Aktualitet

Basha me fermerët: Qeveria e ardhshme do jetë në krah, do çlirojmë ekonominë

Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me sipërmarrësit e vegjël dhe fermerët në Marikaj.

Basha i garantoi fermerët dhe bizneset se qeveria e ardhshme do jetë në krah të tyre.

Ai tha se dëgjoi shqetësimet dhe problemet e fermerëve të zonës, dhe i garantoi se qeveria e ardhshme do jetë në krah të tyre. “Taksat dhe lekët e shqiptarëve nuk do të shkojnë më për 5 veta”, tha ai.

Basha theksoi se qeveria e ardhshme do çlirojë ekonominë dhe do shtojë mundësitë për punësim.

“Do çlirojmë mundësitë, të punoni të gjithë edhe sipas mundësive që, sigurisht do vijnë duke u rritur, kur të çlirohet ekonomia edhe ju të fitoni, të punësoni, të ketë mirëqenie. S’mund të jetë Shqipëria e 5 vetave”, u shpreh Basha. /atsh

Basha me fermerët: Qeveria e ardhshme do jetë në krah, do çlirojmë ekonominë Read More »

I indinjuar për listën e Tribunalit Special, sot më shumë se kurrë nderim udhëheqësve të Luftës Çlirimtare të Kosovës

“Jam e do të jem deri në fund, në krah të të gjithë atyre që luftuan me armë për ta çprangosur Kosovën e burgosur në ferrin e Sllobodan Milosheviçit, duke mbyllur me gjak, nder e lavdi një histori padrejtësie historike në zemër të Europës”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Rama tha se “qëkur e kam marrë lajmin e listës së Tribunalit Special dhe kam lexuar emrat e kriminelëve të supozuar të Luftës Çlirimtare të Kosovës, përpiqem po nuk arrij të formuloj fjalitë e duhura për të shprehur indinjatën time”.

“Do të shprehem publikisht nesër me një mesazh për të gjithë shqiptarët, por jam e do të jem deri në fund, në krah të të gjithë atyre që luftuan me armë për ta çprangosur Kosovën e burgosur në ferrin e Sllobodan Milosheviçit, duke mbyllur me gjak, nder e lavdi një histori padrejtësie historike në zemër të Europës! Rroftë Kosova dhe sot më shumë se kurrë nderim udhëheqësve të Luftës Çlirimtare”, tha Rama.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, për një varg krimesh kundër njerëzimit dhe krime të luftës, përfshirë vrasjen, zhdukjen me forcë të personave, persekutimin dhe torturat./atsh

I indinjuar për listën e Tribunalit Special, sot më shumë se kurrë nderim udhëheqësve të Luftës Çlirimtare të Kosovës Read More »

Forcimi i partneritetit SHBA-Shqipëri/ FA stërvitje me marinsat amerikanë në Bizë

Ambasada e SHBA-së në Tiranë tha sot se helikopterët UH-1Y Venoms dhe AH-1W Super Cobras të Korpusit të Marinsave të Shteteve të Bashkuara, të caktuar në Njësinë e 26-të të Ekspeditës Detare (MEU) dhe të atashuar në Grupin Bataan Amphibious Ready (BATARG) morën pjesë këtë javë në një stërvitje qitjeje në kohë reale në Bizë.

Ambasada e SHBA-së shton se “stërvitja ishte planifikuar së bashku me forcat aleate shqiptare dhe përbëhej nga trajnime për dorëzimin e artilerisë së aviacionit, të cilat synojnë rritjen e gatishmërisë dhe forcimin e partneritetit midis SHBA-së dhe Shqipërisë”.

