Aktualitet

Mbi 300 mijë turistë në Tiranë, shtohen vizitorët disa ditorë

Nga janari në Shqipëri kanë ardhur më shumë se 1.4 milionë të huaj, nga këta 300 mijë kanë vizituar Tiranën si turistë.

Këtë vit është shtuar numri i atyre që qëndrojnë disa ditë në kryeqytet, jo vetëm në hotele, por edhe apartamente. Ky lajm është bërë i ditur nga kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Në Tiranë, 300 mijë turistë. Shtohen vizitorët që qëndrojnë disa ditë. Ky po është një superlajm. Për Tiranën, që ndoshta nuk ka det, por ka një mikpritje, jetë artistike e ushqime për t’u pasur zili”, -shkruan Veliaj në faqen zyrtare, në rrjetin social “Facebook”./atsh

Mbi 300 mijë turistë në Tiranë, shtohen vizitorët disa ditorë Read More »

Çfarë mendojnë vizitorët për turizmin në jug të vendit?

Këtë javë ka nisur në terren puna për intervistimin e turistëve që vizitojnë zonat turistike në jug të vendit.

Ky anketim është pjesë e studimit të vlerësimit të impaktit dhe zhvillohet në kuadër të Projektit për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmin që financohet nga Banka Botërore dhe zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Studimi parashikon kryerjen e rreth 1,300 intervistave me turistë çdo verë, në qendrat urbane të Sarandës, Gjirokastrës, Beratit, Përmetit dhe përgjatë korridorit turistik që kalon në këtë rajon. Ai ka nisur që në vitin 2017 dhe do të zgjasë 5 vjet deri në vitin 2022.

Qëllimi i këtij anketimi është marrja e opinioneve të turistëve lidhur me një sërë çështjesh të lidhura me nivelin dhe cilësinë e shërbimeve që ofrohen sot në tregun turistik shqiptar, destinacionet turistike, objektet e trashëgimisë historike dhe kulturore, cilësinë e informacionit të lidhur me turizmin, gastronominë, aksesin drejt zonave turistike, infrastrukturën dhe kushtet e transportit, trendin dhe modelin e shpenzimeve të turisteve gjatë qëndrimit të tyre, kohëzgjatjen e qëndrimit, etj. Anketimi i turistëve do të shoqërohet dhe me anketimin e familjeve dhe bizneseve në zonën e ndërhyrjes. Studimi do të japë një panoramë të qartë mbi efektet që po sjellin investimet në zhvillimin socioekonomik në përgjithësi dhe atij të turizmit në veçanti. /atsh

Çfarë mendojnë vizitorët për turizmin në jug të vendit? Read More »

Vlora me parkun më të madh fotovoltaik, MIE hap tenderin

Vlora do të ketë parkun më të madh të prodhimit të energjisë nga dielli.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, ka hapur procedurën konkurruese për përzgjedhjen e ofertuesit për zhvillimin e projektit për ndërtimin e impiantit fotovoltaik, me kapacitet prodhues 50 megavat, në Zonën e Akërnisë (Vlorë, që njihet si një nga zonat me rrezatimin më të lartë diellor).

Investimi parashikohet në vlerën prej 70 milionë euro. Ky është projekti i parë me këtë kapacitet në fushën e energjisë së rinovueshme në vendin tonë dhe synon të jetë një nga investimet më të mëdha në rajon në kapacitete të reja të prodhimit të energjisë.

Ndërkohë që ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë u ka bërë thirrje kompanive të interesuara për ndërtimin e impiantit që të paraqesin ofertat brenda datës 17 shtator kur do të zhvillohet tenderi.

Kohëzgjatja e marrëveshjes së projektit është 30 vjeçare dhe çmimi i blerjes së energjisë është i garantuar 100 euro për megavat për 15 vitet e para të investimit. /atsh

Vlora me parkun më të madh fotovoltaik, MIE hap tenderin Read More »

Agroturizmi shqiptar drejt zhvillimit, shtohen modelet e suksesit

“Arturi dhe bashkëshortja e tij kanë investuar në agroturizëm që prej vitit 2015, duke krijuar 6 mijë rrënjë bimë frutore dhe fidanë, me sipërfaqe 7 hektarë e gjysmë.

Edhe pse pa eksperiencë në këtë sektor, pasioni i madh e ka transformuar këtë zonë nga një sipërfaqe pa funksion, në një oaz turistik me emrin shpresëdhënës “PEMA E JETËS””.

