Aktualitet

Naftëtarët e uzinës së Ballshit në pr otestë, para ministrisë së Infrastrukturës

Naftëtarët e uzinës së Ballshit janë mbledhur në pr otestë ditën e sotme, para ministrisë së Infrastrukturës.

Ata kërkojnë pagat e prapambetura si dhe përmirësimin e kushteve për të rinisur punën.

Por policia ka ndërhyrë për ti shpërndarë, me pretendimin se grumbullimet janë të ndaluara, në kuadër të rregullave anti-Covid.

Kjo ka bërë që të ketë përplasje me policinë, por edhe të shoqëruar në radhët e protestuesve.

Po ashtu disa protestues janë ndjerë keq dhe janë lënduar.

Protestuesit pretendojnë se kanë disa muaj, deri në 20 rroga pa marrë, duke thënë se kanë mbetur në mes të rrugës. /noa.al

Naftëtarët e uzinës së Ballshit në pr otestë, para ministrisë së Infrastrukturës Read More »

Brataj jep mesazhin prekës: ‘Sa vlerë ka jeta jonë? Shëndetin dhe kohën s’i blejmë dot kurrë’

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, jep një mesazh mjaft domethënës, në këto kohë të vështira të përballjes me pandeminë e koronavirusit, duke kujtuar pikërisht vlerat e jetës së njeriut dhe të familjarëve e të afërmve të tij.

Teksa analizon shoqërinë shqiptare, që sipas tij, është shumë egosite dhe drejton gishtin te tjetri për gjithçka, mjeku Brataj thekson se “koronavirusi tregoi më së miri që asnjë nga këto faktorë nuk ndikon në shpëtimin e jetës nga ky virus, pikësëpari sepse është një sëmundje që nuk ka nevojë për superspecialist, nuk ka nevojë për aparatura që nuk gjenden edhe në Shqipëri. Ka nevojë për përkushtim të përditshëm, ka nevojë për humanizëm, qytetari jo vetëm nga mjekët por nga çdo person në veçanti”.

Mes të tjerash, Brataj i dërgon dhe një mesazh publik birit të tij, me fjalë tejet prekëse, dke shtuar se “Sa pak na ngelet në jetë! Sa pak herë ju kemi thënë me fjalë atë që njejmë! Sa shumë kërkojmë nga jeta kur na mjaftojnë gjërat e vogla të Nënë Terezës! Sa shumë të mira mund të bëjmë në përditshmërinë tonë”.

Mesazhi i plotë:

SA VLERË KA JETA JONË!
Sa më e emancipuar të jetë një shoqëri aq më i madh është egoizmi, aq më pak gjëra duam të na mungojnë dhe shgpesh nuk na mungon gjë materiale! Njerzit mendojnë se çdo gjë mund të blihet, shpesh herë edhe shëndeti! Kjo nuk është aspak e vërtetë, nuk varet sa lekë kemi dhe në çfarë spitali privat brenda apo jashtë shtetit mund të shkojmë. Unë i kisha të dyja mundësitë për të vepruar por vendosa të trajtohesha në shtëpi dhe po të ishte e nevojshme do të shkoja edhe në spital. Ne mjekët e kemi të qartë këtë gjë, por shpesh herë e lemë në heshtje duke e detyruar pacientin të vendosi vet ku të drejtohet. Po ashtu pacienti që e ka mundësinë ekonomike mendon se mund të detyrojë çdo mjek të ndjeki vendimet e tij!

Në një shoqëri të mbërthyer si ajo shqipëtare, egizmi mbrohet me arrogancë, me pasuri të vënë në çfardolloj mënyre, me pozicion shoqëror, administrativ ose politik. Gjithmonë fajin e kanë të tjetët, përgjegjësia është e mjekut ,spitalit ambulancës, qeverisë e të tjera si këto. Gjithmonë ne si individ jemi të pa fajshëm! Gjithmonë na karakterizon gishti tregues! Gjithmonë vetëm ne i paguajmë taksat, vetëm ne kemi të drejta. Disa shenja egizmi që duhet të na bëjnë të reflektojmë! Sa është toleranca e një qytetërimi?

Duke ngritur zërin mendojmë se kemi të drejtë, duke ndërprerë bashkëbiseduesin mendojmë se kemi të drejtë. Duke mos lënë të parakalosh me makinë te tjerët ne mendojmë se jemi më të zotë. Duke shtuar shpejtësinë po na parakalove pavarësisht se ti mund të përplasesh, mirë të të gjejë se vetë e kërkove! Ne e parkojmë makinën midis dy veneve të parkimit, që mos të afrohet tjetër kush se na gërvisht makinën, duke harruar që parkimi është e mirë publike! Kërkojmë vetëm gjëra të mëdha, domethënëse se këto janë gjëra që na takojnë. Harrojmë fjalët e mrekullueshme të një gruaje fizikisht të vogël, por shpirtërisht aq të madhe si Nënë Tereza që thoshte: Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por ne mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe.

