Aktualitet

“Ky viti i një shembulli të madh në raport me betejën mes shtetit dhe krimit”/OFL do të vazhdojë intensivisht edhe pse u pengua nga pandemia

“Ky do të jetë viti i një shembulli të madh në raport me betejën mes shtetit dhe krimit, falë operacionit “Forca e Ligjit”, që do të vazhdojë intensivisht edhe pse u pengua jo pak në këtë fazë nga pandemia”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Në një intervistë televizive, kreu i qeverisë tha se “sot nuk ka qenë një ditë e mirë për sigurinë dhe rendin, por është absolutisht një ditë krejt e pazakonshme në raport me ecurinë e ngjarjeve dhe me ecurinë e punës së Policisë së Shtetit dhe të situatës së rendit. Kështu që unë nuk kam asnjë shqetësim në këtë drejtim përsa i përket ecurisë. Jam i bindur që ky do të jetë viti më i mirë për rendin dhe sigurinë si dhe jam i bindur që ky do të jetë viti i një shembulli të madh në raport me betejën mes shtetit dhe krimit, falë operacionit “Forca e Ligjit”, që do të vazhdojë intensivisht edhe pse u pengua jo pak në këtë fazë nga pandemia”.

Sa i përket çështjes së qyteteve, Rama tha se, “Shkodra pagoi një haraç për papërgjegjshmërinë në dhënien e mesazheve dhe për trajtimin e koronavirusit si një diversant i PS dhe në këtë aspekt nuk kemi pasur absolutisht asnjë interes, asnjë gisht, asnjë lloj qëndrimi të dyanshëm sepse ne i kemi bërë një për një detyrat si shtet”.

“Edhe largimi i Prefektit ka qenë në këtë sens që për ne nuk bëhet fjalë për të ndarë palë në këtë histori, por për të mobilizuar të gjitha forcat për t’ia dalë të gjithë së bashku. Besoj se dhe qytetarët në Shkodër , por dhe gjithë Shqipëria e di shumë mirë se çfarë mesazh iu dhanë komunitetit shkodran nga autoritetet që për ta janë më të besueshme, fatkeqësisht në një pjesë. Dhe këtu s’dua të rikthehem mbrapa, sepse Shkodra tani duket e stabilizuar dhe kjo është e rëndësishme”, u shpreh Rama.

Rama shtoi se, “situata në Shkodër filloi të ndryshojë kur ndërhyri Presidenti i Republikës që është i opozitës kuptohet dhe ka më shumë zë mbi kryetaren pa mandat, po ç’rëndësi ka në këtë moment, të bashkisë së Shkodrës, e cila ishte lëshuar komplet si balonë pa bisht në atë situatë. Dhe disa mesazhe që erdhën me vonesë nga ana e PD, ndihmuan. Ndërkohë që patjetër ne vazhduam të bëjmë punën tone. Edhe vajtja e Prefektit të ri ishte për t’i dhënë mesazh shumë të qartë kryetares së bashkisë dhe të tjerëve që ne jemi aty për të bashkëpunuar, jo për të ngritur barrikada me njëri-tjetrin”.

Sa i përket Krujës, Rama tha se, “është rast shumë specifik. Nuk është si Shkodra. Në Shkodër kishim një situatë infektimi në disa vatra familjare. Në Krujë kemi një situatë infektimi në një vatër, që është një ndërmarrje fason. Kjo provon se në fakt fasonët në vetvete nuk janë një burim i sigurt infektimi në rast se respektohen rregullat. E vërteta është që në ndërmarrjet e tjera nuk kemi pasur probleme. Që do të thotë që kërkesa e bërë për t’i mbyllur të gjithë duke goditur mu në zemër zinxhirin ekonomik ishte një kërkesë që ne e konsideruam të paarsyeshme prandaj nuk e dëgjuam dhe s’kemi pse ta dëgjojmë aq më tepër sot kur ajo vazhdon përsëritet në atë rrotullimin e pllakës së gramafonit që dihet”. /atsh

“Ky viti i një shembulli të madh në raport me betejën mes shtetit dhe krimit”/OFL do të vazhdojë intensivisht edhe pse u pengua nga pandemia Read More »

Parukeritë, lokalet, dentistët do të hapen të fundit”/ 404 kompani kanë aplikuar për kredinë sovrane

Kryeministri Edi Rama, gjatë një emisioni televiziv bëri të ditur se janë 404 kompani që kanë aplikuar për kredinë sovrane.

