Aktualitet

Meta: Inkurajoj të gjitha nismat kundër çdo forme dhune dhe abuzivizmi

Presidenti Ilir Meta deklaroi sot se “kur çdo formë dhune tolerohet, justifikohet dhe nuk ndëshkohet nga shteti, atëherë dhuna kthehet në sistem”.

Meta vlerësoi dhe përshëndeti reagimin e djeshëm qytetar në protestën-marshim të organizuar në Tiranë. “Do t’i mbështes e inkurajoj gjithmonë të gjitha nismat kundër çdo forme dhune dhe abuzivizmi”, tha Presidenti.

Sipas tij, “një shoqëri demokratike dhe sociale, nuk mund të ketë evolucion pa inkurajuar përpjekjet për fuqizimin e rolit të grave dhe vajzave, veçanërisht pa përmbushur detyrimet për mbrojtjen e të drejtave të tyre”.

Meta i bëri thirrje drejtësisë të mos vonojë në nxjerrjen e përgjegjësive për rastin e abuzimit të 15-vjeçares në Babrru, dhe nxiti institucionet arsimore të jenë më të vëmendshme në parandalimin dhe denoncimin e këtyre rasteve tronditëse”.

“Një shoqëri si e jona, që familjen dhe vlerat e saj i vlerëson të shenjta, duhet të ngrihet e gjitha në këmbë për mbrojtjen e tyre”, tha ai./atsh

Meta: Inkurajoj të gjitha nismat kundër çdo forme dhune dhe abuzivizmi Read More »

Dita Ndërkombëtare e Mjedisit/ Shqipërisë nuk i mungon asgjë për të qenë “diamanti” i Mesdheut dhe Europës

Në Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit, Presidenti Ilir Meta bëri apel për të mos lejuar më që keqmenaxhimi i mbetjeve urbane dhe ndotja e ajrit të dëmtojnë jetët tona.

“Të zgjohemi dhe të mos lejojmë që betoni të zhdukë hapësirat dhe kurorat e gjelbra të qyteteve, që lejet abuzive dhe papërgjegjshmëria të sharrojnë pyjet e jashtëzakonshme, malet t’i kthejnë në gurore, detin ta ndotin dhe bregdetin ta shkatërrojnë, që HEC-et dhe shfrytëzimi pa kriter të rrezikojë zhdukjen e Vjosës, Valbonës dhe shumë lumenjve përrallorë që kërcënohen nga papërgjegjshmëria dhe korrupsioni i vendimmarrësve”, tha Meta.

Sipas tij, “Shqipërisë nuk i mungon asgjë për të qenë “diamanti” i Mesdheut dhe Europës, por të gjithë bashkë duhet të kontribuojmë për të mbrojtur çdo dhuratë që na ka falur Zoti”.

“Shqipëria është shtëpia jonë e përbashkët! Ta mbajmë të pastër e të gjelbër, dhe një vend të mirë e të shëndetshëm për të jetuar. Do të jem në mbështetje të shoqërisë civile, aktivistëve të ndershëm e patriotë dhe çdo komuniteti që duke mbrojtur mjedisin dhe bukuritë natyrore mbron të ardhmen e begatë të Shqipërisë”, tha Meta. /atsh

Dita Ndërkombëtare e Mjedisit/ Shqipërisë nuk i mungon asgjë për të qenë “diamanti” i Mesdheut dhe Europës Read More »

Fake News, Rama: Synimi për të furnizuar çadrën me municion. Mediet italiane tregojnë për këshilltarin e Metës

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot lidhur me zbulimin nga antimafia italiane se shkrimi i tre viteve më parë për kontejnerët me mbetje nga Italia në Shqipëri ishte fake news i porositur nga këshilltari i Ilir Metës, Ilir Kulla.

Kreu i Ekzekutivit thekson se shpifja e asokohe, “kishte synim të furnizonte me municion kundër meje Çadrën nën dritaren e Kryekuvendarit (Ilir Meta)”.

