Aktualitet

Dita e Çlirimit të Kosovës/ Shahini: Të përkujtojmë me përulësi se sa e brishtë është liria dhe sa shumë duhet të përpiqemi ta mirëmbajmë

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, përcolli masazhin për ditën e Çlirimit të Kosovës, plot 21 vite më parë.

“Sot e 21 vite më parë, isha refugjate në Kanada kur mora lajmin që kishin pushuar bombardimet e NATO-s dhe trupat këmbësore ishin futur në Kosovë. Kosova ishte çliruar. Si fëmijë që kishte parë vetëm konflikt dhe luftë, e kisha të vështirë ta paramendoja paqen dhe lirinë në Kosovë dhe gjithë potencialin që ngërthente ajo liri për popullin tonë. Sot, jo vetëm kam mbijetuar luftën 21 vite më parë, por jam duke shërbyer në qeverinë e Republikës së Shqipërisë, si shenjë e qëndresës dhe bashkimit tonë kombëtar”, shprehet Shahini.

Por, vijon ajo, kjo liri që gëzojmë sot, qëndron mbi mijëra jetë të humbura e shumë e shumë të tjera të shkatërruara.

“Ndaj, mos të harrojmë kurrë falë kujt po e gëzojmë këtë ditë dhe të përkujtojmë me përulësi se sa e brishtë është liria dhe sa shumë duhet të përpiqemi ta mirëmbajmë dhe gëzojmë atë, duke dashur njëri-tjetrin dhe duke bërë çdo ditë nga pak që të lëmë një vend më të mirë për fëmijët tanë”, tha Shahini./atsh

Dita e Çlirimit të Kosovës/ Shahini: Të përkujtojmë me përulësi se sa e brishtë është liria dhe sa shumë duhet të përpiqemi ta mirëmbajmë Read More »

Cakaj uron 21-vjetorin e Çlirimit të Kosovës: Rrugëtimi yt, burim frymëzimi për të të dashur çdo ditë më shumë

Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka uruar sot përvjetorin e Çlirimit të Kosovës.

Cakaj nëpërmjet këtij urimi shprehu nderime për të rënët në luftë, si dhe falënderime për punën që NATO dhe ShBA kanë kryer në Republikën e Kosovës.

“Urime edhe një përvjetor më shumë çlirimi, Kosovë! Gjithë rrugëtimi yt historik me sakrificat me të pashembullta qoftë gjithmonë burim frymëzimi për të të dashur çdo ditë e më shumë e krejtësisht në mënyrë të veçantë”, u shpreh Cakaj.

“E, po, patjetër: sot nderim për të rënët në fushën e lavdisë, falënderim për NATO-n e ShBA-të për punën përtej kufijve e të besueshmes për t’ia dhënë historisë drejtësinë dhe, gjithsesi, përkushtim edhe më i thellë për ta parë Republikën në majat më të larta të demokracisë, mirëqenies e zhvillimit. Të dua!”, theksoi Cakaj në urim./atsh

Cakaj uron 21-vjetorin e Çlirimit të Kosovës: Rrugëtimi yt, burim frymëzimi për të të dashur çdo ditë më shumë Read More »

Për një karrierë të sigurt në Forcat e Armatosura/ Kurs 1-vjeçar për 60 të sapodiplomuar

Forcat e Armatosura janë një alternativë e jashtëzakonshme për çdo të sapodiplomuar dhe tashmë 60 të rinj që kanë një diplomë bachelor, do mund të titullohen oficerë dhe të kenë një karrierë të sigurt në Forcat e Armatosura pas përfundimit të kursit 1-vjeçar.

Lajmin e bëri të ditur sot Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, e cila u shpreh se “Forcat e Armatosura kanë nevojë për profesionistë të rinj”.

“Kushdo që ka përfunduar Fakultetin Juridik, të Shkencave Sociale, të Inxhinierisë Elektronike, Ekonomik, të Inxhinierisë së Ndërtimit, të Inxhinierisë Navale, Inxhinierisë Mekanike, Gjeoinformatikë e Gjeografi apo çdo fakultet tjetër dhe që është jo më shumë se 26 vjeç mund të aplikojë”.

