Aktualitet

Jep dorëheqjen zv/ministrja e Drejtësisë! Ja arsyeja

Jep dorëheqjen zv/ ministrja e Drejtësisë Fjoralba Caka. Lajmin e ka dhënë vetë Caka nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.

Postimi i plotë:

Të dashur miq, Edhe pse është mjaft e vështirë që të ndash në pak rreshta një vendim të rëndësishëm që mbart brenda kohë reflektimi, në emër të transparencës që kam me ju do të doja të ishte një vendim i bërë me dije personalisht prej meje.

Për arsye që nuk lidhen absolutisht me objektin e veprimtarisë së punës sime apo aktivitetit tim publik dhe tërësisht vetjake, më duhet që nga sot të tërhiqem nga funksioni im si Zëvendësministre e Drejtësisë.

Dëshiroj t’i shpreh mirënjohjen Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Edi Rama, për nderin dhe privilegjin që më ofroi për të shërbyer si Zëvendësministre e Drejtësisë. Është një mundësi e papërsëritshme të jesh sot mes proceseve më të rëndësishme shtetformuese të vendit dhe të të besohet hapësira që të japësh kontributin tënd modest, mbështetur në një vizion të qartë për një Shqipëri më të mirë.

Ka qenë një përvojë shumë e vyer për mua të punoj për rreth 17 muaj pranë Ministres së Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj, ku profesionalizmi, kuraja dhe nxitja e saj e vazhdueshme për të bërë më të mirën, kanë qenë arsye pse ndërmora këtë hap besimi për të ndryshuar fort rrjedhën e karrierës akademike dhe që ka qenë një mbështetje e madhe dhe motivim, jo vetëm për mua, por për të gjithë ata që punojnë në këtë Ministri.

Kanë qenë 17 muaj intensivë pune ku bashkë me stafin e Ministrisë së Drejtësisë, por edhe institucione të tjera publike apo të pavarura, kemi avancuar çdo ditë e më shumë drejt përmirësimit të kuadrit ligjor dhe strategjik në disa fusha prioritare si reforma në drejtësi, anti-korrupsioni dhe integrimi evropian.

Unë e kam shumë të vështirë të flas kur vjen çështja te punët e mira që kemi bërë, pasi para se të jenë lëndë e parë për fjalë triumfi, ato janë kontribute për Shqipërinë dhe shqiptarët. Gjithsesi në pak rreshta dua të them se ndihem shumë me fat që në këto muaj të kem qenë pjesë e ekipit drejtues për hartimin e një Plani të ri veprimi kundër Korrupsionit që do të shtrihet nga 2020-2023, një dokument me 84 masa që përfshin 22 institucione, të cilat do të punojnë së bashku për më shumë transparencë, llogaridhënie dhe eficencë në ritmin e luftës kundër korrupsionit në vend.

Për herë të parë hartuam një Metodologji për Vlerësimin e Riskut të Korrupsionit në çdo departament të Ministrisë së Drejtësisë si edhe një Plan Integriteti; sollëm Javën e Integritetit si një pikë takimi midis akademisë, organizatave të shoqërisë civile, bizneseve dhe administratës publike për të diskutuar si ta bëjmë më të fortë luftën ndaj korrupsionit dhe si të ndryshojmë mentalitetin mbizotërues drejt një mendjeje e karakteri shërbyesi publik që preferon një zgjidhje me integritetit në raport të një afere të shpejtë korruptive.

Ju pohoj entuziaste se prej kohësh kemi punuar bashkë me stafin edhe për shumë projekte të tjera që janë në ardhje, ku pavarësisht skepticizmit dhe cinizmit që na kaplon sa herë që shohim se korrupsioni është një Goliath i madh që nuk mund të mundet, më ka udhëhequr si një busull e brendshme dhe e painjorueshme morale parimi se kontributi i njërëzve të thjeshtë, specialistëve dhe stafit teknik, si dhe liderëve me vision që lodhen çdo ditë nuk do të shkojë dëm, por do të hedhë gradualisht fara të reja që do të mbijnë në kohën dhe terrenin e duhur e qytetarit shqiptar do i serviret politikë dhe përditshmëri e frymëzuar prej vlerave njerëzore.

