Aktualitet

Miratohet mbrojtja e tulipanit shqiptar, rritet vetëm në fshatin Surroj

Këshilli bashkiak i Kukësit miraton mbrojtjen dhe administrimin e përkohshëm të habitatit të tulipanit shqiptar (Tulipa albanica), i cili ndodhet në një sipërfaqe prej 72 ha në fshatin Surroj.

Me miratimin e këtij vendimit shënohet hapi i parë zyrtar i mbrojtjes së Tulipanit shqiptar, që ka për qëllim nxitjen dhe advokimin e Institutit të Politikave Mjedisore dhe falë punës së palodhur të ekspertëve mjedisorë. Ky vendim u konfirmua edhe nga prefekti i qarkut të Kukësit, Zenel Kuçana.

“Tulipa albanica” është një lloj tulipani endemik që rritet vetëm në Republikën e Shqipërisë, në qarkun e Kukësit.

Është lloj i rrezikuar pasi rritet në një territor më të vogël se 80 hektarë, ose më të vogël se 1 km2 dhe rrezikohet jashtë mase nga aktiviteti minerar në zonë.

Tulipani shqiptar ngjan me tulipanin e Sardenjës “Tulipa scardica” dhe me “Tulipa schrenkii”, por dallon nga to pasi ka gjethe me valëzim si dhe është i ndryshëm nga ana gjenetike.

Biologu Besnik Hallaçi është shprehur se “edhe revista e njohur shkencore “Phytotaxa” në artikullin “Tulipa albanica (Liliaceae), a new species from northeastern Albania”(Tulipani shqiptar –(Liliaceae), një specie e re nga Shqipëria Verilindore), ka publikuar zbulimin e një lloji të ri tulipani në Shqipëri”.

Zbuluesit e kësaj specie janë prof as. dr. Lulëzim Shuka, pedagog i Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës, në bashkëpunim me prof. Kit Tan, pedagoge në Institutin e Biologjisë në Universitetin e Kopenhagenit, Danimarkë.

Sipas Hallaçit, analizat gjenetike të këtij lloji të ri tulipani janë kryer nga prof. Sonja Siljak-Yakovlev e departamentit të Ekologjisë në Universitetin e Parisit.

Në botë deri tani njiheshin rreth 113 lloje tulipanësh, ndërsa tulipani i Kukësit renditet i 114. /atsh

Miratohet mbrojtja e tulipanit shqiptar, rritet vetëm në fshatin Surroj Read More »

Protesta, mjeku Ulqini: Thyerje e të gjithë protokolleve, të shpresojmë të mos reflektohet në shifra të prekurish

Mjeku Dritan Ulqinaku deklaroi mbrëmjen e sotme në një nga mediet e vendet se 15 raste në ditë në aspektin e transmetimit të COVID-19 nuk janë shqetësuese.

“15 raste në aspektin e transmetimit të kësaj sëmundjeje nuk është absolutisht asgjë. Për hir të së vërtetës ne prisnim një numër ndoshta dy-tre herë më të madh, që prapë nuk do të ishte problem, sepse virulenca duket sikur ka rënë e këtij virusi. Këtë e tregon edhe shtrimi në spital. Pothuajse nuk po shtrohen më njerëzit e infektuar në spital me COVID-19. Pra, ne ishim përgatitur për një numër 2-3 herë më të madh dhe ky numër është mëse i zakonshëm. Do të ishte shumë më mirë që të mos kishim asnjë rast për 2 javë por është shumë e vështirë të arrihet, shpresojmë të arrihet por prapë nuk janë shifra për t’u alarmuar”, u shpreh ai.

Ai argumentoi se kurba në Shqipëri nuk është një kurbë klasike ndërsa numri i vatrave të infeksionit është normal.