Po ashtu, Xhaçka tha se mund të aplikojnë edhe ata që kanë përfunduar Fakultetin e Mjekësisë dhe janë jo më shumë se 31 vjeç”.

Xhaçka tha se “Forcat e Armatosura janë një alternativë e jashtëzakonshme për çdo të sapodiplomuar”.

“Plot 60 të rinj që kanë një diplomë bachelor, do mund të titullohen oficerë dhe të kenë një karrierë të sigurt në Forcat e Armatosura pas përfundimit të kursit 1-vjeçar”, tha ajo, ndërsa theksoi se aplikimet pranohen deri më datë 17 korrik 2020./atsh

Për një karrierë të sigurt në Forcat e Armatosura/ Kurs 1-vjeçar për 60 të sapodiplomuar Read More »

Meta: Vendimi për Dvoranin i vonuar, mezi pres të dekretoj marrëveshjen për Reformën Zgjedhore

Presidenti Ilir Meta tha sot në konferencën e përjavshme me gazetarët, se ai e ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes për Reformën Zgjedhore dhe zbatimi i saj është i rëndësishëm.

I pyetur për qëndrimin e opozitës parlamentare ndaj marrëveshjes, Meta tha se nuk është çështje e tij si President.

“Mesazhet i kam dhënë në kohë, e kam përshëndetur këtë marrëveshje, jo më shumë për përmbajtjen e saj, megjithëse ka elementë mjaft të rëndësishëm që forcojë ndjeshëm integritetin e zgjedhjeve, sikurse është futja e elementit biometrik në mënyrë që të garantohemi që çdo qytetar shqiptar voton vetëm një herë dhe vota është barabartë”, tha Meta, duke shtuar se “kjo marrëveshje e sforcuar, që duhet të ishte arritur prej kohësh, mund të kishte bërë një progres shumë thelbësor në shumë aspekte, që të jepte një dimension tjetër të gjithë sistemit politik në vend”.

“Mos harrojmë në vitin 2008-ën unë dhe disa kolegë të tjerë ish-deputetë bëmë grevë urie që të mos mbylleshin listat dhe të mos bëheshin ndryshimet kushtetuese të cilat cenuan parimet e balancës dhe kontrollit në vend”, tha Meta.

Por, sipas tij, të gjitha këto nuk janë shumë të rëndësishme para vendosjes sa më shpejt të legjitimitetit, pasi Kuvendit sot e kësaj dite i mungojnë 18 deputetë në kundërshtim me kërkesën e qartë që ka Kushtetuta.

“Besoj që kjo është arsyeja kryesore që detyrohet edhe Sekretari Amerikan i Shtetit që ka kaq shumë probleme të tjera në të gjithë botën që të theksojë rëndësinë e kësaj marrëveshje ndërpartiake dhe rëndësinë e kodifikimit të saj për të forcuar demokracinë”, tha Meta.

“Të mos harrojmë që kjo marrëveshje është meritë e veçantë e angazhimit dhe përpjekjeve në nivelet më të larta të partnerëve tanë. Është vlerësuar nga nivele shumë të larta ndërkombëtare për atë që do të meritonte realisht thelbi i një marrëveshjeje të tillë, që duhet të ishte një marrëveshje e bërë si xhentëlmenët sepse për çfarëdo merremi vesh që t’i japim mundësi njerëzve të zgjedhin alternativën më të mirë në mënyrën më demokratike. Kështu që unë mezi po pres që ajo të vijë këtu dhe unë ta firmos menjëherë”, u shpreh Meta.

Meta e konsideroi si vendim pozitiv, por të vonuar vendimin e KLGJ për mbarimin e mandatit nga Gjykata e Lartë njëkohësisht dhe nga KED të Ardian Dvoranit.