Covid-19 tregoi më së miri që asnjë nga këto faktorë nuk ndikon në shpëtimin e jetës nga ky virus, pikësëpari sepse është një sëmundje që nuk ka nevojë për superspecialist, nuk ka nevojë për aparatura që nuk gjenden edhe në Shqipëri. Ka nevojë për përkushtim të përditshëm, ka nevojë për humanizëm, qytetari jo vetëm nga mjekët por nga çdo person në veçanti.

Kur ndodhemi para sëmundjes të gjitha këto privilegje dhe pretendime zhduken, jemi njerëz të tjerë, fillojmë të kuptojmë, të harrojmë gishtin tregues, nuk gjejmë më fajtorët, harrojmë privilegjet. Kërkojmë vetëm shëndetin tonë dhe sidomos të familjarëve , vetëm kaq! Ne e dimë sa të shtrenjta janë ato për ne, por asnjëherë nuk pyesim sa të shtrenjtë jemi ne për familjarët, për familjen, por mbi të gjitha për fëmijët tanë sa të të shtrenjtë jemi, sa të pa zëvendësueshëm jemi? Sa pak na ngelet në jetë! Sa pak herë ju kemi thënë me fjalë atë që njejmë! Sa shumë kërkojmë nga jeta kur na mjaftojnë gjërat e vogla të Nënë Terezës! Sa shumë të mira mund të bëjmë në përditshmërinë tonë!

Ted(bir), ti e di sa i shtrenjtë je për mua.

Unë në këto muaj, në ato telefonata me dhjetra në ditë së bashku dhe në këtë intervistë reflektova dhe mësova sa i shtrenjtë jam për TY.

Po të sjell këtë mesazh kaq të bukur, lexoje dhe rilexoje shpesh herë në jetë, sepse çdo gjë mund ta blejmë, por shëndetin dhe kohën nuk mund ti blejmë asnjëher!

“Kur isha i ri, dëshiroja ta ndryshoja botën, e kuptova se ishte e vështirë të ndryshohej bota, kështu që u përpoqa të ndryshoja kombin tim. Kur gjeta se nuk mund ta ndryshoja kombin, fillova të përqendrohesha në qytet, nuk mund ta ndryshoja qytetin dhe si një njeri i moshuar, unë u përpoqa të ndryshoja familjen time Tani, si një plak, e kuptoj se e vetmja gjë që mund të ndryshoj është VETË, dhe papritmas e kuptoj që, unë mund të kisha bërë një ndikim në familjen time, familja ime dhe unë mund të kishim ndikim në qytetin tonë, ndikimi i tyre mund të kishte ndryshuar kombin dhe unë me të vërtetë mund të kisha ndryshuar botën “.

Autori i panjohur

Brataj jep mesazhin prekës: ‘Sa vlerë ka jeta jonë? Shëndetin dhe kohën s’i blejmë dot kurrë’ Read More »

Horoskopi për ditor

Dashi

Do të provoni eksperienca te reja me atë që keni në krah. Ditë e favorshme edhe për financat. Do kryeni të gjitha shpenzimet që dëshironi.

Demi

Mund të përfshiheni në debate me partnerin/en tuaj, megjithatë kjo situatë do të kalojë shpejt. Sa i përket financave, nuk do të jenë të qëndrueshme.

Binjakët
Mbështetja që do t’ju japë Afërdita është shumë domethënëse, për arsye se pikërisht në planin sentimental keni shumë nevojë. Mosmarrëveshjet me dikë mund të evitohen duke u treguar më tolerantë.

Gaforrja

Dita e nesërme do të jetë e qëndrueshme. Shfrytezojeni deri në maksimum. Në planin financiar mendohuni mirë para se të kryeni çdo shpenzim.

Luani

Nesër duket se jeni të “preferuarit” e yjeve, pasi janë disa planetët e mirë. Në plan të parë është Afërdita që sjell stimuj të rinj për erosin. Një mik, apo një njohje e re mund të shënojnë një kthesë pozitive.

Virgjëresha

Pritet një ditë me shumë impenjime dhe ritmi marramendës do të ndikojë jo pak në gjendjen tuaj shpirtërore, por nuk do të mungojnë kënaqësitë as në planin ekonomik.

Peshorja

Ditë e mrekullueshme për të dashuruarit. Nuk do t’ju besohet se jeni në realitet. Sa i përket financave, duhet të organizoheni sa më shpejt, ndryshe do të keni problem.

Akrepi

Jeta në çift do të jetë e qëndrueshme dhe aspak konfliktuale. Në lidhje me financat, nuk duhet të bëni shpenzime të mëdha sepse mund të humbisni edhe ato para që keni.

Shigjetari

Situata yjore nuk është e favorshme për momentin. Jupiteri sjell ankime dhe pesimizëm, prandaj evitoni të qëndroni pasivë dhe në vetmi.