“Kjo shpifje plehrash kishte synim të furnizonte me municion kundër meje Çadrën nën dritaren e Kryekuvendarit! Po më e neveritshmja është që plehrat iu hodhën në fytyrë Shqipërisë në sytë e botës! Ja këta janë opozitarët që duan të shpëtojnë atdheun nga unë”, tha Rama.

Në një shkrim të publikuar sot, Shqiptarja.com iu referua vendimit të prokurorisë italiane e cila arrestoi 8 persona lidhur me ‘Fake News’-in e publikuar 3 vjet më parë nga faqja italiane “Pianeta Italia News” lidhur me lajmin se 1400 kontejnerë me mbetje toksike ishin nisur drejt vendit tonë për t’u groposur.

“Prokuroria italiane nga hetimet që ka bërë ka zbuluar se pas skandalit qëndron këshilltari i presidentit të sotëm Ilir Meta me inicialet I. K. “Lajmi u sajua me porosi të këshilltarit të Ilir Metës”, deklaron antimafia italiane. Mes tetë personave të arrestuar në Itali për këtë skandal është edhe ish-senatori Sergio de Gregorio, pronar i faqes online “Pianeta Italia News”, që prodhoi lajmin e rremë”, citon Shqiptarja.com.

Antimafia italiane deklaron se “njeriu i Ilir Metës porositi fushatën kundër qeverisë shqiptare në mediet e vendit fqinj. Fushata denigruese nisi në 2017-ën dhe asokohe u mbështet edhe nga opozita shqiptare”.

Këshilltari i Ilir Metës ka qenë në Itali në 26 shkurt, ndërsa 2 ditë më pas faqja “Pianeta Italia News” botoi lajmin e rremë. Këshilltari i kreut të sotëm të shtetit mbërriti në Itali 2 ditë para se të botohej shkrimi për ta ndjekur nga afër gjithçka në tentativën për rrëzimin e qeverisë shqiptare.

Nga përgjimet flitet për një shumë prej 55 mijë eurosh që faqja italiane do të merrte për botimin e shkrimit.

Sot drejtësia italiane konfirmoi duke çuar 8 persona në pranga dhe zbuluar se pas kësaj tentative për të rrëzuar qeverinë qëndron këshilltari i Ilir Metës.

Edhe gazeta italiane “Il Fatto Quotidiano” ka botuar një shkrim ku thekson se ish-senatori Sergio De Gregorio, i arrestuar si pjesë e një hetimi të DDA në Romë, në vitin 2017 kishte financuar aktivitetet e Ilir Kullës, i cili i kishte ngarkuar ish-senatorit detyrën e “organizimit të një fushate denigrimi kundër qeverisë shqiptare”, në përpjekje për të rrëzuar qeverinë e drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

Sipas rindërtimit të ngjarjes, 30 000 euro të paguara për Kullën ishin pjesë e një shume totale prej 55 000 eurosh që De Gregorio i kishte marrë hua nga Eraldo Barletta (i pa hetuar).

Gjatë një bisede më 30 janar 2017, e përgjuar nga ekipi mobil i Romës, Barletta i ankohet De Gregorio për mospagimin e borxhit.

Bazuar në atë që doli nga përgjimet, lexohet në dokument, Kulla i kishte dhënë të drejtë De Gregorio për të organizuar përmes njohjeve të tij dhe mjeteve të komunikimit në dispozicion të tij, një fushatë mediatike denigrimi për qeverinë shqiptare, që do të provokonte rrëzimin e saj.

“Dhe përsëri: “Vetë Kulla kishte mbërritur në Itali pasditen e 26 shkurtit 2017 në mënyrë që të ndiqte nga afër këtë histori”, shkruan gazeta italiane.

Këshilltari i Metës, Ilir Kulla ka reaguar pas publikimit të këtij shkrimi duke e cilësuar thjeshtë një shpifje, ndërsa nuk e mohon njohjen e tij me ish-senatorin e përmendur.

