Aktualitet

E bija e Dr. Petrit Kokalarit nga SHBA mesazh mjekëve: Sot, ju jeni heronjtë e Shqipërisë

“Sot, ju jeni heronjtë e Shqipërisë, drita e shpresës dhe misioni juaj, na jep forcë të gjithëve”, është mesazhi që e bija e mjekut dhe e pedagogut të shquar, Dr. Petrit Kokalari, Drejtor i Institutit të Mjekësisë Popullore, i ka drejtuar doktorit, Tritan Kalo, e përmes tij edhe të gjithë mjekëve të spitalit Infektiv.

Doktor Kalo e ka cilësuar, mallëngjyes mesazhin e marrë sot përmes një emisioni televiziv, ndërsa shprehet se mirënjohja është virtyt i fisnikëve ndërshekullorë të trojeve arbërore dhe jo i shumë harbutërve të demonkracisë sonë.

“Sot ju jeni heronjtë e Shqipërisë, drita e shpresës dhe misioni juaj, na jep forcë të gjithëve. Më vjen keq që duhej kjo tragjedi dhe një krizë e këtij niveli, që t’ju shprehnim publikisht vlerësimin që ndjejmë, por më lejoni t’ju siguroj se ky vlerësim dhe respekt për ju, jam e sigurt se ka qenë, është dhe do të ngulitet thellë në koshiencën e të gjithë shqiptarëve” thuhet në mesazhi e znj. Kokalari.

Doktor Kalo shpreh bindjen se ekipi mjekësor shqiptar do t’ja dalë të fitojë betejën me COVID -19.

“Shqiptari i vërtetë mbetet shqiptar, i lidhur përjetësisht me dheun amë, kudo ku ai frymon. Së bashku ne do ja dalim me siguri mbanë”, deklaroi Kalo.//atsh

E bija e Dr. Petrit Kokalarit nga SHBA mesazh mjekëve: Sot, ju jeni heronjtë e Shqipërisë Read More »

Leje për mjet për punë në e-Albania/ Çfarë duhet të dinë qytetarët për aplikim të suksesshëm

Përmes portalit e-Albania u është dhënë sot përgjigje pyetjeve më të shpeshta nga qytetarët për lejet që nevojiten për mjetin e tyre për të shkuar në punë.

Pyetje të shpeshta: “Leja për mjet për punë”

1. Për çfarë shërben kjo leje?

Kjo leje shërben për të shkuar dhe për t’u kthyer nga puna me automjet ose motomjet.

2. Çdo ditë që shkoj në punë me makinë duhet të aplikoj për leje?

Jo, leja është javore. Por, vetëm nëse ju aplikoni për fashat orare: 05.00 – 08.00 dhe 16.00 – 17.30, nga e hëna në të premte.
Nëse aplikoni për orare specifike në opsionin “Punë me turne” leja është nga e hëna në të diel, sipas orareve që ju zgjidhni gjatë aplikimit për secilën prej ditëve të javës.

3. A mund të bëj pazaret me këtë leje, të shkoj në farmaci, spital apo të tjera emergjenca si këto?

Jo, me këtë leje mund të aplikoni vetëm për të shkruar në punë, pra me itinerar: Shtëpi-punë-shtëpi.

4. Nga momenti që e kam marrë, përsa kohë është e vlefshme kjo leje?

Leja brenda fashës normale 05.00 – 8.00 dhe 16.00-17.30 është e vlefshme deri të premten e asaj jave për të cilën po aplikoni.
Leja per punën me orare specifike apo të cilësuar si: “Punë me turne” jashtë fashave orare standarde vlen për 7 ditët e javës, duke nisur nga dita që po aplikon, përfshirë edhe fundjavën.

5. Po unë që e kam punën me turne?

Ju mund të aplikoni për leje në e-Albania duke klikuar opsionin “Punë me turne”, ku do t’i zgjidhni vetë oraret specifike për çdo ditë të javës.

6. Jemi disa anëtarë të familjes në punë. Kemi vetëm një makinë. A mund të udhëtojmë bashkë?

Në makinë lejohet lëvizja e jo më shumë se 2 personave. Shoferi dhe një pasagjer i ulur në sediljen e pasme, diagonal me shoferin, që mund të jetë familjar me autorizim pune ose koleg i të njëjtit vend pune.

