Aktualitet

Të premten çarterat e parë me turistë, Klosi: Vëmendje e shtuar ndaj grumbullimeve që përhapin infeksionin

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, deklaroi sot se “me fillimin e sezonit turistik në zonat e bregdetit, por edhe në gjithë Shqipërinë do të nisë një aksion i madh pastrimi nën drejtimin e prefektëve për të stabilizuar situatën e këtyre tre muajve sidomos në zonat turistike”.

Në fjalën e tij në takimin e parë të komitetit drejtues të menaxhimit të sezonit turistik, Klosi theksoi se “detyrat e menaxhuara nga prefektët duke administruar të gjithë forcat reale që ka çdo qark, situatën e pastrimit në një operacion të madh pastrimi me përfshirjen e të gjithë faktorët nën drejtimin e pushtetit vendor dhe institucionet të tjera dhe natyrisht me pjesëmarrjen e shoqërisë civile për të bërë një operacion në muajin qershor nga veriu në jug dhe të ketë një fokus më të madh në zonat dhe stacionet që të shndërrojmë këtë situatë në një situatë të pranueshme për vitin turistik 2020”.

“Kemi një situatë të kontrolluar në plazhe, por sa del në akset kryesore rrugore, sa kalon në rrugët dytësore që bashkojnë akset kryesore me zonat e plazhit kemi një situatë të papranueshme. Na duhet prezencë e institucioneve”, – tha Klosi.

Ministri u shpreh se “na kërkohet në kuadër të masave ndarja e stacioneve të plazhit. Është një situatë e ndryshme, sa i përket dhe situatës me koronën që ka të bëjë me ruajtjen e sa më shumë hapësirave publike dhe evitimin e grumbullimeve. Nga 3300 stacioneve plazhi ka vetëm 800 aplikime në e-albania, ndaj duhet të nxisim operatorët privatë”.

Ai kërkoi vendosjen e tualeteve dhe dusheve në stacionet e plazhit.

“Duke shpresuar se do kemi një sezon të menaxhuar normal 2020, duke ju kërkuar dhe njëherë vëmendje për ato që përmenda dhe detyra të çdo dite që do kalojmë në sezonin turistik ju kërkoj që të jemi shumë aktivë në këtë mbledhje të sotme për të pasur mundësi të ngremë piketat që të zgjidhim shumë problematika. Ditën e premte fillojnë charter-at e parë, janë shumë pak në krahasim me vitin e kaluar por që janë sinjali i parë që po zgjerohet jeta turistike. Ju kërkoj që ky vit të jetë një vit shumë më tepër i rakorduar dhe i stabilizuar dhe nga pikëpamja e komunikimit”, u shpreh Klosi.

Sipas tij, ky vit nuk është normal turistik për Shqipërinë. “Do të duhej të ishte viti më i suksesshëm për turizmin shqiptar, por situata e pandemisë na ka detyruar që marrim masa të veçanta për të trajtuar këtë situatë”, tha Klosi.

“Akoma jemi në një situatë që kërkon shumë vëmendje, nga të gjithë operatorët turistikë, por sidomos nga institucionet shtetërore që kanë detyrën të menaxhojnë këtë situatë. Situata na bën që të jemi më shumë rigorozë në ndarjen e detyrave dhe problematikat që ka sezoni i vitit 2020. Padyshim prezenca edhe e ministrit Lleshaj dëshmon edhe njëherë gatishmërinë e institucioneve të shtetit shqiptar, Kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij, për të pasur një sezon të mirë turistik, edhe pse i vështirë. Do të duhet të garantojmë dy masa shumë të rëndësishme. E para sigurinë e jetës së qytetarëve në këtë situatë të vështirë duke garantuar higjienë, pastërti, zbatimin e rregullave të koronës dhe po ashtu një vëmendje të madhe sa i përket aktiviteteve, të cilat mund të shtojnë përhapjen e virusit”, – tha Klosi.

Ministri Klosi theksoi se “e dyta po aq e rëndësishme është zbatimi i detyrave që ne tashmë i kemi bërë pjesë të punës sonë, sigurinë e jetës së qytetarëve sa i përket ruajtjes së plazhit, ruajtjes së aktiviteteve në det nga mjetet e shpejtësisë dhe natyrisht respektimin e rregullave të reja që kanë të bëjnë me stacionet e plazheve dhe menaxhimin e tyre”./atsh

Të premten çarterat e parë me turistë, Klosi: Vëmendje e shtuar ndaj grumbullimeve që përhapin infeksionin Read More »

Regjistrimi fillestar i pronës/Procedura që ndiqet dhe fazat e aplikimit

Pas një pune përgatitore prej disa muajsh, Kadastra Shqiptare ka hapur zyrtarisht procesin e regjistrimit fillestar në 8 zonat kadastrale të bregdetit të jugut.

