Aktualitet

Soreca: Shqipëria, në etapën e fundit të rëndësishme të integrimit në BE

“Është shumë e rëndësishme për ne, Bashkimin Europian të ndihmojmë miqtë tanë në Ballkanin Perëndimor, në Shqipëri, për një arsye të thjeshtë: sepse e ardhmja juaj është me ne, në BE”, deklaroi sot ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, duke përshëndetur koncertin e organizuar me rastin e Ditës së Europës.

Ambasadori tha se “këto nuk janë fjalë, por fakte”. “Në mars ne bëmë një hap shumë të madh pranë këtij objektivi të përbashkët, ku BE-ja vendosi të hapë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë, që tani ka hyrë në etapën e fundit të rëndësishme të rrugës së saj drejt integrimit në BE”, tha ai.

Soreca tha se “sot në Ditën e Europës, si asnjëherë tjetër, fatkeqësisht nuk mund të mblidhemi për ta festuar”.

“Kriza e COVID-19 e ka ndryshuar në mënyra që ishin të paimagjinueshme disa javë më parë! Na mungojnë familjet tona, na mungojnë miqtë tanë. Izolimi dhe pasiguritë po vënë në provë durimin dhe qëndrueshmërinë tonë. Jemi në një çast kritik, kur e ardhmja jonë e përbashkët, mbështetet te përgjegjësia jonë individuale. Pandemia në Shqipëri erdhi pas tërmetit, pasojat tragjike të të cilit i vuajnë ende shumë njerëz. Ne e dimë që çdo krizë mund të nxjerrë më të keqen dhe më të mirën te njerëzit dhe kombet”, tha ai.

Ambasadori Soreca u shpreh se “ne mbështesim njëri-tjetrin, mbështesim miqtë tanë dhe Shqipëria është ndër miqtë shumë të rëndësishëm për ne”.

“Dhe për të përballuar situatën me COVID-19, BE ka dhënë tashmë për Shqipërinë 230 milionë euro ndihmë financiare. Pas tërmetit Bashkimi Europian u mobilizua me shpejtësi për Shqipërinë. Së pari me kërkimet dhe shpëtimin, pastaj me ndihma të menjëhershme dhe tani me rindërtimin. Për këtë KE po investon 150 milionë euro, gjithsej BE ka premtuar 400 milionë euro. Do të ndihmojmë rimëkëmbjen ekonomike dhe sociale të vendit”, tha ai./atsh

Soreca: Shqipëria, në etapën e fundit të rëndësishme të integrimit në BE Read More »

Ministria e Shëndetësisë: Në 24 orët e fundit 6 raste të reja, 7 të shëruar

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se brenda 24 orëve të fundit janë identifikuar 6 raste të reja.

Marjeta Dervishi, eksperte pranë Institutit të Shëndetit Publik u shpreh se “situata epidemiologjike në vend paraqitet e qëndrueshme mbështetur në identifikimin e rasteve të deritanishme dhe gjurmimin epidemiologjik në mënyrë aktive.

Në 24 orët të fundit janë testuar 224 qytetarë të dyshuar si të prekur me COVID-19.

Sot është përqindja më e ulët e pozitivitetit ndaj totalit të testimeve, me vetëm 2.67 %. Në 24 orët e fundit kanë rezultuar pozitivë 6 qytetarë, përkatësisht nga 3 raste në Tiranë dhe Krujë, ndërsa të shëruar janë 7 qytetarë”.

Gjatë ditëve të fundit kemi një përmirësim të situatës edhe në spitale. Aktualisht në dy spitalet COVID, në spitalin infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi”, janë të shtruar 29 pacientë dhe vetëm 4 prej tyre janë në terapi intensive, dhe prej më shumë se 10 ditësh nuk kemi asnjë humbje jete.

Që nga fillimi i epidemisë deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 856 qytetarë. Prej tyre 627 qytetarë, pra mbi 70% tashmë janë shëruar. Në të gjithë vendin aktualisht janë 198 persona aktivë me COVID-19, kryesisht ne Tiranë, Krujë, Shkodër, Fier, Kamëz.

