Aktualitet

‘Drejtësi për të Gjithë’/ USAID mbështet Forumin e Grave Gjyqtare Shqiptare

Projekti i USAID-it “Drejtësi për të Gjithë” mbështet Forumin e Grave Gjyqtare Shqiptare.

Forumi nisi si një mënyrë për të përkrahur dhe fuqizuar gratë gjyqtare, të cilat mund të ndihmojnë për çrrënjosjen e anshmërive dhe paragjykimeve gjinore, për avancimin e gjykatave të ndjeshme e të përgjegjshme ndaj çështjeve gjinore, dhe për promovimin e të drejtave te njeriut.

Forumi ka punuar, gjatë vitit të kaluar, me projektin “Drejtësi për të Gjithë” dhe me Shkolla e Magjistraturës për hartimin e programit “Edukim Ligjor në Vazhdim” mbi çështjet gjinore dhe mbi mënyrat se si gjykatat mund të menaxhojnë më mirë, dhe të ofrojnë shërbime, në rastet që lidhen me dhunën në familje dhe me ngacmimin seksual.

Ky program do të fillojë këtë vjeshtë për gjyqtarët në mbarë vendin.

USAID sheh me kënaqësi se si gratë gjyqtare në Shqipëri ngrihen dhe bëhen bashkë për të përmirësuar shërbimet ndaj grave dhe vajzave.

USAID përgëzon gjithashtu Forumin për pranimin e tij kohët e fundit në Shoqatën Ndërkombëtare të Grave Gjyqtare./atsh

‘Drejtësi për të Gjithë’/ USAID mbështet Forumin e Grave Gjyqtare Shqiptare Read More »

Gjirokastra, gjithnjë e më shumë pasaporta ndërkombëtare shqiptare

“Gjirokastra është bërë gjithmonë e më shumë pasaporta ndërkombëtare shqiptare e pashmangshme për miqtë, vizitorët, partnerët ndërkombëtarë”.

Kështu u shpreh kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi i cili priti grupin e miqësisë Francë-Shqipëri të parlamentit francez, kryesuar nga kryetarja e këtij grupi, mikeshë e Shqipërisë, deputetja Mireille Clapot.

Grupi i miqësisë Francë-Shqipëri i parlamentit francez, kryesuar nga kryetarja e këtij grupi, mikeshë e Shqipërisë, deputetja Mireille Clapot, me pjesëmarrjen e zëvëndëskryetarit të këtij parlamenti, Marc Le Fur, kanë ardhur për vizitë pune në Shqipëri me ftesë të kryetares së grupit të miqësisë Shqipëri-Francë në Kuvendin e Shqipërisë, Mirela Kumbaro, njëkohësisht deputete e qarkut të Gjirokastrës.

“Hapja e degës së Aleancës Franceze në Gjirokastër, binjakëzimi i Gjirokastrës me qytete të ngjashme franceze, zhvillimi i projekteve në kornizën e programeve të Agjencisë Franceze të Zhvillimit, ishin pistat kryesore që diskutuam, edhe me kolegët frankofone të qytetit tonë. Nuk do të ndalemi se prezantuari e promovuari Gjirokastrën dhe projektet e reja të muzealizimit e infrastrukturore që po e bëjnë atë destinacionin kryesor të turizmit shqiptar”, u shpreh kryebashkiaku Golemi./atsh

Gjirokastra, gjithnjë e më shumë pasaporta ndërkombëtare shqiptare Read More »

Kthesa e papritur e motit!

Agjencitë meteorologjike të rajonit janë të shqetësuara në lidhje me disa zhvillime në detin Mesdhe, të cilat nëse shkojnë sipas parashikimeve mund të shkaktojnë shkatërrime në disa shtete. Sipas agjencisë Meteorologjike të Athinës, janë të gjitha gjasat që në Mesdhe të formohet një Uragan, i cili të përshkojë të gjithë zonën detare deri në jug të detit Jon.

Por a do ta prekë Shqipërinë kjo stuhi e fuqishme?
Meteoalb bën me dije se Shqipëria mbetet në periferi të kësaj stuhie duke sjellë vetëm rrebeshe shiu dhe forcim të erës deri në 45 Km/h.

“Zhvillimi i një stuhie tropikale në Mesdhe do të sjellë rrebeshe shiu dhe stuhi të forta ere, ku parashikohet që shpejtësia e erës në det të jetë deri 200km/orë. Kjo stuhi do të prekë dhe brigjet e Italisë Jugore, po ashtu dhe Jugun e Greqisë.

Vendi ynë mbetet në periferi të kësaj stuhie duke sjellë vetëm rrebeshe shiu dhe forcim të erës deri në 45 Km/h”, tha Meteoalb për abcnews.al.

