Aktualitet

Ndërron jetë regjisori dhe aktori i mirënjohur Rikard Ljarja

Ka ndërruar jetë në moshën 77-vjecare aktori dhe regjisori i mirënjohur Rikard Ljarja. Ai u shua në shtëpinë e tij në Tiranë.

Artisti i njohur i filmit raportohet se vuante prej kohesh nga një semundje e rendë. Lamtumira e fundit pritet ti jepet në qytetin e Shkodrës.

Në vitin 1960 mbaroi maturën në Shkodër kurse në vitin 1965 u diplomua në Shkollën e Lartë të Aktrimit “Aleksandër Moisiu”, Tiranë.

Për tetë vite, pas diplomimit, punoi aktor i teatrit në Teatrin “Migjeni” në Shkodër. Prej vitit 1973 deri në vitin 1996 ai ishte aktor, skenarist dhe regjisor i filmave të prodhuar nga kinostudiot. Prej 1996 deri 2002, kur doli në pension, ishte drejtor artistik në televizionin publik shqiptar.

Që prej vitit 1973 ka qenë protagonistë në shumë filma kinematografik, si “Fletë të bardha”, “Pesha e kohës” përkrah Kadri Roshit”, por edhe ka qenë regjisor si në filmi “Skëterr 43”, “Në pyjet me borë ka jetë”, e gjithashtu i madh ka qenë kontributi i tij edhe si skenarist edhe njeri i penës, ku gjatë viteve të fundit ka botuar disa libra. Ljarja gjithashtu ka qenë skenarist për filmat e njohur shqiptarë “Pesha e kohës” dhe “Kur hapen dyert e jetës”. Ai ishte bashkëshorti i aktores po të njohur shqiptare Marjeta Ljarja

Ndërron jetë regjisori dhe aktori i mirënjohur Rikard Ljarja Read More »

Kafenetë dhe qendrat tregtare të fundit që do të hapen, pagesat e sigurimeve shoqërore nuk shtyhen

Kryeministri Edi Rama, duke iu përgjigjur interesit të qytetarëve, deklaroi sot se qendrat tregtare do të hapen të fundit, si edhe kafenetë do të jenë të fundit që do të hapen.

“Insisto sa të duash, por kafenetë do të jenë të fundit që do të hapen. Kështu po bën e gjithë bota dhe ne nuk do dalim jashtë të tjerëve. Nëse ke kafene, je përfituese e pagës së luftës”, – tha Rama, duke iu përgjigjur një qytetareje.

Lidhur me pagesat e sigurimeve shoqërore, Rama shtoi se “nuk ka shtyrje! Me sigurimet shoqërore nuk luhet, janë si fatura e dritave, nuk kanë shtyrje afati. Nëse shtymë afatin e sigurimeve, i bie të mos paguajmë pensionistët, e pamundur!” – nënvizoi Rama.

Sa i takon udhëtimit me makinë private për në punë, Rama nënvizoi se duhet që pasagjeri dhe drejtuesi i mjetit të jenë ulur diagonal.

“Në makinë përpara, gruaja diagonal, pas, sepse po u hap për ty, të gjithë të tjerët do të thonë se ky mbrapa është gruaja ime, dhe pse mund të jetë burrë. Prandaj të gjithë të njëjtin rregull për pak kohë besoj, duke parë sesi do shkojnë gjërat në luftën me armikun e padukshëm”, – tha Rama.

Lidhur me turizmin, Rama tha se nuk ka afate. “Nuk e di të të them se kur, por çështja e turizmit ka mbetur dhe është e hapur nga e gjithë bota dhe deri më sot s’kam dëgjuar asnjë lider nga shumë vende që unë ndjek që të ketë folur ndonjë gjë konkrete. Lokalet e dasmave me prenotime, ose do presin të bëjnë një dasmë të madhe, ose do bëjnë një të vogël online, për të bërë një të madhe më vonë”, – tha Rama. /atsh

Kafenetë dhe qendrat tregtare të fundit që do të hapen, pagesat e sigurimeve shoqërore nuk shtyhen Read More »

Nga hapja e kufijve e deri tek lejet për lëvizjen e studentëve

Në përgjigje të pyetjeve të qytetarëve, Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se hapja e kufijve mund të ndodhë para muajit gusht, pavarësisht se ende nuk dihet sesa do të vazhdohet me këtë situatë.