Me pak se 15% e te prekurve aktivë po marrin trajtim në spitalet Covid, pjesa tjetër ndiqet nga mjeku i familjes.

Siç jeni në dijeni edhe kjo fundjavë si fundjava e shkuar do të ketë të njëjtat rregulla.
Do të lejohen të moshuarit sipas orarit të përcaktuar, si dhe familjet dhe fëmijët deri në 14 vjeç.

Gjatë ditës së shtunë do të ushtrojnë aktivitetin marketet dhe farmacitë deri në orën 17:30 ndërsa të dielën do të jetë të mbyllura.

Ndërsa nga dita e hënë do të ketë një tjetër lehtësim masash. Për këtë arsye Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i fton qytetarët të respektojnë rregullat, të ruajnë distancimin fizik dhe higjienën personale. Bizneset të zbatojnë me shumë rigorozitet protokollet e sigurisë për të ruajtur shëndetin e qytetarëve.

Qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm të mos neglizhojnë shenjat e sëmundjes COVID-19, ndaj ju lutemi telefoni në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127.

Për informacion në lidhje me COVID-19, për këshillim psikologjik në rast të shfaqjes së shenjave të ankthit apo shqetësime të tjera, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40.

COVID-19 – Statistika (9 Maj 2020)
Teste të kryera 10268
Raste pozitive 856
Raste të shëruara 627
Raste Aktive 198
Humbje jete 31 (Qarku Tiranë 18, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë 95
Krujë 63
Shkodër 17
Kamëz 9
Fier 4
Kurbin 3
Elbasan 3
Mirditë 1
Berat 1
Durrës 1
Korçë 1

Ministria e Shëndetësisë: Në 24 orët e fundit 6 raste të reja, 7 të shëruar Read More »

Meta: Teatri Kombëtar mishëron vlerat e identitetit dhe trashëgimisë tonë kombëtare

Presidenti të Republikës Ilir Meta reagoi sot për çështjen e Teatrit Kombëtar.

Në një deklaratë për mediat, Meta shprehet se, ka ndjekur me vëmendje dhe me shumë shqetësim veprimtarinë më të fundit të organeve shtetërore në lidhje me vullnetin për prishjen e objekteve të “Teatrit Kombëtar”.

Presidenti Meta, thekson edhe një herë se “kompleksi i Teatrit Kombëtar mishëron vlerat e identitetit dhe trashëgimisë tonë kombëtare, vlera këto që gëzojnë mbrojtje të veçantë dhe të drejtëpërdrejtë nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”.

“Këshilli i Ministrave ditën e djeshme në datë 8 maj, ka vendosur që këtë pasuri kombëtare t’ia kalojë në pronësi Bashkisë Tiranë, me qëllim ndërtimin e një godinë të re të Teatrit Kombëtar. Kjo vendimarrje në praktikë do të thotë se aktualisht po përdoret një procedurë tjetër “ekstra ligjore” tashmë në përgjegjësinë vetëm të Bashkisë Tiranë, për të prishur godinat e Teatrit Kombëtar.

Ky vendim i Këshillit të Ministrave dhe vullneti i shprehur i Bashkisë Tiranë, nuk është në përputhje me funksionimin e shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit, si dhe nuk përkon me vlerat e Bashkimit Europian, institucionet kulturore të të cilit kanë shprehur vullnetin për mbrojtjen e këtij objekti dhe restaurimin e tij”, shton Meta.

Sipas Metës, “ky vendim i djeshëm i qeverisë me të drejtë ka krijuar një reagim të fortë qytetar, pasi veç të tjerash merret në një kohë kur vendi po i nënshtrohet gjëndjes së fatkeqësisë natyrore dhe masave kufizuese të lirisë së qarkullimit, si dhe në një moment kur pikërisht kjo çështje ndodhet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, që prej 3 vitesh nuk është funksionale”.

Presidenti Meta, thekson se në muajin korrik 2019, ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë e cila do të duhet ta shqyrtojë në themel këtë çështje.

