Aktualitet

Altini nga Përmeti i cili e ka shndërruar një bunker buzë rruge, në pikë tërheqëse me prodhimet e baxhos së tij

Kush e ka vizituar Përmetin dhe nuk ka ndaluar në baxhon e Altinit, përmetarit të njohur për djathërat dhe gjalpin me shije, i cili ka shndërruar një bunker buzë rruge, në një pikë tërheqëse shitjeje, ku turistët ndalin e shijojnë prodhimet e baxhos së tij, duhet të rikthehet me se s’bën në Përmet.
Kryeministri Edi Rama ndau pamje nga ky investim, ku me mbështetjen e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) Altini ka instaluar në baxho një linjë të re të prodhimit të qumështit dhe pajisje të teknologjisë bashkëkohore për prodhimin e djathit, që i kanë lehtësuar procesin e prodhimit dhe që rrisin standardin e sigurisë së cilësisë ushqimore.
Gjatë një vizite në baxhon e Altinit, drejtoresha e AZHBR-së, Frida Krifca u shpreh se, kjo është një tjetër sipërmarrje e mbështetur nga qeveria në Përmet, në “Baxho Meshini”.
“Ky investim që kemi mbështetur baxhon e Altinit, është përmes një nga programeve të AZHBR-së për prodhimin dhe përpunimin e qumështit, por që tashmë është bërë edhe një pikë ndalese për turistët, që ofron shërbime kundrejt një pagese simbolike”, – tha Krifca.
Ndërsa Altini tregon se është pjesë e rrjetit të shoqatës së artizanëve dhe prodhuesve tradicionalë të zonës, nisur kjo nga fakti Përmeti ka marrë goxha zhvillim me fokus turizmin, ku vetëm gjatë 3-4 viteve të fundit, numri i vizitorëve është rritur ndjeshëm dhe sezoni turistik është zgjatur në kohë.

Duke u ndalur në investimin që ka transformuar baxhon e tij në minifabrikë moderne, Altini thotë se, prodhimi i sivjetëm arriti deri në 3 tonë qumësht të përpunuar. Janë rreth 60 blegtorë të zonës që sjellin qumështin në baxhon e Altinit, duke siguruar kështu shitje të sigurt të qumështit nga fermat e tyre.

Mbështetja e AZHBR-së e ka ndihmuar Altinin në teknologjitë e përparuar për përpunim e qumështit, por fokus ka marrë edhe sektori i turizmit, që siç thotë Altini janë dy zëra të bashkuar bashkë në zhvillimin e agroturizmit në zonës e Përmetit dhe kjo ka rritur të ardhurat në baxhon e tij.

Në krah të baxhos ai ka ngritur edhe dyqanin për tregtimin e prodhimeve tradicionale dhe sendeve me vlerë autoktone. “Kjo është një ndërtesë që daton në vitin 1939 që në kohën e luftës italo-greke e ngritur në kohën e Turqisë, të cilën e kam kthyer në dyqan që është atraksion dhe vlerë e shtuar në biznesin tim”, – thotë ai.

Altini prodhon djathë kaçkavall, djathë dhie që është shumë i kërkuar dhe në baxhon e tij janë të angazhuar me punë të gjithë pjesëtarët e familjes së tij.

Përmes fotove ai tregon ndryshim drastik që ka pësuar baxho e tij në kohë para financimit dhe sot me investimin e realizuar me mbështetjen e AZHBR-së në një baxho bashkëkohore për të cilën Altini ka projekte të tjera zhvillimi dhe shpreh dëshirën të aplikojë sërish tek AZHBR. /atsh

Altini nga Përmeti i cili e ka shndërruar një bunker buzë rruge, në pikë tërheqëse me prodhimet e baxhos së tij Read More »

Shtimi i rasteve me COVID-19/ Mjekja e Infektivit apel qytetarëve: Më shumë kujdes, zbatoni masat mbrojtëse

I gjithë stafi mjekësor i spitalit Infektiv është në vijën e parë në përballje me pacientët e prekur nga COVID-19, duke ju gjendur pranë jo vetëm si mjekë, por edhe si familjarë, të cilët nuk kanë mundësi t’i shohin.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ndau sot apelin e dr. Esmeralda Metës, mjeke e përkushtuar ditë-natë në shërbim të të sëmurëve, e cila bën thirrje për më shumë kujdes nga të gjithë qytetarët.

