Aktualitet

Skema kombëtare e mbështetjes për fermerët/ Karçanaj: 8 386 aplikime në e-Albania

Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj, deklaroi sot se “kemi dixhitalizuar shumë shërbime, por aplikimi për Skemën Kombëtare të Mbështetjes për fermerët, shërbim që u erdhi në ndihmë fermerëve nga çdo cep i vendit, ishte një sfidë më vete”.

“Tani që procesi mbaroi me sukses, nuk mund ta fsheh entuziazmin e shifrave të aplikimeve në Skemën Kombëtare të Mbështetjes. Së pari sepse më tregojnë sa kohë, lodhje, ecejake, stres e letra poshtë e përpjetë u kemi kursyer njerëzve punëtorë të këtij vendi dhe së dyti, sepse këto shifra janë dëshmi e pastër e faktit qe e-Albania aksesohet nga kushdo me lehtësinë më të madhe”, – theksoi Karçanaj.

Sipas saj, në vitin 2018 dhe në vitin 2019, kur aplikimet kryheshin nëpër Agropika, ka patur më pak aplikime sesa me platformën e-Albania që vendosi shifrën rekord me 8,386 aplikime.

“Kjo platformë është tashmë e të gjithëve dhe ne nuk do lodhemi asnjë sekondë për t’ua bërë jetën më të lehtë përmes teknologjisë. Radhët dhe letrat nëpër duar kanë marrë fund! Të gjitha i bën platforma e-Albania, pa radhë, pa kosto”, – tha Karçanaj./atsh

Skema kombëtare e mbështetjes për fermerët/ Karçanaj: 8 386 aplikime në e-Albania Read More »

Opinioni i Venecias mbi “Antishpifjen”/ Pa humbur kohë të adresojmë në Kuvend sugjerimet e vyera

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas publikimit sot të opinionit nga Komisioni i Venecias në lidhje me “Antishpifjen”.

Rama shpreh mirënjohje Komisionit të Venecias për Opinionin, dhe thekson se “pa humbur kohë të adresojmë në Kuvend sugjerimet e vyera”.

“Mirënjohje Komisionit të Venecias për Opinionin mbi “Antishpifjen”! Tani pa humbur kohë të adresojmë në Kuvend sugjerimet e vyera dhe të garantojmë me ligj të drejtën e çdo njeriu për t’u mbrojtur nga Shpifja, si dhe detyrimin e çdo portali për t’u identifikuar si subjekt i ligjit”, thekson Rama.

Pasi Presidenti Ilir Meta dekretoi kthimin e ligjit, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, mazhoranca kërkoi opinionin e Komisionit të Venecias për këtë çështje./atsh

Opinioni i Venecias mbi “Antishpifjen”/ Pa humbur kohë të adresojmë në Kuvend sugjerimet e vyera Read More »

Shahini me përfaqësues të Parlamentit të Nxënësve: Mbi 10 mijë maturantë përgjigje të saktë për pyetjet “problematike”

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini ka zhvilluar sot një takim me përfaqësues të Parlamentit të Nxënësve mbi provimin e Gjuhës shqipe dhe Letërsisë.

Gjatë takimit, nxënësit përcollën në detaje para ministres të gjitha shqetësimet e maturantëve për provimin e maturës, por gjithashtu i shprehën asaj keqardhjen e tyre për ato pjesë të degraduara të protestës para ministrisë, që nuk përfaqësonin nxënësit tanë.

Lidhur me pyetjet e shumëpërfolura si ajo me “Turin” apo mbi kuptimin e fjalës “dlirnja” të Poradecit, rezultatet sipas ministres treguan se mbi 10 mijë maturantë kishin gjetur përgjigjen e saktë tek secila. “Kjo do të thotë qartë se këto pyetje nuk kanë qenë me probleme, pasi siç na informon edhe QSHA, të tilla konsiderohen pyetjet me nën 10% përgjigje të sakta”, u shpreh ajo.

Në takim, Shahini ka siguruar edhe një herë përfaqësuesit e Parlamentit të Nxënësve që me analizën përfundimtare të rezultateve, QSHA do të bëjë rishpërndarjen e pikëve nëse rezulton se testi ka patur vështirësi më të madhe se sa njohuritë e nxënësve./atsh

Shahini me përfaqësues të Parlamentit të Nxënësve: Mbi 10 mijë maturantë përgjigje të saktë për pyetjet “problematike” Read More »

29 vite më parë Shqipëria iu bashkua OSBE, sot e udhëheq

Sot 29 vite më parë Shqipëria iu bashkua Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE). Kryesia shqiptare e OSBE-së duke ndarë etapat më të rëndësishme të këtij rrugëtimi, shprehet krenare që tashmë Shqipëria e udhëheq organizatën.

“Është privilegj t’i kthehemi një Organizate që ka bërë kaq shumë për të na transformuar”, shprehet kryesia shqiptare e OSBE-së.

Ndërkaq, edhe zëvendësministrja e Brendshme, Romina Kuko duke ndarë këtë rrugëtim u shpreh se OSBE-ja ka qenë themelore gjatë rrugës së Shqipërisë drejt një demokracie funksionale.

