Aktualitet

“Shqipëria, perla e fshehur e botës”/ Meta merr pjesë në “Mëngjesin e Lutjeve” të organizuar nën kujdesin e Kongresit Amerikan

Presidenti Ilir Meta mori pjesë sot në takimin tradicional të Mëngjesit të Lutjeve të organizuar nëpërmjet një videokonference nën kujdesin e veçantë të Kongresit Amerikan.

Në këtë takim merrnin pjesë edhe përfaqësues të lartë shtetërorë dhe personalitete politike e fetare nga SHBA dhe nga vende të ndryshme të botës.

Organizatorët e këtij takimi, kongresmenët Robert Aderhold dhe John Moolinar veçuan në mesazhet e tyre të lutjes jo vetëm bashkëjetesën dhe harmoninë tonë ndërfetare, por edhe bukuritë natyrore të Shqipërisë, duke e quajtur atë si “perla e fshehur e botës”.

Ata u lutën për mikpritjen e popullit shqiptar dhe zhvillimin e vendin tonë veçanërisht pas periudhës së vështirë të pandemisë COVID-19.

Kongresmeni Joe Wilson nënvizoi rëndësinë e një rajoni të qetë, me harmoni e paqe mes popujve, me një zhvillim të qëndrueshëm, si dhe rolin e rëndësishëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve në këtë proces të rëndësishëm.

Edhe guvernatori David Beasley, CEO i Programit Botëror të Ushqimit dhe mik i popullit shqiptar mori pjesë në këtë aktivitet të rëndësishëm.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe lutjet e miqve amerikanë dhe atyre të vendeve të tjera të botës, për Shqipërinë, shqiptarët dhe rajonin.

Kreu i Shtetit nënvizoi se “pavarësisht vështirësive që shkaktoi kjo pandemi asgjë nuk mund të mposhtë shpresën e besimin. Ndonëse Shqipëria u përball me dy fatkeqësi, tërmetin e nëntorit 2019 dhe COVID-19 ne po rimëkëmbemi falë edhe shpresës, besimit dhe ndjenjës së unitetit kombëtar që populli shqiptar ka në zemrën e tij”, tha ai.

Presidenti Meta shprehu besimin për kohë më të mira për Shqipërinë, rajonin dhe gjithë botën, duke i ftuar bashkëbiseduesit e këtij Mëngjesi Lutjeje të vizitojnë Shqipërinë në të ardhmen dhe të shijojnë bukuritë e saj./atsh

“Shqipëria, perla e fshehur e botës”/ Meta merr pjesë në “Mëngjesin e Lutjeve” të organizuar nën kujdesin e Kongresit Amerikan Read More »

Lidhja Shqiptare e Prizrenit përkujtuar në dy monedha numizmatike

Banka e Shqipërisë e ka përkujtuar përmes dy monedhave numizmatike, emetuar në vitin 2013, themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në 10 Qershor 1878.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar, duke i paraprirë pavarësimit të trojeve shqiptare nga Perandoria Osmane.
Tematika e kësaj ngjarje historike, është pasqyruar në monedhën metalike, prerja 50 Lekë, me tematikë “135-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, pa kurs ligjor.

Ana e përparme: Në qendër të monedhës është shtëpia muze ku është mbajtur Kuvendi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e gërshetuar me vlerën emërore të stilizuar “50 Lekë”. Në të majtë dhe në të djathtë të monedhës ka dy pllakëza, të cilat e ndajnë atë në mënyrë simetrike. Mbi to janë shkruar në altoreliev vitet “1878” dhe “2013”.

Në të gjithë harkun e monedhës ka të shkruar “135-VJETORI I LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT”.
Ana e prapme: Në qendër ka shqiponjën e Kastriotëve në konfigurim identik me atë të kohës. Poshtë saj është vendosur një shqiponjë e stilizuar në stil modern. Në harkun e dytë sipër ka të shkruar “SHQIPËRI-ALBANIA“, poshtë ka të shkruar vitin e prodhimit të monedhës “2013”.

Monedhat janë prodhuar nga kompania “Sunshine Minting Inc.”, SHBA./atsh

Lidhja Shqiptare e Prizrenit përkujtuar në dy monedha numizmatike Read More »

13 vite nga vizita e Presidentit Bush në Shqipëri/ Meta: Një nga ngjarjet më të rëndësishme në marrëdhëniet me SHBA-në

Presidenti Ilir Meta vlerësoi sot se “vizita e Presidentit të SHBA, George W. Bush, 13 vite më parë, shënon një nga ngjarjet më të rëndësishme në marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara”.