“Natyrisht puna është mjaft e madhe brenda shërbimit. Ne luajmë rolin e stafit mjekësor, por nga njëra anë edhe të familjarit ndoshta, deri diku, jo 100% për pacientin, sepse i ofrojmë edhe suportin emocional, suportin shpirtëror apo edhe nevojat e tjera që mund t’u duhet pacientëve”, tha ajo.

Sipas dr Metës, “shtimi i numrit të rasteve ka rritur edhe nivelin e frikës apo panikut te pacientët apo te familjarët e tyre, ndaj rikujtojmë sërish kujdesin”.

Edhe ministrja Manastirliu bëri edhe një herë një kujtesë mbi masat mbrojtëse. “Të lajmë sa më shpesh duart. Të ruajmë distancën me njëri-tjetrin. Të mbajmë maskë në ambiente të mbyllura ku nuk është e mundur të respektohet distancimi fizik. Lidhuni me mjekun tuaj të familjes ose telefoni Urgjencën Kombëtare në numrin 127 nëse keni shenja të sëmundjes”, tha Manastirliu./atsh

Shtimi i rasteve me COVID-19/ Mjekja e Infektivit apel qytetarëve: Më shumë kujdes, zbatoni masat mbrojtëse Read More »

Festa e Shën Ndout/ Bashkia Kurbin me plan të detajuar masash, apel për respektimin e rregullave kundër COVID-19

Duke parë situatën dhe zhvillimet e fundit në lidhje me pandeminë e COVID-19, por edhe pritjen e një fluksi të madh pelegrinazhi në Kishën e Shën Ndout me rastin e festës së 13 Qershorit, bashkia e Kurbinit në bashkëpunim edhe me institucione të tjera vendore ka përgatitur një plan të detajuar masash.

Policia e Shtetit, Policia Bashkiake, Shërbimi Shëndetësor Vendor, Zjarrfikësja etj., do të funksionojnë me shërbime të përforcuara përgjatë periudhës 12-13 qershor me qëllim përballimin e numrit të madh të pelegrinëve që priten në këto dy ditë.

Bashkia njoftoi se “është i ndaluar kategorikisht transporti publik me mjete si autobusë apo furgonë drejt Kishës së Shën Ndout dhe lëvizja do të bëhet vetëm me automjete private ose në këmbë”.

Kryetarja e bashkisë Kurbin, Majlinda Cara u bëri thirrje të gjithë banorëve të Kurbinit dhe pelegrinëve të shumtë që vijnë nga vende të tjera, për respektim rigoroz të distancimit fizik dhe përdorimin e maskave/dorezave apo dezinfektantëve pasi një ditë pelegrinazhi dhe lutjesh mund të kthehet në një vatër infektimi.

Gjithashtu, ajo tha se “është shumë e rëndësishme ruajtja e higjienës personale, por edhe mosndotja e mjediseve publike me ambalazhe e mbetje të ndryshme”.

“13 Qershori është një ditë feste dhe paqeje dhe jam e bindur se, me bashkëpunimin tuaj, si e tillë do të kalojë”, tha Cara. /atsh

Festa e Shën Ndout/ Bashkia Kurbin me plan të detajuar masash, apel për respektimin e rregullave kundër COVID-19 Read More »

Kosova nuk e ka luksin të ketë Kryeministër që armiqësohet me Shqipërinë dhe SHBA-në

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi deklaroi sot se “Kosova nuk e ka luksin që të ketë Kryeministër që armiqësohet me Amerikën dhe me Shqipërinë”.

