Aktualitet

Të dënuar për trafik droge/ OFL kërkesë 4 shtetasve në Fier për vetëdeklarim të pasurisë

Operacioni Forca e Ligjit, në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë 4 shtetasve.

Konkretisht kërkesa i është nisur shtetasit F. G., banues në Fier, pasi Gjykata e Milanos, Itali, e ka dënuar me burg për veprën penale “Organizatë kriminale, me qëllim trafikim droge”.

Po ashtu, kërkesa i është nisur edhe shtetasit S. M., banues në Fier, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi autoritetet italiane kanë lëshuar urdhrin e arrestit për kryerjen e veprës penale “Trafik ndërkombëtar i lëndëve narkotike”.

“F. K., banues në Fier, pasi Gjykata Penale e Romës, Itali, ka vendosur dënimin e tij për veprën penale “Shoqatë kriminale, trafikim, prodhim dhe posedim i lëndëve narkotike dhe substancave psikotrope”, ndërsa Gjykata Penale e Milanos, Itali, e ka dënuar për veprën penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale dhe shkelja e ligjit për narkotikët” dhe shtetasit S. G., banues në Fier, i arrestuar për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotikëve””, thuhet në një deklaratë të OFL.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.

OFL siguron se do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë./atsh

Të dënuar për trafik droge/ OFL kërkesë 4 shtetasve në Fier për vetëdeklarim të pasurisë Read More »

COVID-19/ Masat e marra në Shqipëri dhe Mal të Zi rezultuan të efektshme

“Masat e marra në Shqipëri dhe Mal të Zi për parandalimin e përhapjes së COVID-19 rezultuan të efektshme dhe pasojat në humbjen e jetëve njerëzore minimale”, shprehet kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, në një letër urimi dërguar kryetarit të Parlamentit të Malit të Zi, Ivan Brajović, me rastin e Ditës së Pavarësisë.

“Me rastin e 21 majit, Ditës së Pavarësisë së Malit të Zi, Ju dërgoj urimet e mia më të ngrohta. Shpallja e pavarësisë së Malit të Zi ishte një arritje e madhe popullit malazes drejt mirëqenies dhe të ardhmes së tij, konsolidimit të institucioneve demokratike dhe avancimit të rolit e kontributit për zhvillimin, paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon”, është shprehur Ruçi.

“Muajt e fundit të dy vendet tona janë përballur me rrezikun dhe pasojat e pandemisë së COVID-19. Kuvendi i Shqipërisë dhe unë personalisht kemi ndjekur përpjekjet e mjekëve dhe sistemit shëndetësor të Malit të Zi për të parandaluar përhapjen e koronavirusit si edhe masat e Qeverisë për të rimëkëmbur ekonominë e dëmtuar nga pandemia. Për fat të mirë, në të dy vendet tona masat rezultuan të efektshme dhe pasojat në humbjen e jetëve njerëzore minimale. Unë jam i bindur se vendet tona, Europa dhe gjithë njerëzimi do të çlirohen së shpejti nga pasojat e pandemisë dhe do t’u kthehen gëzimeve të jetës”, ka theksuar Ruçi.

“Shpreh gjithashtu bindjen se bashkëpunimi i suksesshëm midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Parlamentit të Malit të Zi do të rifillojë dhe kam kënaqësinë t’Ju ftoj për një vizitë në Tiranë, në një kohë të përshtatshme për Ju”, shkruan Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, në letrën e urimit që i ka dërguar Kryetarit të Parlamentit të Malit të Zi, Ivan Brajović, me rastin e Ditës së Pavarësisë./atsh

COVID-19/ Masat e marra në Shqipëri dhe Mal të Zi rezultuan të efektshme Read More »

Parandalimi dhe lufta kundër krimit të organizuar/ Lleshaj: Komiteti Kombëtar i Politikave të bëhet i përhershëm

Ndryshimet në ligjin për “Për policinë e shtetit” parashikojnë krijimin e Komitetit Kombëtar të Politikave për parandalimin dhe luftën kundër krimit të organizuar.

Komisioni për Sigurinë Kombëtare, në drejtimin e kryetares, Ermonela Felaj, zhvilloi sot mbledhjen e tij të radhës, në cilësinë e komisionit përgjegjës, për diskutimin në parim të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për policinë e shtetit”, të ndryshuar.

Propozimet për ndryshim përpara komisionit, i paraqiti ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj i cili vuri në dukje se këto ndryshime, në thelb, konsistojnë në dy drejtime.

