Aktualitet

Më shumë se gjysma e ndërmarrjeve të huaja me pronarë nga Greqia dhe Italia

Ndërmarrjet me pronarë apo bashkëpronarë të huaj zënë 4% të ndërmarrjeve aktive, krahasuar me 3,8% në vitin 2018 dhe punësojnë 11,9% të të punësuarve gjithsej.

Instituti i Statistikave publikoi së fundmi raportin “Regjistri i ndërmarrjeve, 2019”, sipas të cilit, ndërmarrjet nga vendet e Bashkimit Europian përfaqësojnë 65,3% të ndërmarrjeve të huaja e të përbashkëta.

Referuar të dhënave të INSTAT-t, ndërmarrjet me pronarë apo bashkëpronarë me origjinë italiane dhe greke përfaqësojnë 53,4% të ndërmarrjeve të huaja e të përbashkëta gjithsej.

Po ashtu, të dhënat tregojnë se ndërmarrjet e huaja e të përbashkëta janë përqendruar kryesisht në qarqet Tiranë dhe Durrës, me 77,1%. /atsh

Më shumë se gjysma e ndërmarrjeve të huaja me pronarë nga Greqia dhe Italia Read More »

Nesër provimi i parë i Maturës Shtetërore/ Vrapi: Testi me 60 pyetje me alternativa, protokoll sigurie në klasa

32 mijë maturantë do u drejtohen të hënën bankave të shkollës për provimin e parë të Maturës Shtetërore, atë të gjuhës së huaj. Por ndryshe nga një vit më parë, këtë vit testi do të jetë vetëm me pyetje alternative.

Drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, Rezana Vrapi në një intervistë në media thotë se janë 60 pyetje me alternativa, për 60 pikë.

“Nuk ndryshon numri i pikëve, por ndryshon lloji i pyetjeve. Në këtë maturë i gjithë testi do të jetë me pyetje me alternativa, pra janë 60 të tilla për 60 pikë. Është shkurtuar koha nga 2:30 në 2 orë. Nuk do të ketë pyetje ese e cila merrte rreth 45 minuta për t’u shtjelluar”, shprehet Vrapi.

Vrapi thotë kjo mënyrë testimi kryhet për shkak të pandemisë së Covid-19, për të mos grumbulluar më shumë mësues për korrigjimin e testeve dhe duke ia besuar atë teknologjisë.

“Për shkak të pandemisë dhe kushteve ku ndodhemi, që të mos mbledhim korrigjues, të cilët janë të detyruar që kur vlerësojnë një pyetje të hapur të komunikojnë me njëri-tjetrin për pikën finale të maturantit, është kaluar në këtë variant. Gjithçka do korrigjohet në mënyrë elektronike, duke shmangur korrigjimin njerëzor”, deklaroi ajo.

Pandemia ka bërë që të ketë ndryshime edhe në mjediset ku do të kryhet provimi. Maksimumi i nxënësve për klasë do të jetë 15 dhe do të mbikëqyren nga një koordinator.

Sezoni i provimeve të Maturës Shtetërore nis me lëndën e gjuhës së huaj këtë të hënë, për të vazhduar më datë 11 qershor me gjuhën shqipe, me matematikën më 15 qershor, për ta përmbyllur me lëndën me zgjedhje më datë 18 qershor./atsh

Nesër provimi i parë i Maturës Shtetërore/ Vrapi: Testi me 60 pyetje me alternativa, protokoll sigurie në klasa Read More »

“Gratë, Paqja dhe Siguria”/ Programi ndihmon bletërritëset të prodhojnë mjaltë bio

