Aktualitet

Forca e Ligjit vijon operacionin, sekuestron në kushtet e emergjencës 9 automjete

Policia e Shtetit njofton se Operacioni Forca e Ligjit vijon me veprime konkrete në terren.

Policia e Shtetit bëri të ditur sot se është vendosur sekuestro në kushtet e emergjencës, për 9 automjete.

Policia njofton gjithashtu se është vendosur sekuestro edhe për një pasaportë, për moslejimin e daljes jashtë shtetit të poseduesit të saj.

“Në zbatim të ligjit special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar, Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 1, datë 31.01.2020, bazuar në Nenin Nr. 19 “Sekuestrimi i pasurisë nga Policia e Shtetit në rastet e emergjencës”, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka nxjerrë urdhrat e sekuestrimit për 9 automjete dhe një pasaportë dhe konkretisht:Tre automjete autovetura në pronësi të shtetasit E. D., banues në Farkë, Tiranë;Automjeti fuoristradë në pronësi të shtetasit G. K., banues në Maqellarë, Dibër; Automjeti Audia A6, në pronësi të shtetases V. H., banuese në Korçë; Automjeti në pronësi të shtetases L. M., banuese në Lezhë; Automjeti në pronësi të shtetasit A. G., banues në Gjirokastër; Automjeti në pronësi të shtetases E. K., banuese në Gjirokastër; Automjeti në pronësi të shtetases L. K., banuese në Gjirokastër;”,- njofton policia.

“Gjithashtu, bazuar në Nenin Nr. 11 për “Masat parandaluese personale në raste emergjencës”, i është bërë bllokimi i pasaportës dhe i është ndaluar dalja jashtë shtetit, për një afat 6-mujor, një shtetasi, banues në Lezhë. Me vendosjen e kësaj mase sekuestroje, automjetet i kalojnë në administrim Agjencisë së Administrimit të Aseteve dhe dosjet pasurore të këtyre personave do t’i kalojnë SPAK-ut, për veprime të mëtejshme”,- thekson Policia.

“Gjatë kësaj periudhe, OFL nuk ka ndërprerë asnjë ditë punën, por ka vijuar me veprime për kompletimin e dosjeve hetimore të shtetasve që janë subjekt i OFL-së. Policia e Shtetit, nëpërmjet strukturës së posaçme OFL, është e vendosur që në bashkëpunim me SPAK-un dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, brenda dhe jashtë vendit ta çojë deri në fund këtë operacion jetik, me interes të madh kombëtar e ndërkombëtar.”,- përfundon njoftimi i Policisë. /atsh

Forca e Ligjit vijon operacionin, sekuestron në kushtet e emergjencës 9 automjete Read More »

Parashikimi i motit

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se moti sot do të jetë i vranët me intervale të shkurtra me diell.

Do ketë reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët kryesisht përgjatë pjesës së parë të ditës si dhe në mbrëmje.

Era do të fryjë me drejtim verilindje – lindje 1-10 m/s, e cila përgjatë vijës bregdetare hera herës fiton shpejtësi deri në 18 m/s. Valëzimi në dete parashikohet i forcës 2-3 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 11/20 re shi i dobet
Kukës 6/12 re shi i dobet
Lezhë 11/19 re shi i dobet
Dibër 5/10 re shi i dobet
Durrës 12/20 re shi i dobet
Tiranë 13/21 re shi i dobet
Elbasan 11/20 re shi i dobet
Berat 11/20 re shi i dobet
Vlorë 11/19 re shi i dobet
Korçë 7/9 re shi i dobet
Gjirokastër 10/19 re shi i dobet
Sarandë 12/20 re shi i dobet/atsh

Parashikimi i motit Read More »

Lehtësim i masave pas 4 majit, Pipero: Ecuria e pandemisë e lejon, për të moshuarit kufizimi të zgjasë më shumë

“Ecuria e deritanishme e epidemisë e lejon Kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë të lejojë lirimin e masave shtrënguese”.

Kështu deklaroi sot në një intervistë televizive mjeku i njohur infeksionist Pëllumb Pipero.

“Mendoj se fundi i prillit dhe fillimi i majit na gjen shumë më të lehtësuar edhe nga sa tha Kryeministri jo vetëm lëvizjen e qytetarëve, por edhe gjallërinë e ekonomisë, por duke mos humbur në asnjë moment vigjilencën, sidomos nga bluzat e bardha dhe epidemiologët për të gjurmuar çdo rast të dyshimtë për të parandaluar krijimin e vatrave të reja”, – theksoi Pipero.