Bricjapi

Marrëdhënia me partnerin do fillojë të përmirësohet. Do ta kaloni periudhën e vështirë gjatë së cilës keni vuajtur pa masë. Financat do jenë më të mira se kurrë më parë.

Ujori

Dita e nesërme duket se do të jetë shumë interesante në planin ekonomik, sepse është Jupiteri në shenjë ai që ju bën të jeni të favorizuar. Vetëm se duhet të tregoheni të përpiktë me partnerët.

Peshqit

Ditë harmonike për të gjithë të dashuruarit. Financat do të jenë goxha të dobëta prandaj mirë do jetë të shmangni investimet.

Horoskopi për ditor Read More »

Drejtoria e Përgjithshme Detare jep alarmin/ ‘Kujdes në këto zona’

Drejtoria e Përgjithshme Detare ka njoftuar se si rezultat i krijimit të një cikloni, me erëra të fuqishme dhe reshje shiu, do të përkeqësohet moti në zonën e Detit Jon në veri.

Ditën e premte vendi ynë do të përfshihet nga erëra të forta me drejtim veri, veri-perëndim dhe veri-lindje.|

Drejtoria e Përgjithshme Detare bën apel që të gjitha subjektet që ushtorjnë veprimtari në fushën e detarisë të marrin masat e nevojshme për të qenë të sigurt dhe për të parandaluar çdo rrezik të mundhsëm për shkak të kushteve të përkeqësuara të motit.

Postimi i plotë:

Njoftim për përkeqësim të motit në zonën e Detit Jon në pjesën veriore të tij!
Si rezultat i krijimit të një cikloni, me era të fuqishme dhe reshje shiu , nga pasditja e datës 16 shtator 2020 deri më datën 19 shtator 2020 moti në zonën e Detit Jon në veri do të përkeqësohet. Moti i përkeqësuar do të ketë në jug të Italisë do të vazhdojë në drejtim të lindjes më konkretisht në zonën e Greqisë. Këto zona do të përfshihen nga era me shpejtësi deri në 60 milje në orë dhe lartësia e dallgës së detit arrin në 5.5m dhe perioda 8s. Ditën e premte dhe të shtunë vendi ynë do të përfshihet nga era me drejtim veri, veri-perëndim, veri-lindje.

Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë subjekteve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë dhe që udhëtojnë në destinacion zonën e Detit Jon i Veriut, më konkretisht në zonën e Italisë së Jugut dhe Greqisë, duhet të marrin të gjitha masat e nevojshme për të qënë të sigurt dhe parandaluar çdo rrezik të mundshëm për shkak të kushteve të përkeqësuara të motit.

Siguria juaj prioriteti ynë!

Drejtoria e Përgjithshme Detare jep alarmin/ ‘Kujdes në këto zona’ Read More »

‘Është e urrejtshme që kur dikush ikën nga pushteti, i vërsulen ata që kurrë nuk i kanë bërë ndonjë kritikë dhe nxitojnë për ta kryqëzuar’

NGA ARTAN FUGA

Është e urrejtshme që kur dikush ikën nga pushteti, i vërsulen ata që kurrë nuk i kanë bërë ndonjë kritikë dhe nxitojnë për ta kryqëzuar. Ideja ime është që largimi i dikujt nga një post publik, ministër a më poshtë a më lart, shoqërohet edhe me një harresë të natyrshme sepse personi në fjalë hyn në botën e tij private dhe del nga vëmendja publike. Me një fjalë, ikën në punën e vet. Kështu e shoh edhe largimin e ish-ministres së Arsimit, qytetares Besa Shahini.

Mirëpo, duke qenë shpesh kritik i politikave arsimore, pra edhe i punëve në krye të së cilës ka qenë ajo për disa vjet, në largim e sipër, ajo tregoi sukseset e punës së saj dhe premtoi se do të mbetet në politikë, për një të majtë jopopuliste, jodemagogjike, feministe dhe se mbetet në dispozicion të qeverisë shqiptare për çdo kontribut, si dhe premtoi se do ta mbështeste ministren e re. Pra, mbetet në sferën publike. Nuk dëgjova asgjë që ajo të thoshte që nuk shkon në fushën e arsimit dhe të edukatës së nxënësve te ne.

Nuk dëgjova së paku një gjë që të tregonte se ka gabuar, dështuar apo nuk ka arritur ta ndreqë dot. Kjo është ajo e majta jodemagogjike? Çfarë kupton ajo me populizëm? Apo që ne populli që kemi sovranitetin (në parim) jemi një tufë injorantësh që nuk duhet dëgjuar? Mendoj se ky qëndrim jokritik ndaj punëve, ky perfeksionizëm i pamundur, është edhe gabimi i fundit të saj deri në çastin e fundit në detyrë. Është një e majtë piramidale, cinike, e vetëkënaqur, autiste politikisht.