7. Unë s’kam makinë, por dua të përdor automjetin e një të afërmi për të shkuar në punë. A e marr lejen?

Po, ju mund të përdorni automjetin e dikujt tjetër duke plotësuar targën dhe shasinë e atij automjeti.

8.Kam në përdorim automjet dhe motoçikletë. A mund të marr leje per të dyja?

Jo, një person mund të marrë leje vetëm për 1 automjet ose motoçikletë.

9. Si bëhet aplikimi për leje me mesazh të thjeshtë?

Modeli, që duhet të ndjek. Formatet e mesazheve janë 4, sipas specifikës së aplikuesit:

Shtetas shqiptar, targë shqiptare:
M TARGË SHASI NID

Shtetas i huaj, targë e huaj:
MF F TARGË NID

Shtetas shqiptar, targë e huaj:
MF TARGË NID

Shtetas i huaj, targe shqiptare:
M F TARGË SHASI NID

10. Kur e marr përgjigjen nëse aplikoj për leje, përmes e-Albania?

Nëse aplikon për leje nga e-Albania, përgjigja miratuese do t’ju vijë në moment në e-mail apo në numrin e telefonit që keni regjistruar në portal.

11. Po kur aplikoj me SMS, për sa kohë më vjen përgjigja miratuese?

Pas aplikimit me SMS në numrin: 55155, përgjigja do t’ju mbërrijë brenda 24 orësh.

12. Sa persona mund të marr me vete në makinë?
Vetëm 1 person, familjar me autorizim pune ose nje koleg në të njëjtin vend pune me ju.

13. Po unë që punoj me turne, edhe ditën e shtunë, a përfitoj nga “Leja për automjet”?

Po, pasi identifikoheni në portalin e-Albania dhe futeni tek shërbimi “Leje për automjet”, ju duhet të zgjidhni opsionin “Punë me turne” dhe të plotësonj oraret specifike për çdo ditë të javës, nga e hëna në të diel.

14. A do të jenë të vlefshme autorizimet e lëshuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, deri më tani?

Të gjitha autorizimet e marra deri tani përmes e-mail nga Policia e Shtetit janë të vlefshme edhe për javën e ardhshme (20-26 prill).
Për lejet pas datës 26 prill, ju duhet të riaplikoni sërish pranë e-Albania./atsh

Leje për mjet për punë në e-Albania/ Çfarë duhet të dinë qytetarët për aplikim të suksesshëm Read More »

“Do fitojmë”, mesazhi i ekipit mjekësor të spitalit “Shefqet Ndroqi” në këtë ditë shprese

Ekipi mjekësor i spitalit “Shefqet Ndroqi” që sot janë në vijën e parë duke u përballur me luftën kundër COVID-19, përcollën një mesazh shprese në këtë ditë të Pashkës Ortodokse.

“Do fitojmë“, ishte mesazhi i shpresës që ata përcjellin te çdo qytetar.

Mesazhi i ekipit shëndetësor u përcoll nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

“Do fitojmë“. Mesazhi i ekipit mjekësor të spitalit “Shefqet Ndroqi”, që përballen me rastet e vështira me COVID-19 në këtë ditë shprese”, tha ministrja Manastirliu , teksa publikoi foton e ekipit./atsh

“Do fitojmë”, mesazhi i ekipit mjekësor të spitalit “Shefqet Ndroqi” në këtë ditë shprese Read More »

Gati vërtetimi online në e-Albania për të gjitha bizneset që lejohen të hapen nga nesër, merret vetëm një herë

Bizneset e miratuara për hapje nga Ministria e Shëndetësisë duke nisur nga java që vjen (20 – 26 prill), mund të shkarkojnë online në www.e-albania.al vërtetimin.

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se ky vërtetim merret vetëm një herë dhe se duhet të jetë i disponueshëm, në mjedisin e biznesit kur zhvillohet një procedurë kontrolli.

“Bizneset e hapura të zbatojnë përpikmërisht protokollin e sigurisë që është i publikuar në www.e-albania.al sipas kategorisë përkatëse”, theksoi Kryeministri.

