Aktualitet

KLGJ vendos rifillimin e punës në sistemin gjyqësor, duke filluar nga 27 prilli

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur që sistemi gjyqësor t’i rikthehet punës në të gjithë vendin duke filluar nga 27 prilli.

Në mbledhjen e tij të radhës, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi rifillimin e veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore në të gjitha gjykatat në Republikën e Shqipërisë,më datë 27 prill 2020.
Veprimtaria e gjykatave do të vijojë sipas kufizimeve të përcaktuara në Aktin Normativ nr.9, datë 25.03.2020, “Për marrjen e masave të veçanta në fushën e veprimtarisë gjyqësore, gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19”, i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në datën 16.04.2020.

Këshilli i Lartë Gjyqësor rithekson se mbetet i angazhuar maksimalisht për të garantuar sigurinë e publikut, gjyqtarëve dhe të gjithë punonjësve të tjerë të gjykatave. Për këtë qëllim, në bashkëpunim me këshillat dhe kryetarët në detyrë të gjykatave, është duke punuar intensivisht për marrjen e masave me karakter organizativ dhe administrativ, në mënyrë që rifillimi i veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore në çdo gjykatë të bëhet në përputhje dhe respektim të masave për kufizimin e përhapjes së COVID-19.

Gjithashtu, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi rifillimin e veprimtarisë së tij, në përputhje me rregulloren “Për përcaktimin e masave për kufizimin e përhapjes së COVID-19 gjatë ushtrimit të veprimtarisë së Këshillit të LartëGjyqësor”, si edhe rifillimin e procedurave administrative të pezulluara për ngritjen në detyrë në Gjykatën e Lartë, për ngritjen në detyrë në gjykatat e posaçme për korrupsionin dhe krimin e organizuar, për komandimin në Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për komandimin në Shkollën e Magjistraturës dhe për komandimin në Ministrinë e Drejtësisë, duke zgjatur edhe afatet respektive të kandidimit./atsh

KLGJ vendos rifillimin e punës në sistemin gjyqësor, duke filluar nga 27 prilli Read More »

Harta e shpresës/ Braçe: Numri i shqiptarëve të shëruar, më i madh se i të infektuarve

Zëvendëskryeministri Erion Braçe publikoi sot atë që e cilësoi harta e shpresës në bashkitë e vendit ku numri i shqiptarëve të shëruar është më i madh se i të infektuarve.

Braçe shprehet se pas më shume se një javë ku, numri i shqiptareve të shëruar është me i madh se numri i shqiptarëve të infektuar me koronavirus, zmadhohet lista e bashkive që i kanë qytetaret e shëruar.

“Plotësisht të shëruar; Janë Berati, Lezha, Mirdita, Rrogozhina e Tropoja! Një bravo e madhe agjencive ligjzbatuese e të shërbimit, qytetarëve që duke zbatuar masat e distancimit fizik, ja dolën të ndërpresin zinxhirin e transmetimit të virusit; Një bravo e madhe mjekëve e infermierëve që ja dolën të shërojnë qytetaret e infektuar! Ndërkohë, Divjaka vijon që nga dita e parë e epidemisë së kthyer shpejt në pandemi që nuk ka asnjë rast të sëmurësh me COVID-19; bashkia Divjakë, Policia e Shtetit, drejtoria e Shëndetit Publik, mjekët e infermierët në qendrat shëndetësore, qytetarët vetë, meritojnë një duartrokitje të madhe për punën e bërë e rregullat e zbatuara; Edhe pse nuk kanë lënë asnjë ditë punën, madje kane qenë “hapur” çdo ditë për të furnizuar tregjet kombëtare e të huaja me perime të freskëta, lirinë e kanë përdorur veç për punë e rregullat i kanë zbatuar një me një!”, tha ai.