Kthesa e papritur e motit! Read More »

Rama uron Fatos Nanon për ditëlindje

Kryeministri i vendit Edi Rama ka uruar sot në ditën e lindjes ish-kreun e Partisë Socialiste Fatos Nano. Me një postim të gjatë në rrjetet sociale, Edi Rama thotë se do të kishte dëshirë që të shkruan një libër së bashku për rrugëtimin e tyre. Ai tregon se me Fatos Nanon gjithmonë ka pasur marrëdhënie shumë të mira.

“Historia e marrëdhies sonë të zhvilluar mes ekstremesh, nga “birësimi” im në familjen socialiste me bekimin e Fatosit, deri tek “vrasja e babait” për marrjen e skeptrit të tij, dihet përgjithësisht. Po në ndërkohën që flasim marrëdhënia mes nesh ushqehet shëndetshëm, me një komunikim miqësor ku e kuptojmë njëri-tjetrin në ajër, sepse prej kohësh tanimë flasim si shoferi i turnit të parë me shoferin e turnit të dytë, për të njëjtën makinë. Ose jo në fakt, se kur mendoj çfarë katërrrotaku sovjetik mori Fatosi në turnin e parë, çfarë mjeti shumë më të mirë mora unë prej tij dhe çfarë brandi shpejtësie është sot Partia Socialiste, flasim në fakt si dy pilotë të një makine që duhet të vijojë vetëzhvillimin dhe lëvizë ende më shpejt, duke e mundur përditë rrezikun e ngadalësimit nga konkurenca e dobët.:, shkruan ndër të tjera Rama.
Postimi i plotë:

#EDHE100💐

FATOS NANO u gjend në krye kur armata e shpartalluar komuniste kryente funeralin e Partisë së Punës në mes të shkretëtirës, me flamurin e rreckosur të diktaturës së proletariatit në gjysëm shtizë, moralin nën shuajt e këpucëve të rraskapitura nga marshimi 45 vjeçar drejt horizontit që vetëm largohej derisa u zhduk dhe gurmazin e konsumuar të komunizmit që nxirrte thirrjet e fundit për luftë me tërë botën, teksa era e papërmbajtshme e ndryshimit e kthente vajtimin e egër të dëshpërimit, në një fishkëllimë sa çjerrëse aq edhe qesharake. Mes fytyrave verdhacuke të udhëheqësve gjemimmbytur nga ardhmja e qametit dhe sekretarëve lëkurëdjegur nga dielli i arafabrikakantiereve, “Qorri” ishte aty fytyra e dykuptimtë e kuadrit të ri të partisë, që punonte në Institutin e Marksizëm-Leninizmit dhe e presorit garip të Ekonomikut, që tregonte barcaleta tallëse për regjimin e luante Bitëllsat me kitarën e tij.
Ishte pikërisht profili joskematik i Fatos Nanos që i dha atij skeptrin e të majtës së porsalindur pas varrimit të Partisë së Punës dhe natyra e tij jodogmatike, e kombinuar me burgosjen absurde që e pagëzoi si lider të pakonkurueshëm të socialistëve, i dha Partisë Socialiste një frymëmarrje të re e një perspektivë si forcë e parë në rrugën e përpjetë të politikës shqiptare. Mbase pa sakrificën e tij të imponuar, socialistët do të kishin pasur një fat më pak bujar, por edhe Fatosi pa atë sakrificë të imponuar, mbase nuk do ishte bërë lideri i tyre aq jetëgjatë. Fotoja që kam përzgjedhur për këtë ditë urimi ka qenë për mua pamja më domethënëse e Fatos Nanos fill pas daljes së tij nga burgu dhe ende sot befasohem nga ndryshimi i hatashëm mes saj e pamjes së tij në gjyq. Fatosi i prangosur para gjykatësve me vështrimin enigmatik, është presori i Ekonomikut i marrë peng që mbahet fort për sytë e popullit. Ndërsa Fatosi me duart e lira dhe sytë që shkëlqejnë fort është një kafshë e rrallë politike, të cilën pata fatin ta njoh nga afër.

Ai e mbajti timonin e PS në të përpjeta e të tatëpjeta dhe padiskutim është e tija në radhën më të parë, merita që Partia Socialiste nuk lëvizi asnjë moment, nga graviteti i interesit kombëtar, çka përbën sot e gjithë ditën një vijë sjelljeje të palëkundur e unikale mes partive politike në Shqipëri. Në krye të PS ai i nxorri socialistët nga shkretëtira pas varrosjes së Partisë së Punës, duke i futur në Internacionalen Socialiste si një familje idesh progresiste të kohës së re dhe duke e bërë shpirtin e ndryshimit motor të lëvizjes përpara. Në qeverisjen e vendit atij iu desh të drejtonte daljen e popullit nga shkretëtira e piramidave dhe rifillimin e shtetndêrtimit pas katrahurës rrafshuese të vitit ’97.