“Krenar që kemi qenë me organizatën për gati një dekadë! Zbatimi i angazhimeve tona së bashku”, theksoi ajo. /atsh

29 vite më parë Shqipëria iu bashkua OSBE, sot e udhëheq Read More »

Vijon trendi rritës edhe këtë 5-mujor/ Eksportet e prodhimeve bujqësore, 17,4% në tonë më shumë

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj tha sot se eksportet e prodhimeve bujqësore kanë shënuar rritje këtë pesëmujor në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Vijon rritja e eksporteve të prodhimeve bujqësore. Ka një rritje prej 17,4% në tonë dhe 12,8% në lekë krahasuar me të njëjtin pesëmujor të 2019”, u shpreh ministrja Denaj.

Ministrja Denaj publikoi zërat në një tabelë përmbledhëse nga viti 2016 deri në vitin 2020, ku trendi i eksporteve të prodhimeve bujqësore është në rritje nga viti në vit.

Në vitin 2016 eksporti i prodhimeve bujqësor në 5-mujor ishte në 48 181 tonë, ndërsa vlera në lekë ishte 2 474 832.

Në vitin 2017 eksporti i prodhimeve bujqësor në 5-mujor, ishte 61 179 tonë, ndërsa vlera lekë ishte 3 320 016.

Në vitin 2018 eksporti i prodhimeve bujqësor në 5-mujor, ishte 53 797 tonë, ndërsa në lekë ishte 31 109 037.

Në vitin 2019 eksporti i prodhimeve bujqësor në 5-mujor, ishte 64 456 tonë, ndërsa në lekë ishte 3 933 689.

Në vitin 2020 eksporti i prodhimeve bujqësor në 5-mujor, ishte 75 645 tonë, ndërsa në lekë ishte 4 436 174.

Këtë 5-mujor ka vijuar trendi rritës, pavarësisht pandemisë që bëri të detyrueshme masat kufizuese. Megjithatë, zinxhiri i prodhimit ushqimor nuk u bllokua për asnjë ditë. /atsh

Vijon trendi rritës edhe këtë 5-mujor/ Eksportet e prodhimeve bujqësore, 17,4% në tonë më shumë Read More »

Parashikimi i motit, e shtunë 20 qershor 2020

Moti sot parashikohet i kthjellët me vranësira kalimtare në orët e mesditës në zonat malore në veri, verilindje.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se do të ketë reshje shiu të dobëta në formë pikash në këto zona.

Era do të fryjë me drejtim veriperëndim-jugperëndim e lehtë e në bregdet mesatare. Valëzimi në dete parashikohet i forcës 2-3 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 18/29 diell re shi
Kukës 15/28 diell re shi
Lezhë 16/29 diell re shi
Dibër 11/24 diell re shi
Durrës 19/29 diell re
Tiranë 19/30 diell re
Elbasan 16/31 diell re
Berat 14/31 diell re
Vlorë 19/31 diell re
Korçë 13/25 diell re
Gjirokastër 14/31 diell re
Sarandë 18/29 diell re/atsh

Parashikimi i motit, e shtunë 20 qershor 2020 Read More »

Infektohen me COVID-19 dy vëllezërit Budina/ Rama: U uroj shërim të shpejtë, virusi po përfiton nga neglizhenca

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas lajmit për infektimin me COVID-19 të dy vëllezërve Edmond dhe Robert Budina.

Ai shpreh keqardhje që dy vëllezërit Budina pozitiv në testin për COVID-19, ndërsa u uron që ta kalojnë sa më lehtë.

Kryeministri bëri thirrje që të gjithë duhet të bëjnë kujdes maksimal pasi virusi po përfiton nga neglizhenca e qytetarëve ndaj rregullave.

“Më vjen sinqerisht keq që dy vëllezërit Budina kanë rezultuar pozitiv në testin për Covid-19! U uroj ta kalojnë sa më lehtë dhe të kenë shërim të shpejtë! Të gjithë duhet të bëjmë kujdes maksimal sepse virusi s’ka ikur dhe po përfiton nga neglizhenca e qytetarëve ndaj rregullave!”, shprehet Kryeministri Rama./atsh

Infektohen me COVID-19 dy vëllezërit Budina/ Rama: U uroj shërim të shpejtë, virusi po përfiton nga neglizhenca Read More »

OFL në Elbasan, Vlorë e Sarandë, u dërgon formularin e deklarimit të pasurisë 3 personave të dënuar më parë

Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë tre shtetasve.

Konkretisht OFL i ka dërguar kërkesë për vetëdeklarimin e pasurisë shtetasit K. D., banues në Sarandë, i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, për veprën penale “Vjedhja e mbetur në tentativë, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, M. D., banues në Vlorë, i cili ka lidhje familjare me subjektin K. D., si rrjedhojë është subjekt i nenit 16 të Aktit Normativ Nr.1, datë 31.01.2020, si dhe Z. Gj., banuese në Elbasan, e dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, e kryer në bashkëpunim””.

“Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme”, – thekson OFL.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.

OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë./atsh

OFL në Elbasan, Vlorë e Sarandë, u dërgon formularin e deklarimit të pasurisë 3 personave të dënuar më parë Read More »