Po ashtu Braç shton se “Lushnja, ja ka dalë të shërojë 5 qytetarë të infektuar me COVID-19, ka humbur veç një në këtë betejë, edhe ai i infektuar në spitalin COVID 2; Pra sot, Lushnja ka çdo të sëmurë të testuar pozitiv të shëruar! Një bravo e madhe për të gjithë: bashkia Lushnjë, Policia e Shtetit, drejtoria e Shëndetit Publik, mjekët e infermierët e spitali, e në qendrat shëndetësore, qytetarët vetë, posaçërisht bujqit e grumbulluesit e Lushnjës që nuk e kanë ndalur punën asnjë minutë!”

Braçe apelon për qytetarët se me lëshimin e masave duhet të jenë të vëmendshëm.

“Por kujdes; nuk ka mbaruar e nuk kemi shpëtuar! Tani që njerëzit do kenë edhe me shume liri për të lëvizur e punuar, nis me e vështira! Duhet te mbrohemi e të mbrojmë; distancimi fizik nga njëri-tjetri është thelbi! Duhet të jemi të distancuar kudo, gjatë gjithë kohës që jemi jashtë banesës, në punë, në tregje, kur marrim shërbime! Deri sa një vaksinë të jetë e sigurt dhe e gatshme për ne, duhet të jetojmë kështu!”, shprehet ai./atsh

Harta e shpresës/ Braçe: Numri i shqiptarëve të shëruar, më i madh se i të infektuarve Read More »

Edlira Kraja emërohet në krye të Autoritetit të Aviacionit Civil

Këshilli i Ministrave vendosi sot lirimin nga detyra të drejtorit ekzekutiv të Autoritetit të Aviacionit Civil, Krislen Kerit dhe zëvendësimin e tij me Edlira Krajën.

Në vendimin e publikuar thuhet se “Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 12, të ligjit nr.10233, datë 11.2.2010, “Për Autoritetin e Aviacionit Civil”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave vendosi: Edlira Kraja emërohet drejtor Ekzekutiv i Autoritetit të Aviacionit Civil’.

Me tej thuhet se “Krislen Keri, drejtor Ekzekutiv i Autoritetit të Aviacionit Civil, lirohet nga kjo detyrë. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren Zyrtare”. /atsh

Edlira Kraja emërohet në krye të Autoritetit të Aviacionit Civil Read More »

“Shtyrja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore domosdoshmëri”, Balla: Çdo gabim i vogël mund të na kthejë në fillim të luftës

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste njëherësh kryetar i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla deklaroi sot në lidhje televizive se Shqipëria është vendi i dytë në Europë që mori masa të rrepta të menjëhershme, ndërsa në asnjë vend sipas tij, nuk është parë ende një operacion humanitar në ndihmë të familjeve në nevojë sikurse po ndodh sot në Shqipëri.

Teksa falënderoi punonjësit e shërbimit epidemiologjik që po bëjnë gjurmimin e personave të prekur nga COVID, shtyrja e situatës së fatkeqësisë natyrore nga ana e qeverisë, sipas tij, është domosdoshmëri.

“Ne jemi ende në një situatë lufte me një armik të padukshëm i cili nuk arriti të na mposhte sikurse ka bërë me shumë në vende të tjera, përsëri vazhdojmë të kemi persona që identifikohen nga puna e përditshme heroike e shërbimit epidemiologjik në të gjithë territorin, ku gjej rastin t’i falënderoj të gjithë punonjësit e palodhur të shërbimit epidemiologjik nga veriu në jug, në çdo vatër dhe në çdo derë për të identifikuar personat që mbartin virusin vrasës. Duhet të kuptojmë që shtyrja e situatës së gjendjes së fatkeqësisë natyrore është padyshim një domosdoshmëri në kushtet që jo vetëm që ende kemi raste që shfaqen, bie dakord me konstatimin që ne e kemi kaluar fazën e parë të një emergjence akute, por duhet të kuptojmë që në situatën që jemi çdo gabim i vogël mund të na kthejë në ditët e fillimit të kësaj lufte”, u shpreh ai.