“Nuk kemi të bëjmë një kurbë klasike. Kemi të bëjmë me një minimum të mundshëm dhe ky minimum mbahet gjallë tek-tuk nga vatra të vogla që mund të jenë fasoneri ose vatra familjare. Pra një person që është i infektuar dhe nuk ka dijeni që është i infektuar mund të infektojë shumë lehtë në momentin e mungesës së masave të kontrollit dhe distancimit fizik, 2-3 shoqe, 4 shoqe të cilat janë duke ngrënë drekë së bashku ose ulen në një cep pas pune, ose në një familje. Janë mëse të pranueshme 2 vatra në ditë, nuk janë asgjë”, tha ai.

Lidhur me protestat e zhvilluara në bulevard, mjeku tha se “është thyerje e të gjithë protokolleve të mundshëm”.

“Personalisht me vjen turp që unë vazhdoj të komentoj masat anticovid, jo vetëm unë, por të gjithë kolegët e mi. Nuk ka asnjë lloj protokolli që mund të përshkruajë një situatë të tillë, flas gjithmonë në aspektin shëndetësor, – ndërsa shtoi se, – mund të ndodhë që pas një jave të flasim me shifra mbi 3-shifrore, pra mbi 100 në ditë. Të shpresojmë që të mos ndodhë por është thyerje e të gjitha protokolleve. Unë nuk di një vend të botës që janë bërë manifestime, janë bërë manifestime por kanë ruajtur distancën 1 metër e gjysmë minimumi, në vende të tjera 4 metra”./atsh

Protesta, mjeku Ulqini: Thyerje e të gjithë protokolleve, të shpresojmë të mos reflektohet në shifra të prekurish Read More »

Plani i hapjes së turizmit, Kim: Shqiptarët janë mikpritësit më të mirë në botë

Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim mezi pret që të vizitojë vendet historike dhe kulturore shqiptare.

Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim ka zhvilluar një takim me ministrin e Turizmit, Blendi Klosi, për planin e hapjes së turizmit.

Kim shkruan se mezi pret edhe vetë që të vizitojë vendet historike dhe kulturore shqiptare. Në fund shkruan se shqiptarët janë më mikpritësit në botë.

“Pata një bashkëbisedim të mirë ditën e sotme me ministrin e Turizmit Blendi Klosi në lidhje me planin për hapjen e turizmit në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Mali i Zi dhe Kosovë. Mezi po pres të udhëtoj nëpër Shqipëri dhe të vizitoj vendet historike dhe kulturore si dhe të takoj njerëz të mrekullueshëm. Shqiptarët janë mikpritësit më të mirë në botë”, tha Kim. /atsh

Plani i hapjes së turizmit, Kim: Shqiptarët janë mikpritësit më të mirë në botë Read More »

Përfaqësuesja e OBSH-së: Shqipëria iu përmbajt rreptësisht protokollit, kurba është ruajtur mirë

Përfaqësuesja e OBSH-së në Shqipëri, Bettina Menne deklaroi se Shqipëria i është përmbajtur rreptësisht protokollit për numrin e testimeve për zbulimin e rasteve me koronavirus.

Në një nga mediet e vendit, Menne foli edhe për rrugën që ndiqet nga autoritetet tona për rastet që zbulohen dhe më pas vendoset që të testohen kontaktet e tyre. “Mendoj se jeni duke folur për dy çështje që lidhen me njëra-tjetrën, për testimet dhe menaxhimin e pacientëve. Mesa kam kuptuar unë situatën në Shqipëri, është zhvilluar triazhi, ndarja e pacientëve, me simptoma të rënda nga ato të lehtat. Atyre me simptoma të lehta u kërkohet që të qëndrojnë në mbikëqyrje dhe në shtëpi, duke marrë në konsideratë që dhe njësitë e kujdesit, nuk kanë shumë shtretër. Pra u mor masë për të pasur sa më pak persona në spital. Duhen 12 persona për t’u kujdesur për një pacient. Shqipëria iu përmbajt rreptësisht protokollit të OBSH. Ajo që themi ne është: testoni rastet e dyshuara. Kur një person ka njoftuar qendrën e Urgjencave, është bërë Triazhimi, është njoftuar ISHP, spitali, Komiteti i Emergjencave, ngrihet grupi i investigimit, të cilët hetojnë se me kë ka pasur ky person kontakte. 2500 persona janë testuar deri tani. Nëse protokolli i testimit ka ndryshuar, ai duhet të përcaktojë se kush do t’i nënshtrohet testimit. Nëse do bësh testin e PCR, do duhet ta përsërisësh sërish pas 2 javësh. Nuk është vetëm një herë”, tha ajo.