Sot në Ditën Botërore të Sigurisë Ushqimore, Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim (USAID) apelon se garantimi i sigurisë ushqimore është çështje e të gjithëve.
USAID solli në vëmendje se përmes programit të tij “Gratë, Paqja dhe Siguria” po ndihmon bletërritëset në Shqipëri të prodhojnë dhe të tregtojnë mjaltë të pastër dhe të shijshëm.
Projekti në baskëpunim me pushtetin lokal po punon me fermerët në Korçë, Pogradec, Vlorë, Durrës, Berat, Tiranë, Shkodër, Lezhë, Kukës, Elbasan që merren me prodhimin e mjaltit.
Në kuadër të këtij programi, është përgatitur një manual për Bletarinë, i pari në gjuhën shqipe, i cili u dhëzon bletërritësit se si të prodhojnë mjaltë bio, që është mjaft i mirë për shëndetin, i sigurt dhe shumë i kërkuar në tregjet e huaja.
Mjalti dhe i nënproduktet e tij po fillon të zërë terren çdo ditë e më shumë jo vetëm në konsumin vendas por edhe në eksport.
Sipas shifrave të INSTAT, prodhimi i mjaltit ka shënuar një rritje me 8,97%, gjatë 2019 krahasuar me 2018. Ndërsa aktorët e këtij sektori po përpiqen të rrisin standardet e prodhimit për zgjerimin e eksporteve. /atsh

“Gratë, Paqja dhe Siguria”/ Programi ndihmon bletërritëset të prodhojnë mjaltë bio Read More »

Dita Ndërkombëtare e Sigurisë Ushqimore/Rama: Disa histori njerëzish pune, vlejnë më shumë se njëmijë fjalë

Në Ditën Ndërkombëtare të Sigurisë Ushqimore, Kryeministri Edi Rama ka sjell disa histori suksesi nga fermerët shqiptarë të cilët në fokus të punës së tyre përgjatë zinxhirit ushqimor kanë veçanërisht sigurinë ushqimore.

“Në Ditën Ndërkombëtare të Sigurisë Ushqimore, disa histori njerëzish pune, Valbona, Olsi, Doriani, Agroni, Natasha, vlejnë më shumë se njëmijë fjalë. Bashkë për sigurinë ushqimore edhe përmes projektit të financuar nga BE dhe qeveria shqiptare”, shprehet Rama.

Olsi Hamallaj i cili kultivon luleshtrydhe shprehet se “ndonjëherë të mbjellat e mia kanë nevojë për mbrojtje ndaj dëmtuesve. Nëse duhet të përdor patjetër një pesticide, marr gjithmonë parasysh, që këto luleshtrydhe do të konsumohen edhe nga familjarët e mi”.

Valbona Tozaj e cila ka një pikë grumbullimi të fruta-perimeve në Lushnje, shprehet se “puna jonë bazohet në grumbullimin dhe shitjen e produkteve bujqësore në mënyrë të sigurt”.

“Është një punë që ka përgjegjësi të madhe, megjithatë mua më jep shumë kënaqësi kur arrij t’i jap konsumatorëve, fruta të freskëta sikur t’i kisha për veten time”, shprehet ajo.

Ndërsa Dorian Denaj, teknolog në një fabrikë të përpunimit të qumështit në Tiranë, shprehet se “qumështi është dhuratë e natyrës, është i pastër, i ushqyeshëm, i shëndetshëm. Ne jemi krenarë për kujdesin për qumështin tonë, duke i kushtuar vëmendje të veçantë ushqyerjes së bagëtisë, pastrimit dhe kontrollit të dyfishtë, në mënyrë që konsumatorët të ngelen të kënaqur me produktin tonë”.

Edhe një prej tregtarëve të mishit në kryeqytet, Agron Allgjata shprehet se “punoj fort çdo ditë që mishi që shes të jetë i sigurt, cilësor dhe i kontrolluar nga të gjitha hallkat, nga ferma deri në tavolinë”.

Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca thotë se “Shqipërisë i duhet një zinxhir ushqimor i fortë, në përputhje me standardet e vendosura nga shtetet anëtare të BE-së. Përshtatja dhe zbatimi i standardeve të BE-së do të rrisë nivelin e mbrojtjes për konsumatorët, do të ndihmojë sipërmarrjet shqiptare për të qenë më konkurrentë dhe për të eksploruar prodhimet e tyre dhe do të krijojë më tepër besim në publik se institucionet shqiptare janë të përkushtuara ndaj anëtarësimit në BE. Bashkimi Europian po e mbështet Shqipërinë që t’i arrijë këto objektiva të rëndësishme duke përforcuar kapacitetet institucionale dhe administrative të autoriteteve shqiptare dhe duke ofruar mbështetje domethënëse në sektorin e agrobiznesit me investime moderne përmes fondeve IPARD. Le të punojmë së bashku për sigurinë ushqimore”.