Kryeministri publikoi edhe hapat që një biznes duhet të ndjekë për tu pajisur me këtë vërtetim.

Nëse përfaqësuesi i biznesit nuk ka një llogari ekzistuese të biznesit në e-albania, ata mund të kryejnë hapjen e saj duke u identifikuar si “Administrator” me kredencialet e tyre. Më pas klikon butonin “Regjistro” një biznes dhe plotëson të dhënat që kërkohen.

Për të gjeneruar vërtetimin, mjafton të identifikoheni në llogarinë e biznesit në e-Albania me nipt-in tuaj dhe të përzgjidhni shërbimin “Vërtetim për aktivitet ekonomik të hapur”.

Pasi të klikoni butonin “Përdor”, menjëherë në ekran do t’ju shfaqen të dhënat e biznesit tuaj dhe mesazhi nëse subjekti Juaj lejohet ose jo të ushtrojë aktivitetin në këtë periudhë.

Klikoni butonin “Dërgo” dhe vërtetimi do të vijë menjëherë në adresën e email-it të biznesit që është regjistruar në platformën e-Albania.

Para se të mbyllni dritaren e konfirmimit në e-Albania, lutemi të lexoni me vëmendje protokollin e sigurisë, që duhet të zbatojnë bizneset e hapura.

“Ruani veten, punonjësit tuaj dhe konsumatorin. Mosdisponimi i vërtetimit si biznes i miratuar nga Ministria e Shëndetësisë apo moszbatimi i protokollit përkatës të sigurisë, sjellin pasoja administrative dhe penale”, tha Kryeministri Rama.

Vërtetim për aktivitet ekonomik të hapur

“Vërtetim për aktivitet ekonomik të hapur” është një shërbim elektronik i cili u mundëson subjekteve të aplikojnë online për t’u pajisur me vërtetim që dëshmon se subjekti është i autorizuar të ushtrojë aktivitetin gjatë periudhës së gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të COVID-19, në përputhje me urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Kujdes! Ky vërtetim duhet të mbahet gjatë gjithë kohës në ambientet e subjektit dhe t’i tregohet inspektorëve ose punonjësve të policisë në rast kontrolli.
Ky autorizim është i vlefshëm për mbajtësin, deri në momentin që aktiviteti të cilin ai ushtron është në listën e aktiviteteve të lejuara. Në rast se aktiviteti mund të përbëjë rrezikshmëri për shëndetin dhe futet në listën e aktiviteteve të mbyllura, atëherë autorizimi automatikisht humbet vlefshmërinë e tij, në momentin që njoftohet publikisht ndryshimi i kategorisë së aktivitetit.
Dokumentacioni i nevojshëm
Për këtë shërbim nuk nevojitet dokumentacion shoqërues.

Hapat e procedurës

– Identifikohuni si biznes me NIPT në portalin e-Albania;
– Zgjidhni shërbimin “Vërtetim për aktivitet ekonomik të hapur”;
– Klikoni butonin” Përdor”;
– Në formularin elektronik do të shfaqen të dhënat e biznesit tuaj dhe mesazhi nëse subjekti juaj lejohet ose jo të ushtrojë aktivitetin në këtë periudhë;
– Klikoni butonin “Dërgo” dhe vërtetimi do të dërgohet menjëherë në adresën e email-it te biznesit që është regjistruar në platformën e-Albania.
– Në rast se dëshironi të përdorni një email tjetër, ju duhet ta ndryshoni në rubrikën “Hapësira Ime” duke klikuar: Ndrysho të dhënat e llogarisë.
– Para së të mbyllni dritaren e konfirmimit në e-Albania, lutemi të lexoni me vëmendje protokollin e sigurisë, që duhet të zbatojnë bizneset e hapura.
Vërtetimin e gjeneruar mund ta gjeni gjithashtu në çdo kohë në seksionin “Dokumentet e mia” tek hapësira juaj në portalin e-Albania. /atsh

Gati vërtetimi online në e-Albania për të gjitha bizneset që lejohen të hapen nga nesër, merret vetëm një herë Read More »

Bashkia e Vlorës koncert për festën e Pashkës/ Leli: Arti dhe muzika, mesazh shprese

Bashkia e Vlorës organizoi mbrëmjen e djeshme një koncert në sheshin para teatrit “Petro Marko” Vlorë, si një urim për festën e Pashkës Ortodokse.

