Aktualitet

Mbi 16 mijë testime serologjike/ Ministria e Shëndetësisë: 6 raste të reja me COVID-19

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se në 24 orët e fundit janë identifikuar 6 raste pozitivë me COVID-19.

Shefja e Epidemiologjisë pranë Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini u shpreh se ”
pavarësisht tendencës së rritur të rasteve të konfirmuar pozitivë gjatë javës së shkuar, të evidentuara në dy vatra të reja, aktualisht po shohim që situata epidemiologjike paraqitet e qëndrueshme.

Strategjia e lehtësimit të masave do të vijojë paralelisht me një shkallë më të lartë të gadishmërisë të strukturave epidemiologjike, për identifikimin e rasteve dhe gjurmimin e thelluar epidemiologjik”.

Sipas saj, në 24 orët e fundit janë kryer 102 testime në Laboratorin e Virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, nga të cilat janë konfirmuar 6 raste pozitive, përkatësisht janë 4 në Tiranë (nga të cilët një personel shëndetësor), 1 rast në Durrës, dhe 1 në Mat.
Të identifikuarit pozitivë për COVID-19 në 24 orët e fundit janë kontakte dhe raste të reja për të cilat po kryhet hetimi epidemiologjik.

Aktualisht po trajtohen 28 të prekur në spitalin infektiv, nga të cilët 3 janë në terapi intensive, njëri prej tyre është i intubuar.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 5 qytetarë, duke e çuar në 877 numrin e të shëruarve.
Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 16 mijë testime molekulare dhe serologjike. Që nga fillimi i epidemisë janë 1143 rast e të konfirmuara. Aktualisht janë 233 persona aktivë me COVID-19, kryesisht ne Tiranë, Durrës dhe Krujë.

COVID-19 – Statistika (1 Qershor 2020)

Testime totale 16277
Testime molekulare 14825
Testime serologjike 1452
Raste pozitive 1143
Raste të shëruara 877
Raste Aktive 233
Humbje jete 33 (Qarku Tiranë 20, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:

Tiranë 147
Durrës 28
Krujë 17
Shkodër 10
Kamëz 10
Mat 9
Lushnjë 6
Berat 2
Fier 2
Korçë 1
Librazhd 1/atsh

Mbi 16 mijë testime serologjike/ Ministria e Shëndetësisë: 6 raste të reja me COVID-19 Read More »

Basha: Plani ynë i jep fund Shqipërisë që punon për oligarkët

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ishte sot në Kombinat ku zhvilloi takime me disa biznese të zonës, i cili shprehet se “ajo që kam konstatuar është se ka një rënie të xhiros dhe të konsumit si kurrë më parë”.

“Varfëria është ulur këmbëkryq si kurrë më parë, është i njëjti realitet si në vendet e tjera, në zona të tjera të kryeqytetit, por, po kështu, edhe në qytete të tjera ku bizneset po mbyllen, po falimentojnë, ku njerëzit nuk janë në gjendje të blejnë as plotësojnë nevojat minimale të konsumit të tyre dhe fjala kryesore tek bizneset e para që kam vizituar janë listat. Janë shtuar listat, janë shtuar numri i njerëzve që nuk kanë mundësi të paguajnë as për nevojat minimale të ditës, në dyqanet e bukës, në dyqanet e ushqimit, tek fruta-perimet”, tha Basha.

Ai thekson se “kjo është situata anembanë Shqipërisë dhe konfirmohet edhe nga raporti i fundit i Bankës Botërore i sapo dalë, gjatë ditëve të fundit, i cili thotë se 50% e shqiptarëve; 1 në 2 shqiptarë, 1 në 2 familje shqiptare tashmë ka prekur fundin, është në varfëri, jeton në varfëri”.

“Nuk ka pse të ishte kështu, nuk ka pse kjo krizë të rrënonte absolutisht gjithçka. Arsyeja e vetme është sepse edhe në kohë krize paratë tuaja, paratë e familjeve tuaja, paratë e taksave tuaja, paratë e faturave të rritura të energjisë, paratë e tarifave të rritura, akcizës së rritur të karburantit, në vend që të vinin tek ju për t’ju ndihmuar, për t’ju çliruar nga pesha e shtuar e varfërisë në kohën e pandemisë, prapë se prapë shkuan aty ku kanë shkuar këto 7 vite, te oligarkët, shkuan tek kontratat selektive korruptive në kohë pandemie, shkuan te vjedhja dhe shkatërrimi i pronës publike dhe grabitja e pronës private”, theksoi Basha.