“Mendoj se qëndrimi i Presidentit ka qenë dhe mbetet gjithmonë qëndrimi i Kushtetutës dhe ligjit që kanë qenë shumë të qarta që në momentin e dekretimit të anëtarit të parë të Gjykatës së Lartë. Vendimi i djeshëm në vlerësimin tim është i vonuar, por sidoqoftë është pozitiv. Dhe krijon mundësi për të ruajtur integritetin e institucioneve të reja të drejtësisë”, tha Meta.

Ndërkaq, presidenti Ilir Meta deklaroi sot se do t’i paraqesë Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian sugjerimet konkrete për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.

“Dihet që këto javë janë me rëndësi për negociatat. KE do të prezantojë kuadrin negociator dhe një raport për zbatimin e kushteve nga ana e Shqipërisë. Në takimin e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian unë si President paraqita disa vlerësime dhe sugjerime për mënyrën sesi si duhet zhvillohet ky proces. Nënvizoj se së pari duhet një ndërveprim i strukturuar dhe bashkëpunim gjithëpërfshirës në mënyrë që kushtet të mos mbeten të papërmbushuara dhe që çelja e negociatave të mos mbetet në vendnumëro”, u shpreh Meta.

Presidenca i paraqet Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian komentet e plota me sugjerime konkrete mbi planin e veprimit të hartuar nga MEPJ.

Meta theksoi se, “zbatimi i 15 kushteve dhe i detyrimeve të marrëveshjes së stabilizim-asociimit janë mënyra e vetme për të bërë përparim të besueshëm siç e përcakton edhe metodologjia e re e BE”.

Në lidhje me kreun e ri të KLSH-së, Meta tha se do t’i qëndrojë në mënyrë të hekurt detyrimit që i jep Kushtetuta presidentit dhe në këtë aspekt “unë vlerësoj edhe shumë kandidatë nga ana profesionale, të cilët mund të jenë anëtarë të mazhorancës aktuale apo të administratës aktuale, që kanë shprehur dëshirën e tyre për këtë post”.

Presidenti Meta gjithashtu uroi socialistët për 29-vjetorin e themelimit të PS-së. “Uroj të gjithë socialistët për këtë ditë të rëndësishme për ta, dhe t’i vlerësoj për ato gjëra pozitive që kanë bërë në historinë e demokracisë, të zhvillimit të saj dhe shpresoj që të jetë një ditë reflektimi edhe për ata që drejtojnë sot dhe për të gjithë të tjerët” tha ai.

Një urim Meta e kishte edhe për Lulzim Bashën, që po ditën e sotme mbush 46-vjeç, ndërsa zbuloi edhe dhuratën që i kishte nisur. /atsh

Meta: Vendimi për Dvoranin i vonuar, mezi pres të dekretoj marrëveshjen për Reformën Zgjedhore Read More »

Protesta e maturantëve/ Shahini: Nxitësit janë opozita politike e provimeve false, do të kallëzojmë çdo shpifje

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, reagoi sot lidhur me protestën e maturantëve, duke theksuar se nxitësit e protestës janë opozita e vendit dhe se ministria do të kallëzojë çdo shpifje që opozita ka publikuar në lidhje me maturën sivjet.

“Ndoqa me keqardhje protestën pranë ndërtesës së Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Nuk besoj të ketë ndodhur ndokund tjetër që nxënësit të protestojnë për “provimet e vështira”. Megjithatë, keqardhja për nxënësit “protestues” më vjen bashkë me revoltën ndaj nxitësve të tyre. Fatkeqësisht, nxitësit janë publikisht të afishuar dhe nuk janë zëdhënës opinionesh dosido. Ata janë opozita politike e vendit! Që është një absurditet unik: opozita nxit dhe mbështet protestë kundër testeve kombëtare!!! Opozita stimulon “lehtësimin” e dhënies së notave për nxënësit!!! Po mbase këtu s’ka asgjë të re, përderisa kjo opozitë ishte dje qeveria e notave false, diplomave false, universiteteve false, provimeve false, promovimeve false”, – theksoi Shahini.