Krejt paralelisht, puna për hartimin e kuadrit Strategjik si Strategjia Ndërsektoriale e Drejtësisë dhe Plani i Veprimit, Strategjia dhe Plani i Veprimit për Drejtësinë Penale për të Mitur apo Plani i Veprimit për Strategjinë për Edukimin ligjor, bashkë me hartimin për herë të parë të mbi 2000 faqesh analize për acquis-në e kapitullit 23 dhe raportimet ndërkombëtare për Bashkimin Evropian, GRECO, UNCAC etj., kanë qenë fusha ku bashkëpunimi me shumë institucione dhe aktorë më provoi edhe njëhere se arritjet në fusha e sektorë të caktuar nuk janë asnjëherë rezultat i një lojtari të vetëm, por fryt i punës së palodhur në ekip.

Padyshim që lista e punëve të frytshme që ndonjëherë është vështirë të marketohen, është aq e gjatë sa janë edhe orët e pafundme që i kemi dedikuar këtij misioni. Megjithatë, pavarësisht listës së punëve të mira, sadisfaksioni më i madh për mua ka qënë të shoh fytyrat e lehtësuara të ekipeve të punës, kur pas orëve të punës deri në mesnatë përshirë fundjavat, kanë buzëqeshur që ia dolëm të dorëzojmë raportin apo Strategjinë e radhës në kohë.

E bashkëshoqëruar gjithmonë nga njerëz modestë që punojnë duke dhënë maksimumin e tyre, unë jam më e vetëdijshme sot se pavarësisht mangësive strukturorë apo financiare që ka kaluar administrata jonë publike, problemet e shkuara me prurje dhe promovime shkurajuese jo meritokratike dhe sfidave që i njohim të gjithë, ka edhe njerëz të përkushtuar që kontribuojnë përtej sa u parashikon përshkrimi i tyre i punës apo më tepër nga sa kanë për detyrë, njerëz që mbajnë disa pesha njëkohësisht, por që sërish, pa qënë zhurmëmëdhenj, japin kontributin e tyre në aparatin e madh burokratik të administratës publike

Në një vend dinamik si ky i yni ku shpesh lajmet negative qëndrojnë me ditë bujshëm në ekrane dhe editoriale, ku elemente të caktuara të administratës publike, organeve ligjzbatuese apo gjyqësorit mund të kenë zvetnuar besimin e qytetarit tek institucionet, gjeneralizimi se të gjithë janë të korruptuar dhe të paaftë u bëjnë padrejtësi atyre njerëzve të thjeshtë që punojnë çdo ditë ndershmërisht, të cilët nuk kanë përfituar asnjë favor nga puna, përveç se kanë marrë në shpinë koston e orëve të gjata të punës, mungesën e gjatë në familje dhe stresin për të dorëzuar në presion kohe materiale, dokumente, shkresa, raporte, vendime etj.

Ndonjëherë duket se puna burokratike e aparateve shtetërore nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me cilësinë e jetës së qytetarit, përpos që ka patur raste të izoluara kur mund të ketë ndodhur e kundërta. Megjithatë, vetëm nëse ne fillojmë t’i vlerësojmë më shumë institucionet dhe njerëzit që punojnë në to, nëse ne nuk i mbysim me cinizmin vrastar që puna e tyre është e kotë dhe pakuptimtë – nxitur prej pesimizmit të një të ardhmeje të zymtë të vendit (sepse ky vend nuk bëhet) – nëse shërbëtori publik nuk shihet më me nënçmim dhe paragjykohet, atëherë ne do të shkëputemi nga tendencat e mëndësisë tribale, ku problemet zgjidhen me ndikimin e më të fortit, me ndihmën e fisit apo mjete të tjera të xhunglës.

Ndaj me shumë përulësi, sikurse besoj edhe kam dëshmitarë, unë falënderoj çdo person që punon aktualisht në administratën publike, jo thjesht për bukën e gojës apo për stabilitetin që jep statusi, por sepse beson te forca e të shërbyerit ndaj të tjerëve me modesti dhe jo arrogancë, me bindjen që ka mundësi të vendosë çdo ditë një gur më shumë në ndërtimin institucional të vendit, në përmirësimin e imazhit të tij në arenën ndërkombëtare, dhe më e rëndësishmja në sjelljen e shërbimeve më të mira për qytetarin. Ata janë aktorët e padukshëm të kthimit të besimit të qytetarit tek institucioni.

Ndaj këtë “prolog” dua ta quaj një falënderim special për të gjithë bashkëpunëtorët e mi të huaj dhe veçanërisht, të gjithë stafin administrativ shqiptar që më shoqëruan në këtë rrugëtim.

