Aktualitet

Marrëveshja e 5 qershorit nuk preket në asnjë pikë të saj

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “marrëveshja e 5 qershorit nuk preket në asnjë pikë të saj”.

Në fjalën e tij në Kuvend, duke iu drejtuar deputetëve të opozitës parlamentare Kryeministri Rama tha se “më lejoni t’iu jap një mesazh të qartë të gjithëve ju duke filluar nga i palodhuri prej një tranzicioni të gjatë ku shpesh herë ka qenë viktimë e keqadministrimit zgjedhor, Myslym Murrizi dhe deri tek deputeti i fundit jo për nga rëndësia ai i opozitës parlamentare. Nuk mund t’i merrni të gjitha, nuk mund t’i kërkoni të gjitha dhe të gjithë së bashku duhet të bëjmë lëshimet tona. Po ua them sot që të jemi shumë të qartë është e pamundur që ne të votojmë së bashku me ju në rast se ju nuk votoni së bashku me ne dhe për ne marrëveshja e 5 qershorit nuk preket në asnjë pikë të saj”.

“E them këtë duke e përsëritur edhe këtu, mua marrëveshja e 5 qershorit nuk më pëlqen dhe për mua ajo ka një problem të madh që ne nuk kemi arritur dot të adresojmë rekomandimin kryesor të OSBE-ODIHR, që është një rekomandim i përsëritur thuajse në të gjitha raportet, pas të gjitha zgjedhjeve depolitizimi i administratës zgjedhore. Ju e dini shumë mirë që ne kemi qenë vijimësisht këmbëngulës dhe madje kemi thënë që ne do ta bëjmë depolitizimin do apo nuk do Partia Demokratike, por ajo që e dallon sistemin demokratik dhe bashkëjetesën pluraliste nga një sistem u vendos vetëm një parti është që duhet edhe të tërhiqesh, të bësh kompromise edhe të pranosh çka nuk të pëlqen për hir të një interesi më të madh”, – theksoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “zonja Hajdari ka firmosur në Këshillin Politik dhe ka dhënë argumentet e saj dhe e di shumë mirë si dëshmitare okulare, pasi Damiani nuk është i besueshëm për Myslymin dhe për ju, nuk po e sjell këtu si dëshmitar, që deri në fund marrëveshja është penguar nga mosdakordësia pikërisht për këtë pikë dhe në fund pasi topi shkoi në fushën e Lulzim Bashës u kthye me një kusht që mund ta kishte hedhur në erë marrëveshjen nga ana e Lulzim Bashës që donte me çdo kusht që gjërat të mos të ndryshonin edhe pse faktikisht duke thënë le t’i lëmë gjërat siç janë se janë më mirë se çdo gjë tjetër ka thënë që gjithçka për të cilën ai ka luftuar, ka qenë një teatër dhe nuk kuptohet edhe pse iku nga parlamenti edhe pse gjërat paskan qenë në rregull dhe nuk kanë nevojë për ndryshime”.

“Lulzim Basha pretendon se ne pranuam këtë sepse na i futën këmbët në një këpucë. Unë vërtet këpucën e djathtë e kam 46, por këmbën e majtë nuk ma nxë. E vërteta është që ne bëmë një lëshim shumë të madh, jo sepse ne nuk kishim rrugë tjetër, por sepse kjo ishte rruga më e mirë për ta përshirë PD dhe opozitën jashtëparlamentare në procesin politik dhe është një motiv që të gjithë të kuptojmë që PS dhe unë personalisht nuk kemi një qasje autoritariste. Ishte rasti për të bërë të kundërtën nëse do ishim të tillë dhe të thoshim kush kush jeni ju, ju nuk jeni në parlament, nuk përfaqësoni askënd tjetër përveç vetes dhe rrugës tuaj të rrugës, ne nuk u njohim”, – tha Rama.

Por, shtoi Kryeministri, nga pikëpamja institucionale do ishim korrekt, por nga pikëpamja politike dhe nga këndvështrimi ynë demokratik për jetën tonë politike nuk do të ishim korrekt sepse PD është një realitet politik pavarësisht se nuk është pjesë e realitetit të sotëm parlamentar.