“Në këtë proces gjyqësor që duhet të shqyrtohet është palë si Këshilli i Ministrave, Bashkia Tiranë dhe Ministria e Kulturës, etj, ndaj marrja e një vendimi të tillë në këtë moment, rëndon pozitën antikushtetuese të veprimtarisë shtetërore ndaj këtij objekti me rëndësi kombëtare’, nënvizon Meta.

Presidenti Meta shprehet se një prej çështjeve kryesore që pritet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, nuk kanë të bëjë vetëm me faktin nëse ligji special nr. 37/2018 është antikushtetues, por më kryesorja lidhet me detyrimin ligjor që çdo veprim apo vendim shtetëror që synon apo ndërmerret për prishjen e Teatrit Kombëtar, cënon drejtëpëdrejt parimet themelore kushtetuese të identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kombëtare mbi të cilat qytetarët e Republikës së Shqipërisë kanë vendosur të ngrenë dhe zhvillojnë shtetin e tyre, parime këto të parashikuara nga nenet neni 3, të Kushtetutës.

“Gjithashtu një tjetër çështje që do shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese ka të bëjë me edhe faktin se veprimtaria administrative shtetërore e pushtetit qendror apo lokal që synon apo ndërmerr veprime për prishjen e Teatrit Kombëtar, bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për zbatim, të mishëruara edhe në Konventën Europiane të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale dhe Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit”, shton Meta.

Ai i bën thirrje autoriteteve shtetërore, se çdo veprim apo vendim për të cenuar godinat e Teatrit Kombëtar është jashtë çdo logjike të funksionimit të shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit në Shqipëri dhe do të dhunonte në mënyrë kriminale rendin kushtetues, në kundërshtim të plotë edhe me interesin publik dhe kombëtar.

Presidenti Meta, thekson edhe një herë se për këtë çështje Këshilli i Ministrave dhe Bashkia e Tiranës, duhet të mos ndërmarrin asnjë veprim të mëtejshëm që cenon Teatrin Kombëtar.

“Këto institucione duhet të tregojnë vullnet dhe përkushtim për krijimin e mjediseve në dobi të aktorëve dhe të publikut, duke synuar ndërtimin e godinave të reja funksionale bashkëkohore, por njëkohësisht pa prekur dhe cenuar aspak trashëgiminë e krijuar ndër vite në kompleksin e godinave ekzistuese të Teatrit Kombëtar, pasi një humbje e tillë do të ishte përfundimisht e parikuperueshme në të ardhmen”, përfundon Presidenti Meta./atsh

Meta: Teatri Kombëtar mishëron vlerat e identitetit dhe trashëgimisë tonë kombëtare Read More »

Pasojat nga COVID-19/BE tjetër mbështetje Shqipërisë nga buxheti europian në gjysmën e dytë të vitit 2020

“Ndihmës së angazhuar deri tani të Bashkimit Europian për të përballuar situatën e luftës së përbashkët me një armik të padukshëm do t’i shtohet edhe më tej në vazhdim, ndihma nga buxheti europian në gjysmën e dytë të vitit 2020”, bëri të ditur sot Kryeministri Edi Rama gjatë një konference të përbashkët me Ambasadorin e Delegacionit të BE-së në vendin tonë, Luigi Soreca në kuadër të Ditës së Europës.

“Sot”, tha Rama, “është Dita e Europës dhe na gjen në një situatë të jashtëzakonshme që na pamundëson ceremonitë dhe ritualet e zakonshme në kremtimin e kësaj dite të veçantë”.

“Por sidoqoftë”, theksoi Kryeministri, “faleminderit për mundësinë që këtu në Shtëpinë e Europës mund të japim së bashku një mesazh përshëndetës e kuptimplotë për të gjithë qytetarët shqiptarë”.

Rama tha se “para dy ditësh ne patëm një shkëmbim të rëndësishëm me udhëheqësit e Bashkimit Europian e rajonit në formatin e kësaj situate, përmes platformës dixhitale të samitit të parashikuar të Zagrebit nën presidencën kroate”.