Sipas Ballës, një gabim i vogël pas lehtësive të krijuara nga qeveria në lëvizje, mund të na kushtojë rikthimin në masat shtrënguese.

“Qeveria shqiptare bën pjesë në atë grup të madh vendesh që kanë respektuar rekomandimet e OBSH-së si organizata më e madhe që bashkon të gjitha vendet anëtarë në kuadër të Kombeve të Bashkuara, ka ekspertizën e domosdoshme dhe ka qenë konservatore sa i përket masave shtrënguese. Në këtë kuptim, qeveria shqiptare ishte ndër qeveritë e para që mori masa të rrepta shtrënguese. Kujtojmë këtu, që në ditën e parë u pezulluan shkollat. Në Europë kemi qenë qeveria e dytë që morëm masa për pezullimin e plotë të shkollave edhe pse kishim vetëm 2 raste të konstatuara në ditën e parë të kësaj lufte. Të gjitha këto masa kanë treguar që ne kemi arritur ta mbajmë nën kontroll betejën me këtë armik të padukshëm dhe që kjo betejë të përfundojë në favorin e jetës së njerëzve sepse në fund të fundit çdo jetë është e domosdoshme dhe gjëja më e rëndësishme që na intereson në këtë betejë. Gjithçka mund të rikuperohet mbrapa, ekonomia, vendet e punës mund të gjendet përsëri por jetët e njerëzve nuk mund të kthehen mbrapsht. Në këto kushte, ne do të vazhdojmë të jemi në kushtet e një fatkeqësie natyrore e cila imponon disa detyrime ndaj shtetit”, u shpreh ai.

“Nuk ka ngjashmëri me vende të tjera një operacion humanitar i këtyre përmasave që ka garantuar që me kujdes të veçantë, për të mos kthyer operacionin në një vatër të shpërndarjes së virusit vrasës kemi arritur të shërbejmë më shumë se dyqind e njëzet mijë familjeve shqiptare shumë në nevojë sikurse një numër të madh të pensionistëve të vetmuar jo vetëm me pako ushqimore por edhe me furnizime të tjera të nevojshme sikurse janë ilaçet ndërkohë që vazhdon që posta shqiptarë të kryejë me përpikëri shpërndarjen e pensioneve në banesa”, tha Balla./atsh

“Shtyrja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore domosdoshmëri”, Balla: Çdo gabim i vogël mund të na kthejë në fillim të luftës Read More »

Fjalë të çmuara/ Shëndeti është bekimi më i madh i njerëzimit

“Shëndeti është bekimi më i madh i njerëzimit”.

Me këto fjalë të Hipokratit, Kryeministri Edi Rama përcolli një tjetër mesazh inkurajues sot përmes rubrikës “Fjalë të çmuara”.

Ndërkohë që në Shqipëri vijojnë të zbatohen masat kundër përhapjes së COVID-19, duke kufizuar më tej lëvizjen e qytetarëve, autoritetet shtetërore vazhdojnë t’i bëjnë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi dhe të zbatojnë të gjitha rregullat e distancimit social./atsh

Fjalë të çmuara/ Shëndeti është bekimi më i madh i njerëzimit Read More »

Rektori Gjata: Epidemia në Shqipëri e mirëkontrolluar, zbulim i hershëm i rasteve

Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata, e cilësoi sot lajm shumë të mirë faktin që në 24 orët e fundit nuk kemi pasur asnjë rast të diagnostikuar me koronavirus në vendin tonë, por vetëm raste të lidhura me persona që kanë rezultuar pozitivë.

Në një intervistë televizive, Gjata theksoi se “imuniteti ka të bëjë me popullatën e re që kemi, por edhe zbulimi i hershëm i rasteve. Besoj se këto janë elementet kryesorë që kanë bërë që të kemi shërueshmëri të lartë, mbi 50%”.