Rama gjatë mbrëmjes së sotme bëri të ditur se parukeritë, lokalet, dentistët janë të fundit që do të hapen pasi konsiderohen si sipërmarrjet më të rrezikuara për përhapjen e COVID 19.

Kryeministri Edi Rama, duke iu përgjigjur dhe interesit të qytetarëve, tha se për personat që kanë sëmundje të ndryshme dhe ri-atdhesohen karantinimi bëhet në shtëpi, për të mos rrezikuar dhe të tjerët.

“Nuk jam unë personi që duhet pyetur për këtë, kjo është çështje kategorizimesh që i bënë institucioni përkatës. Është Ministria e Shëndetësisë që bënë këtë kategorizimi. Nuk e di si ndahen kategoritë specifikisht. Di këtë që, për ata që janë të sëmur s’ka një lehtësi që nuk mbahen në karantinë, por i jepet mundësia të vijojnë jetën e tyre në shtëpi. Nëse nuk është pranuar ky person, atëherë është kategori që nuk hynë në ato që duhet të ikin në shtëpi”,- tha Rama.

Kryeministri Rama garantoi se ndërhyrjet kirurgjikale nuk janë ndalur në asnjë moment. “Nuk ka ndërprerë për asnjë ditë ndërhyrjet kirurgjikale. Janë spostuar te trauma, për të lehtësuar zonën përkatëse në QSUT, por vijojnë rregullisht”,- tha Rama.

Sa i takon bizneseve si lokale, bare dhe parukeri, Rama nënvizoi se janë të fundit që do hapen. “Ajo që thashë për parukeritë, vlen edhe për dentistët pasi konsiderohen si vatra të rrezikshme, pasi një i vetëm i infektuar rrezikon ta shpërndajë infeksionin te shumë të tjerë. Lokalet do jenë të fundit që do hapen dhe deri tani s’di një vend ti ketë hapur lokalet. Nëse është miratuar do ta marrin shumë vende dhe kanë vendosur të mos i hapin shkollat. Sot kemi pasur një diskutim thuajse përfundimtar me Ministren e Arsimit, Ministren e Shtetit, Drejtorin e Agjencisë së teknologjisë dhe Inovacionit dhe besojë se nesër do të kemi një vendim përfundimtarë”,- tha Rama.

Kryeministri tha se “nuk të ekspozojnë rrugët e Shqipërisë, ku më mjafton të ruash distancat dhe je i mbrojtur dhe nuk nevojë ti trembesh infektimit, madje mendojë që kur je në rrugë dhe kur arrijnë të ruash distancat s’ke nevojë as për maska apo mjete të tjera mbrojtëse pasi të ruan distance”,- tha Rama.

“E kam thënë që ditën e parë, e kam bërë dhe vetë, që ne duhet të jetojmë sikur e kemi COVID-19. Mund të jemi të gjithë të infektuar asnitomatik dhe duhet të sillemi si të tillë duke ruajtur të tjerët dhe ruajmë edhe Shqipërinë dhe sistemin shëndetësor. Hapja do na ekspozojë përpara rritjes së numrit të infektuarve. Pyetja është sa do të rritet ? Kjo do të varet nga ne, inspektorët, ligjit dhe institucionet e zbatimit të ligjit janë të rëndësishme, por nuk zëvendësojnë atë që secili prej nesh duhet të bëj. Secili prej nesh duhet të bëjë rojen e vetes dhe të tjerëve”,- tha Rama.