“Uroj shumë më përpara nga gushti, por uroj shumë sepse askush nuk e di vazhdimin deri në fund të kësaj situate sepse armiku i padukshëm është këtu”, tha ai.

Lidhur me lejet e lëvizjeve për studentët, Rama tha se ministrja e Arsimit po diskuton me Rektoratin për një vendim të mundshëm.

“Ministrja e Arsimit po diskuton me rektoratet dhe shumë shpejt do të ketë një vendim se çfarë do të bëhet lidhur me këtë”, deklaroi Rama.

Për zanatçinjtë që punojnë në të zezë dhe të duan të pajisën me leje për të lëvizur, Rama u bëri thirrje të regjistrohen. “Sigurohuni, regjistrohuni, nxirreni më të fund këtë mësim nga kjo sekëlldia e madhe dhe ky taksirat i madh që juve ju ra si të tjerët, por që ju godet më shumë se të tjerët. Akoma nuk e nxorët këtë mësim?! Siguroni si të vetëpunësuar, person fizik dhe vazhdoni punën përndryshe nuk ka sesi. Mund të dalin shumë të tjerë që të thonë: unë jam pllakaxhi, unë jam elektricist, unë jam usta e të kërkojë leje”.

Pyetjes se kur mund të hapen rrugët për të lëvizur me makinë personale për personat që kanë vizitë në klinika mjekësore, Rama u shpreh se duhet të presin edhe për pak kohë./atsh

Nga hapja e kufijve e deri tek lejet për lëvizjen e studentëve Read More »

Nesër jepet paga 40 mijë lekë për 176 mijë familje

Pagesa për të gjitha familjet që janë në vështirësi ekonomike është dyfishuar.

Kështu u shpreh Kryeministri Rama gjatë komunikimit live mesditën e sotme, ku theksoi se familjet e kanë marrë tashmë ndihmën ekonomike.

“Nuk e di ku e ke dëgjuar që do të dyfishohen pagat, nuk e kam thënë kurrë. Kam thënë që do të dyfishohet ndihma ekonomike, është dyfishuar dhe kanë marrë ndihmën ekonomike dyfish të gjitha familjet që janë me ndihmë ekonomike. Sa i përket pagave, njëra kategori, ajo që hyn në paketën e parë dhe që u mbyll me urdhër qeverie bam-bam dhe u godit bam-bam nga vala e parë, e ka marrë dhe po e merr dhe sot që flasim. Para se të vija këtu, po shkon në 50 mijë numri dhe në 2-3 ditët në vijim përfundon totalisht lëvrimi i atyre pagave prej atyre 60 e kusur mijë njerëz. Ndërkohë që nesër fillojnë pagat 400 mijë lekëshe për 176 mijë vetë. Nëse je një nga këto 176 mijë vetë, do të marrësh. Nëse nuk je në asnjë kategori, atëherë nuk do ta marrësh”, – tha Rama në përgjigje të pyetjeve të ardhura nga qytetarët. /atsh

Nesër jepet paga 40 mijë lekë për 176 mijë familje Read More »

60 infermierë në ndihmë të Italisë, Ambasada: Faleminderit Shqipëri

Ambasada italiane në Tiranë ka falënderuar Shqipërinë për ndihmën prej 60 infermierësh në luftë kundër COVID-19.

Ambasada italiane shprehet: “Faleminderit Shqipëri që kontribuove sërish për të luftuar së bashku këtë betejë!”