Nga ana e tij, ministri i Bujqësisë, Blendi Çuçi thotë se ‘ ushqimi i sigurt është shumë i rëndësishëm për shëndetin tonë. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ka një rol thelbësor në monitorimin e prodhuesve dhe tregjeve ku konsumatorët blejnë produktet e tyre. Ne kemi përgjegjësinë kryesore dhe kemi bërë shumë për të forcuar kontrollet dhe rritur standardet, por çështja e sigurisë ushqimore është një çështje e përbashkët dhe kërkon angazhimin e të gjithëve. Ndaj edhe ju si konsumatorë duhet të merrni rol aktiv për të ndihmuar prodhueset të rrisin cilësinë dhe të na ndihmoni edhe ne për të bërë më mirë punën tonë”./atsh

Dita Ndërkombëtare e Sigurisë Ushqimore/Rama: Disa histori njerëzish pune, vlejnë më shumë se njëmijë fjalë Read More »

Shqipëria me paketë të re turistike gjatë këtij sezoni/Ulje e çmimit të biletave në sitet e trashëgimisë kulturore

Të gjithë turistët, vendas apo të huaj do mund të vizitojnë sitet e trashëgimisë kulturore gjatë këtij sezoni turistik me një çmim tejet simbolik.

Në mbledhjen e Komitetit të Turizmit mbajtur në Apoloni me tour operatorë dhe hotelierë, ministrja e Kulturës, Elva Margariti dhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi prezantuan paketën e re turistike sikurse është edhe ulja e çmimit të biletave në sitet kulturore.

Në fjalën e saj, ministrja Margariti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit për rimëkëmbjen e turizmit pas pandemisë me të cilën u përball e gjithë bota.

“Kemi dalë me një paketë të re ofertash që vihen në vijim edhe të bisedave të bëra me të gjithë tur operatorët edhe për t’ju gjendur më afër ju sepse mendojmë se ky është momenti kyç që t’ju gjendemi pranë, pasi mendojmë fort që ky vit të kemi gjithmonë e më tepër një turizëm lokal e ndoshta do të kemi më pak turistë të huaj, megjithatë dhe në momentin që do të kemi turistë të tjerë të huaj, ne do t’i përgjigjemi me shërbime të reja në sitet tona”, u shpreh Margariti.

Ministrja tha se edhe në Berat kanë filluar tashmë paketat e kombinuara të biletave me audio grilën. Sipas saj, ulja e çmimit të biletave për të vizituar muzetë dhe parqet arkeologjike është një ndihmë e madhe ekonomike, duke iu përgjigjur kështu kërkesave të agjencive.

“Kemi arritur që vitin e shkuar të kemi mbi 1 milionë vizitorë dhe mendojmë që me këtë politikë të re dhe ato site që nuk kanë qenë të vizituara të bëhen sa më shumë pjesë e paketave tuaja. Kemi biseduar së bashku për disa muze, sikur dhe për Muzeun e Gjetheve që ka qenë një nga pikat ku dhe vetë tour operatorët kanë thënë që ju duket pak jo i aksesueshëm për paketat e tyre. E kemi arritur tashmë në një çmim thuajse simbolik dhe këtë e kemi bërë dhe për shumë site dhe mendojmë që kjo është zgjidhja e duhur për t’ju gjendur pranë në këto momente”, u shpreh Margariti.

Më tej, ministrja tha se pas shtatorit do të ketë paketat e reja që janë paketat e kombinuara me çmime të reduktuara vetëm për agjencitë.

“Kemi shtuar dhe kategori të reja që janë kategori 50 plus që janë për t’ju ardhur në ndihmë agjencive dhe ajo çfarë kemi bërë është promovimi i biletarisë online. Besoj se jemi të gjithë dakord që e ardhmja është e gjithë drejt dixhitalizimit besoj se dhe këto kohë e kemi treguar se aksesi dixhital ka qenë ai që na ka krijuar ura të reja bashkëpunimi dhe ne do të vazhdojmë të promovojmë akoma më shumë çmimin e biletës online”, deklaroi ministrja, duke shtuar se aty do të jetë aksesueshmëria më e madhe e tarifave të ulëta.

