Aktualitet

Lleshaj: Punonjësit e policisë do të kompensohen, mbajnë barrën pas bluzave të bardha

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj gjatë vizitës së sotme në Durrës ka zhvilluar një takim me drejtues dhe punonjës të Policisë vendore në qark, të cilët i falënderoi për gjithë angazhimin në përmbushje të detyrave.

Në takim, ministri Lleshaj tha se “vërtet duket sikur kemi sot dy herë më shumë polici. Në fakt, Policia është ai numër që ka qenë, por është shtuar prezenca, është shtuar koha e shërbimit për secilin prej jush. Kështu që gjej mundësinë që përmes jush t’i përshëndes dhe t’i falënderoj të gjithë punonjësit e Policisë për angazhimin që po bëjnë”.

Lleshaj u premtoi nga Durrësi punonjësve të Policisë së Shtetit se do merren masa për kompensimin financiar të tyre.

“Sigurisht, qeveria mban shënim për këtë, në kuptimin që ne do të marrim masat e plota për kompensimin e përpjekjeve tuaja, në kuptimin e orëve shtesë, të ngarkesës së madhe që po mbani, por prapë theksoj se ne mbajmë një barrë të madhe për këtë situatë, pas barrës që mbajnë punonjësit e bluzave të bardha. Por ju, bluzat blu po ashtu, mbani një barrë të madhe në këtë situatë dhe duhet të vazhdojmë me këtë intensitet”, theksoi ai.

Po ashtu, Lleshaj shtoi se “e rëndësishme është që Policia nuk është përgjegjëse vetëm për koronavirusin, por është përgjegjëse për të gjithë atë gamë detyrash, të cilat vazhdojnë të jenë në fuqi, lufta ndaj krimit, parandalimi i krimit, lufta ndaj fenomeneve të tjera, që cenojnë rendin e sigurinë publike e shumë e shumë përgjegjësi të tjera”./atsh

Lleshaj: Punonjësit e policisë do të kompensohen, mbajnë barrën pas bluzave të bardha Read More »

Pandemia/ E-group: Shqipëria mbyll një javë sipas pritshmërive dhe parashikimeve

E-group-i që funksionon pranë Akademisë së Shkencave pasqyron situatën e gjendja e pandemisë në Europë dhe në Shqipëri gjatë 24 orëve të fundit, ku thekson se Shqipëria mbyll një javë sipas pritshmërive dhe parashikimeve, forcon vazhdimin e sheshimit të kurbës dhe fillimin e uljes së të sëmurëve faktikë.

E-group shprehet se “një javë më parë, në deklaratën e saj publike, Akademia e Shkencave (nëpërmjet komisioneve të saj të përhershme: komisioni i mjekësisë dhe ai i matematikë-informatikës), paralajmëroi, duke vlerësuar dhe sintetizuar të dhënat, “rolin përcaktues të kësaj periudhe për ecurinë e mëtejshme te pandemisë”.

“Shtimi me 17 të prekur të rinj i numrit tërësor të të sëmurëve gjatë ditës së fundme përbën një rritje prej 4 për qind. Kjo rritje është në vijimësi të logjikës së ecurisë gjatë javës që po mbyllim, me një mesatare rritjeje ditore prej 3.8 për qind. Këto janë ritme karakteristike të fazës se sheshimit të kurbës së rritjes” shprehet E-group.

Po ashtu për situatën në Itali, E-group shprehet se “dje, në Itali dhe specifikisht në Lombardi, Milano e Bergamo, u shënjuan gjegjësisht rritjet prej 2.7 për qind, 2.27 për qind, 2 për qind dhe 1 për qind. Por, në dallim nga Italia, deri tani ritmi i shërimeve në vendin tonë është shumë më i lartë. Shifrat gjegjëse janë 45 për qind dhe 22 për qind. Kjo dinamikë e treguesve ka bërë që Shqipëria të hyjë më shpejt në fazën e daljes nga pandemia. Gjatë javës që po mbyllim treguesit e pandemisë tek ne kanë ecur sipas pritshmërive dhe parashikimeve që janë bërë edhe prej Akademisë së Shkencave, komisionit të përhershëm të mjekësisë, të atij të matematikë-informatikës dhe të anëtarëve të E-group-it tonë “Në ndjekje të pandemisë”.

E-group shprehet se “gjatë javës në vazhdim kërkohet vazhdimi i të njëjtave masa kryesore dhe i së njëjtës përkujdesje, me qëllim që rritja të mbahet nën 3 për qind.Në shkallë botërore dje u shënjua një rritje prej 5.8 për qind, nga 5.6 për qind që u raportua një ditë më parë. Kjo për shkak të gati dyfishimit të numrit të të prekurve të rinj në Britaninë e Madhe (8.680 të infektuar të rinj, kundrejt 4.200 të infektuarve një ditë më parë). Britania e Madhe dhe Rusia janë në fazën e zgjerimit të pandemisë, me 9 për qind deri në 18 për qind rritje në ditë.

