Aktualitet

COVID-19: Orari i punës për administratën është 08:00-13:00

Orari i punës për nëpunësit civilë dhe punonjësit e tjerë të administrates publike/shtetërore është 08:00-13:00.

Në Fletoren Zyrtare është botuar vendimi i Këshillit të Ministrave i cili synon parandalimin dhe luftimin e COVID-19.

“Gjatë periudhës së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19, orari i punës për nëpunësit civilë dhe punonjësit e tjerë të administrates publike/shtetërore është 08:00-13:00”, thuhet në vendim.

Nëpunësit civilë dhe punonjësit gjatë kësaj periudhe, ngarkohen të kryejnë çdo detyrë funksionale që iu ngarkohet nga eprori i drejtpërdrejtë apo titullari i institucionit, e cila mund të përmbushet në kushtet e banesës, nëpërmjet komunikimit telefonik apo të mënyrave të tjera të komunikimit elektronik.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë./atsh

COVID-19: Orari i punës për administratën është 08:00-13:00 Read More »

Kush shkel kufizimet e qarkullimit do e paguajë shtrenjtë, do t’u hiqet çdo ndihmë shtetërore, bursat dhe rimbursimi i ilaçeve

“Individët që shkelin kufizimet e qarkullimit do ta paguajnë shtrenjtë dhe çdo thyerje e ligjit të luftës do të jetë një barrë e rëndë për ta sepse do t’u hiqet çdo ndihmë shtetërore”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Rama tha se “atyre do t’u mohohet çdo lloj kompensimi nëse janë në kategorinë e atyre që duhet të rrinë në shtëpi se nuk shkojnë dot në punë; do t’u mohohet çdo lloj ndihme financiare për të paktën një vit nëse nuk kanë punë; do t’u mohohet çdo lloj burse për studentë apo rimbursimi i ilaçeve për pensionistët”.

Rama tha se “qëndrimi në vend, ecja më të tjerë nëpër lagje nuk do të tolerohet më paqësisht dhe nuk do të mjaftojnë më gjoba”. “Polica e ushtria do të mbikëqyrin çdo lagje në Tiranë dhe Durrës ku kemi zonën e kuqe, si dhe çdo zonë urbane duke fotografuar dhe duke futur në listë të zezë tradhtarësh këta individë që do ta paguajnë shtrenjtë”, tha Rama.

Rama tha se “kjo është një pakicë fare e vogël të pabindurish, që janë të mjaftueshëm për të marrë në qafë gjithë popullin dhe që do të konsiderohen tradhtarë lufte”.

“Dua t’ju informoj se të gjitha forcat e rendit, nga polici i lagjes, deri tek forcat më speciale, janë të vendosura të përdorin forcën dhe të gjitha mjetet në rast shkelje ligji në tubime të paligjshme deri tej uji e gazi lotsjellës”, tha Rama.

Rama tha se “mbështet të gjithë popullin që zbaton rregullat e luftës dhe po plas nga marazi se si një tufë të pabindurish sabotojnë rezistencën popullore pa pikën e turpit”.

Kush nuk e ka marrë vesh akoma me fakte se kjo është një luftë botërore, ku nuk na duhen armë bërthamore e raketa, por thjesht dhe vetëm durimi ynë, do të duhet ta marrë vesh me pahir. Më shkruajnë për fukarenjtë, por ta mbledhin mendjen top se sot askush nuk kërcënohet nga vdekje për shkak të urisë, pro nga vdekja për shkak të marrëzisë. Fukarenjtë nuk kanë Iphone dhe dëngla për të shitur në Facebook dhe Instagram dhe janë njerëzit më të mirëkuptueshëm të këtij vendi që do t’i ndihmojmë deri në fund. Të mos bëhen merak këta fukarenjtë nga mendja e kokës që shkruajnë komente për popullin që po vdes se nuk ka bukë me hëngër, sepse nuk ka vdekur as në ato 50 vjet kur jetonte me 200 kalori në ditë”, tha Rama.

Kryeministri tha se “operacioni humanitar që kemi ngritur dhe po zhvillohet përditë në ndihmë të fukarenjve është shembulli kuptimplotë se nuk kemi pritur, por kemi marrë detyrën ashtu si duhet dhe do ta bëjmë deri në fund”.