Në përvjetorin e kësaj ngjarjeje, Meta tha se “ne kemi shumë arsye për të qenë krenarë për bashkëpunimin e shkëlqyer, tashmë të një partneriteti strategjik me SHBA, sepse me këtë vizitë të Presidentit amerikan, jo vetëm u vulos anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, por edhe Kosova u shpall shtet i pavarur dhe sovran brenda kufijve të saj të njohura ndërkombëtarisht”.

Presidenti theksoi se “anëtarësimi në aleancën më të madhe e të suksesshme politiko-ushtarake që ka njohur bota, garantoi lirinë e vendit, dhe përmbushi një aspiratë mbarëpopullore për të cilën janë sakrifikuar mijëra shqiptarë”.

“Pavarësia e Kosovës, jo vetëm korrigjoi gabimet historike të së kaluarës, duke i dhënë të drejtën popullit të saj të jetojë i lirë e i pavarur në vendin e vet, por dhe forcoi në mënyrë thelbësore sigurinë e stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, tha ai.

Meta tha se “Shqipëria dhe populli shqiptar falënderojnë me këtë rast përzemërsisht Presidentin Bush, dhe do t’i jenë përherë mirënjohëse Shteteve të Bashkuara dhe popullit amerikan për frymëzimin dhe mbështetjen e pazëvendësueshme në rrugëtimin europian, por dhe mësim se sa të shtrenjta janë sot liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, demokracia, pluralizmi dhe sovraniteti, përballë përpjekjeve dhe qëllimeve sfiduese antivlerë të aktorëve lokalë, rajonalë dhe globalë”./atsh

13 vite nga vizita e Presidentit Bush në Shqipëri/ Meta: Një nga ngjarjet më të rëndësishme në marrëdhëniet me SHBA-në Read More »

Restaurohet piktura murale në Xhaminë e Et’hem Beut, Margariti: Një arsye më shumë për të vizituar këtë monument të rrallë

Pas një pune disamujore ka përfunduar restaurimi i pikturës murale në Xhaminë e Et’hem Beut, në Tiranë.

Lajmin e bëri të ditur sot ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila deklaroi se “kjo është një arsye më shumë për të vizituar këtë monument të rrallë”.

“Pas heqjes së skelerisë ka dalë në dritë piktura e mrekullueshme murale e Xhamisë së Et’hem Beut, në Tiranë. Një punë disamujore, që kërkon përqendrim e vullnet, e realizuar në mbi 300 metra katrorë sipërfaqe nga grupi i palodhur i restauratorëve Andi Spahia, Fatmir Carkanji (ndihmësrestaurator) nën drejtimin e Adrian Çenes”, tha Margariti.

Xhamia e Et’hem Beut në Tiranë, po i nënshtrohet një ndërhyrjeje tërësore, financuar nga Agjencia Turke e Bashkëpunimit dhe Koordinimit, TIKA.

Xhamia e Haxhi Et’hem Beut, është një xhami e ndërtuar në Shqipëri nga Mulla Beu, nga Petrela, rreth fundit të shekullit të tetëmbëdhjetë.

Mbi derën e parë të xhamisë edhe sot e kësaj dite gjendet një rrasë, në të cilën vërtetohet që kjo xhami u ndërtua nga Mulla Beu, një njëri i pasur tiranas, i cili me qëllim bamirësie i hodhi themelet e para të kësaj xhamie më 1791,/atsh

Restaurohet piktura murale në Xhaminë e Et’hem Beut, Margariti: Një arsye më shumë për të vizituar këtë monument të rrallë Read More »

Reforma Zgjedhore/ Duhet të kemi konsensusin edhe të opozitës parlamentare të votojë një marrëveshje që PS nuk e donte

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, pas një takimi në Kryesinë e Kuvendit me deputetë të opozitës parlamentare, se nuk ka arritur t’i bindë që të votojë Reformën Zgjedhore në Kuvend, por diskutimet vazhdojnë.