“Pra ndryshe do të jetë çmimi në sportele, ndryshe do të jetë çmimi online. Po punojmë që të kemi një kanal të dedikuar sidomos nga shtatori dhe më pas për të patur paketa kombo që i quajmë, që janë paketat e disa siteve bashkarisht”, tha ministrja Margariti.

“Pamdemia nuk na gjunjëzoi po na gjeti më pranë me njëri- tjetrin në këto muaj të kemi mundësinë akoma dhe më tepër të sjellim sa më shumë turistë dhe në ato site në të cilat ju nuk i keni sjellë më parë që të kemi pastaj dhe më tepër promovim nga shtatori dhe më pas dhe më shumë paketa kombo”, u shpreh Margariti./atsh

Shqipëria me paketë të re turistike gjatë këtij sezoni/Ulje e çmimit të biletave në sitet e trashëgimisë kulturore Read More »

Klosi: Në fillim të javës tjetër çarterat e parë me turistë në Shqipëri

“Në fillim të javës tjetër do të fillojnë dhe çarterat e parë të cilët janë dedikuar për turizëm nga vendet të cilat ne tashmë kemi një marrëdhënie bilaterale”, deklaroi ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi gjatë mbledhjes së Task Forcës së Turizmit i cili zhvilloi takimin e parë për këtë vit, në ambientet e Manastirit ‘Fjetja e Shën Mërisë’ në Parku Arkeologjik Kombëtar Apoloni, në fokus të së cilit ishin masat e marra dhe ecuria e turizmit gjatë këtij sezoni turistik të ndikuar nga COVID-19.

Me pjesëmarrjen e tour operatorëve dhe hotelierëve, ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti bënë të ditur detaje nga paketa e përbashkët turistike me kosto të ulët.

Ndonëse një vit i vështirë për shkak të pandemisë, Klosi shprehu besimin se “në qoftë se ne ofrojmë rregulla në plazhe, garantojmë higjienë, garantojmë mbrojtje nga pandemia, mund t’ia dalim që të kemi një sezon të pranueshëm turistik edhe në 2020-ën”.

Në fjalën e tij, Klosi tha se edhe pse po përballemi me pandeminë sikurse e gjithë bota, duhet të bashkëpunojmë jo vetëm për Fierin si destinacion turistik, por edhe për një fushatë të madhe për të vizituar Shqipërinë turistike nga turistët vendas dhe të huaj.

“Duke qenë të parët që hapëm edhe kufijtë dhe duke promovuar Shqipërinë turistike në rajon, duhet të përfitojmë një turizëm rajonal u cili ka qenë jo aty ku duhet duke menduar që kemi shumë më tepër, duhet të afrojmë turizëm për vëllezërit tanë të Kosovës, të cilët kanë qenë gjithmonë mbështetësit kryesorë të turizmit të huaj që vinin në Shqipëri, por po ashtu me Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Bosnjën, Bullgarinë, Turqinë për të qenë më rajonal dhe me një ofertë të re turistike”, tha ministri.

Gjithashtu, ministri Klosi u ndal edhe në sistemin e ri të menaxhimit të vijës bregdetare duke përmbushur një nga kërkesat e vet komunitetit të hotelierëve, të operatorëve tanë turistikë si një nga prioritetet e menaxhimit të ekonomisë së jetës sonë.

Ai tha se vija bregdetare, një pasuri e jashtëzakonshme që ne kemi, duhet mirëmenaxhuar që të prodhojë më shumë para në radhë të parë për Bashkinë dhe nëpërmjet këtyre parave plazhi të pastrohet dhe të mirëmbahet më mirë si dhe të rritet siguria në plazhet tona.

“Së bashku me Bashkitë kemi monitoruar të gjithë vijën tonë edhe në kuadër të luftës së përhapjes së pandemisë, por dhe në kuadër të masave që duhet zbatuar për higjienën, plazhet tona duhet të administrohen shumë më mirë, që të sigurojnë drejt për së drejti dy problem të mëdha që ka patur gjithmonë plazhi, higjienën dhe vendosja e ruajtësve të plazhit, tha ai.