Historia e marrëdhies sonë të zhvilluar mes ekstremesh, nga “birësimi” im në familjen socialiste me bekimin e Fatosit, deri tek “vrasja e babait” për marrjen e skeptrit të tij, dihet përgjithësisht. Po në ndërkohën që flasim marrëdhënia mes nesh ushqehet shëndetshëm, me një komunikim miqësor ku e kuptojmë njëri-tjetrin në ajër, sepse prej kohësh tanimë flasim si shoferi i turnit të parë me shoferin e turnit të dytë, për të njëjtën makinë. Ose jo në fakt, se kur mendoj çfarë katërrrotaku sovjetik mori Fatosi në turnin e parë, çfarë mjeti shumë më të mirë mora unë prej tij dhe çfarë brandi shpejtësie është sot Partia Socialiste, flasim në fakt si dy pilotë të një makine që duhet të vijojë vetëzhvillimin dhe lëvizë ende më shpejt, duke e mundur përditë rrezikun e ngadalësimit nga konkurenca e dobët.

Duke i uruar ditëlindjen liderit historik të socialistëve, uroj gjithashtu që një ditë ta shkruajmë në një libër, së bashku, raportin e turneve tonave, për t’ua lënë në bibliotekën e zyrës së kryetarit, atyre që do të marrin turnin pas nesh. Po ka kohë plot deri atëherë dhe në ndërkohë, uroj për Fatosin shëndet, gëzime e çdo të mirë familjarisht. #TëRRALLË

Rama uron Fatos Nanon për ditëlindje Read More »

Kryeministri Rama iu kërkon falje emigrantëve në Greqi për të gjitha problematikat në ambasadë

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me emigrantët shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqi të cilëve iu ka kërkuar falje për të gjitha problematikat në ambasadë.

Rama tha se ambasadoren e re e njeh personalisht dhe është e përkushtuar duke treguar dhe mesazhin që i ka dhënë.

“Më vjen keq që personeli dhe drejtuesja e ambasadës nuk kanë dhënë atë që duhet por kjo nuk është për t’ia lënë as asaj e as personelit për çfarë ka ndodhur, është përgjegjësia jonë dhe i kërkoj ndjesë gjithë emigrantëve për çfarë ka ndodhur. Gjërat sot janë sidoqoftë shumë më mirë se ç’ishin. Kemi shërbimet online. Ju jeni të familjarizuar dhe jetoni këtu dhe i përdorni këto instrumente.

Me shërbimet online kemi hequr një pjesë të halleve e sorollatjet. Do kemi deri në fund të vitit një pjesë tjetër shërbimesh online. Megjithatë kjo nuk e zëvendëson dot plotësisht shërbimin fizik. Kemi sjellë këtu një ambasadore të re, një vajzë që e njoh personalisht, të përkushtuar, ka punuar disa vite në agjencinë për komunikim në kryeministri, ka një përvojë jo të vogël për ankesat e qytetarëve. I vetmi mesazh që i kam dhënë është që politikën e madhe e bëjmë dhe ne të tjerët. Ti ke prioritet shqiptarët që jetojnë në Greqi”, deklaroi Rama.

Kryeministri Rama iu kërkon falje emigrantëve në Greqi për të gjitha problematikat në ambasadë Read More »

Taulant Balla uron për ditëlindje Fatos Nanon: Formësoi të majtën moderne

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka uruar sot liderin historik të të majtëve për ditëlindjen, Fatos Nanon.

Përmes një mesazhi në ‘Facebook’ Balla theksoi se nën drejtimin e Nanos u formësua e majta moderne socialdemokrate.

MESAZHI I BALLËS

Urimet më të mira për ditëlindjen udhëheqësit tonë historik Fatos Nanos.

Nën drejtimin e tij u formësua e majta moderne socialdemokrate dhe progresiste, duke spikatur kontributi i PS në momente të vështira e delikate që do të kalonte Shqipëria në ngjarje me ngarkesë të madhe politike:
si refuzimi i tentativës për uzurpimin e demokracisë nga diktatura berishiane me projekt-kushtetutën e vitit 1994,

zgjedhjet e vjedhura të 26 Majit 1996 dhe dhunimi masiv i opozitës,

kriza e piramidave në 1997, kolapsi total dhe përgjegjësia jonë për rivendosjen e shtetit,

miratimi i Kushtetutës në 1998,

kontributi i pazëvendësueshëm në luftën e Kosovës në 1999,

hapat e rëndësishëm dhe historikë drejt anëtarësimit në NATO dhe në Bashkimin Europian.