“Ky evolucion trajnimi ishte një mundësi e shkëlqyeshme që ekuipazhet tona H-1 të integroheshin me një aleat të NATO-s përmes një koordinimi të gjerë dhe planifikimi të kombinuar, të gjitha ndërsa ishin të shpërndarë fizikisht prej homologëve tanë shqiptarë në platformën tonë të bazuar në det,” tha kapiteni Casey Low, pilot i helikopterit AH-1W Super Cobra. /atsh

Forcimi i partneritetit SHBA-Shqipëri/ FA stërvitje me marinsat amerikanë në Bizë Read More »

Akuzat e Prokurorisë Speciale për Thaçin e Veselin, reagime

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë njoftoi përmes një komunikate për media se më 24 prill 2020 iu ka paraqitur Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

“Në aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”, thuhet në komunikatën e ZPS-së.

Aktakuza thuhet se është vetëm një padi penale e cila është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë e Zyrës së Prokurorit tё Specializuar se mund t’i provojë të gjitha akuzat jashtë dyshimit të arsyeshëm.

Komunikata vijon duke potencuar se një gjykatës i procedurës paraprake i DHSK-së është duke e shqyrtuar aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat.

“Prokurori i Specializuar e gjykon të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së DHSK-së. Besohet se z. Thaçi dhe z. Veseli kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë, nëpërmjet këtyre veprimeve, z. Thaçi dhe z. Veseli kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Meta: Besojmë në pafajësinë e Thaçit, Veselit dhe të gjithë bashkëluftëtarëve të tyre

Presidenti Ilir Meta ka reaguar ndaj kësaj aktakuze dhe shprehet se vlerëson luftën e UÇK-së të popullit të Kosovës kundër dhunës dhe gjenocidit të regjimit serb të drejtuar nga Millosheviçi, si dhe beson te pafajësia e presidentit Hashim Thaçi, e ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli dhe të bashkëluftëtarëve të tyre.

Meta tha se “lufta e UÇK-së, që iu imponua popullit të Kosovës nga shtypja dhe gjenocidi i regjimit kriminal të Millosheviçit, rezultoi se ishte e drejtë dhe vendimtare, jo vetëm për lirinë dhe themelimin e Republikës së Kosovës në kufijtë e njohur ndërkombëtarisht, por edhe për paqen, stabilitetin dhe ardhmërinë e saj europiane dhe të rajonit tonë”.

“Ne besojmë në pafajësinë e Presidentit Hashim Thaçi, ish-Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli dhe të gjithë bashkëluftëtarëve të tyre”, theksoi ai.

Po ashtu Meta shton se “edhe më parë janë ngritur akuza ndaj ish-drejtuesve të UÇK, por pafajësia e tyre dhe drejtësia e luftës është konfirmuar. Ne besojmë se kjo do të ndodhë përsëri”.

Gjithashtu ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ka reaguar sot në lidhje me padinë e ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës kundër presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

Cakaj: Nuk ka forcë në botë që të rishkruajë historinë e të njollosë UÇK-në

Cakaj në reagimin e tij thekson se, “lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e pastër dhe e drejtë! UÇK-ja është jo vetëm pika më e lartë e përpjekjeve historike të popullit të Kosovës për liri e vetëvendosje, por edhe kapitulli më i lavdishëm i historisë sonë kombëtare. PIKË”.

“Prandaj, sot, duke qenë krejtësisht të bindur në pafajësinë e tyre të plotë e duke njohur me nderim të thellë punën e tyre në shërbim të kombit shqiptar e vlerave njerëzore, mbështetje e pakursyer për Hashim Thaçin e Kadri Veselin, gjithnjë duke kujtuar kryelartë e ballëhapur gjithë historinë e ndritur e të paqtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Cakaj.

Ai shtoi se, “atë që mund ta mbulojë mjegulla e politikës ditore, nuk mund ta fshehë kurrë as historia: krenar me punën e tyre për çlirimin e Kosovës dhe ndërtimin e shtetësisë së saj që nga themeli. Kaq”.

“Mirënjohje, nderim e krenari, natyrisht, për çdo pjesëtar të UÇK-së për shërbimin e pastër ndaj vendit dhe qëndrimit në faqen e bardhë të historisë. Mbase në botë mund të ndodhin shumë çudira, por nuk ka asnjë forcë mbi rruzullin tokësor që mund ta rishkruajë historinë, njollosë UÇK-në, a tjetërsojë përpjekjen e popullit shqiptar për drejtësi dhe çlirim! Nderim udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, përfundoi Cakaj reagimin e tij.