Lidhur me kurbën aktuale të pandemisë, ajo tha se kjo është mëse normale. “Së pari, ju flisni për kurbën e pandemisë, ne flasim për rastet e izoluara, flasim për grupimet e rasteve dhe transmetimi në komunitet. Pra, çfarë vëreni me këto zigzage? Në majë të zigzagut është grupi i atyre rasteve të identifikuara në një apo dy familje, në një dasmë, në një fasoneri, në një spital apo në një burg. Pra papritur ka një shpërthim të rasteve. Pikërisht këtë identifikon kjo kurbë e rasteve të epidemisë në Shqipëri. Në vendet e tjera, si Italia vazhdon kjo kurbë por papritur kemi një rritje të menjëhershme. Pra gjithnjë do të keni një zigzage kurdoherë që ta shikoni këtë kurbë. Çështja e dytë, gjithçka që vërehet në të gjitha vendet është një ulje e numrit të rasteve çdo fundjavë, sepse gjatë fundjavës bëhen më pak testime, kudo që të ndodheni. Pra, ky zigzag është mëse normal. Në rastin tuaj është i tillë për shkak të shpërthimit të disave grupimeve të rasteve. Çdo mbledhje e njerëzve, çdo grumbullim i njerëzve mund të çojë në një pikë rastesh. Në të ardhmen ne duhet të jetojmë me këtë virus si qenie njerëzore për sa kohë që nuk e kemi vaksinën, ose për sa kohë që të kemi trajtime të mira”, u shpreh ajo.

Ajo argumentoi se disa masa të marra kanë qenë efikase për të parandaluar përhapjen e COVID-19 në mënyrë masive.

“Në Shqipëri fatkeqësisht vetëm 31 persona kanë humbur jetën. Sot ka vetëm 3 persona në kujdes intensive. Kurba është ruajtur mirë. Ka vatra të nxehta si Tirana, Durrësi, Kruja, Shkodra etj. që ju i quani zona me rrezik. Fatkeqësisht në Shqipëri humbën jetën disa persona, por për fat të mirë këtu nuk ndodhën kaq shumë vdekje. Masat do kenë qenë të suksesshme, pasi përndryshe do kishit problem të madh me spitalet sidomos. U ndal fluturimi me avionë, u ndalua lëvizja për aq sa e ishte e mundur, u ndalua kontakti fizik që të mos transmetohej virusi nga njeriu tek njeriu, sidomos tek ata persona që kanë sëmundje shoqëruese. U morën masa si ulja pak larg nga njëri-tjetri në bare, kudo. Duhet vazhduar me kujdes të madh me masat e higjienës dhe me shmangien e kontakteve që mund të kenë rrezik”, tha Menne./atsh

Përfaqësuesja e OBSH-së: Shqipëria iu përmbajt rreptësisht protokollit, kurba është ruajtur mirë Read More »

Aktori Vasili: Teatri i ri do të triumfojë, u humbën 2 vjet e gjysmë nga një grupim njerëzish të nxitur politikisht

“Janë humbur dy vjet e gjysmë me zaptimin e tokës publike nga një grup njerëzish, të cilët siç e treguan ngjarjet e fundit janë totalisht të ndikuar dhe të nxitur nga parti të caktuara politike”, deklaroi sot aktori i njohur, Laert Vasili në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Vasili u shpreh se, “gjendja e godinës së Teatrit Kombëtar ishte e turpshme”.

Ai tha për ATSH se “artistët këto vite ishin lënë në mëshirën e fatit për të luajtur në kushte jashtëzakonisht të këqija, jo vetëm sa i takon anës teknike, por edhe anës së shëndetit”.