Shkrimi i plotë i publikuar në medie:

https://www.ilfattoquotidiano.it/2020/06/04/de-gregorio-lex-senatore-finanzio-un-diplomatico-che-gli-aveva-chiesto-una-campagna-contro-il-governo-albanese/5823576/

https://shqiptarja.com/lajm/fake-news-per-konteineret-nga-italia-ne-shqiperi-prokuroria-italiane-lajmi-u-sajua-me-porosi-te-keshilltarit-te-ilir-metes?r=kh1/atsh

Fake News, Rama: Synimi për të furnizuar çadrën me municion. Mediet italiane tregojnë për këshilltarin e Metës Read More »

Protokoll sigurie dhe përgjegjësie nëpër shkolla, Kuko: Proces screening për rojat dhe rritje e oficerëve të sigurisë

Një protokoll sigurie dhe përgjegjësie pritet të ngrihet së shpejti nga Ministria e Brendshme, Ministria e Arsimit, si dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për të ndarë rolet dhe përgjegjësit nëpër shkolla për të mënjanuar rastet si ajo e 15-vjeçares të ndodhur në Babrru.

Zv/ministrja e Brendshme, Romina Kuko, gjatë një interviste televizive ka bërë me dije se do ketë dhe një lloj vetingu, screening, për të gjithë personat që janë në kontakt me gjimnazistët.

“Në radhë të parë nuk mjafton asnjëherë të përsëritim se sa na ka tronditur të gjithëve rasti i vajzës 15-vjeçare. Unë e kam ndjekur protestën dhe me keqardhje nuk isha e pranishme për shkak të një angazhimi pune jashtë Tirane. Kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me organizatorët e saj. Mendoj se është momenti të mos kemi asnjë lloj ndasie për të çështje të tilla si mbrojtja e të miturve, shtresave vulnerabël, dhe me refuzimin në mënyrë sistematike të këtij fenomeni. Pasi morëm dijeni për ngjarjen, që në momentin e parë, kërkova informacion të detajuar dhe hollësishëm nga të gjitha strukturat që operojnë në komisariatin numër 5 të Kamzës, se përse nuk jemi sinjalizuar për këtë fenomen”, – tha Kuko.

“Gjithashtu ditën e hënë zhvilluam mbledhje urgjente online me 150 oficerët e sigurisë në shkolla. Ishim aty së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë, Kuvendin, Shoqërinë Civile dhe Ministrinë e Arsimit, për t’i rikujtuar për të zbatuar me rigorozitet protokollin e tyre. Presim që numri oficerëve të shtohet me po aq për të mbuluar të gjithë gjimnazet”, – shtoi ajo.

“Oficeri i sigurisë në shkollë ka rolin e personit që bën paralajmërimi e hershëm të fenomeneve që cenojnë sigurinë e të miturve në shkollë, konfliktet mes adoleshentëve, për të marrë sinjalizime nëse ata rrezikohen nga faktorë të jashtëm siç është lënda narkotike. Ne kemi pasur dhe goditje të këtij fenomeni për shkak të këtij oficerit. Është një fazë sigurie mes psikologut të shkollës dhe policisë. Ai është pjesë e stafit të shkollës, qëndron brenda saj dhe raporton për çështje të brendshme në dy drejtime; në Ministrinë e Arsimit dhe Ministrinë e Brendshme”, tha Kuko.

“Ngjarja ka ndodhur në shkollën 9-vjeçare dhe ne në këto shkolla nuk kemi ende oficerë sigurie. Ngjarja ka ndodhur para një viti e gjysmë. Është në sajë të oficerit të policisë që ky person është denoncuar dhe është arrestuar menjëherë”, – tha Kuko.

Zv/ministrja theksoi faktin se ka ardhur momenti që të kemi një sistem referimi nëpër shkolla, pasi është e pafalshme që abuzimi i 15-vjeçare në Babrru ndodhte prej më shumë se 1 viti e gjysmë dhe nuk raportohej.

