Aktualitet

Gati aplikacioni online, vetëm një person nga familja lejohet për të bërë pazar

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se është gati aplikacioni online ose me sms për leje-daljen e vetëm një personi nga familja për të bërë pazar.

“Njësoj si javën e shkuar, nga ora 13:00 nesër deri të hënën 05:00 të gjithë në shtëpi dhe të gjithë qepenat mbyllur”, tha Rama.

Ndërkohë Rama tha se “nga e hëna askush nuk del dot më në pazar, pa marrë lejen digjitale me e-mail ose telefon në emër të familjes”.

Kryeministri tha se pas pak do të bëhet edhe prezantimi i aplikacionit që është shumë i thjeshtë dhe nga e hëna e deri në mbarim të luftës, do të jetë e vetmja rrugë për të dalë nga shtëpia në Tiranë e në qendrat urbane. /atsh

Gati aplikacioni online, vetëm një person nga familja lejohet për të bërë pazar Read More »

Punë e palodhur e ekipit të anestezi-reanimacionit në përballje me COVID-19

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu shprehu vlerësimin dhe mirënjohjen ndaj mjekëvë dhe infermierëve që janë në frontin e parë të luftës me COVID-19.

Doktor Krenar Lilaj është në krye të organizimit të punës së shërbimit anestezi- reanimacion në të gjithë stukturat spitalore shëndetësore, që do të trajtojnë personat me infeksionin e shkaktuar nga COVID-19

“Mirënjohëse për punën e palodhur të ekipit të anestezi-reanimacionit në këto ditë të vështira në përballje me COVID-19. Dr. Krenar Lilaj është në krye të organizimit të punës së shërbimit anestezi- reanimacion në të gjithë stukturat spitalore shëndetësore, që do të trajtojnë personat me infeksionin e shkaktuar nga COVID-19. I gjithë ekipi po bën një punë heroike”-u shpreh Manastirliu./atsh

Punë e palodhur e ekipit të anestezi-reanimacionit në përballje me COVID-19 Read More »

Ministria e Shëndetësisë: Këshilla për menaxhimin e stresit kundrejt COVID-19

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka ndarë disa këshilla për menaxhimin e stresit kundër COVID-19.

“Është normale të ndjeheni të shqetësuar, të hutuar, të frikësuar nga kjo situatë. Bisedoni me njerëzit që ju besoni. Kontaktoni miqtë e familjarët. Nëse duhet të qëndroni në shtëpi, mbani një stil jetese të shëndetshëm. Mos përdorni duhan, alkool apo substanca të tjera për të përballuar emocionet. Nëse ndjeni që shqetësimi ju mbizotëron, bisedoni me një punonjës shëndetësor. Përgatisni një plan ku mund të shkoni e të kërkoni për shëndetin mendor nëse paraqitet e nevojshme. Mblidhni fakte në lidhje me rrezikun tek ju dhe si të merrni masa. Përdorni burime të besueshme për të marrë informacione të tilla si agjenci shëndetësore/lokale/shtetërore. Mundohuni të reduktoni kohën që ju dhe familja juaj shpenzon me informacione shqetësuese në media. Mundohuni të gjeni aftësi tek vetja që kemi përdorur në të kaluarën në situata të vështira, për të menaxhuar emocionet”, -rekomandon Ministria.

Por si mund të parandalohet COVID-19?

Së pari, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, duhet të respektojmë oraret e daljes. Të mund të dalin nga shtëpia vetëm për nevoja jetike. Të mbajmë distancë me njëri-tjetrin, së paku një metër.

Të mbajmë distancë me njëri-tjetrin në dyqanet ushqimore, fruta-perimet, furrat e bukës dhe farmacitë. Të zbatojmë rregullat e higjienës dhe në rast problemesh shëndetësore të këshillohemi me mjekun e familjes, në rast problemesh shëndetësore.

