Aktualitet

“Heronj shqiptarë”/ Jultjan Liçi, solidaritet e mbështetje për gjyshërit e vetmuar

“Në këto çaste të vështira, mënyra më e mirë për ta kaluar këtë sprovë është solidariteti që duhet të tregojmë veçanërisht për gjyshërit e vetmuar”.

Kështu shprehet Jultjan Liçi, përgjegjës i Shërbimeve Mbështetëse pranë njësisë Nr.12, në kryeqytet, i cili në këto kohë të vështira është angazhuar për t’u ardhur në ndihmë të moshuarve.

Përmes rubrikës “Heronj shqiptarë”, deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati solli sot shembullin e Jultjanit, i cili ndodhet në vijën e parë të frontit të luftës.

“Në vijën e parë të frontit të luftës ka njerëz me fuqi mbinjerëzore që në vend të bluzave të bardha, kanë zemër solidare dhe shumë përkushtim. Jultjani është një banor i njësisë së Dajtit që ka dhënë kontributin e tij në këtë periudhë të virusit COVID-19”, shprehet Bushati./atsh

“Heronj shqiptarë”/ Jultjan Liçi, solidaritet e mbështetje për gjyshërit e vetmuar Read More »

Ujëvara e Shëngjergjit, destinacion për turistët vendas e të huaj

Ujëvara e Shëngjergjit është shndërruar në një destinacion të lakmuar për kryeqytetasit, si dhe turistët e huaj, që gjithnjë e më shumë po vizitojnë zonën.

Kryeministri Edi Rama zgjodhi sot pamje nga kjo ujëvarë, e cila është kthyer në destinacion për turistët vendas e të huaj që vizitojnë këtë zonë.

“Mirëmëngjes me këtë peizazh nga ujëvara e Shëngjergjit në Tiranë”, tha Rama.

Vetëm 1 orë nga Tirana ndodhet Shëngjergji, një nga bukuritë më impresionuese të Malësisë së Tiranës. Pasi ke përshkuar afro 22 km nga Tirana, në krah të majtë të rrugës për në Shërgjergj, ndodhet Ujëvara e Shëngjergjit, një mrekulli nga pikëpamja e peizazhit.

Ajo gjendet pranë fshatit dhe ka një lartësi prej 30 metrash. Ujëvara furnizohet me ujë nga Mali me Gropa dhe ushqen me ujë përroin, uji i të cilit përdoret dhe për vaditje.

Turizmi familjar është bërë kryefjalë në Shëngjergj, aq më shumë që Shëngjergji bën pjesë tashmë në projektin e 100 fshatrave të ndërmarrë nga ana e qeverisë, ku përparësi kanë projektet në fushën e agroturizmit./atsh

Ujëvara e Shëngjergjit, destinacion për turistët vendas e të huaj Read More »

“As tërmeti dhe as pandemia s’më ndalojnë të jap mësim për nxënësit e mi”/ Mësuese Sadete Lala , shembull i përkushtimit

Ajo zgjohet çdo mëngjes herët dhe i uron një ditë të mbarë të gjithë nxënësve të saj. Urimi nuk është siç ka bërë në 30 vite të karrierës së saj, në klasë, por online nëpërmjet celularit apo laptop-it. Sigurisht teknologjia ka bërë që mësimi të jetë sa më afër normales në kohët e pandemisë së COVID-19 dhe ka ndihmuar mësuesit dhe nxënësit të vijojnë procesin mësimor edhe në këto kohë.

Sadete Lala është mësuese e lëndës së Matematikës në gjimnazin “At Shtjefën Gjeçovi” në Laç. Prej 30 vitesh, Lala është mësuese mjaft e përkushtuar. Ajo ka dhënë mësim në Klos, Burrel dhe Milot, tashmë prej 11 vitesh jep mësim në Laç.

Mësuese Sadetja ka arritur rezultate të larta me nxënësit e saj, ku disa prej tyre kanë qenë pjesëmarrës olimpiadash. Me natyrën e saj të qetë, dashamirëse, kontribuuese dhe shumë të përkushtuar për çdo detyrë që i ngarkohet në shkollë.

Sot, mësuese Sadetja gjendet në vijën e parë të frontit të luftës me mësimdhënien online. E përkushtuar, plot solidaritet ajo është pranë dijes dhe nxënësve të gjimnazit “At Shtjefën Gjeçovi”.