“Jam në komunikim të vazhdueshëm me Ministrinë e Arsimit dhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtje Sociale për të realizuar një protokoll të posaçëm për mbrojtjen e të miturve në Shkolla. Protokolli përmban rolet e mirëpërcaktuara dhe përgjegjësitë, kush është përgjegjës dhe ne do përpiqemi të përcaktojmë personin përgjegjës për rastin në fjalë, dhe jo ta lëmë topin në mes, por do ketë një person përgjegjës që jep llogari në fund të ditës për sigurinë e këtyre të miturve. Kur çështja ka shkuar në polici është shumë vonë, ne duam të parandalojmë”, – tha Kuko.

“Policia pasi ka marrë dijeni ka vepruar shumë shpejt. Po ju jap dhe disa nga pikat për këtë protokoll. Analizë risku në gjimnazet tona, për të kuptuar se cilët janë të mitur që mund të hasin në vështirësi në familje apo shkollë. Në të njëjtën kohë sistem screening apo vetingu që janë në kontakt të drejtpërdrejtë me të miturit, siç janë rojat, që kanë zhvilluar një trajnim katër javor, ku janë certifikuar për sigurinë. Të njëjtën gjë duam të bëjmë dhe me personat e tjerë që kanë në dorë adoleshentët dhe të miturit. Po ashtu do ketë ndërhyrje në legjislacion për diskriminimin për të parë se si i mbrojmë këto raste. Kultura e heshtjes vjen nga fakti se viktimat janë të trembur për të denoncuar, pasi privatësia e tyre nuk respektohet për fat të keq. Ne duhet të tregohemi të përmbajtur për të mbrojtur identitetin e këtyre personave. Sinjalet e hershme dhe paralajmërimi hershëm janë shumë të rëndësishëm, por kultura e heshtjes është një tjetër element i rëndësishëm për të nxitur denoncimin e këtyre rasteve”, – bëri thirrje Kuko./atsh

Protokoll sigurie dhe përgjegjësie nëpër shkolla, Kuko: Proces screening për rojat dhe rritje e oficerëve të sigurisë Read More »

Dhuna ndaj të miturve/ Manja: Të hiqet gjykimi i shkurtuar, Gjonaj: Politikë më e ashpër penale

Kryetari i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja, duke iu referuar rastit të përdhunimit të një vajze 15-vjeçare në zonën e Babrrusë, tha se do të propozojë heqjen e alternativës për gjykim të shkurtuar për autorët e veprave penale me të mitur dhe dhunën në familje, ndërsa ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka theksuar se duhet një politikë penale më e ashpër.

Diskutimet u zhvilluan sot, gjatë seancës dëgjimore të ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, në komisionin e Sigurisë, ku raportoi për zbatimin e rekomandimeve të qeverisë nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme gjatë vitit 2019.

Kryetari i Komisionit të Sigurisë, Ulsi Manja, duke përfituar nga prania e ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj, duke iu referuar rastit të 15-vjeçare në Babrru, u shpreh se “autorët kanë përfituar nga dispozita ligjore e dënimit alternativ apo të shkurtuar”.

Ulsi Manja u kërkoi organeve të drejtësisë të mos mbyllin sytë, por të rrisin profesionalizimin, cilësinë dhe shpejtësinë e hetimeve. “Është koha të bashkojmë forcat zonja ministre, të nxisim drejtësinë e re, t’i japim suportin e duhur dhe të bëhemi barrikadëe për zbatimin e ligjit penal në Shqipëri pa asnjë ekuivok dhe asnjë tolerancë. Parandalimi është ilaçi më i mirë, por në funksion të tij shkojnë edhe vendimet e drejtpërdrejtë ta gjykatave. Do t’i propozoja Kuvendit ndryshime në Kodin e Procedurës Penale neni 406. Përsa kohë organi prokurorisë dhe gjykata i japin mundësi kësaj kategorie personash të përfitojnë nga dispozita për dënime alternative me gjykimin e shkurtuar, duhet t’ia heqim këtë mundësi dhe ta kufizojmë me ligj”, – theksoi Manja.