Pipero u shpreh se “jam dakord dhe mbështes masat e qeverisë për lehtësimin dhe gjallërimin e jetës qytetare dhe të ekonomisë. Është ende e nevojshme që të moshuarit dhe të sëmurët kronikë të jenë më të kufizuar përtej 4 majit me të tjerët dhe kufizimi i tyre të jetë dhe për një kohë pak më të gjatë e kufizuar dhe të jemi të kujdesshëm. Ne kemi filluar fazën e dytë të epidemisë, që është pak më e gjatë dhe pak më e zbutur dhe në favor të gjallërimit të jetës ekonomike dhe lëvizjes së qytetarëve. Pas majit rastet do të jenë sporadike, gjë që do lejojë lehtësimin e masave”.

Sipas Piperos, edhe plazhi do të mund të shijojet nga qytetarët këtë verë.

Mjeku Pipero tha se “pas çdo rasti të konfirmuar përfshihen 10 apo 15 raste të tjera të pakonfirmuara, ku pjesa më e madhe as nuk ka simptoma. Ritmi i transmetimit të virusit ka qenë i ulët në vendin tonë, ndoshta nën 2 dhe për këtë kurba ka qenë e zbutur dhe pas prillit do të ketë zbritje të qëndrueshme”.

“Kryeministri që nga fillimi i epidemisë ka folur me gjuhën e specialistëve të shëndetësisë dhe jo të politikanit. Më vjen mirë që shumë gjëra që tha Kryeministri sot ne specialistët, ku bëj pjesë edhe unë, i kemi thënë edhe më parë. Unë kam thënë që mesi i majit do të na gjejë më të lirë. Jam përkrahës i lehtësimit gradual në proporcion me epideminë, dhe kjo ecuri e epidemisë deri tani e lejon Kryeministrin të marrë këto masa”, – tha Pipero./atsh

Lehtësim i masave pas 4 majit, Pipero: Ecuria e pandemisë e lejon, për të moshuarit kufizimi të zgjasë më shumë Read More »

Koronavirusi mund të qëndrojë në ajër deri në 16 orë

Grimcat e koronavirusit të ri mbeten pezull në ajër deri në 16 orë, një periudhë shumë më e gjatë se ajo e vërejtur në grimcat e koronavirusit përgjegjës për Sars dhe Mers, sipas studimit të publikuar në faqen e internetit MedRxiv dhe i kryer në SHBA nga Universiteti Tulane në bashkëpunim me Universitetin e Pittsburgh.

Koordinuar nga Alyssa Fears of University Tulane, studiuesit vërejnë se transmetimi i virusit përmes pikave të ajrit mund të jetë më i rëndësishëm nga sa mendohej. Rezultatet, sipas artikullit, tregojnë se “njerëzit me infeksion SarsCoV2 janë në gjendje të gjenerojnë bioerosole virale që mund të mbeten infektive për periudha të gjata kohe”.

Një e dhënë që, sipas autorëve të hulumtimit, do të duhet të merret në konsideratë me qëllim të masave parandaluese.

Eksperimentet e kryera brenda studimit, të gjitha në situata të kontrolluara, matën këmbënguljen në ajrin e grimcave virale të gjetura në pikat pezull me një diametër që varion nga 1 deri në 3 mijë e një milimetri. /atsh

Koronavirusi mund të qëndrojë në ajër deri në 16 orë Read More »

Epidemiologët nga veriu në jug, angazhim maksimal për gjurmimin e rasteve të dyshuara me COVID-19

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, falënderoi sot epidemiologët në të gjithë vendin për punën shembullore për gjurmimin e rasteve me COVID-19 dhe izolimin e vatrave në territor.

“Nga veriu, në jug, me vigjilencë e angazhim maksimal epidemiologët e strukturave vendore të shëndetësisë vijojnë punën pa u ndalur, për gjurmimin e rasteve të dyshuara për COVID-19”, – thekson Manastirliu.

Sipas saj, epidemiologët në terren po bëjnë një punë të palodhur,

Përveç mjekëve dhe infermierëve që janë në vijën e parë të luftës ndaj COVID-19, edhe epidemiologët në qytete të ndryshme të vendit po bëjnë një punë për tu vlerësuar për gjurmimin e rasteve./atsh

Epidemiologët nga veriu në jug, angazhim maksimal për gjurmimin e rasteve të dyshuara me COVID-19 Read More »

Javën e ardhshme zgjerohet orari i daljes për pazar, në 4 maj lehtësohet lëvizja ndërqytetase me taksi

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se javën e ardhshme do të rritet orari i daljes në pazar, do të hapen edhe rrugët ndërqytetase për shërbimet taksi, për të lehtësuar sadopak njerëz që kanë nevojë të lëvizin nga një qytet në tjetrin.

