Aktualitet

Shahini: Protesta e maturantëve e stisur nga opozita, gjuha përçmuese segment antishqiptar

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini përmes një reagimi zyrtar e ka cilësuar protestën e fundit të maturantëve të stisur prej opozitës duke dënuar njëkohësisht edhe gjuhën e përdorur kundrejt saj, si rrezik për të mbjellë në të ardhmen një segment antishqiptar tek të rinjtë.

Shahini thotë se përfaqësues të opozitës, deputetë të dorëhequr, këshilltarë e ish-këshilltarë të tyre bashkë me portalet e tyre kanë kritikuar prejardhjen e vetë ministres duke shfaqur përçmim ndaj shqiptarëve të Kosovës.

“Nuk e kam kuptuar kurrë se si disa përfaqësues të opozitës, deputetë të dorëhequr dhe në shërbim, këshilltarë dhe ish-këshilltarë bashkë me portalet e tyre, ia kanë lejuar vetes të më kritikojnë prejardhjen dhe dialektin, duke shfaqur përçmim ndaj shqiptarëve që flasin si unë dhe në veçanti ndaj kosovarëve. Të thuhet “Kthehu prej nga ke ardhur!” ka qenë e papranueshme gjithmonë, por t’i thuhet një shqiptari me prejardhje nga Kosova në 2020-ën, është skandaloze!

Ky sentiment antishqiptar, gati racist i disa opozitarëve, është në mospërputhje të plotë me realitetin e një shkëmbimi dhe bashkëveprimi serioz të bashkëkombësve tanë në të gjithë rajonin. Qytetarët e Shqipërisë ndajnë të njëjtin gëzim që kam edhe unë për faktin se shqiptarët janë sot më të bashkuar se kurrë, një prej dëshmive të së cilit është padyshim edhe prezenca e ministrave me prejardhje nga Kosova në qeverinë e Republikës së Shqipërisë”, tha ministrja.

Shahini thotë ndër të tjera se opozita është e dëshpëruar nga mungesa e përkrahjes së popullit dhe mungesa e argumenteve kundër qeverisjes së mazhorancës në arsim.

“E shoh të arsyeshme të reagoj tani, sepse në protestat e fundit të stisura nga opozita kundër provimeve kombëtare, dëgjova edhe disa të rinj duke artikuluar frazën e ulët “Kthehu prej nga ke ardhur!”. Është tejet e rrezikshme për të ardhmen e popullit tonë nëse mbjellim sentiment antishqiptar tek të rinjtë. Tani, unë nuk mendoj se opozita është seriozisht antishqiptare. Ajo është thjesht e dëshpëruar nga mungesa e përkrahjes popullore dhe mungesa e argumenteve kundër qeverisjes së PS në arsim.
Ata janë të vetëdijshëm se përderisa me qeverisjen e tyre kanë jetësuar dhe mundësuar shitblerjen e diplomave fallco, nuk kanë argumente të kritikojnë standardin që po kërkojmë ne në arsimin e lartë. Partia që ka shitur vendet e punës për mësuesit nuk ka fytyrë të kritikojë depolitizimin e punësimit të mësuesve përmes portalit “Mësues për Shqipërinë”. Partia, e cila përmes “altertekstit” ka çoroditur totalisht shkollat shqiptare për gati një dekadë dëmi i të cilit po merr edhe një dekadë shtesë të riparohet nuk ka se si të kritikojë politikën e librave falas nga botuesit më të mirë botërorë, që po u jepen tashmë falas 2/3 e nxënësve të arsimit parauniversitar”, u shpreh Shahini.