“Koha që prokuroria dhe gjykatat të marrin në konsideratë rrezikshmërinë dhe përhapjen e këtyre veprave penale dhe të dënojnë autorët sipas dispozitave të ligjit”, – tha Manja.

Ministrja Etilda Gjonaj theksoi se duhet një politikë penale më e ashpër lidhur me krimet ndaj të miturve. “Gjykata në nivel krahasimor ka aplikuar në shumë pak raste, dënimin maksimal, në të shumtën e rasteve dënimet janë 5-10 vite. Prandaj duhet një ashpërsim i dënimeve penale për vepra si abuzim seksual apo abuzimet dhe dhuna ndaj fëmijëve”, – tha Gjonaj. /atsh

Dhuna ndaj të miturve/ Manja: Të hiqet gjykimi i shkurtuar, Gjonaj: Politikë më e ashpër penale Read More »

Dita Botërore e Mjedisit/ Manastirliu: T’i mësojmë fëmijëve tanë të kujdesen për natyrën

Dita Botërore e Mjedisit është data 5 qershor e çdo viti.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu thotë se fëmijëve u duhet mësuar të kujdesen për natyrën, për të pasur mjedis të shëndetshëm dhe shëndet më të sigurt.

“T’i mësojmë fëmijëve tanë të kujdesen për natyrën dhe të gjithë bashkë të kujdesemi për një mjedis më të shëndetshëm, për shëndet më të sigurt. Dita botërore e Mjedisit”, tha ministrja.

Kjo ditë është e veçantë ku Kombet e Bashkuara (OKB) krijojnë një ndërgjegjësim mbarëbotëror për ruajtjen e mjedisit.

48 vjet më parë u caktuar 5 qershori si Dita Ndërkombëtare e Mjedisit e kjo u caktua nga Asambleja e përgjithshme e OKB-së. Qëllimi i krejt kësaj ishte për të shtuar vetëdijen rreth çështjeve të mjedisit dhe për të tërhequr vëmendjen politike ndaj këtyre çështjeve si dhe për të nxitur veprimin individual në këtë drejtim.

U zgjodh 5 qershori, sepse përkon me ditën e hapjes e Konferencës së Kombeve të Bashkuara mbi Mjedisin, që u mbajt në vitin 1972 në Stokholm, nën udhëheqjen e Programit Mjedisor të Kombeve të Bashkuara. /atsh

Dita Botërore e Mjedisit/ Manastirliu: T’i mësojmë fëmijëve tanë të kujdesen për natyrën Read More »

Vittorio Sgarbi viziton Galerinë Kombëtare të Arteve/ Margariti: Shkëmbyem ide për projekte në fushën e artit

Kritiku dhe personaliteti i shquar i artit italian Vittorio Sgarbi vizitoi dje Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, ku vizitoi disa nga pavijonet e galerisë.

Gjatë vizitës në galeri Sgarbi u shoqërua nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila e cilësoi “një nga vizitat e rralla në Galerinë Kombëtare të Arteve”.

“Pata kënaqësinë ta shoqëroj në një tur nëpër pavijonet e GKA-së, kritikun e artit, një nga njerëzit më interesantë dhe një mik të Shqipërisë, Vittorio Sgarbi”, – shprehet Margariti.

Ministrja tha se “gjatë kësaj vizite patëm mundësi të shkëmbenim ide dhe pse jo, projekte në fushën e artit, sesi mund të na ndihmojë me ekspertë në fushën e restaurimit dhe vlerësimit të veprave të artit”.

Sgarbi vizitoi pavijonin e skulpturave, si dhe ekspozitën “Tirana Pasion”, si dhe atelienë e restaurimit, ku pa nga afër dy vepra të Kol Idromenos që janë restauruar.