“Kjo situatë e tmerrshme ekonomike ka një dhe vetëm një përgjegjës: njeriun që ka vënë interesat e tij, xhepat e tij, që nuk i dhimbsen shqiptarët, nuk i dhemb gjendja juaj ekonomike dhe ka vënë gjithçka në funksion të pushtetit të tij, pasurimit të tij dhe një grushti oligarkësh me të cilët mban pushtetin. Kjo mund të ndryshojë vetëm duke kthyer vëmendjen tek ju, duke kthyer tek ju paratë e vjedhura e të grabitura gjatë këtyre viteve dhe në veçanti gjatë këtyre muajve të fundit të vështirë të pandemisë, duke kthyer një qeverisje për ju, duke ulur taksat, duke hapur ekonominë dhe duke bërë të mundur që Shqipëria dhe shqiptarët të gëzojnë të mirat materiale të këtij vendi dhe jo vetëm të një grushti oligarkësh për të cilët punon sot gjithë vendi”, shtoi Basha.

“Kjo situatë mund dhe do të marrë fund përmes një bashkimi shumë të madh, përmes një bashkimi të pandalshëm të shqiptarëve përtej bindjeve politike për një dhe një qëllim të vetëm: që Shqipëria të jetë e gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm e Edi Ramës dhe 5 oligarkëve”, shtoi Basha./atsh

Basha: Plani ynë i jep fund Shqipërisë që punon për oligarkët Read More »

Meta viziton Shtëpinë e Fëmijës “Fillime të Reja”: Të investojmë dhe të mbështesim fëmijët pa kujdes prindëror

“Të investojmë dhe të mbështesim fëmijët pa kujdes prindëror dhe të familjeve në vështirësi ekonomike, duke i përgatitur për sfidat e së ardhmes”.
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Presidenti i Republikës, Ilir Meta vizitoi sot Shtëpinë e Fëmijës “Fillime të Reja” në Tiranë, ku u uroi përzemërsisht festën e tyre.

I shoqëruar nga bashkëthemeluesi i Shtëpisë së Fëmijëve, pastori i Kishës Ungjillore Paulin Vilajeti, Kreu i Shtetit u dhuroi libra dhe fletore vizatimi fëmijëve, duke theksuar se në këtë ditë feste të gjithë fëmijët, veçanërisht ata pa kujdes prindëror dhe të familjeve në vështirësi ekonomike kanë nevojë për më shumë dashuri, mbështetje, mirëkuptim, kujdes shëndetësor, edukim falas, dhe mbrojtje nga të gjitha format e shfrytëzimit.

“1 qershori i këtij viti vjen në një atmosferë shumë të ndryshme nga vitet e tjera për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19. Në Shqipëri, mijëra fëmijë nuk frekuentojnë prej gati tri muajsh shkollat, një situatë kjo që, ka vështirësuar jetën e tyre, të prindërve dhe të mësuesve dhe ka sjellë vështirësi të mëdha sociale dhe psikologjike. Kjo situatë është më e vështirë veçanërisht për fëmijët pa kujdes prindëror, apo fëmijët e familjeve në nevojë të cilët më shumë se kurrë kanë nevojë për përkujdesje dhe mbështetje të veçantë”, vuri në dukje Presidenti Meta.

“Vlerësoj institucione të tilla si Shtëpia e Fëmijës ‘Fillime të Reja’, që në 25 vitet e punës së saj, ka ndihmuar rreth 200 fëmijë të braktisur, jetimë apo jetimë social, që vijnë nga familje me problematika të mëdha sociale apo financiare. Misioni juaj ka qenë, gjatë gjithë këtyre viteve që të ndihmojë, mbështesë e investojë te kategoria e fëmijëve me probleme të mëdha sociale, në mënyrë që të edukohen dhe dalin nga varfëria ekonomike dhe ajo shpirtërore, duke i përgatitur për sfidat e së ardhmes”, tha Meta.

“Këtyre fëmijëve iu është ofruar jo vetëm një strehë dhe edukim, por mbi të gjitha dashuri, që fatkeqësisht disa prej tyre nuk e kanë njohur më parë në jetën e tyre të re”, nënvizoi Presidenti Meta.