“E para ka të bëjë me krijimin e Komitetit Kombëtar të Politikave për parandalimin dhe luftën kundër krimit të organizuar, komitet i cili është krijuar edhe me Aktin Normativ nr.1, por duke qenë se ky akt ka një afat vlefshmërie të kufizuar vetëm vitin 2020, nëpërmjet këtyre ndryshimeve, ky komitet bëhet i përhershëm dhe funksionon pranë ministrit përgjegjës për çështjet e rendit dhe sigurisë”, tha ministri.

Ndryshimi i dytë, theksoi Lleshaj, “ka të bëjë me krijimin e disa instrumentave teknik në shërbim të policisë, për kryerjen e hetimeve dhe procedimeve policore”.

Relatorja e projektligjit per komisionin, Elena Xhina, shtroi disa pyetje dhe parashtroi argumentat e saj në lidhje me propozimet për ndryshim në ligjin: “Për Policinë e Shtetit”.

Në fjalën e saj deputetja Xhina theksoi vëmendjen që duhet të ketë komisioni për sa i përket aspekteve që kanë të bëjnë me liritë dhe të drejtat e njeriut.

Më tej komisioni vijoi me diskutime të anëtarëve.

Në përfundim, kryetarja e komisionit, Ermonela Felaj, bëri me dije, se do të vijojnë diskutimet në komision për projektligjin në fjalë, pasi ky projektligj të kalojë për diskutim dhe në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut, meqënëse në të, bëhet fjalë dhe për disa aspekte të të drejtave të njeriut./atsh

Parandalimi dhe lufta kundër krimit të organizuar/ Lleshaj: Komiteti Kombëtar i Politikave të bëhet i përhershëm Read More »

Albpetrol i rikthehet prodhimit të naftës, përfundon me sukses remonti në Pusin Cakrani

Albpetrol njofton se është gati t’i rikthehet prodhimit të naftës, pas përfundimit me sukses të remontit në Pusin Cakrani-34.

Pas një pune voluminoze, ekipet e specializuar të Albpetrol sh.a kanë kryer me sukses remontin e programuar në Pusin Cakrani-34.

Testimet e para të pusit kaluan me sukses duke bërë që pusi të jetë gati për t’u rivendosur në punë me kapacitet të plotë.

Albpetrol sh.a zhvillon aktivitetin e kërkimit dhe prodhimit të hidrokarbureve në vendburimet ekzistuese të naftës dhe gazit si dhe në disa blloqe kërkimi, të cilat janë në administrim nga kjo shoqëri, vete ose është pale në Marrëveshjet Hidrokarbureve me kompanitë të tjera (pasi te Licencohet nga Ministria përgjegjëse për hidrokarburet për kalimin e një pjese ose të gjithë të drejtave tek një person juridik), sipas të drejtave dhe detyrimeve të përcaktuar nga legjislacioni që menaxhon aktivitetin e kërkimit dhe prodhimit të hidrokarbure në Republikën e Shqipërisë./atsh

Albpetrol i rikthehet prodhimit të naftës, përfundon me sukses remonti në Pusin Cakrani Read More »

Policia aksion antidrogë në 5 qytete, 19 të arrestuar mes të cilëve edhe dy efektivë

Operacioni policor i koduar “Shënmëri 2020”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike u finalizua me sukses duke vendosur në pranga 19 persona.

Operacion i shtrirë në disa qarqe të vendit si Kukës, Lezhë, Shkodër, Tiranë dhe Gjirokastër u zhvillua me mbështetjen e Forcave Lëvizëse Operacionale.

Drejtoria Vendore e Policisë Kukës, në bashkëpunim me strukturat e lëvizjes operacionale FLO, në koordinim nga Departamenti i Policisë Kriminale, si dhe me SHÇBA-në dhe nën Drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, në orët e para të mëngjesit finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Shënmëri 2020”, si rezultat i të cilit u bë ekzekutimi i masave të sigurisë për 19 shtetas, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike, në bashkëpunim”.

Si rezultat i këtij operacioni u ndaluan shtetasit: Sh.S., 29 vjeç, A. T., 50 vjeç, F. M., 20 vjeç, P. P., 61 vjeç, A. B., 36 vjeç, A. B., 52 vjeç, B. D., 27 vjeç, T. V., 40 vjeç, P. P. 46 vjeç, B. K., 36 vjeç, Sh. T., 46 vjeç, Z. M., 44 vjeç dhe R. T., 24 vjeç. Nga këta, 10 shtetas janë banorë të Kukësit, një shtetas banor i Lezhës, 1 i Pukës dhe 1 i Gjirokastrës.