Ministrja theksoi se “nga frustrimi i mungesës së argumenteve reale kanë vendosur të reduktojnë gjithë kritikën e tyre në krijimin e “tjetrit” në këtë rast, ministri që flet ndryshe nga disa prej tyre – dhe ftesës për ta urryer atë. Kritikat ndaj qeverisjes janë legjitime dhe unë do të mbroj të drejtën e të rinjve për të protestuar. Por, nuk guxojmë të lejojmë që opozita të helmojë mendjet e brezave të rinj me antishqiptarizëm vetëm e vetëm sepse nuk kanë argumente reale kundër punës sime. Në fund, dëshpërimi i opozitës është problem ekskluzivisht i tyre dhe nuk duhet të lejojmë që të na çojë drejt një rruge të rrezikshme të përçarjes kombëtare”. /atsh

Shahini: Protesta e maturantëve e stisur nga opozita, gjuha përçmuese segment antishqiptar Read More »

Basha: Të rinjtë, potencial i madh dhe garanci për qeverisjen e ardhshme

“Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm, që po bëhet gati të marrë në dorë fatet e vendit, dhe kjo është rinia e saj e jashtëzakonshme. Me ambicie të mëdha dhe përgatitje lidershipi, këta të rinj janë një potencial i madh dhe garanci për qeverisjen e ardhshme”.

Kështu u shpreh sot kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë një takimi me të rinjtë e programit LEAD Albania.

“Me një mendësi të re, me dëshirën dhe ambicien për të punuar në Shqipëri e për Shqipërinë, të rinjtë dhe të rejat kanë sot aftësinë dhe përgatitjen e duhur, por ajo që u mungon dhe do të bëjmë gjithçka t’ua japim, është mundësia”, – tha Basha.

Gjatë takimit Basha diskutoi me të rinjtë për platformën e PD-së.

“Mora ide të vyera prej tyre, për ta pasuruar atë dhe më tej, për të adresuar më mirë zgjidhjet rreth problematikave që kanë të rinjtë sot. Garantimi i mundësive për arsim, pavarësisht statusit të tyre social, krijimit të mundësive për të hapur biznese të reja, mbështetje për idetë inovative, krijimin e mundësive për punësimin e tyre, ishin disa prej çështjeve që ndava me ta”, – tha Basha.

Kreu i PD-së tha se “përtej situatës së vështirë që po kalojmë, të një krize shumëdimensionale politike, ekonomike e sociale, këta të rinj, me optimizmin e tyre, me idetë se si duhet të ecim përpara, se si do t’i shndërrojmë pasuritë e mëdha të këtij vendi në mundësi për një jetë më të mirë për çdo shqiptar, janë garancia e një ndryshimi që po vjen, ndryshim real që do të prekë çdo qytetar e veçanërisht të rinjtë, që sot shohin si mundësi vetëm emigrimin”.

“Programi LEAD Albania (Leadership Experience And Development) që zbatohet nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) që nga viti 2013, ka qenë dhe mbetet një mundësi e mirë për të rinjtë e talentuar dhe të mirarsimuar, që me punën dhe angazhimin e tyre serioz, do ta bëjnë Shqipërinë një vend më të mirë”, – tha Basha./atsh

Basha: Të rinjtë, potencial i madh dhe garanci për qeverisjen e ardhshme Read More »

Energji pa ndërprerje gjatë sezonit turistik/ Instalohet nënstacioni i lëvizshëm për fshatrat e Jugut

Me synim rritjen e sigurisë të furnizimit me energji elektrike dhe në mbështetje të sezonit turistik bregdetar në jug të vendit, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, pjesë e OSHEE Group sh.a, bëri të mundur instalimin e nënstacionit të lëvizshëm në fshatin turistik të Borshit, Sarandë.

Ky nënstacion, investim i OSHEE, është i lidhur me rrjetin 35 kV dhe bashkërendon me nënstacionet e tjera, atë të Bunecit dhe Himarës, si garanci e rritur për furnizim normal me energji elektrike.

Nënstacioni me fuqi 7,5 MVA furnizon fshatrat turistikë të Borshit, Qeparoit dhe Fterrën.