Por, përveç vështirësive prej koronavirusit, familja e mësuese Sadetes u godit edhe nga tërmeti i 26 nëntorit, pasi shtëpia e saj në Laç u dëmtua prej tërmetit të 26 nëntorit, ashtu si dhe shumë shtëpi të nxënësve të saj. Megjithatë na tregon mësuese Sadetja ata janë të përkushtuar ndaj mësimit dhe bëjnë të pamundurën të ndjekin mësimet online përmes platformave të përdorura.

“As tërmeti dhe as pandemia nuk do të më ndalojnë së dhëni mësim për nxënësit e mi”, është mesazhi që mësuese Sadetja i jep nxënësve të saj, të cilët kanë kaluar disa muaj të vështirë.

“Përpiqem që në çdo hap të më shoqërojë sinqeriteti dhe mirësia në punën time”, thotë mësuese Sadete.

Ajo na shpjegon se “në fillim patëm vështirësi, por shumë shpejt ia morëm dorën. Mësimin e zhvillojmë nga ora 9- 14 çdo ditë përmes platformave online. Nxënësit marrin mësimin e ditës dhe modele ushtrimesh të zgjidhura. Pastaj me grupet që kemi ndarë plotësojnë ushtrimet e ndryshme”.

Për rikthimin në shkollë mësuese Sadetja thotë se, mezi po pret të ritakohet me nxënësit e saj me të cilët prej 2 muajsh takohet vetëm online.

“Nuk ka rëndësi sa herë rrëzohesh, rëndësi ka shpejtësia me të cilën ngrihesh”, është motoja e mësuese Sadetes, të cilën ia përcjell edhe nxënësve të saj, të cilët i përgatit për sfidat e jetës. /atsh

“As tërmeti dhe as pandemia s’më ndalojnë të jap mësim për nxënësit e mi”/ Mësuese Sadete Lala , shembull i përkushtimit Read More »

Parashikimi i motit, 10 maj 2020

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, moti për ditën e sotme parashikohet i kthjellët me vranësira të pakta dhe kalimtare.

Prej orëve të mesditës deri ato të pasdites mot me vranësira mesatare deri të dendura shoqëruar me reshje shiu të dobta në zonën e veriut dhe atë të qendrës.

Në relievet malore të zonës së veriut reshjet lokalisht në formën e shtrëngatës afatshkurtër. Era do të fryjë nga kuadrati i jugut e lehtë e mesatare në bregdet dhe shpejtësi deri në 15m/s. Valëzimi në dete parashikohet 2 deri 3 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 10/25 diell shi
Kukës 9/24 diell shi
Lezhë 9/26 diell shi
Dibër 9/24 diell shi
Durrës 12/24 diell shi
Tiranë 12/27 diell shi
Elbasan 12/29 diell shi
Berat 9/29 diell re
Vlorë 10/25 diell re
Korcë 7/24 diell re
Gjirokastër 7/27 diell re
Sarandë 11/24 diell re/atsh

Parashikimi i motit, 10 maj 2020 Read More »

Balla: Nga Vlora janë dhënë gjithmonë mesazhe të rëndësishme për Europën

Dita e Europës është festuar në mënyrë të veçantë këtë vit në qytetin e Vlorës, ku djemtë e aeronautikës shqiptare kanë fluturuar mbi qytetin e Vlorës më flamurin kuqezi.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe kryetari i grupit parlamentar te Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili në fjalën e tij deklaroi se nga Vlora janë dhënë gjithmonë mesazhe të rëndësishme për Europën.

“Falenderoj djemtë e aeronautikës shqiptare, për organizimin e këtij eventi kaq domethënës, se si aspiratën më të rëndësishme historike të shqiptarëve, integrimin në Bashkimin Europian e mban nën krahët e vet shqiponja dykrenare. Kjo ishte simbolika e këtij aktiviteti të organizuar nga djemtë, duke fluturuar sot mbi Vlorë dhe duke qenë se u ndodha këtu pranova me kënaqësi ftesën dhe nga Vlora do të doja t’i uroja së pari, familjes së madhe europiane ‘Gëzuar Ditëlindjen’, 9 Maji është dita e Europës, ku çdo vend anëtar dhe institucion i BE-së feston këtë ditë. Nga Vlora do të doja të shprehja urimet më të mira dhe nuk besoj se ka një vend tjetër në Shqipëri se ku shqiptarët mund t’i drejtohen më mirë sesa në Vlorë Europës, sepse nga Vlora i janë drejtuar gjithmonë shqiptarët Europës me mesazhe shumë të rëndësishme, sikurse ishte deklarata jonë e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912, por edhe në momente të rëndësishme të historisë së Shqipërisë”, deklaroi Balla.

