Shefi i Urgjencës Kombëtare Mjekësore, Skënder Brataj deklaroi sot në një intervistë televizive se në këtë moment maska është detyrim në të gjitha ambientet e brendshme.
“Në këtë moment, maska është detyrim. Me hapjen publike të transportit është detyrim në të gjitha ambientet e brendshme. Duhet të shtrëngojmë masat me qëllim që brenda dy apo tre javësh të ulim numrat”, tha Brataj.
Brataj shtoi se në korrik priten rritje të rasteve pozitive. Ai u shpreh se infektimet që kemi aktualisht janë pasqyrim i hapjes së qershorit dhe gjatë muajit korrik, nëse lokalet do të jenë plot dhe nuk do të respektohen rregullat shifrat do të jenë në rritje.
“Në këtë periudhë ne jemi me fillimin e hapjes. Kjo javë është në rritje dhe përkon me hapjen e qershorit. Kapacitetet spitalore janë rreth 550 shtretër dhe kemi 256 respiratorë. Unë mendoj se së shpejti do hapim COVID-2. Korrikun do ta kemi në ngritje, sepse është maksimumi i dëmit që është bërë. Po kërkohet që njerëzit të ndërgjegjësohen”, tha Brataj.
Brataj tha se ajo që është shqetësuese lidhet me faktin, që 61% e të infektuarve po shfaqin simptoma, ndërsa në fillim të pandemisë, vetëm 30% e personave të prekur shfaqin simptoma.
Brataj tha se Shkodra është qyteti me përhapjen më të lartë në bazë të numrit të popullsisë, për shkak të mosrespektimit të rregullave./atsh
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim deklaroi sot gjatë një interviste televizive se, “marrëveshja e 5 qershorit duhet të kalojë siç është, pasi nuk mund të hapet përsëri”.
E pyetur se çfarë mendon se do të ndodhë me Reformën Zgjedhore, ambasadorja Kim tha se, “është e ndërlikuar, sepse mendoj, opozita që është jashtë parlamentit bëri një gabim. Nuk duhet të kishin ikur. Thënë kjo, ata fituan shumë vota në zgjedhjet e fundit, pra qartësisht përfaqësojnë një pjesë domethënëse të popullsisë. Pra duhet të jenë pjesë e diskutimit, ndaj mendoj se ishte diçka shumë e mirë që u kthyen në tryezë për të negociuar çështjen e Reformës Zgjedhore. Në të njëjtën kohë, opozita që qëndroi në parlament bëri saktësisht gjënë e duhur. Në një kuptim, ata shpëtuan demokracinë shqiptare. Dhe sigurisht, shumica është shumica. Ajo që di është se më 5 qershor, palët ranë dakord dhe, me sa di, kanë hartuar ligjet që kodifikojnë marrëveshjen që arritën dhe kjo është diçka e mirë. Pritshmëria ime është që do ta ruajnë atë. Është e patjetërsueshme”.
“5 qershori duhet të kalojë siç është. Nuk mund të hapet përsëri. Nuk mund ta bësh, sepse do të ishte shkelje e shumë besimi të vënë. Dhe mendoj që nëse jep fjalën, si politikan, si diplomat, nëse nuk e mban fjalën, nuk ke asgjë. Ndaj pritshmëria ime është që udhëheqësit këtu do të bëjnë pikërisht atë që më thanë se do të bënin, që është miratimi i 5 qershorit. Tani, e di po ashtu që për shumë njerëz, 5 qershori nuk mjafton”, u shpreh Kim.
“Kur njerëzit flasin për ndryshim dhe Reformën Zgjedhore, duan sistemin e hapur. Dhe unë e kuptoj këtë, por siç e kam thënë më parë, e dini, synimi ynë i menjëhershëm është shumë specifik. Është që të sigurohet që Shqipëria të hyjë në BE. Pjesa tjetër, nëse mund të arrihet një marrëveshje, mrekulli. Të bëhet. Por ajo që nuk duam është një situatë pengmarrjeje kur diçka që është ekstra mban peng diçka që është e nevojshme. Nuk mund të jetë dhe nuk mund ta mbështes këtë”, tha Kim.