“Nuk ka asnjë njeri për të shpëtuar jetë, përveç atyre që janë duke asistuar aty për të shpëtuar jetën, pra urgjenca kombëtare, mjafton një telefonatë dhe urgjenca kombëtare është aty. Di që në paketën e zgjeruar agjencitë turistike përfitojnë bonusin prej 400 mijë lekësh”,- tha Rama.

“Kam parë raste refuzimesh të regjistruar me disa lloj emrash, niptesh dhe çudirash shqiptare që i kam parë kohët e fundit dhe për këtë na ka dërguar të kemi një tryezë tjetër për të ndryshuar rregullat e regjistrimit. Janë 404 kompani që kanë aplikuar për garancinë sovrane dhe vijojnë aplikimet”,- nënvizoi Kryeministri./atsh

Parukeritë, lokalet, dentistët do të hapen të fundit”/ 404 kompani kanë aplikuar për kredinë sovrane Read More »

“Asgjë e re në frontin e opozitës”/Po përgatitet për humbjen e radhës, Presidenti po bën gjënë e duhur

Kryeministri Edi Rama deklaroi se opozita po përgatitet për humbjen e radhës dhe po bën atë që bën para çdo humbjeje, duke iu referuar këtu deklaratave të saj, të cilat i cilësoi si të pavërteta.

“Nuk ka asgjë të re në frontin e opozitës e opozita vazhdon të bëjë të njëjtat gjëra që ka bërë para çdo humbjeje dhe po përgatitet për humbjen e radhës”, deklaroi Rama mbrëmjen e sotme i ftuar në një nga studiot televizive.

Publiku, u shpreh Rama, nuk merret me tendera e nuk ka asgjë të dyshimtë para syve të tij, sepse publiku nuk studion dokumentet e tenderave.

“Publikut i vihen para syve fakte të sajuara, fabrikuara e të keqinterpretuara me qëllim. Kjo është një kohë lufte, kur të gjithë duhet të jemi bashkë. Ka një kohë për të bërë luftën dhe ka një kohë për të berë hesapet.Patjetër edhe për të bërë edhe gjyqet. Unë nuk them që ata duhet të heqin dorë nga monitorimi, por faktikisht duke parë ato që ata kanë thënë rezulton se janë gënjeshtra të diskretituara bazuar në fakte të thjeshta. Kur thua se janë blerë maska të skaduara që në 2014 dhe rezulton se kanë afat skadence në vitin 2023, kjo është në letër dhe nuk është diçka për të bërë interpretime. Apo kur thua që ky material është blerë kaq dhe rezulton në letra se është blerë sa gjysma, këto janë gënjeshtra”,tha kryeministri.

Sa i përket propozimeve të opozitës, Rama tha se “mendoj që ka humbur deri tani një mundësi të artë për të bërë detyrën karshi atdheut dhe për të ngritur stekën e nivelit të vet. është e vetmja opozitë nga të gjitha ato që kam ndjekur, pasi ndjek shumë shtete menjëherë se çfarë bëjnë qeveritë dhe opozitat. Kjo është e vetmja opozitë ku flet për çuarje prapa hekurave, për dosje në prokurori, korrupsion me tendera, lloj- lloj broçkulash. Sepse i është dhënë mundësia që përpara se të bëjë këto shfaqje të bëjë diçka tjetër, të marrë informacion dhe për të qenë pjesë e një tryeze. Opozita nuk i është përgjigjur sfidës së madhe. Por së paku Presidenti po bën gjënë e duhur”.

Sa i takon rolit të Presidentit, Kryeministri tha se “në këtë situatë së paku nuk e kemi patur atë që kishim më parë dhe do të kishin nëse edhe presidenti do të ishte në të njëjtat pozita që është opozita dhe kjo nuk është shumë po nuk është pak”.