Sipas Kryeministrit, ishte, sidoqoftë një takim në distancë me shumë përmbajtje e me një ndjesi të fortë afrimi e angazhimi të të gjithëve, për të përballuar, jo vetëm situatën e krijuar nga armiku i padukshëm, siç tanimë quhet botërisht, por edhe për të reflektuar për shumë çka që duhet çuar më tej e bërë bashkarisht.

“Në këtë kontekst nuk mundet veçse të rishprehet në mënyrë të vazhdueshme mirënjohja për miqtë tanë në Bruksel dhe në radhë të parë për miqtë tanë të Delegacionit këtu në Tiranë, që u gjenden përsëri pranë nesh pas tragjedisë së 26 nëntorit dhe konferencës së jashtëzakonshme e historike për Shqipërinë në Bruksel”, deklaroi Rama.

“Ambasadori e tha e unë dua ta përsëris, se siç doli qartë në diskutimin e Samitit të pardjeshëm, se mbështetja e institucioneve europiane do të vazhdojë për të gjitha vendet e do të përfshijë padyshim edhe vendet e Ballkanit Perëndimor e Shqipërinë, pavarësisht se nuk janë ende pjesë e BE-së në sensin e integrimit në BE, por janë pjesë e familjes europiane në sensin e ndërveprimit e qasjes së përbashkët në këtë luftë të një armiku të përbashkët që ka kërcënuar jetën e shëndetin e të gjithëve, po njësoj e që ka goditur të gjitha ekonomitë, duke na vënë të gjithëve në një vështirësi të pazankoshme”, u shpreh Rama.

“Përtej asaj që tha ambasadori”, tha Rama, ”dua të shtoj se ndihmës së angazhuar deri tani të BE për të përballuar situatën e kësaj lufte të përbashkët me një armik të padukshëm do t’i shtohet edhe më tej në vazhdim ndihma nga buxheti europian në gjysmën e dytë të vitit 2020”.

“Më vjen shumë mirë të informoj publikun se pas disa diskutimesh me Presidentin e Komisionit Europian, me Komisionerin për Zgjerim, me Presidentin e Këshillit, kemi marrë një aprovim në parim për të përfshirë edhe Bankën Qendrore Europiane në këtë ndihmë, përmes një ndërveprimi mes Bankës së Shqipërisë, bankave kombëtare të Rajonit dhe BEQ-së për të lehtësuar në mënyrë të ndjeshme të gjithë procesin që ka të bëj me financimin e ekonomisë, vendeve në kushtet kur vende si tonat që janë jashtë BE-së e kanë të vështirë në këtë situatë daljen në tregjet e kapitaleve edhe jo të lehtë të balancojnë goditjen e jashtëzakonshme që ka marrë ekonomia”, u shpreh Kryeministri Rama./atsh

Pasojat nga COVID-19/BE tjetër mbështetje Shqipërisë nga buxheti europian në gjysmën e dytë të vitit 2020 Read More »

“Këtë verë të pres në Vlorë”, ftesa e kryebashkiakut Leli për turistët vendas e të huaj

Vlora, qyteti bregdetar, një nga qendrat më të rëndësishme turistike, ku “bashkohen” Adriatiku e Joni, me një numër të madh atraksionesh kulturore dhe natyrore, na pret të gjithëve këtë verë.

“Këtë verë të pres në Vlorë“, është video mesazhi që përcjell kreu i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli në ftesë të turistëve vendas e të huaj për të vizituar qytetin bregdetar në jug të Shqipërisë.

“Vlora ka pafund personazhe që dinë të servirin vlera dhe mbi të gjitha të na bëjnë krenarë për qytetin ku jetojmë dhe për çdo gjë tjetër që ne duam t’iu tregojmë të tjerëve dhe t’i bëjmë ata që të vijnë të vizitojnë Vlorën”, shprehet ai.

