Aktualitet

Zbutje e masave në “zonat e gjelbra”/ Vendimi në bazë të kurbës dhe zhvillimit në territor të epidemisë

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një bashkëbisedim me kryetarët e bashkive të shpallura “Zona të gjelbra”, ku nga 27 prilli do të lehtësohet lëvizja duke respektuar disa rregulla strikte, të cilëve u kërkoi të ndjekin nga afër gjithë zhvillimin e kësaj hapjeje pas një periudhe jo të vogël të mbyllur.

Rama tha se vendimi është marrë duke parë modelin e kurbës dhe zhvillimin në dinamikë në territor të epidemisë dhe duke konsideruar riskun e ulët.

Por, sipas tij, “risku i ulët nuk do të thotë që jemi në zona që janë të paprekshme, ashtu sikundër nuk do të thotë që nëse rregullat nuk zbatohen në këto zona, nuk mund të kthehet nga e gjelbër në të kuqe ngjyra e riskut”.

Kryeministri kërkoi nga kryebashkiakët që të marrin disa masa dhe të jenë personalisht në krye të kësaj pune, duke ndjekur nga afër gjithë zhvillimin e kësaj hapjeje pas një periudhe jo të vogël të mbyllur.

Rama tha se “do të ketë një fashë të veçantë për pensionistët çdo mëngjes, që do të thotë se deri në orën 08:30 pensionistët do të kenë liri lëvizje për të ecur, marrë ajër, apo për të bërë pazar nëse dëshirojnë dhe në këtë fashë nuk do të ketë këmbësorë të tjerë, përjashto ata që kanë autorizimin për të shkuar në punë”.

“Është shumë delikate çështja e të moshuarve dhe për këtë duhet shumë vëmendje e kujdes nga ana e tyre dhe e juaja që të garantohet që kjo nuk kthehet në problem. Do të ketë një orë pushimi mes të dyjave dhe nga ora 09:30 deri në 17:30 gjithë të tjerët mund të dalin apo të lëvizin me makinë pa pasur nevojë për autorizim, por përsëri me kushtin jo më shumë se dy persona në xhiro, në ecje dhe në asnjë mënyrë makinat të lëvizin jashtë zonës”, tha Rama.

Ai theksoi se makinat mund të lëvizin, për shembull, brenda qarkut Dibër, që është zonë e përcaktuar si “Zonë e gjelbër”, apo brenda qarkut Gjirokastër. Po ashtu, Rama tha se makinat mund të lëvizin edhe në perimetrin Sarandë-Himarë-Konispol-Finiq apo në perimetrin Pogradec-Përrenjas-Librazhd, por nuk mund të hyjnë nga Elbasani në Librazhd apo të dalin që andej për të shkuar në Elbasan.

Për këtë, Rama tha se “kemi bërë një diskutim edhe me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, që do të vendosë postblloqe që kush kapet në thyerje që ka lëvizur p.sh., nga Tirana në Pogradec, do të penalizohet.

Po ashtu, Rama tha se “është shumë e rëndësishme të mbyllni parqet”. “Policia duhet të ketë në vëmendje bashkë me ushtrinë aty ku janë që të mos lejohet frekuentimi i parqeve publike për piknik apo xhiro familjare që mund të shkojë në infektim komunitar, shkalla më e rrezikshme e infektimit”.

Kryeministri u kërkoi kryebashkiakëve që të monitorojnë situatën personalisht dhe të vendosin njerëzit e tyre në dispozicion për të ndihmuar duke ju kërkuar qytetarëve të respektojnë rregullat.

Rama tha se është shumë e rëndësishme të ruajmë këtë situatë, pasi ne mund të rrimë mbyllur me vite po nuk e u gjet vaksina virusi mund të jetë këtu pas dere.

“Hapja sjell patjetër edhe një rrezik. Nuk është e thënë që gjithë ato zona të mos kenë persona asimptomatikë apo të mos kenë nesër pozitivë. Mund t’i kenë, por nëse qëndrojmë me rregulla numri i pozitivëve nuk del jashtë kontrollit për të na sforcuar sistemin shëndetësor dhe rritet shkalla e imunizimit”, tha ai.