“Siç ka thënë Shenjtorja Nëna Tereza: ‘Varfëria më e madhe nuk është të mos kesh çfarë të hash, por të mos jesh i kërkuar, i dashur nga të tjerët; të mos kesh dikë që të kujdeset për ty. Kjo është varfëria më e madhe’. Shtëpia e Fëmijës ‘Fillime të Reja’ dhe institucionet e kujdesit social nuk mund të ndryshojnë të kaluarën e këtyre fëmijëve, por qëllimi i tyre fisnik e human është që përmes gjuhës së dashurisë të kontribuojnë e të investojnë për të ardhmen e këtyre fëmijëve, duke kontribuar në këtë mënyrë për të gjithë shoqërinë dhe të ardhmen e vendit tonë, investim për të cilin u jemi të gjithë mirënjohës”, u shpreh Presidenti Meta./atsh

Meta viziton Shtëpinë e Fëmijës “Fillime të Reja”: Të investojmë dhe të mbështesim fëmijët pa kujdes prindëror Read More »

Dezinformimet për Reformën Zgjedhore vazhdojnë/ Ne e kemi bërë pjesën tonë duke respektuar afatin 31 maj

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “për Reformën Zgjedhore dhe dezinformimet që vazhdojnë, do të presim edhe sot pa folur, pasi kemi bërë pjesën tonë duke respektuar afatin 31 maj”.

Po ashtu, Rama informoi se në Francë ka shkuar pasditen e të premtes e është kthyer mesditën e të shtunës për një vizitë informale të nivelit të lartë.

“Unë s’jam në Francë po në Shqipëri qysh pardje! Kam shkuar pasditen e të premtes e jam kthyer mesditën e të shtunës për një vizitë informale të nivelit të lartë dhe “shpenzimet e luksit e të fundjavave jashtë” ua kam lënë atyre që të vetmen punë kanë të më shajnë ditë-natë! Pikë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi gjithashtu se “sot kemi angazhuar edhe ushtrinë për operacionin e pastrimit të inerteve nga sheshet e Rindërtimit, ku shpejt do të nisin projektet”./atsh

Dezinformimet për Reformën Zgjedhore vazhdojnë/ Ne e kemi bërë pjesën tonë duke respektuar afatin 31 maj Read More »

1 Qershori/ Basha: Buzëqeshja në fytyrat e fëmijëve, forca për të tejkaluar sfidat

“Buzëqeshja në fytyrat e fëmijëve tanë është gëzimi dhe motivimi ynë për të bërë gjithçka që ata të kenë një jetë sa më të lumtur”, tha sot Kryetari i PD, Lulzim Basha, i cili uroi fëmijët me rastin e festës së 1 Qershorit.

“Është forca për të tejkaluar sfidat në këto kohë të vështira dhe për të ecur përpara për ditë më të mira e për tu dhënë të gjithë prindërve sa më shumë mundësi për të plotësuar dëshirat e tyre”, tha Basha.

“Le të jetë dashuria dhe mirësia që na dhurojnë çdo ditë fëmijët tanë shtysa, shpresa dhe besimi për të bërë gjithçka që e ardhmja e tyre në Shqipëri të jetë më e mirë, dhe ata të rriten me mundësi si gjithë fëmijët e tjerë europianë! Gëzuar 1 Qershorin! Ditë më të mira”, ishte urimi i kreut të PD, Lulzim Basha./atsh

1 Qershori/ Basha: Buzëqeshja në fytyrat e fëmijëve, forca për të tejkaluar sfidat Read More »

Reforma Zgjedhore/ Gjiknuri: Adresuam kërkesat më serioze që opozita i kishte parakushte. Bylykbashi: Të garantohet identifikimi biometrik

Mbyllet pas katër orësh takimi i Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore pa gjetur dakordësi për realizimin e kësaj reforme.

Pas katër orësh diskutime, në prezencë edhe të partnerëve ndërkombëtarë, duket se palët nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët.

Gjiknuri: Kodi Zgjedhor do miratohet brenda këtij seksioni parlamentarë, opozitës i janë pranuar një pjesë e mirë e kërkesave

Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri u shpreh se, janë pranuar një pjesë e mirë e kërkesave të opozitës jo parlamentare, por që kjo e fundit ka nisur të çedojë duke nxjerr kërkesa të reja.

“Duhet të informoj njëherë të gjithë publikun, që gjatë gjithë kësaj kohe dhe komisioni i Reformës Zgjedhore dhe Këshilli Politik ka trajtuar me shumë seriozitet rekomandimet e OSBE dhe problematikat e shfaqura nga palët dhe mbi të gjitha është munduar të adresojë një pjesë të mirë të kërkesave të opozitës. Sot që flasim kemi një produkt, një kuadër gati të përfunduar me të gjitha çështjet dhe rekomandimet e ODIHR, po mbi të gjitha, disa kërkesa thelbësore që ditët e fundit opozita i kishte kthyer si një kusht, pra ne kemi gjetur hapësirën dhe do t’i përfshijmë ato”, tha ai.