“Zgjohesh në mëngjes nën tingujt e valëve të detit, për të gjithë ne që trishtimi na ka dhënë kurajë për të shpresuar, për bukurinë që na kujton çdo ditë kush jemi, për historitë e konservuara në shpirtin e Labërisë, për të gjithë ne që jemi ndalur por ende lëvizim, për një qytet që i ika të gjitha, por nuk i mjaftojnë, për artizanët e mjeshtrat e gjithçkaje, për detin, dallgët, pulëbardhat e shpirtin e mirë, për ne që rezistojmë e përmirësohemi çdo ditë“, janë mesazhet që personazhe publike të këtij qyteti përcjellin për se cilin nga duke të ftuar të eksplorosh Vlorën dhe ta shijosh detin këtë vit.

“Fari, udhërrëfyesi i detarëve le të jetë këtë herë udhërrëfyesi i të gjithë shqiptarëve për të zgjedhur Vlorën, si destinacionin turistik të kësaj vere. Ju presim në Vlorë. Le ta fitojmë këtë betejë së bashku”, shprehet kryebashkiaku Dritan Leli. /atsh

blob:https://www.facebook.com/4874f90a-8337-46cf-8ded-39c654a6e8b0

“Këtë verë të pres në Vlorë”, ftesa e kryebashkiakut Leli për turistët vendas e të huaj Read More »

Basha: Qeveria varfëroi edhe më shumë njerëzit gjatë pandemisë

“Qeveria varfëroi edhe më shumë njerëzit”, deklaroi sot kryetarit të PD, Lulzim Basha në bashkëbisedimin e sotëm me gazetarët ku fokus ishte ishte gjendja e ekonomisë.

Basha tha se, “pandemia ekonomike po i zë vendin me shpejtësi pandemisë COVID-19. Është një problem, i cili po zmadhohet me një shpejtësi të frikshme dhe po prek të gjitha familjet shqiptare, duke shkaktuar pasiguri, varfërim dhe papunësi në të gjithë shtresat e popullsisë, natyrisht në veçanti ata që janë më të pambrojtur dhe në pamundësi ekonomike”.

“Fatkeqësisht sjellja e qeverisë Rama gjatë pandemisë i ka bërë edhe më të varfër, ndërkohë që po e shtyn Shqipërinë drejt një krize edhe më të thellë ekonomike”, tha kreu i opozitës.

“Ky është një shqetësim të cilin e paraqitëm prej ditës së parë, ku kërkuam krahas masave për mbrojtjen e popullsisë dhe për sigurimin e mjeteve të mjaftueshëm shëndetësore për të gjithë aspektet e përballjes me pandeminë që nga testimi e deri tek trajtimi i të sëmurëve, të merreshin urgjentisht masat për ekonominë, kërkesat tona bazoheshin në një analizë realiste të gjendjes ku gjendet vendi, edhe para pandemisë, edhe para tërmetit të 26 nëntorit”, tha Basha.

“Shqipëria në këto vite që nuk ka ecur me të njëjtën ritëm si vendet e rajonit por ka bërë pas. Vetëm para pak vitesh Shqipëria dhe Serbia kishin të njëjtën borxh publik 70% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Sot Shqipëria vazhdon të ketë një borxh të lartë i cili, po të kihet parasysh edhe faturat e koncesioneve, përllogaritet deri në 84%, Serbia ka shkuar në 54.6%; ka ulur borxhin, ka financuar eksportet, ka financuar teknologjinë e informacionit, ka shtuar vendet e punës”, theksoi Basha.

“Ndërkohë që ne vetëm gjatë këtyre 8 javëve për shkak të mungesës totale të kujdesit për njerëzit, për ekonominë dhe për vendin kemi humbur vetëm sipas Tatimeve mbi 60 mijë vende pune, shifra mund të jetë dy herë më lartë se kaq. Le të marrim Kosovën, përmes formalizimit kryesisht ka shënuar 6 mijë vende të reja pune gjatë këtyre dy muajve. Edhe një herë vetëm sipas Tatimeve ne kemi humbur 10 herë më shumë, 61 mijë vende pune”, u shpreh Basha./atsh

Basha: Qeveria varfëroi edhe më shumë njerëzit gjatë pandemisë Read More »

Parashikimi i motit, e shtunë 9 maj 2020

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije sot moti do të jetë me diell e vranësira të lehta kalimtare.