“Mjaft dhe stop. Mos luani nga vendi dhe nuk do të tolerojmë më askënd dhe do të përgjigjemi me të keq nëse me të mirë nuk marrin vesh disa që janë një pakicë e pagdhendshme kur nga ana tjetër e detit po vdes 1 njeri në çdo dy minuta. Nuk ju ndahem pa jua treguar se çfarë katastrofe na gjen nesër po nuk e ndamë bashkë mendjen sot. Më mirë disa mijëra prej jush të tërbohen fare nga fjalët e mia sot, se sa qindra e mijëra të vdekur nga ne të gjithë nesër”, tha Rama.

Miqtë tanë kroatë, vijoi kryeministri, “po bëjnë gati për spital edhe stadiumin e tyre në Zabreb”. “Mendoni, Air Albania spital se duan disa të shtyhen në radhë për qepë e domate sikur po humbasin anijen e fundit për të ikur, apo se u lodhën duke luftuar në kolltuk. Jo nuk ka shans mirëkuptimi për këtë dhe me këta ka vetëm forcë ligjore policore deri në fund. Po çmendet Spanja që po i vdes një njeri çdo 5 minuta. Po luan nga trutë e kokës Franca, monarkia e shëndetësisë në Europë se nuk ka maska e respiratorë për gjithë atë dynja që pritet të kërkojë frymëmarrje artificiale nga shtetit. Ju më thoni mos na fut panikun se do vdesim nga frika, por më mirë qani sot nga frika se sa të vajtoni nesër nga vuajtja dhe të lëngoni nga mushkëritë që nuk ju furnizojnë dot me frymë më mirë. Shkurt muhabeti, nga tani që flasim deri të hënën në 5:00 të mëngjesit asnjë hap jashtë shtëpisë”, tha Rama./atsh

Kush shkel kufizimet e qarkullimit do e paguajë shtrenjtë, do t’u hiqet çdo ndihmë shtetërore, bursat dhe rimbursimi i ilaçeve Read More »

Shtëpia e Pushimit të Ushtarakëve me gjithë standardet e sigurisë shëndetesore, gati për të pritur 120 qytetarë

Shtëpia e Pushimit të Ushtarakëve në Durrës i ka të gjitha kapacitetet për të pritur deri në 120 qytetarë me të gjitha standardet e sigurisë shëndetësore.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i shoqëruar nga këshilltari i tij për Sigurinë Kombëtare, Bahri Shaqiri dhe zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi vizitoi sot paradite Shtëpinë e Pushimit të Ushtarakëve në Durrës, të kthyer në një qendër karantinimi për shkak të pandemisë COVID-19./atsh

Shtëpia e Pushimit të Ushtarakëve me gjithë standardet e sigurisë shëndetesore, gati për të pritur 120 qytetarë Read More »

Del nga spitali i shëruari i parë me COVID-19, Rama: Do jetë nën vëzhgimin e mjekëve fantastikë të Infektivit

I shëruari i parë nga COVID-19 në Shqipëri doli sot nga spitali Infektiv, për të qëndruar në shtëpi nën vëzhgimin e mjekëve i izoluar për 14 ditë.

Kryeministri Edi Rama ndau sot lajmin e mirë, ndërsa vlerësoi punën fantastike të mjekëve të spitalit Infektiv në QSUT.

“I shëruari i parë del nga spitali për t’u mbyllur në shtëpi pa dalë fare 14 ditë, nën vëzhgimin e mjekëve fantastikë të Infektivit”, tha Rama./atsh

Del nga spitali i shëruari i parë me COVID-19, Rama: Do jetë nën vëzhgimin e mjekëve fantastikë të Infektivit Read More »

Lleshaj: Vendi i shqiptarëve në shtëpi ose në shërbim, policia nuk do të tolerojë askënd për asnjë arsye

“Qëndroni në shtëpi, pasi dhe një person i vetëm mund ta shkëpusë vargun fatal të infektimit”, tha ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj në mesazhin e tij për qytetarët.

“Edhe një person i vetëm mund ta ndërpresë vargun fatal të infektimit. Pikërisht për këtë, Policia nuk do të tolerojë ASKËND dhe për ASNJË arsye. I vetmi vend për shqiptarët deri të hënën në orën 05:00 është ose në shtëpi, ose në shërbim”, u shpreh Lleshaj.