Me një interes të posaçëm për trashëgiminë kulturore, udhëtimi i Sgarbit vijoi drejt Apolonisë, një prej parqeve të jashtëzakonshme arkeologjike në Shqipëri, dikur kryeqendër kulture e arsimi, sot një atraksion turistik./atsh

Vittorio Sgarbi viziton Galerinë Kombëtare të Arteve/ Margariti: Shkëmbyem ide për projekte në fushën e artit Read More »

Mbyllet sot afati për pagën e luftës/ Ibrahimaj: Nga të dyja paketat numri i përfituesve do të jetë mbi 250 mijë

Bizneset kanë afat të aplikojnë deri sot më datë 5 qershor në orën 12 të natës, për përfitim të ndihmës financiare për punonjësit e tyre.

Në rast se bizneset nuk aplikojnë brenda kësaj date, është e parashikuar një masë administrative, sipas të cilës “Moskryerja e aplikimit nga ana e subjektit të të punësuarit apo ish-të punësuarit që plotëson kushtet për të përfituar ndihmën financiare, gjatë periudhës së fatkeqësisë natyrore të shpallur si pasojë e COVID-19, dënohet me gjobë në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë.

Drejtoresha e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, në një intervistë për median tha se, gjoba parashikohet të vihet për çdo punonjës për të cilin nuk është aplikuar.

Lidhur ecurinë e deri tanishme të procesit të ndihmës financiare, Ibrahimaj tha se, “kemi ecur me ritme të shpejta, duke qenë se numri i aplikimeve ka qenë i lartë. Me përfundimin e afatit të aplikimit, gjithsesi administrata tatimore do të vazhdojë të trajtojë të gjitha ankesat që vijnë nga tatimpaguesit dhe përfundimi i procesit do të jetë atëherë kur nuk do të ketë më asnjë ankesë apo ata që e meritojnë do të marrin pagën e luftës”.

Për sa i përket penaliteteve, tha ajo “ne pas përfundimit të afatit do të marrim në shqyrtim të gjithë listën e bizneseve dhe do të vendosim penalitetet aty ku gjykojmë që nuk ka pasur aplikime pa një arsye të fortë. Megjithatë dhe këto gjoba pas të gjithë procedurave të legjislacionit në fuqi tatimpaguesit do të kenë të drejtë të ankohen për një afat 30 ditor”.

Numri i individëve që kanë aplikuar deri tani është 183 mijë për kërkesa, numri i punonjësve të refuzuar është 26 mijë e 951. Ndërkohë që numri i punonjësve të miratuar për pagesë është 144, 238.

“Ne kemi gjykuar që nga të dyja paketat numri i përfituesve do të jetë mbi 250 mijë punonjës”- tha Ibrahimaj.

Lidhur me bizneset që ankohen se nuk arrijnë të aplikojnë se nuk hapin dot sistemin, drejtoresha e Tatimeve, tha se, “problematika që bizneset nuk mund të aplikojnë lidhet me problematikën e kodit ekonomik në të cilin operojnë”.

“Për këtë arsye ne e kemi hapur mundësinë për aplikim për një numër të madh biznesesh nga të cilat kanë aplikuar 5735 biznese deri më tani dhe janë duke u shqyrtuar. Pra është një potencial me rreth 30 mijë individë të cilët po shqyrtohen nga të cilët, në bazë të ankesave ne do të shohim rast pas rasti se sa do të jetë numri total i përfituesve i këtyre 30 mijë individëve të cilët kanë aplikuar nëpërmjet ankesës”- tha Ibrahimaj.

Ajo theksoj se, “bizneset që kanë aplikuar nëpërmjet ankesës nuk do të ngarkohen me gjoba. Do të ngarkohen me gjoba ato biznese të cilët janë të pastër, që punonjësit e tyre përfitojnë 100% nga kushtet e vendosura nga paketat dhe nuk po aplikojnë. Këto janë ato biznese që do të penalizohen”. /atsh

Mbyllet sot afati për pagën e luftës/ Ibrahimaj: Nga të dyja paketat numri i përfituesve do të jetë mbi 250 mijë Read More »