Padyshim ishte një kënaqësi e llojit tjetër sot përmbyllja e ditës së fundit në këtë detyrë, duke organizuar një trajnim për negociatat me Grupin Ndër-Institucional të Punës dhe ekspertë të Euralius. Nuk mund të përmbyllej më mirë misioni, i cili kishte pikërisht këtë shkak-premisë për t’iu bashkuar administratës dhe politikës publike: dhënien modeste të ekspertizës për çështjet e Bashkimit Evropian.

Ekziston mbi të gjitha një kauzë e vetme e fuqishme së cilës i jam përkushtuar çdo ditë të shërbimit tim publik si Zëvendësministre e së cilës do t’i përkushtohem deri në fund, pavarësisht sfidës profesionale të radhës: lënies së vendit tim pak më të mirë nga sa e gjeta, mision të cilin e ndaj edhe me shumë njerëz të tjerë që kam patur fatin t’i kem miq e kolegë. Unë jam e bindur se puna e mirë për integrimin e Shqipërisë në BE dhe për të gjitha proceset shtet-formuese do të vijojë dhe që ky vend do të ecë përpara, kur ashtu si një galera romake secili i jep rremës së vet duke dhënë maksimumin, pavarësisht rrethanave apo vështirësive.

Sikundër thotë edhe Sami Frashëri në një nga testamentet e penës së tij, për ta bërë Shqipërinë të lulëzojë duhet “fort pak gjë: vetëm dëshirë” pasi “është në duart e shqiptarëve ta shpëtojnë apo ta humbasin Shqipërinë”, dhe unë jam shpresëplotë që Shqipëria jonë do të bëhet dita-ditës një vend më i mirë për shkak të njerëzve të zakonshëm që pavarësisht rrethanave, nuk e humbasin dëshirën dhe optimizmin që vendi do të bëhet. Jam e bindur që për sa kohë në këtë vend ka njerëz që duan që Shqipëria të bëhet dhe japin më të mirën e tyre, Shqipëria do të bëhet. Do të bëhet çdo ditë një vend më i mirë seç ishte dje.

Ju faleminderit për mbështetjen që nga dita e parë dhe deri në radhët e fundit të këtij shkrimi, duke qenë bashkëudhëtarë të një misioni që nuk do ta harroj kurrë! MIRËNJOHJE!

Jep dorëheqjen zv/ministrja e Drejtësisë! Ja arsyeja Read More »

Ja si do të jetë moti në dy ditët e ardhshme

IHMK-ja njofton se masat e nxehta të ajrit të ardhura nga Afrika do të mbesin prezent mbi vendin tonë edhe për dy ditët e ardhshme, duke kushtëzuar mot me diell dhe temperatura të larta.

Vranësirat mund të jenë të dukshme vetëm për gjatë relievit malor, ndërsa pjesa tjetër e territorit do të mbetet e kthjellët dhe me rreze të diellit.

Në orët e mesditës duhet të kemi kujdes nga rrezet direkt të diellit, për shkak të indeksit të lartë UV. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 15-17 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 32-35 gradë Celsius.

Do të fryjë erë nga veriperëndimi dhe jugperëndimi me shpejtësi 1-7 m/s.

Ja si do të jetë moti në dy ditët e ardhshme Read More »

Horoskopi/ E mërkurë pozitive për dashurinë

Dashi

Kjo e mërkurë është mjaft pozitive për dashurinë, ku do të keni dëshirë për të rikuperuar kohën e humbur. Edhe në punë, do të jeni më aktiv gjatë kësaj dite, ndaj përfitoni për të bërë diçka më shumë.

Demi

Gjërat do të ecin më mirë në dashuri, krahasuar me ditët e fundit, për shkak se Hënën nuk do e keni më kundër. Mund të gjeni marrëveshje, me persona me të cilët keni pasur përplasje më parë.

Binjakët

Mundohuni që gjatë kësaj dite të bëni vetëm gjërat më të domosdoshme. Jeni shumë të përqendruar në çështjet e punës, për shkak se mund të ketë ndryshime të cilat do ju fusin në mendime. Mundohuni që të mos lini pas dore sferën sentimentale.

Gaforrja

Do të nisë një periudhë premtuese sa i takon ndjenjave dhe lidhjeve në çift. Ata që janë vetëm mund të shfaqin tërheqje, për një person të cilin nuk kanë kohë që e njohin. Në punë, mundohuni që të përqendroheni më shumë.

Luani

Mëngjesi do të nisë me ndikimin e kundërt të Hënës, por në mbrëmje situata do të përmirësohet dhe do të ketë mundësi për të bërë takime të kënaqshme. Në punë, mund të përballeni me konflikte me kolegët, të cilat kërkojnë zgjidhje.