Sipas tij, kjo është një shenjë e mirë drejt kontrollit të epidemisë.

“Në Shqipëri ka qenë një epidemi e mirëkontrolluar”, -shtoi ai.

Rektori Gjata u shpreh se “mosha mesatare e lartë e Europës ka ndikuar në numrin e vdekjeve. Në Kinë popullata është më e re ndaj edhe numri i vdekjeve ka qenë më i vogël. Sëmundja shkakton më shumë fatalitete tek të moshuarit”, tha ai.

I pyetur lidhur me deklaratën e një dite më parë të OBSH, e cila në një kohë kur disa vende po nisin hapjen graduale deklaroi se e keqja më e madhe s’ka ardhur ende, Gjata u shpreh se “nuk është mbyllur cikli. Ka zona të botës ku nuk ka kaluar sëmundja ku pritet të shkaktojë vdekje dhe çështja tjetër lidhet me rrezikun e rikthimit të kësaj sëmundjeje. Detyrim për të bashkëjetuar një kohë të gjatë me këtë sëmundje”.

“Shpresojmë të zbulohet sa më shpejt vaksina. Është e vetmja rrugë që kemi”, – tha rektori Gjata.

Ai tha se “lajmi i testimit të vaksinës në Britaninë e Madhe është shumë pozitiv, edhe pse ajo do të dojë kohën e vet të prodhohet dhe shpërndahet në masë”./atsh

Rektori Gjata: Epidemia në Shqipëri e mirëkontrolluar, zbulim i hershëm i rasteve Read More »

Meta dekreton ndryshimet në Kodin Penal: Të nevojshme, iniciativa e Kuvendit dhe e Qeverisë duhet mbështetur

Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekretoi sot ndryshimet në Kodin Penal për COVID-19.

Në një konferencë për mediat, Meta u shpreh se, “si Presidenti i Republikës, në mbështetje të nenit 84 dhe 93 të Kushtetutës, kam dekretuar shpalljen e ligjit nr. 35/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, ‘Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë’, të ndryshuar”, të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë”.

“Shpallja e ligjit u vlerësua e nevojshme në situatën pandemike që po kalon vendi ynë, për arsye se kohëzgjatja, pasojat, apo mundësia e ripërsëritjes së një situate të tillë, mbeten ende të paparashikueshme”, tha Meta.

“Kam ndjekur nga afër shqetësimet e bëra publike nga aktorë të ndryshëm mbi propozimin dhe miratimin e ndryshimeve në Kodin Penal. Shmangia e procedurave të përshpejtuara në miratimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar, nuk është një kërkesë vetëm formale kushtetuese, që duhet të respektohet nga komisionet e përhershme parlamentare dhe seanca plenare”, theksoi Meta.

Përkundrazi, shtoi Meta, “është një kërkesë kushtetuese që në thelb kërkon kryerjen e ndryshimeve në ligje të rëndësishme, me një konsultim dhe konsensus të gjerë. Ndaj dhe Institucioni i Presidentit të Republikës, iu përgjigj kërkesës për bashkëpunim dhe konsensus nga ana e Kuvendit dhe Qeverisë, për ndryshimet në Kodin Penal”.

Meta tha se, “diskutimi i gjerë tekniko- juridik, ka çuar në përmirësime thelbësore të produktit të votuar nga Kuvendi. Nisur nga këto zhvillime, nga kjo gjendje e fatkeqësisë natyrore në të cilën ndodhemi, por mbi të gjitha, për shkak të boshllëkut ligjor që ka Kodi Penal sa i përket trajtimit të veprimeve që kryhen me dashje dhe qëllimin kriminal për përhapjen e sëmundjeve infektive, Presidenti vlerëson se iniciativa e Kuvendit dhe Qeverisë që mbrojtja e shëndetit publik të garantohet edhe nga normat penale, përpos atyre administrative, duhet mbështetur”.