“Në fakt unë i mirëkuptoj përfaqësuesit e opozitës parlamentare. Ndjehen të përjashtuar, të fyer, për faktin që pasi janë denigruar dhe janë fyer në mënyrë sistematike nga ata që i kanë sjellë në parlament me firmat e tyre, gjenden përpara nevojës për të respektuar një marrëveshje që e konsiderojnë absolutisht të padenjë, dhe mbi të gjitha detyruese, nga jashtë parlamentit, për parlamentin. Megjithatë, ajo që mendoj se është e rëndësishme është se do të vazhdojmë të diskutojmë. Më vjen keq që dëgjova akuza edhe për tentativa blerjeje apo influenca jo korrekte mbi deputetët. Akuzat ishin në bllok për ata që janë jashtë, por edhe në adresën tonë”, tha Rama.

Ai theksoi se “i siguroj deputetët se ne nuk do të shkojmë në rrugën e një zgjidhjeje ku thjesht dhe vetëm do të kërkojmë aritmetikën, por do të shkojmë në rrugën e një diskutimi për të krijuar kushtet e një dakordësie”.

Rama tha se “qasja për të gjetur një marrëveshje lehtësuese dhe sa më qetësuese për kryetarin e opozitës, që e ka kronike frikën nga zgjedhjet, kishte synimin që të krijojë kushtet që të gjithë të jenë të përfshirë dhe të gatshëm që të hyjnë në ballafaqim me zgjedhësit”.

“Unë e kuptoj shumë mirë se ka një opinion të gjerë që e mendon se hapja e listave ka një efekt çudibërës mbi procesin demokratik. Unë nuk e besoj këtë, sepse mendoj se nuk ka ndonjë sistem, ndër sistemet zgjedhore, më demokratik se tjetri. Përfytyroni që këta njerëz që janë sot në parlament vijnë nga listat e PD-së dhe simotrës së vet të vogël LSI-së, dhe nëse lista do të ishte e hapur zgjedhja do ishte mes këtyre që janë këtu dhe atyre që ikën. Kjo do të ishte adresa e votës”, tha Rama.

Ai theksoi se “diskutimi është legjitim dhe do ta bëjmë këtë diskutim”.

“Kjo reformë duhej bërë më parë, duhej bërë me 2 shkallë dhe duhej garantuar marrëveshja për Kodin, pastaj ne jemi të hapur për të diskutuar dhe propozimet e tyre”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “me këtë Kod ne nuk shkojmë dot në zgjedhje, sepse sidoqoftë ka nevojë për disa ndërhyrje, ku kryesorja është që duhet të ndërhyjmë në Kod minimumi për të garantuar instancën e ankimimit, që faktikisht sot ka rënë”.

Për këtë arsye, Rama tha se “duhet të kemi edhe konsensusin e opozitës parlamentare”.

Rama tha se “ne kemi dakordësuar një marrëveshje për Reformën Zgjedhore dhe ajo nuk është marrëveshja që unë dhe PS do të donim”.

“Por duke qenë se synimi kryesor i asaj tryeze ishte gjithëpërfshirja dhe hapja e një rruge dialogu dhe krijimi i mundësive dhe garancive për opozitën joparlamentare që ka një problem, një psikozë të pangushëllueshme për zgjedhjet, atëherë ne pranuam që mbasi topi shkoi në fushën e Bashës dhe nuk po dukej gjëkundi, t’i themi ‘bëje si do ti’. Natyrisht ishte surprizë për të gjithë, kur tha se më e mira është kjo që kemi. Se, për çfarë ndodhën gjithë këto dhe u bë gjithë ky zinxhir çudirash, bëmash, krisjesh dhe jemi në këto kushte?” – tha Rama.

Ai tha se “ne duam që opozita parlamentare të kuptojë se ne jemi palë në atë marrëveshje dhe që ne nuk jemi këtu për ta vënë në diskutim dhe për ta përmbysur, por për ta kaluar”.

“Kuptohet se ne gjendemi mes dy zjarreve, sepse nga njëra anë kemi këtë marrëveshje dhe nga ana tjetër nevojën e votimit në parlament që kërkon më shumë vota sesa ne kemi”, tha Rama.

“Për ne, depolitizimi është një hap i madh para dhe absolutisht që do të ishte shumë më e lehtë sot edhe me këta që janë këtu nëse ne do të kishim depolitizim, sepse këta kanë të drejtë se thonë që sistemi i komisioneve partiake nuk i garanton aq dhe si duhet forcat më të vogla”, tha Rama.

Ai theksoi se ku ka vullnet ka gjithmonë një zgjidhje dhe do të përpiqemi të gjejmë një zgjidhje me dinjitet dhe të bëjmë të gjithë një sforco që të flasim më shumë me njëri- tjetrin.