“Parimet e ndarjes së re të plazheve bregdetare dhe nga 400 km vijë bregdetare që bregu shqiptar ka, vetëm 10 deri 12% e saj shfrytëzohet, prandaj kemi hapësira të mëdha pa fund të cilat i kemi akoma si ofertë të re për turizmin për t’u zhvilluar bregu shqiptar, por që s’mund të lejohet që të vazhdojë të zhvillohet dhe menaxhohet pa asnjë kriter”, deklaroi Klosi.

Ai tha se “së bashku me forcat e ruajtjes së rendit, me inspektoriatet e ndryshme të qarkut të Fierit nën drejtimin e Prefektit do të ndërmarrim një situatë shumë më të kontrolluar të plazheve tona për të pasur mundësi që ndarja e plazheve të realizohet mbi dy parime. Parimin e administrimit nga operatorët turistikë dhe Bashkia të jetë përfituese e drejt për drejt e të ardhurave që mblidhen nga plazhet. Dhe e dyta parimi kryesor, tha Klosi është ruajtja e mos përhapjes së pandemisë në plazh dhe sigurimin nëpërmjet këtij menaxhimi të higjienës dhe të sigurisë.

Ai tha se “skema e re është realizuar dhe në plazhet e Divjakës dhe të Fierit ku kemi bërë një ndarje sipas vendimit të bashkisë se kë kemi përcaktuar zonë të gjelbër, zonë e cila do të jetë në plazhe e përcaktuar si plazh për publikun, pra si plazh që nuk do të lejohet të vendosen shezllon edhe çadra, zonë e cila do të jetë për qytetarët e tjerë që vijnë dhe duan të bëjnë plazh në mënyrën e tyre pa qenë të detyruar që të shkojnë te shezlloni dhe të paguajnë çadrën dhe zona e cila konsiderohet si zonë për t’u menaxhuar është ndarë në parcela të cilat do t’i ofrohen atyre”.

Gjithashtu, Klosi tha se kemi edhe një përmirësim të jashtëzakonshëm sa i përket sigurisë në plazhe.” Padyshim kemi përmirësim të jashtëzakonshëm, kemi ulur me 3 herë numrin e jetëve të humbura në plazhet shqiptare, por këtë vit duhet të jetë shumë më i sofistikuar”.

Klosi apeloi edhe për pastrimin e plazheve duke shtuar se “kemi nevojë që të bëjmë një operacion të madh pastrimi për të shkuar në korrik dhe gusht në një sezon intensiv më të stabilizuar”. /atsh

Klosi: Në fillim të javës tjetër çarterat e parë me turistë në Shqipëri Read More »

NATO flet me ATSH për bazën detare të Pashalimanit

Pas investimeve për modernizimin e bazës ajrore të Kuçovës, NATO po studion edhe mundësinë për investime edhe në bazën detare të Pashalimanit.

Kërkesës zyrtare të dorëzuar në tetor të 2019-ës nga ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka e cila ka parashtruar planin e qeverisë shqiptare për modernizimin e bazës detare të Pashalimanit, Aleanca e Atlantikut të Veriut deklaron se ka nisur punën në bashkëpunim me autoritet ushtarake shqiptare, për të përcaktuar mënyrën më të mirë se si kjo bazë mund të mbështesë kërkesat operacionale detare të Aleancës.

NATO iu përgjigj zyrtarisht interesit të Agjencisë Telegrafike Shqiptare lidhur me kërkesën e autoriteteve shqiptare për investim në Pashaliman.

“Autoritetet ushtarake të NATO-s janë duke punuar ngushtë me autoritetet ushtarake shqiptare për të përcaktuar mënyrën më të mirë se si baza detare e Pashalimanit mund të mbështesë kërkesat operacionale detare të NATO-s”, konfirmoi për ATSH një zëdhënës i Aleancës.

NATO, tha për ATSH, se e mirëpret mbështetjen e Shqipërisë ndaj planeve dhe sigurisë detare të Aleancës.

“Ne mund të konfirmojmë se NATO ka marrë një letër nga Ministria shqiptare e Mbrojtjes, ku shprehet mbështetja e qeverisë shqiptare për modernizimin e Bazës Detare të Pashalimanit. Ne mirëpresim mbështetjen e Shqipërisë ndaj planeve dhe sigurisë detare të NATO-s nëpërmjet dhënies së aftësive detare të saj për misionet dhe aktivitetet e drejtuara nga NATO”, deklaron për ATSH zyrtari i Aleancës.