Qeveria ka ndërmarra një sërë masash për të minimizuar përhapjen e COVID-19, mes të tjerave duke minimizuar oraret e qarkullimit rrugor, veçanërisht për këmbësorët dhe automjetet private./atsh

Lleshaj: Vendi i shqiptarëve në shtëpi ose në shërbim, policia nuk do të tolerojë askënd për asnjë arsye Read More »

Profesori i njohur italian: Masat kufizuese do të zgjasin të paktën deri në verë

Pierluigi Lopalco, është një profesor i Higjienës në Universitetin e Pizës, dhe për shumë vite ka punuar në Stokholm, ku ka kordinuar strategjitë e vaksinimit për Qendrën Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve. Profesori i njohur ka shprehur rezervat e tij per disa problematika që lidhen me përballimin e COVID-19, në një intervistë për gazetën italiane ”Il Giornale”.

Profesor, le të fillojmë me pyetjen më të njohur në këtë periudhë: kur do të ndodhë kulmi?
“Dy, tre ditë pasi të vëzhgojmë kurbën duke u ulur vazhdimisht mund të themi se ka pasur një kulm. Nuk ka kuptim që sot të jemi në gjendje të bëjmë parashikime: modelet e parashikimit në Covid19 janë sot si parashikimi i motit.

Sa do të zgjasë?
“Jo pak. Mbi këtë duhet të jetë shumë e qartë me njerëzit. Kam dëgjuar gjithashtu gjëra të jashtëzakonshme si ato të ministrit të Sporteve tha se ”kampionati i futbollit mund të rifillojë në fillim të majit”. Por për çfarë po flasim? Para tetorit mendoj se do të jetë e pamundur të kthehen njerëzit në stadiume.

Parashikimi im është që masat kufizuese do të zgjasin të paktën deri në verë: mund dhe duhet të ketë një zbutje të masave, ne do të kthehemi në punë, për të dalë jashtë, por gjithçka do të duhet të bëhet me shumë qetësi dhe me kujdes.

Por atëherë e gjithë kjo përpjekje është e kotë?

“Përkundrazi, po na kursen. Numrat thonë se tashmë ka pasur një ngadalësim dhe në këto orë unë imagjinoj se do të shohim një tjetër. Ka ”kështjella”, mbi të gjitha të Lombardisë, të cilat ende ”nuk janë pushtuar.

‘Milano është një rast që padyshim na shqetëson shumë: nëse virusi thyen brigjet e qyteteve metropolitane, qendrat urbane me një dendësi të lartë të popullsisë, bëhet një problem edhe më i rëndësishëm.

A po thoni që nuk e dimë se kur do të përfundojë?

“Unë po them se problemi nuk është kur, por si përfundon. Ne duhet të shpresojmë që kulmi është aty dhe se e gjithë kjo do të zgjasë sa më pak. Sepse duhet të jemi të qartë edhe për këtë: ne mund ta shërojmë Covid19 “, theksoi profesori.

A bëri qeveria gjithçka që duhej?

Sipas mendimit tim, qeveria reagoi shumë mirë. Bëri zgjedhje të drejta dhe të guximshme para të tjerëve. Ne duhet ta pranojmë atë. Sidoqoftë, unë do të doja të ju jap disa këshilla: ky është një buletin lufte, janë një numër i jashtëzakonshëm mediash që nuk bëjnë asgjë tjetër përveç se i frikësojnë njerëzit edhe më shumë.

‘Eshtë një gabim. Unë mendoj se, në vend të kësaj, duhet të tregojnë se çfarë po bëjnë, që të shpjegojnë pse kemi zgjedhur këto masa shtrënguese dhe ku duam të shkojmë. Italianët janë njerëz inteligjentë, ata po e demonstrojnë këtë edhe në këtë rast, por duhet ta kuptojnë. /atsh

Profesori i njohur italian: Masat kufizuese do të zgjasin të paktën deri në verë Read More »

Ndihma ushqimore tek familjet në nevojë në çdo bashki

Bashkitë po i gjenden pranë familjeve në nevojë, në të gjithë vendin, në këto ditë të vështira të përhapjes së COVID-19, duke iu shpërndarë ndihma ushqimore, ilaçe dhe mallra të nevojshme.

“Ju lutem durim, durim, durim, të gjithë atyre në nevojë”, u shpreh kryeministri Edi Rama ndërsa publikoi pamje nga shpërndarja e ndihmave ushqimore në bashkitë Bulqizë, Gjirokastër, Vau i Dejës, Delvinë, Librazhd, Shijak, Skrapar, Ura Vajgurore, Durrës, Lezhë, Kamzë, Kolonjë, Kukës, Patos, cep më cep nga jugu në veri të vendit, në zonat urbane e rurale.