Majko: UÇK-ja është luftë për liri

Edhe ministri i Shtetit për Diasporën dhe ish-kryeministër në kohën e luftës së Kosovës, Pandeli Majko ka reguar sot në lidhje me padinë e ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës kundër presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

Majko shprehet se është në krah të tyre dhe se UÇK është lufta për liri.

“Drejtësia e Gjykatës së Hagës ka ngritur akuza ndaj drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaci dhe Kadri Veseli”, shprehet ai.

Majko theksoi se “UÇK-ja është luftë për liri! Lufta për liri është “shkelje e ligjit”. Është ligji i agresorit mbi viktimën. Kështu ka qenë dhe do të jetë! Jam në krah të Hashimit dhe Kadriut”. /atsh

Akuzat e Prokurorisë Speciale për Thaçin e Veselin, reagime Read More »

“Shqipëria mbështetje të fortë luftës kundër terrorizmit”/ DASH: Reforma të thella në drejtësi, Vetting për 800 gjyqtarë e prokurorë

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) publikoi sot raportin e përvitshëm për terrorizmin në botë, ku vlerëson se “Shqipëria vazhdoi të mbështesë fort përpjekjet ndërkombëtare të Antiterrorizmit në vitin 2019 dhe kontribuoi në Koalicionin Global për të mposhtur ISIS-in”.

Ndër të tjera, DASH vlerëson se “zbatimi i reformave të thella në sistemin gjyqësor vazhdon, duke filluar me verifikimin e 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve të Shqipërisë për korrupsion, paaftësi dhe lidhje me krimin e organizuar”.

“Disa vende europiane ndërmorën hapa konkretë për të luftuar terrorizmin e mbështetur nga regjimi iranian në vitin 2019. Ndër to, Shqipëria, së bashku me Danimarkën dhe Francën reduktuan të gjitha marrëdhëniet diplomatike si kundërpërgjigje ndaj komploteve të mbështetura nga Irani për të kryer atentate ose për të vënë bomba në këto vende”, thuhet në raportin e DASH.

DASH vlerëson se “Shqipëria i dënon penalisht aktet terroriste, financimin e terrorizmit, kryerjen e transaksioneve me persona në listat e sanksioneve të OKB-së, rekrutimin dhe kapacitetin e njerëzve për të kryer akte terroriste, nxitjen e akteve terroriste, udhëheqjen dhe marrjen pjesë në organizata terroriste ose konflikte të armatosura jashtë vendit”.

“Shqipëria ka një sistem mbikëqyrës të sigurisë së porteve në përputhje me kërkesat sipas Kodit Ndërkombëtar të Sigurisë së Objektit Portual të Organizatës Ndërkombëtare Detare. Zbatimi i ligjit në Shqipëri rriti përpjekjet për të luftuar kërcënimet e mundshme terroriste”, thuhet në raport.

DASH çmon po ashtu punën e ngushtë mes Njësisë së Antiterrorizmit të Policisë së Shtetit (CTU) me agjencitë e SHBA-së për të lidhur kërkesat e qeverisë shqiptare me ekspertizën dhe burimet e SHBA-së, duke siguruar që qeveria shqiptare të zhvillojë aftësi të përqendruara të Antiterrorizmit.

“CTU, gjithashtu, mori pjesë në disa ndërhyrje të suksesshme të terroristëve të njohur ose të dyshuar. Në vitin 2019, CTU krijoi një nënnjësi të përqendruar në luftimin e financimit të terrorizmit”, thuhet në raport.

DASH vlerëson se “Qeveria shqiptare ka zhvilluar, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, plane dhe aftësi emergjente për të parandaluar dhe reaguar ndaj sulmeve terroriste kundër shënjestrave të dobëta”.