Duke iu drejtuar deputetëve të opozitës, Rama tha se “keni kohë të reflektoni, të kuptoni që të dyja janë të lidhura bashkë marrëveshja e 5 qershorit dhe marrëveshja për të pranuar legjitimitetin e nismës suaj, e cila për hir të vërtetës ka mbështetjen e një shumice të madhe shqiptarësh. Ne nuk e kemi pranuar se duam t’iu bëjmë juve qejfin, por e kemi pranuar se është e drejtë”./atsh

Marrëveshja e 5 qershorit nuk preket në asnjë pikë të saj Read More »

SPAK ka nisur kërkesat për izolimin e 8 të dënuarve për regjimin 41-Bis

Prokuroria Speciale Antikorrupsion i ka nisur Ministrisë së Drejtësisë, 8 kërkesa për 8 persona, pjesë e grupeve kriminale për të kaluar në regjimin 41-Bis.

Nga SPAK mësohet se, Prokuroria Speciale ka depozituar në Ministrinë e Drejtësisë 8 kërkesa për izolimin e pjesëtarëve të grupeve kriminaleve me regjimin 41 biz. Sipas procedurës, sqarojnë burimet, pritet tashmë vendimi i ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila ditën e djeshme ka zhvilluar edhe një takim me Kreun e Drejtorisë së Burgjeve Agim Ismailin, për t’u informuar mbi sjelljen e të dënuarve në fjalë. Ministrja përpara se të firmos izolimin duhet që të marrë informacion nga institucionet përkatëse.

Sistemi “41 bis”, që hyri në fuqi në fund të janarit të vitit 2019 dhe ende nuk ka njohur “banorët” tij për shkak se pritet të ngrihet Gjykata Speciale dhe Prokuroria Speciale (SPAK), pasi do të jetë pikërisht drejtuesi i këtij institucioni që do të bëjë kërkesën e arsyetuar dhe kjo kërkesë do të merret në shqyrtim nga Ministri i Drejtësisë, i cili do marrë vendimin final për këtë çështje, vendim që mund të ankimohet në Gjykatë nga i dënuari apo shtetasi në paraburgim.

Ky regjim sigurie implementohet për herë të parë në sistemin e burgjeve shqiptare dhe zhbën të ashtuquajturit VIP-a, kapo ose diskriminues pozitivë çfarë do të prodhojë në sistemin e burgjeve më shumë siguri dhe qetësi për të gjithë të dënuarit. Ky regjim zbatohet për të dënuar dhe të paraburgosur që gjykohen dhe janë dënuar për vepra penale sipas neneve 79 , 230, 231, 232 , 234, 283, 284, 333, 334 çfarë i akuzon ata si grup i strukturuar kriminal, si banda e armatosur ose autorë e organizatorë të veprave me qëllime terroriste. Të gjithë të dënuarit e paraburgosur që përfshihen në këto nene të Kodit Penal mund të jenë pjesë e 41 BIZ. Të gjitha ata të dënuar dhe të paraburgosur që janë aktorë ose organizatorë të drejtpërdrejtë të cenimit të sigurisë dhe qetësisë do të jenë po ashtu, kontigjente për të qenë pjesë e këtij regjimi të posaçëm “Bis””.

Përmes këtij sistemi, të dënuarve nuk iu shkelet e drejta e tyre, por brenda këtij regjimi iu lind e drejta për të ankimuar këtë lloj dënimi. Gjykata do të japë mendimin e vet pas provave të paraqitura nëse do të vazhdojë ose jo i dënuari më tepër se një vit dënimin.

Ministria e Drejtësisë pasi të jetë bërë ankesë nga avokati dhe i dënuari merr vendim për vazhdimësinë ose jo të këtij vendimi të posaçëm. Pra afati kohor një vjeçar është i përcaktuar dhe askush para këtij afati nuk mund ta nxjerrë nga regjimi i mbikëqyrjes së posaçme.