I ftuar në një studio televizive, Thaçi tha se “unë nuk jam kundër askujt, jam për të gjithë dhe në favor të të gjithëve”.

“Kam qenë entuziast që Kurti pas rezultatit zgjedhor të 6 shkurtit të niste sa më shpejt themelimin e qeverisë së re dhe unë ta dekretoja, sepse gjithë ato muaj pa qeveri ishin të dëmshme për Kosovën. E kam dekretuar menjëherë edhe tani do të përpiqem maksimalisht që të mos ketë vakum institucional sepse nuk mund të presim që inatet e spektrit politik t’i kushtojnë shtetit të Kosovës. Aq sa kam punuar që Kurti të merrte detyrat, aq kam dekretuar edhe Hotin menjëherë. Sot kemi një situatë krejt normale, me një kryeministër në zyrë që ka marrë disa vendime të rëndësishme, si largimi i barrierave që kanë penguar Kosovën dhe gjithë proceset e tjera të rëndësishme”, tha Thaçi.

Ai theksoi se “këshilla ime ndaj Kurtit ishte që të jetë më i kujdesshëm në raport me opozitën në Kosovë dhe të mos sillej aq keq sa është sjellë me Shqipërinë, pothuajse në mënyrë armiqësore, pa nevojë”. “I kam kërkuar t’i heqë të gjitha ato pengesa me Shqipërinë. Ne jemi këta që jemi dhe pavarësisht kësaj, interesi i Kosovës dhe i Shqipërisë gjithmonë është vendosur para egove personale. Afrimi aq i madh me Serbinë në periudhën e pandemisë ka qenë shumë i pajustifikueshëm, i paargumentuar nga askush dhe nuk është mirëpritur në Kosovë”, tha Thaçi.

Thaçi tha se “edhe raportet shumë të ndera, ballafaquese për herë të parë me SHBA-në të zyrës së qeverisë Kurti, kanë qenë sinjale negative”./atsh

Kosova nuk e ka luksin të ketë Kryeministër që armiqësohet me Shqipërinë dhe SHBA-në Read More »

“Mos i gëlltisni kurrë pa përtypur produktet e LBPD”/ Mjafton të nxjerrësh gjysmën e një fraze të vërtetë për të përhapur një gënjeshtër të madhe

Janë afro çerek milion punonjës që do të marrin deri në mesin e këtij muaji ndihmën financiare të akorduar nga qeveria, pasi u prekën në punën e tyre për shkak të situatës së krijuar prej COVID-19.

Kryeministri Edi Rama duke iu përgjigjur akuzave të Partisë Demokratike për paketën e tretë të ndihmës ndaj bizneseve deklaroi se “në fund të majit Shqipëria u rihap dhe u rikthye në normalitet. Pagesat vazhdojnë dhe do të mbyllen 100% për afro çerek milion punonjës”.

Kreu i qeverisë publikoi sot një video të nxjerrë nga PD-ja, për të cilën shprehet se gjysmë të vërtetat janë gënjeshtra të mëdha dhe që të ruheni prej tyre mos i gëlltisni kurrë pa përtypur produktet e LBPD&Co.

Rama thekson se qeveria do të jetë gati për paketën e tretë, duke parë dinamikën e situatës, si dhe do iu gjendet pranë atyre në nevojë.

“Mjafton të nxjerrësh gjysmën e një fraze të vërtetë nga goja e tjetrit, për të përhapur një gënjeshtër të madhe ndaj tij. Gjysmë të vërtetat janë gënjeshtrat më të mëdha”, theksoi Rama.

PD publikoi videon ku kryeministri Rama është shprehur në 13 prill të këtij viti se “në të gjitha rastet ne jemi gati dhe do të jemi gati për paketën e tretë mes datave 20 dhe 25 maj”.