Kryeministri theksoi se “kjo javë që vjen do të na tregojë shumë dhe do të na ndihmojë edhe ne për të kuptuar sesi ecën dinamika në një hapje më të madhe, ku nuk ka më detyrime dhe të gjithë mund të dalin”. /atsh

Zbutje e masave në “zonat e gjelbra”/ Vendimi në bazë të kurbës dhe zhvillimit në territor të epidemisë Read More »

“Zonat e gjelbra”, Manastirliu: Ngremë frenat e Emergjencës nëse nuk respektohen masat e sigurisë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka theksuar se mosrespektimi i masave të sigurisë në “Zonat e gjelbra” do të sjellë sërish rikthimin e kufizimit, ashtu si në “Zonat e kuqe”.

Ministrja Manastirliu, duke komunikuar me kryebashkiakët e zonave të gjelbra, ka nënvizuar se procesi i lehtësimit të masave shoqërohet gjithashtu me monitorim të rreptë dhe me frena të emergjencës të gatshme nëse do jetë e nevojshme.

“I kemi konsideruar ‘Zona të gjelbra’, pasi kemi vlerësuar disa kritere të rëndësishme, sa i takon përhapjes së pandemisë. Komiteti i Sigurisë ka vlerësuar se, transmetimi i infeksionit në këto zona është nën kontroll, duke vlerësuar të gjitha risqet, duke u bazuar te kriteret specifike të qarkullimit të infeksionit. Komiteti në këtë kuadër ka vendosur që të lehtësojë masat në disa zona, duke na dhënë mundësi pilotimi të disa masave dhe lejimin e qytetarëve të lëviznin, të përdorin transportin personal. Të përgatitemi këto dy ditë, që nga e hëna të garantojnë monitorimin e rregullave të reja që do të vendosen. Po krijohen këto lehtësi, që shoqërohen me masa, por kemi gati edhe frenat e emergjencës në çdo rast nëse ndonjë bashki do të ketë thyerje. Do të ketë skuadra monitorimi në çdo bashki, ku risku është në minimumin e tij. Me të gjitha rregullat që do të vendosen ju do të njiheni nesër, për të ndërgjegjësuar popullatën”, – tha Manastirliu.

“Nëse shohim se në ndonjë bashki do thyhet rregulli, do vendosin sërish rikthimin në gjendjen e mëparshme, sipas vlerësimit në territor. Risku i infeksionit është në minimumin e tij në këto zona, por ky risk rritet nëse nuk ruhet distancimi social, apo elemente që bashkëshoqërojnë elemente të tjera të sigurisë nga të gjithë. Nga bashkitë, kërkohet izolimi hapësirave ku mund të grumbullohen qytetarët, siç janë parqet apo ambientet rekreative. Sa më shumë të zbatojmë rregullat me protokolle strikte, me të cilat do të njiheni edhe më tej gjatë ditës së shtunë, aq më inkurajues do jetë rezultati. Në rastet kur do të kemi shpërndarje të infeksionit, do të ngremë frenat e emergjencës dhe do kthehemi në kushtet e mëparshme”, – tha Manastirliu./atsh

“Zonat e gjelbra”, Manastirliu: Ngremë frenat e Emergjencës nëse nuk respektohen masat e sigurisë Read More »

Vlorë/ Një nismë njerëzore domethënëse, punonjës të Policisë Bashkiake pako për 20 familje në vështirësi

Punonjës të Policisë Bashkiake, vendosën të heqin një pjesë nga paga e tyre për t’u ardhur në ndihmë 20 familjeve në vështirësi.

Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli e ka konsideruar një nismë njerëzore domethënëse, ndërsa ka shprehur mironjohjen për secilin prej tyre.

“Shoqëria jonë ka nevojë për shembuj të tillë. Faleminderit komandant Altini dhe të gjithë ju, që ju bashkuat këtij akti solidariteti”, deklaroi Leli./atsh

Vlorë/ Një nismë njerëzore domethënëse, punonjës të Policisë Bashkiake pako për 20 familje në vështirësi Read More »

Muaji i Ramazanit/ Soreca: Shëndet dhe forcë për të gjithë besimtarët për të përballur këto kohë të vështira

Besimtarët myslimanë festojnë Muajin e Bekuar të Ramazanit.

Urimeve për këtë Muaj të Bekuar i është bashkuar edhe Kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, ambasadori Luigi Soreca.