I pyetur nëse vazhdonte luftën politike, pasi vetë Presidenti ishte shprehur se lufta politike më Kryeministrin vazhdon, Rama tha se “ka patur vetëm një moment lufte politike me Ilir Metën, kur ka qenë i detyruar ti tregoj vendin, kur ishte periudha kur kërkonin votën për mandat të dytë”.

“Pas asaj, sinqerisht nuk jam marrë më dhe nuk më ka interesuar më të harxhoj energji. Të gjitha situatat e kanë shqetësuar grupin tonë parlamentar, unë thjeshtë kam bërë një pjesë të vogël të detyrës që më takon brenda atij grupi parlamentar”.

Sa i takon shkarkimit të Presidentit, Rama tha se është çështje e Parlamentit dhe jo e tij./atsh

“Asgjë e re në frontin e opozitës”/Po përgatitet për humbjen e radhës, Presidenti po bën gjënë e duhur Read More »

Mjek në çdo biznes me risk, fasoneritë të zbatojnë kushtet e sigurisë

Kryeminsitri Edi Rama deklaroi sot se po punohet për të vendosur mjek në çdo biznes me risk.

Në një intervistë televizive, i pyetur nëse do të përfshihen mjekët e familjes në sistemin e gjurmimit dhe të testimit të rasteve me COVID-19, tani që do të bëhet hapja, Rama tha se, “mjekët e famlijes nuk bëjnë testime, por janë shumë të rëndësishëm si hallka më fundore e sistemit që është më pranë njerëzve. Me mjekët e familjes skuadra që punon për testimet është në kontakt të vazhdueshëm”.

Ndërkohë, shtoi Rama, “po punojmë për të vendosur një bluzë të bardhë tek të gjitha bizneset me risk. Pra fasoneritë, dhe jo vetëm fasoneritë, por të gjitha bizneset më me risk do të kemi një bluzë të bardhë aty që do të kontrollojë të gjitha kushtet e sigurisë”.

“Kam vënë re me keqardhje që fasonët kërkojnë disa liri që nuk do t’i kenë në raport me kushtet e sigurisë. Nuk duan të dezinfektojnë dy herë vendin e punës. Si mund të thonë që ne nuk duam ta dezinfektojmë dy herë vendin e punës, kur aty punohet me turne dhe turnet ndërrohen. Dhe pas ndërrimit të turnit ai që lë tavolinën dhe zëvendësohet nga dikush tjetër patjetër që duhet të lërë pas dhe një proces dezinfektimi. Apo si mund të thonë që duam t’i mbushim autobusët plot e për plot, ndërkohë që ka kritere. Për të gjitha këto do të kemi kontrolle shumë të forta”, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë tha se “pensionet po i çojmë nëpër shtëpia. Dhe për aplikimet e pensioneve procesi bëhet përmes E-Albania dhe nuk ka problem fare. Për këtë që përdor facebook s’ka asnjë problem”.

I pyetur se çfarë do të bëhet me ata që duan të kthehen në Shqipëri por që kanë fëmijë, të vegjël, Rama tha se, “për ata që janë të sëmurë dhe kanë fëmijë të vegjël e kemi bërë këtë përjashtim. Nuk kemi lënë në karantinë prindër me fëmijë shumë të vegjël. Prindërit që janë me fëmijë shumë të vegjël i kemi parë janë parë me sy tjetër.