Gjiknuri deklaroi se “ne nuk e humbim qetësinë, unë do ndjek rrugën ligjore, do informoj Kuvendin dhe Komisionin e Reformës Zgjedhore, po ashtu dhe partnerët ndërkombëtarë”.

“Por, nuk mundet që pasi të biem dakord dhe pasi reflektojmë një pjesë të mirë edhe të kërkesave që quheshin parakusht për organizimin e zgjedhjeve, dhe me dëshmitarë ndërkombëtarë, të fillohet dhe të çedohet duke hequr dorë dhe duke dalë me kërkesa të reja, megjithatë ne nuk e humbim qetësinë, ne do të vazhdojmë të ndjekim procesin ligjor. Unë nesër do të informoj Kuvendin dhe shumë shpejt do të paraqes edhe paketën e dytë, do të informoj Komisionin e Reformës Zgjedhore, dhe njëkohësisht dyert dhe dritaret e komunikimit janë të hapura me opozitën për të vazhduar për të mbyllur dhe ato pak gjëra që ata kanë filluar të ndryshojnë mendje”, tha ai.

“Kemi shqyrtuar dhe parakushtet e opozitës, e nuk dua të negocioj këtu përmes megafonit, por kemi pranuar dhe ato rrisqe të domosdoshme dhe do ketë depolitizim të komisioneve ku palët do kenë garancitë e tyre. Miqtë ndërkombëtarë kanë inkurajuar dialogun dhe natyrshëm do të mbrojnë ato standarde kushtetuese të arritura për drejtësinë dhe integritetin e procesit të drejtësisë në Shqipëri, kjo është e thënë qartë. Ne kemi adresuar kërkesat që asnjë opozitë shqiptare si ka kërkuar ndonjëherë dhe shumë shpejt do ta shikoni, dhe do informoj publikun dhe do ta shikoni vetë dhe do të habiteni kur të dëgjoni, që një pjesë e mirë e kërkesave janë adresuar”,- shtoi Gjiknuri.

“Skema e rekrutimit të komisionerëve është e hapur, kushdo ka të drejtë të aplikojë për komisioner dhe do ketë proces ekstra teknologjik. Ne jemi të hapur për çdo lloj takimi, por do vijojmë punën pasi Shqipëria ka nevojë për një Kod Zgjedhor, parlamenti është legjitim dhe do vijoj punën, është mirë që opozita jo parlamentare të vijë dhe të gjej dakordësinë. Opozita ka një problem me vetingun e s’do ta njohi, por nuk ka sens, e njeh Kushtetuta shqiptare. Te zgjedhjet opozita se pranon vetingun, janë ca gjëra që s’gjejnë argument logjik kur i drejtohesh të tjerëve. Edhe kërkesat ekstreme të opozitës jo parlamentare do bëhet çmos të pranohen, por do bëjë një parashtesë për të reflektuar kërkesat e opozitës.

Pyeteni z.Bylykbashi atëherë nëse është realizuar 100% identifikimi biometrik, janë dakord, kanë më pretendime?Duhet ta pyesni këtë”,- shtoi Gjiknuri.

“Kryekomisioneri votohet me shumicë të cilësuar dhe do bëjmë konsultime me opozitën jo parlamentare. Zgjedhja e anëtarëve të KQZ dhe trupës tjetër rregullatore zgjidhen në të njëjtën mënyrë siç zgjidhen Gjyqtarët e Lartë. Janë pranuar shumë kërkesa të opozitës sa asnjë opozite më herët. Sa kohë ka dhe dëshmitarë ndërkombëtarë dhe në respekt të tyre Kodi Zgjedhor duhet të mbyllet brenda këtij sesioni parlamentar pasi Shqipëria duhet të ketë një Kod Zgjedhor një vit para zgjedhjeve”,- tha Gjiknuri.

Bylykbashi dhe Vasili: PS të heq dorë nga privilegjet në procesin zgjedhor

Përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi dhe i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasilim, pjesë e opozitës jo parlamentare, kanë bërë të ditur se mazhoranca nuk është e gatshme të heq dorë nga “privilegjet” e tyre në procesin zgjedhor.