Taulant Balla uron për ditëlindje Fatos Nanon: Formësoi të majtën moderne Read More »

Diplomati i njohur: Ruhuni nga ‘marrëdhëniet e shkëlqyera’ me Greqinë!

Mbrëmjen e djeshme kryeministri Rama deklaroi se Shqipëria ka marrëdhënie të shkëlqyera me Greqinë. Mirëpo pas kësaj deklarate të kryeministrit ka ardhur reagimi i diplomatit Shaban Murati, i cili apelon për të pasur kujdes.

“Se si mund të shkëlqejnë marrëdhëniet me shtetin, që rivendikon detin tënd dhe territorin tënd, që mban në fuqi ligjin e luftës me Shqipërinë 75 vjet pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, që nuk njeh çështjen çame, që kërkon autonominë e “Protokollit të Korfuzit” për minoritetin grek, që të ka grabitur ujërat e Vjosës, që në tetor 2019 abstenoi në samitin e BE kur votohej për hapjen e bisedimeve të Shqipërisë me BE”- shkruan Murati.
Postimi i plotë:

Ruhuni nga “marrëdhëniet e shkëlqyera” me Greqinë!

Marrëdhënie të shkëlqyera Shqipëria ka patur me Jugosllavinë, kur ishte satelite e saj. Marrëdhënie të shkëlqyera Shqipëria ka patur me Bashkimin Sovjetik, kur ishte satelit i tij. Marrëdhënie të shkëlqyera Shqipëria ka patur me Kinën, kur ishte satelite e saj.
Në mbrëmje vonën e 15 shtatorit kryeministri shqiptar, pas një darke intime në Athinë me kryeministrin grek, nuk dihet pse shpërtheu në një patetizëm enokulturor dhe deklaroi në emfazë se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë janë të shkëlqyera. Se si mund të shkëlqejnë marrëdhëniet me shtetin, që rivendikon detin tënd dhe territorin tënd, që mban në fuqi ligjin e luftës me Shqipërinë 75 vjet pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, që nuk njeh çeshtjen çame, që kërkon autonominë e “Protokollit të Korfuzit” për minoritetin grek, që të ka grabitur ujrat e Vjosës, që në tetor 2019 abstenoi në samitin e BE kur votohej për hapjen e bisedimeve të Shqipërisë me BE, etj. këtë paradoks vetëm udhëheqës raja dhe shtete raja mund ta besojnë.

Shqipërisë i duhen marrëdhënie normale me shtetet fqinjë, për “të shkëlqyerat” na tremb historia jonë kombëtare. Të dashur shqiptarë, ruhuni nga “marrëdhëniet e shkëlqyera” me Greqinë!

Diplomati i njohur: Ruhuni nga ‘marrëdhëniet e shkëlqyera’ me Greqinë! Read More »

Meta: Të bashkohemi kundër kesaj bande oligarkësh

Një mesazh të fortë ka përcjellë sot Kreu i Shtetit Ilir Meta. Teksa kujton 78-vjetorin e Konferencës së Pezës, Presidenti Meta i bën thirrje të gjithëve që të bashkohen kundër një pushtimi të ri nga një sekt e një bandë oligarkësh që kanë uzurpuar institucionet dhe kanë marrë peng të ardhmen e çdo shqiptari.

Sipas kreut të Shtetit, Peza është një amanet: Besa-besë për të shpëtuar Shqipërinë! “O sot o kurrë”, shkruan Meta.
“Pezë do të thotë Shqipëria mbi të gjitha! Pezë do të thotë bashkim, kushtrim dhe qëndresë, pa dallim feje, krahine dhe ideje në mbrojtje të interesit kombëtar.

Mesazhet që përcjell edhe sot, pas 78 vitesh, Konferenca e Pezës janë më aktuale se kurrë për të lënë mënjanë ndasitë e interesat afatshkurtra, dhe për t’u bashkuar kundër një pushtimi të ri nga një sekt e një bandë oligarkësh që kanë uzurpuar institucionet dhe kanë marrë peng të ardhmen e çdo shqiptari dhe atë europiane të vendit tonë.

Peza është një amanet: Besa-besë për të shpëtuar Shqipërinë!
O SOT, O KURRË!”, shkruan Meta në Facebook.

Meta: Të bashkohemi kundër kesaj bande oligarkësh Read More »