmonë kamatëvonesat për debitorët aktivë që kanë konsum energjie sot, familjarë apo biznes i vogël, me efekt financiar deri në 15 miliardë lekë ose 150 milionë dollarë dhe nga kjo masë do të përfitojnë 211 024 abonentë.

7- Do të riskedulojmë në 6-mujorin e dytë të vitit 2020 dhe në vazhdim tatim fitimin për të gjithë biznesin deri në fashën nga 2-14 milionë lekë, ose nga 20-140 mijë dollarë xhiro.

Shtyrja e dorëzimit të bilanceve për një periudhë deri në 1 qershor të këtij viti për bizneset që dorëzojnë bilancet në QKB online ose drejtë për drejtë.
Nesër, datë 20.03.2020, ky plan do të hyjë në fuqi si Akti Normativ i ndryshimeve në Buxhetin 2020./atsh

Plani 7-pikësh: 100 milionë dollarë garanci për pagat, 65 milionë për shtresat në nevojë Read More »

Askush nuk e di sa do zgjasë/ Në luftë për ekzistencë me COVID-19, kemi vetëm njëri-tjetrin mbështetje

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “në këtë luftë për ekzistencë jemi vetëm dhe kemi vetëm njëri-tjetrin”.

“Nuk jemi si pas tërmetit kur na ra tavani mbi kokë, varrosëm 51 anëtarë të familjes sonë, kuruam plagët e afro 1 mijë të tjerëve dhe programuam buxhetin tonë për të kthyer në shtëpi 17 mijë motra dhe vëllezër që mbetën me qiellin mbi kokë në mes të dimrit. Morëm rrugët e botës me dorën shtrirë si hallexhinj dhe i hapëm me shkelmin e argumenteve bindëse dyert e botës mbarë duke garantuar fondet e rindërtimit. Jo s’jemi pas tërmetit këtë herë, por jemi pasi na ka hyrë në shtëpi një armik që rrezikon të na marrë qindra, në mos mijëra jetë dhe rrezikon të na shtrijë spitaleve, në mos palestrave dhe sallave të koncerteve mijëra e mijëra njerëz të zemrës nëse nuk zbulojmë përditë brenda vetes fuqinë e durimit më të jashtëzakonshëm dhe nëse nuk e ndajmë mendjen më fort se kurrë se në këtë hall sa një mal mbi kokë jemi vetëm”, tha Rama.

Ai tha se “kemi vetëm veten dhe njëri-tjetrin dhe askush që nuk flet shqip apo qan shqip, nuk na dëgjon”. “Nuk kemi kujt t’ia shtrijmë dorën. Askujt tjetër, sepse askush nuk shikon hallin që na zuri, dhe nuk kemi asnjë derë tjetër, përveç dyerve të zemrave tona ku të trokasim, sepse nuk ka mbetur më derë në botë që nuk është mbyllur”, tha Rama.

Kryeministri tha se “ose do të luftojmë bashkë, ose të gjithë bashkë do të biem në humnerë, ku nuk do ketë kush të na varrosë e jo më të na qajë”.

Duke prezantuar planin financiar për përballimin e COVID-19, Rama u bëri edhe njëherë apel gjithë shqiptarëve që të ndërgjegjësohen për situatën ku ndodhemi.

“Ju kërkoj përulësisht ndjesë një mijë herë për gjithçka të papëlqyeshme që kam qenë i detyruar t’ju them dhe do t’ju them deri në fund dhe pa ngurim deri sa kjo luftë të mbaroj. Fjalët e sheqerosura janë tradhti. Shikoni çfarë po ndodh me vende shumë më të mëdha se Shqipëria, po e paguajnë një nga një iluzionin se kjo është një ëndërr e keqe që do të mbarojë vetë dhe shpejt. Vendet më të zhvilluara të botës u kapën të gjithë gafil, komplet të paditur dhe të papërgatitur nën agresionin e një virusi të panjohur, një armik që i ka gjetur pa shtretër të mjaftueshëm spitalore, pa aparatura të mjaftueshme frymëmarrje, pa maska dhe veshje të mjaftueshme mbrojtëse, dhe deri pa numra të mjaftueshëm mjekësh të specializuar kundër asfiksimit të qenies njerëzore”, tha Rama.

Ai tha se “për herë të parë si Ballkani i varfër, si Europa e pasur, gjenden në të vetmen anije në det të hapur. “Kanë vetëm një armë në dispozicion, që ka vetëm një fishek, unitetin popullor. Kjo është e para luftë në historinë e njerëzimit ku kazerma është shtëpia dhe çdo ushtar duhet të mbyllet sa më shumë në shtëpi. Tani shohim se si ushtria amerikane, më e pathyeshmja në botë, dhe më e vogla ushtria shqiptare, kanë të njëjtën forcë goditëse: zero. Asnjë aleancë mes shtetesh nuk ekziston. Një luftë botërore, ku secili mbetet më vete dhe Zoti për të gjithë”, tha ai.