Sa keq të vjen që kur sheh se edhe në brezat e mesëm të politikanëve ka të njëjtën mendësi propagandistike për menaxhimin e punëve, ku faji është i të tjerëve, kurse puna e vetes është pa të sharë. Kështu, pa dashur të personalizoj, sidomos tani, ndërkohë që kritikat i kam bërë në kohën e duhur, desha të tregoj se gjendja nuk është ashtu sikurse kujton ish-ministrja e Arsimit. Por, fillimisht ta nis me një histori personale.

Përpara nja dy vjetësh, ndërkohë që debatohej ligji për Akademinë e Shkencave, pasi Ministria e Arsimit kishte bërë nën drejtimin e zonjës Lindita Nikolla një testim, marrje mendimesh nga profesorë universitetesh për modelet e kundërta për Akademinë e Shkencave, konstatoja që procesi kishte ngecur. Madje, edhe opinionet e dhëna zyrtarisht sipas kërkesës të ministrisë, u fshehën ndërkohë që në krye të ministrisë kishte ardhur qytetarja Besa Shahini. Konsultimi me botën akademike u hodh në kosh prej saj. Për këtë kërkova një takim me të dhe për ta marrë takimin vajta në orarin e pritjes të qytetarëve, si qytetar i zakonshëm dhe jo si akademik, që kërkoja takim për punë shtetërore.

Dikush në ministri më tha: Ju nuk keni përse merrni takim si popull, se vini për punë shtetërore. Edhe pritësja që regjistroi kërkesën time u habit, kurse për mua ishte e natyrshme. Duhej marrë shtegu i malit që nga poshtë fare, modestisht dhe pa pretendime. Unë kisha iluzionin që ndofta si akademik nuk isha në nivelin që duhej për të më pritur ministrja, por si qytetar i thjeshtë pretendoja se kisha një lloj statusi. Mendoja se si qytetar do të tërhiqja për pak minuta kohën e ministres. Pas dy ditësh, sekretarja e ministres më kërkon në telefon: Temën e bisedës, – më tha, – ndonëse e kisha shkruar në kërkesë. Pasi e verifikoi, më pas më telefonoi përsëri dhe më tha prerë: Ministrja nuk ju pret dot.

Shkoni te personat që merren me këtë çështje, të cilët ajo e dinte shumë mirë që i kisha kontaktuar pa zgjidhje më parë. Imagjinoni se çfarë trishtimi dhe fyerjeje, mendova: Kur këta nuk presin një njeri që vjen për punët e shtetit, çfarë bëjnë me mësuesit ose prindër a studentë që kanë ndonjë hall personal?

Mendova për platformën e qeverisjes së bashku dhe nënqesh prej asaj kohe hidhur sepse e provova si edhe në një rast tjetër se ku më çonte mushka e naivitetit tim politik. Por, kjo nuk ishte asgjë përpara asaj që ndodhi pak ditë më pas. Ministria e Arsimit kishte marrë detyrën nga Kryeministri me shkrim, për të formuluar bashkë me Akademinë e Shkencave ligjin për këtë të fundit. Papritur qytetarja Besa Shahini, si ministre tashmë, deklaroi në “Facebook” se ishte e lumtur që iniciativën për këtë ligj tani e kishte marrë një grup deputetësh për ta bërë. Si është e mundur që një detyrë që e kishte ministria, brenda pak sekondash e paraqiti sikur të ishte një projektligj i disa deputetëve. Mendova se do të konsultohej me Asamblenë e Akademisë së Shkencave, por as bëhej fjalë.

Injorim komplet! Telefonova deputeten E. Gj., kryesuesen e deputetëve plagjiatë për ta pyetur se përse kishin marrë për bazë njërin model të projektligjit që ishte arkivuar në ministri dhe jo edhe modelin alternativ që ndodhej po atje? Ajo m’u përgjigj: Vetëm këtë na tha ministria! Zhgënjimi tërësor. Pra, censurohet mendimi i universitarëve, censurohet modeli alternativ, braktiset një punë që i është ngarkuar zyrtarisht, u jepet autorëve të tjerë, që në fakt nuk janë autorë, një projektligj që duhej çuar deri në fund në rrugën e nisur, mospranim për t’u konsultuar me zërat ndryshe, këtë metodë konstatova me trishtim dhe keqardhje. Përtej njeriut me pamje modeste dhe timide u shfaq ministri arrogant dhe cinik. Sa keq, – mendova, – sa gjynah! Pritej të bëhej atëkohë sikurse ishte nisur edhe ligji për kërkimin shkencor, por edhe ai u braktis pikërisht sapo qytetarja në fjalë mori frenat e ministrisë, u la në mes të rrugës dhe sot e kësaj dite nuk dihet se ku ka humbur. Pas grevës së studentëve të përpara dy vjetëve u bë i ashtuquajturi “Pakt për Universitetin”.

