Aktualitet

Rama me përfaqësuesit e lartë të klerit shqiptar: Vendimi nga ekspertët, në 18 maj do kemi hapa konkret

“Hapja e aktiviteteve fetare mund të jetë modeste, por për këtë në fund do të vendosin ekspertët dhe kjo vetëm pas mbylljes së fazës së dytë të hapjes, proces i cili finalizohet në 18 maj”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, gjatë një komunikimi online me përfaqësuesit e lartë të klerit shqiptar pas një kërkese nga ana e tyre lidhur me hapjen e objekteve të kultit për besimtarët të cilat u mbyllën pas masave të marra në luftën ndaj COVID-19.

Rama nënvizoi se hapja e objekteve të kultit mund të bëhet gradualisht dhe me përmasa modeste, ndërsa ka shtuar se në fund për këtë, dritën jeshile do duhet ta japi komuniteti i ekspertëve.

“Mirënjohje të gjitha komuniteteve, pasi keni dhënë një shembull të paçmueshëm për të gjithë vendin në kushtet e një situate kaq të vështirë. Jeni treguar mirëkuptues duke bërë një sakrificë jo të vogël në momentin më kulmor të kalendarit tuaj, qoftë për festat e mëdha të komunitetit të krishterë, qoftë për muajin e Madhërueshëm të Ramazanit, duke i kërkuar besimtarëve të qëndrojnë në shtëpi dhe të mbrojnë veten dhe familjet e tyre. Ju falenderoj për këtë”,- tha Rama.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e lartë të klerit shqiptar duke vlerësuar masat e marra nga qeveria dhe rezultatet e arritura deri tani në luftën ndaj COVID-19, kërkuan hapjen e objekteve fetare. Sipas tyre, janë të gjitha mundësitë për respektimin e distancave nga besimtarët.

Kryeministri Edi Rama, i ftoi përfaqësuesit e komuniteteve të propozojnë ide konkrete se si mund të realizohet hapja e objekteve të kultit për besimtarët dhe mund të ruhet distanca nga ana e tyre.

“Ndihma që keni dhënë është e paçmuar. Me shembullin tuaj keni dhënë një mesazh shumë të qartë për të gjithë kombin shqiptarë. Sa i përket shqetësimit tuaj, unë bashkohem me ju që në kuadrin e masave për lehtësimin e ndërveprimeve dhe jetës së përgjithshme ekonomike dhe sociale, hap pas hapi është e nevojshme të adresojmë dhe situatën aspak të lehtë që kjo luftë ka krijuar mbi komunitet tuaja dhe të lehtësojmë pengesat e mëdha të kthimit normal të veprimtarisë suaj”,- tha Rama.

“Sigurisht që nga ana tjetër, duhet të jemi shumë të kujdesshëm për ta bërë gradualisht këtë gjë, jo në mënyrë të menjëhershme, ç’ka kërkon një konsultim me ju, pasi praktikat tuaja janë të ndryshme, jo vetëm nga komuniteti në komunitet, por nga vetë kalendari i punës, një kalendar i caktuar javor apo mujor, ju keni praktika që nuk janë njësoj dhe për këtë arsye kam kërkuar që grupi i punës, i cili është i përbërë nga ekspertë të fushës dhe pastaj dhe nga komuniteti ynë i ekspertëve, të adresojë këtë problematikë”,- vijoi Rama.

“Ndryshe nga aktivitete të tjera të biznesit, për rastin e komuniteteve fetare kjo duhet bërë bashkarisht. Dua gatishmërinë tuaj që nga sot ose nesër, ju të jeni disponibël për të vendosur kontakt me personat që hartojnë masat lehtësuese për të pasur një konsultim konkret se si mund të hartohet një kalendar gradual deri në normalizimin e plotë të aktivitetit. Dhe nëse ne do të hartojmë një kalendar të arsyeshëm, duke marrë në konsideratë dhe eksperiencat e tjera, pasi jemi përpjekur të kemi informacion nga eksperiencat e tjera, atëherë, besoj që në 18 maj, kur dhe do të jetë konfiguruar me kufizimet e veta i gjithë projekti i fazës së dytë, do të mund të japim edhe disa indikacione konkrete për komunitet fetare”,- theksoi Kryeministri.