Rama tha se “duhej ta merrte në konsideratë të futej edhe Basha në këtë proces, të bënte komunikim me ta, që i ka futur këtu në Parlament, pasi nuk është mëkat të bashkojmë forcat për të dhënë zgjidhje”.

“Por nëse i thashë Bashës bëj si të duash, po t’i them edhe Murrizit bëj si të duash, i bie të kemi dy kode, dy sisteme dhe dy shtete të ndryshme ku zhvillohen dy palë zgjedhje të ndryshme. Me gjithë respektin për Murrizin, unë dhe ata që janë në parlament i respektoj, edhe pse ka ndonjë profil karagjozi, por nuk është risi se nuk është se i kanë munguar parlamentit këta lloj. Mbi të gjitha nuk shoh ndonjë dallim të madh nga pikëpamja intelektuale mes atyre që ikën dhe këtyre këtu. Këtu ka më shumë zëra, pasi nuk ka një forcë të organizuar që përcakton qëndrimin. Këtu është një larmi njerëzish që janë bashkuar në këtë pikë, sepse nuk votojnë më ligje që lidhen me arsyen jashtë vetes, por një ligj që lidhet me veten e tyre. Mua më gjeti halli të gjej zgjidhjen mes Lulit dhe Myslymit”, tha Rama.

Duke folur për takimin për Reformën Zgjedhore në selinë e Ambasadës amerikane, Rama tha se “duke qenë se edhe takimin Luli e donte në një tokë neutrale, menduam se toka më e sigurt për Lulin është toka e SHBA-së, dhe ja dhamë edhe këtë mundësi që të lehtësonim frikën e tij”. /atsh

Reforma Zgjedhore/ Duhet të kemi konsensusin edhe të opozitës parlamentare të votojë një marrëveshje që PS nuk e donte Read More »

Shqipëria, përgjigje spektakolare nga tregjet e kapitaleve për Eurobondin/ Gati të vëmë në lëvizje planin kombëtar “Shqipëria 2030”

“Kemi marrë dje një lajm shumë të mirë nga tregjet e kapitaleve dhe fakti është që kemi arritur një rezultat që na inkurajon jashtëzakonisht shumë dhe që garanton planin e ri kombëtar “Shqipëria 2030”, për një transformim të mëtejshëm ekonomik dhe social duke adresuar rindërtimin, rimëkëmbjen, sepse Shqipëria, ndryshe nga vendet e tjera, del nga dy goditje njëra pas tjetrës, si dhe ambicien tonë për një shtysë të fortë përpara të ekonomisë dhe punësimit në vitet e ardhshme”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministren e Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj dhe ministrin e Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj.

Kreu i Qeverisë u shpreh se “sapo të jemi gati, në javët në vijim do të paraqitet plani i ri kombëtar, që nuk do të jetë program zhvillimi në letër, aq më pak një strategji në një dokument që duhet përkthyer pastaj në masa, por do të jetë një plan veprimi i kalendarizuar në afat të shkurtër, të mesëm dhe të gjatë”.

“Ajo që ka ndodhur dje me Shqipërinë në tregjet e kapitaleve është faktikisht ajo që ndodh me çdo vend kur del në tregjet e kapitaleve, që merr vlerësimin për situatën në aspektin e të gjithë parametrave ekonomikë. Po ashtu është shumë e rëndësishme të nënvizohet se merr vlerësimin lidhur me riskun”, – theksoi Rama./atsh

Shqipëria, përgjigje spektakolare nga tregjet e kapitaleve për Eurobondin/ Gati të vëmë në lëvizje planin kombëtar “Shqipëria 2030” Read More »

Biznesi i vogël do jetë “filtri” i biznesit të madh

Kryeministri Edi Rama tha sot se do të hiqet Tatimfitimi dhe TVSH për biznesin e vogël, dhe biznesi i vogël do jetë “filtri” i biznesit të madh.

Këtë deklaratë Kryeministri Edi Rama e bëri sot në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministren e Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj dhe ministrin e Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, në lidhje me çështjen e Eurobondit.

Ai tha se “nëse dje ne do kishim marrë jo këtë rezultat, por do kishim marrë rezultatin që morën ata që neve na thonë se dje dështuam kur ishin këtu ku jemi ne, unë nuk do ta thosha këtë sot”.