Era do të fryjë nga kuadrati i jugut e lehtë e mesatare në bregdet, gjë e cila do të sjellë rritje temperaturash si në mëngjes dhe në mesditë.

Valëzimi në dete parashikohet 3 deri 4 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 11/25 diell
Kukës 9/25 diell re
Lezhë 12/27 diell
Dibër 7/23 diell re
Durrës 12/25 diell
Tiranë 10/27 diell re
Elbasan 12/28 diell
Berat 8/28 diell
Vlorë 11/25 diell
Korçë 7/20 diell re
Gjirokastër 8/26 diell re
Sarandë 12/25 diell/atsh

Parashikimi i motit, e shtunë 9 maj 2020 Read More »

Margariti: Hapja e institucioneve të artit dhe kulturës, kemi hartuar protokollin si do t’i përshtatemi situatës

Ministrja e Kulturës, Elva Margarita u shpreh se, në kushtet e masave kundër COVID-19, patjetër që institucioneve të artit dhe kulturës i mungon kontakti me publikun, por po merren masat që shumë shpejt të fillojë aktiviteti në zbatim të plotë të protokolleve të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë për hapjen graduale.

Gjatë një interviste televizive, Margariti tha se, sot njerëzit po takohen gjithnjë e më shumë virtualisht dhe patjetër dhe kjo po ndodh edhe në fushën e artit dhe të kulturës.

“Të gjitha aktivitetet e institucioneve tona janë munduar të riaktivizohen që nga ato administrative por edhe ato artistike në hapësirën virtuale. Ashtu si aktivitetet artistike kemi pasur opera me pizhama apo teatrin online, kemi pasur ture virtuale të muzeve tona dhe atyre në botë, që janë ndjekur me shumë interes nga publiku”- tha ajo.

Në kushtet e hapjes graduale, shpjegoi ajo, kuptohet që muzetë dhe parqet e kanë më të thjeshtë në krahasim me teatrot, ku njerët duhet të qëndrojë afër me njëri-tjetrin. “Por, në datën 18 maj, që është parashikuar dhe hapja më e gjerë, ditë në të cilën ne kujtojmë Ditën Ndërkombëtare të Muzeve (dhe gjithmonë kemi ftuar vizitorët me hyrjen gratis në muze), për ne është simbolik që duam ta respektojmë edhe në këtë ditë dhe po punojmë për respektimin e të gjitha masave të dezifektimit dhe protokollet e rinj që po hartohen hap pas hapi”, tha Margariti.

Ajo tha se dëmi i shkaktuar nga COVID-19 paraprakisht llogaritet në 29 milionë lekë, ndërsa u shpreh optimiste se sektori i artit dhe kulturës do të ketë një rimëkëmbje me rifillimin e aktiviteteve. “Por do të fokusohemi të çojmë përpara atë që është primare për momentin që është mirëmbajtja e tyre”- tha ajo.

“Jemi në nisje të sezonit turistik, jemi përballë një të panjohure që ështe psikologjike më së shumti kjo edhe për turistët a do të ndihen të lirë për të aksesuar objektet që lidhen me artin dhe kulturën. Për pjesën që lidhen me teatrin, kemi menduar që një pjesë e tyre të zhvillojmë në ambjente të hapura por gjithmonë me masat e reja. Ne kemi hartuar tashmë protokollin tonë si do t’i përshtatemi situatës dhe mendojmë se mund të kemi një ulje të vogël të vizitorëve por mendoj se njerëzit e kanë shumë të nevojshme të rilidhen me artin dhe kulturën pasi kanë treguar interes gjatë kësaj periudhe për aktivitetet virtuale që kemi shfaqur në rrjetet socale. Nëpërmjet rregullave të reja njerëzit do ta rigjejnë hapësirën e kulturës”- tha ajo. /atsh

Margariti: Hapja e institucioneve të artit dhe kulturës, kemi hartuar protokollin si do t’i përshtatemi situatës Read More »