Aktualitet

“Fletërrufeja ndaj Thaçit e Veselit “/ Drejtësia të mos transformohet në një proces padrejtësie ndaj Kosovës dhe luftës Çlirimtare

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “një proces gjyqësor i mundshëm si rezultat i angazhimit të Kuvendit të Kosovës në miratimin e një Gjykate Speciale për të zbardhur deri në fund të gjitha pretendimet dhe akuzat lidhur me krimet në luftë, nuk duhet të deformohet duke u transformuar në një proces padrejtësie ndaj Kosovës, padrejtësie ndaj luftës Çlirimtare, padrejtësie ndaj autoriteteve të shtetit sovran të Kosovës.

Në konferencën e përbashkët për shtyp në Tiranë me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, Kryeministri Rama foli për “situatën e krijuar nga shpallja publike e një fletërrufeje në adresë të Presidentit të Kosovës”.

“Dëshiroj që të rinënvizoj edhe njëherë me këtë rast, atë që u përpoqa të përcjell qoftë në Kuvendin e Shqipërisë, qoftë gjatë vizitës time në Prishtinë, lidhur me situatën e krijuar nga shpallja publike e një fletërrufeje në adresë të Presidentit të Kosovës. Theksoj se ajo fletërrufe duhet të përbëjë një motiv shumë të fortë nxitës për të gjithë aktorët dhe faktorët politikë shqipfolës, qofshin këta në Kosovë, qofshin në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut apo kudo, për të qenë të njëzëshëm në raport me domosdoshmërinë që drejtësia të jetë e drejtë. Një proces gjyqësor i mundshëm si rezultat i angazhimit të Kuvendit të Kosovës në miratimin e një Gjykate Speciale për të zbardhur deri në fund të gjitha pretendimet dhe akuzat lidhur me krimet në luftë, të mos deformohet duke u transformuar në një proces padrejtësie ndaj Kosovës, padrejtësie ndaj luftës Çlirimtare, padrejtësie ndaj autoriteteve të shtetit sovran të Kosovës”, tha Rama.

Rama tha se se “natyrisht që për fat të keq janë të pritshme keqinterpretimet qoftë mes nesh në mjedisin shqipfolës, qoftë edhe në mjedisin anglishtfolës të këtij qëndrimi duke ngatërruar pikërisht thelbin, pasi ky qëndrim nuk ka të bëjë në asnjë mënyrë me ndonjë përpjekje apo tundim për të nënvlerësuar, e lëre më pastaj për të penguar politikisht një proces të drejtë ligjor”.

“Por ka të bëjë me krejt të kundërtën, me diskretitimin publik të këtij procesi përmes një shpalljeje mediatike të panjohur në praktikën e mirë të drejtësisë të një fajësie të supozuar të Kreut të Shtetit të Kosovës dhe të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës së bashku me të tjerë. Në këtë pikë nuk ks mundësi të bëhet asnjë kompromis në heshtje”, tha Rama.

Rama shtoi se “unë i kam parë dhe i kam ndjekur jo pa shqetësim deklaratat ndërkombëtare inkurajuese me demek për drejtësinë dhe deklaratat ku konsiderohet me demek një hap pozitiv ajo që të gjithë bota mbarë lexoi, por aty vetëm hap pozitiv nuk ka”.

“Ai është një hap shumë shqetësues që e kthen organin e specializuar të akuzës në një organ të paragjykuar detyrimisht dhe jo të respektuar”, tha Rama. /atsh

“Fletërrufeja ndaj Thaçit e Veselit “/ Drejtësia të mos transformohet në një proces padrejtësie ndaj Kosovës dhe luftës Çlirimtare Read More »

Tre projektet strategjike Shqipëri-Kosovë/ Pikë doganore në Durrës, HEC në Shqipëri dhe linjë të përbashkët hekurudhore

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, deklaroi sot në Tiranë se së bashku me qeverinë e Shqipërisë do të punojnë zbatimin e tre projekteve strategjike.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama, kreu i qeverisë së Kosovës Hoti theksoi se “dëshiroj të përmend tri projekte madhore të natyrës strategjike, e para porti i Durrësit ku unë personalisht kam punuar me ish ministrin e Financave të atherëshëm që të kemi një pikë të përbashkët doganore, por tani të kemi një pikë doganore ku mallrat të hyjnë në pikën doganore të Kosovës”.