Rama shtoi se “ajo që kemi marrë dje nga tregjet është mundësia jonë për të zgjeruar bazën tonë të financimit dhe të investimeve. Pse nuk e thamë që në fillim bashkë të dyja: edhe Tatimfitimin dhe TVSH, për arsye të llogarive, se janë të gjitha llogari, pra llogari të bëra me aritmetikën që kemi mësuar të gjithë në shkollë, jo me aritmetikën që rruga drejt ngjitjes në karrierë kalon nga 7×7=42”.

“E dyta, sigurisht që heqja e taksës së Tatimfitimit dhe TVSH komplet nga ‘shpatullat’ e biznesit të vogël, nuk do të thotë nxjerrjen e biznesit të vogël nga sistemi, do të thotë riaxhustim i sistemit dhe detyrimi i biznesit të vogël për të qenë rrjeti më i madh dhe më i besueshëm i “inspektorëve të shtetit” në raport me biznesin e madh. Pra, kjo do të shoqërohet me një sistem i cili nuk përjashton absolutisht fiskalizimin, biznes-biznes. Që do të thotë, hapi i parë i fiskalizimit, pra i gjithë digjitalizimit të marrëdhënieve dhe transaksioneve, do jetë biznes-biznes, nuk do jetë qytetar-biznes-viznes-qytetar; që do të thotë që biznesi i vogël nuk do të jetë më si ato kutitë kineze apo kukullat ruse që hap një, del një tjetër, hap një, del një tjetër, duke u përdorur nga biznesi i madh, por do të jetë ‘filtri’ për të parë gjithë lëvizjet e biznesit të madh. Pra, në këtë aspekt është një sistem i tërë që duhet ngritur, por principi është ky. Sot e thashë këtë, jo se e lançova sot, kjo do lançohet në planin e madh zyrtarisht, por e thashë si shembull”, tha ai.

“Tatimfitimi dhe TVSH, ajo që humbasim nuk është e vogël për buxhetin sot, por nuk është humbje për atë që fitojnë punëkrijuesit në Shqipëri dhe nuk mund të quhet humbje”, tha Rama./atsh

Biznesi i vogël do jetë “filtri” i biznesit të madh Read More »

“Shqipëria 2030”/ Dixhitalizim i mësimdhënies, financim arsimimit të fëmijëve në fshatrat më të largëta

Plani i rimëkëmbjes “Shqipëria 2030” ka një kolonë të tërë me politika sociale që do të nisin të zbatohen.

“Ne me fakte, me shifra jemi pa diskutim mazhoranca që kemi paketën më të zgjeruar sociale krahasuar me të shkuarën, por krahasuar me ku duam të shkojmë është e pamjaftueshme, dhe ne këtë e dimë shumë mirë”, tha Kryeministri Rama gjatë një konference për shtyp.

Kryeministri u shpreh se pikërisht këtë mbështetje sociale duam të zgjerojmë përmes planit të rimëkëmbjes që na e mundëson në mënyrë komode edhe Eurobondi i siguruar një ditë më parë.

Rama tha se nga analiza që po bëjmë për periudhën e mbylljes për shkak të COVID-19, kemi mësuar gjëra të rëndësishme, siç është mundësia për të ristrukturuar mësimdhënien dixhitale.

“Kemi mësuar nga periudha e mbylljes se sa shumë mund të bëjmë dhe si mund ta bëjmë të strukturuar në fushën e arsimit marrëdhënien e mësimdhënies dixhitale, si mund të zgjidhim përfundimisht problemin e klasave kolektive, që është një sëmundje e vjetër që ne kemi filluar ta operojmë, por hap pas hapi, duke i mbyllur përfundimisht, por ama duke u dhënë fëmijëve që shkojnë në ato klasa cilësinë më të lartë të mësimit. Duke i mbledhur ata në shkollë, jo më për të marrë mësime të gjithë bashkë nga klasa e parë në të nëntën në një dhomë, por për të bërë aktivitete të tjera së bashku, ndërkohë që mësimet i marrin nga mësuesit më të mirë të Shqipërisë në rrugë dixhitale”, u shpreh Kryeministri.

Por tha ai, për këtë duhet të financojmë arsimimin e tyre në fshatrat më të largëta, jo thjesht duke ia lënë në dorë fatin e arsimimit të tyre smartfonëve, edhe pse, tha Rama më tej, e dhëna e mësimdhënies dixhitale gjatë mbylljes ishte e jashtëzakonshme, nga pikëpamja e numrit të nxënësve që patën akses./atsh

“Shqipëria 2030”/ Dixhitalizim i mësimdhënies, financim arsimimit të fëmijëve në fshatrat më të largëta Read More »