Ky dokument përmendet prej qytetares Besa Shahini, edhe duke dalë nga zyrat e shtetit pas lënies së postit. A nuk mund ta ketë ditur ajo se ku ka përfunduar ky pakt? Po ia them unë ca! U premtua se shteti do të subvenciononte tekste bazë, fondamentalë, në shkenca të ndryshme që do të vendosnin themelet e një biblioteke të qëndrueshme, e cila mungon. Projekti nuk dha asnjë rezultat. U premtua se do të kishim bibliotekat dixhitale, a thua se një bibliotekë e specializuar është t’u japësh pedagogëve linqet për të hyrë në baza titujsh dhe tekstesh dixhitalë, pa menduar se ku do të arrijnë t’i studiojnë tekstet dixhitale studentët dhe sa prej tyre kanë aftësi gjuhësore për t’i kapur, ose sa ato tekste janë ato që duhet për realitetin shqiptar. Edhe kjo iniciativë ra në ujë. U fol për kampusin universitar në Tiranë, por mbeti pa asnjë vijimësi. Shpenzimet e studentëve për studim, relativisht me të ardhurat mesatare të familjeve, nga më të lartat në Europë.

Të lidhura me rezultatet, pra me notën, ato prodhojnë padrejtësi dhe fiktivitet. E kam thënë që edhe kaosi për zgjedhjet në universitete dhe tensionimi i jetës profesionale në ta erdhi në të shumtën e rasteve nga fakti që ish-ministrja nxirrte urdhra me tekste logjikisht dhe juridikisht kontradiktore, si edhe në ndonjë rast në minutën e fundit, duke e nxjerrë procesin jashtë shinave juridike normale. Qytetarja Besa Shahini shprehet në fjalët e fundit para ikjes nga posti se duhet gjetur mekanizmi që universitetet të mos abuzojnë me autonominë. Asgjë nuk bëri ish-ministrja për t’ua dhënë autonominë universiteteve, sepse ajo mbeti rob i ligjit të gabuar dhe e vullneteve centralizuese.

Ende nuk ka një kuadër të qartë juridik dhe teknik për shkollat doktorale. Për të hapur një drejtim të ri studimesh duhet të kalosh male e kodra burokratike. Madje, edhe për të përmirësuar rrënjësisht një sillabus lënde duhet të shkosh deri në majën e arsimit shqiptar Për të mos thënë që kuotat e pranimit të studentëve nuk kanë asnjë lidhje me nevojat e shoqërisë dhe ministria e lë këtë proces që të prodhojë papunësi intelektuale dhe zhvleftësim të diplomave. Asnjë lidhje nuk ka shpërndarja e fondeve publike me cilësinë e punës në universitete etj. As nuk mund të pritej sikurse e kam kërkuar publikisht që ministria të bënte një studim për të parë se cilat ishin rezultatet e hyrjes në fuqi të ligjit për arsimin e lartë, tani pas pesë a gjashtë vjetësh pasi ka vepruar. Pretendimi që universitetet janë autonome, nuk e shfajëson aspak Ministrinë e Arsimit për të parë se përse kërkimi shkencor në botën akademike nuk ka impakt mbi zhvillimin tonë shoqëror dhe teknologjik.

Përse studentët po largohen nga shumë drejtime studimesh, sidomos në universitetet e rretheve? Përse kjo papunësi e lartë intelektuale që në të diplomuarit e drejtimeve të caktuara mund të shkojë edhe në 80 për qind e tyre? Cili është dhe duhet të jetë modeli i menaxhimit dhe ai financiar i universiteteve publike shqiptare? A mos ndodh që buxheti publik edhe atë pak parà që hedh këtu, në fakt dikasteri vetëm e orienton aty, por nuk mat gjënë kryesore: Çfarë rezultatesh njerëzore, shkencore, financiare ai jep? A kemi gjetur ekuilibrin e duhur midis universiteteve publike, universiteteve private dhe universiteteve publike në rrethe? Këto agjenci e konkurrojnë njëra-tjetrën, mbivendosen mbi njëra-tjetrën, i “hanë bukën” njëratjetrës, dublikojnë ose shumëfishojnë njëratjetrën?

Nuk i bën përshtypje ish-ministres që masim performancën e universiteteve me inputet dhe jo me outputet e tyre? Për të mos folur për të drejtat e pedagogëve dhe të studentëve që janë në pikë të hallit, krejt jashtë standardeve europiane dhe që duhej të përbënin objektin e shqetësimeve të dikasterit. Ish-ministrja guxoi të fyente dhjetëra profesorë e specialistë, qindra e mijëra prindër dhe gazetarë kur plasi skandali më i madh në historinë e arsimit shqiptar, teza e Gjuhës dhe e Letërsisë së Maturës.