“Pas disa orësh përpjekje, opozita bëri propozimet e saj. Ofroi konsensus. PS nuk ishte e gatshme për të arritur këtë konsensus, duke kërkuar të mbaj privilegjet e saj. Ne jemi të gatshëm për të vijuar punën për të gjetur konsensusin dhe presim që edhe PS të bëjë koncesionet e saj dhe të jetë e gatshme për të arritur marrëveshjen”,- tha Bylykbashi.

“Gjithë përpjekjet e Partisë Socialiste, që të mbaj privilegjet e të mos heqi dorë nga kapja e komisioneve zgjedhore, KQZ dhe nga vula që do t’i japi trajtë ligjore procesit zgjedhor me gjykatën e saj, tregojnë vlerën dhe rëndësinë që ka bërë opozita me kërkesën e saj për qeverinë kujdestare. Boshllëqet që duan të krijojnë në proces janë të mëdha. Falenderoj kontributin e partnerëve ndërkombëtarë për të gjetur kompromisin, por PS nuk ishte në gjendje të hiqte dorë nga privilegjet e qeverisë mbi procesin zgjedhor”,- shtoi Bylykbashi.

“Ne jemi të gatshëm për të gjetur zgjidhje për kompromis, por pa cenuar garancitë themelore për të pasur zgjedhje të lira e të ndershme. Le ti japim kohë PS për të gjetur forcën për të lëshuar nga privilegjet e saj, jemi të gatshëm për ta zgjidhur këtë çështje.

“Biometrika lidhet me depolitizimin e administratës, dhe këto janë të lidhura mes tyre me qëllim që PS të mos ketë kontroll te KQZ apo në Gjykata, kur të gjejmë kompromis për këto çështje, do të zgjidhen dhe do gjendet edhe zgjidhja për të tjerat”,- tha Bylykbashi.

“Kjo nuk është një çështje pazaresh politike, por bëhet fjalë për themelin e votës së lirë. Kjo, qeveria kujdestare dhe kërkesat tona të tjera janë rritje të garancive, jo rënie të garancive minimale, siç ndodhi më 30 qershor, ku Partia Socialiste e vetme në numërim, votim dhe kandidat, kërkoi ta ligjëroj ato palë zgjedhje dhe ju keni asistuar dhe keni qenë dëshmitarë. PS ka vështirësinë e madhe sepse duhet të dalë nga gjumi parisien Kryeministri, që nuk është i shqetësuar për zgjedhjet në Shqipëri, pasi ose i vjedh vetë, ose bënë marrëveshje që i minon po vetë”,- tha Vasili.

“Propozimet tona i japin fund tjetërsimit të vullnetit të shqiptarëve. Ky është një qëndrim parimor që s’ka arsye se përse të negociohet dhe kështu ne plotësojmë një kusht të BE-së, nga 5 kushte që 2016, ka 3 kushte që lidhen me zgjedhjet ku shkaktari kryesor është Edi Rama dhe PS. Në rast se u pranua depolitizimi, kjo bëhet në sajë të identifikimit biometrik, pa një të tillë nuk ecet në elementë të tjerë. Kur PS ka qenë në opozitë kishte gjysmën e komisioneve zgjedhore dhe në më shumë se gjysmat kishte të drejtë vendimmarrje”, theksoi Vasili.

Hajdari: Palët ranë dakord për të mos u dakordësuar

Deputetja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari nënvizoi se palët ranë dakord për të mos u dakordësuar.

“Dua të falenderoj Ambasadën e SHBA që u ngujua në këtë ndërtesë dhe nuk ndalojë deri në momentin e fundit për ti dhënë zgjidhje reformës zgjedhore. Partitë politike dështuan, pasi interesat e tyre janë të ngushta dhe janë thjesht për t’i shërbyer kryetarëve të partive dhe bizneseve të tyre. Pse mendoni ju se vjen këtu Ambasada Amerikane për të negociuar me këta njerëz këtë reformë zgjedhore, vetëm se duan interesin e shqiptarëve, edhe njëherë këta ja mbyllën derën dhe i thanë që nuk janë gati për të mbyllur një marrëveshje, por në momentin e fundit u tërhoqën dhe koha do ti tregojë të gjitha”,- tha Hajdari.