Në përgjigje, pasi ndau videon e shpërndarë nga PD, kryeministri Rama publikoi të plotë fjalën e mbajtur në 13 prill ku ka theksuar se “paketa e parë i ndihmoi të goditurve të valës së parë të biznesit të vogël. U akordua një ndihmë që vazhdon lëvrohet çdo ditë, pasi verifikimit nga tatimet. Sot pasi e kemi ndjekur me vëmendje çdo ditë dinamikën në të dyja frontet është momenti ta zgjerojmë paketën. Kjo paketë e zgjeruar do të mbështesë përveç atyre të parëve plot 176 mijë të tjerë. Por, në të gjitha rastet ne jemi gati dhe do të jemi gati për paketën e tretë mes datave 20 dhe 25 maj duke parë gjithmonë dinamikën në të dyja frontet dhe përsëri do të jemi në gjendje t’i gjendemi pranë të gjithë atyre që nuk do të kenë të ardhura nga puna në atë moment për shkak të pamundësisë së daljes nga perimetri i rrethimit mbrojtës”.

Rreth 250 mijë persona kanë përfituar nga të dy paketat ekonomike të qeverisë në mbështetje të qytetarëve për shkak të COVID-19./atsh

“Mos i gëlltisni kurrë pa përtypur produktet e LBPD”/ Mjafton të nxjerrësh gjysmën e një fraze të vërtetë për të përhapur një gënjeshtër të madhe Read More »

Ekspertët e Shëndetësisë apelojnë qytetarët për të respektuar distancimin social

Numri i rasteve të rritura në ditën e fundit e ka vendosur sistemin shëndetësor në gatishmëri të shtuar, por në të njejtën kohë është edhe një apel për të gjithë qytetarët për të qenë të kujdesshëm.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka apeluar për të respektuar masat dhe protokollin e sigurisë.

Duke i cilësuar qytetarët bashkëpunëtorë në këtë betejë, ekspertët e shëndetësisë kanë kërkuar ruajtjen e distancës, ruajtjen e higjienës personele, mbrojtjen e vetes dhe të tjerët për të kufizuar sa më shumë që të jetë e mundur përhapjen e COVID19. Bluzat e bardha kanë kërkuar që të mos neglizohet asnjë shenjë e sëmundjes, për këtë qytetarët mund të telefonojnë në numrin e Urgjencës Kombëtare.

Dita e djeshme shënoi edhe numrin më të lartë të rasteve të reja të prekur nga COVID-19, ku nga 311 testime u konfirmuan 42 raste pozitive, përkatësisht, 21 raste në Tiranë, 9 në Shkodër, 4 në Durrës, 3 në Krujë, 2 në Lushnjë, dhe nga 1 rast në Pukë, Berat dhe Urën Vajgurore./atsh

Ekspertët e Shëndetësisë apelojnë qytetarët për të respektuar distancimin social Read More »

Komisioni i Sigurisë Kombëtare/ Miratohet nen për nen projektligji për “Policinë e Burgjeve”

Komisioni Parlamentar për Sigurinë Kombëtare ka miratuar këtë të premte nen për nen projektligjin për “Policinë e Burgjeve”, si pjesë e paketës ligjore për reformimin e sistemit penitenciar.

Në drejtimin e kryetares Ermonela Felaj, Komisioni për Sigurinë Kombëtare, në mbledhjen e e zhvilluar online këtë të premte vijoi me shqyrtimin nen për nen të projektligjit “Për policinë e burgjeve”.

Gjatë ditës së enjte, komisioni kishte miratuar një pjesë të neneve të projektit në fjalë. Felaj bëri me dije, se diskutimet e sotme për nene të veçanta bëhen duke pasur parasysh dhe sugjerimet e institucioneve të interesuara, si Avokatit të Popullit, Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, etj.

Të pranishëm gjatë diskutimit nen për nen në komision, ishin Etilda Gjonaj, Ministre në Ministrinë e Drejtësisë,zëvendës drejtori i përgjithshëm i Drejtorisë së Burgjeve, Fehmi Sufaj.