Vasili tha më tej se, “një nga arsyet që privati u tërhoq dhe tashmë godinën e re të Teatrit Kombëtar do e marrë përsipër shteti ishte sepse nga artistët u kërkuan të gjitha parametrat e një skene të Teatrit Kombëtar bashkëkohor me të gjitha lehtësirat dhe ambientet mbështetëse që nevojiten për të krijuar një spektakël, ashtu siç e kërkojnë nevojat bashkëkohore. Kjo bëri që privati të tërhiqej, sepse u rrit shumë niveli i kërkesës”.

Duke vënë dukje se “po presim me padurim Teatrin e ri Kombëtar”, aktori Vasili thotë për ATSH se “e ashtuquajtura “Aleancë e rehatit”, se për mbrojtjen e Teatrit s’ishte, ishte aty për të zaptuar një godinë publike. Një përçudnim i godinës dhe i kujtimeve të atyre njerëzve që mbushën shpirtin e qytetarëve me ndjesi gjithë këto vite erdhi një grupim i cili prej kaq kohësh na pengonte duke na kërcënuar dhe shpesh herë kemi kaluar dhe në dhunë fizike, kushdo që shkonte në godinën e Teatrit Kombëtar për të marrë garderobë, objekte skenike, rekuizitë apo çfarëdo gjëje tjetër që është e nevojshme për një shfaqje teatrale. E ashtuquajtura “Aleancë” nuk lejonte asnjë. Dhe kjo u kuptua më së miri këto ditë se nuk kishte të bënte fare me teatrin, por ishte e nxitur nga parti politike”, tha për ATSH, aktori dhe regjisori i njohur.

Vasili deklaron se “nuk njoh asnjë artist që është kundër teatrit të ri. 99% e komunitetit artistik nuk do të ndërtojë teatër të ri sepse një nuk dashka? Demokracia funksionon nëpërmjet shumicës”.

“Anarkia dhe unë ngre bajrakun tim, funksionon sipas “ç’më duhet mua se ç’bëj unë”, thotë Shvejku tek “Ushtari i mirë Shvejk”. Me këtë logjikë se ç’më duhet mua se ç’bëj unë teatri, aktorët kanë humbur 2 vjet e gjysmë që nga kjo fazë, kur u ezaurua me 12 takime ku përgatitej gjithçka, por ai grupim që sot quhet “Trahanaja e rehatit”, që në takimin e parë iu kapën mesazhet dhe dolën online nga të tjerë, nga anëtarët e Këshillave Kombëtare të partive të ashtuquajtura opozitë. U vinin mesazhe ku u thuhej bëni zhurmë, bëni sherr, mos lini njeri të flasë. Këto mesazhe kanë dalë online. Që në mbledhjen e parë që është bërë këtu e 2 vjet, tryeza e rrumbullakët nga ministrja e atëhershme e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe kryetari i bashkisë, Erion Veliaj”, tha Vasili për ATSH.

Pra, shtoi Vasili, “që në zanafillën e kësaj çështjeje ai grupim ka treguar që ditën e parë që është forcë regresive dhe nuk ka fare ndonjë shqetësim për Teatrin dhe e vetmja gjë që po pret është ndoshta përmbyset qielli me tokën dhe kap ndonjë kockë. Por qielli do të qëndrojë gjithmonë lart dhe toka do të qëndrojë gjithmonë poshtë. Dhe Teatri prandaj do të triumfojë sepse është një art hyjnor. Të tjerët që kanë marrë ndoshta premtime nga kolltukofagët e politikës do të zhgënjehen siç u zhgënjyen me çfarë ndodhi ditët e fundit”. //atsh

Aktori Vasili: Teatri i ri do të triumfojë, u humbën 2 vjet e gjysmë nga një grupim njerëzish të nxitur politikisht Read More »

Vlorë, pastrohet rrjeti i kanalizimeve në “Lungomare”

Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve Vlorë vijon punën për pastrimin e rrjetit të kanalizimeve në qytet, si dhe përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm për qytetarët.

“Sektori i Kanalizimeve pastroi sot rrjetin në “Lungomare” ku punonjësit kryen kontrollin e linjës me telekamerë, si dhe larje të rrjetit me autosondë”, bëri të ditur UK Vlorë.

