Aktualitet

Testi i Gjuhës dhe Letërsisë/ Do të rishihet edhe njëherë mënyra e shpërndarjes së pikëve të maturantëve, pasi të dalin rezultatet

Kryetarja e Komitetit të Maturës Shtetërore, Zamira Gjini në daljen e saj publike nga ambientet e ministrisë së Arsimit ka garantuar maturantët që notat dhe pikët e provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë do të rishihen me kujdes.

Ndërsa komentoi reagimet e maturantëve lidhur me provimin, Gjini u shpreh se “Komiteti i Maturës Shtetërore pranë ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë që ditën e parë të provimit të Gjuhës Shqipe dhe të Letërsisë ka vlerësuar me kujdes reagimet e maturantëve si dhe kërkesat e tyre drejtuar ministrisë së Arsimit, duke gjykuar zgjidhjen e tyre, cilësinë e zgjidhjes së tyre pa ndikuar në procesin e maturës shtetërore”.

Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe shumë mësues të Gjuhës Shqipe që janë pyetur lidhur me testin, për modelin e testit, përshtatjen e tij me programin orientues të lëndës: Gjuhë Shqipe dhe Letërsi kanë gjykuar që të rishihet edhe njëherë mënyra e shpërndarjes së pikëve të maturantëve dhe të notave të tyre, për të shmangur çdo shqetësim të maturantëve mbi notat, gjë që ka efekt të njëjtë, të barabartë për të gjithë maturantët por kjo do të bëhet vetëm pasi të dalin rezultatet e pikëve të maturantëve”.

Gjini lajmëroi se “që sot Qendra e Shërbimeve Arsimore do të publikojë testin e plotë të lëndës Gjuhë Shqipe dhe Letërsi si dhe përgjigjen e saktë për çdo pyetje të testit, në mënyrë që çdo maturant referuar përgjigjes të mund të bëjë një rivlerësim të asaj çka ai është përgjigjur në testin e tij. Menjëherë sapo të dalin rezultatet, maturantët krahas notës së tyre do të kenë edhe variantin që kanë pasur në test dhe alternativën e saktë”.

Po ashtu, Gjini theksoi ndër të tjera se “maturantët duhet të jenë të qartë, duhet të jenë të bindur se puna e tyre në 3 vitet e gjimnazit, edhe e mësuesve të tyre do të vlerësohet me objektivitet duke iu garantuar se personalizimi i testit që iu bë këtë vit, nuk sjell shmangie të vlerësimit real të tyre në notë”.

“Duke vlerësuar çdo koment apo sugjerim të dhënë në media apo rrjete sociale nga ekspertë të fushës apo të letërsisë, apo nga mësues të cilët njohin shumë mië programin, tekstin, nivelin e nxënësit të tyre, ne si ministri Arsimi dhe Qendra e Shërbimeve Arsimore i ftojmë që sot të bëhen pjesë e tryezave të përbashkëta për të diskutuar mbi saktësinë e secilit pyetje të testit apo përputhjen e testit me programin orientues të lëndës Gjuhë Shqipe dhe Letërsi sikurse ka garantuar Qendra e Shërbimeve Arsimore”, u shpreh Gjini. /atsh

Testi i Gjuhës dhe Letërsisë/ Do të rishihet edhe njëherë mënyra e shpërndarjes së pikëve të maturantëve, pasi të dalin rezultatet Read More »

Balla: Kur duhet mbrojtur çdo prodhim “Made in Albania”, PD ndërmerr sulm politik ndaj kompanisë “Rozafa”

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla e konsideroi sot të turpshëm sulmin politik të Partisë Demokratike ndaj kompanisë “Rozafa”.

“Sulmi i turpshëm politik i Partisë Demokratike ndaj kompanisë Rozafa, është rast i përsëritur i politikës së haraçit të sojit “Lucky” Luçiano”, tha ai.