Të izoluarve do t’u lejohet të kryejnë një takim në muaj me familjarët, në një mjedis të caktuar. Ndërsa ata që nuk do të kenë takime familjare, do t’u lejohet një bisedë telefonike në muaj, 10 minuta dhe e regjistruar. Ndërsa qëndrimi në ajrim në mjedise të hapura do t’u reduktohet deri në 2 orë, ku edhe do të monitorohen me kamera sigurie. /atsh

SPAK ka nisur kërkesat për izolimin e 8 të dënuarve për regjimin 41-Bis Read More »

Lufta ndaj kanabisit/ Operacione policore në tre qarqe, procedohen 11 zyrtarë

Policia e Shtetit ka proceduar dhe zyrtarë, të cilët me veprimet apo mos veprimet e tyre lejuan aktivitetin e kultivimit dhe trafikimit të kanabisit.

Policia e Shtetit njoftoi se gjatë ditës së enjte ka zhvilluar operacione policore antikanabis në tre qarqe, ku janë proceduar 11 kryepleq apo drejtues njësie vendore.

Kështu, sipas Policisë, në Librazhdi ka vijuar kontrolli i territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.

“Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Librazhd proceduan penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”, shtetasit: Sh. H., kryeplak i fshatit Mirakë, B. Zh., administratori i njësisë administrative Polis dhe R. Ç., inxhinier pyjor në bashkinë Librazhd, të tre banues në fshatin Mirakë, Librazhd, pasi në masivin pyjor të fshatit Mirakë, si rezultat i kontrollit të territorit dhe informacioneve të marra në rrugë operative u gjetën të kultivuara disa bimë narkotike, të cilat u asgjësuan.

Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që janë të implikuar në ketë veprimtari kriminale. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprimet e mëtejshme procedurale”, njofton Policia.

Në Durrës, janë arrestuar 2 shtetas, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Si dhe janë proceduar penalisht 7 kryepleq në fshatrat e Durrësit dhe Krujës dhe kryetari i Njësisë Administrative Cudhi, për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të kontrollit masiv të territorit, në fshatin Vardardhë, Njësia Administrative Sukth, në një ambient të hapur, kanë konstatuar dhe goditur një rast të tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Në vijim të veprimeve u arrestuan në flagrancë shtetasit A. T., 43 vjeç dhe H. H., 34 vjeç, banues në Vardardhë, Sukth.

Gjithashtu u procedua penalisht shtetasi Q. D., me detyrë kryeplak i fshatit Vardardhë, për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Po gjatë kontrollit të territorit, janë evidentuar disa raste të tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë u proceduan penalisht shtetasit: O.K., me detyrë kryetar i Njësisë Administrative Cudhi, S. V., A. P., G. F., M. H., A. B. dhe S. S., me detyrë kryepleq të fshatrave Cudhi Zall, Bruz Zall, Shkretë, Cudhi Kampt, Bruz Mal dhe Mafsheq, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, pasi nuk kanë kryer detyrën sipas ligjit, për të informuar Policinë për kultivimin e bimëve narkotike në zonat që ato mbulojnë.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Në Shkodër, kapen dhe ndalohen 2 shtetas të shpallur në kërkim për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Nga strukturat e Komisariatit të Policisë Shkodër, pas një pune të mirorganizuar dhe informacioneve të marra në rrugë operative, u bë kapja e shtetasve në kërkim L. N., 25 vjeç dhe D. N., 57 vjeçe, të dy banues në fshatin Mazrek, Shkodër.

Kapja dhe ndalimi i tyre u bë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprime të mëtejshme. /atsh

Lufta ndaj kanabisit/ Operacione policore në tre qarqe, procedohen 11 zyrtarë Read More »

Kuvendi miraton dy projektligje dhe rrëzon një dekret të Presidentit

Kuvendi zhvilloi sot seancën plenare ku u miratuan dy projektligje: projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për diasporën” me 95 vota pro, 9 kundër dhe 5 abstenime dhe projektligjin “Për ratifikimin e Konventës shumëpalëshe (MLI) për zbatimin e masave që lidhen me marrëveshjet tatimore për parandalimin e erozionit të bazës dhe transferimit të fitimeve (BEPS)” me 93 vota pro.