Kryeministri tha se “ne nuk jemi më të mençur sesa ato vende që ngurruan për masat shtrënguese dhe që të kufizojnë rëndë lirinë e njerëzve, por pikërisht pse jemi më të dobët se ata ne vrapuam më shpejt të mbyllemi në shtëpi”.

“Do të vazhdojmë kështu pa asnjë iluzion. Nuk e di askush, as SHBA, Gjermania, Franca e me radhë se kur do të vijë dita e çlirimit tonë nga ky makth. Po nuk do të jetë as javës tjetër dhe as pas dy javësh. Vetëm Zoti e di se deri kur do të vazhdojë”, tha Rama./atsh

Askush nuk e di sa do zgjasë/ Në luftë për ekzistencë me COVID-19, kemi vetëm njëri-tjetrin mbështetje Read More »

Dom Gjergj Meta: Mos të dënojmë veten tonë me papërgjegjësinë tonë, të zbatojmë rregullat

“Jeta jonë nuk mund të varet nga një virus, mos humbni shpresën, por ne mund të dënojmë veten tonë me papërgjegjësinë tonë”, deklaroi sot Ipeshkvi i Rrëshenit, Dom Gjergj Meta.

Gjatë një interviste televizive, Dom Gjergj Meta tha se “nuk duhet të biem pre e panikut në asnjë mënyrë, nuk duhet të jemi fatalist. Edhe ata që kanë përgjegjësi, qoftë edhe mjekët, qeveritarët, jo të ushqejnë iluzione, por të përdorin një gjuhë që ngjall shpresë. Sigurisht që situate mund të shkojë më keq, por mund të ketë dhe faktorë të tjerë, që ne s’i dimë, që mund ta çojnë situatën për mirë. Është shumë e rëndësishme që ne të zbatojmë rregullat”..

“Të jemi reflektues, pasi e ardhmja është e paparashikueshme. Fati nuk është i shkruar, fati shkruhet. Ne e shkruajmë jetën tonë për ditë si njerëz dhe Zoti bashkë me ne shkruan jetën tonë. Po të shkruhej fati, kjo do të thotë të jetosh në bazë të asaj që qenka shkruar për ty. Prandaj kur them t’i zbatojmë rregullat sot, ti zbatojmë sot, se kështu ndërtojmë të nesërmen tonë. Të kapërcejmë rregullin e të fortit”,- shton Dom Gjergj Meta.

“Uroj që t’i jetojmë këto ditë me shumë përgjegjësi, dashuri. Të kujdesemi për njëri-tjetrin, pjesën më të brishtë, pleqtë e fëmijët, ata që kanë një sëmundje klinike. Kemi nevojë të shpresojmë. Të dashur miq, mos e humbni shpresën në asnjë moment, jetoni me pozitivitet ditët tuaj, s’mund të varet jeta jonë nga një virus”,- vijon Dom Gjergj Meta.

Ai u këshilloi të gjithë besimtarëve të falen me zemër, nuk ka nevojë për tempuj.

“Tempulli më i rëndësishëm dhe më i bukur që ka ndërtuar Zoti është njeriu. Objekti i kultit është zemra e njeriut. Aty në zemrën e njeriut ndodh e bukura, vijimësia. Edhe kur shkojmë në Kishë, lutemi, por nëse nuk e ndjejmë me zemër nuk vlen. Është zemra e njeriut që e bënë njeriun më pranë Zotit”,- thekson Dom Gjergj Meta./atsh

Dom Gjergj Meta: Mos të dënojmë veten tonë me papërgjegjësinë tonë, të zbatojmë rregullat Read More »

Provimet kombëtare të arsimit bazë, Shahini publikon udhëzuesin për klasat e 9-ta

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Besa Shahini ka publikuar udhëzuesin dhe modelin e pyetjeve për Provimet Kombëtare të Arsimit Bazë.

Materiali përmban testet e provimeve kombëtare të arsimit bazë, për gjuhën shqipe dhe matematikën, të shoqëruara bashkë me skemat e vlerësimit. Ai u shërben nxënësve, mësuesve, specialistëve të arsimit dhe të gjithë të interesuarve në funksion të përmirësimit në arritjen e standardeve të mësimdhënies dhe të të nxënit në shkollë.

Për ta bërë sa më të lehtë përdorimin e këtij materiali, përmbajtja e tij është ndarë në 3 seksione.

Seksioni i pare përmban testet e përdorura në PKAB, lënda e gjuhës shqipe, bashkë me një informacion mbi përmbajtjen e testit, kompetencat që vlerëson, nivelet e vështirësisë së testit, llojet e pyetjeve etj.