“Gëzuar Ramazanin! Uroj që ky muaj i shenjtë të sjellë lumturi, shëndet dhe forcë për të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë për të përballur këto kohë të vështira!”, është shprehur Soreca në urimin e tij.

Si pasojë e përballjes me një situatë jo të zakonshme, të shkaktuar nga COVID-19 pritet që shumë prej ritualeve që besimtarët myslimanë praktikojnë në këtë muaj të Ramazanit të jenë ndryshe./atsh

Muaji i Ramazanit/ Soreca: Shëndet dhe forcë për të gjithë besimtarët për të përballur këto kohë të vështira Read More »

Ministria e Shëndetësisë: 15 raste të reja, shkon në 678 numri i të prekurve

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se brenda 24 oëë të fundit janë identifikuar 15 raste të reja, duke e çuar totalin e të infektuar në 678.

Eugena Tomini, eksperte pranë Institutit të Shëndetit Publik ka bërë të ditur se “gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 259 persona të dyshuar me COVID-19. Nga totali i rasteve të dyshuara janë testuar 36 personel shëndetësor, të cilët kanë rezultuar negativë për Sars-Cov2. Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 15 raste pozitive me COVID-19.
Nga totali i rasteve të reja 9 raste janë në Tiranë, të gjitha kontakte të rasteve të mëparshme, 2 raste janë në Mirditë, 1 në Shkodër, 1 në Kukës, 1 në Has dhe 1 në Kurbin.
Deri në këto momente janë testuar 6768 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 678 raste, pra rreth 10% e totalit të rasteve të testuara’.

Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Mirditë, Shkodër, Kukës, Has dhe Kurbin.

Sipas Tominit, “pavarsisht luhatjeve të të dhënave ditorë të zbulimit të bartësve të virusit apo të sëmurëve prej tij, situata është e kontrolluar. Treguesi i vërtetë është numri i të shtruarve në spitale, që vazhdon të mbetet në shifra të qëndrueshme. Në kushtet e lehtësimit të disa masave, në mënyrë që situata të vazhdojë të jetë e kontrolluar, është shumë e rëndësishme të zbatohen me përpikmëri të gjitha udhëzimet e autoriteteve shëndetësore, të respektohet distancimi fizik dhe ruajtja e higjienës personale. Këto masa duhet të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare, duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye. Nëse keni shenja të sëmundjes COVID-19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID-19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40′.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:
– Tiranë 285 raste
– Durrës 42 raste
– Lushnje 6 raste
– Elbasan 18 raste
– Fier 36 raste
– Kavajë 9 raste
– Rrogozhinë 4 raste
– Korçë 19 raste
– Vlorë 5 raste
– Shkodër 103 raste
– Lezhë 14 raste
– Berat 2 raste
– Has 14 raste
– Krujë 65 raste
-Tropojë 4 raste
– Pukë 5 raste
– Mirditë 5 raste
– Kukës 12 rast
-Mallakastër 1 raste
– Kurbin 29 raste/atsh

Ministria e Shëndetësisë: 15 raste të reja, shkon në 678 numri i të prekurve Read More »

394 të shëruar nga COVID-19/ 9 pacientë të tjerë fitojnë betejën në 24 orë

Gjatë 24 orëve të fundit, 9 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar totalin e të shëruarve nga COVID-19 në 394 ose 58.1% e totalit të të prekurve.

Aktualisht në vendin tonë 257 ose 41.9% e totalit të të prekurve janë persona aktivë me COVID-19 dhe siç shihet përqindja e të shëruarve është më e lartë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, kjo tendencë tashmë vazhdon të jetë e qëndrueshme.

“Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 30 të shtruar nga të cilët 4 pacientë janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 8 pacientë të shtruar. 4 pacientë janë në terapi intensive në gjendje të rënduar, ndërsa 4 pacientë janë në pavijon”-tha Eugena Tomini, eksperte pranë ISHP-së.

Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 38 pacientë./atsh

394 të shëruar nga COVID-19/ 9 pacientë të tjerë fitojnë betejën në 24 orë Read More »

Mjeku Pipero feston sot 64-vjetorin e lindjes në krye të shërbimit të pacientëve me COVID-19

Pëllumb Pipero, mjeku i mirënjohur dhe shumë i dashur për shqiptarët veçanërisht në këtë situatë të vështirë, feston sot 64- vjetorin e lindjes.