Seanca e sotme votoi kundër dy nismave ligjore të deputetëve.

Kuvendi votoi kundër projektligjit nismë të deputetit Artur Roshi, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar”” i votuar kundër në parim me 32 vota pro, 76 kundër dhe 1 abstenim.

Kuvendi votoi kundër edhe nismës ligjore të deputetit Myslim Murrizi, “Për moshën e daljes në pension pleqërie të pilotëve në Republikën e Shqipërisë” me 35 vota pro, 71 kundër dhe 4 abstenime.

Sot u votua edhe kundër dekretit të Presidentit të Republikës “Për kthimin në Kuvend të ligjit “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”” me 16 vota pro 86 kundër dhe 7 abstenime./atsh

Kuvendi miraton dy projektligje dhe rrëzon një dekret të Presidentit Read More »

Çdo barrierë mbrojtëse ndihmon në kufizimin e përhapjes së COVID-19/ Manastirliu: Vendosni maskën dhe ruani jetë

Qeveria shqiptare vendosi dje përdorimin e maskës, barrierën mbrojtëse prej tekstili, si të detyrueshme në çdo ambient të mbyllur.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka publikuar një video ku tregon rëndësinë dhe mënyrën se si duhet mbajtur maska.

Manastirliu thekson se, çdo barrierë mbrojtëse, e bërë edhe në kushte shtëpie, ndihmon në kufizimin e përhapjes së COVID-19.

“Maska e detyrueshme në ambientet e mbyllura. Çdo barrierë mbrojtëse, e bërë edhe në kushte shtëpie, ndihmon në kufizimin e përhapjes së COVID-19!Ja disa rregulla për t’u ndjekur”,- thekson Manastirliu.

“Maska duhet të jetë një barrierë mbrojtëse prej tekstili, që duhet të mbroj gojën dhe hundën gjatë gjithë kohës. Lani duart ose përdorni dezinfektantin e duarve përpara se ta vendosni, apo ta hiqni atë. Shmangni prekjen e syve, hundës dhe gojës. Mos prekni pjesë të përparme të maskës dhe lajeni me rrobat e tjera normalisht. Vendosni maskën dhe ruani jetë”,- janë disa nga këshillat që jepen në videon e publikuar nga ministrja Manastirliu.

Maskat janë të detyruara të mbahen në administratën publike dhe jo publike, në transportin publik, në zyra publike dhe jopublike, në shkallët e pallatit, në ashensorë, në qendrat tregtare, në dyqane dhe supermarkete, në tregje dhe në njësitë e shërbimit.

Për çdo shkelje gjoba do të jetë 2000 lekë (të reja)./atsh

Çdo barrierë mbrojtëse ndihmon në kufizimin e përhapjes së COVID-19/ Manastirliu: Vendosni maskën dhe ruani jetë Read More »

E hartuar nën kujdesin e ekspertëve të Ambasadës britanike/ Meta dekreton 4 ligjet e paketës penitenciare

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka dekretuar me shpallje 4 ligjet që lidhen me paketën penitenciare të hartuar nën kujdesin e ekspertëve të caktuar nga ambasada Britanike.

Presidenti ka dekretuar ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Shërbimit të Provës”. Ky Shërbim ka marrë tashmë vëmendjen e nevojshme nga ligjvënësi, duke normuar në nivel ligji veprimtarinë e Institucionit të Shërbimit të Provës që duhet të forcojë kapacitetet e tij dhe të kontribuojë në mbrojtjen e interesit publik përmes zbatimit transparent të programeve që synojnë rehabilitimin dhe riintegrimin shoqëror të personave nën mbikëqyrje, parandalimin e veprave penale dhe uljen e rrezikut të përsëritjes së tyre.