Ministrja u shpreh se “provimet kombëtare hartohen nga ekspertë provimesh. Unë i besoj Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA) kur thotë se sivjet provimet janë më të lehta se kurdoherë më parë, sepse ndodhin pas një gjendjeje të jashtëzakonshme dhe prandaj janë konceptuar vetëm me alternativa – pa temat, që janë zhvilluar në kushte shtëpie. Dhe kjo, vërtetohet lehtësisht në fund, kur të mblidhen të gjitha rezultatet dhe nëse rastis që testi të ketë qenë më i vështirë sesa njohuritë e nxënësve, atëherë QSHA bën rishpërndarje të peshës së pikëve për çdo notë. Por, këto çështje teknike s’kanë as lidhje e as vend për debate politike, dhe jo më për protesta opozitare”.

Sipas saj, QSHA ka adresuar kërkesat në lidhje me provimet e Maturës që ishin protokolluar në Ministri.

“Ndërkohë, ne do të kallëzojmë çdo shpifje që opozita ka publikuar në lidhje me Maturën sivjet. Besoj se edhe kjo do të shërbejë në edukimin e të rinjve, duke nisur nga të rinjtë e forumeve politike, për të mësuar se shpifja është gënjeshtër e dënueshme me ligj e jo liri fjale për çfarëdo kundërshtie qytetare apo opozitare”, – tha ministrja Shahini./atsh

Protesta e maturantëve/ Shahini: Nxitësit janë opozita politike e provimeve false, do të kallëzojmë çdo shpifje Read More »

Mjetet e mbrojtjes personale për stafin mjekësor, të garantuara që nga dita e parë e epidemisë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu vizitoi sot pavionin e Neurologjisë në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës.

Ministrja vlerësoi punën e stafit të këtij shërbimi me në krye prof. Jera Krujën, ndërsa theksoi se kemi garantuar që nga dita e parë e epidemisë mjetet e mbrojtjes personale të cilat tha ajo, mbeten thelbësore për të kufizuar përhapjen e virusit të rrezikshëm COVID-19.

“Në QSUT çdo ditë, bashkë me stafet mjekësore për t’i falënderuar për punën dhe kujdesin për pacientët dhe për të theksuar rëndësinë e zbatimit të protokolleve të sigurisë, me mjetet e mbrojtjes personale, që i kemi garantuar që nga dita e parë e epidemisë dhe vijohen të sigurohen për çdo punonjës të shëndetësisë, e që mbeten thelbësor në çdo shërbim, për të kufizuar përhapjen e virusit të rrezikshëm Covid-19. Faleminderit prof. Jera Kruja dhe të gjithë stafit të Neurologjisë në QSUT, për punën e palodhur me pacientët, pavarësisht situatës së vështirë të përballjes me epideminë”, deklaroi ministrja./atsh

Mjetet e mbrojtjes personale për stafin mjekësor, të garantuara që nga dita e parë e epidemisë Read More »

Testi i Maturës Shtetërore 2020, i mbështetur tërësisht mbi programin e reduktuar

Testi i Maturës Shtetërore 2020 është mbështetur tërësisht mbi programin e reduktuar, bëri të ditur sot Qendra e Shërbimeve Arsimore.

Në lidhje me pretendimin e ngritur për “pyetje jashtë programit”, Qendra përmes një deklarate për shtyp informoi se nuk ka asnjë pyetje jashtë këtij programi.

“Ftohen nxënësit të sjellin pranë QSHA ankesat konkrete për pyetjet që mendojnë se janë jashtë këtij programi në mënyrë që të adresohen duke i hequr nga vlerësimi. Në lidhje me cut-off-in, në përfundim të marrjes së rezultateve, QSHA do të shikojë kurbën e shpërndarjes së pikëve. Bazuar mbi këtë kurbë, nëse do të vihet re zhvendosje të saj (në rast se ka pasur ndonjë grup pyetjesh me një shkallë më të lartë vështirësie), atëherë do të shikohet mundësia e rishpërndarjes së peshave të pikëve në test”, thuhet në deklaratën e QSHA-së.