Balla u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që të vijnë t’i kalojnë pushimet në Vlorë.

“Si një mik i Vlorës, dua t’i bëj thirrje çdo shqiptari dhe çdo miku të huaj, që në kushtet e pandemisë botërore nga COVID-19 të planifikojë pushimet në një vend të bukur si Vlora. Këtu ku zemra rreh më fort për patriotizmin, kush e ndjen veten patriot, të vijë të bëjë pushimet në Vlorë”, u shpreh Balla.

Duke folur për mbështetjen e operatorëve turistikë nga qeveria, Balla tha se grupi parlamentar i Partisë Socialiste i ka mbështetur të gjitha nismat dhe paketa mbështetëse që ka ndërmarrë qeveria.

“Ne si grup parlamentar i kemi mbështetur të gjitha nismat dhe paketat mbështetëse që ka ndërmarrë qeveria. Dy paketat e para të qeverisë janë fokusuar tek ata që janë prekur drejtpërsëdrejti dhe që janë shtresat në nevojë, ku paga e luftës ishte e domosdoshme për çdo familje. Edhe ndaj biznesit, ju e dini që është miratuar në paketën e dytë garancia për të mbështetur me kredi, ku shteti merr përsipër pagesën e interesit dhe që të pakta janë vendet që e kanë ndërmarrë një nismë të tillë. Gjithçka do të merret në masën dhe kohën e duhur. Ajo që është më e rëndësishme është që jemi në kushtet që Vlora është ‘zonë e gjelbër’ dhe këto pushime nuk do të jenë siç kanë qenë çdo vit me grumbullime të mëdha. Duhet të vazhdojmë të ruajmë masat shtrënguese të distancimit social, sepse ata janë të domosdoshme”, tha Balla. /atsh

Balla: Nga Vlora janë dhënë gjithmonë mesazhe të rëndësishme për Europën Read More »

Grupi i dytë me 60 infermierë shqiptarë përfundon me sukses misionin në Itali

Ka përfunduar me sukses misioni i grupit të dytë të 60 infermierëve që shërbyen në ndihmë të popullit mik italian.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu u shpreh sot krenare për misionin e infermierëve shqiptarë në Itali.

“Infermierët tanë janë kthyer shëndosh e mirë në Shqipëri, pas misionit humanitar në spitalet COVID në zonën e Marche në Itali”, tha ajo.

Ky ishte grupi i dytë, pas 30 mjekëve dhe infermierëve që u rikthyen pak ditë më parë pas një muaji në vendin fqinj. Grupi i dytë që u rikthye sot u pritën në aeroportin e Rinasit nga zv. ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli. /atsh

Grupi i dytë me 60 infermierë shqiptarë përfundon me sukses misionin në Itali Read More »

Rastet e para me COVID-19 në Shqipëri/ Mjeku Kalo: Mijëra të prekur nga gripi që nga mesi i dhjetorit, grafitë asnjë lidhje me koronavirusin

Mjeku i njohur infeksionist Tritan Kalo, i cili trajton pacientët e prekur nga COVID-19, u shpreh sot se ka pasur mijëra e mijëra raste të gripit A (H1N1) në Shqipëri, gjatë periudhës së mesit të dhjetorit 2019 dhe në fund të shkurtit 2020, por grafitë e këtyre rasteve nuk kanë lidhje me ato të pacientëve të prekur nga koronavirusi. Ai hedh poshtë zërat që koronavirusi ka qarkulluar në Shqipëri përpara identifikimit të pacientit zero më 9 mars.

“Imazhet e mëposhtme të GG nuk kanë asnjë lidhje me Sars-Cov2 / Cov2 / Cov2, por ato duken të njëjta dhe i përkasin disa prej sëmundjeve vijuese, kryesisht gripi A (H1N1): Karcinoma bronko-alveolare, Limfoma intravaskulare e qelizës B të gjerë pulmonare, Edemë pulmonare, Hemorragji difuze alveolare, Fibrozë pulmonare, Pneumonia organizative kriptogjene, Sarkoidoza, Granulomatoza limfomatike”, shprehet Kalo, duke sjellë foto të grafive.