Ligji “Për Kadastrën” në nenin 30 të tij përcakton qartë mënyrën se si kryhet regjistrimi fillestar i pronës.

Sipas ligjit, regjistrimi fillestar bëhet për një zonë kadastrale të identifikuar nga drejtoria vendore.

Regjistrimi fillestar konsiston në pasqyrimin e çdo pasurie të paluajtshme shtetërore, publike dhe private të zonës kadastrale, në kartelën përkatëse të pasurisë dhe në hartën kadastrale të zonës.

Ky produkt i nënshtrohet afishimit publik 45-ditor, ku banorët dhe titullmbajtësit verifikojnë të dhënat e pasurive të tyre, si mbajtja e ankesave përkatëse. Pas përfundimit të afishimit publik trajtohen ankesat përkatëse dhe kthim përgjigje. Më pas vijohet me ngarkimin në sistemin digjital të pasurive të paluajtshme të produktit përfundimtar.

Drejtuesi i drejtorisë vendore, një person ose çdo grup i ngarkuar nga Drejtori i Përgjithshëm kërkojnë që pronësia, si dhe kufijtë e çdo pasurie që duhet regjistruar, të dokumentohen në bazë të akteve të fitimit të pronësisë, sipas nenit 193 të Kodit Civil.

Individët, familjet dhe personat juridikë privatë apo shtetërorë, që zotërojnë dokumente pronësie, por nuk kanë të përcaktuar në to sipërfaqen, duhet t’i paraqesin regjistruesit një kërkesë për regjistrim pronësie, e cila duhet të shoqërohet me: dokumentin e pronësisë; dokumentacionin hartografik për pasurinë, i cili miratohet nga ASHK-ja; deklaratën noteriale të pronarëve kufitarë, që vërtetojnë përmbajtjen e kërkesës për kufijtë e pasurisë që pretendohet të regjistrohet.

Nëse deklarata noteriale nuk mund të sigurohet, apo ka mosmarrëveshje për kufirin e pasurive, ai përcaktohet nga ASHK-ja. Palët e interesuara kanë të drejtën e ankimit gjyqësor ndaj aktit të ASHK-së që përcakton kufirin. Drejtoria vendore, brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës, duhet t’i kthejë përgjigje kërkuesit. Kundër vendimit të drejtorisë vendore ose në mungesë të përgjigjes brenda afatit, kërkuesi mund të ankohet në gjykatë. Në procesin gjyqësor gjykata thërret të gjithë pronarët, pronat e të cilëve janë kufitare me njëra-tjetrën e të cilët kanë interes të ligjshëm për gjykim.

Kur sipërfaqja që posedohet dhe ekziston efektivisht në terren, është më e vogël se ajo e përcaktuar në titullin e pronësisë, drejtoria vendore regjistron pronësinë vetëm për sipërfaqen që rezulton efektivisht.

Nëse nga pozicioni i pasurisë rezulton se sipërfaqja që do t’i takonte titullarit është zënë nga prona publike të ndërtuara pas krijimit të titullit të pronësisë private dhe subjekti nuk është shpërblyer sipas legjislacionit për shpronësimin për interes publik, ASHK-ja njofton organin shtetëror përgjegjës për procedurën e shpronësimit, që të kryejë procedurat përkatëse të kompensimit. Në çdo rast, procedura e regjistrimit nuk pezullohet.

Për pasqyrimin e saktë hartografik të pasurive, ASHK-ja shfrytëzon produktin e fotografimit ajror të Republikës së Shqipërisë. Për çdo pasuri të identifikuar nga verifikimi në terren dhe që gjendet në hartën e re kadastrale, krijohet praktika e pronësisë me dokumentacionin që parashikohet në këtë ligj.

Procedura e regjistrimit fillestar fillon me vendim të drejtuesit të zyrës vendore ose me vendim të Drejtorit të Përgjithshëm.

Mbledhja dhe organizimi i të dhënave, në funksion të procedurave të regjistrimit fillestar dhe të përmirësimit, kryhet nga: vetë ASHK-ja nëpërmjet strukturave dhe personelit të saj; subjekte të treta, të kontraktuara nga ASHK-ja, në përputhje me rregullat e legjislacionit “Për prokurimin publik”; ose njësitë e vetëqeverisjes vendore mbi bazën e marrëveshjeve të miratuara nga këshilli drejtues i ASHK-së.