“Menjëherë ne mund të fillojmë nga puna dhe ju do na ndihmoni me idetë konkrete, mesha, praktikat e përditshme, si mund të bëhet e mundur një hapje modeste për besimtarët në kushtet kur duhen garantuar të gjitha distancat..etj.,- tha Rama.

“Pastaj do ballafaqohemi me komunitetin ekspertëve ku merren vendime, për të na thënë po, bëhet ose jo, nuk bëhet, ose, po bëhet me këto ndryshime…etj etj. Po qe se kemi dakordësi për këtë, ne nisim punën konkretisht për të dhënë një perspektivë të shpejtë për fillimin ose rifillimin e veprimtarisë suaj, duke ju dëgjuar me shumë vëmendje dhe duke pasur besim se ju do të respektoni standardet e sigurisë”,- theksoi Rama.

“Edhe një kërkesë do kisha unë, nëse keni mundësi të na sillni eksperienca të tjera, se çfarë po bën kisha Ortodokse në vende të tjera, Kisha Katolike, Ungjillorë apo Komuniteti Musliman, eksperienca të ndryshme…Pasi nuk kemi parë eksperienca uniforme, janë përpjekje nga më të ndryshmet për të parë se si veprojnë të tjerët. Ju lutem na sillni dhe shembuj, nëse mundeni nga vende të tjera”,- tha Rama. /atsh

Rama me përfaqësuesit e lartë të klerit shqiptar: Vendimi nga ekspertët, në 18 maj do kemi hapa konkret Read More »

Ministrja Shahini flet për maturantët: ‘Përdorimi i maskave i detyrueshëm.Po punojmë t’i sigurojmë ne’

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini në një intervistë me emisionin “Repolitix” në Report TV sqaroi të gjitha rregullat strikte të higjienës dhe distancimi social mes maturantëve që duhet të zbatojnë për t’u rikthyer në klasa më 18 maj.

Shahini tha se në klasa nuk do të ketë më shumë se 10-12 nxënës dhe se do të përdoren dhe shkollat 9-vjeçare për maturantët që të respektohen sa më shumë distancë, ndërsa sqaroi se nxënësit do të jenë të gjitha me maska pasi ishte urdhër i Ministrisë së Shëndetësisë. Gjithashtu shkollat do të dezinfektohen herë pas herë, ndërsa tavolinat dhe karriget do të bëhen pas çdo përdorimi në mënyrë që të shmanget sa më shumë përhapja e infeksionit dhe të sigurohet shëndeti i maturantëve dhe mësuesve.

“Hapi i parë është hapja e shkollave të mesme dhe një pjesë të shkollave 9-vjeçare për maturantët. Nuk kemi mundësi t’i kthejmë të gjithë në shkolla. Maturantët duhet të mbyllin ciklin duke dhënë provimet dhe për këtë dueht t’i hapim ata pjesërisht. nuk do të ketë më shumë se 10-12 nxënës në shkolla dhe se hapja do të bëhet për konsultime jo për mësim.

Për të siguruar shëndetin e plotë të maturantëve dhe mësuesve është urdhër mbajtja e maskës ndërsa po punojmë që t’i sigurojë Ministria e Arsimit disa maska shumëpërdorimshme. Do të bëhet dezinfektimi i shpesh i shkollave dhe klasave, ndërsa hapja nuk do të jetë me turne, ndërsa i karrigeve dhe tavolinave duhet të bëhet pas çdo përdorimi”, tha Shhaini.

Në lidhje me klasat nga 1-11, Shahini tha se do të vijojë mësimi deri më 29 maj online, ndërsa dy javët e para të qershorit do të jenë për mësuesit, që do të kthehen në shkollë për të vendosur notat përfundimtare.

“Nota e provimit të lirimit do të merren si mesatare e të gjithë viteve. Notat do të mbyllen me vlerësimit deri në më 9 mars, ndërsa vlerësimi për mësimin online do të merret parasysh vetëm kur nuk penalizon”, tha Shahini.

Ministrja Shahini flet për maturantët: ‘Përdorimi i maskave i detyrueshëm.Po punojmë t’i sigurojmë ne’ Read More »

Mjeku Alimehmeti: Prej disa javësh rastet janë minimale, lirimi i masave sipas dinamikës së situatës

Ilir Alimehmeti, mjek epidemiolog klinik dhe njëkohësisht lektor në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Mjekësisë, në Tiranë, vlerësoi sot se pavarësisht lehtësimit të masave rastet janë minimale ç’ka sjell shpresë.