Në këto kohë të vështira kur çdo prodhim “Made in Albania” duhet mbrojtur, Balla tha se “kjo lloj qasje antishqiptare e lidershipit rrugëhumbur të PD-së që gënjen ditën për diell duhet të ndalojë menjëherë”.

Në 5 qershor, përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi mbështeti protestën e banorëve në Labinot, të cilët pretendojnë se kompania Rozafa po grabit pasuritë e tyre. /atsh

Balla: Kur duhet mbrojtur çdo prodhim “Made in Albania”, PD ndërmerr sulm politik ndaj kompanisë “Rozafa” Read More »

Dita Botërore/ Seancë dhurimi vullnetar të gjakut për fëmijët talasemikë, në selinë e Vëllazërisë Ungjillore Shqiptare

Me rastin e Ditës Botërore të Dhuruesve të Gjakut, në kuadër të nismës së ndërmarrë prej tij si dhe në bashkëpunim me “Aleancën për Dhurimin e Gjakut”, Presidenti Ilir Meta mori pjesë në seancën e radhës të dhurimit të gjakut për fëmijët talasemikë, të mbajtur në selinë e Vëllazërisë Ungjillore Shqiptare.

Në takimin e zhvilluar në Qendrën e Krishterë Shqiptare, ku merrte pjesë edhe Arqipeshkvi metropolit Tiranë-Durrës, Imzot George Frendo, Presidenti Meta u shprehu mirënjohjen kryepastorit Ylli Doçi dhe anëtarëve të Vëllazërisë Ungjillore si dhe të rinjve e të rejave vullnetarë për gatishmërinë e tyre për t’iu bashkuar kësaj kauze fisnike dhe humane.

Kreu i shtetit falënderoi Vëllazërinë Ungjillore dhe dhuruesit e gjakut, duke theksuar se dhënia e gjakut për fëmijët talasemikë, sidomos në këtë periudhë të vështirë të pandemisë së COVID-19, është një gjest tepër njerëzor dhe mision jashtëzakonisht jetik.

“Mirënjohje Bashkësisë Ungjillore Shqiptare, që prej 10 ditësh nëpërmjet një maratonte të dhurimit të gjakut, ka udhëtuar nga jugu në veri të Shqipërisë, nga Shkodra në Sarandë, nga Korça në Gjirokastër, për t’u përfunduar sot më 14 qershor, në Ditën Botërore të Dhuruesve të Gjakut, në Tiranë, duke dhënë një kontribut të çmuar për këtë kauzë jashtëzakonisht humane dhe fisnike, për të cilën e gjithë shoqëria jonë i është mirënjohëse”, nënvizoi ndër të tjera presidenti Meta./atsh

Dita Botërore/ Seancë dhurimi vullnetar të gjakut për fëmijët talasemikë, në selinë e Vëllazërisë Ungjillore Shqiptare Read More »

Pasaporta dhe karta ID/ 354 shërbime për qytetarët nga Konsullata në Selanik

Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Selanik ka ofruar plot 354 shërbime.

“Shifra që nuk kërkojnë koment këtë të diel të datës 14 qershor. Së bashku me asistencën e stafit konsullor në shërbim të moshës së tretë si dhe qytetarëve me aftësi të kufizuara. 79 aplikime për pajisjen me Pasaportë dhe Kartë ID. 147 shpërndarje pasaportash dhe 128 ID për qytetarët që kanë aplikuar deri më 24 maj 2020. Plot 354 shërbime”, theksoi Konsullata në Selanik.

“Shkurtim i kohës së pajisjes me dokumenta identifikimi. Falenderim i veçantë stafit por sidomos qytetarëve për respektimin e radhës, rregullave dhe distancimit fizik”, u shpreh Konsullata.

Konsullata thekson, “vlerësimin special për “ALEAT”, Kompaninë e prodhimit të Pasaportave si dhe për strukturat e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për bashkëpunimin dhe angazhimin me hallet e qytetarëve shqiptarë për prodhimin në kohë rekord të dokumentave të identifikimit”.