Kreu i Kadastrës, Artan Lame ka sqaruar se ky proces do të trajtojë rreth 16.500 pasuri private, kryesisht toka të përfituara me AMTP (përmes ligjit 7501/1991), shtëpitë e vjetra tradicionale, objekte në proces legalizimi, prona të vjetra, objekte të privatizuara, etj.
Gjithashtu, procesi do të trajtojë edhe rreth 5200 pasuri shtetërore, kryesisht prona të institucioneve publike, vepra infrastrukture, kullota, pyje, etj. Prej tij do të përfitojnë rreth 8000 banorë, rezidentë apo të emigruar të këtyre zonave.

Regjistrimi fillestar do të kryhet në 8 zonat kadastrale të bregdetit të Jugut dhe konkretisht:

ZK.2863 – Palasë,
ZK.1481 – Dhërmi,
ZK.3844 – Vuno,
ZK.2518 – Lukovë,
ZK.1739 – Gjilekë,
ZK.1982 – Ilias,
ZK.1952 – Himarë,
ZK.2806 – Nivicë./atsh

Regjistrimi fillestar i pronës/Procedura që ndiqet dhe fazat e aplikimit Read More »

“Rritja e rasteve me COVID-19, e justifikuar nga hapja”/ Mjeku Pipero për ATSH-në: Virusi në qarkullim, qytetarët të kenë kujdes si në fillimet e epidemisë

Sot në ditën me numrin më të lartë të rasteve të reja, mjeku infeksionist Pëllumb Pipero, i bën apel qytetarëve të jenë të ndërgjegjshëm, pasi virusi vazhdon të qarkullojë edhe pse me virulencë të rënë dhe me transmetueshmëri të ulët.

Lidhur me numrin e lartë të 42 rasteve në 24 orët e fundit në vendin tonë, mjeku Pipero në një intervistë për ATSH-në thekson se “lehtësimi dhe heqja totalisht e masave kufizuese, shtimi i aktiviteteve ekonomike, hapja e bareve, restoranteve, e hoteleve ka një rol të rëndësishëm dhe në këtë aspekt pritej shtimi i numrit të rasteve pozitivë”.

“Së dyti, është edhe hapja e aktiviteteve të tjera ekonomike që gjithashtu e shtonte mundësinë për të patur një numër të shtuar. Koincidoi që krahas me hapjen apo me heqjen e masave kufizuese pati edhe protesta, madje edhe mitingje, të cilat gjithashtu shtojnë mundësinë e kontakteve të ekspozimit si dhe ndikojnë fort në shtimin e rasteve pozitive”, nënvizoi Pipero.

Një arsye tjetër, vijoi Pipero, është edhe një lloj shkujdesjeje që vërehet tek qytetarët në raport me vizitat në mjedise publike, mbajtjen e maskës dhe ruajtjes së distancës fizike dhe ky është një fakt që nuk duhet neglizhuar.

Për mjekun Pipero një arsye tjetër është shtimi i rasteve në spitale.

“Një arsye tjetër, që natyrisht nuk është kryesore, por edhe ajo ndikon, është shtimi i numrit të tamponeve apo analizave, të cilat kryesisht gjurmojnë rastet klinike, por edhe kontaktet e kontakteve. Pra në këtë këndvështrim janë disa indikatorë të rëndësishëm, të cilët na e justifikojnë rritjen e rasteve pozitive”, sqaroi Pipero.

Rastet pozitivë mua si specialist, shtoi ai, nuk më shqetësojnë, shqetësues është fakti që krahas rritjes së numrave të rasteve pozitive ne kemi edhe numra të shtuar të rasteve të shtruar në spital.

Sipas tij, është një situatë që duhet të analizohet, por besoj është e përkohshme.

Duke i përcjellë një apel qytetarëve, mjeku Pipero tha se “duhet të jemi të ndërgjegjshëm që virusi vazhdon të qarkullojë edhe pse me virulencë të rënë dhe me transmetueshmëri të ulët. Ky konstatim klinik nga ana jonë tashmë është në një konstatim dhe evidencë e faktuar edhe me studime nga kolegët tanë nga vende të tjera të botës”.

Por, shtoi ai, gjithsesi virusi vijon të qarkullojë dhe të prekë jo vetëm moshat e vjetra por edhe moshat më të reja, ndaj të gjithë qytetarët i këshilloj të vazhdojnë të kenë kujdes si në fillimet e kësaj epidemie në vendin tonë.