“Presidenti i Republikës konstaton se mes draftit të propozuar nga deputetët, atij të miratuar në Komisionin përgjegjës për çështjet ligjore, dhe përmbajtjes së ligjit nr. 35/2020 të miratuar në seancë plenare, ka ndryshime thelbësore pozitive, të cilat kanë reflektuar një pjesë të sugjerimeve të Avokatit të Popullit, shoqërisë civile, ekspertëve të së drejtës dhe të Institucionit të Presidentit të Republikës, që lidheshin veçanërisht me: Llojin dhe masën e dënimit penal në përputhje me parimin e ligjshmërisë dhe të sigurisë juridike; Qartësimin e veprimeve apo mosveprimeve që ngarkojnë me përgjegjësi penale; Aplikimin e sanksionit penal, në mënyrë të përshkallëzuar, vetëm pasi të jetë aplikuar më parë sanksioni administrativ; Përcaktimin në mënyrë të qartë të përgjegjësisë penale në rastin e përhapjes së sëmundjes infektive të përfshirë në listën e sëmundjeve infektive me rrezikshmëri të lartë për shëndetin sipas ligjit të posaçëm, vetëm për veprime të kryer me dashje dhe nga personat e diagnostifikuar si mbartës të saj; Saktësimin e rrethit të subjekteve, duke bërë që norma penale të aplikohet vetëm mbi: personat “që janë paralajmëruar më parë me një masë administrative për respektimin e masave”, personat “e diagnostifikuar si mbartës”, apo për personat “të cilëve u është njoftuar detyrimi i zbatimit të urdhërimeve nga organet kompetente”, tha Meta.

“Këto përmirësime thelbësore të dispozitave, që kanë ulur dukshëm masat e dënimit si dhe evidentuar më qartë elementët dhe format e konsumimit të këtyre dy figurave të veprave penale, respektojnë më shumë parimin e sigurisë juridike dhe proporcionalitetit”, theksoi Meta.

Meta theksoi se “është e domosdoshme që përpara hyrjes në fuqi të këtyre dispozitave të reja në Kodin Penal: Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Komiteti i Ekspertëve dhe Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile, duhet të vlerësojnë plotësimin e kuadrit ligjor apo nënligjor që lidhet drejtpërdrejtë me aplikimin e legjislacionit penal, si dhe përcaktimin e qartë dhe shterues sipas ligjit nr. 15/2016 të listës së sëmundjeve infektive të rrezikshme, që lidhen me zbatimin e masave të jashtëzakonshme, procedimin administrativ apo penal”.

“Të gjitha kufizimet, masat e veçanta apo rregullat, shkelja e të cilave sjell sanksione administrative e më pas penale, të nxjerra nga ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave apo çdo organ tjetër i ngarkuar nga ligji, duhet t`i nënshtrohen një fushate të gjerë e të vazhdueshme informimi publik, përpos botimit të detyrueshëm dhe brenda afatit në Fletoren Zyrtare; Fushata e informimit duhet të përfshijë edhe normat e reja penale. Pushteti vendor dhe Qeveria duhet të rrisin kapacitetet e tyre për t`iu përgjigjur në kohë kërkesave dhe nevojave jetësore të shtresave më në nevojë dhe pensionistëve të cilëve u është kufizuar totalisht liria e qarkullimit si dhe njoftimi i menjëhershëm dhe i drejtpërdrejtë i personave të diagnostifikuar, karantinuar apo izoluar, dhe i të afërmve të tyre dhe personave të tyre të kontaktit, duhet të jetë i dokumentuar”, shtoi Meta.

Presidenti u shpreh se, “rritja e numrit të testimeve duhet të jetë qëllim i vazhduar i Qeverisë”.