Dhe bashkë me këtë vlerësim, Konsullata jep edhe njoftimin e radhës. Për mbërritjen e Pasaportave dhe Kartave ID për të gjithë qytetarët që kanë aplikuar deri më 31 maj 2020, shpërndarja e tyre do të bëhet, çdo ditë, E hënë – E premte ora 13:00-17:00, ditën e shtunë nga ora 9.00 deri 15.00, dhe ditën e diel nga ora 9.00 deri 13:00 si dhe me postë./atsh

Pasaporta dhe karta ID/ 354 shërbime për qytetarët nga Konsullata në Selanik Read More »

Shahini: Provimet kombëtare nuk penalizojnë nxënësitë, stër-politizimi i shpërqendroi ata dhe i keqinformoi

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini me anë të një video-mesazhi, i është drejtuar maturantëve dhe prindërve të tyre, duke i siguruar ata se kanë në dispozicion të gjithë ministrinë dhe se çdo shqetësim do ta zgjidhin së bashku.

Lidhur me debatin e ditëve të fundit për provimet e maturës, të cilin ajo e cilëson “një stër-politizim të skajshëm dhe të tmerrshëm”, Shahini thekson se ky debat shpërqendroi nxënësit nga puna që duhet ta bëjnë për t’u përgatitur për provimet e radhës dhe keqinformoi në debatin kombëtar për arsimin.

Gjithsesi, ajo nënvizon qartë se Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA) dhe Komiteti i Maturës Shtetërore (KOMSH) kanë adresuar të gjitha shqetësimet që janë ngritur nga nxënës dhe mësues për mënyrën se si është zhvilluar Matura Shtetërore këtë javë dhe për dy provimet që do të zhvillohen javën tjetër.

Ministrja Shahini shprehet gjithashtu se “provimet kombëtare nuk penalizojnë nxënësit”, duke theksuar se ata janë të dizajnuar të masin jo vetëm njohuritë e nxënësve që kanë ndërtuar për 12 vite në Arsimin Parauniversitar, por dhe aftësitë që ata kanë për të aplikuar këto njohuri në jetë apo në punë”.

“Këtë e bën pikërisht testi PISA, që është standardi i vlerësimeve për nxënësit dhe mat aftësitë e nxënësve për të aplikuar njohuritë e tyre”, tha Shahini duke nënvizuar se ky lloj testi e informon edhe QSHA-në që të orientojë provimet kombëtare drejt një matjeje të tillë.

“Një debat tjetër që unë besoj duhet të ndodhë, është i domosdoshëm, jo nga politikanët por ekspertët e fushës, është debati për mënyrën se si po zhvillohet gjuha shqipe, se si po zgjerohet ajo, se si po zhvillohet letërsia shqipe, dhe se si po u mësohet gjuha dhe letërsia shqipe nxënësve në shkollat tona. Ky është një debat që duhet të ndodhë nga njerëz që e njohin gjuhën shqipe, kanë studiuar letërsinë, por e njohin edhe shkollën, e njohin edhe universitetin. Pra, janë njerëz të fushës që dinë ta adresojnë këtë çështje në një mënyrë produktive, që mund ta përkthejmë pastaj në politika arsimore”, tha ndër të tjera Shahini.