“Në mënyrë që të mos kemi kthim mbrapa në masa shtrënguese. Kujdes do të thotë të ruajmë distancën fizike dhe të vendosim maska në mjedise publike krahas kujdesit të vazhdueshëm për higjienën e duarve. Kaq mjafton” – tha Pipero./atsh

“Rritja e rasteve me COVID-19, e justifikuar nga hapja”/ Mjeku Pipero për ATSH-në: Virusi në qarkullim, qytetarët të kenë kujdes si në fillimet e epidemisë Read More »

Basha me Shoqatën e Investitorëve të Huaj: Politika transparente dhe afatgjata për taksat

Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka zhvilluar sot një takim me Shoqatën e Investitorëve të Huaj ku ka premtuar se taksa e sheshtë do jetë 9% dhe se do të heqë taksën e karburantit si dhe eliminimin e lejeve, licencave dhe autorizimeve që pengojnë konkurrencën e lirë.

Gjatë takimit me drejtuesit e Shoqatës së Investitorëve të Huaj në Shqipëri, Basha tha se “nuk ka prioritet më të madh për shqiptarët sot, se të kthejmë besimin të ekonomia e të nxisim punësimin si emergjencë kombëtare. Për këtë arsye, krijimi i lehtësirave dhe kushteve për të thithur sa më shumë investime të huaja, që hapin vende pune, është prioriteti ynë strategjik”.

“I sigurova përfaqësuesit e Shoqatës së Investitorëve të Huaj se në qeverisjen e ardhshme thithja e investimeve të huaja do të jetë prioritet strategjik, krahas mbështetjes së biznesit e prodhimit vendas. Reformat që ne do të ndërmarrim do të çmontojnë konkurrencën e pandershme, do të eliminojnë burokracitë e tepërta dhe do të luftojnë korrupsionin. Do t’i japim fund ndryshimit të papritur dhe të pakonsultuar të rregullave, duke kthyer sigurinë juridike. Politika transparente dhe afatgjatë për taksat dhe hapja e lojës duke çmontuar monopolet dhe trajtimet preferenciale do të garantojnë konkurrencë të ndershme në vend të klientelizmit korruptiv të qeverisë”, tha ai.

“Shqipëria do të shohë përpara dhe prioriteti im absolut është të luftoj për të mbrojtur dhe hapur çdo vend pune të mundshëm. “Shqipëria në punë” nuk është thjesht një moto, por një platformë reale. Me planin tonë ekonomik do të sprapsim krizën “Rama” dhe do mund të hapim vende të reja pune, të fuqizojmë ekonominë dhe të rrisim mirëqenien e shqiptarëve”, përfundoi Basha. /atsh

Basha me Shoqatën e Investitorëve të Huaj: Politika transparente dhe afatgjata për taksat Read More »

Parashikimi i motit, e mërkurë 10 qershor 2020

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se moti sot parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura në orët e mëngjesit, si dhe intervale me diell gjatë pasdites. Që prej orëve të mëngjesit reshjet do të përfshijnë bregdetin në formën e shtrëngatave me rrufe. Në mesditë reshjet e shiut përkohësisht do të përfshijnë veriun e qendrën e vendit. Në formë të lokalizuar shtrëngata me rrufe e breshër.

Era do të fryjë me drejtim nga kuadrati i Juglindjes -Jugperendimit 1 deri 8 m/sek. Valëzimi në dete parashikoheti forcës 1-2 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 13/27 re shi diell
Kukës 11/26 re shi diell
Lezhë 12/27 re shi diell
Dibër 10/25 re shi diell
Durrës 14/25 re shi diell
Tiranë 15/28 re shi diell
Elbasan 15/29 re shi diell
Berat 13/28 re shi diell
Vlorë 16/26 re shi diell
Korçë 11/23 re shi diell
Gjirokastër 11/28 re shi diell
Sarandë 13/24 re shi diell/atsh

Parashikimi i motit, e mërkurë 10 qershor 2020 Read More »

Pajisja për herë të parë me tapi të rregullta pronësie për qytetarët në jug i jep fund konfliktit të pronave

Drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame deklaroi sot se qytetarët në jug do pajisen për herë të parë me tapi të rregullta pronësie, proces ky i cili do t’i japë fund konfliktit për pronat.

Gjatë një interviste në media, Lame u shpreh se brenda pak muajsh do të përfundojnë matjet në terren dhe do të jetë gati edhe harta.

