Aktualitet

Qelizat e moshuara të njeriut mund të ripërtërihen

Qelizat e moshuara të njeriut mund të ripërtërihen me vite në laborator falë një kokteji proteinash tipike për zhvillimin embrional.

Teknika, e cila hap skenarë të rinj në luftën kundër sëmundjeve të lidhura me moshën, është botuar në revistën ”Nature Communications” nga laboratori i Universitetit Stanford i udhëhequr nga biologu italian Vittorio Sebastiano.

Grupi i tij ka punuar për vite me radhë për të riprogramuar qelizat e rritura (për shembull ato të lëkurës) për t’i bërë ato të kthehen ‘fëmijë’, duke i shndërruar ato në qeliza burimore të induktuara dhe të shumta.

Për ta kthyer orën mbrapa, qelizat trajtohen për dy javë me një koktej proteinash rinovuese, të cilat zakonisht shprehen gjatë zhvillimit të embrionit. Bazuar në këtë përvojë, “ne kemi pyetur veten nëse ishte e mundur të kthejmë orën e plakjes pa nxitur pluripotencë”, theksoi biologu Sebastiano.

“Tani kemi zbuluar se duke kontrolluar me rreptësi kohëzgjatjen e ekspozimit të proteinave, ne mund të shkaktojmë përtëritje në shumë lloje të qelizave njerëzore.” Pas katër ditësh trajtimi, qelizat rinovohen gjenetikisht mesatarisht nga 1.5 në 3.5 vjet, dhe madje 7.5 vjet për qelizat që mbështjellin enët e gjakut/atsh

Qelizat e moshuara të njeriut mund të ripërtërihen Read More »

Bie qeveria Kurti: 82 vota pro mocionit të mosbesimit

Pas një seance maratonë të mbajtur sot në Kuvendin e Kosovës pas votimit të hapur, me 82 vota pro, 32 kundër dhe 1 abstenim, u votua për rrëzimin e qeverisë Kurti.

Në sallë qenë të pranishëm 117 deputetë. Ra në sy vota kundër mocionit e kryeparlamentares Vjosa Osmani nga radhët e LDK.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur sot në seancën ku dhe u votua mocioni i mosbesimit për rrëzimin e qeverisë së tij.

Kurti, e ka nisur fjalimin e tij duke thënë se ishte krenar për kabinetin qeveritar, teksa ka përmendur edhe vendimet që kanë marrë që prej kur e kanë nisur punën.

“Jo vetëm që nuk i patëm 100 ditë për ta dëshmuar veten, sot mund të them që jam krenar me këtë kabinet dhe me të arriturat e tij, qysh në fillim i përgjysmuan pagat e kabinetit qeveritar, po jo edhe pagat e sistemit të drejtësisë, dëshiruam të tregojmë se çfarë konsiderojmë vlerë, i shkarkuam 7 koordinatorët e panevojshëm nacional, u aprovua mbështetja financiare pas stuhisë në komunën e Pejës dhe të Istogut, u shkarkua bordi i Telekomit, u shfuqizua vendimi për pagat e ish-ministrave dhe ish-zëvendësministrave pasi përfundojnë mandatin.

Ndarja e mjeteve financiare në shumë prej 200 mijë euro për dëmet nga tërmeti si shtesë për shumë ndihma, u shkarkua bordi i Infrakosit, u shfuqizua vendimi ku ju bëheshin favore këshilltarëve. Kemi ndarë një shumë prej 10 milionë euro për luftimin e virusit korona.

Vetingu që përbëhet nga 10 profesionistë, e ministrat tanë kanë bërë një punë të madhe dhe të palodhur. Shfuqizimi i vendimeve për emërimin e 14 konsujve të kotë. Aprovimi i buxhetit të Kosovës”, ka thënë Kurti, ku ka përmendur edhe masat që kanë marrë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Ai ka përmendur edhe heqjen e tarifës deri më 1 prill, ndërsa ka thënë se pastaj do të vazhdohet me reciprocitet./KosovaPress/

Bie qeveria Kurti: 82 vota pro mocionit të mosbesimit Read More »

Parashikimi i motit, e enjte 26 mars 2020

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se sot moti parashikohet kryesisht i vranët.