Uk Vlorë thekson se “punonjësit punuan edhe për remontin e stacionit të kanalizimeve të ujërave të zeza Nr. 208 tek ish-Delfini. Po ashtu, u punua për pastrimin e këtij stacioni, për ta bërë sa më funksional”.

Ndërkohë që ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime ka nisur prej ditës së djeshme një kontroll në të gjithë qytetin e Vlorës dhe në njësitë administrative për të evidentuar konsumatorët që shpërdorojnë ujin e pijshëm. 9 grupet e shpërndara në terren do të kalojnë çdo ditë në “sitë” të gjithë territorin e qytetit.

Për shkak të shpërdorimit, disa zona periferike dhe fundore në qytet dhe në Njësitë Administrative, me rritjen e temperaturave hasin probleme në furnizim./atsh

Vlorë, pastrohet rrjeti i kanalizimeve në “Lungomare” Read More »

Dita Kombëtare e Jetimëve/ Meta: Kujdesi dhe edukimi i tyre, prioritet i të gjithëve

Presidenti Ilir Meta priti sot në Ditën Kombëtare të Jetimëve një grup fëmijësh pa kujdes prindëror, të shoqëruar nga drejtori i përgjithshëm i “Institutit Kombëtar të Jetimëve Shqiptarë” Ilir Çumani.

Ne fjalën e tij, Meta u shpreh se “kënaqësi të mblidhemi në këtë ditë shumë të rëndësishme, apelimi dhe ndërgjegjësimi për të gjithë shoqërinë, për të adresuar më mirë problemet e integrimit të fëmijëve, të cilët kanë nevojë për kujdesin prindëror të shtetit, por edhe për gjithë solidaritetin e shoqërisë dhe të komunitetit ku jetojnë”.

“Lotët e jetimëve janë apeli më i mirë për shoqërinë, për të zgjuar dhe lartësuar humanizmin e saj. Për të treguar dinjitetin dhe për ta parë problemin e secilit prej jush si problemin tonë, jo si një problem thjesht tuajin”, tha Meta.

“Fëmijët jetimë i kanë dhënë shumë Shqipërisë, personalitete të të gjitha fushave, artistë nga më të mëdhenjtë, sportistë e intelektualë. Jemi në një moment kritik të shoqërisë në një krizë të madhe edhe morale, edhe të pabarazisë, edhe të egoizmit dhe këtë egoizëm më shumë e nxit një elitë e papërgjegjshme se sa është natyrë e popullit tonë, që është një popull bujar, është një popull i dashur, i kujdesshëm në raportet njerëzore, fqinjësore e kështu me radhë dhe jemi në një rrezik të madh të instalimit të një fryme përçarëse dhe jo solidare në vazhdimësi e cila do të na rrënojë shumë vlera që i kemi si popull dhe si komb. Dhe në këtë drejtim edukimi i të rinjve akoma më tepër kujdesi më i madh apo dhe i veçantë për jetimët janë dhe do të jenë një prioritet për të gjithë në të ardhmen”, u shpreh Meta. /atsh

Dita Kombëtare e Jetimëve/ Meta: Kujdesi dhe edukimi i tyre, prioritet i të gjithëve Read More »

Meta: Të lirohen të arrestuarit e protestës

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka kërkuar sot që të lirohen të arrestuarit e protestës për prishjen e Teatrit Kombëtar.

“Të gjitha arrestimet, ndalimet dhe procedimet për mbrojtjen paqësore të teatrit kombëtar janë vetëm politike”, është shprehur presidenti Meta.

Kreu i Shtetit ka theksuar se, “vetë operacioni për shembjen e tij ishte kryevepra e asgjësimit përfundimtar të çdo iluzioni për ekzistencën e shtetit të së drejtës në Shqipëri”.

“Lironi të burgosurit politikë në Shqipërinë e 2020!”, ka theksuar presidenti Meta./atsh

Meta: Të lirohen të arrestuarit e protestës Read More »