“Procesi në jug është pajisja për herë të parë me tapi të rregullta pronësie për pronat e tyre. Jemi në fazën që po mbledhim informacione nga qytetarët. Askush nuk duhet të dorëzojë dokumente origjinale, por fotokopje. Kemi hapur tri zyra në jug ku të kërkohen të dërgohen fotokopjet dhe jo origjinalet e dokumenteve. Kur të mbarojnë edhe matjet në terren, pas disa muajsh do të kemi një hartë në jug dhe të gjitha këto do të bëhen publike”, sqaroi Lame.

Lame bëri të ditur se “ajo që po bëjmë në jug është regjistrim fillestar, pasi nuk është bërë asnjëherë. Pra, pasi janë harxhuar rreth 120 milionë dollarë për të bërë regjistrimin”.

Sipas tij, mos regjistrimi i banesave është një problem shumë i madh në Shqipëri.

“Regjistrimi fillestar në Shqipëri është bërë me tendera, ne po i bëjmë me forcat tona. Duke qenë se bëheshin me tendera, paratë kalonin dorë më dorë dhe mbeteshin vetëm 40-30% e parave. Rregullimi i hartës bëhet me zona. Janë mbi 2 mijë zona të Kadastrave ku rreth 80 % e tyre duhen ribërë. Kjo merr me vite të tëra”, tha Lame./atsh

Pajisja për herë të parë me tapi të rregullta pronësie për qytetarët në jug i jep fund konfliktit të pronave Read More »

Pipero apel qytetarëve: Distancimi dhe higjiena, kushtet e vetme që ju ndihmojnë

Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero u bëri sot apel qytetarëve që të zbatojnë me rigorozitet masat për distancimin social dhe higjienën personale, si kushtet e vetme që i ndihmojnë për të mos u prekur nga infeksioni COVID-19.

Gjatë një interviste në media, Pipero u shpreh se shtimi i rasteve të të prekurve në ditët e fundit ka ardhur pikërisht nga ulja e vigjilencës nga ana e qytetarëve, duke mos respektuar masat.

Ndërkohë, Pipero tha se nuk do ketë një valë të dytë të koronavirusit në vjeshtë ose dimër.

“Unë mendoj që nuk do ketë një rikthim të virusit në vjeshtë ose në dimër. Në rast se do ketë kthim, kurrë nuk do jetë më i egër dhe i fortë, por më i butë për disa arsye. Kjo pasi virusi vazhdon ta humbasë virulencën në mënyrë graduale,” tha ai.

Pipero u shpreh se situata do të jetë e përballueshme, pasi kapacitetet mjekësore në vend janë rritur, ndërsa ndërgjegjësimi i qytetarëve është shtuar.

Sipas Piperos, nëse ky virus kishte shumë të panjohura në fillim, tani ai është një virus i njohur për mjekët dhe shkencëtarët./atsh

Pipero apel qytetarëve: Distancimi dhe higjiena, kushtet e vetme që ju ndihmojnë Read More »

Amnistia fiskale/ Gjylameti: Përjashtohen pasuritë e vendosura nga burime të paligjshme të të ardhurave

Deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti deklaroi sot se amnistia fiskale e prezantuar nga qeveria do të jetë e plotë dhe se personat që deklarojnë të ardhurat e tyre nuk do të kenë pasoja penale në të ardhmen.

“Sot po diskutojmë për amnisti të plotë fiskale dhe penale, që nuk është bërë asnjëherë në Shqipëri. Më parë kishte amnisti fiskale por jo penale. Nuk falen vetëm detyrimet e papaguara, por hiqet dhe pjesa e dënimit, 7 vite burg që parashikon sot ligji. Ti legalizon lekët dhe nuk dënohesh për këtë”, u shpreh Gjylameti gjatë një interviste në media
ku theksoi se nga kjo amnisti përjashtohen pasuritë e vendosura nga burime të paligjshme të të ardhurave.

“Ende sot kemi një ekonomi informale, për shumë arsye. Një pjesë e mirë e bizneseve kanë punuar me atë që quhet bilanc të dyfishtë. Duke përforcuar institucionet dhe duke amnistuar kemi një vit zero. Ata që deklarojnë nga ky moment e më tutje do të kenë mundësinë të gëzojnë pronën e tyre pa patur një përgjigje të ligjit nesër, nëse vërtetohet që kjo që amnistohet nuk është si pasojë e burimit të paligjshëm të të ardhurave”, tha Gjylameti.

Sipas saj, nga amnistia janë të përjashtuar ata që janë subjekt i Operacionit Forca e Ligjit./atsh

Amnistia fiskale/ Gjylameti: Përjashtohen pasuritë e vendosura nga burime të paligjshme të të ardhurave Read More »