I quajti ata të paformuar në nivelin e asaj teze, që ishte një tallje dhe fyerje e inteligjencës së çdo nxënësi. Unë e di që atë tezë nuk e bën ministrja, por marrja nën mbrojtje e mediokritetit në sektorët që mbulojnë arsimin e mesëm në Shqipëri, ka qenë e pafalshme. Flas për qëndrimin e saj personal dhe jo për sëmundje afatgjata të sistemit arsimor shqiptar, që sigurisht ajo jo vetëm që nuk i përballoi, por as arriti t’i artikulojë. Askush nuk ia kërkonte këto. Nga përvoja që kam me maturantët e diplomuar kur vijnë në universitet, kam përfunduar se teza e Maturës ishte budallaqe dhe idiote jo rastësisht. Por sepse, sidomos në shkencat shoqërore dhe humane, gjendja e dijeve atje është për të qarë hallin.

Programet e letërsisë, filozofisë, gjuhëve të huaja, historisë etj., me përjashtime shumë të rralla, janë në gjendje katastrofike. Nëse do të autorizoheshin universitetet shqiptare që për studentët e regjistruar në vitin e parë të bëhej një audit i dijeve, do ta shihnim se çfarë borxhesh të tmerrshme u ka sistemi arsimor të rinjve shqiptarë. Duhet ta pranojmë që dijet e ofruara janë larg kulturës të sotme botërore. Ku letërsia e sotme, shkencat e sotme ekonomike, filozofia, logjika, shkencat gjuhësore etj., dhe ku ajo që mësojnë sistemet parauniversitare shqiptare. Unë kam përshtypjen që dikasteri nuk ka ndjekur me studime konjitive shkallën e përparimit të rinisë shqiptare në aftësitë e saj logjike dhe intelektuale, si edhe me shkallën e informacionit që ajo merr sot. Gjendja e laboratorëve të kimisë, fizikës, biologjisë, mekanikës, që ka vizituar në Shqipëri është ulëritëse. Për të mos folur për burimet e njohurive, ku teknologjitë e reja dixhitale ende nuk kanë marrë të drejtën e qytetarisë. Ende jemi te letra.

Nuk pretendoja që ajo të zgjidhte çështje kapitale të modelit dhe funksionimit të arsimit shqiptar, as të zgjidhte çështje të ndërlikuara të raportit të dijes të diplomuar me shoqërinë, as probleme të mbetura stok lidhur me mënyrën e menaxhimit financiar të buxheteve publike për arsimin publik, as të vendoste në pozicionin e duhur marrëdhëniet midis hierarkisë burokratike, të zgjedhurve dhe pedagogëve e studentëve, asnjë nga çështjet madhore që gjenerojnë cilësi universitare. Por, që Ministria e Arsimit në drejtimin e saj të nxirrte një manual ose disa manuale pedagogjike për mësuesit, prindërit, nxënësit si të përballonin mësimin në kushtet e Covid-19, do të kishte qenë minimumi që do t’u kishte bërë si nder!

Manuale ku të trajtohej pedagogjia e mësimit që bën kombinimin e informacioneve numerike në ueb, e përdorimit të rrjeteve sociale, e platformave të komunikimit interaktiv me zë dhe figurë, e teksteve të shkruara, e punës së mësuesit në klasë, e mësimdhënies në televizione etj. Asgjë. Çfarë bilanci të besueshëm përtej fjalëve na la? Një studim mbi gjendjen e kërkimit shkencor dhe të shkollave doktorale? Asgjë! Një studim mbi shkallën e integrimit profesional të të diplomuarve në tregun e punës në Shqipëri? Asgjë.

Një parashikim dhjetëvjeçar mbi fushat e reja të studimeve në arsimin e lartë shqiptar? Asgjë. Një studim krahasimor midis nivelit të dijes së një maturanti perëndimor dhe një maturanti shqiptar? Asgjë. Një studim krahasues mbi hendekun e llahtarshëm mes modeleve menaxheriale dhe të drejtimit të universiteteve shqiptare dhe atyre perëndimore? Asgjë. Apo një projekt gjigant ndërtese biblioteke universitare? Asfare! Një studim mbi fiktivitetin e notave dhe vlerësimeve në sistemin arsimor shqiptar? Asgjë.

Çfarë bëjnë të gjitha ato agjenci pranë ministrisë që paguhen me paratë e studentëve shqiptarë? Çfarë bëjnë instituti apo shoqata që marrin projekte nga ministria? E vërteta është që nuk është përgjegjësia vetëm e saj. Është e të gjithëve ne që punojmë në arsim dhe në kërkimin shkencor. Parametrat matës të punës sonë janë aq të vjetra dhe jashtë kohe, sa edhe ndofta struktura, organizimi, drejtimi i diplomave në universitetet tona. Jashtë kohe!

Askush i vetëm nuk mund ta ndryshojë situatën! Asnjë ndryshim lidershipi i vetëm po qe se nuk ndryshojnë mekanizmat e drejtimit, menaxhimit, financimit, vlerësimit, matjes së rezultateve në dije nuk bën fajde. Ndofta ai dikaster ku mblidhen ndeshjet e boksit apo të tenisit, çështje thelbësore të kopshteve për fëmijë, libri, përfaqësimi dikasterial i kërkimit shkencor, vlerësimi i performancës universitare, arsimi i mesëm etj., është një konglomerat që ndofta nuk ka dreq që e drejton pa e reformuar. Një kaos i tillë nuk prodhon dot gjë më të mirë sesa Turi!