Përmes nënstacionit të lëvizshëm të vendosur në Borsh reduktohet ngarkesa e linjave elektrike për Lukovën, Piqerasin, Vunoin dhe Dhërmiun./atsh

Energji pa ndërprerje gjatë sezonit turistik/ Instalohet nënstacioni i lëvizshëm për fshatrat e Jugut Read More »

Parashikimi i motit, e hënë 22 qershor

Pjesa e parë e ditës do të jetë me alternime kthjellimesh dhe vranësirash kalimtare. Por gjatë mesditës dhe pasdites vranësirat do të zhvillohen duke sjellë reshje shiu në zonat malore dhe pjesërisht qendrore. Ndërsa mbrëmja rikthen motin e qëndrueshëm në pjesën më të madhe të vendit.

Temperaturat e ajrit do të ulen në mëngjes dhe në mesditë, duke regjistruar vlerën minimale në qytetin e Ersekës me 10°C. Ndërsa vlera maksimale do të shënohet në qytetin e Lezhës me 31°C.

Era do të fryjë mesatare në tokë dhe e fortë në det me shpejtësi 55 km/h nga drejtimi veriperëndimor, duke krijuar dallgëzim 5 ballë./atsh

Parashikimi i motit, e hënë 22 qershor Read More »

Gjej një minutë për të menduar, gjej një minutë për t’u lutur, gjej një minutë për të qeshur

Kryeministri Edi Rama zgjodhi sot të tjera fjalë të shenjta për të përcjellë mesazhe për publikun.

Përmes rubrikës “Fjalë të Shenjta”, Rama përcolli sot fjalët e shenjtores shqiptare, Nënë Tereza.

“Gjej një minutë për të menduar, gjej një minutë për t’u lutur, gjej një minutë për të qeshur”, shprehet Rama, duke cituar Nënë Terezën./atsh

Gjej një minutë për të menduar, gjej një minutë për t’u lutur, gjej një minutë për të qeshur Read More »

Rinis transporti ndërkombëtar detar i pasagjerëve/ Monitorim rigoroz protokolleve të sigurisë

Ministria Infrastrukturës dhe Energjisë së bashku me Drejtorinë e Përgjithshme Detare po punon për të bërë të mundur rifillimin gradual dhe të sigurt të transportit ndërkombëtar detar të pasagjerëve.

Përmes një njoftimi për shtyp, ministria njoftoi se i gjithë ky proces ka në fokus garantimin e sigurisë së shëndetit të pasagjerëve, duke përmbushur në mënyrë rigoroze të gjitha protokollet e sigurisë të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë, bazuar në udhëzimet e organizmave ndërkombëtare.

“Duke marrë në konsideratë kërkesat e operatorëve të licensuar në transportin detar të pasagjerëve dhe deklaratën e Komisionit Evropian të datës 11 qershor 2020, për heqjen e kufizimeve të udhëtimit duke filluar nga 1 korrik 2020, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njofton se duke nisur nga dita e hënë, 22 qershor 2020, do të lejohen të gjitha linjat e transportit ndërkombëtar të pasagjerëve”, thuhet në njoftimin e MIE-s.

Në këtë situatë të re, sipas MIE-s, përgjegjësia do të jetë e shoqërive të transportit ndërkombëtar detar të pasagjerëve, të cilat duhet të ndërmarrin hapat e nevojshëm, për të mundësuar rezervimin e lundrimit për dhe nga Portet e Republikës së Shqipërisë.

“Shoqëritë e Transportit ndërkombëtar detar të pasagjerëve do të jenë përgjegjëse edhe për të informuar pasagjerët për kufizimet e mundshme në fuqi për nisjet nga portet e Republikës së Shqipërisë dhe destinacionin e synuar si dhe rregullat e kujdesit dhe sigurisë së shëndetit në destinacionin ku ata do të mbërrijnë” shprehet MIE.

Drejtoria e Përgjithshme Detare do të monitorojë zbatimin e të gjitha masave si dhe planin e veprimit për zbatimin e detyrimeve të parashikuara në Protokollin e Operimit të Transportit Detar, të miratuar nga Ministria.