“Kjo reformë zgjedhore duhet të ketë bekimin e shqiptarëve dhe sot nuk e ka bekimin e shqiptarëve dhe pse Ambasada e SHBA u investua për këtë reformë, këta nuk ranë dakord, pasi shohin interesin e kryetarëve të partive të tyre dhe bizneseve të tyre. Në fund bëmë një bisedë të përbashkët dhe ramë dakord në të gjitha pikat për të mos rënë dakord. Ata ishin të investuar që sot të kishte një zgjidhje, dje i propozova të ulenim e të gjenim një dakordësi, edhe dje ishte SHBA dhe BE në tryezë. Se ku e kanë hallin, ju e kuptoni, tek vetja e vetë, jo tek shqiptarët. Ambasada e SHBA vjen këtu pasi duan që kjo reformë duhet të ketë bekimin e shqiptarëve. Duhet ndryshim të sistemit zgjedhor pikërisht për këtë që ndodhi sot. Nëse ne nuk hapim listat këtu do ngelemi, pa asnjë lloj zgjidhje. Këto duan të ndreqin biznesin dhe partitë e tyre. Tani loja është e hapur ende, dhe s’kemi ndryshim sistemi, por kemi një investim tjetër, që ne do rifutemi në lojë. Ne nuk dorëzohemi nga kërkesa jonë për ndryshim sistemi”- tha Hajdari./atsh

Reforma Zgjedhore/ Gjiknuri: Adresuam kërkesat më serioze që opozita i kishte parakushte. Bylykbashi: Të garantohet identifikimi biometrik Read More »

Parashikimi i motit për ditën e sotme

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, mori për ditën e sotme parashikohet me vranësira mesatare dhe të dendura në të gjithë territorin.

Parashikohen reshje shiu me intensitet të ulët dhe mesatar në formë shtrëngatash, ndërsa në orët e mbrëmjes reshjet ndërpriten.

Era do të fryjë me drejtim Juglindje-Veriperëndim 1-6 m/sek, në momentin e zhvillimit të vranësirave era fiton shpejtësi deri në 10m/s. Deti do të jetë i forcës 3 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 11/20 Shi diell
Kukës 8/16 shi diell
Lezhë 12/21 shi diell
Dibër 6/15 shi diell
Durrës 11/20 shi diell
Tiranë 12/21 shi diell
Elbasan 10/20 shi diell
Berat 10/22 shi diell
Vlorë 10/23 shi diell
Korçë 5/17 shi diell
Gjirokastër 8/19 shi diell
Sarandë 11/23 shi diell/atsh

Parashikimi i motit për ditën e sotme Read More »

1 Qershor/ Nga çerdhet dhe kopshtet, te plazhet dhe kufijtë tokësorë, aktivitetet që hapen pa kufizime

Në të gjithë territorin e vendit, duke nisur që nga dita e sotme nuk do të ketë më zona të kuqe apo të gjelbra duke shënuar një tjetër fazë të lehtësimit të masave që u morën në përballje me COVID-19.

Sipas edhe rekomandimeve nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, që prej ditës së sotme, 1 Qershor do të lejohet lëvizja e lirë e qytetarëve dhe automjeteve në të gjithë territorin pa kufizim, hapen një seri aktivitetesh dhe kufijtë tokësorë pa vetëkarantinim.

Gjithashtu sot hapen çerdhet e kopshtet sipas protokollit të sigurisë. Po nën masa të sigurisë dhe në zbatim të protokollit të miratuar, nga sot happen edhe plazhet sipas një plani i cili përfshin gjithë vijën bregdetare, si një zonë e sigurt.

Plazhet sipas zonave të miratuara do jenë të përcaktuara me autorizime të posaçme nga një autoritet i përkohshëm që është ngritur për këtë periudhë dhe që do të administrojë lejet për çdo stacion plazhi nëpërmjet një aplikimi online dhe një protokolli të veçantë për të siguruar ruajtjen e distancave dhe kushtet higjieno-sanitare në plazhe.

Po nga dita e sotme do lejohen kampionatet sportive, pa praninë e publikut, hapen parqet, qendrat e formimit arsimor, kulturor, qendrat e internetit si dhe palestrat sipas protokolleve të sigurisë.

Mbeten ende të mbyllura transporti publik, për të cilin po hartohet një protokoll i veçantë me Ministrinë e Transporteve, ndërsa deri më datë 23 Qershor do të mbeten të mbyllura aktivitetet kulturore, kinematë, teatrot, klubet e natës, pishinat, grumbullimet masive, dasmat, konferencat dhe dëgjesat publike./atsh

1 Qershor/ Nga çerdhet dhe kopshtet, te plazhet dhe kufijtë tokësorë, aktivitetet që hapen pa kufizime Read More »