Këtu unë nuk desha të vendos peshë mbi ish-ministren, që ajo as e mbajti dhe as e mbante dot. Kam qenë fare i qartë. Pa hedhur në kosh ligjin për arsimin e lartë dhe ligje të tjera për arsimin dhe shkencën që janë burimi i të këqijave, kot kërkohet përgjegjësi personale. Pa bërë një strategji të re të konsultuar gjerësisht për arsimin kombëtar, për shkencën, kulturën, gjithçka është e pamundur të bëhet funksionale. Por, pozicionimi personal i saj vazhdon të mbetet i gabuar.

Edhe kur erdhi në detyrë, edhe kur e ushtroi detyrën, edhe kur iku nga detyra. Pra, jo për kontekste kolektive dhe objektive, por për përqasje individuale të pajustifikuara, të paargumentuara, aspak transparente, aspak interaktive, aspak në aksin qendror të përparësive që zgjidhin krizën e akumuluar të arsimit dhe kulturës dhe shkencës në Shqipëri. Dhe mbi të gjitha, askush të mos harrojë, as ish-ministrja në fjalë, as ministra, më sipër a më poshtë, se Shqipëria brenda dhe jashtë vendit mund të nxjerrë me këtë format e standard ministra, më lart ose më poshtë, nga mijëra individë. Mijëra!

‘Është e urrejtshme që kur dikush ikën nga pushteti, i vërsulen ata që kurrë nuk i kanë bërë ndonjë kritikë dhe nxitojnë për ta kryqëzuar’ Read More »

Braçe: PS e vetmja qeveri që në 30 vite ka financuar masivisht sportin

“Futbollin e kanë marrë partitë. Ai që është presidenti i FSHF më tepër se biznesmen më tepër presidenti i FSHF është një person politik. Ka nën vetë një nga sekretarë, mbase ministrin e brendshëm në hije të PD-së Enkelejt Alibeja”, tha në një intervistë televizive, zëvendëskryeministri Erion Braçe.

Braçe shton se “lekë, lehtësi, zhvillim për sportin, jo lekë, lehtësi, zhvillim për tregtarin e sportit. Kur Armando Duka e Koço Kokodhima po bëjnë partinë e po u mohojnë shqiptarëve futbollin, atë futboll që luhet e gjuhët me topin e këtyre, duhen ca të vërteta; E para, kjo e PS është qeveria e vetme në 30 vite që ka financuar masivisht sportin, rikthehu edukimin fizik, sportiv në shkolla bashkë me mësuesit e mbetur rrugëve. Vendosi standardin qe çdo shkollë e re apo që rikonstruktohet ka palestrën e terrenet sportive të saj, janë qindra të tilla në 3 vitet e fundit. E dyta, kjo e PS është e vetmja qeveri që ka ndërtuar stadiume, qendra olimpike, vepra pas 40 vitesh për sportin. E treta, kjo e PS është e vetmja qeveri në 30 vite që ka miratuar një paketë të plotë për sportin, që bën të mundur hyrjen e sportit në kapitalizëm, ja jep klubet sportive kapitalit privat duke transferuar aksionet e shtetit, bashkive”.

“Dhënien klubeve sportive të aseteve publike pa afat, ul në 6% TVSH për investimet në këto asete sportive apo kudo. Garanton financim nga pushteti vendor me kushtin që të deklarojnë rroga sportistësh mbi 100 mijë lekë. Bën zero tatimin mbi rrogat e futbollistëve për 2 vite, taksën e pasurisë për ndërtesat sportive, TVSH për ndihmat, sponsorizimet në paisje sportive e të mjekësisë sportive. Për sponsorizime deri ne 5% të fitimit, llogarit 3 herë me shumë shpenzim të zbritshëm. Legjitimon kartën e tifozit e ndëshkon ashpër dhunën në sport”, thekson ai.

Po ashtu, Braçe shton se “me specifikisht, FSHF -së kjo qeveri i ka vënë në dispozicion dy prona me vlerë marramendëse në kryeqytet, pronën mbi të cilën u ndërtua stadiumi “Qemal Stafa”, pronën me vlerë tregu 60 mln euro ku u ndërtua federata me e shtrenjtë në vend, (presidenti i vogël duhet t’i thotë një fjalë presidentit të madh të partisë së nuk e dekreton).