Për shtetasit S. K., 41 vjeç, K. M., 26 vjeç dhe A. H., 34 vjeç, u bë njoftimi i masës së sigurisë “Arrest në burg” në IEVP Tiranë, pasi janë arrestuar për vepra të tjera penale.

Gjithashtu në kuadër të operacionit u bë shpallja në kërkim e 3 shtetasve të tjerë.

Nga strukturat e SHÇBA-së pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës janë arrestuar dy punonjës policie, shtetasi A. K., 49 vjeç dhe shtetasi R. C, 59 vjeç, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Dokumentimi i këtij aktiviteti kriminal është bërë pas një hetimi disa mujor nga strukturat e DVP Kukës në bashkëpunim me SHÇBA-në, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, duke aplikuar format dhe metodat speciale të hetimit, në kuadër të procedimit penal të nisur në vitin 2018, për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.

Ndërsa për oficerin e Policisë N. K, u mor masa e pezullimit nga detyra.

Po gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi S. V., 41 vjeç, banues në Shtanë, Kukës, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Armëmbajtja pa leje”, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia në banesën e tij u gjet dhe sekuestrua një armë zjarri tip automatik, si dhe në ambientet e jashtme u gjetën 54 kubikë me bimë të dyshuar narkotike kanabis.

Strukturat e DVP Kukës do të intensifikojnë masat për garantimin e rendit publik dhe për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në qarkun e Kukësit, duke bashkëpunuar me të gjithë institucionet ligjzbatuese dhe aktorët e tjerë./atsh

Policia aksion antidrogë në 5 qytete, 19 të arrestuar mes të cilëve edhe dy efektivë Read More »

Teatri Kombëtar/ Edhe në Itali ka konflikte për trashëgiminë kulturore, por fiton e mira më e madhe publike

“Edhe në Itali ka patur konflikte që mund të jenë të përditshme në aspektin e administrimit kolektiv të një pallati që mund të jetë pjesë e një qendre historike, por në fund e gjithë çështja shkon duke parë cila është e mira më e madhe publike”, tha sot ministrja e Kulturës, Elva Margariti duke komentuar debatin për Teatrin Kombëtar.

Në lidhje me dijeninë për shembjen, Margariti tha se “nuk futem në teknikalitetet e operacionit për sa nuk kam rol në atë operacion. Ashtu si bashkia nuk ka dijeni kur unë mbledh një Këshill Kombëtar në të cilin bashkia nuk merr pjesë, edhe unë nuk futem në teknikalitetet e bashkisë”, u shpreh ajo.

“Varësia e Ministrisë së Kulturës e truallit dhe e hapësirës ka përfunduar, jo në letra por realisht praktikisht shumë kohë më parë kur këto hapësira u transferuan tek ArTurbina. Dhe verën e vitit që shkoi me zhvendosjen e teatrit eksperimental tek ArTurbina, për mua aty ndërpriteshin të gjitha marrëdhëniet me atë godinë”, tha Margariti.

Duke iu kthyer përvojës së saj nga studimet në Itali, Margariti tha sa edhe në Itali ka patur konflikte të tilla. Por, tha ajo, flasim për godina që kanë një vlerë me identitetin kulturor që lidhen me periudha shumë të vjetra dhe të cilat kanë ndërtuar në rrënjë identitetin e atij vendi. “Konfliktet vazhdojnë, atje mund të jenë të përditshme në aspektin e administrimit kolektiv të një pallati që mund të jetë pjesë e një qendre historike, por në fund e gjithë çështja shkon duke parë cila është e mira më e madhe publike. Unë nga ana teknike si arkitekte, kam një qasje drejt restaurimit. Restaurimi të cilin e kemi mësuar në shkollën fiorentine se është totalisht konservativ dhe ky restaurim lidhet me çdo element që duhet të lidhet me gjenezën e tij, kështu që fillojmë dhe e ndajmë. Do të krijonte një debat të gjatë teknik çfarë do të thotë restaurim i asaj godine. Nuk është njësoj si restaurimi i Bylisit, Butrintit apo Amfiteatrit të Durrësit”, u shpreh ajo.