Për informacione dhe pyetje mbi COVID-19 , është vënë në dispozicion numri 08004040, për raste të dyshuara me COVID-19./atsh

Ministria e Shëndetësisë: Këshilla për menaxhimin e stresit kundrejt COVID-19 Read More »

“Fundjavë ndryshe”, krahu i djathtë i operacionit humanitar, Rama: Shëmbëlltyra e njerëzillëkut në këtë kohë kolere

Kryeministri Edi Rama shprehu sot mirënjohjen për stafin e “Fundjavë ndryshe”, të cilët i cilësoi si krahu i djathtë i operacionit humanitar.

Rama vlerësoi vajzat e djemtë, që vullnetarisht po sakrifikojnë çdo ditë, bashkë me forcat e shtetit në terren, duke u bërë shëmbëlltyra e njerëzillëkut në këtë kohë kolere.

“‘Fundjavë ndryshe’, krahu i djathtë i operacionit humanitar, meriton gjithë mirënjohjen tonë për vajzat e djemtë, që vullnetarisht po sakrifikojnë çdo ditë, bashkë me forcat e shtetit në terren, duke u bërë shëmbëlltyra e njerëzillëkut në këtë kohë kolere”, tha Rama, ndërsa shpërndau një video nga shpërndarja e ndihmave./atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/256313915372470/?t=0

“Fundjavë ndryshe”, krahu i djathtë i operacionit humanitar, Rama: Shëmbëlltyra e njerëzillëkut në këtë kohë kolere Read More »

Kryebashkiaku Leli për ATSH-në: Ndihma për rreth 1500 familje në nevojë, në këtë luftë të bëhemi të gjithë palë

Rreth 1500 familje në nevojë në bashkinë e Vlorës do të përfitojnë ndihma për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, tha sot për ATSH-në se “që në ditët e para kemi ndarë rreth 300 ndihma, falë mbështetjes së donatorëve. Nga dje, ka filluar një aksion humanitar i bashkisë me të gjithë stafin, ku do të shpërndahen ndihma në 1500 familje, të cilat janë evidentuar si më problematike nga bashkia”.

Sipas Lelit, kjo është një pandemi që ka gjunjëzuar njerëzimin.

“Pjesa më e rëndësishme ka qenë përballja me problematikat e higjienës, dezinfektimi i hapësirave publike. Higjiena personale dhe ajo në komunitet është më e rëndësishmja dhe për këtë kemi gjetur edhe mbështetjen e qytetarëve.

Në lidhje me masat e marra, Leli u shpreh se përgjegjshmëria është çelësi i suksesit.

“Në këtë luftë të bëhemi të gjithë palë dhe të jemi sa më të përgjegjshëm. Ndërgjegjësimi i qytetarëve të Vlorës është rritur. Do të doja që masat të ishin edhe më të forta. Njerëzit duhet të dalin një herë në dy apo tre ditë, që të minimizojnë kontaktet. Kjo ëndërr e keqe duhet të ketë fundin e saj sa më shpejt. Përgjegjshmëria njerëzore është çelësi i suksesit në këtë luftë të njerëzimit”, tha Leli.

Në qytetin e Vlorës vijon gjithashtu edhe dezinfektimi i hapësirave publike, institucioneve, si spitale, qendra shëndetësore, shkolla, kopshte, rrugë, pallate, etj./atsh

Kryebashkiaku Leli për ATSH-në: Ndihma për rreth 1500 familje në nevojë, në këtë luftë të bëhemi të gjithë palë Read More »

Flota e re e autoambulancave gati për t’u nisur nga Turqia drejt Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama tha sot se “flota e re e autoambulancave të emergjencave civile është gati për t’u nisur nga Turqia drejt Shqipërisë”.

Kryeministri ndau pamje të autoambulancave të reja të cilat janë të mirëpajisura dhe do t’i shtohen flotës së autoambulancave në vend, për të përballuar situatën e krijuar nga COVID-19.

Ditën e djeshme Kryeministri Edi Rama vlerësoi faktin se “qeveria turke hapi kanalin e eksportit të materialeve mjekësore për Shqipërinë me urdhrin e Presidentit, Recep Tayyip Erdogan”.