“Sot, 60 infermierë shqiptarë në Itali, në krye të radhës në spitalet italiane. Faleminderit!”, shprehet Ambasada.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka dërguar sot drejt Italisë për t’i ndihmuar në luftë kundër COVID-19, grupin e dytë prej 60 infermierësh. /atsh

60 infermierë në ndihmë të Italisë, Ambasada: Faleminderit Shqipëri Read More »

Situata nën kontroll, lehtësohet puna për një pjesë të konsiderueshme të sektorit privat

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se vendimet që do të merren për të vijuar me hapjen e më tepër aktiviteteve ekonomike do të jenë të udhëhequra nga shifrat dhe situata që do të paraqitet në sistemin tonë shëndetësor.

“Në këtë proces ne udhëhiqemi në radhë të parë dhe pa diskutim nga shifrat në spitalin e Infektivit. Situata në spital është nën kontroll. Kemi vetëm një numër të kufizuar shtretërish të zënë, ndërkohë po përgatisim edhe spitalin tjetër. Kemi një numër minimal personash në terapi intensive dhe kjo na jep mundësi të shikojmë nga ana e hapjes, sepse e gjithë lufta bëhet për shëndetin që të mos mbetet njeri pa marrë kujdesin e duhur shëndetësor”, bëri të ditur Kryeministri, në një intervistë televizive.

Rama tha se me bllokun e parë të lehtësimit që është tanimë në aktivitet dhe me bllokun e aktiviteteve që do të hapen nga data 27 prill, është lehtësuar puna për një pjesë të konsiderueshme të forcës së punës për sektorin privat në Shqipëri.

“Janë 27 589 njerëz që kthehen në punë, ndërsa do të vijojë të mbështeten nga qeveria me “pagën e luftës”. Të gjitha pagat e premtuara do të shkojnë te ata që janë subjekt para dhe pas paketës së zgjeruar. Taksitë do të fillojnë punë, por ata do të vazhdojnë të marrin pagën e luftës sikundër punonjësit e dyqaneve e tregjeve”, siguroi Kryeministri.

Rama tha se sipas të dhënave, të gjithë personat që aplikuan për tu mbështetur nga paketa e parë e qeverisë, por që u refuzuan për shkak të kritereve të përcaktuara, që janë mbi 60 mijë individë, përfitojnë përmes paketës së zgjeruar mbështetëse bonusin prej 40 mijë lekësh, që do ta marrin shumë shpejt./atsh

Situata nën kontroll, lehtësohet puna për një pjesë të konsiderueshme të sektorit privat Read More »

Strategji për hapjen e sezonit turistik/ Klosi: Distancim social në zonat e plazhit

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi deklaroi sot se ka nisur diskutimi për një strategji për hapjen e sezonit turistik në vendin tonë.

Gjatë një interviste në një nga studiot televizive, Klosi u shpreh se për afatin se kur do të mund të hapen plazhet shqiptare do të vendosin mjekët, ndërsa ne, shtoi ai, po punojmë për të përcaktuar sesi do të funksionojë sezoni, në mënyrë që të mos ketë rrezik për shkak të pandemisë së koronavirusit.

“Kemi filluar të bëjmë një strategji. Ka nevojë që të mbështetet turizmi edhe duke bërë pushime brenda kufijve”, u shpreh ministri Klosi, duke nënvizuar se prioritet është jeta e njerëzve.

Sipas Klosit, po punojmë me Ministrinë e Shëndetësisë mbi parimet e Organizatës Botërore të Turizmit si dhe me një dakordësim me partnerët e rajonit.

“Po përgatisim rregullat për distancimin social edhe në zonat e plazhit, po përgatisim edhe opinionin që këtë vit plazhi nuk mund të jetë si në 2019, do jetë gjithçka më e reduktuar. Por ne shpresojmë që do të kemi mundësi që sezoni të ketë turizëm”, tha Klosi.

Ministri Klosi bëri të ditur se falë mënyrës së si u menaxhua në Shqipëri, situata e infeksionit nga COVID-19, ne sot do të kemi mundësinë të dalim shumë më shpejt në treg, sesa vendet e tjera, përreth si Italia, Greqia, Mali i Zi apo edhe Turqia, të cilat janë shumë të dëmtuara prej COVID-19, si dhe kanë struktura hoteliere shumë të mëdha, që ja u vështirësojnë vënien në kohë të shpejtë në punë.