Për sa i përket situatës në SHBA, E-group shton se “në SHBA dje u shënjua indeksi më i ulët i rritjes: 7.1 për qind, nga 7.7 për qind një ditë më parë. Por ndërkohë, për fat të keq, humbja e jetëve njerëzore ishte përsëri në nivelet më të larta, me 2.035 veta. Treguesit e lartë të vdekshmërisë mbeten shqetësues edhe per vendet kryesore europiane, ndonëse këta tregues, përveç Belgjikës, dje shënjuan ulje. Kjo u vërtetua në Francë, Spanjë, Itali, Holandë dhe Gjermani. Pritet që kjo tendencë të theksohet në ditët e ardhshme”.

Po ashtu E-group shton se “Europa në tërësi ka shënjuar një rritje të të prekurve të rinj në kufijtë nën 5 për qind. Konkretisht, në Spanjë, Gjermani, Zvicër dhe Austri ky tregues u dëshmua gjegjësisht në nivelet 3.3 për qind, 3.3 për qind, 2 për qind dhe 2.4 për qind. Shmangie të kuptueshme përbëjnë treguesit e Francës dhe Holandës, me 6 për qind. Ndërsa Belgjika, me 6.7 për qind rritje gjatë ditës së djeshme, po njeh një tendencë jostabilizimi”.

“Shërimet në vendet europiane, ku dhe përhapja e pandemisë është më e gjerë, ndonëse me ulje gjatë ditës së djeshme, si trend janë në nivele të kënaqshme. Arritja e shërimeve në nivelet 46 për qind në Zvicër, 44 për qind në Gjermani, 35 për qind në Spanjë dhe mbi 22 për qind në Francë, përbën një tregues pozitiv, çka përshpejton daljen e Europës nga faza e pikut”, shprehet E-group. /atsh

Pandemia/ E-group: Shqipëria mbyll një javë sipas pritshmërive dhe parashikimeve Read More »

Meta uron për Pashkët: Lutjet tona shkojnë për mjekët dhe infermierët në vijën e parë të luftës

Presidenti Ilir Meta ka uruar për Festën e Shenjtë të Pashkëve për besimtarët katolikë dhe ungjillorë ndërsa ka thënë se sot më shumë se kurrë të gjithë kemi nevojë të ndjejmë mesazhin e Krishtit të Ringjallur.

‘Sot Pashkët po i kremtojmë me “dyer të mbyllura” për shkak të pandemisë, që po shkakton shumë dhimbje, varfëri dhe frikë. Ndaj më shumë se kurrë të gjithë kemi nevojë të ndjejmë thellë në shpirt e në zemrat tona mesazhin e Krishtit të Ringjallur, i cili na porosit: “Unë jam i Gjallë në mesin Tuaj, prandaj MOS KINI FRIKË”. Ringjallja e Krishtit na siguron se Zoti, për këdo që e beson, është i pranishëm kudo, në çdo vend dhe në çdo kohë. Ndaj le t’i shndërrojmë këto momente të vështira që po përjetojmë, në forcë e kurajo, sepse edhe fizikisht larg njëri-tjetrit, por me solidaritet e gjithëpërfshirje, ne mund dhe do t’ia dalim. Sepse siç na porosit edhe Papa Françesku: “Ringjallja e Krishtit është forcë dhe kurajo në momentet më të vështira për mbarë njerëzimin. Dashuria na bën të shpresojmë në një botë më të mirë”, thotë Meta.

Ndërsa i gëzohemi thjeshtësisë së Festës së Pashkës, Meta thotë se lutja shkon për mjekët dhe infermierët të cilët po shërbejnë me përshkushtim e sakrifica të pashembullta në vijën e parë të mbrojtjes së shëndetit të çdo qytetari.

“T’i gëzohemi thjeshtësisë së Festës së Pashkëve në familjet tona, dhe le ta ndajmë gëzimin tonë në lutje për shëndetin e të afërmve tanë, për shërimin e të prekurve nga kjo pandemi dhe për të gjithë mjekët e infermierët, heronjtë tanë, që po shërbejnë me përkushtim e sakrifica të pashembullta në vijën e parë të mbrojtjes së shëndetit të çdo qytetari. Të lutemi edhe për priftërinjtë dhe klerikët që po ndihmojnë sa mundin dhe janë pranë kategorive më të përvuajtura. Të ndajmë të mirat dhe lumturinë tonë veçanërisht me të moshuarit, të vetmuarit dhe njerëzit më në nevojë, të cilët më shumë se kurrë kanë sot nevojë, jo vetëm për dhembshuri, por për dashuri dhe ndihmë. Ju uroj të gjithëve Pashkë të bardha e të bekuara, me shpresën që mesazhi i kësaj Dite të Shenjtë të sjellë ringjallje të vërtetë në shpirtrat e zemrat tona, në familjet tona, në shoqërinë dhe në mbarë kombin tonë”, thotë Meta.