“Kemi pasur mijëra e mijëra raste të gripit A (H1N1) në Shqipëri, gjatë periudhës së mesit të dhjetorit 2019 dhe në fund të shkurtit 2020 . Dikush ka studiuar ndryshimet të diagnozës të secilës prej sëmundjeve të përmendura më lart, përfshirë edhe gripin A (H1N1), përpara se në Shtetet e Bashkuara të administronin një përgjigje pozitive për Sars-Cov2 / Cov2 / Cov2, edhe para se të dini rezultatet e PCR ???”, pyet Kalo duke vijuar se ka nevojë për një përgjigje shumë të thjeshtë, po ose jo.

“Ne jemi mjekë dhe shëndeti i popullit shqiptar duhet të na udhëzojë në çdo kohë. Ne nuk duhet të mendojmë dhe të veprojmë për asnjë arsye, si një vegël në duart e ndonjë prej partive politike shqiptare!”, shprehet Kalo./atsh

Rastet e para me COVID-19 në Shqipëri/ Mjeku Kalo: Mijëra të prekur nga gripi që nga mesi i dhjetorit, grafitë asnjë lidhje me koronavirusin Read More »

Pas 18 majit lehtësohet gjerësisht lëvizja/ Nëse ka rritje të numrave, hapa mbrapa

“Qëllimi ynë është që deri në fund të kësaj jave që vjen, duke parë gjithmonë numrat, të kemi një relaksim të mëtejshëm dhe pas 18 majit të fillojmë të lehtësojmë gjerësisht lëvizjen, qoftë brenda përbrenda, qoftë edhe për të kapërcyer kufijtë”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Ambasadorin e BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, në Ditën e Europës, Rama tha se “çdo gjë që themi në këtë situatë ka gjithmonë një kusht, numrat duhet të na ndihmojnë për të bërë atë që kemi lajmëruar”.

Përndryshe, vijoi ai, “nëse kemi rritje të numrave, do të duhet të bëjmë hapa mbrapa”. Që të mos bëjmë asnjë hap mbrapa, do të duhet që të gjithë të kuptojmë që po të arrijmë individualisht të bëjmë gjënë e duhur, distancën dhe të gjitha ato të tjerat që janë mësuar përmendësh, ne mund ta mbrojmë shumë fort, jo vetëm shëndetin e familjarëve e të afërmve, por mund të mbrojmë shumë fort Shqipërinë në këtë proces hapjeje”, tha Kryeministri.

Ai tha se “fatkeqësia e madhe në këtë situatë nuk është që vendos shumica, por këtu vendos një pakicë shumë e vogël, që në rast se del jashtë kontrollit merr në qafë të gjithë shumicën”.

“Nëse të gjithë bëjnë detyrën individualisht, atëherë, ne nuk do të kemi probleme dhe do të vazhdojmë të jetojmë në një normalitet të ri. Por, nëse në 18 maj, ne hapim baret, restorantet, kafet në mjediset e jashtme dhe kjo nuk respektohet në emër të rikuperimit të humbjeve sa më shpejt, duke shtuar tavolina, duke shtuar njerëz, duke hapur brenda, kjo do të ishte vetëvrasje”, tha ai.

Kryeministri solli shembullin e Koresë së Jugut, ku u detyruan t’i rimbyllin përsëri, sepse situata doli nga kontrolli.

Rama tha se “është shumë e lehtë të dalë nga kontrolli kjo situatë”. “Është shumë e lehtë të thuash, duke parë që s’ka ndodhur asgjë, që ‘kjo ishte kot’, ‘pse u mbyllën’, ‘këtu s’ka gjë’ etj. Por, kjo nuk është diçka që mund ta provojmë, sepse do të ishte shumë e thjeshtë, d.m.th, e lëshojmë një javë dhe pastaj e shohin të gjithë ata filozofët, epidemiologët e FB apo të politikës sesi ndodh, por këtë nuk mund ta bëjmë. Kështu që vërtetë Zoti i shqiptarëve është i madh, por kjo që kemi bërë është rezultat i punës sonë të përbashkët. Kush thotë se kjo vjen si rezultat i një marrëdhënie preferenciale, i një ndërhyrje të drejtpërdrejtë të Zotit në favor të shqiptarëve, për të shpëtuar vetëm shqiptarët, nuk ka lidhje me Ditën e Europës, fare”, tha Rama./atsh

Pas 18 majit lehtësohet gjerësisht lëvizja/ Nëse ka rritje të numrave, hapa mbrapa Read More »