I pyetur në lidhje me punonjësit sezonalë që duan të shkojnë në Greqi, Rama tha se, “me kryeministrin e Greqisë kemi diskutuar për këtë temë që është me interes reciprok dhe brenda mesit të majit kur fillon dhe kjo lëvizje do të kemi një konkluzion dhe besoj se do të kemi një marrëveshje specifike sesi do të bëhet lëvizja e këtyre punonjësve, natyrisht që asnjë prej tyre të mos humbasë mundësinë e punësimit sezonal”

I pyetur në lidhje me punonjësit e administratës që nëse do të duhet të punojnë të dy prindërit, me kë do të qëndrojë fëmija, Rama tha se, “kemi pasur mirëkuptim maksimal për këtë dhe ndërkohë kemi filluar të punojmë për një reformë sepse kjo periudha e karantinës i ka mësuar dhe të tjerëve atë që në fakt unë e kam ditur, që me më pak njerëz bëhet më shumë punë. Nga ana tjetër duke përdorur sistemet dixhitale ne mund të krijojmë një regjim tjetër pune në administrate, ku një pjesë e administratës mund të punojnë edhe nga shtëpia dhe kështu të mos enden kafeneve në orar të punës dhe puna të jetë shumë më e monitorueshme”.

“Në këtë situatë po mësojmë disa gjëra dhe kemi një reformë shumë të bukur për të bërë tani në arsim. Duke parë që 98% e nxënësve ndoqën dhe po ndjekin mësimet online dhe një pjesë e madhe e zonave ku nuk mendonim paraprakisht, ka ndodhur që fëmijët kanë ndjekur mësimet online përmes telefonave. Kështu me online do të bëjmë një revolucion në arsim duke i dhënë fund klasave kolektive, duke krijuar klasa kombëtare, duke vendosur tek TVSH një stacion të vetëm totalisht në dispozicion të nxënësve dhe mësuesve, duke vendosur mësuesit më të mirë për të dhënë mësim në nivel kombëtar. Është një proces shumë i bukur që lindi si rezultat i kësaj situate”, tha Rama.

Dhe po ashtu, tha Kryeministri, “do të ndërtojmë dhe një sistem të tërë bluzash të bardha për Maturën Shtetërore që të garantojmë siguri maksimale në procesin e Maturës Shtetërore”./atsh

Mjek në çdo biznes me risk, fasoneritë të zbatojnë kushtet e sigurisë Read More »

Manastriliu: Hapja graduale duke zbatuar protokollet e sigurisë, 14 ditë për secilën fazë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi se në fazën aktuale që ndodhet Shqipëria, pra ajo e hapjes duhet të jemi të kujdesshëm pasi virusi nuk është larguar ende.

Në një lidhje direkte në një nga mediet e vendit, Manastirliu u shpreh se “është e vërtetë që ne kemi hyrë në fazën e parë të hapjes së kujdesshme dhe shumë graduale. Nga dita e sotme kemi hapur disa kategori biznesi dhe gjithashtu kemi zgjeruar fashën orare të lëvizjes së qytetarëve, nga 90 minuta në 2 orë. Duhet të themi që kemi filluar një hapje të kujdesshme të masave, pasi Komiteti i Ekspertëve i atashuar pranë Ministrisë së Shëndetësisë, gjithashtu i ISHP-së ka realizuar një strategji të hapjes me faza, sa i përket rihapjes jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe në aspektin social dhe ka vlerësuar 4 faza të rihapjes së aktiviteteve dhe në bazë të kritereve të vendosura nga Komiteti Teknik, bazuar në kurbën biologjike, në numrin e të shtruarve në spital dhe në rastet e rënda që trajtohen janë vlerësuar disa faza të hapjes. Ne kemi kriteret e secilës fazë, kemi vlerësuar riskun për secilën. Tre kriteret kyçe për të cilën ua përmenda lidhet me kurbën epidemiologjike. Kjo do të thotë se raste pozitive klasifikohen në disa aspekte, kjo do të thotë se nëse ne do të kemi në fazën e parë ku risku është edhe më i ulët, mbi 15 raste pozitive në ditë për mbi një mesatare të rasteve që është 15 raste të reja në ditë, atëherë ne do të themi që do të vijojmë më fazën e dytë të hapjes. Nëse numri do të rritet mbi një mesatare atëherë nuk do të kalojmë në fazën e dytë të hapjes por do të ngremë frenat e emergjencës, që do të thotë do të kthehemi në masat e mëparshme”.