Kryetari I bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, tha se “arti dhe muzika le të jenë edhe në këto ditë, një mesazh shprese se çdo gjë do të shkojë mire”.

“Jemi në një qytet të zbrazur. Kemi zgjedhur një gjë ndryshe nga para një jave kemi sjellë në sheshin “Tri Racat”, të rinjtë e qytetit, ata që janë shpresa e muzikës për të ardhmen, me simbolikën që jeta vazhdon”, – theksoi Leli.

Duke falënderuar të rinjtë kryebashkiaku Leli u shpreh se “arti i këtyre të rinjve janë simbolika e shpresë që pas një të keqe duhet të presim një të mirë që vjen”.

“Faleminderit Fjorela, Enea, Redi, Jorgo, Eros që me muzikën tuaj sot lumturuat sadopak qytetarët nga sheshi Tre Racat . Faleminderit shkollës së muzikës “Naim Frashëri” dhe drejtorit Qani Balla që pranuan ftesën time për t’u uruar qytetarëve vlonjatë dhe jo vetëm , Gëzuar Pashkët”, – tha Leli.

Qytetarët vlonjatë e ndoqën koncertin nga ballkonet e shtëpisë së tyre./atsh

Bashkia e Vlorës koncert për festën e Pashkës/ Leli: Arti dhe muzika, mesazh shprese Read More »

Festa e Pashkës/ Politika mesazhe urimi për besimtarët ortodoksë

Politika ka uruar sot besimtarët ortodoksë me rastin e festës së Pashkës duke kërkuar solidaritet njerëzor dhe renditur në urim të parët mjekët dhe infermierë që në këto ditë të vështira janë në vijnë e parë të luftës me COVID-19.

Ruçi: Solidaritetin që po shfaqim ndaj koronavirusit, ta shndërrojmë në një vlerë të shoqërisë

Kryetari i Kuvendit Ruçi, ka uruar sot besimtarët ortodoksë me rastin e Festës së Pashkëve, ndërsa bëri thirrje për globalizimin e solidaritetit njerëzor.

“Me rastin e Festës së Pashkëve, u uroj të gjithë besimtarët ortodoksë si edhe të gjithë shqiptarët: Shëndet dhe lumturi në vatrat e tyre familjare!Këto Pashkë na gjejnë fizikisht të izoluar, por më shumë të bashkuar prej mesazhit thelbësor të kësaj Feste, shpresës së ringjalljes e ringritjes. Përshëndes në mënyrë të veçantë ata që Festa e Pashkëve i gjen duke luftuar në betejën për jetën, në vështirësi apo larg vatrave familjare.Sot, të gjithë kemi realizuar sesa e mrekullueshme është jeta dhe paqja dhe sa pa kuptim janë marramendja pas urrejtjes e konflikteve.Qëndresa stoike dhe beteja që po zhvillojmë për mbrojtjen e jetës na ka bindur se askush nuk shpëton duke qenë i vetëm, por në bashkëveprim, mbështetje e solidaritet me të gjithë”, shprehet Ruçi.

Po ashtu, Ruçi shton se “përditë e më shumë po bindemi se njerëzimi, pavarësisht kombeve, shteteve, pasurisë, varfërisë dhe ndarjeve që shkaktojnë ato, është një familje e madhe 7.7 miliardëshe, që u përgjigjet si një e vetme rrezikimit të jetëve njerëzore nga pandemia COVID-19.Sot është dita t’u rikthehemi edhe njëherë mësimeve të krijuesve, arkitektëve dhe ndërtuesve të qytetërimit dhe t’i zbatojmë ato jo vetëm në betejën për jetën, por në të gjithë veprimtarinë tonë. Përditë e më shumë po bindemi se nga pandemia nuk na mbrojnë vetëm vaksinat e kurat mjekësore, por edhe antitrupat e dashurisë, drejtësisë e solidaritetit njerëzor, vlera që këto kohë po shkëlqejnë në të gjithë planetin, si eliksiri më i dobishëm kundër të keqes që kërcënon njerëzimin. Prandaj me kurën e dashurisë, humanizmit e solidaritetit të luftojmë edhe sëmundjet e shoqërisë, varfërinë, pabarazinë, ndarjet e konfliktet, në çdo formë që ato shfaqen.”