Presidenti gjithashtu ka dekretuar Ligjin “Për ekzekutimin e vendimeve penale”. Ky ligj ka plotësuar rregullat dhe procedurat për mënyrën e ekzekutimit të vendimeve penale, duke i unifikuar ato, në raport me amendimet e vazhdueshme që kishte pësuar ligji ndër vite, si dhe duke e përshtatur me ndryshimet ligjore, veçanërisht pas hyrjes në fuqi të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur.

Gjithashtu, rishikimi i afateve për përshpejtimin e procedurave të ekzekutimit të vendimeve penale dhe veçanërisht saktësimi i mënyrës së ekzekutimit të masave mjekësore, nëse do të zbatohen në mënyrë korrekte dhe transparente, do të ndihmojnë në mbrojtjen e shtuar të të drejtave dhe lirive të njeriut.

Presidenti ka dekretuar Ligjin “Për Policinë e Burgjeve”. Ky ligj, si një përpjekje për përmirësimin e trajtimit financiar dhe të kushteve të punës së punonjësve të Policisë së Burgjeve, duhet mbështetur, edhe pse kjo përpjekje është ende larg asaj që duhet t’u garantojë shteti kësaj kategorie profesionistësh që deri më sot kanë ushtruar funksionin në kushte tejet të vështira dhe pa gëzuar statusin e merituar.

Presidenti ka dekretuar edhe Ligjin“Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”.

Garantimi i kushteve për trajtimin me dinjitet të të paraburgosurve dhe të dënuarve me burgim, parashikimi i rregullave që synojnë respektimin e të drejtave dhe të lirive themelore të tyre, me synimin kryesor rehabilitimin dhe riintegrimin e të dënuarve në shoqëri, është një nismë që mbështetet. Por i njëjti kujdes duhet treguar në procesin e rishikimit të akteve nënligjore që do të pasojë hyrja në fuqi dhe nisja e zbatimit të këtij ligji.

Presidenti i Republikës ka falënderuar Ambasadën britanike për asistencën teknike të ofruar përmes ekspertëve të saj për përgatitjen dhe përsosjen e këtyre nismave ligjore, së bashku me autoritetet shqiptare./atsh

E hartuar nën kujdesin e ekspertëve të Ambasadës britanike/ Meta dekreton 4 ligjet e paketës penitenciare Read More »

OFL u dërgon formularin vetëdeklarimit të pasurisë tre të dënuarve në Vlorë

Operacioni Forcat e Ligjit ka vijuar me hetimin e saj pasuror, duke u dërguar formularin e vetëdeklarimit të pasurisë tre të dënuarve në Vlorë.

OFL njofton se, në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve: R. O., banues në Vlorë, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”, e mbetur në tentativë;E. B., banues në Vlorë, i dënuar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”; A. B., banues në Vlorë, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special. /atsh

OFL u dërgon formularin vetëdeklarimit të pasurisë tre të dënuarve në Vlorë Read More »

Kuvendi diskuton sot 4 pr/ligje dhe një dekret të Presidentit

Kuvendi zhvillon sot seancën plenare ku në rend të ditës është parashikuar diskutimi i 4 projektligjeve dhe një dekret i Presidentit të Republikës.

Kuvendi do të shqyrtojë sot projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar””.

Kuvendi gjithashtu do të shqyrtojë projektligjin “Për moshën e daljes në pension pleqërie të pilotëve në Republikën e Shqipërisë”.

Sot Kuvendi do të shqyrtojë edhe projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për diasporën”.

Kuvendi do të shqyrtojë edhe projektligjin “Për ratifikimin e Konventës shumëpalëshe (MLI) për zbatimin e masave që lidhen me marrëveshjet tatimore për parandalimin e erozionit të bazës dhe transferimit të fitimeve (BEPS)”.

Gjithashtu Kuvendi do të shqyrtojë edhe dekretin e Presidentit të Republikës “Për kthimin në Kuvend të ligjit “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë””./atsh

Kuvendi diskuton sot 4 pr/ligje dhe një dekret të Presidentit Read More »