“Në fushën e energjisë ne kemi sisteme komplimentare energjetike, por duhet të kujdesemi që ta zgjidhim këtë problem duke konsideruar edhe ndërtimin e hidrocentralit në territorin e Shqipërisë për të furnizuar me energji elektrike Kosovën”, – tha Hoti.

Më tej Kryeministri Hoti u shpreh se “një tjetër projekt i madh është lidhja e kryeqyteteve me hekurudhë. E kemi ideuar kohë më parë , tani duhet të punojmë konkretisht me studimin e fizibilitetit dhe besoj se në vjeshtë të këtij viti mund të gjejmë fondet konkrete për të filluar realizimin e këtij projekti”.

Kryeministri Hoti duke falënderuar Ramën për vizitën në Prishtinë tha se “besojmë se kemi maturimin e nevojshëm institucional për tu përballur me ato situata, por kujdesi juaj për të ardhur në Prishtinë pas atyre zhvillimeve është shumë me vlerë”.

“Është bërë një praktikë e bashkëpunimit tonë të mbledhjeve të përbashkët të dy qeverive. Tani besoj se duhet të kalojmë në terma shumë praktikë të bashkëpunimit tonë të përditshëm. Ju i thatë me detaje bashkëpunimet që duhet të rregullojmë më tutje, në mbledhjen e ardhshme”, – tha Hoti./atsh

Tre projektet strategjike Shqipëri-Kosovë/ Pikë doganore në Durrës, HEC në Shqipëri dhe linjë të përbashkët hekurudhore Read More »

“Tre fjalë kyçe për ardhmërinë e Kosovës”/Drejtësi ndërkombëtare e drejtë, stabilitet institucional i padiskutueshëm e dialog me njohje përfundimtare

Edi Rama deklaroi sot se, “janë tre fjalë kyçe sot për ardhmërinë e Kosovës dhe për ardhmërinë e ambicies strategjike të shqiptarëve në rajon. Drejtësi ndërkombëtare e drejtë, stabilitet institucional i padiskutueshëm dhe dialog për paqe me njohje përfundimtare”.

Në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, Rama tha se, “unë besoj se në rast se arrihet që në këtë moment të vështirë, për 1 mijë e një arsye, dhe jo vetëm thjesht për arsyen madhore të ditëve të fundit që ne të jemi të përqëndruar dhe faktorët dhe aktorët politikë shqiptarë në Kosovë, në Shqipëri e kudo që janë, të ndajnë atë çka është arsye për të qenë të ndarë në temat e mirëqeverisjes së brendshmi me atë çka është arsye për të qenë të bashkuara si shqiptarë me temën e mbrojtjes së dinjitetit dhe të së ardhmes së Kosovës ndërkombëtarisht këto 3 fjalë kyçe mund të na japin mundësinë që më herët se vonë të jemi të gjithë krenarë për kapërcimin me sukses të një faze të vështirë”.

“Është e domosdoshme që të gjithë së bashku të jemi pa ekuivok mbështetës të nevojës për t’i shkuar deri në fund zbardhjes së çdo pretendimi dhe çdo akuze akuze lidhur me krimet e luftës, por pa ekuivok t’i kundërvihemi çdo përpjekjeje apo çdo forme papërgjegjshmërie, siç ishte fletërrufeja që e cënon dinjitetin e luftës çlirimtare dhe dinjitetin e vet shtetit të Kosovës dhe zhbalancon marrëdhënien e drejtësisë me një luftë ku Kosova, për fat të keq duhet ta kujtojmë me zë të lartë, sepse për fat të keq mesa duket ndokush edhe e harron, ishte viktima dhe nuk ishte agresori”, tha Rama.

Ashtu sikundër, shtoi Kryeministrit Rama, “unë besoj që stabiliteti institucional sot shkon shumë përtej nevojave të politikës së ditës dhe shkon shumë përtej dasive krejt normale të forcave politike në kushtet kur Kosova sot ka një ballafaqim të jashtëzakonshëm ndërkombëtar në dy fronte. Në frontin e mbrojtjes së dinjitetit të luftës dhe të qenies së vet një shtet demokratik dhe një shtet sovran i ngritur mbi një luftë çlirimtare. Dhe i ngritur jo mbi idenë e pengimit të drejtësisë, por mbi vullnetin e të gjitha forcave politike për t’i hapur rrugë drejtësisë sa herë që kjo ka qenë nevojshme”.