Për NATO-n, nënvizon zëdhënësi për ATSH , kjo pasqyron solidaritetin, kohezionin dhe unitetin e përpjekjeve të Aleancës.

“Kjo është në të njëjtën linjë me qëndrimet operacionale të NATO-s dhe pasqyron solidaritetin, kohezionin dhe unitetin e përpjekjeve të Aleancës. Autoritetet Ushtarake të NATO-s janë duke punuar ngushtë me autoritetet ushtarake shqiptare për të përcaktuar mënyrën më të mirë se si kjo bazë mund të mbështesë kërkesat operacionale detare të NATO-s”, nënvizohet në reagimin zyrtar për ATSH-në.

Në tetor të vitit të shkuar, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka iu drejtua përmes një letre zyrtare komandantit të Komandës Supreme për Europën, gjeneralit amerikan Tod D.Wolters që Aleanca të konsiderojë Pashalimanin edhe për shkak të gjeografisë dhe avantazheve që ofron, për të investuar edhe aty një bazë detare.

Ministrja ka theksuar se Shqipëria është gati për zbatimin e një plani të përbashkët për zhvillimin e bazës detare për Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Ndërkaq baza ajrore e Kuçovës do të jetë gati së shpejti, sipas projektit të hartuar nga NATO, një investim ky që kap vlerën e 50 milionë eurove./atsh

NATO flet me ATSH për bazën detare të Pashalimanit Read More »

Kosova hap kufirin me Shqipërinë, nuk ka më vetizolim për 7 ditë dhe as test anti- COVID

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që duke nisur që nga dita e nesërme qytetarët që hyjnë në Republikën e Kosovës nga cili do shtet të mos i nënshtrohen masës së vetizolimit për 7 ditë.

Kurse, në vend të testimit të obliguar për CODID-19, për ata që hyjnë, do të jetë masa e kontrollit nga ekipet mjekësore të QKMF-ve, të vendosura në pikat kufitare apo edhe në vet QKMF-të brenda komunave.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se situata epidemiologjike është e qëndrueshme, por me rritje të lehtë të rasteve gjatë javëve të fundit në disa komuna si rezultat i moszbatimit të rekomandimeve nga një numër i qytetarëve.

“Kontrollin e detajuar mjekësor për të gjithë udhëtarët që hyjnë në Republikën e Kosovës, duke marrë shënime të sakta të vendqëndrimit në Kosovë, adresa dhe numri i telefonit për përcjelljen e gjendjes së tyre klinike nga QKMF-të e komunave përkatëse. Kontrolli i detajuar kryhet sipas udhëzuesve të OBSH-së, që konsiston në matjen e temperaturës, shenjat dhe simptomat klinike, si dhe kontaktet eventuale të dy javëve të fundit me persona pozitiv ose të dyshimtë me COVID-19. Bazuar në këto rekomandime që nga dita e hënë 8 qershor 2020 propozoj që qytetarët të cilët hyjnë në Republikën e Kosovës nuk do t’i nënshtrohen masës së vetizolimit shtëpiak 7 ditor. Ndërsa, në vend të testimit të obliguar për COVID-19 për ata që hyjnë do të jetë masa e kontrollit nga ekipet mjekësore të vendosura në pikat kufitare apo edhe në QKMF-të nëpër komuna”, tha ai.

Zemaj tha se bazuar në situatën epidemiologjike, MSH do të mundësojë liri të plotë të lëvizjes e qarkullimit të qytetarëve dhe mallrave nga të gjitha pikat kufitare.

Po ashtu, ai bëri të ditur se qysh nga nesër do të hiqet edhe kufizimi i lëvizjes nga ora 21 deri në orën 5 të mëngjesit.

I pari i Shëndetësisë kërkoi që të zbatohen me përpikëri rekomandimet duke qenë se ende nuk ka kaluar rreziku dhe shfaqja e rasteve të reja si pasojë e moskujdesit, sipas tij mund ta mbingarkojë sistemin shëndetësor me pasoja të paparashikuara që do të çonin në rritje të numrit të rasteve dhe rrezik për jetën e qytetarëve.