Kështu shkruan ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi në rrjetin social “Facebook”, duke përcjellë mesazhin se ky investim, është një histori suksesi në fushën e agroturizmit shqiptar që po lulëzon gradualisht në zona të ndryshme të vendit, inkurajuar dhe mbështetur edhe nga politikat e qeverisë.

Qeveria ka nisur këtë vit, për herë të parë zbatimin e një programi të madh kombëtar për zhvillimin e agroturizmit.

Agroturizmi shihet si mundësia që do të ndryshojë tërësisht situatën në zonat rurale, ku nuk mund të fitosh me bujqësi dhe blegtori, ndaj dhe qeveria ka hartuar një paketë shumë inkurajuese në mbështetje të investimeve në këtë fushë.

Përmes programit “100 fshatrat”, ku po bashkërendojnë punën 4 dikastere të rëndësishme (Bujqësia, Infrastruktura, Kultura dhe Turizëm-Mjedisi) synohet të hapet një faqe e re në diversifikimin e zhvillimit rural, përmes agroturizmit./atsh

Agroturizmi shqiptar drejt zhvillimit, shtohen modelet e suksesit Read More »

Vetting-u, gjyqtari Artur Malaj konfirmohet në detyrë

Gjyqtari i Gjykatës Administrative të Apelit në Tiranë, Artur Malaj kalon me sukses procesin e Vetting-ut. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka dhënë sot vendimin për Malaj, duke e konfirmuar në detyrë.

“Trupi gjykues pasi dëgjoi zotin Malaj, e konsideron të përfunduar seancën dëgjimore. Në përfundim të këtij procesi të rivlerësimit trupi gjykues, vendosi konfirmimin në detyrë të zotit Artur Malaj”, deklaroi relatorja Genta Tafa Bungo.

Në seancën dëgjimore, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit doli kundër DSIK për Malaj. DSIK e konsideronte të papërshtatshëm Malaj për të vijuar ushtrimin e detyrës pasi ishin zbuluar lidhje të tij me elemente kriminalë.

Gjykatësi administrativ kandidon për postin e inspektorit të lartë të Drejtësisë./atsh

Vetting-u, gjyqtari Artur Malaj konfirmohet në detyrë Read More »

Pse ky sezon turistik është më i sigurt se vitet e kaluara?

Qendrat shëndetësore verore në zonat turistike kanë ofruar shërbime mjekësore për 17,556 pushues deri tani, ndërsa shërbimi autoambulancave ka ofruar ndihmën e shpejtë për 510 qytetarë.

Këtë sezon turistik, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Social ka hapur 26 qendra shëndetësore verore në zonat turistike bregdetare dhe ato malore. Përveç shërbimit 24 orë në qendrat shëndetësore verore, janë vendosur autoambulanca fikse në 17 zonat më të frekuentuara turistike, për t’iu përgjigjur në kohë pushuesve që kanë nevojë për kujdes shëndetësor. Këto të fundit i bëjnë më të sigurt pushimet për ata që zgjedhin bregdetin shqiptar, për t’u çlodhur.

Gjithashtu, spitalet pranë këtyre zonave funksionojnë me shërbim të përforcuar si dhe shërbimi i helikopterëve është në dispozicion të emergjencave. I gjithë shërbimi po koordinohet nga Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore, në mënyrë inovatore, ç’ka u përgjigjet qytetarëve në ndihmë, në kohë më të shpejtë./atsh

Pse ky sezon turistik është më i sigurt se vitet e kaluara? Read More »

OSBE: Meta kapo i mafies dhe drogës, Berisha grabitës pronash, Rama ka fshehur 200 milionë euro

Në vitin 2015, Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), i rrodhi në media një raport për krerët e krimit dhe korrupsionit të politikës shqiptare. Raporti fliste për veprimtarinë kriminale të Sali Berishës, Ilir Metës dhe Edi Ramës, tre njerëzit që sundojnë Shqipërinë prej 28 vitesh.

Raporti nuk përmendte Lulzim Bashën, të cilin Berisha e ka përdorur në krimet më të mëdha të pluralizmit, si për vrasjet e 21 Janarit, vjedhjen e 230 milionë lekëve me rrugën Durrës-Kukës dhe shitjen e 354 km katrorë det Greqisë.

Sipas raportit, Sali Berisha ka grabitur pronat publike me Damir Fazlliçin. Edi Rama ka fshehur 200 milionë euro në SHBA para korrupsioni, ndërsa Ilir Meta ka lidhje me mafien dhe grupet e trafikut të drogës. Berisha, Rama dhe Meta reaguan fort dhe përzunë nga Shqipëria ambasadorin e OSBE, Florian Raunig, pasi e detyruan se ato që ishin shkruar për kokat e krimit dhe korrupsionit të politikës shqiptare nuk ishin të vërteta.