Dhe nga ana tjetër, shtoi Rama, “përgjegjësinë e ballafaqimit deri në fund me Serbinë për t’ia dalë me mjetet e paqes një beteje diplomatike jashtëzakonisht sfiduese dhe më së pakti për të mos dobësuar vetveten ndërkohë që përballja nuk është mes njëri–tjetrit, por përballja është me një shtet tjetër, deri dje agresor dhe sot një kundërshtar politik me të cilin duhet bashkëjetuar”.

“Patjetër që unë nuk ka sesi të ndryshoj mendim lidhur me domosdoshmërinë që ne të jemi bashkë, Shqipëria dhe Kosova, edhe në tryezën e Shengenit rajonal, që nuk është një alternativë e integrimit tonë në BE, por është krijimi i një hapësire të përbashkët në ndërkohën që ne përpiqemi të gjithë të hyjmë në BE, duke shfrytëzuar potenciale të pashfrytëzuara dhe kur flasim për potenciale të pashfrytëzuara kush i bie ndesh kësaj iniciative vrapon ta karakterizojë si një iniciativë që lidhet me nevojat apo interesat e Beogradit , ndërkohë që unë qëndroj tek interesat e shqiptarëve dhe tek interesi strategjik i yni”, tha Rama.

“Kemi një potencial shumë të madh të pashfrytëzuar me Kosovën dhe si mund ta shfrytëzojmë këtë potencial. Dhe çfarë mësimesh duhet të nxjerrim ne nga fakti që vullneti politik s’ka munguar kurrë as në Tiranë, as në Prishtinë, por të arriturat siç thuhet në Prishtinë, nuk janë të atilla që të mund të themi se ia kemi dalë ta shfrytëzojmë të gjithë potencialin duke vendosur në themel të këtij bashkëpunimi katër liritë e BE. Lirinë e lëvizjes së njerëzve, lirinë e lëvizjes së mallrave, të shërbimeve dhe kapitaleve. Por kjo e njerëzve për ne është edhe më e rëndësishme, edhe më jetike për ambiciet strategjike sesa ç’është për të tjerat. S’e nuk bëhet fjalë për një lëvizje të lirë turistësh që shkojnë për të vizituar Prizrenin apo që vijnë për t’u ngrohur në diell në Durrës. Siç do të ishte rasti me shtete të tjera. Nuk bëhet fjalë për një lëvizje të lirë interesash të ditës, bëhet fjalë për një lëvizje të lirë brenda një familje të ndarë prej kaq shumë kohësh që nuk mundet dot të pranojë të jetojë me një gardh në mes kur vullneti është për t’u bashkuar. Dhe të humbasësh kohë, të humbasësh vite për interesa të brendshme elektorale apo nga frika se nëse hyjmë në këtë proces do të çohen “patriotët e vërtetë” edhe do të tregojnë me gisht si tradhtarë është vërtetë të mos punosh për të ardhmen. Kështu që në këtë aspekt mendoj vërtetë se është çështje vullneti politik dhe çështje refuzimi për të rënë në batakun e teorive të konspiracionit dhe akuzave ordinere të ditës”, u shpreh Rama.

“Nuk është sot patriotizëm të mbyllesh, nuk është sot patriotizëm të barrikadohesh. Nuk është sot patriotizëm të thuash një gjë dhe të bësh një gjë tjetër kur të vjen mundësia për të bërë atë që ke thënë. Sot patriotizëm është të kapërcesh të gjitha barrikadat e vendosura dhe që mbahen në këmbë edhe këtu dhe atje nga barrikadosh profesionistë, të cilët kanë vetëm një qëllim pushtetin, të jemi shumë të qartë, asgjë tjetër”, theksoi Rama. /atsh

“Tre fjalë kyçe për ardhmërinë e Kosovës”/Drejtësi ndërkombëtare e drejtë, stabilitet institucional i padiskutueshëm e dialog me njohje përfundimtare Read More »

Vetëdeklarimi i burimeve të pasurisë/ OFL u nis kërkesën 4 shtetasve me precedentë penalë

Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, Operacioni Forca e Ligjit i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë 4 shtetasve në Tiranë e Durrës.