Në një situatë krejt ndryshe nga ajo e zakonshmja, mjeku infeksionist po përballet së bashku me kolegët e tij me luftën e egër dhe të pamëshirshme të COVID-19.

Që në ditët e para të kësaj epidemie, mjeku Pipero ka qenë prezent në medie përmes këshillave dhe informacioneve që ka ndarë me publikun, duke qetësuar njerëzit në të gjithë këtë situatë të vështirë.

Jo vetëm shqiptarët brenda kufijve, por edhe ato jashtë tij, ndjekin më shumë vëmendje daljet e tij publike, si një ndër mjekët më të dashur dhe më të besuar në këto kohë COVID-19. Pipero së bashku me kolegët e tij prej disa muajsh tashmë punojnë të palodhur për t’ju gjendur pranë të sëmurëve me virusin korona në vendin tonë.

Ditën e sotme Pipero ka ditëlindjen dhe kjo ditë e shënuar për të e ka gjetur sërish tek Infektivi. Mjeku mbush 64 vjeç ditën e sotme dhe në disa foto të publikuara në rrjetet sociale mund të shihet teksa mban dy tufa lulesh në duar dhe disa çanta të vogla./atsh

Mjeku Pipero feston sot 64-vjetorin e lindjes në krye të shërbimit të pacientëve me COVID-19 Read More »

“Kjo luftë nuk është kush ia hedh shtetit”/ Rregullat vija e kuqe për mbrojtjen e jetës, gjithçka varet nga sjellja e secilit prej nesh

Secili prej nesh ka një përgjegjësi të madhe në ndalimin e përhapjes së koronavirusit.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një bashkëbisedim online me qytetarët se, “sado rregulla të vëmë, sado polici të kemi, sado ndëshkime në Kodin Penal të vendosim, në fund të ditës gjithçka kryesore varet nga sjellja e secilit prej nesh”.

Rama u shpreh se kjo është “një luftë ku nuk është kush ia hedh shtetit, por secili respekton rregullat që të mos i fusë prindërve, familjes, të afërmve miqve bombat në trup.

Rama solli sërish shembullin e djalit që theu rregullat dhe vizitoi prindërit në një qytet tjetër, duke u ngjitur koronavirusin. “Një djalë që nuk duhet të lëvizte nga qyteti në qytet, pa simptoma, siç jemi pa simptoma të gjithë, niset në një zonë tjetër të vendit se e kishte marrë malli për prindërit. Dy prindër të moshuar, me probleme shëndetësore për shkak të moshës i infekton të dy. Sot prindërit janë të rrezikuar seriozisht”, tha Rama

“Atëherë çfarë do të thotë kjo, sidomos në kushtet kur do të hapemi gradualisht. Kjo do të thotë që në fund të ditës roja që nuk duhet të lëshojë istikamin është vetja jonë”, u shpreh Rama.

“Do lirohemi hap pas hapi, por në themel të çdo hapi që hedhim për t’u liruar qëndron përgjegjshmëria e secilit prej nesh për të mbrojtur veten dhe të tjerët. Pse s’më ka marrë malli mua për të takuar nënën time. Jo po besoj që ky rregull më mbron mua, familjen time, nënën time, të gjithë të afërmit e mi dhe miqtë e mi”, tha Rama.

Rregullat, theksoi kryeministri, “janë për të na dhënë të gjithëve një kornizë sigurie dhe për të përcaktuar një vijë të kuqe që përkufizon lirinë tonë si një mundësi që mbron aty ku fillon liria e tjetrit. Ky rregull i përbotshëm ka një komponent të ri që është mbrojtja e jetës”.

“Prindërit tanë janë gjëja më çmuar që kemi s’mund t’i rrezikojmë dhe t’i fusim në qorrsokakun e kësaj lufte ku ata janë më të rrezikuarit dhe nga ku është shumë e vështirë të dalin gjallë pastaj nga terapia intensive”, theksoi Rama. /atsh

“Kjo luftë nuk është kush ia hedh shtetit”/ Rregullat vija e kuqe për mbrojtjen e jetës, gjithçka varet nga sjellja e secilit prej nesh Read More »