Më tej, ajo theksoi se “do vijojmë testimet si kemi bërë deri më sot, duke gjurmuar të gjitha rastet kontaktet e tyre të para, të dyta e të treta. Është shumë i rëndësishëm në këtë fazë hetimi “agresiv”, pra hetimi për çdo rast të dyshuar dhe rastet e tjera janë asimpotimatikë por kanë lidhje me rastet që identifikohen në terren. Shumë e nevojshme strategjia e testimit që është duke u kryer e hartuar nga ekspertët të vijojë me të njëjtën intensitet në terren sidomos në këto faza, pra në fazën e hapjes që po ndodh”.

Secila hapje sipas saj, do të ketë një periudhë 14-ditore vlerësimi aq sa është faza e virusit.

“Bizneset që nuk respektojnë masat do kenë nga gjoba deri në mbyllje të veprimtarisë dhe edhe ndjekje penale nëse do ketë përsëritje, nuk është asnjëra nga këto qëllim në vetvete, por vendosja e masave për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve. Të gjithë qytetarët dhe bizneset duhet të tregojnë përgjegjësi maksimale dhe çdo lehtësim tjetër do të vijë nga veprimet e tyre’. –tha ajo.

Më tej, ministrja shtoi se “situata është dinamike. Nuk ka vend për të mos qenë të shqetësuar se virusi iku dhe hajde tani të bëjmë plazh. Unë po e them sepse jo sepse nuk mendoj apo nuk jemi duke planifikuar por duke parë se çfarë po bën rajoni dhe çfarë do të kemi si alternativë këtë vit. Secili shtet ka specifikën e vet. Mal i Zi nuk ka qenë aq i prekur në numra në raport me Shqipërinë, që ka patur një efekt shumë të madh nga Italia, nga të gjitha rastet e importuara që na kanë ardhur. Por duhet të kuptojmë diçka, rreziku nuk ka kaluar prandaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm qoftë përsa i përket hapjes, qoftë sa i përket plazhet dhe turizmit, nuk do të kemi turizmin klasik por do të vlerësojmë hap pas hapi në dinamikë se çfarë opsionesh do të krijohen. Nuk jemi dhe nuk po jetojmë në normalitet, po jetojmë në një situatë të jashtëzakonshme”./atsh

“Fakti që sot në spitale në nuk kemi mbingarkesë apo kemi një relaksim në situatën e spitaleve krahasuar me ngarkesën që do të kishim, i dedikohet masave që ndërmorri qeveria. Nëse ne nuk do të kishim marrë ato masa në ditën 1 dhe ky është faktori kyç, ne sot jo vetëm do të kishim spitale të përmbytura nga qytetarët që ishin në nevojë për trajtim mjekësor dhe kjo ishte eksperienca që kanë kaluar edhe vendet e zhvilluara me sisteme shëndetësor shumë të zhvilluar”, përfundoi ministrja

Manastriliu: Hapja graduale duke zbatuar protokollet e sigurisë, 14 ditë për secilën fazë Read More »

Shehu apel për lehtësim të masave: Lejoni shfrytëzimin e diellit dhe të detit, “terapi” kundër virusit

Ish-deputeti i PD-së, Tritan Shehu tha sot se autoritetet duhet të lejojnë shfrytëzimin e diellit, ujërave, ajrit e hapësirave shqiptare kundër COVID-19, pasi sipas tij, “nuk ka asnjë dyshim që kontakti sa më i gjatë me diellin, drita natyrale në tërësi, ujërat, veçanërisht ato detare, shkatërrojnë Covid-19 dhe rrisin imunitetin e njerëzve, duke dobësuar forcën e epidemisë”.