“Një bashkëpunim midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Institutit të Shëndetit Publik, Ministrisë së Brendshme, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Prokurorit të Përgjithshëm, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, është i domosdoshëm, për hartimin e udhëzimeve integrale që do të orientojnë Policinë e Shtetit, prokurorët dhe gjyqtarët për aplikimin e dispozitave të reja të Kodit Penal, bazur në kritere të qarta teknike dhe aktet ligjore e nënligjore në fuqi”, tha Meta.

“Miratimi i këtyre udhëzimeve dhe publikimi i tyre, duhet t`i paraprijë hyrjes në fuqi të dispozitave të reja të Kodit Penal, për të patur një zbatim objektiv, në përputhje me parimet kushtetuese dhe me rrethanat që kanë diktuar miratimin e këtyre normave të reja penale në këto moment”, tha Meta.

“Presidenti i Republikës mirëpriti edhe ndryshimet e tjera në Kodin Penal që trajtojnë dhunën në familje, në të gjitha format e shfaqjes së saj, ndërkohë që shihet me rezervë riformulimi jo i qartë sa i takon një pjese të rrethit të subjekteve të shtuar në dispozitën e dhunës në familje”, u shpreh Meta.

“Presidenti i Republikës gjen dhe një herë rastin t`u bëjë thirrje të gjithë qytetarëve të respektojnë me durim dhe përpikmëri të gjitha udhëzimet dhe kufizimet e bëra publike për shkak të pandemisë globale. Po kështu, gjej rastin të theksoj rëndësinë e rritjes së transparencës në menaxhimin e pandemisë dhe rëndësinë e përkujdesjes për shtresat më të prekura nga kufizimet dhe pasojat ekonomike e sociale. Vetëm përmes një bashkëpunimi dhe mirëkuptimi ndërmjet autoriteteve shtetërore dhe qytetarëve, do të jemi më të suksesshëm në kapërcimin e kësaj fatkeqësie natyrore”, përfundoi Meta./atsh

Meta dekreton ndryshimet në Kodin Penal: Të nevojshme, iniciativa e Kuvendit dhe e Qeverisë duhet mbështetur Read More »

“coronavirus.al”/ Shërohen të gjithë të prekurit nga COVID-19 në Berat, Lezhë, Mirditë, Rrogozhinë dhe Tropojë

Deri tani janë shëruar 365 persona të prekur nga COVID-19 në Shqipëri.

Shifrat bëhen të ditura nga adresa zyrtare e platformës “coronavirus.al”, e krijuar me qëllim informimin e qytetarëve për shifrat zyrtare, vetëm për situatën e të prekurve me COVID-19 në Shqipëri.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, 11 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 356.

Nga puna e bërë e mjekëve, rezulton se Berati, Lezha, Mirdita, Rrogozhina dhe Tropoja janë zona ku të gjithë të prekurit deri tani, janë aktualisht të shëruar.

Po sipas shifrave të publikuar në coronavirus.al, aktualisht në vendin tonë janë 251 persona të infektuar aktivë dhe siç shihet numri i të shëruarve është më i lartë. Kjo tendencë tashmë vazhdon pa luhatje prej më shumë se një jave.

Ndërkaq po vijon hetimi epidemiologjik dhe gjurmimi i kontakteve në Krujë ku kanë rezultuar 18 raste pozitive, ndërsa rastet e tjera janë 3 në Tiranë, 2 raste në Elbasan, 1 rast në Shkodër, 1 rast në Kurbin.

Në vendin tonë deri tani janë evidentuar 634 të infektuar me COVID-19, 251 raste aktive, 356 të shëruar, 27 të vdekur, ndërsa janë kryer 6269 teste gjithsej.

Përmes platformës coronavirus.al, qytetarët kanë mundësi të ndjekin në kohë reale të rejat nga fronti i luftës kundër COVID-19./atsh

“coronavirus.al”/ Shërohen të gjithë të prekurit nga COVID-19 në Berat, Lezhë, Mirditë, Rrogozhinë dhe Tropojë Read More »