Mbi procesin e integrimit europian, Kim tha se, “mendoj se është një projekt historik dhe përgëzoj popullin shqiptar dhe qeverinë shqiptare që kanë arritur në këtë pikë në histori. Do të ndryshojë të ardhmen e Shqipërisë dhe po i thoja Luigi Soreca-s, ambasadorit të BE-së, se ne jemi miqtë e Shqipërisë për 100 vitet e fundit dhe duhet të shtoni BE-në si një tjetër mik për 100 vitet e ardhshme. E di që flasim për atë që mund të fitohet nga procesi. Nuk është vetëm çfarë fitohet, por në fakt, ajo që duhet bërë. Dhe kjo do të kërkojë që qeveria shqiptare dhe populli shqiptar dhe udhëheqësit politikë shqiptarë, avokatë, gjyqtarë, prokurorë të bashkojnë forcat për ta bërë Reformën në Drejtësi realitet. Është e vështirë. E di që jo të gjithë e duan. Jo të gjithë duan të gjitha pjesët e saj, por është vërtet e nevojshme dhe shumica dërrmuese e popullit shqiptar e do dëshpërimisht. Tjetra që di është që biznesi amerikan, me të cilët flas, e do dëshpërimisht. Askush nuk do të investojë në Shqipëri nëse nuk kanë ndjesinë se kontratat do të zbatohen, që nëse ka një mosmarrëveshje dhe nëse shkojnë në gjykatë, do të marrin një gjykim transparent dhe të ndershëm”.
E pyetur sesi situata mund të ndryshojë, Kim theksoi se, “reforma në Drejtësi. Reforma në Drejtësi. Vetingu. Gjyqtarët që janë qartësisht të korruptuar duhet të dalin që aty. Nuk duhet të ulen në ato salla gjyqi. Nuk duhet të marrin vendime për asgjë. Duhet të jenë jashtë që aty”.
E pyetur nëse do të kemi një Gjykatë Kushtetuese të pavarur Kim tha se, “mendoj që nëse e doni dhe luftoni për të, dhe i kushtoni pak kohë dhe përpjekje, po, e besoj. Mendoj që ajo që nuk ka për të ndodhur është një proces i menjëhershëm. Nuk ndodh. Nuk është që papritur, do keni një sistem gjykatash 100% të përsosur. Nëse prisni këtë, do të zhgënjeheni. Ajo që do të ndodhë është që do të shihni përparim, pastaj do të shihni diçka të tmerrshme, pastaj përparim përsëri. Siç e thashë, është si të shohësh baticën dhe zbaticën. Nuk është një proces i thjeshtë, i qartë linear”.
Sa i përket mosrealizimit të takimit Kosovë-Serbi në SHBA, ambasadorja Kim shprehet se gjërat ndodhin ndaj le të shohim ç’do të ndodhë në javët dhe muajt e ardhshëm.
E pyetur nëse Shtetet e Bashkuara e kanë humbur disi fokusin tek rajoni, ambasadorja Kim tha se, “ka një fokusim të ripërtëritur tek Ballkani Perëndimor dhe se çfarë do të thotë të kemi një prani të SHBA këtu. Dhe mendoj se do shihni që kjo do të vazhdojë. Nuk është rastësi që kemi disa persona të fuqishëm të përqendruar tek Ballkani Perëndimor, përfshi Matt Palmer dhe Rick Grenell. Dhe do të vini re që ambasadori Grenell u largua nga pothuajse gjithçka, përveç çështjes së Ballkanit, dhe mendoj se kjo flet për rëndësinë që ne i japim”.