Po dje nga Turqia, mbërriti një sasi prej 50 mijë mjetesh të mbrojtjes personale, materiale të blera nga qeveria shqiptare për stafet mjekësore, të cilat kanë filluar të shpërndahen në të gjithë spitalet./atsh

Flota e re e autoambulancave gati për t’u nisur nga Turqia drejt Shqipërisë Read More »

Lirimi i përkohshëm i të dënuarve, Gjonaj: Po shqyrtohet me imtësi dokumentacioni

Procesi i lirimit përkohësisht të 600 të dënuarve, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të personave të privuar nga liria për shkak të rrezikut që mund t’i vijë nga pandemia COVID 19, ka nisur me shqyrtimin në imtësi të dokumentacionit të të dënuarve.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, në një mesazh të publikuar sot, thekson se ky proces do të kryhet për 5 ditë nga komisionet përkatëse të IEVP-ve dhe me pas Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve brenda 3 ditëve do të lëshojë urdhrin e lirimit të përkohshëm.

“Dje gjatë mbledhjes së posaçme të Këshillit të Ministrave, mbi masat e marra për përballimin e situatës së COVID-19, raportova mbi ecurinë e zbatimit të aktit normativ për lirimin e përkohshëm të një pjese të të dënuarve, me qëndrim të përkohshëm në shtëpi”,- thekson Gjonaj.

“Këto masa merren me qëllim mbrojtjen e shëndetit të personave të privuar nga liria për shkak të rrezikut që mund t’i vijë nga kjo pandemi. Për çdo të dënuar, Komisionet e ngritura në çdo IEVP, janë duke shqyrtuar me imtësi dokumentacionin e plotë administrativ dhe po kryejnë verifikimin e duhur me prokuroritë e rretheve, policinë dhe komisionin disiplinor të burgjeve për të përmbushur elementët e përcaktuar në aktin normativ me qëllim garantimin e sigurisë”,- tha Ministrja e Drejtësisë.

“Ky proces do të kryhet për 5 ditë nga komisionet përkatëse të IEVP-ve dhe me pas Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve brenda 3 ditëve do të lëshojë urdhrin e lirimit të përkohshëm. Çdo komision i IEVP-ve gjendur në këtë situatë, po merr kontaktet me familjarët e të dënuarve për të plotësuar dokumentacionin e kërkuar dhe për të dhënë dakordësinë e qëndrimit në të njëjtën banesë. Formularët e proçedurës për çdo të interesuar gjenden të publikuara në faqen e DPB: ➡http://www.dpbsh.gov.al/newweb/…“,-përfundon Gjonaj./atsh

Lirimi i përkohshëm i të dënuarve, Gjonaj: Po shqyrtohet me imtësi dokumentacioni Read More »

Meta: Lufta kundër COVID 19 kërkon unitet, vlerësoj masat e qeverisë

Presidenti Ilir Meta gjatë një interviste televizive, pasditen e të enjtes ka theksuar se lufta kundër COVID 19 kërkon unitet, teksa ka nënvizuar se vlerëson masat e qeverisë.

“Vlerësoj se po bëhet më e mira për përballimin e kësaj pandemie dhe aktualisht është një situatë nën kontroll dhe do mund të mbahet nën kontroll në rast se çdo qytetar do tregojë përgjegjësinë që kërkohet”,- tha Meta.

“Nuk kemi asnjë arsye për të patur panik, as në drejtim të trajtimit të të prekurve, apo qoftë edhe të furnizimit të vendit për mallrat më jetikë. Natyrisht është e domosdoshme një organizim më efikas për të frenuar në maksimum përhapjen e mëtejshme të kësaj pandemie”,- shtoi Presidenti.

“Kemi patur një kufizim të disa lirive të të drejtave themelore të qytetarëve por këto masa janë marrë me qëllim për të mbrojtur shëndetin e tyre. Virusi është rrezik dhe një kërcënim për të gjithë, ndaj të gjithë duhet të jemi të unifikuar në luftën kundër tij”,- përfundoi Presidenti Meta./atsh

Meta: Lufta kundër COVID 19 kërkon unitet, vlerësoj masat e qeverisë Read More »