“Më 23 tetor, Policia e Shtetit Shqiptar njoftoi se kishte prishur sulmet e planifikuara në vitin 2018 nga agjentët iranianë kundër anëtarëve të grupit opozitar iranian, MEK, që jetojnë në Shqipëri”, vlerëson DASH.

Në raport vlerësohet se “Shqipëria vazhdon të ndërmarrë hapa për të përmirësuar sigurinë e saj kufitare, për të zbuluar dhe ndaluar hyrjen e terroristëve dhe në përputhje me standardet e UNSCR 2396, siç është përdorimi i API/ PNR, për të përmirësuar kontrollin e pasagjerëve ajrorë”.

“Shërbimet e zbatimit të ligjit bashkëpunojnë gjerësisht me INTERPOL-in dhe organet e tjera ndërkombëtare të zbatimit të ligjit”, thuhet në raport. /atsh

“Shqipëria mbështetje të fortë luftës kundër terrorizmit”/ DASH: Reforma të thella në drejtësi, Vetting për 800 gjyqtarë e prokurorë Read More »

Veseli: Lufta e UÇK-së ishte e shenjtë, krimet në Kosovë janë kryer nga serbët dhe jo nga shqiptarët

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli reagoi sot ndaj aktakuzës së ngritur nga Zyra e Prokurorit Special në kuadër të Dhomave të Specializuara ndaj tij dhe presidentit Thaçi.

“Në një veprim të paprecedentë, Prokurori ka lëshuar deklaratën para se Gjykata t’i konfirmojë ose rrëzojë akuzat e ngritura që ai pretendon. Në këtë deklaratë, Prokurori përpiqet ta arsyetojë vendimin e tij të padrejtë dhe të pazakonshëm, duke pretenduar se unë dhe Presidenti kemi tentuar të pengojmë punën e Dhomave të Specializuara”, tha Veseli.

Ai theksoi se “dyshimet e ngritura janë plotësisht të pavërteta dhe nuk qëndrojnë”. “Po ashtu, nuk ka kurrfarë baze për pretendimet për pengim të punës së gjykatës. Dhe është shqetësim i thellë gjuha e tillë e adresimit me të pavërteta. Një tjetër shqetësim është dyshimi i bazuar se motivet e vërteta të këtij Prokurori janë krejtësisht politike”, tha Veseli.

Ai tha se “asnjë prokuror, asnjëherë nuk do të duhej të lejonte që vendimet e tij të udhëhiqen nga motive politike”.

“Me këtë qasje, Prokurori ka paralajmëruar rrugën që ai pretendon ta ndjek për ta ushtruar të gjithë pushtetin e tij. Ai po e paralajmëron popullin e Kosovës se ky proces nuk mund të jetë i besueshëm për të ndarë drejtësi të paanshme, dhe të pandikuar nga rrethanat politike. Ai po përpiqet që përmes deklaratave kundërthënëse të mbulojë motivet e vërteta, që duket se janë politike”, tha Veseli.

Ai siguroi se “nuk do të lejoj që ky Prokuror dhe asnjë tjetër si ai, ta njollosë në këtë mënyrë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”.

“Ne kemi qenë të detyruar që ta mbrojmë veten dhe vendin tonë. Dhe do ta bëjmë sërish. Nëse na imponohet, edhe një herë do të demonstrojmë me fakte se UÇK ka zhvilluar një luftë të ndershme për liri, kundër një prej ushtrive më të fuqishme dhe më agresore në botë, të udhëhequr nga një bandë kriminale serbësh. Luftëtarët e lirisë, që në vitet 1998 e 1999 morën armët në duar për të mbrojtur popullin, familjet, shtëpitë dhe nderin e tyre, ndaj përpjekjeve gjenocidale të Serbisë, meritojnë vetëm nderim e lartësim dhe jo fyerje në këtë mënyrë”, tha Veseli.

Jam krenar, vijoi ai, “që kam qenë pjesë e Luftës Çlirimtare të popullit të Kosovës dhe e mohoj plotësisht çdo përfshirje në ndonjë akt kriminal”.