Ai tha se kërkojnë nga qytetarët, bizneset, gastronomia dhe sektorët e tjerë që në mënyrë strikte të respektojnë masat me qëllim që të shkohet para me lehtësime të tjera.

Ndërkaq, ministri i Punës Skender Reçiça, ka kritikuar bashkëpunimin mes Kosovës dhe Shqipërisë, ku tha se bashkëpunimi mes dy vendeve gjatë kësaj periudhe është për çdo kritikë.

Bashkëpunimi i këtyre muajve të fundit është për çdo kritikë, është diçka që nuk guxon të përsëritet edhe një herë të vetme, e as edhe një rrethanë të vetme. Tirana për Prishtinën është si Prizreni për Gjilanin, sikur që Prishtina për Tiranën duhet të jetë si Vlora dhe Shkodra. E kuptoj faktin që pandemia kërkon disiplinë, kërkon respektim të masave mbrojtëse dhe e kuptoj faktin që mund të karantinohet Ferizaj, Prishtina, Vlora, Korça, por assesi të mbyllen dhe të izolohen mes vete mes Prishtinës dhe Tiranës. Kujdes po, disiplinë po, por jo izolim dhe mos komunikim pa nevojë. Më e pakta që mund të bëjmë është që sot të miratojmë këtë vendim”, tha ai.

Ministri Zemaj tha se Inspektorati Sanitar i AUVK-së dhe Inspektoratet komunale duhet patjetër të zbatojnë Ligjin për Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse dhe të merren masa përgjegjësie në rast të mos zbatimit eventual të rekomandimeve të Institutit Kombëtar.

Kryeministri Avdullah Hoti, ka kërkuar që deri më 12 qershor MSH të miratojë manualin për mbrojtje nga përhapja e COVID-19 dhe të rekrutohen 200 specialistë shëndetësor që do të mbikëqyrin zbatimin e manualit.

“Deri më 12 qershor 2020 MSH të miratojë manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19, ku specifikohen të gjitha detajet për mënyrën e organizimit të punës në të gjitha bizneset private dhe ndërmarrjet publike, në institucionet publike dhe në çdo veprimtari tjetër publike. Pastaj pika katër të jetë, në përputhje me ligjet përkatëse MSH autorizohet që të nis procedurat për rekrutimin e 200 specialistëve shëndetësor që do të mbikëqyrin zbatimin e manualit sipas pikës paraprake gjatë gjithë periudhës sa jemi në këtë epidemi”, tha ai.

Kurse, zëvendëskryeministri Besnik Tahiri, ka kërkuar që të ketë lehtësira për sektorin e gastronomisë.

“Me e pas një raport se si kishim mundur të veprojmë tutje edhe për kërkesat që i kemi nga sektori i gastronomisë për ngjarjet më të mëdha në këtë fushë, për shkak që mendoj që jeta praktike ka filluar të ndodh, unë sot isha në një prej qendrave tregtare dhe aty ishte plotë, jeta veç ka filluar të ec gjithmonë duke e pasur ndjeshmërinë për situatën, për shëndetin publik, por në të njëjtën kohë duke e pasur përgjegjësinë mbi detyrat që i kemi në raport me funksionimin në veçanti të sektorit privat dhe të sektorit të gastronomisë. Është mirë që në mbledhjen e ardhshme me pas një raport dhe nëse ka hapësirë me e marr një vendim për lehtësim të plotë”, ka deklaruar Tahiri.

Në anën tjetër, ministri i Infrastrukturës Arban Abrashi, ka kërkuar që të fillojë konsultimet për rifillim të transportit ajror.

“Me lejen e juaj unë kisha filluar konsultimet me Autoritetin Civil Ajror, me ministrinë e Shëndetësisë, gjithashtu kompanitë ajrore të shikojmë mundësitë e rifillimit të transportit ajror sa më shpejt në Kosovë, gjithsesi edhe gjithmonë duke i respektuar masat COVID-19. Kjo do të bëhet gjithashtu duke marrë parasysh edhe standardet e BE-së. Ajo çka kërkoj sot është të fillojmë këto negociata që t’i shohim edhe praktikat e aeroporteve tjera”, tha ai./KosovaPress/

Kosova hap kufirin me Shqipërinë, nuk ka më vetizolim për 7 ditë dhe as test anti- COVID Read More »