“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë së bashku me Drejtorinë e Përgjithshme Detare dhe portet detare në vend është e angazhuar për të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm në mënyrë që të garantohen lundrime të sigurta duke mos cenuar sigurinë e shëndetit të punonjësve të sektorit dhe të pasagjerëve”, thuhet më tej/atsh

Rinis transporti ndërkombëtar detar i pasagjerëve/ Monitorim rigoroz protokolleve të sigurisë Read More »

Vreshtaria, sipërmarrje në rritje në të gjitha zonat e Shqipërisë

Kultivimi i vreshtarisë është kthyer tashmë në një biznes në rritje që dominon në të gjitha zonat e Shqipërisë. Vreshtat, aktivitet nga më tradicionalët nga jugu e deri në veri të vendit, po kthehet në biznes mjaft fitimprurës për shumë fermerë që po investojnë në këtë kulturë.

Nga të dhënat statistikore rezultojnë se janë mbi 325 mijë fermerë që meren me prodhimin e rrushit në vreshta dhe pjergulla.

Ndërkohë që sipërfaqja e mbjellë me vreshta është rritur ndjeshëm vitet e fundit në mbi 15.000 ha.

Sot në vendin tonë rreth dy të tretat e fermerëve kultivojnë sipërfaqe deri në 0,2 ha tokë me vreshta kryesisht të llojit tradicional, Sheshi i Bardhë e Sheshi i Zi.

Ekspertët e bujqësisë tregojnë se, fermat e vogla kanë një qasje të kombinuar, një pjesë të prodhimit të rrushit e shesin të freskët, ose të përpunuar në formën e verës apo rakisë) dhe një pjesë për konsum vetjak.

Mbi 17 mijë ferma kanë vreshta me sipërfaqe mbi 0,2 ha, gjë që tregon për një lloj niveli specializimi.

Gjatë viteve të fundit sipërfaqja e vreshtave është rritur me mbi 1.3 mijë ha.

Zonat kryesore të prodhimit të rrushit janë Fieri, Berati, Elbasani dhe Vlora.

Sot prodhimi vendas i rrushit dominon furnizimin e tregut vendas por ai edhe eksportohet në tregjet e huaja./atsh

Vreshtaria, sipërmarrje në rritje në të gjitha zonat e Shqipërisë Read More »

Lleshaj viziton 84-vjeçarin në Finiq: Policia, e angazhuar për garantimin e sigurisë së plotë

– Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj është ndalur këtë të dielë në mëngjes në Finiq, në shtëpinë e Vasil Kiços, 84-vjeçari, të cilit iu vodh shtëpia para disa kohësh.

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj thekson se karshi sigurisë së minoritetit, Policia e Shtetit është dyfish e detyruar dhe e angazhuar për siguri të plotë.

“Në Krane të Finiqit, vizitova shtëpinë e Vasil Kiços, e cila është vjedhur para disa kohësh. Me 84-vjeçarin, që jeton i vetmuar, diskutova për rastet e vjedhjeve që janë kryer në shtëpitë e këtij fshati dhe më tej”,- thekson Lleshaj.

“Indinjata ndaj këtyre akteve të ulta do të pasohet nga masa të forta të Policisë dhe të autoriteteve vendore për të zbuluar dhe vënë përpara përgjegjësisë së ligjit dhe përpara përbuzjes shoqërore ata individë që, në mungesë të çdo morali, cenojnë shtëpi të moshuarish të vetmuar, duke e tronditur rëndë pleqërinë e tyre”,- vijoi Lleshaj.

“Përballë sigurisë së minoritetit Policia e Shtetit është dyfish e detyruar dhe do të angazhohet në mënyrë të shumëfishtë për të ofruar siguri të plotë, në përmbushje të përgjegjësive të saj ligjore, por dhe në respekt të traditave me të mira shqiptare.”,- garantoi ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj./atsh

Lleshaj viziton 84-vjeçarin në Finiq: Policia, e angazhuar për garantimin e sigurisë së plotë Read More »