Stafet e këtyre bashkive, shpërndanë ndihma ushqimore te familjet në nevojë, kryesisht tek ato familje që janë të përfshira në skemat e ndihmës ekonomike, ose kanë pjesëtarë të familjes invalid, por edhe tek ato pensionistë që jetojnë vetëm.

Ndërsa i porositnin familjarët të mos dilnin nga shtëpia dhe për çdo nevojë të kontaktojnë në numrat e telefonit që kanë vënë në dispozicion të qytetarëve të tyre çdo bashki.

“Ne do të na keni në dispozicion për çdo lloj gjëje që do t’ju duhet, edhe pensionet do t’jua sjellim në shtëpi, vetëm ju mos dilni nga shtëpitë”, – ishte porosia e punonjësve të bashkive për familjarët gjatë dorëzimit të pakove me ushqime./atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/202863984374083/?t=0

Ndihma ushqimore tek familjet në nevojë në çdo bashki Read More »

Kosovë/ Katër raste të reja të infektuar me koronavirus

IKSHPK ka njoftuar se sot në Kosovë janë konfirmuar edhe 4 raste të reja të infektuar me koronavirus.

“Nga katër rastet e konfirmuara, njëri është rast i importuar nga Gjermania, i gjinisë mashkull, 32 vjeç me vendbanim në Bibaj-Ferizaj. Ndërsa tre rastet tjera pozitive janë raste kontakti, 2 prej tyre janë me vendbanim në Prishtinë femra të moshës 50 dhe 29 vjeçare dhe e treta me vendbanim në Gjakovë e gjinisë femër, 40 vjeçare. Të gjitha kontaktet janë të identifikuara”, njofton IKSHPK.

Njoftimi i plotë:

Sot me 21.03.2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar 30 mostra të dyshimta për virusin SARS-CoV-2 dhe katër prej tyre janë pozitive.

Nga katër rastet e konfirmuara, njëri është rast i importuar nga Gjermania, i gjinisë mashkull, 32 vjeç me vendbanim në Bibaj-Ferizaj. Ndërsa tre rastet tjera pozitive janë raste kontakti, 2 prej tyre janë me vendbanim në Prishtinë femra të moshës 50 dhe 29 vjeçare dhe e treta me vendbanim në Gjakovë e gjinisë femër, 40 vjeçare Të gjitha kontaktet janë të identifikuara.

Nga data 08.02.2020 deri me 21.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 447 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, gjithsej njëzet e tetë raste kanë rezultuar pozitive.

Në qendrën e thirrjeve deri më tash janë pranuar në total 3.319 thirrje, ndërsa vetëm në 24 orët e fundit janë pranuar 350 thirrje telefonike.

Nga data 01.02.2020 deri me 21.03.2020 në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” si dhe në pikat tokësore kufitare janë depistuar gjithsej 15.775 udhëtarë. Në Aeroportin “Adem Jashari” 1.015 udhëtarë, Merdare 5.110, Vërmicë 4.207, Jarinje 1.102, Dheu i Bardhë 985, Hani i Elezit 1.699, Kullë 960, Qafë Morinë 47, Bërnjak 462, Qafë Prush 35, Muçibabë 152 dhe Glloboçicë 1 udhëtarë.

Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 21 mars 2020 sipas Ëorldometers, janë raportuar gjithsej 276.996 raste të COVID-19 me 11.419 raste të vdekjes. Numri më madhi rasteve raportohet nga Kina (81.008), Italia (47.021), Irani (18.407), Spanjë (21.574), Gjermani (19.848), SHBA (19.774), Iran (19.644), Francë (12.612), Zvicër (5.615), Mbretëri të Bashkuar (3.983), Holandë (2.994), Austria (2.666), Belgjikë (2.257), Turqi (670), Greqi (495), Slloveni (341), Serbi (149), Kroaci (130), Shqipëri (70), Maqedoni e veriut (76).

Deri me 21 mars 2020, nga vendet e BE/AEE dhe Mbretëri të bashkuar janë raportuar 6.136 raste të vdekjes: Itali (4.032), Spanjë (1.093), Francë (450), Mbretëri të Bashkuar (177), Gjermani (68), Belgjikë (37), Greqi (10), Turqi (9), Danimarkë (9), Poloni (5), Austri (6), Luksemburg (5), Bullgari (3), Shqipëri (2), Serbi (1), Kroaci (1) dhe Slloveni (1).

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome./KosovaPress

Kosovë/ Katër raste të reja të infektuar me koronavirus Read More »