Reshjet e shiut do të jenë të vazhdueshme të cilat nisin që prej orëve të para të 24-orëshit në të gjithë vendin, ndërsa në jug me intensitet mesatar e shtrëngata. Reshjet e dendura të dëborës do të përfshijnë kryesisht juglindjen e vendit në orët e mëngjesit, ndërsa në zonat e tjera malore deri në lartësitë 500 metër reshjet e dëborës do të jenë me intensitet të ulët. Prej orëve të mesditës reshjet humbasin intensitet dhe bëhen të dobëta të karakterit lokal.

Era do të fryjë me drejtim verilindje -juglindje mesatare. Era do të fitojë shpejtësi intensive, e vrullshme përgjatë vijës bregdetare, zonave te ulëta dhe në lugina. Era hera herës mund të arrijë shpejtësi deri në 20-25m/s.

Valëzimi në dete do të arrijë forcës 6 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 5/13 re shi
Kukës 0/7 re bore
Lezhë 4/14 re shi
Dibër -1/7 re bore
Durrës 6/17 re shi
Tiranë 6/16 re shi
Elbasan 5/14 re shi
Berat 4/14 re shi
Vlorë 7/17 re shi
Korçë 0/7 re bore
Gjirokastër 3/13 re shi
Sarandë 7/17 re shi/atsh

Parashikimi i motit, e enjte 26 mars 2020 Read More »

Kurti shkarkon zv.kryeministrin Hoti pas votimit të mocionit të mosbesimit

Kryeministri në detyrë Kurti, shkarkoi nga posti i zëvendëskryeministrit në detyrë, Avdullah Hotin.

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë vendim për lirimin nga posti i zëvendëskryeministrit të parë në detyrë, Avdullah Hoti i cili është nga radhët e LDK-së.

Ky shkarkim erdhi pas votimit të mocionit të mosbesimit të qeverisë, ku 82 deputetë votuan pro.

Kurti shkarkon zv.kryeministrin Hoti pas votimit të mocionit të mosbesimit Read More »

Fjalët e Shenjta/ Rama: O ju njerëz, kolera është si zjarri i ndezur dhe ju mund të jeni lëndë djegëse e tij, andaj shpërndahuni

Kryeministri Edi Rama zgjodhi sot të tjera fjalë të shenjta për të përcjellë mesazhin e tij, ndërkohë që gjithë bota po përballet me pandeminë e COVID-19.

“Amër ibnul Asi, kur e mori udhëheqjen e Shamit në kohën e Omerit r.a iu drejtua popullit me këto fjalë pasiqë ishte shfaqur sëmundja e kolerës duke thënë: “O ju njerëz, kolera është si zjarri i ndezur dhe ju mund të jeni lëndë djegëse e tij, andaj shpërndahuni që zjarri (kolera) mos të ketë me çka të ndizet dhe kështu ai shuhet”. Kur e dëgjuan shpërndanë dhe shpëtuan me lejen e Allahut”.

Ishin këto fjalë të shenjta që zgjodhi sot Kryeministri Rama për të përcjellë mesazhin e tij, ndërkohë që autoritetet shtetërore kanë marrë masa drastike duke kufizuar lëvizjen, si masë parandaluese për kufizimin e përhapjes së COVID-19./atsh

Fjalët e Shenjta/ Rama: O ju njerëz, kolera është si zjarri i ndezur dhe ju mund të jeni lëndë djegëse e tij, andaj shpërndahuni Read More »

Kalo apel qytetarëve: Ndërgjegjësohuni, në të kundërt do bëhemi si Italia e Spanja

Mjeku i njohur pranë shërbimit infektiv të qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”, Tritan Kalo ka ripërsëritur thirrjen ndaj qytetarëve për të qëndruar pranë banesave të tyre, me qëllim që të mos rrezikohen prej infektimit të COVID-19.

Kalo thotë se në njësinë nr.2 dhe nr.3 në Tiranë, ka parë njerëz të grumbulluar të cilët janë në rrezik sipas tij, për shkak të mos ruajtjes së distancës sociale, element kyç ky për të mos u prekur nga infeksioni.