Sipas QSHA-së, i gjithë ky proces do të analizohet profesionalisht dhe në mënyrë të kujdesshme nga specialistët e fushës në mënyrë që të bëhet më e mira për maturantët.

“Njëkohësisht, duam të shprehim se testi nuk ka asnjë gabim shkencor dhe mënyra se si hartohet përjashton çdo mundësi që të ketë gabime – qoftë në përmbajtje dhe qoftë në përfshirjen e koncepteve jashtë programit”, thuhet në deklaratë.

Për sa i përket dy (2) testeve të ardhshme të Maturës Shtetërore, QSHA thotë se ata do të jenë me kohëzgjatje 2.5 orë dhe me alternativa.

QSHA vlerëson se edhe kohëzgjatja prej 2 orësh e parashikuar në fillim është më se e mjaftueshme në zhvillimin e provimit./atsh

Testi i Maturës Shtetërore 2020, i mbështetur tërësisht mbi programin e reduktuar Read More »

Ministria e Shëndetësisë: 31 raste të reja, 48 pacientë të shtruar në Spitalin Infektiv

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se brenda 24 orëve të fundit janë identifikuar 31 raste të reja me COVID-19.

Dr. Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik bën të ditur se “kanë vijuar testimet në Laboratorin e Virologjisë në ISHP, hetimi dhe gjurmimi aktiv i rasteve në terren. Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 300 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19 nga të cilat janë konfirmuar 31 raste pozitive, pjesa më e madhe kontakte familjare të rasteve të konfirmuara pozitivë, por ka disa raste të reja në proces hetimi në Elbasan, Vlorë, Shkodër dhe Tiranë”.

Sipas saj, shpërndarja e rasteve të reja është si vijon: 8 raste në Tiranë, 6 në Pukë, 5 në Shkodër, 5 në Vlorë, nga 2 raste në Durrës, Krujë, Elbasan dhe 1 rast në Lushnje.

“Në 24 orët e fundit ka ndërruar jetë në spitalin infektiv një pacient 71-vjeçar nga Durrësi, i shtruar prej më shumë se dy javësh”, – tha Tomini.

Aktualisht, bëri të ditur ajo, në spitalin infektiv po marrin shërbim 48 pacientë, prej tyre 7 janë në terapi intensive.

Në vendin tonë janë aktualisht 346 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë ku ka transmetime komunitare.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje për ndërgjegjësim për të gjithë popullatën, të jemi më të kujdesshëm për shëndetin tonë dhe të afërmve tanë ndaj Covid19, të respektojmë distancimin fizik jo më pak se 1.5 m, aty ku nuk është e mundur të respektohet të përdoret maska mjekësore, të evitojmë grumbullimet masive, në ceremoni festive, mortore, fetare, të evitojmë kontaktet, dhënien e duarve dhe përqafimeve, të respektojmë higjenën respiratore, kollitje e teshtime të kryhen në këndin e brrylit dhe të gjitha masat duhet të kombinohen me higjienën e larjes së duarve. Është shumë e rëndësishme që në këtë luftë kundër Covid 19 të jemi të gjithë bashkë”, – tha Tomini.

Ajo shtoi se duhet mos ulur vigjilenca në asnjë moment.

Nëse keni shenja të sëmundjes telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare 127 dhe në linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për Covid19.

COVID-19 – Statistika (12 Qershor 2020)
Testime totale 19862
Raste pozitive 1416
Raste të shëruara 1034
Raste Aktive 346
Humbje jete 36 (Qarku Tiranë 21, Durrës 7, Fier 4, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë 199
Shkodër 45
Krujë 32
Kamëz 23
Durrës 15
Pukë 7
Lushnje 6
Vlorë 6
Elbasan 3
Mat 2
Tropojë 2
Korçë 1
Librazhd 1
Mallakastër 1
Lezhë 1
Berat 1
Ura Vajgurore 1/atsh

Ministria e Shëndetësisë: 31 raste të reja, 48 pacientë të shtruar në Spitalin Infektiv Read More »