“Tani, dua t’i pyes presidentët e Ligës që e drejton vartësi i Armando Dukës dhe e tutelon brutalisht Koço Kokëdhima, edhe sa do pranoni që garën ta organizojë Armand Duka, gjyqtarët t’i caktojë Armand Duka e rezultatet sportive t’i vendos ai. Për paratë, edhe sa do pranoni që të drejtën televizive tua shesë Armand Duka në biznesin e tij. Jo për gjë, por qeveria vendosi ta merrni ju 100%”, tha ai. /atsh

Braçe: PS e vetmja qeveri që në 30 vite ka financuar masivisht sportin Read More »

Mali i Tomorit, destinacioni i preferuar i turistëve edhe gjatë shtatorit

Parku Kombëtar i malit të Tomorit mbetet një nga destinacionet e preferuara turistike nga turistë vendas dhe të huaj në çdo stinë të vitit.

Këto ditë të ngrohta të shtatorit, mali i Tomorit po vizitohet nga të apasionuarit e natyrës, turistë vendas dhe të huaj.

Gjatë fundjavës një grup vizitorësh nga qytete të ndryshëm të vendit kanë shijuar kulinarin dhe peizazhet e mrekullueshme që ky vend ofron.

“Një grup vizitorësh nga qytete të ndryshëm të vendit, në një fundjavë të bukur në Malin e Tomorrit. Duke bujtur pranë Bujtina në Rroshnik, pas shijimit të gatimeve tradicionale dhe verës, përshkuan edhe shtegun Zalli i Dardhës – Qafa e Skurrës – Kalaja e Tomorit, në Malin e Tomorit”, bën të ditur Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura Berat.

Fillimi i vjeshtës e bënë Tomorin një vend atraktiv për turistë, sepse jo vetëm bukuritë natyrore, pamjet madhështore, shtigjet malore, uji i ftohtë, por dhe shtimi i ngjyrave të vjeshtës e bëjnë këtë vend një parajsë turistike. /atsh

Mali i Tomorit, destinacioni i preferuar i turistëve edhe gjatë shtatorit Read More »

Punët e bëra në këto tetë vite, karta më e fortë e PS-së në garën e ardhshme elektorale

Karta që opozita përdor si arsye, që pse duhet të humbi Partia Socialiste që ka 8 vite në pushtet, është karta më e fortë që ne kemi për të kërkuar mandatin e tretë të PS-së në zgjedhjet e ardhshme elektorale”.

Kështu u shpreh sot ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi në një intervistë televizive, ku theksoi se, “punët që kemi bërë në këto tetë vite, mënyra sesi jemi sjellë me qytetarët është karta më e fortë që kemi ne, në garën e ardhshme elektorale”.

“Në këtë kontekst, – vijoi ai, – nëse ne do të kishim abuzuar me të drejtën për të qeverisur Shqipërinë, pa dyshim do ta kishim të vështirë për të dalë në garë dhe për të kërkuar një mandat të tretë qeverisës”.

“Do ta kishim të pamundur të dilnim në garë në rast se nuk do t’i kishim shërbyer qytetarëve nëpërmjet platformës së bashkëqeverisjes, kritikës dhe vetëkritikës që kemi pasur dhe përultësisë për të dëgjuar shqetësimet e qytetarët dhe për të reaguar ndaj opinionit publik për problemet që ka pasur dhe për të ndërtuar politika që kanë ndihmuar përmirësimin e jetës së qytetarëve”, – u shpreh Klosi.

Duke u ndalur konkretisht në sektorin e turizmit, Klosi theksoi se “është një politikë e qartë e ndjekur nga Kryeministri Edi Rama dhe sot pas 8 viteve në pushtet jo vetëm kemi dyfishuar numrin e turistëve të huaj në Shqipëri, por kemi krijuar Shqipërinë destinacion të ri turistik. Pra në kuadër të një politike të caktuar, që në fakt njerëzit për atë të gjykojnë”.

Ai tha se, po afrohemi në fazën, që njerëzit të gjykojnë programin, të gjykojnë lidershipin.

“Nëse bëhet fjalë për politikën e turizmit, kemi bërë më të mirën e mundshme dhe 8 vitet e punës në këtë sektor na dëshmojnë se jemi pozitiv në rrugën e nisur. Për këtë të na gjykojnë qytetarët”, – nënvizoi Klosi.

Duke u ndalur në punën organizative të PS-së, ai shpjegoi se, “ndarja e drejtuesve politikë nëpër qarqe është detyrë që ka funksionuar gjithmonë në PS. Pra PS forcën e saj e ka te organizimi, krahas programit, punës konkrete, lidershipit, bashkëpunimit me qytetarët”.

“Mbi këtë forcë ne fillojmë fushatën prej kohësh dhe jemi pa pushim pranë qytetarit dhe zhvillimin e punëve në dobi të tyre”, – tha Klosi.

Klosi u shpreh se, “në të gjithë strukturën e saj PS është e suksesshme sepse gjeneratat bëjnë pjesë së bashku. PS ka një kombinim ciklesh dhe vlerash të bazuar mbi një program, mbi një filozofi dhe me njerëz që punojnë për të çuar realitete në të mirë të qytetarëve”. /atsh

Punët e bëra në këto tetë vite, karta më e fortë e PS-së në garën e ardhshme elektorale Read More »