“Festa e Pashkëve të na frymëzojë që të punojmë më shumë për të ndalur globalizimin e të keqes, përhapjen e formave të ndryshme të dhunës, të indiferencës njerëzore ndaj njeri-tjetrit, të dobtëve, të sëmurëve, të pambrojturve, ndaj natyrës dhe mjedisit.Krahas globalizimit të mallrave, shërbimeve, teknologjive dhe ideve, të investohemi për të globalizuar sidaritetin dhe përkushtimin njerëzor. Solidaritetin që shfaqëm dhe po shfaqim ndaj koronavirusit, ta shndërrojmë në një vlerë, tipar dhe trashëgimi të shoqërisë. Mirëkuptimin fetar ta shndërrojmë në një vlerë shoqërore dhe udhërrëfyes të të gjithë shqiptarëve, pavarësisht besimit, pikëpamjeve dhe pasurisë. Festa e Pashkëve na shtoftë të mirat dhe mundësitë për të gjithë, na fuqizoftë rezistencën, durimin e besimin se shumë shpejt do t’u rikthehemi gëzimeve të jetës”, u shpreh kryeparlametari Ruçi.

Xhaçka: Gëzuar Pashkën çdo besimtari ortodoks

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka uruar besimtarët ortodoksë me rastin e Pashkës.

Në urimin e saj, Xhacka e konsideron si mundësi reflektimi mbi vlerat dhe sakrificat këtë ditë.

“Ditët e vështira janë ato që më shumti na bëjnë të reflektojmë mbi vlerën e sakrificës e dashurisë. Gëzuar Pashkën çdo besimtari ortodoks. Zoti qoftë me ju e familjet tuaja!”, shprehet ajo.

Cakaj uron besimtarët ortodoksë: Pashka, dita e ngadhënjimit mbi të keqen

Ministrit në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ka uruar besimtarët ortodoksë në ditën e Pashkëve do ke e konsideruar dita e ngadhënjimit mbi të keqen.

“Dita e ringjalljes së Krishtit është dita e ngadhënjimit të së mirës mbi të keqen, që duhet të frymëzojë të gjithë dhe ta ndihmojë ngritjen shpirtërore e morale të gjithë secilit! Gëzuar pashkën të gjithë besimtarëve ortodoksë”, shprehet ai

Balla: Drita e Pashkës ndriçoftë mendjet në këto ditë të vështira që po kalon njerëzimi

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i ka uruar besimtarët ortodoksë “Pashkë të mbarë”.

Balla uron që drita e Pashkës të ndriçojë mendjet dhe të hapë zemrat e të gjithëve në këto ditë të vështira që po kalon mbarë njerëzimi.

Ai u bën thirrje të gjithëve që të ndihmojnë më shumë ata që kanë nevojë në këto ditë të vështira, “Të falim më shumë dashuri dhe të dalim më të mirë e me ballin lart nga kjo sfidë”, shkruan Balla.

Drita e Pashkës të na ndriçojë rrugën në këto ditë të vështira që po kalon mbarë njerëzimi, të na ndriçojë mendjet, të na hapë zemrat për më shumë besim e më shumë falje. Të bëhemi më të mirë, të ndihmojmë më shumë ata që kanë nevojë, të falim më shumë dashuri dhe të dalim më të mirë e me ballin lart nga kjo sfidë”, shprehet Balla.

Basha uron të parët mjekët dhe infermierë që përballen me COVID-19

Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka uruar sot shqiptarët ortodoksë me rastin e Pashkës duke renditur të parë mjekët dhe infermierët që përballen me virusin.

“Me urimin tradicional “Krishti u ngjall” dhe këtë foto të lepurushëve të Pashkëve përgatitur nga vajzat e mia, ju urojmë familjarisht të gjithë besimtarëve ortodoksë, nga mot Gëzuar!”, shprehet ai.

Po ashtu, Basha uron të parët mjekët dhe infermierë që përballen me COVID-19 në vijnë e parë të luftës.