“Vendi i ynë është në një pozicion gjeografik të favorshëm për këtë, siç quhet “helio e hidroterapi”, veçanërisht tashti që ne u futem ne sezonin me diell e ngrohtësi. Në këto kushte qytetaret tanë jo vetëm nuk duhen penguar paradoksalisht, por u duhen krijuar të gjitha mundësitë që të përfitojnë sa më shumë nga këto “ilaçe” kudo ku të mundin: në plazhe, parqe, buzë lumenjve, liqeneve, pyjeve, etj.”, tha ai.

Po ashtu, Shehu shtoi se “kjo do të ulë dhe koncentrimet e banorëve në qytete, apo dhe ne ambientet e mbyllura familjare, që sot rrezikojnë të bëhen burimi kryesor i kontaminimit”.

“E kuptueshme që në kushtet e epidemisë e mungesës së testimeve për të njohur gjendjen, kjo duhet realizuar konform disa rregullave, por këto duhet të jenë racionale, në balancë me përfitimin e madh nga kjo “terapi”, ndoshta aktualisht me eficiente nga çdo gjë tjetër. Është detyre e institucioneve shtetërore, që të mos mbajnë të bllokuar qytetarët prej mungesës së vizionit, por me urgjencë të bëjnë publike këto rregulla, pa u bërë pengesë asnjë ditë për shfrytëzimin e kësaj mundësie të madhe, që Perëndia a Natyra u ka dhënë shqiptarëve”, shprehet ai./atsh

Shehu apel për lehtësim të masave: Lejoni shfrytëzimin e diellit dhe të detit, “terapi” kundër virusit Read More »

Meta: Të shmanget kolapsi i sektorit fason, mbështetje punonjësve

Presidenti Ilir Meta tha sot se ka pritur në një takim kryetarin e Fasonistëve të Bashkuar, Gjergji Gjika dhe ka dëgjuar me vëmendje, nga afër, problematikat e bëra publike prej kohësh të këtij sektori të rëndësishëm social dhe ekonomik të vendit.

Meta shprehet se “Gjika, theksoi urgjencën e mbështetjes së sektorit fason, që është në një situatë mjaft kritike, si nga kufizimet brenda vendit, ashtu edhe nga tronditjet e tregjeve ndërkombëtare”.

“Gjatë bisedës, theksova se i kam kërkuar qeverisë mbështetje për kërkesat e këtij sektori, dhe se do të vazhdoj të insistoj për një vlerësim sa më të shpejtë, realist dhe praktik, për të evituar kolapsin e sektorit fason dhe për të mbështetur punonjësit, gjithashtu”, shprehet ai. /atsh

Meta: Të shmanget kolapsi i sektorit fason, mbështetje punonjësve Read More »

Hapja e bllokut të dytë të bizneseve, Ministria e Shëndetësisë: Akoma më i rëndësishëm zbatimi me përpikmëri i rregullave

Distancimi fizik dhe ruajtja e higjienës personale mbeten të vetmet armë që ne kemi në dorë si komunitet për të frenuar përhapjen e COVID-19.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale iu bëri apel qytetarëve dhe posaçërisht sipërmarrësve, që në kushtet e hapjes së aktivitetit ekonomik të respektojnë rigorozisht rregullat.

“Rikujtojmë të gjithë qytetarët se deri kur të kemi vaksinën, do të na duhet të gjithëve të jetojmë dhe të punojmë duke ruajtur në nivelin maksimal vigjilencën ndaj rrezikut të infektimit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Sipas MSHMS, në kushtet e lehtësimit të disa masave, bëhet akoma më e rëndësishme të zbatohen me përpikëri të gjitha udhëzimet e autoriteteve shëndetësore, të respektohet distancimi fizik dhe ruajtja e higjienës personale.

“Nëse keni shenja të sëmundjes COVID-19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID-19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40”, apelon ministria./atsh

Hapja e bllokut të dytë të bizneseve, Ministria e Shëndetësisë: Akoma më i rëndësishëm zbatimi me përpikmëri i rregullave Read More »