Virgjëresha

Ju presin ditë në të cilat do të ndiheni më të mbyllur në vete. Duhet të mundoheni që ta lini veten të lirë dhe të zgjidhni çështje familjare ose personale, të mbetura pezull.

Peshorja

Venusi do të favorizojë takimet, ndaj përfitoni, edhe pse lodhja fizike mund të rëndojë gjatë kësaj dite. Ndonjë ngadalësim në punë, mund të vijë për shkak të ndikimit negativ të Mërkurit.

Akrepi

Duhet të mundoheni që të tregoheni të kujdesshëm në dashuri, sidomos çiftet të cilat kanë probleme për të zgjidhur. Kujdes duhet treguar me shpenzimet. Po ashtu gjatë kësaj dite do të keni energji pozitive, të cilën duhet ta përdorni sa më mirë.

Shigjetari

Hëna do të ketë ndikim pozitiv për ndjenjat, ndaj përfitoni. Lidhjet e reja shihen mjaft të favorshme nga yjet, shkruan noa.al. Në punë, do të ketë propozime t reja interesante.

Bricjapi

Kjo është një periudhë e mbushur me zgjedhje të rëndësishme sa i takon ndjenjave. Parashikohen mundësi të mira. Sa i takon punës, diçka po lëviz në drejtimin e duhur.

Ujori

E mërkura do të jetë nën ritmin e duhur sa i takon ndjenjave, por përmirësimi do të vijë në ditët në vijim. Bëni durim! Në punë ka projekte interesante, por duhet të tregoheni të kujdesshëm me financat.

Peshqit

Ju pret një ditë e mbushur me nervozizëm, ndaj mundohuni që të përmbyllni një debat, pa iu lënë hapësirë personave që i keni kundër. Sa i takon punës, keni nevojë për të rikuperuar energjitë. Një propozim i juaji mund të ketë sukses.

Horoskopi/ E mërkurë pozitive për dashurinë Read More »

A duhet të shpresojnë shqiptarët për hapjen e kufijve?

Shqiptarët rrezikojnë të mbeten të izoluar, të paktën edhe gjatë dy javëve të para të gushtit dhe me shumë mundësi gjatë gjithë verës.

Të dhënat e fundit japin pak shpresë, që BE të ndryshojë vendimin pas dy ditësh, për hapjen e kufirit më 1 gusht. Madje BE po zgjeron izolimin, pas përjashtimit të Serbisë dhe Malit të Zi, për vendet e saj anëtare. Rastet në rritje, në Spanjë, kanë detyruar disa vende të vendosin bllokimin e lëvizjeve të ndërsjella me iberikët.

Sipas të dhënave zyrtare për të gjitha vendet, Shqipëria ka rregjistruar në total 4,997 raste pozitive me Covid-19. Vetëm në 24 orët e fundit në vendin tonë janë prekur 117 persona. Në total, 148 vetë kanë humbur jetën që nga fillimi i pandemisë, 4 prej të cilëve në 24 orët e fundit.

Ritmi në rritje si për Shqipërinë, ashtu edhe vendet e tjera fqinje, si Maqedonia e Veriut dhe Bosnja, apo Serbia dhe Mali i Zi, kur po diskutohet sërish vendimi, e bën edhe më pak optimiste situatën e hapjes së kufirit. Sipas rregullores, duhet që në 100 mijë banorë, shifrat e të prekurve në Shqipëri, të llogariten në të njëjtin nivel, me shifrat e vendeve të BE”,.

Dukshëm Shqipëria është në pozita aspak favorizueze me vendet fqinje të BE-së, sikurse edhe me dy vendet vendim-marrëse, Gjermaninë dhe Francën.

Të rikuperuar janë 2,789 persona por aktivë me COVID-19 mbeten 2,060 shqiptarë, prej të cilëve 17 aktualisht janë në gjendje kritike. Rastet në total për 1 milion banorë janë 1,737 dhe 51 të vdekur numërohen për po kaq banorë. Shqipëria ka kryer 34,477 teste në total, ose 11,981 teste për 1 milion banorë, ndërsa popullsia zyrtare e vendit tonë është 2,877,556 banorë.

Kroacia, vend i BE-së dhe me një popullsi sa Shqipëria ka 42 raste të reja dhe 1 të vdekur në 24 orët e fundit, si pasojë e kësaj sëmundjeje. Bosnja, gjithashtu vend me një popullsi të ngjashme, kë shënuar 268 raste dhe 3 të vdekur në 24 orët e fundit.