Në një intervistë për mediet, Alimehmeti theksoi se jetës normale do t’i kthehemi shumë më shpejt se sa të prodhohet vaksina, edhe pse prodhimi i saj mund të ketë nevojë për të paktën 1-2 vite dhe efikasiteti i saj mbetet ende për t’u vërtetuar pasi të dalë.

Ndërkohë, sipas tij, një përqindje e lartë e popullatës do të jetë natyrisht e imunizuar nga virusi.

Ai u shpreh se “situata në Shqipëri fatmirësisht ka qenë vazhdimisht shumë e butë dhe me ecuri pothuajse të rrafshët”. “Tashmë u bënë disa javë kur rastet janë minimale, me përjashtim të situatës së krijuar në fasonerinë e Krujës që përfshiu edhe Kurbinin dhe në burgjet e Tiranës. Rastet komunitare kanë qëndruar vazhdimisht në nivele minimale. Në këtë situatë është patjetër jo vetëm e këshillueshme, por e domosdoshme të lirohen masat për të lejuar aktivitetin sa më normal të shoqërisë, gjithnjë duke e vlerësuar në dinamikë situatën”, tha ai.

Për sa u përket këshillave, ai tha se ato janë këshillat bazë e të përhershme si higjienë sa më e mirë personale dhe ambientale, si edhe njëfarë distance sigurie nga personat e panjohur apo të sëmurë.

Dorezat, sipas Alimehmetit nuk kanë asnjë dobi, madje shumë studime kanë treguar se mbajtja e tyre shoqërohet me dëme jo vetëm të lëkurës, por edhe të transmetimit të koronavirusit përmes dukurisë së njohur si “ndotja e ndërmjetësuar”.

“Maskat kanë efekt në komunitet vetëm nëse mbajtësi i maskës është vetë i sëmurë. Në rast se personi është i shëndetshëm, maska nuk shërben. Gjithashtu, maska këshillohet për personat që punojnë në kontakt me shumë persona, si punonjësit e marketeve, sportelistët etj. Megjithatë, evidencat mbi maskat janë ende të paqarta, ndryshe nga dorezat ku këshilla është mospërdorimi i tyre. Grupimet mbi 50 veta janë qartësisht element që duhet shmangur, ndërkohë që nuk ka evidenca të qarta për grupimet më të vogla se ky numër. Por, për të qëndruar në anën e sigurt të shëndetit, le të themi që grupimet duhet të jenë jo më të mëdha se 5-10 persona. Si përfundim, për evitimin e një vale tjetër mjafton higjiena dhe njëfarë distance e shëndetshme, pa shkuar në kushte paniku”, tha ai.

Pa asnjë diskutim, sipas Alimehmetit, “imuniteti i njeriut është arma më e mirë dhe më efikase kundër virusit. Dhe në fakt e kemi vënë re që të gjithë personat me imunitet normal nuk kanë pasur problem në kalimin e sëmundjes”.

Ndërkohë ai vlerësoi se testet serologjike janë kyçe për të kuptuar shtrirjen e vërtetë të sëmundjes në popullatë. /atsh

Mjeku Alimehmeti: Prej disa javësh rastet janë minimale, lirimi i masave sipas dinamikës së situatës Read More »

Krerët e lartë të shtetit nderojnë Dëshmorët e Kombit, vendosin kurora me lule pranë monumentit “Nënë Shqipëri”

Presidenti Ilir Meta, Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi dhe Kryeministri Edi Rama, vendosën sot kurora me lule pranë monumentit “Nënë Shqipëri”, në nderim të Dëshmorëve të Atdheut.

Në ceremoninë e nderimit, krerët e lartë të shtetit në tingujt e himnit kombëtar përkujtuan Dëshmorët e Kombit në “Varrezat e Dëshmorëve”.

Në kushtet e situatës së krijuar nga COVID-19, në Varrezat e Dëshmorëve këtë vit nuk ishin të pranishëm autoritete të tjera shtetërore apo familjarë të Dëshmorëve, por vetëm u vendosën kurora nga personalitetet e larta shtetërore.