OFL i ka nisur një kërkesë shtetasit E. D., banues në Tiranë, i dënuar për veprat penale “Krijim i organizatës kriminale”, “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë, “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim, në kuadër të organizatës kriminale.

Po ashtu kërkesa për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë u është nisur edhe 3 shtetasve në Durrës konkretisht shtetasit H. H., banues në Durrës, i dënuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim; F. H., banuese në Durrës, e dënuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim; T. H., banues në Durrës, i akuzuar për veprat penale “Organizatë kriminale”, “Instalim i pajisjeve interceptuese”, “Ndalim i komunikimeve informatike ose telematike” dhe “Konspiracion penal me synim aksesin e paautorizuar në sistemin e informacionit”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special./atsh

Vetëdeklarimi i burimeve të pasurisë/ OFL u nis kërkesën 4 shtetasve me precedentë penalë Read More »

Kryeministri Hoti vizitë zyrtare në Tiranë, axhenda e takimeve

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti do të zhvillojë sot një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Sipas axhendës së publikuar nga zyra e shtypit e Kryeministrisë, në orën 10:00 do të zhvillohet Ceremoniali i Mirëseardhjes, në Pallatin e Brigadave.

Në orën 10:10 do të zhvillohet takimi ndërmjet Kryeministrit Edi Rama dhe Kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti, për të vijuar më pas në orën 10:15, me takimin mes dy delegacioneve.

Në orën 11:30, Kryeministri Rama dhe Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti do të japin një konferencë të përbashkët për shtyp.

Ndërsa në orën 13:00, Kryeministri Hoti do të takohet me presidentin Ilir Meta në Presidencë dhe në orën 14:00 me kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Në ora 14:45, Hoti do të pritet edhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ndërsa në orën 15:30 do të takojë edhe kryetarin e PD, Lulzim Basha.

Kjo është vizita e parë zyrtare në Tiranë e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, pas mandatimit të tij në këtë post./atsh

Kryeministri Hoti vizitë zyrtare në Tiranë, axhenda e takimeve Read More »

Jini këmbëngulës në veprimet e mira

Kryeministri Edi Rama zgjodhi sot të tjera fjalë të shenjta për të përcjellë mesazhin e tij, ndërkohë që vendi vazhdon të përballet me pandeminë e COVID-19.

“Jini këmbëngulës në veprimet e mira”, citoi Rama fjalë nga Profeti Muhamed. A.S, përmes rubrikës “Fjalë të Shenjta”.

Kryeministri zgjodhi këto fjalë të shenjta nga Profeti Muhamed, për të përcjellë mesazhin e tij, ndërkohë që nevojitet zbatimi i protokolleve të sigurisë nga të gjithë qytetarët kundër përhapjes së COVID-19./atsh

Jini këmbëngulës në veprimet e mira Read More »

Burhani, një nga 10 mijë e 548 qytetarët që kanë përfituar pagën e luftës në qarkun e Vlorës

Burhani, menaxher recepsioni salle në një prej hoteleve të qytetit është një nga 10 mijë e 548 qytetarët, të cilët kanë përfituar nga Paketat e Qeverisë Shqiptare në Qarkun Vlorë.

“Deri më sot 169 mijë e 900 qytetarë dhe 46 754 biznese kanë përfituar nga Paketa e Zgjeruar prej 40 mijë lekë”, – bëri të ditur ministrja e Financave, Anila Denaj, e cila ka publikuar një video me dëshminë e Burhanit.

“Unë jam më i vjetri në këtë hotel kam 15 vjet që punoj që në vitin 2006. Në muajin prill përfituam 40 mijë lekë pagë lufte që më ka kaluar në bankë”-, tha Burhani./atsh

Burhani, një nga 10 mijë e 548 qytetarët që kanë përfituar pagën e luftës në qarkun e Vlorës Read More »

Vetëdeklarimi i burimeve të pasurisë/ OFL u nis kërkesat 4 shtetasve të dënuar më parë

Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, 4 shtetasve të dënuar më parë për vepra të ndryshme penale.

E. Xh., banues në Vlorë, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” në mungesë, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.

H. Xh., banues në Vlorë, i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;

G. D., banues në Vlorë, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, e mbetur në tentativë;

D. I., banues në Vlorë, i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special. /atsh

Vetëdeklarimi i burimeve të pasurisë/ OFL u nis kërkesat 4 shtetasve të dënuar më parë Read More »