Mandej, Presidenti ka uruar edhe komunitetin e shqiptarëve në Itali. “Një urim të veçantë kam për komunitetin e dashur të shqiptarëve në Italinë mike të prekur rëndë nga pandemia, për arbëreshët e mrekullueshëm, për arbanasit fisnikë të Kroacisë, dhe për të gjithë besimtarët shqiptarë kudo ndodhen”, u shpreh ai./atsh

Meta uron për Pashkët: Lutjet tona shkojnë për mjekët dhe infermierët në vijën e parë të luftës Read More »

Leli: Bashkia e Vlorës solidaritet të pakushtëzuar për të ndihmuar grupet dhe shtresat në nevojë

Bashkia e Vlorës po bën një punë të jashtëzakonshme për identifikimin e grupeve dhe shtresave në nevojë për t’i ndihmuar me ndihma ushqimore dhe ilaçe, në kuadër të luftës kundër përhapjes së COVID-19.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, thekson se “në një situatë të vështirë të pazakontë bashkisë së Vlorës i ka dalë përballë sfida e identifikimit të grupeve dhe shtresave në nevojë, për të cilën bashkia ka organizuar një strukturë strukture hierarkie, ku për çdo rajon dhe njësi administrative ekziston një grup i i përbërë nga kryetari i rajonit, punonjës social, punonjës policie bashkiake punonjës poste dhe vullnetarë”.

Sipas tij, ky grup luan rolin kryesor në identifikimin e shtresave në nevojë.

“Gjithashtu një pjesë e kërkesave vijnë edhe nëpërmjet rrugëve elektronike si whatsapp duke nisur nga numri im personal, çdo administrator, si dhe 4 numra telefoni që janë vendosur në dispozicion, facebook i bashkisë Vlorë dhe ai i imi personal , portali ‘Shqipëria që duam,” apo dhe numrat jeshil. Çdo kërkesë i shpërndahet kryetarit të rajonit përkatës, i cili merr masat e nevojshme për verifikimin e situatës dhe më tej ndjekjen sipas rasteve”, – sqaron Leli.

Përsa i përket shtresave në nevojë të identifikuara në bashkinë e Vlorës, Leli tha se “janë personat me aftësi të kufizuara, pensionistë të cilët jetojnë vetëm në familje apo individë në nevojë, komuniteti rom dhe egjiptian familje me më shume se 5 anëtarë përfitues të ndihmës ekonomike”,

Kryebashkiaku Leli shprehet se “përveç strukturës së organizimit, e cila krijon gjithëpërfshirje ndërsektoriale në bashkinë e Vlorës, ne nuk kemi patur sfidë të veçantë identifikimin e pjesës informale sepse skema kapilare e shtrirë në çdo qelizë të institucionit të bashkisë na ka lejuar hapësira dhe lehtësira për të shkuar deri te pjesët më të vështira të shoqërisë”.

“Kjo do të thotë që janë marrë në konsideratë dhe janë vlerësuar të gjitha informacionet, kërkesat dhe nevojat e çdo qytetari që ka arritur të aksesojë në kohë reale të gjitha mjetet e vëna në dispozicion, komunikative të vendosura nga bashkia si më lart përmendur”, – tha Leli.

Ai u shpreh se “menaxhimi është realizuar në një frymë profesionale, solidariteti e disponibiliteti të pakushtëzuar nën drejtimin tim si kryetar i bashkisë dhe si kryetar i komisionit qendror në skemën e ngritur të grupit të punës”.

“Jemi në luftë dhe të gjithë duhet të kontribuojmë. Jemi duke diskutuar me të gjitha bashkitë e tjera dhe qeverinë qendrore për marrjen e masave sa më të mira, për këto grupe, të cilët për momentin kanë kaluar si të papunë”, – tha Leli./atsh

Leli: Bashkia e Vlorës solidaritet të pakushtëzuar për të ndihmuar grupet dhe shtresat në nevojë Read More »

Pogradec/ 4 350 familje përfitojnë dyfishim të ndihmës ekonomike

4 350 familje përfitojnë dyfishim të pagës së ndihmës ekonomike, në bazë të vendimit të fundit të qeverisë, për mbështetjen e familjeve në nevojë në kushtet e situates së fatkeqësisë natyre nga COVID-19.

Kjo pagesë do të zgjasë për të gjithë periudhën e vështirë krijuar nga përhapja e COVID-19.