E pyetur se sa e rëndësishme është Shqipëria kur vjen fjala tek pikëpamja ushtarake, për Shtetet e Bashkuara, ambasadorja Kim tha se, “mendoj që për ne, është shumë e rëndësishme. Secili aleat me të cilin jemi krah për krah në NATO është i rëndësishëm. Për Shqipërinë, Shtetet e Bashkuara kanë investuar shumë e shumë miliona dollarë, tek marrëdhënia dhe tek përpjekja për të përmirësuar kapacitetet e Shqipërisë si aleate. Mendojmë se janë para të shpenzuara mirë. Kur shohim kontributet e ushtrisë shqiptare, të forcave Shqiptare, madje duke përfshirë edhe sakrificën e jetës hera-herës, jemi krenarë të jemi aleatët tuaj. Mendoj se deri tani, kemi ofruar mbi 180 milionë dollarë në asistencë për mbrojtjen, vetëm në pak vitet e fundit”./atsh
Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se moti sot parashikohet i kthjellët me vranësira të pakta kalimtare në orët e mesditës. Era do të fryjë me drejtim veriperëndim me shpejtësi 1-8m/s.
Deti parashikohet i forcës 1-2 ballë.
Temperaturat parashikohen:
QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 20/36 diell
Kukës 16/32 diell re
Lezhë 24/36 diell
Dibër 15/32 diell re
Durrës 22/33 diell
Tiranë 22/35 diell
Elbasan 20/36 diell re
Berat 17/35 diell
Vlorë 19/31 diell
Korçë 17/28 diell re
Gjirokastër 17/35 diell
Sarandë 16/32 diell/atsh
“Mbaje fytyrën gjithmonë nga dielli dhe hijet do i kesh gjithmonë pas krahëve”, tha sot kryeministri Edi Rama, duke zgjedhur të tjera fjalë të çmuara për të përcjellë mesazhin e tij.
Ishin këto fjalë të poetit të njohur amerikan Walt Whitman, që kryeministri Rama përcolli mëngjesin e sotëm përmes rubrikës “Fjalë të çmuara”./atsh
Nga 6 shtete të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria është shteti më i vlerësuar për qeverisjen dixhitale, sipas raportit vjetor të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD).
Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj, u ndal te përfitimet që kanë të gjithë nga qeverisja dixhitale.
“Qeverisja dixhitale është një tregues shumë i rëndësishëm i mirëqenies së një vendi. Kjo sepse qytetarët i marrin në mënyrë automatike shërbimet online duke ulur korrupsionin dhe duke shpëtuar nga zyrtarët e korruptuar dhe duke kursyer shumë kohë. Vendet perëndimore dhe ato të mirëqeverisura nuk mund të mendohen pa qeverisjen dixhitale”, tha ajo.
Sipas Karçanaj, “numri i lartë i shërbimeve të ofruara në portalin e-Albania dhe transparenca kanë qenë dy nga treguesit që e pozicionuan Shqipërinë në vend të parë”.
“Transparenca është gjithashtu një pikë për të cilën vlerësohemi shumë mirë. Publikimi online i listës së shërbimeve elektronike dhe statistikave të vazhdueshme mbi to, regjistrimi, përdoruesi janë treguesi i cili e vlerëson Shqipërinë si vendi i vetëm që e ka arritur këtë tregues”, tha ajo.
Sipas raportit vjetor të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Shqipëria ka lënë pas edhe shtete të cilat kanë hapur negociatat për Bashkimin Europian. Pas Shqipërisë renditet Serbia e cila plotëson 6 nga shtatë treguesit e më pas Maqedonia e Veriut me 5 tregues të plotësuar./atsh
Shqipëria renditet e para në rajon për luftën ndaj korrupsionit dhe për Reformën në Administratën Publike.
“Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim” (OECD), publikoi sot një raport të detajuar që skanon arritjet e vendeve të Ballkanit Perëndimor në disa fusha, si ekonomia, drejtësia, korrupsioni, mirëqeverisja dixhitale, shëndetësia, arsimi etj.
OECD analizon rezultatet e secilit shtet në zbatimin e 6 reformave kyçe ku vlerëson se Shqipëria, edhe pse e barazuar me të tjerë, është e para në rajon në zbatimin e dy reformave kyçe, në fushën e antikorrupsionit dhe në Reformën në Administratën Publike.