Vetëm 52 raste të reja janë shënuar në Greqi, dhe një i vdekur në 24 orët e fundit.

Gjermania ka rregjistruar 207,508 raste në total, 129 më shumë gjatë ditës së sotme, ose gati sa Shqipëria. Vetëm një i vdekur raportohet nga COVID në Gjermani në 24 orët e fundit. Por diferenca mes dy vendeve është e madhe nëse ajo logaritet për 1 milion banorë, ose 100 mijë banorë. Gjermania ka një popullsi 25 herë më të madhe se Shqipëria.

Franca, vendi i dytë më i rëndësishëm vendimarrës i BE-së, numëron 183,079 raste në total dhe 30,209 raste aktive, por nuk ka bërë ende përditësimin e 24 orëve të fundit.

Kujtojmë se Franca është duke larguar të gjithë ata që kanë kërkuar azil në këtë vend, përfshirë edhe shqiptarët të shumtë të cilët janë rikthyer këto ditë.

Shqiptarët, sipas këtyre ritmeve, ashtu edhe qytetarët e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor do të shpresojnë që në shtator vala e pandemisë të bjerë, dhe ata të mund të rifitojnë të drejtën e lëvizjes së lirë, për në zonën Shengen, apo vende të ndryshme të BE-së.

A duhet të shpresojnë shqiptarët për hapjen e kufijve? Read More »

Kuvendi, masa rigoroze për mbrojtjen e deputetëve dhe stafit

Kuvendi njoftoi sot masat e marra për mbrojtjen nga pandemia COVID-19, duke nënvizuar se që në fillim të kësaj situate ka respektuar në mënyrë rigoroze të gjitha masat mbrojtëse të urdhëruara nga Aktet Normative të Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Me vendim të Konferencës së Kryetarëve, është kufizuar kohëzgjatja e seancave plenare, si dhe koha e diskutimeve. Mbledhjet e komisioneve parlamentare, Byrosë dhe Konferencës së Kryetarëve zhvillohen online. Deputetët në sallë mbajnë maska dhe ulen duke respektuar distancën fizike, duke shfrytëzuar për këtë qëllim edhe mjediset e tjera të sallës së seancave, galerinë dhe llozhat.

“Këto masa nuk kanë ndikuar në produktivitetin dhe rezultatet e punës së Kuvendit, të seancave plenare dhe të komisioneve. Përkundrazi, në raportin “Dimensioni Human i OSBE dhe përgjigjet shtetërore ndaj pandemisë Covid-19”, publikuar para disa ditësh nga OSBE/ODIHR, Kuvendi i Shqipërisë ka marrë vlerësime shumë pozitive dhe është vlerësuar ndër parlamentet që u janë përgjigjur më mirë situatave të pandemisë”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Sipas raportit, “Parlamenti i Shqipërisë ishte ndër të parët që lejoi komisionet të punonin në distancë, përmes mjeteve të komunikimit elektronik. Në Shqipëri, vendimi për të lejuar zhvillimin në distancë të mbledhjeve të komisioneve, duke përdorur platforma videokonference, ka mundësuar që transmetimi live i këtyre mbledhjeve të jetë i arritshëm për publikun e gjerë”.

Po ashtu, është bërë dezinfektimi i rregullt periodik i mjediseve të Kryesisë së Kuvendit dhe të sallës së seancave plenare, duke garantuar dezinfektim të dedikuar para çdo seance.

Janë siguruar në mënyrë të vazhdueshme elementet e higjienës: sapun i duarve, dezinfektantët me bazë alkoli, letër pastrimi të duarve, pastrim i sipërfaqeve dhe sigurimi i koshave të mbyllur për eliminimin e mbetjeve.

Kryhet pastrimi para hapjes dhe mbylljes së procesit të punës i tavolinave, telefonave, korridoreve, tualeteve. Janë zbatuar masat për dezinfektimin e duarve dhe matjen e temperaturës së deputetëve në hyrjen e sallës së seancave plenare dhe të punonjësve të shërbimeve të Kuvendit në mjediset e Kryesisë së Kuvendit.