“Njësia Administrative nr. 2 e nr. 3, Tiranë….25 mars 2020, ora 12:45….Në vijë ajrore vetëm 70-80 metra e ndajnë këtë grumbullim njerëzish, nga dhjetëra vëllezër e motra të tyre të hospitalizuar në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive të QSUT “Nënë Tereza”, për COVID-19….Ju lutem, MË shumë RESPEKT, më shumë DASHURI e më shumë VLERËSIM për jetët tuaja…..Me këtë mënyrë të papërgjegjshme sjelljeje, do t’i shtoni rrezikun vetes suaj që të sëmureni nga Sars-Cov2/Covid-19….KAPACITETET në burime njerëzore dhe në infrastrukturën e shtrimeve spitalore kanë një kufi, ato NUK janë të pakufijëshme kudo në Botë, përfshirë edhe Shqipërinë….NDËRGJEGJËSOHUNI sa ende jemi larg kësaj sprove….Në të kundërt do të mbërrijmë në një ditë, që askush nuk do mundet t’ju vijë në ndihmë….Së paku dëgjoni e shihni se çfarë po ndodh aktualisht në Itali, në Spanjë e gjetkë….A ka Polici Bashkiake të pranishme në këto Njësi vendore???….JEMI të GATSHËM t’ju ndihmojmë në çdo moment, POR mos i shtyni kufijtë e mundësive të ndihmesës ndaj jush në honet e pamundësisë……..Ju LUTEM!!!!’, -thotë Kalo.z .tosku. /atsh

Kalo apel qytetarëve: Ndërgjegjësohuni, në të kundërt do bëhemi si Italia e Spanja Read More »

“shqiperiaqeduam.al”/ Nga sot kanal emergjence për komunikim të vazhdueshëm mes individit dhe shtetit

Nga sot çdo person që ka një problem dhe kërkon zgjidhje në lidhje me situatën e shkaktuar nga COVID-19 mund të shkruajë në platformën e bashkëqeverisjes www.shqiperiaqeduam.al.

Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se “kjo kohë me një vargmal vështirësish e hallesh nga më të ndryshmet, ka nevojë për komunikim të vazhdueshëm mes individit dhe shtetit, për të adresuar së bashku lloj-lloj problemesh që lindin në jetën e përditshme të njerëzve”.

“Nga sot ju keni në dispozicion një kanal emergjence për të komunikuar drejtëpërdrejtë me mua dhe çdo ministër, duke përdorur ajfonin apo kompjuterin tuaj, duke e adresuar hallin tek www.shqiperiaqeduam.al”, – tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “skuadra speciale e platformës së bashkëqeverisjes është në dispozicion për të transmetuar me shpejtësi çdo shqetësim tuajin tek unë e ministrat, që do të lëvizim me shpejtësi për zgjidhjen e çdo halli të mundshëm. Kini besim dhe durim, durim, durim”. /atsh

“shqiperiaqeduam.al”/ Nga sot kanal emergjence për komunikim të vazhdueshëm mes individit dhe shtetit Read More »

Mos lejoni që vështirësitë t’iu mbushin me ankth, në fund të fundit, yjet shkëlqejnë më shumë gjatë netëve të errëta!

“Mos lejoni që vështirësitë t’iu mbushin me ankth. Në fund të fundit yjet, shkëlqejnë më shumë gjatë netëve të errëta”, tha sot Kryeministri Edi Rama duke zgjedhur të tjera fjalë të çmuara për të përcjellë mesazhin e tij.

Ishin këto fjalë të kushëririt të Profetit Muhamed, Ali Ibn Abi Talib AS, që Kryeministri Rama përcolli mëngjesin e sotëm përmes rubrikës “Fjalë të Çmuara”.

Shqipëria po përballet me koronavirusin, i shpallur tashmë pandemi botërore nga OBSH, ndërsa krahas masave të marra për parandalimin e përhapjes së virusit, autoritetet shtetërore kanë bërë në vijimësi thirrje për ndërgjegjësim qytetar dhe respektim të rregullave nga të gjithë./atsh

Mos lejoni që vështirësitë t’iu mbushin me ankth, në fund të fundit, yjet shkëlqejnë më shumë gjatë netëve të errëta! Read More »