Më herët, edhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha vendosi kurora me lule në monumentin “Nënë Shqipëri”, në nderim të kapiten Feti Voglit, të 22 intelektualëve të pushkatuar pa gjyq nga diktatura komuniste pas bombës në ish-ambasadën sovjetike, ne varrin e Dëshmorit te Atdheut Skerdilajd Llagami, i rënë në luftën për çlirimin e Kosovës si dhe u përkul me nderim përpara Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari.

Ndërsa kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ishte në “Varrezat e Dëshmorëve” në qytetin e Elbasanit për të kujtuar në këtë 5 maj Dëshmorët e Atdheut. Balla tha se “sot kujtojmë gjithashtu edhe dëshmorët e rënë nga radhët e Forcave tona të Armatosura në misionet ndërkombëtare, dëshmorët nga radhët e Policisë së Shtetit”./atsh

Krerët e lartë të shtetit nderojnë Dëshmorët e Kombit, vendosin kurora me lule pranë monumentit “Nënë Shqipëri” Read More »

5 Maj/Ruçi: Dëshmorët, legjionarët e lirisë dhe progresit shoqëror

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi me rastin 5 Majit, i ka konsideruar Dëshmorët e Atdheut, legjionarët e lirisë dhe progresit shoqëror.

Në mesazhin e tij, Ruçi shprehet se Dita e Dëshmorëve të Atdheut është ndër ditët më të shënuara të kombit, vajzat dhe djemtë, gratë dhe burrat, që janë flijuar për lirinë .

“Është dita kur Shqipëria përkujton vajzat dhe djemtë, gratë dhe burrat, që janë flijuar për lirinë dhe mbrojtjen e saj. Çdo komb krenohet me të rënët për lirinë. Nuk ka virtyt më të lartë për një shoqëri se sa nderimi për dëshmorët. Dëshmorët nuk janë thjesht krenaria e të kaluarës, ata janë mesagjerët e të ardhmes. Qëndrimi ndaj dëshmorëve është shenjë e emancipimit dhe qytetërimit të shoqërisë. Çdo kohë ka pasur luftëtarët, vetëmohuesit dhe dëshmorët e saj. Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare është kujtesë e luftërave çlirimtare të popullit shqiptar dhe dëshmorët e saj janë legjionarët e legjonarëve të lirisë dhe progresit shoqëror. Jeta e tyre është shkrirë në jetën e Shqipërisë. Heroizmi i tyre e fisnikëroi më tepër Shqipërinë. Sot buqeta me lule të freskëta në Monumentin “Nënë Shqipëri” është përbetimi se Shqipëria meriton gjithçka dhe është mbi gjithçka”, shprehet ai.

Po ashtu, Ruçi tha se vite më parë e kujtonim këtë ditë me me nënat e tyre, sot me nipat dhe stërnipat.

“Vite më parë, i përkujtonim dëshmorët bashkë me nënat e tyre. Sot kemi midis nesh mbesat, nipat e stërnipat e tyre. Kjo është dialektika e jetës. Familjet shqiptare do të ruajnë përjetësisht kujtimin dhe nderimin për të rënët për atdheun dhe lirinë. Unë jam krenar që kontribuova që Kuvendi i Shqipërisë të përmirësojë ligjin “Për statusin e dëshmorit të atdheut”, për të respektuar e nderuar më shumë dëshmorët, familjet dhe organizatat e tyre”, tha ai.

“Sot shërbimi për atdheun kërkon mbrojtjen e jetëve njerëzore dhe ne i jemi kushtuar me gjithçka”, shprehet kryeparlamentari Ruçi, në mesazhin e tij me rastin e 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve të Atdheut. /atsh

5 Maj/Ruçi: Dëshmorët, legjionarët e lirisë dhe progresit shoqëror Read More »

Shqipëria numër të ulët vdekjesh nga COVID-19/ Sulçebe: Izolimi i personave të rrezikuar duhet të vazhdojë

Mjeku imunolog Genc Sulçebe deklaroi në një intervistë televizive se Shqipëria ka pasur një numër shumë të ulët vdekjesh prej koronavirusit.

Sulçebe theksoi se megjithëse ky virus nuk i dëmton të rinjtë, sërish ata mund t’ua ngjisin personave të tjerë.