“Sot, urimet dhe lutjet tona të para, janë për të gjithë anëtarët e familjes tonë të madhe që përballen me virusin dhe pasojat e tij, për mjekët dhe infermierët tanë kurajozë e të palodhshëm, për të gjithë ata që shërbejnë me sakrifica të mëdha për të na mbrojtur dhe ndihmuar, për të gjithë shqiptarët në nevojë dhe shtrëngesë, për shërbëtorët e Zotit që me lutjet e tyre sjellin paqe e shpresë në shpirtin e çdokujt. Zoti ju bekoftë ju dhe familjet e të dashurit tuaj! Zoti e bekoftë Shqipërinë!”, shprehet ai.

Kryemadhi: Festa e shenjtë e Pashkëve na mëson se sakrifica nuk është humbje

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka uruar shqiptarët me rastin e festës së Pashkës.

Në urimin e saj, Kryemadhi shprehet se “Festa e shenjtë e Pashkëve na mëson se sakrifica nuk është humbje dhe se ndriçimi i zemrës përmes besimit na lartëson mbi të keqen dhe antivlerat. Fuqia e shpirtit i jep njeriut forcën për të çarë mes vështirësive dhe për të ndërtuar të ardhmen”.

Kryemadhi shton se masat e distancimit fizik prej pandemisë nuk na ndajnë nga njëri-tjetri.

“Masat e distancimit fizik prej pandemisë nuk duhet të na ndajnë shpirtërisht nga njëri-tjetri dhe nga zakonet tona të mira. Përmes tyre, ne si komb kemi përballuar ndër shekuj vështirësi pas vështirësie, dhe sot është koha që ashtu siç kemi gjetur mënyra të reja për të kremtuar festat tona fetare, ashtu të hapim rrugën për të ndërtuar të ardhmen tonë të përbashkët. Me besimin në Zot, me dashurinë për njëri-tjetrin, me vlerat dhe traditat tona kombëtare. Pashkë të mbara për të gjithë besimtarët ortodoksë dhe gjithë familjet shqiptare. Krishti u ngjall!”, shprehet ajo./atsh

Festa e Pashkës/ Politika mesazhe urimi për besimtarët ortodoksë Read More »

Shëtitjet e nënave me fëmijë/ Rama: Sa bukur sikur më pas të kishim fundjava pa makina

Sa bukur do ishte sikur gjithnjë më pas të kishim fundjava pa makina fare.

Kështu shpreh sot kryeministri Edi Rama teksa publikoi disa fotografi me pamje nga rrugët e kryeqytetit të shëtitjes së nënae me fëmijë.

“Sa bukur do ishte sikur gjithnjë më pas të kishim fundjava pa makina fare dhe të mbanim mend, se për hir të gjyshërve e të fëmijëve së paku, jetohet edhe pa zhurma e pa bori të shtunave e të dielave, të paktën nga shtatori në prill kur s’ka nisur ende koha e plazhit”, – thekson Rama.

Sot në rrugët e kryqytetit dhe qyteteve të vendit ishte e lejueshme lëvizja e nënave dhe fëmijëve deri në orën 11 të paradites. Ditën e djeshme, ishte dita e të moshuarve pas mbi një muaj izolim për shkak të COVID-19./atsh

Shëtitjet e nënave me fëmijë/ Rama: Sa bukur sikur më pas të kishim fundjava pa makina Read More »

Zjarrfikësit vizitojnë personelin e Spitalit Infektiv/ Rama: Prekëse dhe domethënëse

Zjarrfikësit vizituan sot personelin e spitalit Infektiv në Tiranë për ti shprehur solidaritetin e tyre, pasi që prej muajit mars ata po përballen në vijën e parë me COVID-19.

Lajmi u bë i ditur nga Kryeministri Edi Rama, i cili publikoi sot disa fotografi nga vizita e zjarrfikësve në spitalin Infektiv duke e cilësuar atë prekëse dhe domethënëse.

“Prekëse, domethënëse. Zjarrfikësit vizitojnë personelin e Spitalit Infektiv, për t’u shprehur mirënjohjen e solidaritetin e tyre luftëtarëve të vijës së zjarrit”, – shprehet Rama./atsh

Zjarrfikësit vizitojnë personelin e Spitalit Infektiv/ Rama: Prekëse dhe domethënëse Read More »