Ministrja Gjonaj, dha opinionet e saj në lidhje me nene të veçanta, të projektligjit në fjalë .Relator i këtij projektligji ishte Xhemal Qefaliaj, i cili nga ana e tij shprehu dhe ai qëndrimet e tij në lidhje me nenet e projektit.

Anëtarët e pranishëm në mbledhjen virtuale diskutuan, bënë sugjerimet e tyre. Diskutimet patën edhe nenet ku flitej për mbajtjen e armës së zjarrit jashtë shërbimit, nga ana e punonjësit të policisë së burgjeve, ku pati disa sugjerime dhe mendime, por pas gjetjes së dakordësisë, për formën që duhet realizuar kjo, duke ia dhënë këtë mundësi vetëm asaj kategorie të punonjësve të burgjeve që ka rrezikshmëri më të lartë.

Më pas, Komisioni i Sigurisë miratuan projektligjin “Për policinë e burgjeve” Diskutimi për nenet e projektligjit në fjalë do të vijojë në mbledhjen e radhës.

Qëllimi kryesor i projektligjit “Për policinë e burgjeve” konsiston në: Krijimin e një stafi me kapacitete të mjaftueshme profesionale, të motivuar dhe me integritet, të aftë për të garantuar sigurinë në burgje dhe paraburgime; përmirësimin e gjendjes ekonomike financiare dhe të kushteve të punës të punonjësve të Policisë së Burgjeve, në raport të drejtë me punonjësit e agjencive të tjera të përafërta në status dhe ecuri në karrierë; përmirësimin e procedurave të rekrutimit, të trajnimit dhe të promovimit në detyrë të punonjësve të Policisë së Burgjeve; − garantimin e rotacionit të vazhduar brenda sistemit, me qëllim motivimin dhe shmangien e konsumit profesional, të stresit dhe të frustrimit të punonjësve; respektimin e të drejtave të punonjësve duke siguruar mbështetje edhe pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës.

Projektligji ka në përmbajtje të tij dhjetë krerë, ku në kreun I përcaktohen dispozitat e përgjithshme, në kreun II përcaktohen parimet e organizimit dhe të funksionimit të Policisë së Burgjeve, në kreun III përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e Policisë së Burgjeve, në kreun IV përcaktohet marrëdhënia e punës, pranimi dhe trajtimi i personelit të Policisë së Burgjeve, në kreun V përcaktohen 1 Miratuar nga Këshilli i Ministrave më 11 janar 2006, në takimin e 952-të të zëvendësministrave) 3 rregullat për transferimin dhe komandimin, në kreun VI përcaktohet klasifikimi i pozicioneve në Policinë e Burgjeve, në kreun VII përcaktohen procedurat disiplinore, në kreun VIII përcaktohet përfundimi i marrëdhënies së punës, në kreun IX përcaktohet bashkëpunimi me subjektet e tjera dhe në kreun IX përcaktohen dispozitat e fundit. Ndërkohë që në total, projektligji ka në tërësi 62 nene.

Institucionet që ngarkohen me zbatimin e këtij projektligji janë Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Ministria e Drejtësisë, ministria përgjegjëse për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale dhe ministria përgjegjëse për punët e brendshme.

Efektet financiare shtesë të këtij projektligji llogariten në total rreth 305.6 milionë lekë të cilat konsistojnë në: pagën e gradës rreth 136.5 milionë lekë, shtesën për vjetërsi rreth 49.1 milionë lekë dhe shtesën për kushte pune rreth 119,9 milionë lekë. Këto efekte shtesë do të shtrihen në të tria vitet e PBA-së 2020-2022, sipas përcaktimeve të nenit 59, të projektligjit, sipas planifikimit vijues: a) Rritja e pagës për gradë do të fillojë me hyrjen në fuqi të ligjit; Shtesa për vjetërsi pune do të fillojë efektet më 1 janar 2021; Shtesa për natyrë të veçantë pune do të fillojë efektet më 1 janar 2022. /atsh