Ndërsa strukturat tona hoteliere, bëri të ditur Klosi, janë të vogla, disa edhe familjare dhe janë lehtësisht të menaxhueshme për tu vënë në punë, brenda një periudhe kohore të shkurtër edhe për rreth 3 ditë.

“Këto dy faktorë do na japin shumë dorë që në të vazhdojmë të kërkojmë një treg të vendeve të pa prekura nga COVID-19, siç janë vendet Balltike, Ukraina, Bjellorusia, vendet e zonave Skandinave, Çekia, Polonia me të cilat ne po komunikojmë çdo ditë për të ndihmuar hotelierët shqiptarë, duke përpjekur të bëjmë, si të thuash edhe negociata shtetërore, në mënyrë që, nëse ne do të kemi hapje të tregut të kemi të siguruar edhe turistët”, deklaroi Klosi./atsh

Strategji për hapjen e sezonit turistik/ Klosi: Distancim social në zonat e plazhit Read More »

Donacioni i Serbisë për Kosovën/ BE: Shpëtimi i jetës së njerëzve s’duhet të politizohet

-Shefja e Zyrës së BE-së në Prishtinë Nataliya Apostolova, shefat e Misioneve të BE-së, ambasadorët e Mbretërisë së Bashkuar, Zvicrës dhe Norvegjisë, shefi i EULEX-it, koordinatori për Zhvillim të KB-ve, përmes një deklarate për media, u kanë bërë thirrje liderëve politikë dhe institucionalë në Kosovë që të mbështesin përpjekjet ndërkombëtare për zbutjen e ndikimit social-ekonomik të koronavirusit, dhe të përmbahen nga politizimi i ndihmës ndërkombëtare.

“Në krizën e paprecedent shëndetësore të COVID-19, ju, populli i Kosovës, po tregoni qëndrueshmëri dhe përgjegjësi. Ndërkohë që të gjithë jemi të pritje të kthimit të planifikuar me kujdes në normalitet, sa më shpejt që të jetë e mundur, këmbëngulja juaj mbetet e domosdoshme për ta zvogëluar ndikimin e shpërthimit dhe për të parandaluar një krizë edhe më të rëndë”, thuhet në deklaratë.

Më tej në deklaratë thuhet se gjatë kohës me pandemi globale, politika duhet të lihet mënjanë, dhe aktorët politikë duhet të punojnë së bashku për të siguruar që qytetarët, pa asnjë dallim, të marrin ndihmën e nevojshme mjekësore dhe mbështetjen ekonomike.

“Bashkëpunimi ndërkombëtar dhe rajonal mundet vetëm ta përmirësojnë këtë përpjekje; të gjitha nismat e bashkëpunimit rajonal duhet të shihen pozitivisht. U bëjmë thirrje udhëheqësve politikë dhe institucionalë në Kosovë që të mbështesin të gjitha përpjekjet kombëtare dhe ndërkombëtare për zbutjen e ndikimit social dhe ekonomik të koronavirusit, dhe të përmbahen nga politizimi i ndihmës së vlefshme dhe të nevojshme ndërkombëtare”, përfundon deklarata.

Reagimi i shefes së Zyrës së BE-së në Prishtinë Nataliya Apostolova, shefave të Misioneve të BE-së, ambasadorëve të Mbretërisë së Bashkuar, Zvicrës dhe Norvegjisë, shefit të EULEX-it, koordinatori për Zhvillim të KB-ve, vjen pas kritikave që opozita i bëri Qeverisë në detyrë për marrjen e një donacioni prej 1 mijë testeve nga Serbia kundër koronavirusit./KosovaPress/

Donacioni i Serbisë për Kosovën/ BE: Shpëtimi i jetës së njerëzve s’duhet të politizohet Read More »