Sa i përket luftës kundër krimit të organizuar, Shqipëria renditet në të njëjtin nivel me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, përpara Kosovës dhe Bosnjës, por përsëri e dyta pas Malit të Zi.
Sa i përket ekzistencës së një ekonomie funksionale të tregut të lirë, Shqipëria është e dyta.
Reforma në drejtësi gjithashtu vlerësohet pozitivisht nga OECD. Funksionimi aktual i gjyqësorit vlerësohet në të njëjtin nivel me atë të Serbisë./atsh
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, edhe njëherë ka kërkuar nga qytetarët që të respektojnë masat e reja të vendosura nga Qeveria e Kosovës, pasi që konsideron se rrezikshmëria për përhapjen e pandemisë Covid-19 ende është e lartë.
“Nga 1 korriku me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës ka filluar aplikimi i një cikli të ri të masave parandaluese ndaj përhapjes së COVID-19 në vendin tonë!
Duke qenë se këto masa janë në funksion të ruajtjes dhe mbrojtjes së shëndetit tuaj, të familjes dhe popullatës në tërësi, kërkojmë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj në aplikimin e tyre.
Në ballafaqimin me pandeminë e COVID-19 këto janë masa të ndërmarra dhe të aplikuara edhe nga vendet tjera ku është rishfaqur valë e re dhe të cilat i kanë treguar efektet e tyre.
Prandaj, ju lutemi që t’iu përmbaheni të gjitha masave të shpallura dhe të respektoni në përpikmëri masat dhe oraret e lëvizjes të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës.
Ju lutemi që gjithmonë të respektoni masat e distancimit fizik dhe bartjen obligative të maskave, si dhe të mos qëndroni në grumbuj qoftë edhe në oborret e shtëpive tuaja apo para hapësirave tregtare dhe sporteleve, që të mos rrezikoni veten dhe familjet tuaja!
Të nderuar familjarë të të moshuarve: Ju lutemi kujdesuni për më të dashurit tuaj të moshuar dhe për nevojat e tyre, duke u siguruar që të mos dalin nga shtëpia pa nevoja të domosdoshme!
Gjithashtu ju lutemi që brenda familjes, të përkujdeseni duke respektuar të gjitha masat higjienike ndaj të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike.
Te moshuarit dhe personat me sëmundje kronike rekomandohet që nëse duhet domosdoshmërisht të lëvizin, të shfrytëzojnë orët e hershme të mëngjesit.
Ju lutemi që t’i përmbaheni të gjitha rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.
Mbani maskat.
Mbani distancën fizike për së paku 2 metra dhe aplikoni masat e nevojshme higjienike.
Virusi nuk ka këmbë! Mos ia jepni këmbët ju!
NA NDIHMONI PAK QË TË JU NDIHMOJMË SHUMË!
QËNDRONI NË SHTËPI, KJO UA SHPËTON JETËN!/KosovaPress/
Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla përshëndeti sot vendimin e ministrit në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj për shkarkimin e stafit dhe të ambasadores shqiptare në Athinë.
Gjatë fjalës së tij në seancën plenare në Kuvend, Balla theksoi se kjo qasje të vijojë edhe në Ambasada apo konsullata të tjera ku shërbimi ndaj shqiptarëve nuk është ai që duhet.
”E para, dua të përshëndes vendimin e ministrit të Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj për një vendim të fortë, por të domosdoshëm për rivendosjen në punë dhe në shërbim të shqiptarëve që jetojnë në emigracion në ambasadën tonë në Athinë. Do doja që kjo qasje e ministrit të Jashtëm të vijojë edhe në konsullata apo ambasada të tjera, ku shërbimi ndaj shqiptarëve nuk është ai që duhet”, deklaroi Balla.
Një ditë më parë, MEPJ konfirmoi se janë marrë masa për shkarkimin nga detyra të stafit të ambasadës në Athinë, si dhe të ambasadores Adriana Hobdari. /atsh