Komisioni i Sigurisë Kombëtare/ Miratohet nen për nen projektligji për “Policinë e Burgjeve” Read More »

Tirana nderon “Heroin e Popullit”/ Busti i Selam Musait vendoset te Komuna e Parisit

Në 100-vjetorin e Luftës Kombëtare të Vlorës, busti i një prej figurave më të shquara të saj, “Heroit të Popullit” Selam Musai (Salaria), u vendos pranë rrethrrotullimit te Komuna e Parisit. Zbulimi i bustit të heroit u bë në një ceremoni të posaçme, ku morën pjesë Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Ministri i Diasporës, Pandeli Majko, e mjaft personalitete të tjera.

Në fjalën e tij përshëndetëse, kryebashkiaku Veliaj tha se kjo është mënyra më e mirë për të kujtuar edhe 100-vjetorin e Tiranës kryeqytet. “Të presim Selam Musanë në Tiranë pas 100 vitesh është mënyra më e mirë për të kujtuar edhe 100-vjetorin e Tiranës kryeqytet. Kemi shumë nevojë të flasim për modernizimin, për integrimin, sesi do të ecim përpara, por një popull që nuk e di nga ka ardhur, nuk di as ku do tëshkojë. Teksa sot përballemi me situata si pandemia apo rindërtimi i shtëpive pas tërmetit, lipset tëkujtojmë se kemi mbërritur këtu falë betejave të vazhdueshme”, deklaroi ai.

Veliaj shtoi se vepra e Selam Musait, ndonëse në moshë të madhe, tregoi se asnjëherë nuk është vonë për t’i shërbyer kombit. “Asnjëherë nuk është vonë për t’i shërbyer vendit tënd. Selam Musai, në moshën 63-vjeçare, tregoi se kurrë nuk është vonë për të kontribuuar, edhe në qofsh burrë në moshë. Kemi mjaftueshëm shembuj se pavarësisht moshës, askush nuk është shumë i ri apo shumë i vjetër për t’i shërbyer Tiranës, Shqipërisë dhe Atdheut tonë, kurdo kur jemi thirrur të shërbejmë”, u shpreh ai.

Veliaj nënvizoi se Tirana do të vijojë nderimin e figurave historike, që kanë lënë gjurmë në ndërtimin e shtetit shqiptar. Pas bustit të Selam Musait, Bashkia e Tiranës do të vazhdojë me një tjetër projekt, atë të bustit dhe të përmendores së Ismail Qemalit.

Deputeti i PS, Pandeli Majko falenderoi kryebashkiakun Veliaj dhe kryeparlamentarin Ruçi për angazhimin dhe nderin që i bëjnë Njësisë 5, ku jeton një komunitet i rëndësishëm nga Vlora.“Jemi shumë të nderuar që kjo figurë e Labërisë, simbol i rezistencës sëpopullit shqiptar, do të jetë nëNjësinë 5. Ai i tregoi botës dhe opinionit ndërkombëtar se shqiptarët dinë të luftojnë”, tha Majko.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, dhe personalitetet shtetërore të pranishëm në këtë ceremoni vendosën kurora e buqeta me lule pranë monumentit të Heroit të Popullit Selam Musai Salaria.

Ceremonia e zhvillua nga Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria”, bashkia e Tiranës dhe Muzeu Historik Kombëtar, me rastin e 100 vjetorit të Luftës së Vlorës dhe rënies së Heroit. Selam Musai vjen nga një familje me tradita patriotike dhe ishte udhëheqës i kryengritjeve në Vlorë dhe ra heroikisht për çlirimin e saj. /atsh

Tirana nderon “Heroin e Popullit”/ Busti i Selam Musait vendoset te Komuna e Parisit Read More »