Në video-mesazh, ministrja Shahini komentoi edhe protestat e ditëve të fundit:

“Me sa pashë të premten para Ministrisë, kishte studentë të vitit të fundit në universitet, pjesë e strukturave të partive opozitare, të cilët e kanë bërë Maturën Shtetërore para 7-8 viteve, shumë para se të futej në funksion kurrikula e re. Kam parë gjithashtu dje që para Ministrisë kishte dalë një burrë, i cili kishte sharë e ofenduar duke përdorur fjalët më të këqija të mundshme. Unë jam e bindur që maturantët tanë nuk identifikohen me këta persona”, tha ajo. /atsh

Shahini: Provimet kombëtare nuk penalizojnë nxënësitë, stër-politizimi i shpërqendroi ata dhe i keqinformoi Read More »

Basha takim me operatorët turistikë në Vlorë: Turizmi për potencialin që ka vendi duhet trajtuar me prioritet

“Turizmi për potencialin që ka vendi duhet trajtuar me prioritet”, tha sot kryetari i PD-së Lulzim Basha në takim e zhvilluar me operatorët turistikë në Vlorë, ndërsa premtoj uljen e taksave.

Basha u shpreh se Vlora është një nga qytetet me potencialin më të madh turistik të vendit, por sot është pa pushues e pa mbështetje.

“Qindra të punësuar direkt dhe indirekt janë në sektorin e turizmit. Shumë prej tyre e kanë humbur vendin e punës e të tjerë rrezikohen nëse situata vazhdon të ecë me këto ritme. Operatorët turistikë të qytetit të Vlorës më treguan shqetësimet e tyre. Pushues nuk ka, taksat e tatimet duhet t’i paguajnë, punonjësit gjithashtu”, u shpreh Basha.

Ai tha se sektori i turizmit punëson 93 000 persona dhe në zinxhir, pothuajse, 200 000 të tjerë. Qindra mijëra familje jetojnë me të ardhurat nga turizmi.

“Turizmi për potencialin që ka vendi duhet trajtuar me prioritet, duke u bazuar në praktikat më të mira botërore. Ne jemi duke hartuar një plan i cili do të konsultohet më pas me operatorët turistikë për të arritur në një produkt që ta ndihmojë këtë sektor, zhvillojë dhe njëkohësisht të rrisë punësimin me paga dinjitoze”, tha ai.

Po ashtu Basha tha se taksat e larta që sot shkojnë në xhepat e oligarkëve do të reduktohen.

“Ne do të çlirojmë qytetarët dhe biznesin në përgjithësi nga taksat e larta, duke vendosur taksën e sheshtë 9% që t’iu japim mundësi për të rritur punësimin dhe konsumin. Ne nuk premtojmë të pamundurën, por paketa ndihme e lehtësi fiskale krejtësisht të realizueshme siç bëjnë dhe vendet tona fqinje që të vendosim barazinë në treg dhe të mundësojmë zhvillim ekonomik për vendin”, tha ai. /atsh

Basha takim me operatorët turistikë në Vlorë: Turizmi për potencialin që ka vendi duhet trajtuar me prioritet Read More »

Kërkesat e maturantëve/ Qendra e Shërbimeve Arsimore: Të gatshëm të ngremë grupe vlerësimi për analizimin e pretendimeve të tyre

Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA) shprehu sot gatishmërinë të ngrejë, në çdo moment, grupe vlerësimi me mësues me përvojë nga gjimnazet e vendit, të cilët së bashku me hartuesit e testit, do të analizojnë pretendimet e
ngritura nga maturantët.

Në një reagim mbi kërkesën e depozituar sot në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë nga maturantët, MASR thekson se “QSHA garanton profesionalizmin dhe përgjegjshmërinë e specialistëve kontribues në hartimin e testit të Gjuhës shqipe dhe letërsisë, të cilët mbështeten në eksperienca dhe metodologji shkencore të sprovuara ndër vite”.

QSHA garanton me përgjegjësi të plotë se ssnjë prej pyetjeve të testit të Gjuhës shqipe dhe letërsisë nuk është jashtë programit orientues.

Ky program është hartuar nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin Parauniversitar (ASCAP).