“Luftëtarët trima të UÇK-së janë mbrojtës, heronj të luftës, që kanë luftuar kundër një agresori të egër serb, dhe nuk janë kriminelë lufte. Tribunali Ndërkombëtar për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi tanimë ka trajtuar ngjarjet e luftës në Kosovë në pesë gjykime të ndara. Në fund të këtyre gjykimeve, gjashtë udhëheqës të Serbisë janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, kundër popullatës civile shqiptare. Ndërsa, të gjithë udhëheqësit e lartë të UÇK-së ishin shpallur të pafajshëm”, nënvizoi ai.

Kjo, sipas Veselit, “flet për të vërtetën se krimet në Kosovë janë kryer nga serbët dhe jo nga shqiptarët”.

“Deklarata e sotshme e Prokurorit është një përpjekje tjetër për të rishkruar historinë, duke e shtrembëruar të vërtetën për luftën tonë të shenjtë çlirimtare. E kam për nder e privilegj qe ta mbroj Kosovën edhe një herë, nëse na imponohet. E di se do ta kem edhe mbështetjen tuaj për ta mbrojtur luftën çlirimtare, lirinë tonë, UÇK-në dhe historinë e Kosovës kundër kësaj prokurorie të njëanshme. Ai që ka qenë luftëtar nuk mërzitet, sepse e di pse ka luftuar. Prej ditës së parë kam qenë në UÇK. Do t’i shërbej kombit tim deri në fund”, tha Veseli.

Ai theksoi se “lufta e UÇK-së ishte e shenjtë. Ajo do të mbetet e tillë në zemrat dhe mendjet tona. Historia e Kosovës një herë është shkruar. Askush, kurrë nuk mund ta ndryshojë atë. Liria dhe pavarësia jonë nuk do të zhbëhen kurrë. Kosova dhe populli i saj do të ekzistojnë përherë”. /atsh

Veseli: Lufta e UÇK-së ishte e shenjtë, krimet në Kosovë janë kryer nga serbët dhe jo nga shqiptarët Read More »

Basha: Kam bindje se Thaçi dhe Veseli do t’i dëshmojnë sërish botës drejtësinë e kauzës së lirisë

Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka reaguar sot pas akuzave që ka ngritur Prokuroria Speciale e Kosovës ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

Në reagimin e tij, Basha shprehet se “Ushtria Çlirimtare e Kosovës luftoi për liri përballë një agresori që nuk kurseu asgjë, nga gjenocidi, tek spastrimi etnik kundër popullit të Kosovës. Kohë pas kohe shqiptarëve iu desh jo vetëm të luftojnë për ta fituar lirinë, por edhe ta mbrojnë atë”.

“Kam bindjen se Hashim Thaçi, Kadri Veseli e të gjithë bashkëluftëtarët e tyre do t’i dëshmojnë sërish botës drejtësinë e kauzës së lirisë. Asgjë nuk e përdhos dot luftën çlirimtare dhe sakrificën sublime të popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe dinjitet njerëzor”, tha ai. /atsh

Basha: Kam bindje se Thaçi dhe Veseli do t’i dëshmojnë sërish botës drejtësinë e kauzës së lirisë Read More »

Paketa e Zgjeruar/ Deri më sot kanë përfituar 168 508 qytetarë, 11 mijë vetëm në qarkun e Fierit

Deri më sot 168 508 qytetarë shqiptarë kanë përfituar nga Paketa e Zgjeruar prej 40 mijë lekësh.

Lajmin e bëri të ditur sot ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, ndërsa solli shembullin e një tjetër punonjësi që ka përfituar nga kjo paketë shumën prej 40 mijë lekësh.

Sipas ministres, vetëm në qarkun e Fierit nga Paketa e Zgjeruar kanë përfituar 11 mijë qytetarë.

“Ermali, në një biznes mobilierie është një nga 11 mijë përfituesit e Paketës së Zgjeruar në qarkun Fier”, tha Denaj./atsh

Paketa e Zgjeruar/ Deri më sot kanë përfituar 168 508 qytetarë, 11 mijë vetëm në qarkun e Fierit Read More »