Bashkia Pogradec, njofton se, familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike mund të tërheqin pranë Postes Shqiptare pagesën e dyfishuar të ndihmës ekonomike.

Ndërkohë ekipet e bashkisë vijojnë me shpërndarjen e ndihmave me ushqime për familjet në nevojë dhe personat e vetmuar duke u përkujdesur për gjithëkënd që ka nevojë në këtë situatë të vështirë. /atsh

Pogradec/ 4 350 familje përfitojnë dyfishim të ndihmës ekonomike Read More »

15 të shëruar nga COVID-19, 197 në total

Në 24 orët e fundit, 15 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve nga COVID-19 duke e çuar numrin në 197.

Lajmi u bë i ditur nga zv/ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli në një komunikim për mediet.

Betejën me këtë sëmundje e kanë humbur deri tani 23 qytetarë, megjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të personelit shëndetësor.

Rakacolli tha se “vazhdon puna në terren për identifikimin e rasteve të reja dhe gjurmimin e kontakteve të rasteve, të konfirmuara pozitive”.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social.//atsh

15 të shëruar nga COVID-19, 197 në total Read More »

“Bukuri njerëzore”/ Rama ndan historinë frymëzuese të kryeinfermieres Ana Luca, që la postin e administratores së spitalit dhe u kthye në detyrë

“Bukuri njerëzore”, kështu e cilësoi Kryeministri Edi Rama historinë e Ana Lucës, kryeinfermieres në Spitalin Infektiv, e cila la me dëshirë postin si administratore e spitalit polivalent në QSUT dhe shkoi drejt e në zemër të Covid -19.

Ana Luca u rikthye në profesionin e saj, duke zëvendësuar kolegen që u prek nga koronavirus. “Isha me leje të zakonshme, kur mora vesh lajmin për rastet e para të infektuar në Shqipëri . Të nesërmen u ktheva menjëherë në punë dhe kërkova të rikthehesha në profesionin tim, atë të infermieres në spitalin Infektiv”, shprehet Ana”.

“Unë besoj në Zot”, kjo është thënia që Ana nuk harron asnjë ditë ta shkruaj te maska e saj, kur futet për të kryer shërbimin në ambientet e Spitalit Infektiv.

Orët e gjata të punës, 12 por ndonjëherë edhe 14 orë, nuk ja kanë zbehur shpresën se çdo gjë do kalojë shpejt e do takojë sërish të birin, të cilin nuk e ka parë prej 1 muaji nga frika se mos sëmuret dhe infekton edhe atë.

Momenti kur flet për merakun e të birit, është i vetmi kur heq buzëqeshjen nga fytyra dhe përlotet.

Brenda ambienteve të spitalit ku kurohen të prekurit me COVID, Ana nuk harron të shpërndajë edhe optimizmin dhe pozitivitetin e saj, pasi siç thotë ajo ai staf mjekësor është e vetmja familje për të prekurit nga COVID-19.

Ana Luca e mbyll rrëfimin me fjalët: “Dalshim të gjithë faqebardhë”./atsh

“Bukuri njerëzore”/ Rama ndan historinë frymëzuese të kryeinfermieres Ana Luca, që la postin e administratores së spitalit dhe u kthye në detyrë Read More »

Mjeku shqiptar në SHBA: Pastërtia dhe higjiena, të rëndësishme për t’u mbrojtur nga COVID-19

“Kujdesi kurrë nuk është i tepruar; pastërtia dhe higjiena janë të rëndësishme për t’u mbrojtur nga COVID-19”

Mjeku kardiolog Sulejman Çele në një intervistë televizive nga Neë York tregon për betejën profesionale me Covid-19.

I veshur me veshjen speciale, ai u shpreh se ka frikë edhe për familjen kur shkon në shtëpi, duke u ndërruar në garazh.

“Po kemi frikë, pasi frika është një ndjenjë humane, është e vërtetë që frikë kemi të gjithë. Do të bëjmë ç’është e mundur për pacientët. Siç e shihni tani jam me uniformë dhe po mbrohem siç e kërkojnë të gjitha standardet, por kemi frikë, por edhe kujdes me pacientët. Kujdesi kurrë nuk është i tepruar, pastërtia higjiena. Kam frikë kur shkoj në shtëpi, për familjen, ndërrohem në garazh, bëj dush, që të mbrohem” u shpreh mjeku.

Çele shpreson që situata të mbarojë sa më shpejt dhe sipas tij në zona e New York është në momentin e kulmit. Por Amerika është një kontinent dhe nuk mund të thuhet se do e kalojë shpejtë COVID-19./atsh

Mjeku shqiptar në SHBA: Pastërtia dhe higjiena, të rëndësishme për t’u mbrojtur nga COVID-19 Read More »