“Identifikimi i gjeneraliteteve për çdo maturant është bërë për dy arsye: së pari, procesi i korrigjimit është digjitalizuar, çka do të thotë se fletëpërgjigjja skanohet dhe, njëherazi, përgjigjet e dhëna vlerësohen nga sistemi kompjuterik dhe jo nga vlerësues fizikë. Kjo metodë përdoret në të gjithë provimet e standardizuara
(p.sh. SAT, TOEFL, IELTS, etj.), ku testi gjithashtu është i personalizuar, dhe siguron besueshmëri dhe saktësi të procesit të korrigjimit”, – nënvizon QSHA.

Së dyti, QSHA shprehet se ka krijuar mjedise provimi, duke përcaktuar numrin dhe renditjen e nxënësve nëpër klasa.

“Kjo ka shmangur vonesat në shpërndarjen e testeve, pasi
secili nxënës ka marrë menjëherë në dorë testin e personalizuar, dhe ka bërë të mundur që provimi të fillojë njëkohësisht në të gjitha mjediset. Veç të tjerash, materialet e provimit janë hapur në klasë përpara nxënësve dhe kjo procedurë është ngritur për të garantuar transparencën e procesit”, – nënvizon QSHA.

Për sa i takon personalizimit të testeve, QSHA sqaron se në të gjitha rastet, edhe nëse përdoren barkode, testet mund të jenë të identifikueshme lehtësisht nga QSHA.

“Institucioni e ndërton procedurën e vlerësimit të përgjigjeve të nxënësve dhe publikimin e rezultateve të tyre mbi protokolle sigurie tejet të larta, të cilat nuk cënojnë konfidencialitetin e të dhënave. QSHA mbetet në dispozicion të çdo kërkese nga ana e maturantëve për të parë jo vetëm saktësinë e vlerësimit, por edhe ruajtjen e konfidencialitetit të të dhënave”, – tha QSHA.

Sipas QSHA-së, provimet kombëtare, janë vlerësime të jashtme, që matin në mënyrë të standardizuar arritjet e nxënësve në përfundim të arsimit të mesëm të lartë, përkundrejt vlerësimit të brendshëm
të shkollës.

“Si të tilla, ato priren të garantojnë një standard vlerësimi në nivel kombëtar. QSHA garanton me përgjegjësi të plotë se, edhe në rastin e shkollave profesionale, testi është bazuar në programin orientues përkatës”, -përfundon reagimi i QSHA-së.

Maturantët protestuan sërish sot përpara Ministrisë së Arsimit, duke kërkuar rivlerësim të tezës të provimit të gjuhë-letërsisë.

Lidhur me protestën e maturantëve ka reaguar edhe Presidenti Ilir Meta, i cili i bën thirrje Komitetit të Maturës Shtetërore që në përmbushje të detyrimit ligjor dhe përballë kërkesave të studentëve, në transparencë të plotë, të marrë sa më parë në shqyrtim të gjitha shqetësimet e tyre dhe t’u përgjigjet me përgjegjësi të plotë./atsh

Kërkesat e maturantëve/ Qendra e Shërbimeve Arsimore: Të gatshëm të ngremë grupe vlerësimi për analizimin e pretendimeve të tyre Read More »

Parashikimi i motit

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, për ditën e diel moti parashikohet i kthjellët me vranësira mesatare më tepër prezente në orët e mesditës deri në pasdite.

Parashikohen reshje shiu të izoluara në alpe dhe veri në orët e nxheta të ditës.

Era do të fryjë me drejtim veriperëndim 1-10 m/sek, kryesisht në bregdet në orët e mesditës deri në pasdite. Valëzimi i forcës 2-3 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 17/29 re diell
Kukës 15/28 re diell
Lezhë 19/28 re diell
Dibër 13/27 re diell
Durrës 17/29 re diell
Tiranë 17/30 re diell
Elbasan 16/30 re diell
Berat 12/30 re diell
Vlorë 17/29 re diell
Korçë 11/26 re diell
Gjirokastër 11/30 re diell
Sarandë 16/29 re diell/atsh

Parashikimi i motit Read More »