Në një komunikim të drejtpërdrejtë, Kryeministri Edi Rama tha se “nga e hëna, 4 maj, do ta lehtësojmë shumë lëvizjen ndërqytetase qoftë në këmbë, qoftë në makinë, madje pa e kufizuar vetëm tek makinat, që duan të shkojnë në punë”.

“Situata sot është goxha pozitive, por ju lutem të më kuptoni të gjithë se do të mbajmë mend disa gjëra të thjeshta. Kush është i mërzitur unë e kuptoj plotësisht, por nuk është nevoja të më besojë mua, thjesht të shikojë se ç’bëhet në vende rreth e rrotull nga Anglia, në Itali apo edhe në Amerikë”, – tha Rama.

“Armiku i padukshëm që po luftojmë nuk ikën, për faktin se ne mbyllemi brenda, po nuk doli vaksina, prandaj ne duhet të bashkëjetojmë me të. Kjo do të thotë se hapja do të jetë graduale, vigjilenca e secilit duhet të jetë maksimale dhe imponimi dhe vetimponimi i rregullave duhet të vazhdojë, përndryshe gjithçka që bëmë humbet çdo vlerë dhe kthehemi në pikën zero”, – tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “e di që ju kanë lodhur, mërzitur e stresuar lejet, autorizimet, kufizimet, ndryshimet, por duhet të kuptoni të gjithë se kjo është një dhimbje koke për ju, është një dhimbje koke edhe për ne, edhe për mua që kam një përgjegjësi kaq të madhe, që t’ju mbroj nga e keqja më e madhe”./atsh

Javën e ardhshme zgjerohet orari i daljes për pazar, në 4 maj lehtësohet lëvizja ndërqytetase me taksi Read More »

Javët në vijim hapet edhe blloku i tretë i bizneseve, por duhet të zbatojnë protokollin e sigurisë

“Në javët në vijim do të hapim edhe bllokun e tretë të bizneseve, kjo patjetër që do të ndihmojë ekonominë familjare të atyre që dalëngadalë do të kthehen në punë. Prandaj pak durim, pavarësisht se është më e lehtë ta thuash se të bësh durimin, duhet durim, sepse nuk ka rrugë tjetër”.

Kështu deklaroi sot në një komunikim të drejtpërdrejtë Kryeministri Edi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “hapja do të garantohet me rregulla e kushte sigurie, prandaj ka shumë rëndësi që bizneset të garantohen se do ta marrin atë vërtetim bashkë me protokollin e sigurisë tek ‘e-Albania’ dhe ta zbatojnë protokollin e sigurisë”.

“Prandaj ka shumë rëndësi të kuptohet nga të gjithë se në fund të ditës këto leje, protokolle, autorizime duhen për të garantuar shëndetin e gjithësecilit, që do të thotë se duhet të jemi më shumë kërkues ndaj jush, por në radhë të parë secili prej nesh, secili prej jush, duhet të jetë më shumë kërkues nga vetja për të mbrojtur veten, familjen, popullin, Shqipërinë nga revanshi i armikut të padukshëm”, – tha Rama./atsh

Javët në vijim hapet edhe blloku i tretë i bizneseve, por duhet të zbatojnë protokollin e sigurisë Read More »

Shkollat dhe universitetet/ Javën e ardhshme do të ketë një vendim

Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se deri në fillim të javës tjetër do të kemi një vendim për shkollat dhe universitetet.

Në një komunikim të drejtpërdrejtë Kryeministri Rama u shpreh se “nuk është e lehtë. Deri më sot që flasim vetëm Danimarka i ka hapur shkollat, pjesërisht edhe ajo, me të gjithë kryeministrat e tjerë që kam folur kam dëgjuar pak a shumë të njëjtën gjë, nuk e dimë ende si do të bëhet, do të shikojmë çfarë do të bëjmë javë pas jave, s’kemi deri tani asnjë konkluzion për arsimin e turizmin”.

“Mos harroni, ne kemi edhe një taksirat tjetër, pasojat e tërmetit ku kemi humbur shumë shkolla në zonën më të populluar të Shqipërisë: Tiranë, Durrës e përreth dhe kjo na i ka mbipopulluar shumë nga shkollat ekzistuese. Pra risku nëse i hapim shkollat është shumë i madh”, – nënvizoi Rama.

Kryeministri tha se “ne do t’i vlerësojmë të gjitha dhe do të kemi një vendim javën e ardhshme edhe për këtë”./atsh

Shkollat dhe universitetet/ Javën e ardhshme do të ketë një vendim Read More »