Në këtë situatë, Kuvendi shton se, është kufizuar prania e mediave në sallën e seancës plenare dhe, për të mos dëmtuar transparencën e veprimtarive parlamentare, ky shërbim u ofrohet të gjithë televizioneve nga Radio-Televizioni Shqiptar. Është reduktuar në maksimum prezenca e stafit në sallën e seancve plenare dhe e Gardës së Republikës. Janë ndaluar veprimtaritë dhe takimet publike në Kuvend; është pezulluar shërbimi i dokumentacionit arkivor. Janë ofruar masa lehtësuese për punonjësit prindër të fëmijëve të mitur ose me probleme shëndetësore: punë në distancë, orë fleksibël, mundësimi i rritjes së distancës fizike. Bëhet njoftimi i shtrukturave të NJVKSH për rastet e dyshuara dhe njoftohet për çdo mbledhje taskforca pranë Ministrisë së Shëndetësisë.

Shërbimet e Kuvendit kanë dhënë shembullin qytetar për respektimin e masave mbrojtëse.

Më datën 27 korrik, nisur nga numri i lartë i të infektuarve gjatë ditëve të fundit, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi iu drejtua me një apel gjithë qytetarëve shqiptarë, për të rritur ndjeshmërinë e tyre ndaj respektimit të masave mbrojtëse të urdhëruara nga Aktet Normative dhe për t’i zbatuar këto masa në sjelljen individuale, familjare e shoqërore. /atsh

Kuvendi, masa rigoroze për mbrojtjen e deputetëve dhe stafit Read More »

Bino: Protokollet e mbrojtjes frenojnë përhapjen, duhen zbatuar me rigorozitet

Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino ka bërë thirrje për kujdes dhe respektim të masave antiCovid.

Gjatë një interviste televizive ajo tha se “kemi vëmë re se kemi të bëjmë me një sëmundje që është më ngjitëse se në shkurt. Kemi të bëjmë me një sëmundje që përhapet në rrugë ajrore, virusi qëndron pezull në ajër. Nëse do të përhapej përmes stërklave, nuk do të ishte kaq infektues. Pra, nëse rrimë në një dhomë me kondicioner ne jemi të riskuar nëse nuk mbajmë maska”, tha Bino.

Sipas Binos, zbatimi i protokolleve mbrojtëse frenon përhapjen e infeksionit dhe zbut transmetimin e virusit.

“Duhet të parandalojme transmetimin në vendin e punës. Qoftë në zyrat e shtetit apo në kompani private duhet të zbatohet protokolli i shpallur që në fillim të epidemisë. Puna të bëhet me orare të caktuara, dikush të punojë nga shtëpia dhe dikush nga puna për të ulur transmetimin. Ne kemi vënë re se aty ku është ruajtur masa, nuk janë gjetur raste pozitive”, -u shpreh Bino.

“Mospërfillja e masave na çon në skenarë që nuk janë të mirë. Vendosin një peshë për sistemin shëndetësor, do të kërkojë më shumë energji, do të ketë më shumë forma të rënda. Më vjen keq që e them, edhe më shumë vdekje”,- u shpreh Bino./atsh

Bino: Protokollet e mbrojtjes frenojnë përhapjen, duhen zbatuar me rigorozitet Read More »

Meta: Ndëshkim maksimal për të gjithë manipuluesit dhe falsifikatorët e zgjedhjeve

Presidenti Ilir Meta tha sot se është “koha për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë manipulimit të zgjedhjeve dhe blerjes së votave”.

Ai reagoi duke iu referuar dhënies nga Prokuroria Speciale Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit e 22 masave të sigurisë për tre grupe komisionerësh në zgjedhjet e vitit 2017.

“Ndëshkim maksimal për të gjithë manipuluesit dhe falsifikatorët e zgjedhjeve. Ndëshkim maksimal do të ketë për të gjithë punonjësit e shtetit që keqpërdorin detyrën për presione, shantazhe dhe krime zgjedhore”, u shpreh Meta në reagimin e tij. /atsh

Meta: Ndëshkim maksimal për të gjithë manipuluesit dhe falsifikatorët e zgjedhjeve Read More »

Mbytet anija ushtarake në Dhërmi, zbulohet shkaku

Një anije e vjetër luftarake është vendosur të fundoset qëllimisht në gjirin pranë Dhërmiut.

Sipas gazetarit Enrik Mehmeti, i cili ndodhet në vendin e ngjarjes, anija do të mbytet për qëllime turistike, pra që të apasionuarit pas zhytjes të kenë mundësi ta vizitojnë më pas.
Po ashtu një anije e tillë e mbytur mund të shërbejë si ekosistem i ri për gjallesat ujore.

Mbytet anija ushtarake në Dhërmi, zbulohet shkaku Read More »