Në lidhje me apelin e “Europa Nostra” për teatrin, Margariti tha se “Europa Nostra” si shumë organizat të tjera mund të shprehë të gjithë pikëvështrimet e veta teknike përsa i përket restaurimit. “Nëse Europa Nostra shikon një vlerë, do hante debat të gjerë që këtë vlerë si mund ta kodifikonim në një vizion të një qyteti të ardhshëm. Nuk kam pasur asnjë lloj kontakti me ta, është përcjellë e gjitha nga mediet dhe shumë nga pikëvështrimet e tyre mund të jenë përcjellë jo korrekt”, tha Margariti./atsh

Teatri Kombëtar/ Edhe në Itali ka konflikte për trashëgiminë kulturore, por fiton e mira më e madhe publike Read More »

Mazniku: Teatri Kombëtar nuk është vlerësuar kurrë si monument kulture, nga ekspertët ishte shpallur i paristrukturueshëm

Nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Arbian Mazniku deklaroi sot se Teatri Kombëtar nuk është vlerësuar kurrë si monument kulture dhe se nga ekspertët ishte shpallur i paristrukturueshëm.

Sipas Maznikut, nuk ka një moment të caktuar në histori që ky objekt të ishte vlerësuar si monument kulture.

Madje shtoi ai, Teatri në listën e vitit 2004 thuhej se ishte objekt pa vlerë

“Teatri nuk ka qenë kurrë monument kulture. Ansambli muzeal ka objekte specifike, teatri nuk ka qenë kurrë. Lista e 2004-s thotë objekt pa vlerë. Procedura për bërjen është që fillimisht vendosen disa objekte në ruajtje paraprake, vihet në vlerësim nga ekspertët e fushës dhe ata dalin me raport ky të ruhet, ky jo, është një objekt që në ’58 ka patur probleme me strukturën”, tha ai.

Sipas tij, çdo arkitekt e inxhinier ka thënë që ky objekt, nga ana arkitekturore është modest, nga ana e materialeve të përdorura është një godinë e degraduar.

“Ndërsa për vlerën historike, tha Mazniku, janë shprehur se kjo duhet të çmohet nga historia.

Nënkryetari u shpreh se “e kuptoj pjesën emocionale, e mirëkuptoj ndjesinë e njerëze”, por tha ai, “vjen një moment që duhet të marrësh një vendim, i cili ishte i vështirë”.

Sipas tij, kemi zhvilluar për 2 vite e gjysmë diskutime me artistët për këtë çështje.

“Objektivi i qeverisë dhe i bashkisë ishte të realizonim teatrin pa shpenzuar para publike, ku investitori ndërtonte dhe jepte teatrin pa para. Kjo marrëveshje nuk eci, pasi nuk u gjet marrëveshja. Në komision ishte edhe grupi i artistëve dhe marrëveshja nuk u arrit”, tha Mazniku.

Më pas, tha ai, u vendos që teatri të bëhet përmes një financimi publik.

Lidhur me pronën pas teatrit, Mazniku tha se ajo do të zhvillohet, por nuk do të tjetërsohet.

Sa i përket teatrit të ri, Mazniku tha se kemi një objekt të hartuar nga një arkitekt, që ndoshta është më i miri në botë sot.

Po ashtu, ai bëri të ditur se është bërë një konsultim i gjerë me artistët për të marrë të gjitha propozimet nga ana funksionale, në mënyrë që të ketë të gjithë elementët./atsh

Mazniku: Teatri Kombëtar nuk është vlerësuar kurrë si monument kulture, nga ekspertët ishte shpallur i paristrukturueshëm Read More »

Parashikimi i motit, e mërkurë 20 maj 2020

Moti sot parashikohet me kthjellime dhe vranësira mesatare deri të dendura nga orët e mesditës deri ato të pasdites në pjesën më të madhe të vendit.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se do të ketë reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët në formë pikash në pjesën më të madhe të territorit.

Në veri e verilindje dhe lindje reshjet marrin përkohësisht karakter shtrëngatash me rrufe deri në mesditë. Mjegullinë e izoluar.

Era do të fryjë me drejtim Jugperëndim –Verilindje me shpejtësi 1-10m/s. Valëzimi në dete parashikohet i forcës 2-3 ballë duke u shoqëruar me lartësi dallge 0.8-1.5 metër.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 19/26 diell shi
Kukës 17/24 diell shi
Lezhë 22/27 diell shi
Dibër 16/23 diell shi
Durrës 18/24 diell shi
Tiranë 21/28 diell shi
Elbasan 19/29 diell shi
Berat 15/28 diell shi
Vlorë 19/26 diell shi
Korçë 17/23 Re diell
Gjirokastër 14/27 Re diell
Sarandë 17/29 Re diell/atsh

Parashikimi i motit, e mërkurë 20 maj 2020 Read More »