Sipas tij, izolimi i personave të rrezikuar duhet të vazhdojë deri sa të bindemi që rreziku nuk qarkullon më.

Sulçebe tha se me rritjen e temperaturave si viruset e tjerë dhe ky virus do të bëhet më pak agresiv.

Ai tha se në Shqipëri ende nuk e dimë se sa të imunizuar jemi.

Mjeku tha se duhet të dimë se sa përqind e popullsisë kanë rënë në kontakt me koronavirusin dhe kjo mund të verifikohet nga analiza serologjike.

“Ne nuk e dimë sa përqind kanë rënë në kontakt me virusin. Kjo mund të shihet kur të bëhet analiza serologjike”, tha ai./atsh

Shqipëria numër të ulët vdekjesh nga COVID-19/ Sulçebe: Izolimi i personave të rrezikuar duhet të vazhdojë Read More »

Parashikimi i motit, e martë 5 maj 2020

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se moti për ditën e sotme parashikohet i kthjellët me vranësira në mbrëmje dhe gjatë natës.

Era do të fryjë me drejtim Juglindje–Veriperëndim dhe shpejtësi mesatare 1-8 m/s. Valëzimi në dete parashikohet 2 deri 3 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 6/22 Diell
Kukës 4/20 Diell re
Lezhë 10/22 Diell
Dibër 2/17 Diell re
Durrës 11/22 Diell
Tiranë 9/24 Diell
Elbasan 9/24 Diell re
Berat 6/24 Diell
Vlorë 10/23 Diell
Korçë 4/15 Diell re
Gjirokastër 6/22 Diell
Sarandë 9/23 Diell/atsh

Parashikimi i motit, e martë 5 maj 2020 Read More »

5 Maji, Dita e Dëshmorëve të Atdheut

5 Maji është një datë e rëndësishme historike për shqiptarët pasi përkujtohen Dëshmorët e Kombit.

Në Ditën e Dëshmorëve të Kombit janë të shumtë emrat e të gjitha kohërave që kujtohen me mirënjohje jo vetëm për vlerat e përjetshme dhe kontributin që dhanë për çlirimin e vendit për një të ardhme më të mirë, por edhe të gjithë ata që sakrifikuan jetën e tyre për liri, demokraci, të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e çdo shqiptari.

Ndryshe nga vitet e tjera, për shkak të masave të marrë në luftën kundër koronavirusit sot në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut do të vendosen vetëm kurora me lule.

Dita e Dëshmorëve e ka origjinën në 5 maj 1942, kur u vra Qemal Stafa, i cili me veprimtarinë e tij u kthye në simbol të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Pas shpalljes së Pavarësisë më 1912 e deri me 1945, shteti shqiptar nuk krijoi një status ligjor për dëshmorët e Atdheut. Gjatë luftës Nacional-Çlirimtare, nisën përpjekjet e para, për të nderuar dëshmorët e rënë në fushat e betejave. Pas çlirimit, më 28 gusht 1945, kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, miratoi ligjin Nr. 109 “Mbi shpërblimin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”. Ky ligj sanksiononte trajtimin e familjeve të patriotëve që kishin luftuar e rënë për atdheun edhe para Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, në kohën e Rilindjes Kombëtare, në luftërat për pavarësi, duke shënuar kështu përpjekjen e parë për një ligj integral për dëshmorët e Atdheut.

Në vitet ´60-të statusi i dëshmorit përpunohet më tej dhe zgjerohet, duke specifikuar termin ”Dëshmor i Atdheut”. Në këtë ligj futen edhe Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, të cilat u ndërtuan në të gjitha qendrat e rretheve të vendit. U ndërtuan edhe Varrezat e Dëshmoreve të Atdheut në Tiranë me monumentin “Nënë Shqipëri”.

Me 1992-1993, me ndërrimin e sistemit politik, pësoi ndryshime edhe statusi i Dëshmorit të Atdheut.

Në vitin 2000, u miratua ligji Nr. 8607 datë 27.04, “Statusi i Dëshmorit të Atdheut”, në të cilin përfshihen dëshmorët e të gjitha periudhave historike, madje edhe të rënët në vitet 1997-1999, në Shqipëri dhe në Luftën Çlirimtare të Kosovës. /atsh

5 Maji, Dita e Dëshmorëve të Atdheut Read More »