Seksioni i dyte përmban testet e përdorura në PKAB, lënda e matematikës, bashkë me një informacion mbi përmbajtjen e testit, kompetencat që vlerëson, nivelet e vështirësisë së testit, llojet e pyetjeve etj.

Seksioni i trete përmban skemat e vlerësimit për testet e përdorura në PKAB, lënda e gjuhës shqipe dhe matematikës.

PKAB është një provim kombëtar që zhvillohet në përfundim të arsimit 9-vjeçar të
detyruar dhe shërben për të certifikuar nxënësit që përfundojnë këtë cikël arsimimi.
Ky provim mat njohuritë dhe kompetencat e tyre në tri fusha: Gjuhë Shqipe, Gjuhë e Huaj dhe Matematikë.

http://qsha.gov.al/infos/gjuhe_shqipe_matematike_pkab.pdf/atsh

Provimet kombëtare të arsimit bazë, Shahini publikon udhëzuesin për klasat e 9-ta Read More »

Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, mesazh shqiptarëve: Të zbatojmë urdhëresat e qeverisë

Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj iu drejtua sot me një mesazh shqiptarëve lidhur me situatën e koronavirusit.

“Këto ditë po përjetojmë një nga sfidat që ka pushtuar gjithë botën, gjithë universin. Shoqëria njerëzore po përjeton një luftë me mikrobin vdekjeprurës COVID-19, luftë me jetën. Çdo ditë jeta po i ndërpritet njerëzve, si dhimbje jo vetëm për familjen e të afërmit e tyre por për të gjithë ne, pasi në Kuran thuhet: Se njeri të vdesë, vdes e gjithë bota. Zoti e krijoi njeriun, si krijesën më të lartë, me të ndërgjegjshme, më të vullnetshme për të menaxhuar Universin, për të begatuar jetën në tokë. Zoti i dha mendje dhe gjykim njeriut, ndërsa vullnetin ja la në vetë dorën e tij”, tha ai.

Në këtë sfidë njerëzore të kësaj kohe, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve bëri thirrje “të gjykojmë me mend, të luftojmë me vullnet e me vetëdije të lartë njerëzore”. “Si gjithnjë, njeriu si krijesa më inteligjente e natyrës do ta përballojë e sfidojë atë, si gjithmonë me ndihmën e Allahut, me vetëmohimin e tij të pandërprerë të kësaj lufte për ta sfiduar atë siç ka krijuar Allahu, për ta nënshtruar Universin, ku ka triumfuar dhe e menaxhon atë duke e kthyer çdo sfidë në shërbim të tij, të jetës”, vijoi ai.

“Duke qenë se në mendimet profetike Allahu thotë ‘Ruaju të të ruaj’ le të luftojmë dhe të zbatojmë çdo ligj, çdo urdhëresë të Kryeministrit, të Qeverisë, e cila është shprehje e vullnetit të Zotit në tokë, që me besim tek Zoti që na udhëheq gjithnjë për të mirë, ta fitojmë, të mos nënshtrohemi dhe ta sfidojmë dhe këtë realitet të krijuar si sfidë për ne. Lusim Zotin që lufta jonë, me besim, shpresë e optimizëm të triumfojmë e t’i kthehemi jetës sonë të dashur të përditshme”, tha Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve.

Ai falënderoi po ashtu gjithë mjekët, infermierët, sanitaret, punonjësit e gjithë shërbimeve sociale në farmaci, ushqimore, punonjësit e Policisë, të medieve që janë në ballë e pararojë të kësaj sfide që do t’ia dalim së shpejti mbanë./atsh

Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, mesazh shqiptarëve: Të zbatojmë urdhëresat e qeverisë Read More »

Grabitja në Rinas/ Arrestohen vëllezërit Çala, 300 forca policore në operacion

Policia e Shtetit njoftoj të enjten në mengjes se ka arrestuar dy vëllezrit Çala. Sipas policisë në operacion u përfshinë 300 forca policore. Vëllezrit Çela akuzohen për një sër veprash penale, mes tyre dhe grabitja në Rinas.

“Megaoperacion për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore ne fushën e vjedhjeve me armë. Operacioni, nga Departamenti i Policisë Kriminale, Forca e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, njësia speciale FAST Albania, RENEA dhe Drejtoritë Vendore te Policisë Durrës, Tiranë e Elbasan”,- njofton Policia.

“Në operacion janë përfshirë 300 forca policore dhe u sekuestruan armë zjarri, sasi të mëdha vlerash monetare dhe automjete. Gjatë operacionit u arrestuan vëllezërit Klement dhe Eldi Çala. Vëllezërit, të akuzuar për një sërë grabitjesh më armë dhe dhunë në zonën e Rinasit dhe në aeroportin e Rinasit. Operacioni është në vijim”,- bënë me dije policia/atsh

Grabitja në Rinas/ Arrestohen vëllezërit Çala, 300 forca policore në operacion Read More »