Ky raport i zi dhe turpërues për kombin shqiptar, duhet të jetë objekt hetimi nga Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Prokuroria e Posaçme. Drejtësia e re duhet të hetojë burimet e këtij raporti, mosveprimin e drejtësisë aktuale që kontrollohet nga treshja Rama-Berisha-Meta dhe të vërtetën e përfshirjes së tyre në krimin e organizuar, afera korruptive, grabitjen e pronave dhe pastrimin e parave.

Ja çfarë thotë raporti i OSBE

1. Sali Berisha (PD): Ka thashetheme të përhapura rreth përfshirjes së familjes Berisha në biznese dhe aktiviteteve të paligjshme. Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, (BIRN) publikoi një investigim të zgjeruar mbi atë se si rrethin i ngushtë i Berishës kishte përfituar kontrata toke disa miliona euroshe në bashkëpunim me Damir Fazlliç – një biznesmen i përfolur nga Bosnje – Hercegovina dhe mik i Berishës.

2. Edi Rama (PS): Kryeministër. Është folur shumë në lidhje me dyshimet për përfitimin e një tarife për lejet e ndërtimit, me rreth 10 – 20 % të vlerës së ndërtesave. Shumë i kujdesshëm për të operuar nëpërmjet personave të tretë, ai ka mohuar vazhdimisht çdo përfshirje në korrupsion apo krime. Pasuria e tij përflitet të jetë rreth 200 milionë euro, të investuara në kompani “offshore” përmes vëllait të tij, Olsit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në vitin 2009 Berisha i ofroi medias një dosje voluminoze të lejeve të ndërtimit të dhëna nga Rama për disa figura kyçe të PS dhe aleatëve (Fidel Ylli, Koço Kokëdhima, Valentina Leskaj, Tom Doshi, Nard Ndoka, Sadri Abazi etj janë përmendur në këtë kontekst), në kundërshtim me ligjin dhe shpesh duke u mohuar të pronësinë e ligjshme pronarëve të mëparshme. Berisha deklaronte se në total shuma e këtyre prapësive ishte rreth 750 milionë euro.

  1. Ilir Meta, ish Kryeministër dhe Zëvendëskryeministër. Interesa në ndërtim, turizëm, materialet e ndërtimit dhe energjetikë. I dyshuar për lidhje të forta me aktorë të mafias, kryesisht nga Jugu i Shqipërisë. Ka zëra se urdhëroi të paktën dy vrasje ndërsa ishte Zëvendëskryeministër. Halit Shahini, ortak dhe korrier i Metës, dyshohet të ketë lidhje të forta me grupe kriminale në Shijak, të përfshira kryesisht në trafikun ndërkombëtar të drogës./korrieri

OSBE: Meta kapo i mafies dhe drogës, Berisha grabitës pronash, Rama ka fshehur 200 milionë euro Read More »

Turistët e huaj, të gatshëm ta rekomandojnë Shqipërinë si vend për t’u vizituar

Turistët e huaj që vizitojnë për herë të parë Shqipërinë kanë përshtypje shumë të mira dhe thonë se do ta vizitojnë sërish, ose do ta rekomandojnë në vendet e tyre të origjinës si destinacion për t’u vizituar.

Nga rezultatet e para të anketimeve në kuadër të programit “Smile Albania” rezulton se turistët e huaj tregojnë një përshtypje fenomenale për vendin tonë, sidomos kategoria e turistëve që vijnë për herë të parë në Shqipëri.

Këtë e konfirmoi sot, zv/ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Hajrulla Çeku. Sipas tij, “programi Smile Albania, i ka kaluar pritshmëritë dhe ka sjellë një vlerë të shtuar për turizmin tonë.

“Ndaj ne po bëjmë përpjekje që ky program të jetë i përhershëm dhe të vazhdojë të funksionojë edhe gjatë pjesës tjetër të vitit. Kjo lidhet me synimin e qeverisë për një turizëm të qëndrueshëm që shtrihet gjatë gjithë vitit duke sjellë fitime në ekonominë e vendit dhe duke u përdorur si instrument për të luftuar varfërinë dhe krijuar vende të reja të punës”, tha Çeku.

Ai theksoi se “kemi një konfirmim të trendit të rritjes së pushuesve që vijnë në Shqipëri dhe trendi dyshifror i rritjes po vazhdon”./atsh

Turistët e huaj, të gatshëm ta rekomandojnë Shqipërinë si vend për t’u vizituar Read More »